Vjosa, park “vetëm në letër”, organizatat ngrenë alarmin
Organizatat mjedisore EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur thonë se industritë e nxjerrjes, ndotja dhe zhvillimi i pakontrolluar po dëmtojnë integritetin ekologjik të Parkut Kombëtar të Vjosës.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të martën, më 1 korrik, ata paralajmërojnë qeverinë dhe autoritetet shqiptare se nëse gjendja nuk ndryshon rrezikohet biodiversiteti i lumit.
Deklarata vjen rreth një javë pasi EcoAlbania dhe Riverwatch denoncuan rrjedhjen e mbetjeve të naftës në Vjosë nga stacioni i Gorishtit – një situatë e përsëritur. Citizens.al ishte në terren për ta dëshmuar nivelin e lartë të ndotjes.
Nafta rridhte nga një vaskë mbetjesh të stacionit rreth 2 kilometra larg dhe bashkohej me përroin e Mërtirajt. Punonjës të Albpetrolit thanë se po punonin për ta pastruar kanalin.
Megjithatë për mjedisorët pastrimi nuk mjafton, ata kërkojnë zgjidhje të përhershme, si për shembull riparimi i tubave, cisternave dhe shmangja e derdhjeve të tjera.

Pesë kërcënimet kryesore ndaj Vjosës
Organizatat mjedisore EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur e shoqëruan deklaratën e tyre me një raport në të cilin faktoheshin ndotjet nga rrjedhja e naftës, bitumit dhe mbetjet urbane pranë lumit.
Raporti “Hartëzimi i Presioneve” përfshin 52 pika të ndryshme në hartë ku evidentohen ndotjet, shpesh në shkelje të ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”. Harta digjitale e ndotjes është publikuar online dhe është e aksesueshme nga publiku dhe mediat.
Rrjedhjet e naftës konsiderohen tejet të rrezikshme pasi ndotin ujin dhe rrezikojnë biodiversitetin.
Ngjashëm edhe minierat e bitumit, kryesisht ato të zonës së Selenicës. Në raport thuhet se ato shkaktojnë ndotje të madhe të bregut dhe bien ndesh me planin e menaxhimit të parkut.
Raporti thekson se mbetjet urbane të hasura në disa pika përgjatë Vjosës dhe gjithashtu mbetjet plastike rrezikojnë shëndetin publik dhe faunën.
Nxjerrja e zhavorrit, kryesisht nga industria e ndërtimit, cilësohen me rrezik për shtratin dhe habitatet e peshqve. Ndërsa shpërdorimi i ujit në bujqësi dhe turizëm konsiderohet një tjetër aspekt që mund të dëmtojë parkun, kjo duke pasur parasysh uljet e prurjeve.
Organizatat theksojnë se nëse situata vazhdon, Vjosa rrezikon të mbrohet vetëm në letër. Në deklaratën e tyre të përbashkët ato u bëjnë thirrje autoriteteve të zbatojnë ligjin dhe të ndalojnë ndotjen.
Për këtë kërkohet monitorim i vazhdueshëm, rehabilitim nga ndotësit dhe menaxhim efikas i mbetjeve.
Qeveria shqiptare po ndjek procedurat për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat e Biosferës UNESCO.
“Por, nëse kërcënimet serioze të përmendura nuk adresohen dhe zgjidhen, përfshirja në UNESCO do të mbetet thjesht një status simbolik, ndërkohë që mbrojtja reale në terren do të mungojë,” theksohet në deklaratë.

Reagimi i Albpetrol
Më 28 qershor, kompania Albpetrol reagoi publikisht për ndotjen nga zona naftëmbajtëse Gorisht-Kocul. Citizens.al i pati përcjellë kërkesë për informacion dhe koment zyrtar që më 23 qershor, por nuk mori përgjigje.
Albpetrol pranon se zona është e ndotur nga dekada shfrytëzimi, por pretendon se aktualisht nuk ka aktivitet ndotës. Sipas Albpetrolit, protokollet teknike po respektohen dhe ndotja aktivizohet vetëm në temperatura të larta.
Kompania premton rehabilitim të zonës sipas mundësive teknike dhe financiare.
Megjithatë, pamjet e Citizens.al dhe raportet nga organizatat mjedisore tregojnë një realitet më alarmant dhe të vazhdueshëm.
Pamjet e datave 20-25 qershor tregojnë shtresa të zeza që lundrojnë drejt ujit të Vjosës, të dokumentuara edhe me dron.
Vjosa është lumi i fundit i madh i egër në Evropë dhe habitat për mbi 1,100 specie. Shpallja e saj si park u konsiderua si fitore historike pas dhjetë vitesh fushatë. Por statusi ligjor duket se nuk mjafton. Kërkohet zbatim praktik dhe mbrojtje e vërtetë në terren.
Lexoni gjithashtu:
- “Vjosa e helmuar: Nafta rrjedh në zemër të Parkut Kombëtar”
- “Vjosa gati për UNESCO”, por sfidat mbeten
- Vjosa në rrezik, mjedisorët ngrenë alarmin
The post Vjosa, park “vetëm në letër”, organizatat ngrenë alarmin appeared first on Citizens.al.