Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 27 August 2025Main stream

Balla takon të riun shqiptar: I lindur në Nju-Jork, është kthyer të kontribuojë në atdhe

27 August 2025 at 15:45

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla mirëpriti sot Marko Çekajn, një i ri shqiptar që ka lindur në Nju-Jork (SHBA), ku është arsimuar për ekonomi.

Me një përvojë ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, Marko ka vendosur të kthehet në atdheun e tij për të vazhduar studimet dhe për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e vendit.

Gjatë takimit, Balla u shpreh se kthimi i të rinjve me eksperiencë ndërkombëtare për të investuar njohuritë dhe aftësitë e tyre në Shqipëri është një mesazh i fortë për fuqizimin e potencialit të vendit dhe një model frymëzimi për brezat e rinj.

Marko shprehu dëshirën për të qenë pjesë aktive e proceseve zhvillimore dhe ekonomike në Shqipëri, duke kontribuar me idetë e tij dhe duke ndihmuar në projekte që synojnë përparimin e vendit.

Ministri Balla theksoi se, angazhimi i të rinjve të edukuar jashtë vendit është një vlerë e shtuar për Shqipërinë dhe një shembull që tregon se diaspora mund të japë një kontribut të rëndësishëm në Shqipërinë që synon të anëtarësohet në BE deri më 2030.

/gj.m/j.p/r.e/

The post Balla takon të riun shqiptar: I lindur në Nju-Jork, është kthyer të kontribuojë në atdhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

3,314 të rinj aplikuan në programin e praktikave të punës, numri më i lartë në 10 vite

27 August 2025 at 14:00

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ 3,314 të rinj kanë aplikuar në programin e praktikave të punës që përbën numrin më të lartë në 10 vite.

Lajmi u dha sot nga ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila u shpreh se, ky është një sinjal i fortë se rikonceptimi i programit ka funksionuar.

“Këtë vit kemi arritur një rekord të ri. 3.314 të rinj kanë aplikuar në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës. Numri më i lartë në 10 vite. Ky është një sinjal i fortë, se rikonceptimi i programit ka funksionuar. Aplikimet janë më të shumta, më cilësore dhe konkurrenca është më e fortë se çdo vit”, tha Muzhaqi.

“Tani, të gjitha institucionet po bëjnë vlerësimet dhe brenda 10 ditësh do të njoftohen të gjithë kandidatët e suksesshëm. Suksese të gjithë të rinjve që kanë aplikuar. Dhe faleminderit për besimin që na keni treguar tek ky program”, u shpreh ministrja Muzhaqi.

/gj.m/j.p/

The post 3,314 të rinj aplikuan në programin e praktikave të punës, numri më i lartë në 10 vite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dekorohen heronjtë në luftën ndaj zjarreve

27 August 2025 at 12:14

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Ditën e sotme u zhvillua ceremonia e Mirënjohjes Kombëtare për të gjitha forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve.

Kryeministri Edi Rama dekoroi me Medaljen e Mirënjohjes Publike dhe Vlerësimit Profesional disa prej heronjve në betejën ndaj zjarreve.

Ai u shpreh se dekorimi është një “shenjë simbolike mirënjohjeje dhe mesazh për të gjithë këtë trupë që meriton nderimin më të posaçëm”.

Mes të dekoruarve me Yllin e Mirënjohjes Publike ishte edhe Komisar Agim Troci, i cili u plagos vetë pasi shpëtoi disa banorë të bllokuar nga zjarret.

Yllin e Mirënjohjes publike e morën edhe koloneli Gëzim Marku dhe nënkoloneli Ervin Buzi.

Mirënjohje Publike, Vlerësim Profesional dhe Medalje Ari, morën: Inspektor Klajdi Mustaj, Nënkolonel Euklid Jemini, Nënkolonel Vladimir Nasufi, Ilirjan Hasanaj, Zjarrfikës Klodian Fishta, Zjarrfikës Ahmet Beqo, Zjarrfikës Besnik Hasani, Kryeinspektor Ilir Llapushi, Zjarrfikës Ilir Sinani.

Medalje Argjendi morën: nënkomisar Eridion Lame, inspektore Laura Leka, nënkolonel Aleksander Sine, major Ermal Radomi, toger Saimir Shemi, rreshter Indrit Shehi, tetar Vasil Leno.

Medalje Bronzi: Oficer Andi Gjura, Nëntoger Denis Gaba, Rreshter Granita Hasanaj, Ushtar Brisild Xhaçka

/gj.m/j.p/

The post Dekorohen heronjtë në luftën ndaj zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Së shpejti do të kemi flotën e avionëve tanë zjarrfikës

27 August 2025 at 12:00

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “qëndresa e njerëzve tanë ka ndaluar atë që mund të kishte qenë një asgjësim masiv mjedisor, ekonomik, moral dhe largqoftë një asgjësim njerëzor me përmasa dramatike”.

Në fjalën e tij në ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare të dhënies së medaljeve dhe shpërblimeve për të gjithë forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve, Rama u shpreh se, “edhe pse përballë një sfide të jashtëzakonshme në Delvinë, në Finiq, në Gramsh dhe në Poliçan, në Kaninë, Borsh, Piqeras, në Fushë-Arrëz dhe në Dibër dhe deri në orët e fundit në Skrapar dhe në Vlorë, qëndresa e njerëzve tanë ka ndaluar atë që mund të kishte qenë një asgjësim masiv mjedisor, ekonomik, moral dhe largqoftë një asgjësim njerëzor me përmasa dramatike”.

“Qindra mjete zjarrfikëse, helikopterë dhe edhe avionë. Pothuajse 100 misione nga ajri, qindra ndërhyrje në tokë dhe ky shtet i sfiduar si asnjë vit më parë nga zjarret nuk u thye, përkundrazi tregoi se Mekanizmi i mbrojtjes Civile nga fshati më i largët deri tek qendra e Tiranës ose anasjelltas, mundi dhe diti të jepte më të mirën edhe pse shumë ka ende për të bërë”, tha Rama.

“Sigurisht që nuk munguan edhe ekspertët online të fikjes së zjarrit, as zjarrvënësit e zakonshëm të mexhelisit tonë publik dhe dixhital, por Shqipërinë nuk e mbrojtën ata, Shqipërinë e mbrojti djersa, guximi dhe sakrifica e atyre 10 mijë e kusur njerëzve në vijën e zjarrit, pjesë e të cilëve përfaqësuese jeni edhe ju këtu”, theksoi Rama.

Kjo, shtoi ai, “është e vërteta e thjeshtë dhe e vërteta e vetme që ia vlen të thuhet me zë të lartë, ndërkohë që nga Spanja tek Franca, nga Turqia tek Portugalia, Italia e Greqia, i gjithë Mesdheu ishte në flakë si asnjëherë më parë këtë verë”.

Ram solli edhe bilancin tragjik të kësaj vere në shtetet e Mesdheut.

“Në Spanjë u zhbën totalisht afro 400 mijë hektarë. Në Portugali mbi 235 mijë hektarë, pesëfish më shumë sesa mesatarja e viteve të fundit. Në Itali afro 60 mijë hektarë. Ndërkohë që Turqia numëroi edhe 17 viktima dhe dhjetëra mijëra njerëz të evakuuar, përveçse humbi qindra mijëra hektarë tokë të mbjellë, të gjelbëruar. Ndërsa Greqia nga Kreta në Patra pa përsëri tmerr me sy. Parafytyroni që BE del nga kjo verë me mbi 1 milionë hektarë tokë të bërë shkrumb e hi”, tha Rama.

Ndaj, shtoi kreu i qeverisë, “kur dëgjojmë zëra që shajnë Shqipërinë pse nuk ka avionë zjarrfikës në pronësi duhet ta mbajmë parasysh një të vërtetë shumë të thjeshtë. Avionët nuk janë magjistarë. Ata janë ndihmës të fuqishëm, të cilët nuk na kanë munguar falë Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, pjesë e të cilit jemi ne Shqipëria me të drejta të barabarta, por nuk janë asesi të plotfuqishëm”.

“22 avionë të gjeneratës së fundit, nuk e penguan dot përbindëshin e flakëve ta digjte dhe ta përcëllonte gjerësisht zonën e Izmirit duke hapur një plagë të dhimbshme mbi tokën e Turqisë mike dhe duke bërë të evakuohen dhjetëra mijëra njerëz”, u shpreh Rama.

“Ashtu sikundër forca më e madhe ajrore e planetit nuk mundi dot ta shmangte shkrumbimin tragjik të një vendbanimi të madh sa Tirana, në Los Angelos”, nënvizoi Rama.

Rama theksoi se, “avionët janë një krah i fuqishëm në betejë padyshim. Edhe ne do të kemi së shpejti flotën e avionëve tanë e cila do të nisë të ndërtohet me dy avionë zjarrfikës, por magjia, nëse mund ta quajmë kështu, është bashkërendimi dhe sakrifica në tokë. Sot ne jemi këtu pikërisht për sakrificën në tokë dhe patjetër po përgatitemi për çfarë duhet dhe padyshim mund të bëjmë më shumë dhe mund të bëjmë më mirë. Parandalim më të mençur, pastrim pyjesh, krijim korridoresh natyrore, futje në përdorim të më shumë dronëve për monitorim me kamera termike dhe futjen në përdorim gjerësisht të dronëve për mbjelljet e reja në sipërfaqet e djegura. Teknologji dhe inteligjencë me sisteme alarmi të hershëm dhe një funksionim më i mirë, falë edhe investimeve që do të bëjmë më tej, i qendrave të integruara të kontrollit për të pasur një reagim më të shpejtë me mjete tokësore”.

Por, shtoi kryeministri, “të gjitha këto nuk na çojnë larg pa edukimin dhe ndërgjegjësimin, gjë që kërkon që çdo shkollë dhe çdo institucion, por duke filluar nga shkolla të bëhet pjesë e vëmendjes, e mbrojtjes dhe e ripërtëritjes kombëtare për pyjet, ku nxënësit jo vetëm mësojnë, por marrin pjesë në mbjellje, në përkujdesje dhe një solidaritet akoma më të madh ndërkombëtar”.

Rama falënderoi përfaqësuesit e BE-së dhe të vendeve mike, pasi theksoi ai, “falë rrjetit të solidariteti dhe falë integrimit të Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Evropiane ne ia kemi dalë më së miri të evitojmë më të keqen. Dhe Kroacia, Greqia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Suedia dhe si gjithmonë Italia, meritojnë një falënderim të posaçëm sepse në zinxhirin e Mekanizimit dërguan në vazhdimësi mjete ajrore për fikjen e zjarreve”.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Së shpejti do të kemi flotën e avionëve tanë zjarrfikës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kualifikimi në Botëror, Uzuni: Shqipëria nuk ka më vend për gabime

27 August 2025 at 11:34

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni  në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s foli për shanset e Shqipërisë në Kupën e Botës dhe çfarë do të nënkuptonte kualifikimi në Botëorin që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA.

Uzuni shpreson për një ndryshim fati për ekipin kombëtar të Shqipërisë. Shqipëria ka një ndeshje vendimtare kualifikuese në shtator kundër Letonisë

Sulmuesi i Austin FC foli gjithashtu për eksperiencën e tij në SHBA dhe ëndrrën e tij për Kupën e Botës.

Myrto Uzuni ka qenë një golashënues i shkëlqyer në çdo ndalesë të karrierës së tij, duke filluar në vendin e tij të lindjes, Shqipërinë, plus Kroacinë, Hungarinë, Spanjën dhe tani në SHBA me ekipin e Major League Soccer (MLS), Austin FC.

Me fillime modeste, të cilat përfshinin emigracionin e familjes së tij në Greqi në ndjekje të mundësive më të mëdha kur ai ishte dhjetë vjeç, sulmuesi 30-vjeçar gjithmonë e ka përdorur futbollin për të siguruar jetesën për veten dhe të dashurit e tij. Është e njëjta ambicie që e ka bërë atë një lojtar kyç të ekipit kombëtar të Shqipërisë në përpjekjen e tyre për një kualifikim për herë të parë në Kupën e Botës FIFA.

Kuqezinjtë aktualisht renditen të dytët në Grupin K të kualifikimeve të UEFA-s, katër pikë pas Anglisë kryesuese dhe vetëm një pikë përpara skuadrës serbe me dy ndeshje më pak të zhvilluara. Një përballje me Letoninë afrohet në shtator, që është fillimi i një periudhe vendimtare prej katër ndeshjesh gjatë tre muajve të ardhshëm. Uzuni u shpreh për faqen e FIFA-s në një intervistë se Shqipëria do të bëjë gjithçka që mundet për ta bërë popullin e saj krenar.

FIFA: Cilat janë mendimet tuaja të përgjithshme për fushatën kualifikuese të Shqipërisë për Kupën e Botës deri më tani?

Myrto Uzuni: Ne jemi në vendin e dytë në grup, por Serbia ka dy ndeshje më pak. Çdo ndeshje tani është si një finale. Duhet të japësh maksimumin. Nga ky shtator, tetor dhe nëntor, çdo ndeshje është një finale, por më e rëndësishmja është ndeshja e shtatorit.

FIFA: Ju startuat në ndeshjen e parë kualifikuese kundër Anglisë, një humbje e luftuar 2-0. Pavarësisht humbjes, a ju dha ajo performancë të gjithëve besim?

Myrto Uzuni: Mendoj se patëm një performancë të shkëlqyer sepse është e vështirë kur luan kundër një skuadre që është gjithmonë sulmuese dhe ka lojtarë me cilësi të lartë si Phil Foden, Jude Bellingham dhe Harry Kane. Por mendoj se Shqipëria po përmirësohet shumë. Ne kemi lojtarë të mrekullueshëm dhe një staf të mrekullueshëm, kështu që mendoj se mund të rivalizojmë me çdo ekip, dhe ky besim vjen nga loja kundër Anglisë. Nëse mund ta sfidosh Anglinë, mund ta sfidosh çdo ekip.

FIFA: Edhe pse nuk ishe pjesë e skuadrës, sa shumë nxitje ishte të shihje Shqipërinë të përballej me ekipe të mëdha si Italia, Kroacia dhe Spanja në EURO 2024?

Myrto Uzuni: Për mua të isha jashtë dhe të shikoja ndeshjet ishte e pabesueshme. Të shihja Shqipërinë në atë nivel, duke luajtur kundër Spanjës, Italisë dhe duke garuar vërtet mirë ishte fantastike.

FIFA: Ti shënove në fitoren kundër Andorrës. Si ndihesh të shënosh për vendin tënd në një kualifikuese?

Myrto Uzuni: Kisha luajtur 90 minuta në Angli dhe patëm vetëm dy ditë pushim. Vrapova rreth 13 kilometra atë ndeshje dhe pastaj fluturova për në shtëpi, kështu që ishte një ndeshje e lodhshme. Trajneri më futi në lojë për pjesën e dytë kundër Andorrës dhe shënova. Ai moment ishte shumë i lumtur, sepse luan për vendin tënd dhe luan për familjen tënde.

FIFA: Cilat janë mendimet e tua për ndeshjen tënde të radhës kundër Letonisë?

Myrto Uzuni: Kemi një ndeshje miqësore në Gjibraltar para se të luajmë me Letoninë, kështu që do të përgatitemi për ndeshjen me Letoninë në Gjibraltar. Kundër Letonisë, sigurisht, duhet të fitojmë. Jemi jashtë nëse nuk e fitojmë atë ndeshje. Kaq është. Presioni është aty, por ky presion në futboll është i mirë. Pra, për ne, janë vetëm tre pikë, asgjë tjetër.

FIFA: Cilat janë çelësat për kualifikimin e Shqipërisë?

Myrto Uzuni: Në futboll, nuk i dihet kurrë. Merr një karton të kuq dhe mund ta shkatërrojë ekipin, kështu që nëse bëjmë një gabim kundër Letonisë dhe barazojmë 1-1, kjo mund të jetë e gjitha për ne, vetëm ai gabim i vetëm. Nuk mund të bëjmë gabime të tjera që tani e tutje. Duhet të fitojmë çdo ndeshje për të kaluar në Kupën e Botës. Nëse nuk fitojmë në shtator, jemi jashtë Kupës së Botës.

FIFA: Shqipëria është kualifikuar për dy EURO, por nuk ka arritur ende në një Kupë Bote, kështu që çfarë do të thotë të ky kualifikim?

Myrto Uzuni: Për mua, si të gjithë njerëzit e tjerë, kjo është një ëndërr. Të luaj në Kupën e Botës me Shqipërinë është ëndrra ime. Do të isha shumë krenar dhe do të ishte momenti më i lartë i karrierës sime.

FIFA: Si do të ishte vendi nëse do të ndodhte?

Myrto Uzuni: Vendi do të digjej [qesh]… Është e mrekullueshme, tifozët, njerëzit, ata jetojnë për vendin. Shihni shqiptarë që jetojnë në Greqi ose kudo dhe të gjithë kanë një flamur në shtëpinë e tyre sepse e ndiejnë kaq shumë. Jemi kaq të lidhur me vendin.

FIFA: Çfarë ndikimi ka pasur Sylvinho në këtë ekip?

Myrto Uzuni: Sylvinho erdhi dhe ka krijuar një grup të mrekullueshëm. Sylvinho luajti kudo dhe ka shumë cilësi. Ai stërvitet me ne dhe nuk mund t’ia marrësh topin! Ai dhe [ndihmës trajneri] Pablo Zabaleta po bëjnë një punë të shkëlqyer. Mendoj se janë trajnerë të shkëlqyer, me të vërtetë. Pablo është agresiv gjatë gjithë kohës. Edhe kur luajmë në stërvitje Pablo bën ndërhyrje agresive ndaj nesh, duke treguar urinë argjentinase. Është e mrekullueshme të punosh me ta.

FIFA: Je një admirues i madh i Cristiano Ronaldos, kështu që a mund ta imagjinosh veten duke luajtur në një ndeshje të Kupës së Botës kundër tij?

Myrto Uzuni: Për mua, gjëja më e rëndësishme është që të shkoj me Shqipërinë në një Kupë Bote. Dhe nëse e gjej Ronaldon në grupin tim, kjo do të ishte e mrekullueshme. Do të ishte një tjetër ëndërr. Por siç thashë, për mua, më e rëndësishmja është që vendi të jetë i lumtur.

FIFA: Çfarë ndodh kur je në fushë dhe dëgjon himnin kombëtar të Shqipërisë?

Myrto Uzuni: Të dridhura. E ndjen drejtpërdrejt në atë moment. I gjithë stadiumi këndon në këtë moment. Kjo është ajo që shoh këtu në SHBA. Ata janë gjithashtu krenarë për vendin e tyre në SHBA. Këtu njerëzit janë shumë të lidhur me vendin dhe e dua këtë sepse është e njëjta gjë në Shqipëri.

FIFA: Si po shkon për ty në Austin FC?

Myrto Uzuni: Ndihem më mirë sepse ekipi po përmirësohet. Kur merr rezultatet, gjithçka është më mirë, kështu që mendoj se duhet të vazhdojmë të punojmë në atë mënyrë për të arritur qëllimet tona.

FIFA: Çfarë mendon për nivelin e MLS?

Myrto Uzuni: Sigurisht, kur luan në një ligë si në Spanjë, cilësia është më e lartë sepse ka ekipe që luajnë në Ligën e Kampionëve dhe ka lojtarë me cilësi të lartë. Por edhe këtu në MLS ka cilësi. Tani e shihni që të gjithë po vijnë në MLS dhe po përmirësohet shumë.

FIFA: A ju zuri në befasi entuziazmi për sportin këtu në SHBA?

Myrto Uzuni: Jo tamam. E shoh këtu në Austin FC sepse kur jemi në shtëpi, tifozët janë të mrekullueshëm. Ata nuk ndalen së kënduari gjatë gjithë kohës, kështu që ky është një motivim shtesë për ne, për të pasur mbështetje nga minuta e parë deri në 90 minuta.

FIFA: A ju pyesin shokët e ekipit të Shqipërisë se si është të luash në SHBA, veçanërisht me Kupën e Botës që vjen këtu vitin tjetër?

Myrto Uzuni:  Kemi bërë këtë bisedë, po. Herën e fundit që isha në Shqipëri me ekipin kombëtar, ata më pyetën për fushat stërvitore, mjediset dhe gjithçka. U shpjegova se gjithçka është perfekte dhe se njerëzit atje e duan futbollin. /gj.m/j.p/

The post Kualifikimi në Botëror, Uzuni: Shqipëria nuk ka më vend për gabime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasani: Konferenca e Ambasadorëve “Diplo 2025” mbahet në Tiranë në 8-10 shtator

27 August 2025 at 10:46

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Konferenca e Ambasadorëve “Diplo 2025” do të mbahet në Tiranë në datat 8-10 shtator.

Lajmin e ka dhënë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, igli Hasani, i cili shprehet se po bëhen përgatitjet e fundit për këtë konferencë.

Hasani nënvizon se, edhe këtë vjeshtë, ambasadorët e Shqipërisë nga e gjithë bota bashkohen në Tiranë për një tjetër konferencë të suksesshme.

“Përgatitjet e fundit për Diplo 2025. Edhe këtë vjeshtë, bashkojmë ambasadorët tanë nga e gjithë bota për një tjetër konferencë të suksesshme në Tiranë. 8–10 shtator 2025. Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, shkruan Hasani në një postim në rrjetet sociale.

Vitin e shkuar Konferenca e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë “Diplo 2024”, e organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme u mbajt në datat 26 -28 gusht 2024.

Në atë konferencë u nënvizua rëndësia e integrimit të aftësive dhe përvojave të ndryshme në shërbimin tonë diplomatik.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe dhënia e ideve dhe ndarja e mendimeve për prioritetet e MEPJ: avancimi i procesit të integrimit evropian, forcimi i diplomacisë ekonomike dhe rolit të Diasporës, modernizimi i shërbimeve konsullore etj.

Diskutimet nxorën në pah nevojën për përmirësimin e bashkëpunimit me ministritë e linjës, për të çuar përpara axhendën e reformave, sikundër edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s dhe Samitin e Komunitetit Politik Evropian.

/gj.m/j.p/

The post Hasani: Konferenca e Ambasadorëve “Diplo 2025” mbahet në Tiranë në 8-10 shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 11 vatra të shuara plotësisht, zjarri në Akërni nën kontroll

27 August 2025 at 10:36

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën e zjarreve në rang vendi.

Ministria vuri në dukje se strukturat e Mbrojtjes Civile, të ndihmuar edhe nga Forcat e Armatosura po vijojnë intensivisht punën në terren për përballimin e situatës së zjarreve në disa qarqe të vendit.

Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 14 vatra zjarri, nga të cilat 11 vatra janë shuar plotësisht, 2 vatra janë ende aktive dhe 1 vatër është nën monitorim të vazhdueshëm

Vatrat aktive janë në zonën e Akërnisë (Delisuf, Novoselë), bashkia Vlorë, ku aktualisht, situata në zonën e Akërnisë është nën kontroll dhe e qetë. Operacionet në terren po vijojnë që në orët e para të mëngjesit me angazhimin e 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë nga MZSH Vlorë, 21 forca bashkiake, 3 punonjës të Shërbimit Pyjor, 4 përfaqësues nga AdZM, 3 automjete zjarrfikëse me 20 efektivë dhe 40 trupa nga FA. Gjithashtu edhe helikopteri i Emirateve të Bashkuara Arabe është aktualisht në operim.

Momentalisht nuk vlerësohet i nevojshëm ndërhyrja me skrepa apo avionë Canadair. Vatra është përqendruar në zonën e kënetës Godull dhe pjesërisht në zonën e ish- fazanerisë. Vatra ka tym të shtuar për shkak të djegies së trungjeve dhe pishave në terren.

Në zonën e Bogovës, bashkia Skrapar, edhe pse intensiteti i zjarrit ka qenë më i ulët, nuk është arritur izolimi i plotë gjatë natës së kaluar. Sot vatra është në monitorim të punonjësve zjarrfikës Skrapar dhe Shërbimit Pyjor. Deri tani janë djegur rreth 18 hektarë pyll. Nuk ka rrezik për banesa.

Në zonën e Pezë Helmësit, bashkia Tiranë, vatrat janë të izoluara dhe të minimizuara, pa përbërë aktualisht rrezik të shtuar.

MM nënvizon se, të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim.

/gj.m/j.p/

The post MM: 11 vatra të shuara plotësisht, zjarri në Akërni nën kontroll appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

MM: Vihet nën kontroll vatra e zjarrit në biznesin në krah të segmentit Laç-Lezhë

26 August 2025 at 14:49

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes, bëri të ditur sot se, vatra e zjarrit e rënë në një objekt biznesi në krahë të segmentit Laç-Lezhë është vënë nën kontroll.

Sipas MM po punohet për fikjen e plotë të saj.

Ministria e Mbrojtjes gjithashtu thekson se, forcat zjarrfikëse mbeten të angazhuara në terren.

Ditën e sotme flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me shkurre dhe ferra pranë një biznesi në afërsi të segmentit Laç-Lezhë. Flakët janë përhapur me shpejtësi teksa dëmet materiale janë të konsiderueshme.

/gj.m/j.p/

The post MM: Vihet nën kontroll vatra e zjarrit në biznesin në krah të segmentit Laç-Lezhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pastrimi i plazheve, Rama: Turistë dhe qytetarë iu bashkuan ekipeve në terren

26 August 2025 at 14:11

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Prej datës 15 qershor ka nisur operacioni “Plazhe të pastra”, përmes të cilit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet tetë bashki bregdetare në pastrimin e plazheve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga ky pastrim, teksa shkroi se, “turistë dhe qytetarë vullnetarë i janë bashkuar ekipeve të bashkive dhe operatorëve të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit në nismën e pastrimit të plazheve, duke dhënë kështu shembullin model se si duhen trajtuar hapësirat publike, me qytetari, angazhim të përbashkët e stil të bukur jetese”.

Dyfishimi i hapësirave publike ka shtuar përgjegjësitë e institucioneve vendore për mbarëvajtjen e sezonit turistik.

Po ashtu, bashkitë e qyteteve bregdetare i kanë pajisur të gjitha këto hapësira me sinjalistikën e duhur në terren.

/gj.m/j.p/

The post Pastrimi i plazheve, Rama: Turistë dhe qytetarë iu bashkuan ekipeve në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arbi Bamllari, udhëheqësi i rrugëtimit të dronit të parë shqiptar

26 August 2025 at 12:47

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Arbi Bamllari, themelues i Skaitech, po udhëheq rrugëtimin e dronit të parë shqiptar, një hap i madh për robotikën dhe inteligjencën artificiale në vend

Ministrja e Shtetit për për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale se, ky është rasti kur një ide guximtare kthehet në realitet teknologjik.

Ibrahimaj shtoi se falë “Grant 2025”, vizioni i tyre po shndërrohet në shërbime të reja si drone delivery, VR dhe modele inovative “Made in Albania” që synojnë tregjet botërore.

Ministrja nënvizoi se, ky është një shembull se si startup-et shqiptare mund të thyejnë kufijtë dhe të krijojnë histori suksesi globale

Bamllari thekson se ajo që e motivoi për projektin inovativ ishte, mungesa e teknologjive inovative si robotika, inteligjenca artificiale dhe dronëve në Shqipëri dhe aplikimet e tyre.

“Këto ishin shtysa kryesore për të nisur Skaitech. Por mbi të gjitha, pasioni për teknologjinë dhe robotikën”, theksoi ai.

Ai theksoi se “përmes “Grant 2025”, synojmë të sjellim disa shërbime të reja në gamën tonë, si shërbimi i drone delivery, batimetria, VR, si dhe ndërtimi i një modeli të ri të dronëve “Made in Albania”.

Sa i përket vështirësive më të mëdha që kanë hasur, Bamllari tha se, “vështirësitë më të mëdha lidhen me tregun e limituar në Shqipëri dhe edukimin e tij si një teknologji e re, përfshirë edhe mungesën e mbështetjes nga institucionet shtetërore, mungesën e profesionistëve, të rinjve dhe investimeve”.

Sa i përket përkufizimit të suksesit, ai theksoi se, “suksesi për mua është krijimi dhe ndërtimi i produkteve shqiptare dhe eksporti i tyre në tregje ndërkombëtare -në këtë rast, të dronëve apo robotikës. Përveç kësaj, edhe krijimi i një brandi shqiptar në nivel ndërkombëtar nga një skuadër vendase”.

1 nga 5

/gj.m/j.p/

The post Arbi Bamllari, udhëheqësi i rrugëtimit të dronit të parë shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çelet kësti i pestë për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë

26 August 2025 at 12:27

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Ministria e Financave ka çelur këstin e pestë për kategorinë e subjekteve përfituese joparësore (trashëgimtarë), të ish-të dënuarve politikë dhe ka filluar procedurën e pagesës së këtij kësti.

Kjo procedurë bëhet në zbatim të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist ”, të ndryshuar si dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

Për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, që bëjnë pjesë në kategorinë joparësore, dokumentet që duhet të dërgojnë janë dëshmi trashëgimie ligjore për të dënuarin politik, origjinale ose kopje e njësuar e noterizuar, certifikatë vdekjeje origjinale për ish- të dënuarin politik dhe për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më, certifikatë të trungut familjar origjinal si dhe numrat e llogarisë.

Personat, të cilët nuk dëmshpërblehen, për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit të emrit për herë të parë në faqen zyrtare.

Për shpërndarjen e kësteve të tjera, pagesa e këstit vijues, do të kryhet mbi bazë të dokumentacionit  të dërguar  më parë, kur nuk ka kontestim, nga rrethi i familjarëve ose të trashëgimtarëve, ndryshime të statusit të ish- të dënuarit politik ose të trashëgimtarëve që jetojnë, revokim të prokurës së posaçme.

Në vijim të çeljes së fondit për këstin e pestë për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, Ministria e Financave ka publikuar edhe listën e parë të dosjeve në radhë për përfitimin e këstit të pestë.

Në mbështetje të dokumentacionit të depozituar pranë Ministrisë përgjegjëse për financat, Drejtoria përgjegjëse për pagesat, në zbatim ligjit në fuqi për dëmshpërblimet e ish të dënuarve politikë, të Vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe të Udhëzimit të Ministrit të Financave, realizon shpërndarjen e pagesave të këstit të radhës, duke bërë kontrollin e dokumentacionit të depozituar për çdo dosje individuale të ish të dënuarve politikë, pranë kësaj drejtorie dhe duke ndjekur radhën e pagesave të paguara ndër vite.

/gj.m/j.p/

The post Çelet kësti i pestë për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

26 gushti, Dita Ndërkombëtare e Qenve

26 August 2025 at 10:58

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ 26 gushti është Dita Ndërkombëtare e Qenve, e cila u krijua nga Fondacioni Kombëtar i Ditës së Qenve, në një mision për të promovuar adoptimin e tyre, shpëtimin nga rruga dhe mbështetjen e strehave të kafshëve.

Që nga viti 2004, fondacioni ka shpëtuar jetët e më shumë se 100.000 qenve dhe sot, duke e kthyer këtë ditë në një festë në mbarë botën.

Përveç dashurisë dhe shoqërisë që ata japin, mbrojnë shtëpitë tona, trajnohen për të ndihmuar të verbërit, veprojnë në kohë lufte dhe ndihmojnë në misionet e kërkim-shpëtimit.

Disa fakte interesante në Ditën Ndërkombëtare të Qenve:

Raca e qenve “french poodles” nuk e ka origjinën prej Francës, por në Gjermani.

Raca më e përhapur në Kanada, SHBA dhe Britani të Madhe është “labrador retriever”.

Shenja e hundës së qenve është po aq dalluese për një qen sa dhe shenjat e gishtërinjve për njeriun. Nuk ka dy lloje të njëjta dhe mund të shërbejnë për t’i identifikuar ata.

Emrat më të përdorur për qentë meshkuj janë Max dhe Buddy. Ndërsa për femrat janë Bella dhe Molly.

/gj.m/j.p/

The post 26 gushti, Dita Ndërkombëtare e Qenve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Shenjtorja Terezë dhe poeti Migjen na ndezin krenarinë

26 August 2025 at 10:44

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka përkujtuar figurën e Nënë Terezës dhe Migjenit.

“Shën Tereza lindi më 26 gusht 1910. Migjeni u largua nga kjo botë pikërisht më 26 gusht 1938. Dy të përunjurit e mëdhenj, luftëtarët e paepur në mbrojtje të vegjëlisë, i lidhte pazgjidhshmërisht zinxhiri mahnitës lindje-vdekje si shkak-pasojë”, shkruan Spiropali.

“Lutjet e Shën Terezës dhe kujat poetike të Migjenit, ishin e njëjta klithmë shpirtrash të mëdhenj nga Shqipëria e vogël drejtuar padrejtësive të botës. Njëra nga Lindja, tjetri nga Vdekja, Shën Tereza dhe Migjeni vijnë bashkë çdo 26 gusht për të na kujtuar se kudo ku ka dëshpërim dhe dhimbje, ka ngushëllim dhe shpresë”, thekson Spiropali.

“Shenjtorja Terezë dhe Poeti Migjen na ndezin krenarinë për të mëdhenjtë tanë që ia kemi dhënë edhe botës”, nënvizon Spiropali.

 

The post Spiropali: Shenjtorja Terezë dhe poeti Migjen na ndezin krenarinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vatra e zjarrit në Akërni të Vlorës ende aktive, ndërhyrje nga ajri dhe toka

26 August 2025 at 09:33

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Zjarri i rënë në pyllin me pisha në zonën e hidrovorit në fshatin Akërni të Vlorës vijon ende aktiv edhe këtë mëngjes.

Që prej orës 05:00, forcat zjarrfikëse dhe ato të Forcave të Armatosura janë rikthyer në terren për të luftuar flakët, të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.

Një ditë më parë, situata u përshkallëzua në nivel kritik, pasi erërat e forta favorizuan përhapjen e zjarrit në zona të gjera, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen vetëm me mjete tokësore.

Edhe terreni i vështirë i zonës ka penguar hyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke e rënduar situatën.

Për herë të parë në këtë vatër u angazhua edhe ndërhyrja ajrore. Në vendngjarje mbërritën katër helikopterë, dy të Forcave të Armatosura shqiptare dhe dy të tjerë të dërguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët asistuan në përpjekjet për shuarjen e flakëve nga ajri.

Autoritetet janë ende në terren dhe theksojnë se mbajtja nën kontroll e zjarrit është prioritet, ndërsa rreziku për përhapje të mëtejshme mbetet i lartë për shkak të sipërfaqes së madhe të pyllit dhe kushteve atmosferike.

/gj.m/j.p/

The post Vatra e zjarrit në Akërni të Vlorës ende aktive, ndërhyrje nga ajri dhe toka appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryen parakalime të gabuara, masa administrative për 4 drejtues automjetesh

25 August 2025 at 15:38

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ 4 drejtues automjetesh janë ndëshkuar me masa administrative pasi kryen parakalime të gabuara.

Pas publikimit të dy videove në faqen “Aksidente rrugore”, ku shfaqen 4 automjete duke kryer parakalime të gabuara në akset rrugore “Lezhë-Bushnesh” dhe “Blinisht-Fishtë”, shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës kanë kryer menjëherë verifikimet.

Nga verifikimet u identifikuan drejtuesit e automjeteve, shtetasit:  A. H., banues në Tiranë, E. K., banues në Durrës dhe L. K., banues në Shkodër. Secili nga këta shtetas u ndëshkua me masë administrative 3000 lekë; E. Sh., banues në Durrës u ndëshkua me masë administrative 12 000 lekë, si dhe iu zbritën 10 pikë nga leja e drejtimit.

Policia Rrugore e Lezhës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton ata të vijojnë të denoncojnë raste të tilla, pasi reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe në përputhje me ligjin.

/gj.m/j.p/

 

The post Kryen parakalime të gabuara, masa administrative për 4 drejtues automjetesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: 11 maji farsë elektorale, zgjedhjet u zhvilluan në prani të partisë-shtet

25 August 2025 at 14:47

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu rikthye sërish sot zgjedhjeve të 11 majit dhe asaj që ai e cilëson si farsë elektorale.

Berisha deklaroi në një konferencë për shtyp se në çdo shoqëri, zgjedhjet që zhvillohen në prani të partisë-shtet, sikur të hiqen të gjithë faktorët e tjerë, janë farsë.

“Farsë dhe vetëm farsë sepse ato shënojnë vendosjen e një pabarazie ekstreme në fushën e betejës, përdorimin e të gjitha resurseve shtetërore nga partia shtet në garën elektorale”, tha Berisha.

“Sistemi i patronazhimit, i denoncuar në mënyrë të hapur, të përsëritur nga vëzhguesit ndërkombëtare, vjen në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve. Vjen në kundërshtim me kodin elektoral dhe ligjet e tjera të vendit. Vjen në kundërshtim flagrant me Kartën e Kopenhagenit për zgjedhjet e lira, direktivat e KiE, Kodin e Venecias”, tha Berisha.

“Sistemi i patronazhimit nënkupton përdorimin nga partia shtet të të gjitha resurseve njerëzore që me ligj dhe Kushtetutë që duhet të jenë neutrale në zgjedhje, pra shndërrimin e institucioneve shtetërore në institucione elektorale dhe punonjësve të këtyre institucioneve në operatorë elektoralë”, shtoi kreu i PD.

/gj.m/j.p/

The post Berisha: 11 maji farsë elektorale, zgjedhjet u zhvilluan në prani të partisë-shtet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Numërimi mbrapsht ka filluar, Lojërat Mesdhetare në Taranto në vitin 2026

25 August 2025 at 14:20

TARANTO, 25 gusht /ATSH-ANSA/ Dritat, muzika dhe një shesh i mbushur plot kanë nisur numërimin mbrapsht zyrtar për Lojërat e 20-ta Mesdhetare.

Pikërisht një vit pas ceremonisë së hapjes, u zbulua ora e madhe që do të shënojë 365 ditët e pritjes për ngjarjen sportive, e cila do të zhvillohet nga 21 gushti deri më 3 shtator 2026, në Taranto.

Ceremonia u zhvillua përpara bashkisë dhe në të morën pjesë, ndër të tjerë, Massimo Ferrarese, Komisioner Special dhe President i Komitetit Organizativ, Davide Tizzano, President i Komitetit Ndërkombëtar dhe Kryetari i Bashkisë, Piero Bitetti.

“Ky është një moment gëzimi për rajonin tonë”, tha Ferrarese.

“Ajo që u kërkoj qytetarëve dhe të gjitha institucioneve është: të na ndihmojnë.

Na u deshën shtatë vjet për të bërë të gjitha këto.

Duhet ta bëjmë brenda dy vjetësh e gjysmë, që kur filluam, dhe kjo është e jashtëzakonshme”.

Në zemër të ngjarjes ishte zbulimi i orës së numërimit mbrapsht, i shoqëruar nga një shfaqje tingujsh dhe projeksionesh që e transformuan mbrëmjen në një festë kolektive.

Kulturës iu dha gjithashtu rëndësi, me Orkestrën Rinore ‘Magna Grecia’ që performoi një performancë të krijuar për të shfaqur talentin vendas.

Ishte planifikuar gjithashtu një diskutim në panel me disa atletë të njohur vendas, duke theksuar rolin që sporti mund të luajë në edukimin dhe rritjen e një komuniteti.

Mbrëmja përfundoi me ndriçimin e Kështjellës së Aragonës me ngjyrat e Lojërave.

Kjo iniciativë shënoi fillimin konkret të përgatitjes për një ngjarje që synon të lërë një trashëgimi të qëndrueshme në aspektin e dukshmërisë dhe infrastrukturës për qytetin dhe zonën përreth.

Garat do të zhvillohen jo vetëm në Taranto, por edhe në zonat e Leçes dhe Brindisit.

Objektet kryesore të synuara për rinovim ose ristrukturim janë stadiumi ‘Erasmo Iacovone’, Pala Ricciardi, stadiumi i notit dhe qendra e sporteve ujore.

Projektet fituese u lançuan nga ‘Sport e Salute’ me një thirrje të vetme për tender.

Ngjarja sportive ndërkombëtare do të përfshijë pesë mijë atletë nga 26 vende në Evropë, Afrikë dhe Azi.

Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje sportive shumëdisiplinore e hapur për vendet mesdhetare dhe disa vende të brendshme.

Gara është e frymëzuar nga Lojërat Olimpike dhe synon të promovojë sportin dhe bashkëpunimin midis popujve të Mesdheut.

Italia është kombi me më shumë medalje në historinë e Lojërave, falë shumë kampionëve të edicioneve të kaluara, përfshirë Pietro Mennea, Sara Simeoni, Yuri Chechi, Federica Pellegrini dhe Vanessa Ferrari.

Edicioni i parë u mbajt në vitin 1951 në Aleksandri, Egjipt, dhe i fundit në vitin 2022 në Oran, Algjeri.

1 nga 9
TARANTO IL 21-08-2025 QUESTA SERA NELLA CITTA' DEI DUE MARI AD UN ANNO ESATTO DALLA CERIMONIA DI APERTURA DEI XX GIOCHI DEL MEDITERRANEO SI E' TENUTA L'INAUGURAZIONE DEL COUNTDOWN UFFICIALE CON L'AVVIO DELL'OROLOGIO INSTALLATO IN PIAZZA MUNICIPIO CHE SEGNERA' OGNI GIORNO L'ATTESA DEI GIOCHI IN FOTO FOTORENATOINGENITO/ANSA Z53
TARANTO IL 21-08-2025 QUESTA SERA NELLA CITTA' DEI DUE MARI AD UN ANNO ESATTO DALLA CERIMONIA DI APERTURA DEI XX GIOCHI DEL MEDITERRANEO SI E' TENUTA L'INAUGURAZIONE DEL COUNTDOWN UFFICIALE CON L'AVVIO DELL'OROLOGIO INSTALLATO IN PIAZZA MUNICIPIO CHE SEGNERA' OGNI GIORNO L'ATTESA DEI GIOCHI IN FOTO FOTORENATOINGENITO/ANSA Z53
TARANTO IL 21-08-2025 QUESTA SERA NELLA CITTA' DEI DUE MARI AD UN ANNO ESATTO DALLA CERIMONIA DI APERTURA DEI XX GIOCHI DEL MEDITERRANEO SI E' TENUTA L'INAUGURAZIONE DEL COUNTDOWN UFFICIALE CON L'AVVIO DELL'OROLOGIO INSTALLATO IN PIAZZA MUNICIPIO CHE SEGNERA' OGNI GIORNO L'ATTESA DEI GIOCHI IN FOTO DAVIDE TIZZANO IL PRES. DEL COMITATO INTERNAZIONALE DEI GIOCHI DEL MEDITERRANEO FOTORENATOINGENITO/ANSA Z53
TARANTO IL 21-08-2025 QUESTA SERA NELLA CITTA' DEI DUE MARI AD UN ANNO ESATTO DALLA CERIMONIA DI APERTURA DEI XX GIOCHI DEL MEDITERRANEO SI E' TENUTA L'INAUGURAZIONE DEL COUNTDOWN UFFICIALE CON L'AVVIO DELL'OROLOGIO INSTALLATO IN PIAZZA MUNICIPIO CHE SEGNERA' OGNI GIORNO L'ATTESA DEI GIOCHI IN FOTO IL SINDACO PIERO BITETTI FOTORENATOINGENITO/ANSA Z53
TARANTO 27-11-23 CAMPIONATO DI CALCIO SERIE C GIRONE C STAGIONE 2023/2024 15^ GIORNATA - TARANTO VS CASERTANA IN FOTO
TARANTO IL 21-08-2025 QUESTA SERA NELLA CITTA' DEI DUE MARI AD UN ANNO ESATTO DALLA CERIMONIA DI APERTURA DEI XX GIOCHI DEL MEDITERRANEO SI E' TENUTA L'INAUGURAZIONE DEL COUNTDOWN UFFICIALE CON L'AVVIO DELL'OROLOGIO INSTALLATO IN PIAZZA MUNICIPIO CHE SEGNERA' OGNI GIORNO L'ATTESA DEI GIOCHI IN FOTO DAVIDE TIZZANO FOTORENATOINGENITO/ANSA Z53
TARANTO IL 21-08-2025 QUESTA SERA NELLA CITTA' DEI DUE MARI AD UN ANNO ESATTO DALLA CERIMONIA DI APERTURA DEI XX GIOCHI DEL MEDITERRANEO SI E' TENUTA L'INAUGURAZIONE DEL COUNTDOWN UFFICIALE CON L'AVVIO DELL'OROLOGIO INSTALLATO IN PIAZZA MUNICIPIO CHE SEGNERA' OGNI GIORNO L'ATTESA DEI GIOCHI IN FOTO IL PRESIDENTE DEL COMITATO ORGANIZZATORE DEI GIOCHI DEL MEDITERRANEO MASSIMO FERRARESE FOTORENATOINGENITO/ANSA Z53
TARANTO IL 21-08-2025 QUESTA SERA NELLA CITTA' DEI DUE MARI AD UN ANNO ESATTO DALLA CERIMONIA DI APERTURA DEI XX GIOCHI DEL MEDITERRANEO SI E' TENUTA L'INAUGURAZIONE DEL COUNTDOWN UFFICIALE CON L'AVVIO DELL'OROLOGIO INSTALLATO IN PIAZZA MUNICIPIO CHE SEGNERA' OGNI GIORNO L'ATTESA DEI GIOCHI IN FOTO DA SX PIERO BITETTI, MASSIMO FERRARESE, DAVIDE TIZZANO E MONICA CARADONNA FOTORENATOINGENITO/ANSA Z53

/gj.m/j.p/

The post Numërimi mbrapsht ka filluar, Lojërat Mesdhetare në Taranto në vitin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzikë mbi normat e lejuara, gjobë administratorit të lokalit në Shkodër

25 August 2025 at 14:03

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Administratori i një lokali në në lagjen “Vasil Shanto”, në Shkodër është ndëshkuar me masë administrative 200 000 lekë të rinj, pasi prishi qetësinë publike duke vënë muzikë mbi normat e lejuara

Në kuadër të masave të shtuara për ruajtjen e qetësisë publike dhe për mbrojtjen nga ndotja akustike në zonat turistike, bazuar dhe në telefonatat e qytetarëve, strukturat e DVP Shkodër kanë intensifikuar, monitorimet në subjektet që zhvillojnë veprimtari me muzikë të lartë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pasi morën njoftim nga salla operative per një ankesë për muzikë të lartë në lagjen “Vasil Shanto”, konstatuan se niveli i muzikës i tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj. Në përfundim, ndaj administratorit të këtij subjekti, shtetasit M. L., u vendos masë administrative me vlerë 200 000 lekë.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër i bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre.

/gj.m/j.p/

The post Muzikë mbi normat e lejuara, gjobë administratorit të lokalit në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kishin mbetur në det me gomone, policia u vjen në ndihmë dy turistëve gjermanë

25 August 2025 at 12:25

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Policia Kufitare në Himarë u ka ardhur në ndihmë dy turistëve gjermanë që kishin mbetur në det me një mjet lundrues gomone.

Policia Kufitare në Himarë, mbrëmjen e djeshme, pasi mori njoftim për dy shtetas që kishin mbetur në det me mjet lundrues gomone dhe për shkak të erës së fortë nuk mundeshin të vijonin lundrimin, shkoi menjëherë në ndihmë të tyre, në zonën e Qeparoit.

Pas lokalizimit të tyre, shërbimet e Policisë Kufitare bënë të mundur nxjerrjen e dy turistëve gjermanë, të sigurt, në Portin e Himarës.

Turistët falënderuan shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.

Policia Kufitare vijon të jetë e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe në këtë kuadër fton qytetarët që në rast nevoje të telefonojnë në numrin 112.

/gj.m/j.p/

The post Kishin mbetur në det me gomone, policia u vjen në ndihmë dy turistëve gjermanë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kristjan Asllani prezantohet te Torino

25 August 2025 at 12:20

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Mesfushori shqiptar Kristjan Asllani është prezantuar tek Torino në Itali.

Klubi italian e ka marrë 23-vjeçarin e Kombëtares në huazim nga Interi për një sezon, me të drejtë për blerje përfundimtare në bazë të performancës.

Edhe pse vizitat mjekësore për Asllanin u kryen katër ditë më parë, një vonesë në dokumentacion ka bërë që prezantimi i tij zyrtar të bëhet vetëm sot.

Interi pret sot në Milano pikërisht Torinon, por as Asllani e as mbrojtësi tjetër i Kombëtares, Ardian Ismajli nuk do jenë të gatshëm për torinezët.

Kristjan Asllani u largua tre vitesh nga Interi. Torino ka paguar 1.5 milionë euro te Interi për huazimin një vjeçar, ndërsa pas këtij sezoni ka të drejtë për blerjen e mesfushorit në bazë të performancës për 12.5 milionë euro, për një kontratë finale 3-vjeçare.

/gj.m/j.p/

The post Kristjan Asllani prezantohet te Torino appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌