Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 August 2025Main stream

Rama: Ligji i fortë që tani për zjarrvënësit, jo të gjithë gjykatësit janë në krye të detyrës

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin live në rrjetet sociale me qytetarët lidhur me situatën e zjarreve në vend, foli edhe për dënimet ndaj personave që ndezin ato qëllimisht.

Rama tha se ligji aktual është i fortë që tani për zjarrvënësit, teksa shtoi se jo të gjithë gjykatësit janë në krye të detyrës.

“Ligji është i fortë që tani për ata që vënë zjarret. Gjykatësit dihet që nuk janë të gjithë në krye të detyrës por do të shohim edhe në këtë drejtim se çfarë do të bëjmë. Ama një gjë është pak por e sigurt, tamam Gegë Gega e ka thënë shumë mirë: Qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: Ligji i fortë që tani për zjarrvënësit, jo të gjithë gjykatësit janë në krye të detyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Avioni për udhëtimet zyrtare nuk i shton asgjë shpenzimeve mesatare vjetore të zyrës së Kryeministrit

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama informoi sot gjatë një bashkëbisedimi live në rrjetet sociale se për udhëtimet me avion nuk është paguar asgjë më shumë se ç’është paguar mesatarisht çdo vit nga zyra e Kryeministrit për udhëtime zyrtare, për asnjë lloj avioni.

Rama iu përgjigj një komentuesi që i lidhi udhëtimet zyrtare, me mungesën e avionëve për shuarjen e zjarreve.

“Mirë është që ti verifikoni zjarret mediatike ku nganjëherë disa prej jush hidhen me kokë dhe fatkeqësisht iu digjet qarku i arsyetimit”, komentoi Rama.

Më tej, Kryeministri shtoi se “po të kishim vetë avionët tanë do ishte më mirë, por kush i bën llogaritë duhet t’i rikthehet pak llogarive për të kuptuar se avionët nuk janë një fjalë goje. Ka edhe diçka tjetër disa pa mendje apo nga dëshira për ta besuar kanë ngrënë edhe broçkullën e madhe që unë, qeveria paskemi blerë avionë për vete”.

“Nuk ka asnjë avion të blerë për vete. Avioni i shumëpërfolur i përdorur nga unë vetëm për udhëtimet zyrtare sepse në çdo udhëtim tjetër privat unë marr avionët e linjës dhe jam rregullisht bashkë me familjen në ekonomik, gjithmonë. Këtë e dëshmojnë të gjitha biletat e deklaruara dhe janë të verifikueshme. Avioni i përdorur për udhëtimet zyrtare nuk i ka kushtuar dhe nuk i kushton shtetit shqiptar më shumë se sa shumatorja e shpenzimeve mesatare të kryera çdo vit nga Kryeministri i Shqipërisë, përfshirë edhe paraardhësin tim”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: Avioni për udhëtimet zyrtare nuk i shton asgjë shpenzimeve mesatare vjetore të zyrës së Kryeministrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Inventarizim i plotë i dëmeve nga zjarret, do kompensohen një për një

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndërsa informoi sot se 207 shtëpi janë të dëmtuara nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit, nga të cilat 40 familje deri tani kanë humbur shtëpinë plotësisht, premtoi kompensim të dëmeve.

Në një komunikim live në rrjetet sociale, Rama tha se 72 orët e fundit ishin tejet të vështira për shkak të zjarreve që patën një zhvillim më të madh sesa çdo herë tjetër më parë këtë moment.

“Në radhë të parë dua t’i shpreh ngushëllimet kujt humbi të afërmin e vet dhe t’u shpreh gjithë solidaritetin atyre familjeve që kanë humbur shtëpinë nga zjarri. Tani që flasim janë 207 shtëpi të dëmtuara, të prekura nga zjarri, por në këtë numër hyjnë 40 familje deri tani të cilat faktikisht e kanë humbur shtëpinë plotësisht”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “dua t’i sigurojë të gjithë qoftë familjet që kanë humbur shtëpinë plotësisht apo kanë pësuar dëmtime në shtëpinë e tyre nga zjarri po bëjmë sipas protokollit të situatës edhe me autoritetet përkatëse inventarizimin e plotë të këtyre dëmeve dhe pa diskutim dhe siç ka ndodhur në të shkuarën do të ndodhë përsëri”.

“Askush nuk do të jetë vetëm dhe askush nuk do të mbetet pa e parë në krah qeverinë, pa e pasur në krahë shtetin për t’u rikthyer në një shtëpi më  të mirë dhe më të fortë ashtu sikundër për të marrë dëmshpërblimin përkatës edhe për krerët e humbur”, bëri të ditur Rama duke shtuar se deri tani numërohen 3 619 krerë bagëti të humbur.

Kryeministri Rama premtoi se do të kompensohen një për një pa asnjë diskutim, ndërkohë që shtoi se “inventarizimi i dëmeve vazhdon”.

Nga ana tjetër, Rama shprehu mirënjohjen dhe respektin ndaj të gjitha forcave të angazhuara në terren.

“Kanë qenë në total 10 249 forca të të gjitha llojeve që kanë pasur sipas protokollit të situatës pjesën e vet të frontit por në radhë të parë dua të shpreh mirënjohje, respekt, falënderim për trupat zjarrfikëse, të cilat meritojnë të gjithë admirimin”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Rama: Inventarizim i plotë i dëmeve nga zjarret, do kompensohen një për një appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKZM evidenton dëmet nga zjarri në Syrin e Kaltër: 30.66 ha sipërfaqe e djegur

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Vlorë inspektuan sot Parkun Natyror “Syri i Kaltër” për të evidentuar dëmet e shkaktuara  nga zjarri i rënë ditët e fundit.
Në një postim në rrjetet sociale AKZM tha se “në vlerësimin paraprak rezulton 30.66 ha e sipërfaqes së përshkruar apo të djegur brenda parkut”.
Sipas AKZM-së, analiza e dëmeve dhe humbjeve nga zjarret në pyje dhe kullota është një nga masat e nevojshme për fazën e rimëkëmbjes.
AKZM së bashku me stafin e AdZM Vlorë dhe struktura shtetërore janë angazhuar plotësisht për të rikthyer sigurinë tek komuniteti, subjektet në zonë dhe vizitorët e shumtë të parkut natyror.
“Solidarizimi, bashkimi i përpjekjeve, rimëkëmbja psikologjike dhe emocionale, janë parimet që na udhëheqin në këtë fazë të rimëkëmbjes”, tha AKZM.
Ditët e fundit Parku Natyror i Syrit të Kaltër u përfshi nga flakët, të cilat u shuan nga ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Ky park vijon të jetë i mbyllur për vizitorët këto ditë për të siguruar mirëqenien e gjithë pushuesve.
/k.s/j.p/

The post AKZM evidenton dëmet nga zjarri në Syrin e Kaltër: 30.66 ha sipërfaqe e djegur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Taksat vendore, tashmë në kohë reale në e-Albania

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Bizneset dhe qytetarët e Tiranës mund të kontrollojnë në kohë reale detyrimet e tyre vendore përmes shërbimit elektronik “Taksat dhe tarifat vendore – Bashkia Tiranë” në portalin unik qeveritar e-Albania.

Deri më tani ky shërbim ishte i orientuar kryesisht për bizneset, por tashmë është zgjeruar edhe për qytetarët që zotërojnë njësi tregtare apo pasuri të tjera të përdorura për aktivitet ekonomik.

Ky shërbim u jep mundësinë përdoruesve të kenë qasje të drejtpërdrejtë dhe në kohë reale mbi vlerën e përditësuar të detyrimeve të tyre vendore, përfshirë penalitetet për pagesat e vonuara.

Nga taksa mbi ndërtesën, truallin dhe tokën bujqësore, deri te tarifa e pastrimit, taksa e tabelës apo shfrytëzimi i hapësirës publike çdo detyrim shfaqet i detajuar sipas vitit, shumës dhe këstit.

Përveç transparencës mbi detyrimet, shërbimi “Vërtetim likuidimi të taksave dhe tarifave vendore – bashkia Tiranë” ofron edhe mundësinë për të shkarkuar dokumentin përkatës që subjekti nuk ka detyrime ndaj bashkisë Tiranë.

Ky vërtetim mund të nevojitet për procedura të ndryshme ligjore, administrative apo tregtare dhe tani merret menjëherë, pa pasur nevojë për paraqitje fizike në sportel.

Shërbimet nuk kërkojnë asnjë dokumentacion shoqërues, procedura kryhet me vetëm disa klikime dhe informacioni është i aksesueshëm nga çdo pajisje me internet. Përdoruesit mund të shkarkojnë detyrimet e papaguara në formën e një mandati arkëtimi në çdo moment, apo vërtetimin e likuidimit të këtyre detyrimeve duke kursyer kohë dhe shmangur burokracitë.

Me këtë zgjerim, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë e Tiranës synon të thjeshtojë procedurat, të rritë transparencën dhe t’u ofrojë si bizneseve ashtu edhe qytetarëve një mjet praktik për të menaxhuar detyrimet e tyre vendore dhe për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm në kohë reale.

 

1 nga 2

/k.s/j.p/

The post Taksat vendore, tashmë në kohë reale në e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Forcat Komando pastruan 10 km front zjarri mes Delvinës dhe Gjirokastrës, mirënjohje

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Në të gjithë vendin situata e krijuar nga zjarret është  përmirësuar falë angazhimit të strukturave shtetërore.

Kryeministri Edi Rama shprehu sot mirënjohjen ndaj Forcave Komando, të cilët pastruan vatrat e zjarrit gjatë gjithë vijës së Sopotit, mes Delvinës dhe Gjirokastrës.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau momente nga puna e Forcave Komando, që kanë punuar gjatë gjithë natës dhe deri në mëngjes për shuarjen plotësisht të zjarreve.

“Një falënderim i posaçëm me mirënjohje për Forcat Komando, të cilat gjatë gjithë natës deri në mëngjes u bënë një vlerë e shtuar në pastrimin nga çdo vatër të të gjithë vijës së Sopotit, mes Delvinës dhe Gjirokastrës, 10 km front zjarri që tanimë është qetësuar plotësisht”, theksoi Rama.

Pas përpjekjeve intensive të mijëra forcave të emergjencave sot situata nga zjarret në vend është më e stabilizuar. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 57 vatra zjarri, nga të cilat 29 janë aktive.

/k.s/j.p/

The post Rama: Forcat Komando pastruan 10 km front zjarri mes Delvinës dhe Gjirokastrës, mirënjohje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Shkolla “Meleq Gosnishti” në Përmet hap dyert në shtator me ambiente të reja

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Meleq Gosnishti” në Përmet e  transformuar tërësisht do të hapë dyert në shtator për nxënësit e saj.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo shkollë.

“Shkolla “Meleq Gosnishti” në Përmet është transformuar tërësisht dhe në shtator do të hapë dyert për nxënësit e saj, me ambiente moderne dhe kushte dinjitoze për të mësuar”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “ky investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Përmet është një tjetër hap përpara për arsim cilësor në çdo cep të Shqipërisë”.

Kjo shkollë, e ndodhur në një zonat më piktoreske të qytetit, do të jetë edhe një qendër komunitare, e cila mund të përdoret për aktivitete të ndryshme pas orarit mësimor.

Me buxhetin e vitit 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku do të përfitojnë rreth 20 000 -25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.

Në të gjithë vendin vijojnë përgatitjet që shkollat të jenë gati për vitin e ri shkollor 2025-2026.

/k.s/j.p/

The post Manastirliu: Shkolla “Meleq Gosnishti” në Përmet hap dyert në shtator me ambiente të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 13 August 2025Main stream

Koçiu: Kemi ngritur mekanizmin e emergjencës, mobilizim i strukturave shëndetësore në zonat e prekura nga zjarret

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Si pasojë e situatës së krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur menjëherë mekanizmin e emergjencës për mobilizimin e të gjitha strukturave shëndetësore dhe logjistike në zonat e prekura.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se “Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor,  Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali Universitar i Traumës e të gjithë spitalet rajonale janë në koordinim të vazhdueshëm për mbështetjen operative të strukturave  të përfshira në këtë emergjencë”.

Koçiu theksoi se “bashkëpunimi me pushtetin vendor dhe mbrojtjen civile po vijon për evakuimin dhe trajtimin e banorëve të prekur”.

“Garantimi i vazhdimësisë së shërbimit shëndetësor pa ndërprerje dhe ofrimi i ndihmës së menjëhershme për çdo qytetar në nevojë, mbetet prioritet”, thekson ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

/k.s/j.p/

The post Koçiu: Kemi ngritur mekanizmin e emergjencës, mobilizim i strukturave shëndetësore në zonat e prekura nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përballja me flakët në Delvinë, nënkryetari i bashkisë në spital për shkak të tymit

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Delvina vijon të jetë në situatë kritike si pasojë e zjarrit të rënë ditët e fundit.

Aktualisht zjarret kanë rrethuar kodrat e qytetit, ndërsa nga ajri po ndërhyhet me dy helikopterë.

Mediet raportuan se nënkryetari i Bashkisë së Delvinës, Filip Xuxi ka përfunduar në spital pas përballjes me flakët në terren. Ai ka shfaqur vështirësi në frymëmarrje për shkak të tymit të rënduar në zonë, që çlirohet nga zjarret e fuqishme.

Në një video të publikuar në medie, nënkryetari i bashkisë së Delvinës po transportohet në spitalin e qytetit për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Ministria e Mbrojtjes, njoftoi sot se, ekipet e zjarrfikësve te BMEC (Forcat e Armatosura) kanë arritur të ndalojnë me sukses avancimin e flakëve drejt banesave në Delvinë.

Të shpërndara në pika të ndryshme të qytetit, mjetet zjarrfikëse dhe efektivët vazhdojnë prej disa orësh luftën me zjarrin.

/k.s/j.p/

The post Përballja me flakët në Delvinë, nënkryetari i bashkisë në spital për shkak të tymit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve, Rama: Kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Shqipëria prej dy ditësh po përballet me zjarre intensive në disa zona të vendit, ndërkohë që situata po vihet nën kontroll falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe shuarjes së tyre nga ajri me avionë.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale iu përgjigj debateve në medie lidhur me blerjen e avionëve zjarrfikës nga qeveria.

“Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por…”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?!”

“Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës;  helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë pa diskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Situata e zjarreve, Rama: Kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në Gramsh, kryebashkiaku Ajazi: Kemi përdorur edhe forcën për të larguar banorët nga shtëpitë

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi i bëri apel sot banorëve të fshatrave Nartë dhe Skënderbegas të largohen nga banesat e rrezikuara nga flakët.

Në një prononcim për mediet, Ajazi tha se “situata paraqitet alarmante dhe emergjente”.

“Zjarri ka djegur e shkatërruar gjithçka. Po përpiqemi të shpëtojmë banesat. Kemi evakuuar njerëzit që në orët e para të mëngjesit. Po punojmë me të gjitha strukturat”, tha Ajazi.

“Thirrja kryesore është për banorët, të ruajnë gjakftohtësinë pa panik. Të shpëtojmë sa më shumë të mundemi, të kenë besim te këta djem që po punojmë. Kemi përdorur edhe forcën për të larguar banorët nga shtëpitë e tyre, apeli është të largohet edhe banori i fundit”, u shpreh kryetari i bashkisë Gramsh.

Situata e zjarreve në Gramsh prej ditës së djeshme është problematike, për shkak të përhapjes së flakëve. Në dy fshatrat, Nartë dhe Skënderbegas gjendja paraqitet më problematike, ndërsa po punohet intensivisht për shuarjen e zjarrit nga forcat zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të Forcave të Armatosura.

/k.s/j.p/

The post Zjarret në Gramsh, kryebashkiaku Ajazi: Kemi përdorur edhe forcën për të larguar banorët nga shtëpitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSSH: Rikthehet energjia elektrike në Mbrakull, pas dëmtimit të linjës nga zjarri

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Në Mbrakull të Poliçanit u rikthye energjia elektrike, pas dëmtimit të linjës së tensionit të mesëm nga zjarri.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bëri të ditur sot se punonjësit e Drejtorisë Rajonale OSSH_Berat pavarësisht kushteve me temperatura të larta 42 gradë, përfunduan në kohë punën duke rikthyer energjinë elektrike në të gjithë zonën”.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes theksoi se “jemi në gatishmëri të plotë në të gjithë vendin, për të minimizuar sadopak problemet që mund të shfaqen në rrjetin elektrik, në kushtet kur zjarret dhe rritja e konsumit mund të pengojnë ecurinë normale të furnizimit me energji elektrike”.

Zona e Poliçanit u përfshi dje nga flakët ndërsa forcat zjarrfikëse punuan për izolimin e vatrës.

/k.s/

The post OSSH: Rikthehet energjia elektrike në Mbrakull, pas dëmtimit të linjës nga zjarri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Sfidë e madhe me zjarret dhe angazhim i të gjitha forcave në terren, zero tolerancë për shkaktarët

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Shqipëria po përballet me një situatë tejet të vështirë si pasojë e zjarreve të përhapura në disa qarqe të vendit, të cilat po menaxhohen falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, përfshi këtu forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura.

Në reagimet e tij, në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama falënderoi me respekt e mirënjohje të gjithë strukturat që u angazhuan me kurajë të jashtëzakonshme në përballimin e situatës.

“Dy ditë e netë ekstremisht të vështira, ku forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura po përballen me zjarre të mëdha në Skënderbegas, Sojnik të Gramshit, Koshtan të Memaliajt, në Hormovë, Kodër e Lekël të Tepelenës, në kufi me Gjirokastrën, Dhivër, Kakodhiq në Finiq, si dhe në Dropull në kufi me Delvinën, ku rreziku dhe flakët kanë qenë të pamëshirshme. Falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, është arritur fatmirësisht që zjarret të vihen nën kontroll, ndërkohë që vazhdon puna papushim drejt shuarjes së tyre dhe gatishmëria maksimale për çdo riaktivizim të mundshëm apo vatra të reja. Falenderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë” , shprehet kryeministri Rama në reagimin e tij.

Kryeministri u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri dhe të ndjekin me rigorozitet udhëzimet e autoriteteve.

Rama paralajmëron ndëshkimet më të ashpra ligjore për zjarrëvëniet e qëllimshme.

“Thirrje të gjithë banorëve të tregohen të kujdesshëm, të sinjalizojnë çdo vatër zjarri para se të jetë vonë dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve, ndërsa  për kriminelët që luajnë me flakët, ndëshkimi do të jetë maksimal. Ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”, theksoi Kryeministri.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive. Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.

/k.s/j.p/

The post Rama: Sfidë e madhe me zjarret dhe angazhim i të gjitha forcave në terren, zero tolerancë për shkaktarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mirënjohje për zjarrfikësit, dënimin më të rëndë kujt ndez zjarre qëllimisht

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend duke falënderuar të gjitha forcat e angazhuar për shuarjen e tyre, ndërsa theksoi se zjarrvënësit duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga puna e trupave të angazhuara për shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit ditët e fundit.

“Falënderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”.

Aktualisht situata mbetet kritike në Delvinë, ku zjarri ka vazhduar me intensitet të lartë edhe gjatë orëve të natës. Flakët vijojnë në kodrat përreth qytetit, ndërsa ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.

Edhe në Gramsh dje, por edhe sot situata është më e vështirë në fshatin Menkollar, ku të pranishme janë tre zjarrfikëse të shoqëruara me forca të shumta të ushtrisë, vullnetarë e banorë të shumtë të zonës si dhe dy helikopterë që hedhin ujë vazhdimisht për të parandaluar përhapjen e flakëve.

/k.s/j.p/

 

 

The post Rama: Mirënjohje për zjarrfikësit, dënimin më të rëndë kujt ndez zjarre qëllimisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lezhë, procedohet penalisht shtetasi për pengim të qarkullimit rrugor

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Një shtetas në Lezhë u procedua penalisht, pasi pengoi qarkullimin, duke parkuar automjetin në një zonë me fluks lëvizjeje.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, gjatë kontrolleve me objektiv konstatimin e parkimeve të gabuara që pengojnë qarkullimin në qytet dhe në zona me lëvizje të lartë, konstatuan një rast të tillë në rrugën “Luigj Gurakuqi”.

Në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi penal për drejtuesin e automjetit, shtetasin T. P., 29 vjeç, banues në Pukë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin parkimet në zona të ndaluara, për të mos penguar lëvizjen e mjeteve dhe qytetarëve.

DVP Lezhë tha se “shkeljet do të trajtohen me masa të menjëhershme penale dhe administrative”.

/k.s/j.p/

The post Lezhë, procedohet penalisht shtetasi për pengim të qarkullimit rrugor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohen dy shtetas për zjarrvënie në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Dy shtetas u arrestuan pasi ndezën zjarre në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë.

Policia e Shtetit informoi sot se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. B., 61 vjeç, banues në fshatin Cakran, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, konkretisht në vendin e quajtur “Mezarak”.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke (arë), 300 pemë ulliri dhe bimësi e llojeve të ndryshme e parkut kombëtar.

Ndërsa specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Dushk, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke.

Gjithashtu, 58-vjeçari ka penguar zjarrfikësit për të shuar flakët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me pasoja penale.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

/k.s/j.p/

The post Arrestohen dy shtetas për zjarrvënie në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

MIA: 1.825.490 shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri gjatë korrikut

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti kanë hyrë në vendin tonë  rreth 38 mijë shtetas më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Lajmi u bë i ditur nga Agjencia për Media dhe Informim, e cila thekson në një postim në rrjetet sociale se “gjatë korrikut janë regjistruar 1.825.490 shtetas të huaj që kanë hyrë në vendin tonë, ndërkohë që ka pasur 1.793.493 dalje të shtetasve të huaj”.

“Ndërsa shtetas shqiptarë kanë hyrë 837 mijë persona dhe 782 mijë shqiptarë kanë dalë jashtë Shqipërisë. Në total, në Shqipëri vetëm në muajin korrik, kanë hyrë afërsisht 2.663.010 persona. Ndërsa në të njëjtin muaj një vit më parë kanë hyrë 2.624.207 shtetas shqiptarë dhe të huaj”, theksoi MIA.

Gjithashtu muaji gusht ka nisur me fluks të shtuar si në aeroportin e Tiranës, në Portin e Durrësit dhe Vlorës, por edhe në pikat kufitare turistike, ku përveç turistëve të huaj, një numër të lartë zënë edhe emigrantët, të cilët zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri.

/k.s//a.f/

The post MIA: 1.825.490 shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri gjatë korrikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga 11-13 gusht aplikimi online nëpërmjet e-Albania për provimet e pranimit në universitet

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Të gjithë maturantët që duan të konkurrojnë nëpërmjet provimit për degët Mjekësi e Përgjithshme, Arkitekturë dhe Urbanistikë mund të aplikojnë online nga sot, 11 gusht deri më 13 gusht përmes portalit e-albania.al.

Shërbimi elektronik “Aplikim për provimin e pranimit” në programin ‘Mjekësi e përgjithshme’, Universiteti i Mjekësisë Tiranë dhe programi i studimit Arkitekturë dhe Urbanistikë në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, u vjen në ndihmë maturantëve të aplikojnë për pjesëmarrje në provimin e pranimit në këto programe studimi që kërkojnë konkurs/testim.
Hapat që duhen ndjekur për të aplikuar në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë
• Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania;
• Zgjidhni shërbimin “Aplikim për provimin e pranimit ne programin “Mjekësi e përgjithshme””;
• Në formularin që ngarkohet, plotësoni të dhënat e nevojshme për regjistrimin në provimin e pranimit në programin “Mjekësi e përgjithshme “dhe dërgoni aplikimin;
• Kryeni pagesën;
• Ngarkoni mandat pagesën;
• Gjatë aplikimit, kandidati pajiset me një kod unik për të gjurmuar në çdo kohë statusin e aplikimit dhe njoftohet nëpërmjet email-it për pranimin/ refuzimin e aplikimit.
Universiteti Politeknik i Tiranës
• Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania;
• Zgjidhni shërbimin “Aplikim për provimin e pranimit ne programin “Arkitekturë & Urbanistikë”;
• Në formularin që ngarkohet, plotësoni të dhënat e nevojshme për regjistrimin në provimin e pranimit ne programin “Arkitekturë & Urbanistikë”;
• Kryeni pagesën;
• Ngarkoni mandat pagesën;
• Gjatë aplikimit, kandidati pajiset me një kod unik për të gjurmuar në çdo kohë statusin e aplikimit dhe njoftohet nëpërmjet email-it për pranimin/ refuzimin e aplikimit.
/k.s//a.f/

The post Nga 11-13 gusht aplikimi online nëpërmjet e-Albania për provimet e pranimit në universitet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Temperaturat e larta, mjekja Aga: Shmangni ekspozimin gjatë orëve të pikut

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Ditët e fundit po shënohen temperatura të larta në vend, si pasojë mjekët japin këshilla për kujdesin e të gjitha grupmoshave.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale këshillat e mjekëve në këto ditë të nxehta vere, ndërsa u kërkoi qytetarëve t’i ndjekin ato në mënyrë që të shmangin efektet shëndetësore negative.

“Duke marrë parasysh temperaturat e larta që kanë vijuar ditëve të fundit, duam t’ju japim disa këshilla pacientëve për tu ruajtur nga ekspozimi nga temperaturat e larta gjatë orëve të pikut. Pas orës 10 të paradites deri në orën 15:00-16:00. Për çdo problem shëndetësor të shfaqur pacientët duhet të drejtohen pranë mjekut të familjes dhe të kërkojnë ndihmë pranë tij për të kryer vizitat e nevojshme dhe analizat e gjakut që çdo të diagnostikohet në kohën e duhur dhe të ruhemi ndaj temperaturave të larta të ditëve të fundit”, tha Ajsela Aga, mjeke familje pranë Qendrës Shëndetësore Nr.1 në Tiranë.

Në këto ditë të nxehta mjekët rekomandojnë të pini sa më shumë ujë për të shmangur dehidratimin. Rekomandohet të pini të paktën 8 gota ujë në ditë. Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut. Vishuni me rroba të lehta dhe të lirshme, rekomandohen rroba me ngjyra të çelura dhe materiale të lehta prej pambuku.
Përdorni krem dielli me faktor mbrojtës të lartë dhe aplikojeni në të gjitha pjesët e trupit që janë të ekspozuara ndaj diellit, veçanërisht në fytyrë, krahë dhe këmbë.
Konsumoni ushqime të freskëta dhe të lehta, kryesisht rekomandohet fruta dhe perime të freskëta, sallata dhe ushqime të pasura me ujë.
/k.s//a.f/

The post Temperaturat e larta, mjekja Aga: Shmangni ekspozimin gjatë orëve të pikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jahti turistik “Dragonfly” ndalon në Portin e Durrësit

TIRANË, 9 gusht/ATSH/ Në Portin e Durrësit ka mbërritur sot superjahti “Dragonfly”, me  gjatësi 142 metra, i ndërtuar nga kantieri gjerman Lürssen dhe i pajisur me teknologji të avancuar e dizajn luksoz.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur për ATSH-në se ky jaht u nis nga porti i Palermos dhe mbërriti paraditen e sotme në Portin e Durrësit.

Fillimisht i pagëzuar me emrin “Alibaba”, ky jaht u porosit nga bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin.

Vetëm dy ditë më parë në Portin e Durrësit u ankoruan tre jahte turistike, të cilat morën shërbime turistike të ndryshme.

Jahtet ishin në pronësi të Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, njëherazi edhe pronar i klubit të njohur të futbollit Manchester City.

Në Portin e Durrësit edhe këtë sezon turistik vijon ankorimi i jahteve turistike. Edhe këtë vit numri i mjeteve lundruese luksoze që ankorohen në këtë port është rritur ndjeshëm ashtu sikurse edhe koha e qëndrimit të tyre.

Durrësi dhe bregdeti i Shqipërisë prej vitesh tashmë janë kthyer në mikpritës të jahteve luksozë nga e gjithë bota.

/k.s/ /a.g/

 

The post Jahti turistik “Dragonfly” ndalon në Portin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌