Ortopedi Cen Bytyqi: Shputat e rrafshëta te fëmijët janë të zakonshme në moshë të vogël
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, mbështetur nga United Hospital, ortopedi Cen Bytyqi ka hedhur dritë mbi një shqetësim të shpeshtë tek prindërit – shputat e rrafshëta të fëmijëve.
Ai theksoi se ky fenomen është i zakonshëm dhe në shumicën e rasteve kalimtar.
“Dua t’ju them se nuk ka nevojë të bëhet panik i madh, sepse 97 për qind e fëmijëve në moshën dyvjeçare i kanë shputat e rrafshëta. Shpesh vijnë prindër të shqetësuar, por kur fëmijët arrijnë moshën 10-vjeçare, vetëm tre deri në katër për qind vazhdojnë të kenë shputa të rrafshëta. Pra, pjesa më e madhe e shputave normalizohen vetvetiu”.
Sipas tij, ka mënyra të besueshme për të parashikuar zhvillimin e shputës.
“Ne kemi disa teste prognostike që i bëjmë dhe na ndihmojnë të dimë nëse ajo shputë ka gjasa të zhvillohet normalisht”, shtoi ai.
Një tjetër këshillë e rëndësishme që Bytyqi dha lidhet me përdorimin e këpucëve ortopedike.
“Para moshës 3 vjeçare nuk preferohet t’u punohen këpucë ortopedike për shputa të rrafshëta. Mund të përdoren këpucë të zakonshme nga fabrika”, deklaroi ai, duke theksuar se ndërhyrjet e parakohshme nuk janë gjithmonë të nevojshme. /Telegrafi/
The post Ortopedi Cen Bytyqi: Shputat e rrafshëta te fëmijët janë të zakonshme në moshë të vogël appeared first on Telegrafi.