“Vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk ankimohet”/ Konstitucionalisti Jaho: Raportet e ODIHR nuk adresohen
Në emisionin “Real Story” në ABC News, konstitucionalisti, Niazi Jaho ka dhënë një intervistë ku ka analizuar me detaje dhe hap pas hapi raportin e OSBE/ ODIHR.
Gjatë kësaj interviste, ai u shpreh se “është për të ardhur keq që ka shumë rekomandime të tyre të parashtruara në mënyrë të përsëritur në raportet e OSBE/ODIHR -it që kanë monitoruar zgjedhjet në vendin tonë dhe që nuk janë bërë objekt shqyrtimi nga Kuvendi i Shqipërisë”
Pjesë nga intervista:
Balla: Në raportet e OSBE/ODIHR a ka patur ndonjë rekomandim për ndryshimin ose rishikim të pikës 1 të nenit 124 të Kodit Zgjedhor?
Jaho: Nuk ka patur.
Balla: Në Kodin Zgjedhor të vitit 2008 a janë bërë shtesa dhe ndryshime?
Jaho: Po, rezulton që atij Kodi Zgjedhor të vitit 2008 i janë bërë shtesa dhe ndryshime në vitet 2012, 2015, dy herë në vitin 2020, në vitet 2021, 2023 dhe së fundmi me ligjin nr 81/ 2024, por pika 1 e nenit 124 nuk është ndryshuar.
Megjithëkëtë më ka tërhequr vëmendjen fakti se në raportin e OSBE/ODIHR-it me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, në rekomandimin nr 22 faqe 32 thuhet: Mund të shikohet mundësia e rishikimit të ligjit në mënyrë që të qartësohet përgjegjësia për ankesat kundër vendimeve të KQV-ve dhe ato që lidhen me shkeljet e fushatës, ndërsa në vazhdim theksohet: <<si edhe për të eliminuar kufizimet e padrejta të legjimitetit për ankim>>
Meqë Kuvendi ka bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor në vitet 2021, 2023 dhe 2024 do të duhej ta shqyrtonte edhe këtë rekomandim dhe në bazë të tij të rishikonte edhe formulimin e pikës 1 të nenit 124 të Kodit Zgjedhor.
Balla: Thuhet se Komisioni i Venecias është shprehur për këtë çështje. A është kështu?
Jaho: Po, nëpërmjet medias jam informuar edhe për këtë. Kjo më nxiti të njihem a) me Kodin e Praktikës së mirë me çështjet zgjedhore miratuar nga Komisioni i Venecias në tetor të vitit 2002 ku jepen udhëzime për zbatimin e parimeve bazë në zgjedhje. Edhe pse në këtë kod nuk bëhet shprehimisht fjalë për të drejtën e kandidatit për deputet për t’u ankuar kur pretendohet se i janë cënuar të drejtat e ligjshme të tij, në pjesën: <<Ankimet dhe apelimet>> thuhet: <<dispozitat e ligjit elektoral, nuk duhet të jenë vetëm fjalë në letër, sepse ‘kjo ka të bëjë veçanërisht me rezultatin e zgjedhjeve’ (faqe 31)
- b) Në rekomandimet e përbashkëta për Kodin Zgjedhor dhe administratën zgjedhore në Shqipëri ‘Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i lidhur me Kodin Zgjedhor të vitit 2004 kanë shprehur në mënyrë analitike opinionin e tyre nr 273/2004. Në pjesën ‘ankimet dhe apelimet’ dhe pikërisht në këtë paragrafin 102 dhe 103 (faqe 26) midis të tjerave thuhet: Nenet 146 deri 179 parashtrojnë procese adekuate për të siguruar që shtetasit, kandidatët dhe partitë politike të mund të kërkojnë rishikim të qenësishëm në rast të dhunimit të një të drejte ligjore. Por ajo që është më e qartë dhe më domethënëse është përmbajtja e paragrafit 107 (faqe 27) ku thuhet: <<Neni 162 e kufizon të drejtën për të apeluar një vendim të KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor vetëm te subjektet zgjedhore>>. Kanë kaluar 21 vjet nga opinioni i mësipërm i shprehur kryesisht për Kodin Zgjedhor të vitit 2004 dhe ky opinion kaq i rëndësishëm nuk ka qenë objekt shqyrtimi nga Kuvendi gjë që rezulton nga përmbajtja e pikës 1 të nenit 124 të Kodit Zgjedhor që përjashton të drejtën e ankimit nga kandidatët për deputet të partive politike. Është për të ardhur keq që ka edhe shumë rekomandime të tyre të parashtruara në mënyrë të përsëritur në raportet e OSBE/ODIHR -it që kanë monitoruar zgjedhjet në vendin tonë dhe që nuk janë bërë objekt shqyrtimi nga Kuvendi i Shqipërisë. Është kjo arsyeja që në disa raporte të OSBE/ODIHR në pjesën Rekomandime përmendet e njëjta gjë, konkretisht: “ këto rekomandime duhet të lexohen së bashku me rekomandimet e mëparshme të ODIHR që nuk janë adresuar ende”. Raporti i OSBE ODIHR-it lidhur me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 (faqe 30)
Balla: A mendoni se kjo çështje do të trajtohet në raportin përfundimtar të OSBE/ODHIR -it lidhur me zgjedhjet e 11 majit të këtij viti?
Jaho: Mendoj se po.