Udhëtim magjik mes thesareve të trashëgimisë kulturore shqiptare shumë pranë kryeqytetit
TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Vizitorët e shumtë që arrijnë në kryeqytet kanë alternativa të tjera për të eksploruar trashëgimin e pasur kulturore dhe historike të vendit, pa shkuar shumë larg.
Kështu afër Tiranës, Kepi i Rodonit është destinacion që ndërthur turizmin bregdetar dhe atë historik. Aty vizitori mund të ndjejë historinë, të njihet me kulturën dhe t’i gëzohet natyrës së mrekullueshme.
Duke e cilësuar një udhëtim magjik në kohë mes thesareve të trashëgimisë kulturore shqiptare DRTK Tiranë prezantoi në video promovuese muret legjendare të Kalasë së Skënderbeut në Kepin e Rodonit.
Në Kepin e Rodonit gjelbërimi, freskia dhe deti, ndërthuren me lashtësinë. Aty ndodhen Kalaja e Skënderbeut, e ndërtuar në mesin e shekullit të XV dhe kisha e Shën Ndout, e fundit të shekullit XIII.
Kjo pikë e bregdetit shqiptar ofron plazhe mahnitëse, natyrën e mrekullueshme por edhe monumente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
Një tjetër destinacion është Muzeu Etnografik i Krujës dhe Teqeja e Dollmës, një oaz shpirtëror në zemër të qytetit.
Me restaurimin e plotë të Muzeut Etnografik të Krujës, ky objekt ka regjistruar rritje të vizitueshmërisë, duke u bërë një vend i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.
Muzeu i rigjallëruar përmban rreth 1000 artefakte dhe u ofron vizitorëve një përvojë unike mësimore të fokusuar në etnografinë dhe kulturën shqiptare. Kjo arrihet përmes tregimeve inovative dhe ekraneve multimediale, përvojave të realitetit virtual dhe të shtuar, projeksioneve dhe udhëzuesve audio dhe një muri ndërveprues.
DRTK Tiranë fton qytetarët të shëtisin Pazarin e Vjetër të Krujës, ku aroma e traditës përzihet me ngjyrat e punimeve artizanale.
Gjithashtu një monument i rëndësishëm janë edhe rrënojat e Bazilikës së Gjuricajt, që ruajnë gjurmët e hershme të besimit, për të kaluar më pas përmes Urës së Bukaqit dëshmitare e historisë dhe mjeshtërisë së ndërtimit të dikurshëm.
Një tjetër destinacion i prezantuar në video është edhe Kalaja e Bashtovës, dëshmitare e shekujve të historisë.
Kalaja e Bashtovës është gati të mirëpresë vizitorët, pas përfundimit të punimeve për konservimin dhe restaurimin e saj. Ky monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore, i ndërtuar në shekullin XV nga venedikasit për të kontrolluar bregdetin dhe tregtinë e drithit, është restauruar përmes një sërë ndërhyrjesh të kujdesshme që synojnë ruajtjen e strukturës, zbulimin e historive të saj të fshehura dhe përshtatjen për një përdorim të qëndrueshëm në të ardhmen.
/k.s/j.p/
The post Udhëtim magjik mes thesareve të trashëgimisë kulturore shqiptare shumë pranë kryeqytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.