Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 August 2025Main stream

MEKI: Vendimet gjyqësore të formës së prerë detyrojnë lirimin e pronës së “KAYO” sh.a

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit ka kërkuar sot lirimin e godinës ku ushtron aktivitetin “Focus Media News”, pasi me vendim të Gjykatës kjo godinë do t’i kalojë shoqërisë shtetërore “Kayo” sh.a.

“Focus Media News”, grupi mediatik ku bën pjesë News 24, Balkanweb…etj, prerendon se ka një kontratë për godinën deri në vitin 2033.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar sot ndaj pretendimeve të shoqërisë “Focus Media News” për zgjatjen e kontratës së qirasë deri në vitin 2033, duke theksuar se ato lidhen me një pasuri tjetër shtetërore, pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pronën e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a.

Sipas ministrisë, bëhet fjalë për dy prona dhe dy kontrata të ndryshme, ndërsa vendimet gjyqësore të formës së prerë detyrojnë lirimin e menjëhershëm të pronës së “KAYO” sh.a. në përputhje me ligjin.

Deklarata e plotë:

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në vijim të interesit të lartë publik dhe për sqarimin e opinionit mbi pretendimet e paraqitura nga Shoqëria “Fokus Media News” lidhur me të ashtuquajturën vazhdimësi të kontratës së qirasë deri në vitin 2033, bën me dije sa vijon:

Pretendimi i shoqërisë se kontrata e saj e qirasë ka afat deri në vitin 2033 lidhet me një pasuri tjetër shtetërore, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasurinë e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a.

Pasuria në fjalë është gjithashtu në pronësi të shtetit dhe ndodhet në zonën kadastrale nr. 8170, pasuria nr. 10/304, me sipërfaqe trualli 13,922 m², pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” në Shkozë. Për këtë pronë ekziston një tjeter kontratë qiraje e lidhur në vitin 2013 dhe e ndryshuar me aneks në vitin 2016 ndërmjet MFE, sot Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqërisë Panorama Group Sha. me kohëzgjatje deri në 2033.

Në dallim nga kjo, pasuria që i është kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a. me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12.3.2025, ishte fillimisht e dhënë me qira në vitin 2002 për një afat deri në vitin 2022 dhe ka qenë objekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke patur kundërpalë Shoqërinë “Focus Media Neës”.

Kontrata e qirasë e pretenduar si e vlefshme deri në vitin 2033 i referohet një pasurie tjetër, me numër dhe kufij të ndryshëm nga pasuria objekt i vendimeve gjyqësore dhe që nuk i është kaluar “KAYO” sh.a. Ky fakt konfirmohet nga dokumentacioni zyrtar i regjistrit kadastral dhe nga planet e rilevimit, të cilat tregojnë qartë se bëhet fjalë për njësi pronësore të ndryshme.

Çdo përpjekje për të paraqitur këto pasuri si të njëjta ose të lidhura, përfshirë referencat ndaj kontratave të tjera të qirasë, përveçse e pabazë është edhe një dizinformim nga ana e një media-je që duhet të tregojë të vërtetën. Asnjë interes material i pronarëve nuk e justifikon keqinformimin!

Pra janë dy gjëra e dy kontrata krejt të ndryshme dhe kjo e dyta nuk ka asnjë ndikim mbi vlefshmërinë, legjitimitetin apo ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë që detyrojnë lirimin e menjëhershëm të pasurisë së kaluar nga Këshilli i Ministrave shoqërisë “KAYO” sh.a., për realizimin e objektit të saj të aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit rikonfirmon se veprimet për marrjen në posedim faktik të kësaj prone janë në përputhje të plotë me ligjin dhe me vendimet e gjykatave, si dhe se pasuria është e regjistruar qartësisht si njësi e veçantë pronësore, pa lidhje me asnjë pronë tjetër të dhënë me qira përmes kontratave të ndryshme.

MEKI mbetet e hapur për çdo sqarim e informacion në interes të informimit korrekt të opinionit publik dhe të gjithë të interesuarve.

/e.i//a.f/

The post MEKI: Vendimet gjyqësore të formës së prerë detyrojnë lirimin e pronës së “KAYO” sh.a appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksioni i IKMT-së në Vlorë, Rama: Pakoja e re e masave, mesazh i qartë për ata që shkelin ligjin

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike, një nismë që i paraprin vizionit të qeverisë për Rilindjen Urbane 2.0, po vijon në të gjitha bashkitë e vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, pamjet e një tjetër aksioni të IKMT-së në Vlorë, ku po shembet një objekt disakatësh, i pozicionuar buzë detit.

Rama tha se “kjo video është për ata që kanë merakun e gabuar se s’po ndëshkohen shkelësit e mëdhenj, si edhe për të ritheksuar faktin që kjo ngrehinë këtu nuk është as e para, e as e fundit që rrafshohet për paligjshmëri”.

Kryeministri Rama bëri me dije, se “të tjera procese sekuestrimesh po bëhen në Vlorë e jo vetëm, për shkelje brutale të lejeve të ndërtimit”.

Rama pohoi se “njëkohësisht pakoja e re e masave që do të miratojmë së shpejti do të jetë një mesazh i qartë për të gjithë, ata që shkelin ligjin duke lënduar mjedisin e përbashkët po edhe ata që mbyllin sytë përpara shkelësve”.

Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Ky aksion ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/e.i//a.f/

The post Aksioni i IKMT-së në Vlorë, Rama: Pakoja e re e masave, mesazh i qartë për ata që shkelin ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aktet heroike të efektivëve Troci e Mustaj, Rama: Policia e Shtetit ka mijëra djem e vajza që punojnë me përkushtim

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Efektivi Klajdi Mustaj u kthye në heroin e ditës së djeshme, duke shpëtuar tre qytetarë pas një aksidenti të rëndë rrugor në aksin Levan-Fier.

Kryeministri Edi Rama, në një reagim në rrjetet sociale tha sot se “Klajdi Mustajt, i jemi të gjithë mirënjohës për forcën e madhe të shembullit në shpëtimin e tre qytetarëve të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier”.

Kryeministri Rama, vlerësoi gjithashtu edhe aktin heroik të efektivit, Agim Troci, i cili u plagos disa ditë më parë në “luftë” me flakët në Sarandë.

Rama tha se “kur një punonjës policie turpëron uniformën, me të drejtë të gjithë revoltohemi dhe padrejtësisht shumëkush shan të tërë policinë, por Policia e Shtetit nuk përfaqësohet nga ata që e turpërojnë, po nga mijëra burra, djem e vajza që punojnë me përkushtim”.

Më herët, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, vlerësoi dhe falënderoi inspektor Klajdi Mustaj për humanizmin dhe përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve dhe detyrës, për ndërhyrjen e guximshme për të shpëtuar tre qytetarë të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier.

Për këtë akt guximi dhe përkushtimi në shërbim të jetës së qytetarëve, Proda i akordoi punonjësit të Policisë Rrugore, Klajdi Mustaj, certifikatën për Shërbime të Dalluara.

/e.i/a.f/

The post Aktet heroike të efektivëve Troci e Mustaj, Rama: Policia e Shtetit ka mijëra djem e vajza që punojnë me përkushtim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Plazhi i Darzezës, çdo vit e më shumë destinacion veror

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Plazhi i Darzezës, 20 kilometra nga qyteti i Fierit, po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga pushues vendas, por edhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga plazhi i Darzezës, i mbushur me pushues të shumtë dhe të të gjitha grupmoshave.

Rama tha se plazhi i Darzezës në Fier frekuentohet çdo vit, gjithmonë e më tepër duke u kthyer në destinacion veror.

Me një brez të gjerë rërë dhe ujë të pastër, Darzeza ka një sipërfaqe prej 13,7 km2.

Pushuesit zgjedhin të frekuentojnë këtë plazh për shkak të bukurisë, por kryesisht edhe për pastërtinë që ofron. Plazhi i Darzezës në Fier nuk shquhet vetëm për rërën kurative, ai është i gërshetuar mirë me ujin e pastër dhe pyllin shekullor.

Kjo pjesë e Adriatikut shoqërohet edhe me valët e forta të detit, duke ofruar për të apasionuarit e kitesurfing (rrëshqitje në valët e detit), ëindsurf, ëakeboard, si dhe sporte të tjera.

Bregdeti i Darzezës është i vetmi në Ballkan ku era krijon dallgë, të cilat janë të favorshme për ushtrimin e këtyre sporteve të veçanta.

Në fundjavë ky plazh është destinacioni i qytetarëve fierakë e jo vetëm. Rëra këtu është e imët dhe plot jod, mbrëmjet të freskëta dhe mbresëlënëse.

Pamje nga plazhi i Darzezës
1 nga 5

/e.i//a.f/

The post Rama: Plazhi i Darzezës, çdo vit e më shumë destinacion veror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Veliera u bllokua në lumin Seman, Policia e Vlorës u vjen në ndihmë dy shtetasve gjermanë

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Policia Kufitare e Vlorës njofton se u ka ardhur në ndihmë dy shtetasve gjermanë, veliera e të cilëve kishte mbetur e bllokuar që prej mbrëmjes së djeshme në grykëderdhjen e lumit Seman.

Salla operative e DVKM Vlorë mori njoftim se një velierë me flamur gjerman, në bord të së cilës ndodheshin dy shtetas, kishte mbetur e bllokuar në grykëderdhjen e lumit Seman dhe kërkohej ndihmë.

Menjëherë, nga Njësia e Patrullës Detare u nis mjeti lundrues, i cili bëri të mundur transportimin e sigurt të dy shtetasve drejt bregut.

“Nga verifikimet rezultoi se veliera ishte nisur nga Korfuzi, Greqi, dhe për shkak të kushteve të terrenit, prej mbrëmjes së djeshme ishte bllokuar në këtë zone”, thuhet në njoftimin e Policisë, ndërsa të dy shtetasit ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të asistohen nga Kapiteneria e Portit Vlorë për veprime të mëtejshme.

Policia Kufitare vijon të qëndrojë në gatishmëri të plotë, 24/7, në shërbim të qytetarëve dhe turistëve.

/e.i//a.f/

The post Veliera u bllokua në lumin Seman, Policia e Vlorës u vjen në ndihmë dy shtetasve gjermanë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trafik armësh e municionesh nga Shqipëria në Itali, arrestohet në Lezhë kreu i organizatës kriminale

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi se është finalizuar operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Dërgesa”, për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak

Sipas Policisë, operacioni u zhvillua nga DVP Lezhë në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Shkodër dhe GdF Italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri.

Në njoftim cilësohet se një 30-vjeçar nga Malësia e Madhe është vënë në pranga pasi dërgoi 5 armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak në Itali.

“30-vjeçari, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe i dënuar dy herë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në qytezën e Leço-s pranë Milanos/Itali, u arrestua si rezultat i operacionit”, thuhet në njoftim.

Policia bën me dije se në pranga u vunë gjithashtu edhe dy shtetas, drejtues të një mikrobusi për transport udhëtarësh, në bagazhet e të cilit u gjetën armët dhe municioni luftarak.

Sipas Policisë u sekuestruan edhe 5 armë zjarri automatike të tipit kallashnikov; qindra fishekë luftarakë dhe 4 krehra fishekësh.

“Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga shtetasit E. M. dhe A. D.. Të dy këta shtetas janë shoqëruar nga Policia Italiane për veprime të mëtejshme”, vijon njoftimi.

Hetimet e Policisë së Lezhës bënë të mundur identifikimin e shtetasit F. M., 30 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Hot të Malësisë së Madhe, i cili kishte dërguar armët drejt Italisë kundrejt fitimit financiar.

Nga grumbullimi dhe analiza e informacionit, rezultoi se ky shtetas siguronte armë dhe municione luftarake për palë të treta në BE, duke përdorur shoqëri transporti privat dhe duke i kamufluar në valixhe me sende të ndryshme.

Operacioni vijon në Shqipëri e  Itali për identifikimin dhe kapjen e pritësit të armëve, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

Materialet procedurale ndaj shtetasit F. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.

/e.i/a.f/

The post Trafik armësh e municionesh nga Shqipëria në Itali, arrestohet në Lezhë kreu i organizatës kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: 19% e nxënësve të regjistruar në arsimin profesional, niveli më i lartë në 25 vitet e fundit

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije sot, se niveli i regjistrimeve në arsimin profesional, është më i larti në 25 vitet e fundit duke e konsideruar këtë një arritje historike.

Sipas Gonxhes, “19% e nxënësve të arsimit të mesëm janë të regjistruar në Arsimin Profesional, niveli më i lartë në 25 vitet e fundit”.

“Falë reformave të Qeverisë: investime moderne, laboratorë të pajisur, staf mësimdhënës të kualifikuar profile të reja dhe arsimin dual, rezultatet janë të prekshme, në rrugën drejt objektivit 1 në 3 nxënës në 2030”, tha Gonxhja në postimin në rrjetet sociale.

Arsimi i mesëm profesional u ofron nxënësve mundësi kualifikimi dy, tre dhe katërvjeçare, dhe i përgatit ata për profesione specifike, nëpërmjet zhvillimit të aftësive praktike dhe njohurive të aplikueshme.

Sistemi publik i arsimit dhe formimit profesional përfshin 41 institucione, nga të cilat 31 janë shkolla profesionale dhe 10 janë qendra formimi. Këto institucione ofrojnë kualifikime profesionale të nivelit të mesëm, përfshirë edhe programe të arsimit profesional në formën e dyfishtë, kualifikime pas të mesme dhe programe formimi afatshkurtra, të përshtatura për të gjitha grupmoshat.

/e.i/a.f/

The post Gonxhja: 19% e nxënësve të regjistruar në arsimin profesional, niveli më i lartë në 25 vitet e fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSHF investime në sistemin e teknologjisë VAR, risitë e edicionit të ri

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Futbolli shqiptar po bëhet gati të ngrejë siparin e edicionit të ri. Më 19 gusht nis kampionati “Abissnet Superiore” ndërsa më 26 gusht fillon sezoni i ri i “Kategorisë së Parë”. Përgatitjet kanë nisur jo vetëm nga klubet pjesëmarrëse, por edhe nga arbitrat që do të vendosin drejtësinë në fushë.

Në një intervistë për fshf.org, shefi i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci foli për përgatitjet intensive që po bëhen në prag të nisjes së sezonit. “Jemi në metrat e fundit të garës, që do të fillojë më 15 gusht ku ne do të nisim me testimet fizike të Kategorisë së Parë. Gjithashtu do të bëjmë prezantim me të gjithë klubet e Kategorisë së Parë dhe “Abissnet Superiore” ndryshimet e rregullores së lojës dhe disa nga problematikat që ka pasur sezoni i kaluar në lidhje me vendimmarrjet e arbitrave dhe sistemit VAR”.

Risi e këtij sezoni është investimi më i fundit i FSHF-së, ndërtimi i qendrës së re të sistemit VAR në Shtëpinë e Futbollit. “Qershia mbi tortë e këtij sezoni të ri është investimi më i ri i FSHF-së, që do t’i vijë gjithmonë në ndihmë klubeve, ndërtimi i qendrës së re të sistemit VAR që është në ambientet e FSHF-së. Me këtë investim të ri, FSHF rreshtohet krah federatave më të mira në Europë, që implementimin e sistemit VAR e kanë në ambientet e Federatave të tyre” – thotë Sokol Jareci për FSHF.org.

Shefi i Sektorit të Arbitrimit tregon se trajnimi i arbitrave nis javën e ardhshme ndërsa ka edhe një ftesë për të gjithë djemtë e vajzat për t’iu bashkuar kësaj fushe. “Javës tjetër ne nisim procesin e trajnimit të arbitrave të Kategorisë “Abissnet Superiore” dhe të Parë. Do të nisë testimi në ambientet e reja sepse infrastruktura është e gjitha e re.

Gjithmonë shfrytëzojmë rastin për të bërë thirrje të gjithë vajzave dhe djemve të rinj që janë pjesë e futbollit të ndjekin Akademinë e Arbitrimit. Me numrat nuk jemi shumë të kënaqur, sidomos në kolegjiumet e rretheve. Tirana mban rekordin, për shkak edhe të popullsisë. Duhet t’i arrijmë numrat që të mbulojmë të gjithë aktivitetin futbollistik që ofron FSHF”,  nënvizoi Jareci.

Prej disa vitesh tashmë, nuk mungon bilbili shqiptar në arenën ndërkombëtare. Edhe në takimet kualifikuese për djem e vajza në kompeticionet europiane, kanë gjykuar ndeshje disa arbitra. Risi ishte Albert Doda në rolin e AVAR-it për herë të parë në një ndeshje europiane.

“Kanë filluar të gjithë aktivitetet e UEFA-s për djem e vajza. Florian Lata ishte pjesë e turit të parë. Edhe te vajzat, ishim prezentë në turin e parë të Champions League me Eglantina Pjetrushajn. Për vajzat këtë vit shtohet edhe një aktivitet i ri, siç është Liga e Europës që do të thotë që rritet edhe numri i pjesëmarrjes për arbitret tona.

Enea Jorgji ishte pjesë e turit të tretë të Europa League së bashku me asistentët Rexha dhe çokaj. Risi ishte që për herë të parë mori pjesë në evenimente të UEFA-s, në rolin e asistentit të VAR, Albert Doda. Përveç se arbitrave në fushë dhe asistentëve, UEFA po i beson zyrtarëve tanë edhe rolin e sistemit VAR dhe AVAR”, përfundoi Sokol Jareci.

/e.i//a.f/

The post FSHF investime në sistemin e teknologjisë VAR, risitë e edicionit të ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret, MM: Operacione nga toka dhe ajri në Finiq

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën në vatrat aktive të zjarreve në vend.

MM bën me dije se trupat e Forcave të Armatosura dhe emergjencat civile të qarkut Vlorë, së bashku me mjetet zjarrfikëse, po vijojnë ndërhyrjen nga toka në fshatrat Livinë dhe Navaricë, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq.

Gjithashtu, po zhvillohen edhe operacione nga ajri që po mbështeten nga avioni “Canadair” kroat dhe helikopteri i Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë hedhje të vazhdueshme mbi vatrat e zjarrit.

Mjetet zjarrfikëse dhe forcat tokësore janë pozicionuar përreth fshatit, në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, thekson MM, teksa shton se, autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për komunitetin.

MM nënvizon se, ndërhyrja nga ajri po kombinohet me punën e forcave tokësore dhe mjeteve zjarrfikëse, të cilat po operojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve.

/e.i/

The post Zjarret, MM: Operacione nga toka dhe ajri në Finiq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kingji: Kursantët e Forcave Speciale, trajnim për rezistencës fizike dhe mendore

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Kursantë të Regjimentit të Operacioneve Speciale po zhvillojnë një trajnim të specializuar për testimin e qëndrueshmërisë dhe rezistencës fizike e mendore të kursantëve deri në kufijtë ekstremë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji ndau sot se, pamje nga ky trajnim i specializuar, ndërsa tha se Regjimenti i Operacioneve Speciale vijon procesin e përgatitjes së operatorëve të rinj të forcave speciale.

“Aktualisht, kursi i 15-të Bazë është në fazën e tij më intensive, e cila përfshin testimin e qëndrueshmërisë dhe rezistencës fizike e mendore të kursantëve deri në kufijtë ekstremë. Ky proces trajnimi, i zhvilluar sipas standardeve më të larta profesionale, synon formimin e një force elitare, të gatshme dhe të aftë për përmbushjen me sukses të çdo detyre dhe misioni”, tha Kingji.

Pamje nga trajnimi i kursit 15-të të Forcave Speciale
1 nga 6

/e.i/a.f/

The post Kingji: Kursantët e Forcave Speciale, trajnim për rezistencës fizike dhe mendore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Çeço Fest”, Kumbaro: Qindra të rinj e turistë shijuan muzikën në Gjirokastër

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ “Çeço Fest” vjen në Gjirokastër për të gjashtin vit radhazi në vendin më tërheqës të qytetit, në Kalanë e Argjirosë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot në rrjetet sociale një video nga aktiviteti i mbrëmjes së djeshme.

Kumbaro tha se Kalaja ushtoi mbrëmë nga Festa e Çeços, ndërsa qindra të rinj dhe turistë shijuan muzikën mbi Gjirokastër.

Duke nisur nga mbrëmja e djeshme të rinjtë mund të shijojnë dy ditë intensive me performanca nga artistë të njohur. Superfestivali i muzikës elektronike në kala, prej kohësh është kthyer në skenën e plot DJ-ve dhe të rinjve të dhënë pas muzikës.

Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi e cilësoi si një tjetër fundjavë të paharrueshme që po vjen në Kalanë e Gjirokastrës. “Vera vazhdon me ritëm, energji dhe emocion”, shkroi kryebashkiaku në rrjetet sociale.

“Çeço Fest” do të sjellë muzikë pafund, dritë dhe atmosferë elektrizuese në zemër të qytetit të gurtë, ku tradita takohet me ritmet moderne për një përvojë që nuk duhet humbur.

/e.i/a.f/

The post “Çeço Fest”, Kumbaro: Qindra të rinj e turistë shijuan muzikën në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan shkrimin e “Le Figaro”: Shqipëria, perlë e fshehur e Ballkanit

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Prestigjiozja franceze “Le Figaro” i ka kushtuar një artikull të veçantë Shqipërisë, duke e konsideruar si një “perlë të fshehur të Ballkanit””.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e realizuar nga gazeta e njohur franceze, bashkë me një fotoalbum me disa prej atraksioneve më të veçanta të vendit tonë.

Rama u shpreh se “gazeta prestigjioze franceze “Le Figaro” e rendit Shqipërinë në mesin e pesë destinacioneve kulturore më të rëndësishme në botë për udhëtime të organizuara, përkrah Washington DC, Salzburgut, Firences dhe Madhështive të Saksonisë”.

Sipas Kryeministrit Rama, “artikulli e përshkruan Shqipërinë si një “perlë të fshehur të Ballkanit”, duke ftuar lexuesit të zbulojnë pasuritë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, nga Gjirokastra, Berati e Butrinti, në një udhëtim që ndërthur historinë, kulturën dhe natyrën”.

E përditshmja franceze “Le Figaro” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve kulturore më të mira për të vizituar në një udhëtim të organizuar.

Nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës te thesaret e Rilindjes Italiane, duke përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Shqipëri, këto destinacione ofrojnë një ndërthurje të peizazhit dhe kulturës.

Cilat janë destinacionet më të mira kulturore për udhëtime të organizuara?

1-Shqipëria dhe Thesaret e UNESCO-s

2-Një shëtitje në zemër të Uashington DC, Merilendit dhe Virxhinias

3-Salzburg: Mozarti dhe Shkëlqimet e Salzkammergut

4-Madhështitë e Saksonisë: Dresden dhe Leipzig, dy qytete të artit dhe historisë

5-Firence, toka e mjeshtrave: Ekspozita “Fra Angelico” dhe Thesaret e Rilindjes

“Le Figaro” e përshkruan Shqipërinë, si një perlë të vërtetë të fshehur të Ballkanit, joshëse me pasurinë e historisë së saj dhe diversitetin e peizazheve të saj.

Nga Tirana në Gjirokastër, nëpërmjet Beratit dhe Butrintit, ky udhëtim ju çon në gjurmët e qytetërimeve që kanë lënë gjurmë në këto toka: ilirët, grekët, romakët dhe osmanët.

Një vizitë në një vend ku autenticiteti kombinohet me shkëlqimin e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shqipërinë nuk do ta zbuloni vetëm përmes monumenteve të saj.

Ajo jeton në mikpritjen e popullit të saj, pasurinë e traditave të saj dhe shijet e gastronomisë së saj.

Shijoni një byrek krokant, dëgjoni polifonitë shqiptare të listuara në UNESCO dhe eksploroni tregjet e gjalla – ku ndërthuren aromat mesdhetare dhe ndikimet orientale.

Këto janë vetëm disa nga përvojat që e bëjnë këtë udhëtim të paharrueshëm.

Shëtitja nëpër rrugët e ngushta të Krujës, një performancë vallesh popullore apo zbulimi i vreshtave lokale janë të gjitha momente që dëshmojnë autenticitetin dhe ngrohtësinë e kësaj toke mikpritëse. /e.i/

/e.i//a.f/

The post Rama ndan shkrimin e “Le Figaro”: Shqipëria, perlë e fshehur e Ballkanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 August 2025Main stream

Këshilli bashkiak i Tiranës masa për shtëpitë funerale, jo në godina të banuara

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Këshilli bashkiak i Tiranës, një ndër vendimet që mori gjatë mbledhjes së datës 10 qershor 2025 ishte miratimi i disa masave shtrënguese në lidhje me agjencitë/shtëpitë funerale që ushtrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet.

Në vendimin që ka si objekt përcaktimin e kritereve dhe kushteve që agjencitë/shtëpitë funerale duhet të plotësojnë, thuhet se “shtëpitë funerale nuk duhet të jenë në godina banimi dhe veprimtaria e ushtruar në to nuk duhet të jetë e dukshme për publikun”.

“Agjencitë Funerale mund t’i kenë zyrat e shërbimit edhe në godina banimi, por në asnjë rast nuk munden që në të njëjtin ambient të ekspozojnë dhe të tregtojnë materiale si arkivole, kurora, vazo etj. Këto materiale duhet të mbahen në ambiente të veçanta, jo të dukshme për publikun”, cilësohet në vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës.

Po ashtu, në vendim theksohet se nuk duhet të kenë shenja dalluese, fetare, të përhershme, në fasadën e tyre apo në mjedisin përreth.

“Duhet të kenë të paktën një makinë autofunebër, e cila duhet të jetë sipas specifikimeve teknike të vendosura nga inspektorati i shëndetësisë. Të kenë garazh të përshtatshëm në varësi të numrit të makinave autofunebër që disponojnë. Minimalisht hapësira e përshtatshme për një makinë duhet të jetë deri në 15 m2. Burime njerëzore të mjaftueshme për ushtrimin e aktivitetit të shërbimit funeral, përkatësisht për Agjencitë Funerale minimalisht 3 (tre) punonjës, ndërsa për shtëpitë funerale minimalisht 10 (dhjetë) punonjës”, vijon vendimi.

Gjithashtu, në këtë vendim specifikohen edhe kushte të tjera që duhet të plotësojnë subjektet që aplikojnë për një licencë si agjenci apo shtëpi funerale. Kriteret bazohen në një numër të caktuar punonjësish, kushte higjieno-sanitare, kapacitetet e godinës ku kryhet shërbimi etj.

Vendimi cilëson se për t’u pajisur me licencë për shërbime funerale, subjektet me NIPT duhet të paraqesin pranë Bashkisë Tiranë një sërë dokumentesh, përfshirë: kërkesën për licencë, vërtetim nga gjykata për mosndjekje penale, vërtetim për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe të sigurimeve shoqërore/shëndetësore, ekstraktin historik me objekt aktivitetin funeral, NIPT-in, si dhe dokumentacion që vërteton përmbushjen e kushteve për mjetet e transportit të kufomave sipas rregullores për varrezat.

Ndërsa për subjektet të cilat aplikojnë për pajisje me licencë për ofrimin e shërbimit për shtëpi funerale duhet të dorëzojnë përveç dokumentacionit të përcaktuar, edhe listën e personelit të nevojshëm për të zbatuar objektin e veprimtarisë (përfshirë këtu, por pa u kufizuar infermier, sanitar, shofer, financier etj.).

Subjektet duhet të paraqesin gjithashtu listën e mjeteve e pajisjeve teknike, të nevojshme që kanë në dispozicion (përfshirë këtu, por pa u kufizuar makina autofunebër, kapak frigoriferik, frigorifer të posaçëm për mbajtjen e kufomave etj.).

Sipas vendimit të këshillit bashkiak, subjektet që e ushtrojnë këtë aktivitet, duhet të marrin masa që parashikimet e këtij vendimi, të zbatohen brenda 6 muajve.

/e.i/r.e/

The post Këshilli bashkiak i Tiranës masa për shtëpitë funerale, jo në godina të banuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkolla “Muhamet Gjollesha” në Lazarat, Manastirliu: Në shtator gati me kushte moderne

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Shkolla e bashkuar “Muhamet Gjollesha” në Lazarat do të mirëpresë këtë shtator nxënësit dhe mësuesit në ambiente të rikonstruktuara dhe kushte moderne.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot foto nga ambientet e rikonstruktuara të kësaj shkolle, e cila është një tjetër institucion arsimor me standarde bashkëkohore për mësuesit dhe nxënësit që i shtohet “zinxhirit” të shkollave të reja që po transformohen në të gjithë vendin.

Manastirliu tha se po investohet për transformimin e shkollave nga veriu në jug, me të njëjtin standard, për të garantuar kushte dinjitoze për mësim dhe zhvillim për nxënësit dhe stafet mësimore.

Shkolla do të jetë e pajisur me ambiente të standardeve të larta, që përfshijnë laboratorë, hapësira për aktivitete kulturore dhe sportive, si dhe ambiente të gjelbra për qëndrim dhe rekreacion.

Ministria e Arsimit dhe Sportit synon të garantojë kushte bashkëkohore mësimore për nxënësit dhe mësuesit në të gjithë vendin.

Nga viti 2025 e në vijim, fokusi mbetet te cilësia në arsim përmes investimeve të qëndrueshme në shkolla, objekte sportive dhe ambiente ndihmëse, duke rritur aksesin, sigurinë dhe funksionalitetin e institucioneve arsimore.

Nga ambientet e shkollës së Bashkuar “Muhamet Gjollesha” në Lazarat
1 nga 4

/e.i/r.e/

The post Shkolla “Muhamet Gjollesha” në Lazarat, Manastirliu: Në shtator gati me kushte moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga Shkodra: Program i ri në funksion të cilësisë së hapësirave komunitare të Shqipërisë 2030

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Puna për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga një aksion për çlirimin e hapësirave publike në Shkodër, ku shihen fadromat që shembin strukturat metalike dhe ato të xhamit, të subjekteve që kanë dalë jashtë perimetrit duke zaptuar trotuaret e dedikuara për qytetarët dhe komunitetin.

Kryeministri Rama shprehet se ky aksion “vazhdon si në një sërë qytetesh të tjera, për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0, me një program të ri qeveri – bashki – sipërmarrje – komunitet, në funksion të cilësisë së hapësirave komunitare e të Shqipërisë 2030 në BE”.

Kioska, subjekte baresh dhe restorantesh, ngrehina metalike poshtë pallateve apo të pozicionuara në mes të lagjeve, këto janë vetëm një pjesë e shembjeve nga aksioni për çlirimin e hapësirave publike që po ndodh në Shkodër, por edhe në të gjithë vendin.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/e.i/r.e/

The post Rama ndan pamje nga Shkodra: Program i ri në funksion të cilësisë së hapësirave komunitare të Shqipërisë 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: 73 mjekë të rinj iu shtuan spitaleve publike në korrik

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ 73 mjekë të rinj u janë bashkuar ekipeve shëndetësore në 25 spitalet publike në vend gjatë muajit korrik, duke plotësuar nevojat dhe forcuar më tej shërbimet shëndetësore për qytetarët.

Lajmin e bëri me dije, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ndërsa tha se do të ketë më shumë mjekë specialistë atje ku ka më shumë nevojë.

Koçiu u shpreh se “aktualisht, 850 mjekë janë në specializim afatgjatë, prej tyre 394 me kontratë pune me MSHMS menjëherë pas përfundimit të studimeve”.

Sipas ministres Koçiu, që prej rihapjes në vitin 2015 të programit të specializimeve afatgjata në mjekësi, po zbatohet një model i qëndrueshëm për shpërndarjen e mjekëve në të gjithë vendin, duke forcuar shërbimet shëndetësore edhe në spitalet rajonale e bashkiake.

Mjekët specializantë me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për katër vite gjatë formimit të tyre do të marrin 80% të pagës së mjekut specialist, dhe 100% ata të cilët kryejnë specializimin në degët prioritare “mjekësi familje” dhe “mjekësi urgjence”.

“Dhe për ata të rinj dhe të reja që zgjedhin specialitetin mjekësi urgjence apo mjekësi familjare, të cilat për ne janë degë prioritare, kemi dhënë mundësinë që të hyhet pa testimin e formalizuar dhe gjatë kohës që kryejnë specializimin, të paguhen me 100% të pagës së mjekut të përgjithshëm”, u shpreh Koçiu.

/e.i/r.e/

The post Koçiu: 73 mjekë të rinj iu shtuan spitaleve publike në korrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Vazhdon aksioni për lirimin e hapësirave publike në Tiranë, nënkryetari Sulaj: Sipërfaqet publike do t’u kthehen qytetarëve, masa për zaptuesit

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj i shoqëruar nga drejtori i Policisë Bashkiake, Elona Lalaj dhe drejtori i Kontrollit të Territorit në IMT, Klajdi Meçi, inspektuan zonën e njësisë 9 në kryeqytetit për të parë ecurinë e aksionit për lirimin e hapësirave publike. Nënkryetari Sulaj tha se Bashkia e Tiranës është e angazhuar që të gjitha sipërfaqet publike të cilat janë zënë në kundërshtim me ligjin nga bizneset apo të tjerë, t’u rikthehen qytetarëve.

“Sot jemi në zonën e “Don Boskos”, në njësinë administrative nr. 9, ku vihet re që qytetarët kanë marrë masa, bizneset kanë marrë masa individualisht, për të larguar platformat që kanë zënë sipërfaqe publike, por ka edhe raste të tjera që janë pak me shumicë, që akoma nuk po e kuptojnë që kjo është një reformë që ka filluar dhe nuk ka për të mbaruar deri në largimin e platformave të fundit, që këto sipërfaqe publike t’u kthehen qytetarëve”, u shpreh Sulaj.

Gjatë inspektimit të një hapësire publike të shndërruar në parkim makinash, nënkryetari Sulaj tha se do merren masat e duhura për raste të tilla abuzive.

“Ky është një ndër qindra rastet abuzive që janë në Tiranë, por që në të gjithë sipërfaqen e madhe që është zënë vetëm nga ky tra këtu, për të përfituar disa dhe jo për të përfituar të gjithë qytetarët si një hapësirë publike. Mendoj që sot IMT, Policia Bashkiake, do marrin masat e duhura, që brenda kësaj jave të mos kemi më këtë tra dhe kjo sipërfaqe e madhe t’u kthehet në shërbim qytetarëve të Tiranës dhe njësisë 9.”

Nga ana e tij drejtori i Kontrollit të Territorit në IMT, Klajdi Meçi u shpreh: “Jemi në njësinë nr. 9, në zonën me densitetin më të lartë të ndërtimeve dhe me numrin më të lartë të sipërfaqes së zënë, të hapësirës publike. Nga ana jonë është bërë identifikimi, është njoftuar në afat, kemi lënë një afat një javor për çmontim vullnetar. Shumica e tyre nuk është përgjigjur pozitivisht, kështu që nga ana jonë do të fillojmë nga sot të marrim masa, nga procedura administrative që do shoqërohen me vendim gjobe dhe prishje”.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj në njësisë 9
1 nga 3

/e.i/

The post Vazhdon aksioni për lirimin e hapësirave publike në Tiranë, nënkryetari Sulaj: Sipërfaqet publike do t’u kthehen qytetarëve, masa për zaptuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria turistike, të huajt: Vend me bukuri natyrore, mikpritje dhe çmime të lira

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Në pikun e sezonit turistik për këtë vit, përpos pushuesve që zgjedhin bregdetin e jugut apo Adriatikun për plazhet me ujërat e kaltra dhe rërën e bardhë, ka shumë prej tyre që i qasen natyrës, artit dhe kulturës, duke zbuluar atraksione të ndryshme të Shqipërisë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot në rrjetet sociale, mesazhet e turistëve të huaj që kanë vizituar kryeqytetin tonë, Tiranën, si edhe disa qytete të tjera si Shkodrën apo Gjirokastrën.

Ministrja Kumbaro, e përshkruan videon me mbishkrimin e “Shqipërisë turistike në sytë dhe fjalët e miqve”, ndërsa thotë se disa janë elementët që veçojnë turistët e huaj për vendin tonë, si mikpritjen si askund tjetër, si dhe bukuritë natyrore e kulturore.

“Turistët zbulojnë thesaret e transformimet e Shqipërisë me dëshirën për t’u rikthyer përsëri”, tha Kumbaro.

Ndërsa, një turist që ka vizituar kryeqytetin tonë thotë se i pëlqejnë njerëzit, mikpritja, moti i mrekullueshëm etj.

“Është shumë bukur, ka njerëz shumë të mirë dhe të bukur, miqësor, ushqimi shumë i shijshëm, natyrë e bukur, kohë e bukur”, u shpreh një tjetër.

Një tjetër turiste cilësoi se Shqipëria është një vend shumë i bukur, sepse ka miq që e kanë vizituar dy vite më parë dhe ishin shumë entuziastë për vendin tonë, por ajo tha se do të vizitojë edhe Beratin dhe Gjirokastrën.

“Shqipëria është shumë e bukur, malet janë të mrekullueshme, mendoj që ka edhe pak ndikim italian te kulinaria. Kemi ngrënë pica, pasta shumë të mira. Më pëlqejnë rrugët, janë të qeta, ka pemë kudo, vërtet shumë bukur”, vijoi një tjetër.

Gjithashtu, një turist që ka zgjedhur të vizitojë Shkodrën këtë gusht, thotë se zgjodhi ta zbulojë vetë Shqipërinë, e sidomos Shkodrën duke parë liqenin dhe kalanë e qytetit.

“Nuk kemi qenë asnjëherë më parë këtu, por na pëlqen shumë. Është shumë më lirë se Spanja, Italia. Ka ushqim shumë të mirë, plazhe të bukura”, u shpreh një turist nga Gjermania.

“Jam këtu për të bërë hiking nga Valbona në Theth. Zgjodha Shqipërinë sepse kam disa miq nga Zelanda e Re që janë shpërngulur këtu dhe më thanë që është shumë bukur. Duket një zgjedhje shumë e mirë, është lirë, ka shtigje të bukura, shumëllojshmëri zgjedhjesh”, pohoi një tjetër turiste.

Ndërsa, në Gjirokastër një grup turistësh që kanë vizituar shtëpinë muze të Ismail Kadaresë, shprehen se janë të mahnitur nga puna që është bërë me objektet e koleksionit në këtë muze, ndërsa nga mënyra si është ruajtur tradita, kanë kuptuar se si kanë jetuar shqiptarët vite më parë, me ngrohje me oxhak në dimër, me një kuzhinë tradicionale, etj.

/e.i//a.f/

The post Shqipëria turistike, të huajt: Vend me bukuri natyrore, mikpritje dhe çmime të lira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëvizja e autobusëve në Tiranë, qytetarët mund ta ndjekin në kohë reale itinerarin

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Transporti publik në Tiranë po hyn në epokën digjitale, duke sjell lehtësira në menaxhimin e orareve, qëndrimin në stacion dhe njohjen me itineraret për të gjithë qytetarët.

Tashmë, qytetarët mund të ndjekin në kohë reale autobusët, duke parë gjithë linjën që ata përshkojnë nga nisja, qëndrimi në stacione, etj.

Ky hap i rëndësishëm në drejtim të modernizimit të transportit publik vjen si rezultat i bashkëpunimit mes atdalbania, GIZ Shqipëri, dhe Bashkisë së Tiranës, të cilët me mbështetjen e partnerëve të tyre, kanë arritur të integrojnë me sukses të dhënat GTFS-RT (General Transit Feed Specification në kohë reale) në sistemet digjitale të transportit publik.

Përdoruesit e transportit publik në Tiranë tani mund të shohin në kohë reale se ku ndodhen autobusët, të planifikojnë më mirë udhëtimin e tyre dhe të kenë informacion të saktë mbi kohën e mbërritjes së linjave. Madje, edhe Google Transit ka filluar të përdorë këto të dhëna, duke sjellë një përvojë më të lehtë dhe të qasshme për të gjithë ata që lëvizin në qytet.

Përveç përfitimeve për pasagjerët, këto të dhëna do të ndihmojnë gjithashtu në menaxhimin e cilësisë së shërbimit, duke lejuar analizimin dhe optimizimin e rrjeteve dhe orareve të autobusëve. Kjo do të thotë më pak pritje, më shumë efikasitet dhe një sistem transporti më i përshtatshëm për nevojat e qytetit.

Gjithashtu, po punohet për ta zgjeruar këtë teknologji edhe në qytete të tjera në mbarë vendin, me qëllim që transporti publik në Shqipëri të bëhet më inteligjent, më i aksesueshëm dhe më i qëndrueshëm.

/e.i//a.f/

The post Lëvizja e autobusëve në Tiranë, qytetarët mund ta ndjekin në kohë reale itinerarin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: UBT ofron nëntë programe të reja studimi, zgjedhja e parë për maturantët

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës ka një ofertë të re akademike të përafruar me programet e BOKU (University of Natural Resources and Life Sciences) të Vjenës falë marrëveshjes mes dy universiteteve.

UBT ka nisur tashmë një proces transformues, me standardet më të mira evropiane duke ofruar edhe nëntë programe akademike studimi për të gjithë maturantët që zgjedhin të studiojnë në UBT.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh se “Universiteti Bujqësor i Tiranës është kthyer në zgjedhjen e parë për shumë maturantë që kërkojnë cilësi, perspektivë dhe mundësi konkrete për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale”.

“Me ofertën e re akademike që përfshin 9 programe studimi në bashkëpunim me Universitetin prestigjioz BOKU të Vjenës, UBT u ofron studentëve njohuri bashkëkohore, praktika evropiane dhe një diplomë me vlerë ndërkombëtare, e njohur brenda dhe jashtë vendit”, tha Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.

Sipas Manastirliut, “ky model i ri studimi sjell në Shqipëri standardet më të larta të universiteteve prestigjioze evropiane dhe e pozicionon UBT-në si një qendër ekselence në rajon dhe më gjerë, ku arsimi lidhet ngushtë me zhvillimin, inovacionin dhe tregun e punës”.

Në mesazhet e maturantëve që flasin në videon e përcjellë në rrjetet sociale, një prej tyre shprehet se gjatë viteve të studimit në gjimnazin “Ismail Qemali” ka studiuar me përkushtim dhe pasion për të ndërtuar të ardhmen e saj. Ajo thotë se do të vazhdoj studimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, pasi ky universitet e tërheq jo vetëm për cilësinë e mësimdhënies, stafin akademik, por edhe për mundësinë që ofron për të rinjtë, siç është diploma që njihet ndërkombëtarisht.

“Universiteti Bujqësor i Tiranës është vendi ku pasioni për natyrën, bujqësinë dhe zhvillimet rurale kthehet në mundësi reale. Sot, sfidat globale si ndryshimet klimatike apo siguria ushqimore na e bëjnë më të domosdoshme shkencën bujqësore”, shprehet një tjetër.

“Universiteti Bujqësor i Tiranës është kthyer në një kampus të vërtetë studentor në një ambient bashkëkohor me laboratorë modern dhe pjesë që lidhen me tregun e punës. Të gjitha këto e bëjnë këtë Universitet vendin e duhur për të nisur rrugëtimin tim profesional”, tha një tjetër.

Maturantja tjetër shprehet se pas marrëveshjes së UBT-së me universitetin BOKU të Vjenës, do të jetë një mundësi për diplomë evropiane, duke studiuar në Shqipëri.

“Përmes marrëveshjes me Universitetin Boku në Vjenë, studentët kanë mundësi të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të përfitojnë nga eksperiencat ndërkombëtare. Ne mund të studiojmë në Boku për disa cikle studimi dhe të na njihen kreditet nga UBT dhe kjo mundësi pozitive vjen vetëm nëse studion në UBT”, u shpreh një maturante tjetër.

/e.i//a.f/

The post Manastirliu: UBT ofron nëntë programe të reja studimi, zgjedhja e parë për maturantët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌