Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Bastisja e News 24: Gazetarët përballë sekuestrimit të materialeve

Dy ditë pas fikjes së sinjalit të News 24, ndërhyrja ndaj “Fokus Media Group” ka përshkallëzuar. Forca ushtarake, me mbështetjen e “Policisë së Shtetit” ndërhynë në godinën e sekuestruar të televizionit (nr. kadastral 10/300), duke marrë materialet dhe sendet personale nga redaksitë e gazetarëve.

“Grabitje e redaksisë”

Të paprecedentë, e kanë cilësuar vetë gazetarët e News 24, mësymjen e forcave policore dhe ushtarake në boshatisjen e ambienteve të një prej godinave të “Fokus Media Group”.

Gazetari Osman Stafa ka raportuar ditën e djeshme, pasditen e 11 gushtit, sesi kamionë të mbuluar kanë sekuestruar materiale private, kompjuterë dhe sende personale në redaksitë e gazetareve.

“Rrezikohet të dekonspirohen burimet, duke i vënë këta të fundit në rrezik, së bashku me familjet e tyre”, u shpreh Stafa.

Forcat policore në nisje të operacionit janë konfliktuar me gazetarët, teksa këta të fundit kërkonin bazën ligjore me të cilën po veprohej.

“Ilir Proda duhet të mbajë përgjegjësi që punonjësit e tij nuk tregojnë bazën ligjore mbi të cilën po veprojnë”- u shpreh gazetari dhe kreu i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) Isa Myzyraj.

Redaksia e televizionit News 24 i është drejtuar gjithashtu ambasadave të huaja, institucioneve ligjzbatuese, deputeteve të Parlamentit dhe kryetareve të partive politike, që të ndërhyhet menjëherë për të ndaluar konfiskimin e materialeve nga redaksitë.

Në reagimin zyrtar redaksia theksoi se në pajisjet kompjuterike ndodhen informacione të rëndësishme nga investigime mbi korrupsionin, të cilat jo vetëm që përbëjnë prova të mundshme kundër abuzimeve, por edhe rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e gazetarëve.

“Te godina e parë janë materialet e emisioneve investigative, si përshembull emisioni “Veting”, apo “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala”- tregon gazetari Klevin Muka për Citizens.al.

Ai thotë se zyrtarisht nuk i është komunikuar asnjë njoftim për ndonjë orar apo hapësirë, ku gazetarët mund të merrnin sendet personale.

“Nuk e dimë as çfarë po ndodh te godina e dytë, sepse është fushëpamja e zënë dhe ambienti është i rrethuar. Nuk kemi akses as atje!”- përmbyll ai.

Osman Stafa tregon për Citizens se sipas njoftimit të marrë nga kompania shtetërore e prodhimit të armëve KAYO, materialet e sekuestruara janë zhvendosur në Rrashbull, në afërsi të një strukture që përmban rezerva shtetërore.

Të papaguar, por me shpresë për rikthim

Edhe pse gazetarët e News 24, dhe mediave të grupit “Focus”, kanë disa muaj pa paga dhe sigurime, ata nuk e kanë ndalur misionin e tyre të informimit qytetar.

Momentalisht News24 po vijon operimin në qiell të hapur, duke transmetuar në kushtet më minimale materiale bruto nga një kamera.

“Teknikët kanë gjetur një format që të jemi në kanalin e News 24, por duke mos pasur asnjë lloj aksesi për editim, por vetëm transmetojmë live” – shpjegon gazetari Osman Stafa.

Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës e cilësoi sot si të paligjshëm ndërprerjen e punës dhe vendosi shoqëria KAYO duhet t’i garantojë punonjësve aksesin në godinën e gazetës Panorama, e cila ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2033, si edhe t’i kthejë me inventar të gjitha materialet e marra nga godina e sekuestruar, përfshirë sendet personale të gazetarëve dhe kompjuterët e punës brenda 48 orëve.

Përshkallëzimi i ngjarjes ka sjellë reagimin edhe të Irfan Hysenbelliu, pronari i “Focus Group” i News24 dhe Panorama TV, Gazeta Panorama dhe Panorama Sport, Panorama Online, Gazeta Shqiptare Online. Ai e ka cilësuar jo një “incident të zakonshëm”, por një akt brutal dhe që përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar.

“News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket”- u shpreh Hysenbelliu.

Ndërsa Hysenbelliu nuk ka komentuar në lidhje me pagat e prapambetura të stafit të tij, gazetarët e News 24 e kanë artikuluar këtë problematikë edhe në protestën e mbajtur dje, 11 gusht, protestë e thirrur nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH).

“Një media e lirë nuk mund të ekzistojë pa gazetarë të mbrojtur në ambientin e tyre të punës, me sigurime dhe paga korrekte për punën e tyre”- tha gazetari Endri Xhafo gjatë fjalës së tij.

Ai përmbylli se protesta, nuk është vetëm për të kundërshtuar një veprim policor, por dhe për të thënë se të drejtat bazike të punonjësve të medias duhet të mbrohen çdo ditë, nga vetë gazetarët në radhe të parë, përpara se të arrihet në momente si ky.

Ekspertët: “Situata më shqetësuese që kemi parë ndonjëherë”

Kryetari  i “Këshillit Shqiptar te Medias” Koloreto Cukali e cilëson konfiskimin e materialeve të gazetarëve të News 24 të papranueshëm, por dhe si situatën më shqetësuese prej shumë kohësh.

“ Unë di që kur dikush nxirret nga përmbarimi jashtë ndërtesës, të gjitha objektet nxirren në oborr. Nuk merren dhe cohen nëpër vende që s’dihet se ku, aq më tepër kur janë materiale sensitive” – shprehet Cukali.

Cukali thekson se ende nuk dihet nëse ka pasur ndonjë procesverbal të mbajtur për materialet e marra.

“Nuk është problemi te një media, apo një kompjuterë, apo 40 dosje, por te çfarë vjen më mbrapa. Kjo është një demonstrim i hapur force, që ja ç’të gjen kur i kundërvihesh kryeministrit” – shton ai.

Sipas tij problematike është dhe mos mbulimi i kësaj çështje nga mediat e tjera dhe kjo tregon kryekëput një media tradicionale të kapur.

“Kur mediat injorojnë këtë lajm, kjo është një shenjë e keqe jo për median, kjo është një shenjë e keqe për publikun shqiptarë dhe kjo na lë të kuptojmë shumë qartë dinamikat pas kësaj” – përmbyll Cukali.

Ngjarja është denoncuar edhe nga 27 organizata ndërkombëtare dhe kombëtare të lirisë së medias, të cilat me anë të një deklarate të përbashkët kanë adresuar problematikat dhe kërkesat jo vetëm ndaj grupit “Focus Media Group”, por edhe ndaj institucioneve shqiptare.

Ndërhyrjen e 11 gushtit, organizatat e kanë cilësuar  “mbi baza ligjore të paqarta”, ku ligjshmëria dhe proporcionaliteti i këtij veprimi policor vendosen seriozisht në pikëpyetje.

Lexo gjithashtu:

Policia ndalon punën e News 24: Godina e saj do të jepet për fabrikë armësh

Gazetarët solidarizohen kundër bllokimit të “News24”

The post Bastisja e News 24: Gazetarët përballë sekuestrimit të materialeve appeared first on Citizens.al.

Bllokimi i “Focus Media News”, gazetarët në protestë

Pas bllokimit të sinjalit të televizionit News 24 nga ndërhyrja e policisë dhe forcave ushtarake, dhjetëra gazetarë protestuan duke kërkuar lirimin e ambientëve dhe funksionimin normal të medias.

Sebi Alla

Ora 07.36, dt 09.08.2025, sinjali televiziv u shkëput, kur forca të shumta policore dhe ushtarake, bllokuan ambientet e televizionit News 24, agjencisë së lajmeve Balkanëeb, Gazetës Panorama, Gazetës Panorama Sport dhe Radio Rash. Mbyllja u bë pas një urdhri të lëshuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Invovacionit e cila sipas saj, duke iu referuar vendimeve gjyqësore, kaloi hapësirat e marra në shfrytëzim nga “Focus Media News”, tek Agjencia Shtetërore e Prodhimit dhe Tregtimit të Armëve KAYO.sha. Ndërsa pretendimet e palëve shtet-subjekt privat janë të ndryshme, 230 punonjës të medias, gazetarë, operatorë dhe staf mbështetës teknik, kanë mbetur pa punë prej tre ditësh dhe nuk lejohet që të futen në zyrat e tyre, duke mos kryer misionin parësor: “informimin e publikut”.

Protesta

Ditën e sotme dhjetëra gazetarë të “Focus Media News” dhe shumë kolegë nga media të tjera protestuan me parkarta në duar ky binte në sy disa të tilla si: “Media nuk mbyllet, por mbrohet”; “Ne s’jemi kriminelë që na sillni polici dhe ushtri”, apo “Liria e medias nuk është negociatë”. … “Të shtunën në mëngjes, pa paralajmërim, u ndërpre sinjali ynë dhe u bllokua hyrja e gazetarëve në vendin e tyre të punës. Na u tha se ishte një çështje kontrate qiraje, por të gjithë e dimë se marrëdhëniet kontraktuale nuk mund dhe nuk duhet të shërbejnë si pretekst për të mbyllur një zë të lirë informimi. Konfliktet civile zgjidhen në gjykata, jo duke fikur ekranin e një televizioni që i shërben publikut”-tha drejtoresha e informacionit në News 24, Anila Jole. Ndërsa shtoi se “…kjo që ndodhi nuk është vetëm një çështje e News24, është çështje që prek çdo media dhe çdo gazetar në Shqipëri, pasi sot është News24, nesër mund të jetë çdo zë tjetër kritik”.

Konflikti

“Focus Media News” prej më shumë se dy dekadash është vendosur në godina shtetërore nëpërmjet kontratave të qirasë të nënshkrruara në disa vite me kohë zgjatje të ndryshme shfrytëzimi. Një nga godinat është me kontratë të përfunduar që në vitin 2023, por në procese të vazhdueshme gjyqësore, ndërsa godina tjetër me kontratë qiraje në fuqi deri në vitin 2033. “Nëse shoqëria Kayo do të kishte një vendim gjyqësor për lirimin e godinës do të kishte një njoftim paraprak nga përmbaruesi dhe më pas lirimin e ambienteve e bën përmbaruesi. Në këtë rast nuk ka asnjë vendim gjyqësor dhe asnjë përmbarues”, u shpreh avokati i kompanisë, Erjon Kanxheri. Ndërsa në përgjigjen e saj zyrtare, Ministria e  Ekonomisë, Kulturës dhe Invovacionit thotë se ka ndjekur të gjithë procedurat ligjore. “Pretendimi i shoqërisë se kontrata e saj e qirasë ka afat deri në vitin 2033 lidhet me një pasuri tjetër shtetërore, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasurinë e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a”. Mësohet se IKMT ka prishur në orët e para të mëngjesit të sotëm një tunel lidhës mes dy objekteve, godinës A që është sekuestruar dhe pretendohet se i ka përfunduar kontrata dhe godinës B e cila ka leje shfrytëzimi deri në vitin 2033. “Focus Media News” shprehet se gjatë ndërhyrjes janë dëmtuar një pjesë e teknikës, duke rrezikuar arkiven dhe serverat. Megjithëse institucionet shtetërore nuk kanë sekuestruar godinën B, sërish punonjësit nuk lejohet të futen brenda atyre ambienteve, me pretendimin se për të shkuar deri aty “shkelin në pronë shtet”. Përvecc forcave të policisë që qëndrojnë në perimetrin e jashtëm të objeteve, në brendësi janë forcat ushtarake të cilët janë udhëzuar për të mos lejuar asnjë punonjës të futet.  

Reagimet

Organizatat mediatike vendase dhe të huaja reaguan me shqetësim në lidhje me bllokimin e sinjalit të transmetimit të “Focus Media News”, duke e cilësuar ndërhyrjen me forca policore dhe ushtarake si të papranueshme dhe cënim i lirisë së medias. Qëndrime pati sot edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Rrjeti Global për Mediat e Pavarura (IPI). Në reagimet e tyre theksohet se nevojiten veprime të menjëhershme nga autoritetet shtetërore për rikthimin e plotë të funksionimit të mediave, përfshirë sinjalin e News24, dhe për të ofruar arsyetim ligjor për pengimin e aksesit të publikut në përmbajtjen mediatike. Edhe Faktoje.al bashkohet me qëndrimin se bllokimi, cënimi i lirisë dhe veprimet që lënë të papunë dhe në pasiguri mbi 200 punonjës të medias, gazetarë dhe staf mbështetës, janë të papranueshme, pavarësisht konflikteve dhe pretendimeve institucione shtetërore-subjekt privat.

The post Bllokimi i “Focus Media News”, gazetarët në protestë appeared first on Faktoje.al.

Gazetarët në protestë, IKMT shemb ndërtesën ku ndodhen pajisjet e transmetimit të News24 (VIDEO)

✇Albeu
By: V K

Teksa po zhvillohej protesta e gazetareve dhe shoqërisë civile para godinës së News24, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ka shembur një prej pikave më të rëndësishme që lidhte dy godinat e News24 dhe Panorama TV.

IKMT pa pritur vendimin dhe ankimin e bërë në gjykatë ditën e sotme, ka shembur urën lidhëse dhe ka dëmtuar kabllot që lidhin transmetimin e News24 me regjinë, arkivën dhe severat e televizionit.

Ekspertët e News24, flasin për dëme të konsiderueshme që ka shkaktuar kjo ndërhyrje, pasi janë prekur lidhjet e transmetimit dhe serverat me të cilën operonte ky televizion, duke venë ne rrezik pasurinë me te madhe, arkivën e TV.

 

The post Gazetarët në protestë, IKMT shemb ndërtesën ku ndodhen pajisjet e transmetimit të News24 (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Protesta për lirimin e ish-krerëve të UÇK, Rama: Pse Kuvendi i Kosovës nuk ngre zërin me një rezolutë, pa dallime partish?

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me protestën e zhvilluar në Prishtinë, ku mijëra qytetarë të thirrur nga përfaqësues të kategorive të dala nga lufta, protestuan kundër padrejtësive që, sipas tyre, po ushtrohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rama ndau në rrjetet sociale foto nga protesta dhe u ndal me ton kritik ndaj heshtjes së institucioneve të Kosovës, duke vënë në pikëpyetje mungesën e një qëndrimi institucional të Kuvendit të Kosovës përmes një rezolute për të drejtat e të akuzuarve.

“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!”, u shpreh Rama.

Ai theksoi gjithashtu se, nëse një rezolutë e tillë do të miratohej nga Kuvendi i Kosovës, atëherë edhe Shqipëria do të angazhohej menjëherë në mbështetje të saj.

“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cenim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor”, shtoi Kryeministri Rama.

Protesta e zhvilluar në Prishtinë u organizua nga organizata të dala nga lufta, ndërsa mesazhet kryesore të saj kërkonin drejtësi për të akuzuarit nga Gjykata Speciale, duke e cilësuar këtë gjykatë si të njëanshme dhe selektive.

/r.e/

The post Protesta për lirimin e ish-krerëve të UÇK, Rama: Pse Kuvendi i Kosovës nuk ngre zërin me një rezolutë, pa dallime partish? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta në Prishtinë, Spiropali: Rikonfirmoi indinjatën e thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha sot se protesta masive në Prishtinë rikonfirmoi indinjatën e thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike, si dhe mbështetjen ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali tha se “ish-drejtuesit e UÇK-së në kundërshtim me çdo standard ligjor, ndërkombëtar, moral, logjik e njerëzor, po mbahen të mbyllur në hapsanën e Hagës; një akt kundër të drejtës, kundër lirisë, në abuzim me sovranitetin e një shteti të pavarur e demokratik”.

“Drejtësia nuk mund të përmbyset, viktimat nuk mund të shpallen agresorë dhe agresorët nuk mund të shiten si viktima”, tha Spiropali.

Mijëra qytetarë protestuan sot në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Protestuesit kërkuan që për të akuzuarit nga Gjykata në Hagë të ketë “drejtësi dhe jo padrejtësi”.

/k.s/r.e/

The post Protesta në Prishtinë, Spiropali: Rikonfirmoi indinjatën e thellë mbarëshqiptare ndaj padrejtësisë historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VIDEO-FOTO/ Mijëra qytetarë protestuan kundër padrejtësive ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Mijëra qytetarë u mblodhën pasditen e kësaj të enjte në qendër të Prishtinës për të shprehur pakënaqësinë ndaj, siç thanë organizatorët, qasjes së njëanshme të Gjykatës Speciale, e cila po tenton të zhvendosë fajësinë nga pushtuesit te çlirimtarët. Në fjalimet e mbajtura u theksua se drejtësia selektive krijon padrejtësi dhe dëmton procesin e vërtetë të pajtimit dhe drejtësisë.

Source

💾

Protestë kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë: Po u bëhet padrejtësi luftëtarëve të UÇK-së

Ka nisur protesta në Prishtinë, e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL) kundër vendimeve të Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantëve të UÇK-së. Një numër i madh i qytetarëve po vazhdojnë t’i bashkohen protestës së thirrur në sheshet e Prishtinës.

“Jemi mbledhur për drejtësi, kundër padrejtësisë”, janë fjalët me të cilat nisi kjo protestë.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, gjatë fjalës së tij, u shpreh se Gjykata Speciale është anti-UÇK dhe po deformon historinë.

“Kjo Gjykatë ne e dimë se është një Gjykatë e njëanshme, kundër anti-UÇK, një Gjykatë anti-shtetit të Kosovës”. Ai shton: “Gjykata Speciale po deformon historinë tonë, nën petkun e drejtësisë së cilën e ka përdhosur kjo Gjykatë, po bën padrejtësi ndaj atyre që u ngritën për liri, dinjitet dhe ekzistencë njerëzore. Luftëtarët e UÇK-së ishin përgjigja legjitime e popullit tonë, të shtypur kundër një regjimi kriminal, siç ishte Serbia në krye me Millosheviçin”.

Në protestë ishte e pranishme edhe bashkëshortja e Jakup Krasniqit, i cili po gjykohet aktualisht në Hagë. Bashkëshortja e Krasniqit tha se Gjykata Speciale nuk duhet të shpallë aktgjykim dënues në emër të popullit.

“Jam shumë e emocionuar, gjykata duhet ta ketë parasysh që aktgjykimin dënues nuk duhet ta marrë ne emër të popullit, ky është emri i popullit, ne presim që ata të lirohen shumë shpejt. Është dashur edhe më herët të organizoheshin protesta dhe nuk duhet të ndalen deri në gjykimin përfundimtar”, ka thënë ajo.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj nisi të këndonte para kamerës këngën për heroin Adem Jasharin. Më pas ajo u shpreh: “Unë jam me fat që s’e kam votuar Gjykatën Speciale. Është vendimi më i mençur që kam bërë në historinë parlamentare”.

Ndërkohë Faik Shehu, nënkryetar i OVL-UÇK dega në Has deklaroi: “Gjykata e cila është themelu mbi bazën e drejtësisë, është duke ba padrejtësi ndaj popullit që është persektu nga Serbia”.

Në protestë foli dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ish-deputetja, Vasfije Krasniqi. Ajo tha para kamerave: “Sot kam dalë këtu për t’i mbrojtur vlerat tona kolektive. Është pak me vonesë, por shpresoj që të jetë protestë e fortë për t’i mbështetur vlerat tona të UÇK-së”.

Me moton “Kundër padrejtësisë”, organizatorët thanë se synojnë të tërheqin vëmendjen për mbajtjen e komandantëve të luftës, në Hagë.

Pak më herët, kryetari i OVL-së, Hysni Gucati, në një lidhje live me Klan News tregoi se çfarë mesazhi do të jepet gjatë protestës.

“Mesazhi do jetë shumë i qartë. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Speciale, e cila është një gjykatë e padrejtë, e cila është duke punuar dhe vepruar shumë padrejtësisht ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Mesazhin më të mirë do e dërgojnë qytetarët e Kosovës. Ai do të jetë mesazhi më i mirë”, tha ai.

Ish-drejtuesit e UÇK-së, mes të cilëve edhe ish-presidenti Hashim Thaçi gjenden në paraburgim në Hagë prej vitit 2020 të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./tvklan.al

The post Protestë kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë: Po u bëhet padrejtësi luftëtarëve të UÇK-së appeared first on iconstyle.al.

Mijëra qytetarë protestojnë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale

PRISHTINË, 7 gusht /ATSH/ Mijëra qytetarë protestuan të enjten në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në protestën, që u organizua nga kategoritë e dala nga lufta, morën pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, por edhe nga vende të rajonit.

Organizatorët e protestës dhe folësit e tjerë kërkuan që për të akuzuarit nga Gjykata në Hagë të ketë “drejtësi dhe jopadrejtësi”. Gjykata Speciale u akuzua se është e njëanshme dhe se po tenton ta zhvendosë fajin nga “pushtuesit te çlirimtarët”. Po ashtu u tha se drejtësia selektive prodhon padrejtësi.

Ndërkaq pas protestës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar se “kur populli ngrihet, padrejtësia nuk kalon dot”.

Gucati: Ky është kriminalizim i UÇK-së

Gjatë protestës, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, tha para protestusve se sot po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës së UÇK-së.

Sipas tij, Specialja po e deformon historinë e Kosovës, duke e cilësuar këtë gjykatë si “kundër UÇK-së dhe kundër Kosovës”.

Gucati shtoi se Specialja po përhap narrativin “e rremë se Kosova është çliruar nga kriminelët”, duke shtuar se vendi është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.

“Kjo nuk është drejtësi, kjo është dhunë politike. Ky është kriminalizim i UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s”, tha ai.

Gucati përsëriti qëndrimin se veteranët besojnë në drejtësi “por nuk duam padrejtësi”.

Folës në protestë ishin edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Ahmeti kërkon lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Gjatë fjalimit para protestuesve, Ali Ahmeti, që ka qenë pjesë e UÇK-së, bëri thirrje liri për ish-krerët e UÇK-së.

Ai tha se ata po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale.

“Sot kërkojmë të drejtën tonë, UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, për liri, për çlirim nga pushtimi. Ajo i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare të luftës. Nuk është marrë me të pafajshmit, nuk ka vrarë civilë, gra, fëmijë, apo pleq”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, Serbia po bën gjithçka që përmes gjykatës në Hagë “të zhbëjë shtetin e Kosovës”. Në këtë drejtim ai përmendi se Gjykata ka marrë prova materiale nga Serbia.

“Ky model i drejtësisë selektive, nuk sjellë drejtësi universale, por narrativ që zhvendos fajin nga pushtuesit te çlirimtarët”, tha Ahmeti.

Gjatë fjalimit, ai kërkoi nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që janë në Këshillin e Evropës të kërkojnë rishikimin e rezolutës, mbi pretendimet e të cilës u krijua Gjykata Speciale.

“Shpifje monstruoze, idoteske se gjoja UÇK-ja ka bërë trafikim organesh, përpara së vërtetës dështuan të gjithë antishqiptarët që përgatitën një dosje të verdhë për të komprometuar historinë më të lavdishme të shqiptarëve: UÇK-në”, tha Ahmeti.

“Nuk pranojmë që historia të shkruhet nga të huajt, aq më pak nga një Gjykatë që nuk është kompetente për këtë dhe që i ka humbur integriteti”, shtoi ai.

Tromp: Drejtësia selektive është padrejtësi

Ish-hulumtuesja në Tribunalin e Hagës, Nevenka Tromp e nisi fjalimin në Prishtinë me sloganin “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Ky slogan, sipas saj, nuk është thjesht slogan, “por realiteti i dhimbshëm që ju po përballeni prej vitesh. Që drejtësia të pranohet ajo duhet të ketë legjitimitet”.

Ajo tha se gjykatat duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, pasi rrezikon të jetë padrejtësi.

Tromp kujtoi se ish-krerët e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë, pasi tha se “besuan se do të ketë drejtësi”.

“Këta udhëheqës ishin ata që e mbështetën krijimin e kësaj gjykate. E bënë këtë, duke e ditur rrezikun që kanosej ndaj të gjithë luftëtarëve. Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre… Ata luftuan dhe fituan”, tha Tromp.

Protesta e organizuar nga veteranët e UÇK-së u përkrah nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe eksponentë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se protesta është “dhjetë vjet e vonuar” pasi në kohën kur është themeluar Gjykata është dashur që të protestohet kundër “pushtetit të atëhershëm”.

Në Dhomat e Specializuara – që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale – rasti kryesor po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Veteranët e UÇK-së kanë kundërshtuar trajtimin që po iu bëhet atyre nga Gjykata dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, por po ashtu kanë kritikuar Qeverinë aktuale në Kosovë lidhur mendihmën financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se i ka ndarë në total rreth 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve.

OVL e UÇK-së ka thënë se e konsideron të turpshme vendosjen e “çmimeve tavan” për tarifat ndaj ekipeve mbrojtëse në Hagë dhe ka kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre.

Në fund të korrikut, veteranët, por edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ngritën një shqetësim tjetër sa i përket gjykatës në Hagë: provat materiale nga Serbia.

Haxhiu tha se është njoftuar se Specialja ka pranuar si prova materiale disa dokumente të dorëzuara nga institucionet e Serbisë, duke përmendur Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.

Ajo e konsideroi këtë si “zhvillim thellësisht të papranueshëm”. Sipas Haxhiut, pranimi i materialeve të prodhuara nga Serbia si burim i besueshëm përbën “deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri”, teksa ka shtuar se me këtë veprim ngrihen dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 5 gusht tha se është shqetësuese që cilado gjykatë që është formuar nga Kosova, që e ka detyrim ligjor që të funksionojë sipas sistemit juridik të Kosovës, të pranojë prova nga Serbia, pasi tha se historikisht është dëshmuar se Serbia ka prodhuar “prova të falsifikuara” që sipas saj kanë për synim që ta rishkruajnë historinë. /REL/

The post Mijëra qytetarë protestojnë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E mbijetuara e dhunës në protestë/ Vasfije Krasniqi: Kam dalë për t’i mbrojtur vlerat tona, jam krenare me UÇK-në

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, i është bashkuar protestës kundër padrejtësive ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë.

Në një prononcim për gazetaren e Klan Kosovës, Krasniqi tha se në protestë ka dalë për t’i mbrojtur vlerat kolektive, teksa protestën e cilësoi si pak të vonshme.

“Sot kam dalë këtu për t’i mbrojtur vlerat tona kolektive. Është pak me vonesë, por shpresoj që të jetë protestë e fortë për t’i mbështetur vlerat tona të UÇK-së”.

“Vlerësimi im për UÇK-në s’ka ndryshuar kurrë. Në vitin 1998 kur është betuar vëllai im për të luftuar për UÇK-në, është edhe ditën e sotme”, tha Krasniqi për Klan Kosova.

Tutje, ajo u shpreh krenare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që e ka pasur Kosova dhe për ushtrinë që Kosova e ka në ditën e sotme.

Qytetarët të ashpër me Specialen: Raciste, çlirimtarët po mbahen në Hagë me dirigjime nga Serbia

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën gjithëpopullore të thirrur nga organizatat e dala nga lufta, në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qytetarët e konsiderojnë Gjykatën Speciale si raciste, derisa mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta të ndryshme në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Isat Gashi, i cili kishte ardhur nga Klina për të protestuar, tha se ish presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët po mbahen padrejtësisht në paraburgim dhe me dirigjime nga Serbia.

“Jemi mbledhur sot për çlirimin e çlirimtarëve tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë…Mendojmë se do të ketë rezultat për lirimin e djemve tanë, heronj të gjallë…Gjykata Speciale është raciste dhe po mban padrejtë në Hagë çlirimtarët me dirigjimet e Serbisë”, tha ai.

“Kundër padrejtësisë! Në mbrojtje të UÇK-së dhe së vërtetës”, mbyllet protesta në Prishtinë

Ka përfunduar protesta “drejtësi kundër padrejtësive” të Speciales në Hagë, e cila u mbajt në Prishtinë

Në sheshin “Skënderbeu” u mblodhën me mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës, por edhe përtej kufijve.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020. Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon. Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë.

Ora 17:51 Padrejtësi në Hagë, protestë në Prishtinë/ Ali Ahmeti: UÇK ka bërë luftë të drejtë, kërkojmë liri për çlirimtarët

Një ndër themeluesit e UÇK, Ali Ahmeti mori pjesë në protestën e mbajtur në Prishtinë, kundër Gjykatës Speciale.

Gjatë fjalës së tij, Ahmeti shpreh se UÇK ka bërë luftë të drejtë dhe nuk është marrë me të pafajshmit.

Ahemti shtoi se kërkohet liri për ish krerët e UÇK, që ndodhen në Hagë.

17:05 – Nis protesta “drejtësi kundër padrejtësive” 

Protesta e thirrur për “drejtësi kundër padrejtësive” të Speciales në Hagë, tashmë ka nisur.

Në sheshin “Skënderbeu” janë mbledhur me mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës, por edhe përtej kufijve.

Ora 16:52 E mbijetuara e dhunës në protestë/ Vasfije Krasniqi: Kam dalë për t’i mbrojtur vlerat tona, jam krenare me UÇK-në

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, i është bashkuar protestës kundër padrejtësive ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. Krasniqi tha se në protestë ka dalë për t’i mbrojtur vlerat kolektive, teksa protestën e cilësoi si pak të vonshme.

“Sot kam dalë këtu për t’i mbrojtur vlerat tona kolektive. Është pak me vonesë, por shpresoj që të jetë protestë e fortë për t’i mbështetur vlerat tona të UÇK-së”.

“Vlerësimi im për UÇK-në s’ka ndryshuar kurrë. Në vitin 1998 kur është betuar vëllai im për të luftuar për UÇK-në, është edhe ditën e sotme”, tha Krasniqi për Klan Kosova. Tutje, ajo u shpreh krenare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që e ka pasur Kosova dhe për ushtrinë që Kosova e ka në ditën e sotme.

Ora 16:51 Qytetarët të ashpër me Specialen: Raciste, çlirimtarët po mbahen në Hagë me dirigjime nga Serbia

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën gjithëpopullore të thirrur nga organizatat e dala nga lufta, në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qytetarët e konsiderojnë Gjykatën Speciale si raciste, derisa mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta të ndryshme në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Isat Gashi, i cili kishte ardhur nga Klina për të protestuar, tha se ish presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët po mbahen padrejtësisht në paraburgim dhe me dirigjime nga Serbia.

Ora 16:41 Protesta për lirimin e ish krerëve të UÇK/ Bashkëshortja e Jakup Krasniqit: Gjykata të ketë parasysh popullin, presim që ata të lirohen

“Jam shumë e emocionuar, gjykata duhet të ketë parasysh, jo gjykim dënues. Në emër të popullit duhet gjykim lirues. Mirë është me shëndet. Presim ne të rikthehen ata, si të lirë. Po, edhe më herët edhe të vazhdojmë deri në gjykimin përfundimtar”, theksoi bashkëshortja e Jakup Krasniqit.

Ora 15:58 “Liria nuk gjykohet, liria mbrohet”, protesta kundër Speciales, Ali Ahmeti drejt Prishtinës

Kryetari i BDi-së Ali Ahmeti, është nisur rrugës për në Prishtinë ku edhe do të marrë pjesë në protestën e veteranëve të UÇK-së kundër Speciales.

Ahmeti njëherëh do t’iu drejtohet të pranishmëve edhe me një fjalë rasti.

Ora 15:55 Ish-ambasadori Robert Bosch për protestën: UÇK-ja ishin këmbët tona në terren, Specialja nuk duhej themeluar

Gjykata Speciale nuk është dashur të themelohej, andaj është mirë që po protestohet, thotë ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, pak orë para se në Prishtinë të mblidhen veteranë e qytetarë të tjerë për të shprehur kundërshtimet e tyre për mënyrën se si po punojnë Dhomat e Specializuara në Hagë. Në një intervistë për KosovaPress, nga Haga, Bosch thekson se protesta duhet të jetë e qetë dhe dinjitoze.

Specialja, e cila i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015. Atje po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Ora 13:47 Gucati: Mesazhi i protestës sonë është i qartë, do të dëgjohet edhe në Hagë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur për protestën e thirrur sot kundër, siç thotë ai, padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ora 13:46 Protesta kundër Speciales, disa emigrantë shpalosin flamurin e UÇK-së në Hagë

Këtë të enjte në Prishtinë zhvillohet protesta kundër Gjykatës Speciale. Disa emigrantë kanë zhvilluar një aksion simbolik në Hagë, në ditën që do të mbahet protesta kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë. Ata kanë shpalosur një flamur të UÇK-së pranë objektit ku ndodhet qendra e paraburgimit.

Ora 12:31 Vajza e Jakup Krasniqit: Heshtja e atyre që dikur ëndërruan lirinë me pranga në duar, është e pafalshme

Vajza e Jakup Krasniqit, Gresa, ka bërë një postim emocionues para protestës që do të mbahet sot kundër padrejtësive në procesin e Hagës, ku po gjykohet babai i saj dhe ish krerët e tjerë të UÇK-së.

Ajo tha se ata që premtuan dhe nuk shkruan asnjë fjalë ndaj bashkëluftëtarëve, më e pakta që mund të bëjnë, është të kërkojnë sot drejtësi në protestë.

Ora 11:32 Djali i Jakup Krasniqit bën thirrje për protestë: Nuk është për individë, por për luftën e UÇK-së

Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës së sotme që do të mbahet në orën 17:00.

Ai theksoi se kjo protestë nuk ka të bëjë me mbrojtjen e disa individëve, por me mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se protesta është kundër përpjekjeve për të barazuar agresorin me viktimën dhe ndaj padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së.

Ora 11:03 Veteranët protestojnë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale, Hasani: Beteja me drejtësinë do të fitohet

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur një protestë që do të mbahet sot në ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar, siç pretendojnë ata, padrejtësitë që po u bëhen ish-drejtuesve të UÇK-së nga ana e Gjykatës Speciale.

Në lidhje me protestën është shprehur edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i cili gjatë një prononcimi të mërkurën mbrëma për emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova u shpreh se beson që beteja me drejtësinë do të fitohet, pavarësisht sfidave.

Ora 11:02 OVL-UÇK me videomesazh para protestës: UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë!

Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka vazhduar thirrjet për protestën që do të mbahet sot nga ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Përmes një postimi në profilin e saj në “Facebook”, kjo organizatë ka shpërndarë një video ku theksohen arsyet e mbajtjes së protestës.

Në video shfaqet parulla “UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë”, ndërsa pas saj paraqiten edhe pamje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë.

Ora 10:35 Lati për protestën e sotme: Duhet t’i mbështesim burrat që sakrifikuan për Kosovën

Emin Lati nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Skenderaj ka folur për protestën e thirrur nga OVL-UÇK, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Në një intervistë për Klan Kosova, Lati tha se këta burra kanë sakrifikuar për të mirën e Kosovës dhe se qytetarët duhet t’u dalin në krah.

Nga të gjitha anët drejt Prishtinës, qytetarët fillojnë të mblidhen për protestë

Qytetarë të shumtë kanë filluar të mblidhen për protestën e organizuar nga veteranët për të kundërshtuar veprimet e Gjykatës Speciale. Protesta pritet të fillojë në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Disa komuna kanë ofruar transport falas për qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në protestë, ndërsa një pjesë e tyre tashmë kanë arritur në Prishtinë.

Protestuesit mbajnë në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta të ndryshme në përkrahje të pjesëtarëve të UÇK-së.

Ndryshe, organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një konferencë të mbajtur të mërkurën u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë, në mbrojtje të luftës çlirimtare

The post Nga të gjitha anët drejt Prishtinës, qytetarët fillojnë të mblidhen për protestë appeared first on Albeu.com.

Ledri Vula bën thirrje për të dalë sonte në protestën kundër padrejtësisë

Reperi i njohur shqiptar, Ledri Vula u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin sot në protestë.

Ai është në mesin e figurave publike që mbështet këtë thirrje, përmes një postimi në ‘InstaStory’.

Përmes ndikimit të tij në rrjetet sociale, Ledri i është bashkuar zërave të shumtë publikë ndaj kësaj iniciative.

Qytetarë të shumtë tashmë kanë filluar të mblidhen në kryeqytet për protestën e sotme.

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë sot një protestë në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 në kundërshtim të padrejtësive nga Gjykata Speciale dhe raportimeve se dosje e dokumente të Serbisë po përdoren nga Gjykata Speciale në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një konferencë të mbajtur të mërkurën u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë, në mbrojtje të luftës çlirimtare.

The post Ledri Vula bën thirrje për të dalë sonte në protestën kundër padrejtësisë appeared first on Albeu.com.

Gucati: Mesazhi i protestës sonë është i qartë, do të dëgjohet edhe në Hagë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur për protestën e thirrur sot kundër, siç thotë ai, padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

Në një lidhje direkte për emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Gucati tha se kjo protestë është një rikthim i frymës së bashkimit të viteve të ’90-ta, transmeton Klankosova.tv.

“Sot do të jemi të bashkuar. Sot besoj se qytetarët e Kosovës do të bashkohen sikur atëherë, në vitet e ’90-ta. Mesazhi ynë është i qartë dhe besoj se do të dëgjohet jo vetëm nga Gjykata Speciale, por në mbarë botën demokratike, se kjo gjykatë është e padrejtë dhe e njëanshme”, theksoi ai./abcnews.al

Protesta e OVL e UÇK-së, zëdhënësi i LVV-së: Është dhjetë vjet me vonesë

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë sot një protestë në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 në kundërshtim të padrejtësive nga Gjykata Speciale dhe raportimeve se dosje e dokumente të Serbisë po përdoren nga Gjykata Speciale në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një konferencë të mbajtur të mërkurën u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë, në mbrojtje të luftës çlirimtare.

E mbështetje për këtë protestë kanë deklaruar PDK, LDK, e AAK.

Ndërkaq, sot zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka në një postim në Facebook ka shkruar lidhur me protestën e sotme të OVL e UÇK-së.

Ai ka paraqitur gjashtë pika, duke thënë se protesta është dhjetë vjet e vonuar.

Tutje, sipas tij, për më pak se pesë vjet qeveria Kurti ka paguar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe shpenzimet e tjera atje.

Lexoni të plotë postimin e Manxhukës, ku paraqiti gjashtë pika e që ndërlidhen me protestën e sotme të OVL e UÇK-së, përmes së cilës kundërshtohen padrejtësitë e Gjykatës Speciale.

– Protesta është dhjetë vjet e vonuar. Është dashur që në verën e vitit 2015 të kundërshtohet pushteti i atëhershëm.

– Nuk mund të ndryshohet historia e Kosovës dhe lufta çlirimtare por as historiku i themelimit të Gjykatës Speciale.

– Kosova ka nevojë për gjykata normale që dalin pas vettingut dhe për kryeprokuror të ri e jo për gjykata speciale jotransparente të cilat janë jashtë praktikave ndërkombëtare.

⁠Për më pak se pesë vjet qeveria Kurti ka paguar mbi 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë dhe shpenzimet e tjera atje.

⁠Në intervistën e tij nga Haga para një jave, ish presidenti dhe ish kryeministri Thaçi ishte tepër i butë me Gjykatën Speciale. Protestat nuk mund ta zëvendësojnë a kompensojnë mungesën e qëndrimit të tij.

⁠Fatkeqësisht, në vitin e pestë që po mbahen në paraburgim ish drejtues të UÇK-së, është e qartë që partia kryesore opozitare çështjen e tyre e ka përdorur shumë më tepër kundër qeverisë Kurti sesa për lirimin e të akuzuarve. /Telegrafi/

The post Protesta e OVL e UÇK-së, zëdhënësi i LVV-së: Është dhjetë vjet me vonesë appeared first on Telegrafi.

Protestë në Prishtinë kundër gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Organizata e Veteranëve të Luftës do të mbajë sot me 7 gusht protestë gjithë popullore në Prishtinë kundër mbajtjes së padrejtë të ish-krerëve të UÇK-së në burgun e Hagës.

Në një konferencë për media të hënën, Hysni Gucati, kryetar i OVL UÇK, tha se protesta do të mbahet duke filluar nga ora 17:00.

Përveç kësaj, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, u shpreh se gjykimi i luftëtarëve të UÇK-së është i padrejtë dhe përbëhet nga një gjykatë që ata nuk e njohin.

Jashari theksoi se mënyra se në të cilën është ngritur Gjykata Speciale është dashur që të jetë inekzistente.

Nënkryetari i OVL-UÇK në konferencën për media që u mbajt dje tregoi se kush do të mbajë fjalim në këtë tubim.

“Folës të kësaj proteste do jene profesoresha universitare, zonja Nevenka edhe organizuesi i kësaj proteste, Hysni Gucati, pastaj do të jetë edhe një bashkëluftëtari joni, kryetari i BDI, Ali Ahmeti edhe një djalë dëshmori”, tha fillimisht ai.

Po ashtu Syla potencoi se janë ndërmarrë të gjitha hapat që protesta të ketë mbarëvajtje të rregullt.

“Në kuadër të organizimit të protestës të paralajmëruar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë bërë të gjitha përgatitjet, kemi kërkuar lejen e Komunës së Prishtinës, është njoftuar Policia e Kosovës, është angazhuar ambulanca kemi bërë kërkesë të kemi një ambulantë nëse ka nevojë. I është dhënë mundësia kushdo që ka dëshirë me marrë pjesë në protestë me autobus. Kemi komunikuar me parkingun Prishtina, ka mbet vetëm nesër(sot) me fillu protesta”, tha Syla.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023.

Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon. Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë./KosovaPress.

Vasfije Krasniqi: Do të jem në protestë, në mbrojtje të dinjitetit kolektiv

Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka bërë të ditur se do të merr sot pjesë në protestën e organizuara nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtje të luftës çlirimtare.

Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se në protestë do të jetë për të mbrojtur dinjitetin kolektiv.

“Arsyeja pse më 7 gusht do të jem në protestë është e thjeshtë: përballë një bote ku kriminelët serbë ende janë të lirë, është e papranueshme që ish-ushtarët tanë të përballen me padrejtësi.

Unë nuk dal për të mbrojtur individë, por për të mbrojtur dinjitetin tonë kolektiv, të drejtën tonë për drejtësi të barabartë. Dal si qytetar i këtij shteti, që s’mund të rrijë duarkryq teksa historia jonë përpiqet të njolloset me standarde të dyfishta.

Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi, e nuk mund të ketë drejtësi pa të vërtetën e luftës sonë çlirimtare.   UÇK-ja nuk ishte krim – ishte mburoja e këtij populli.

Prandaj më 7 gusht jam aty. Për historinë, për dinjitetin, për Kosovën!”, shkruan ajo. /Telegrafi/

The post Vasfije Krasniqi: Do të jem në protestë, në mbrojtje të dinjitetit kolektiv appeared first on Telegrafi.

Veteranët e luftës protestojnë sot në Prishtinë, kundër padrejtësive nga Gjykata Speciale dhe në mbrojtje të luftës së UÇK-së  

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë sot një protestë në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 në kundërshtim të padrejtësive nga Gjykata Speciale dhe raportimeve se dosje e dokumente të Serbisë po përdoren nga Gjykata Speciale në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një konferencë të mbajtur të mërkurën u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë, në mbrojtje të luftës çlirimtare.

“I ftoj qytetarët që bashkëndjejnë me ne të marrin pjesë në këtë protestë në ora 17:00 në sheshin ‘Skëndërbeu’ për të dërguar një mesazh edhe te bashkësia ndërkombëtare se bashkëluftëtarët tanë nuk janë vetëm, dhe ne do jemi gati t’iu dalim në mbështetje sa herë të jetë nevoja”, është shprehur Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Prishtina do t’i bashkohet protestës së OVL-UÇK-së për drejtësi për mbrojtjen e vlerave të luftës.

Ai tha se në mbështetje të kësaj protestë kanë marrë vendim që më 7 gusht transporti urban të jetë falas për të gjithë qytetarët.

“Ne si kryeqytet, më 07 gusht, në mbështetje të protestës, jemi përkujdesur që: transporti urban të jetë falas për të gjithë qytetarët dhe parking falas prapa Pallatit të Rinisë, nga ora 16:00 deri në 18:00, për autobusët që bartin protestuesit”, tha ai.

E para e shtetit, Vjosa Osmani në një konferencë për media e cilësoi jashtëzakonisht shqetësuese pranimin e provave të prodhuara nga shteti i Serbisë nga ana e kësaj gjykate, duke theksuar se ato janë historikisht të falsifikuara dhe për qëllim kanë rishkrimin e historisë së luftës së UÇK-së.

“Nuk ka asnjë përpjekje që mund ta njollosë luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Ka qenë luftë për të mbrojtur nga forcat gjenocidale të Millosheviqit,” deklaroi Osmani.

Ajo tha se është fat i keq që edhe sot, pas kaq vitesh, Serbia udhëhiqet nga strukturat e mbetura të regjimit të Millosheviqit, të cilat sipas saj, vazhdojnë të përdorin të njëjtat metoda të manipulimit dhe dezinformimit.

Presidentja u bëri thirrje institucioneve, qytetarëve dhe mbarë popullit shqiptar që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

“Duhet të gjithë ne, si institucione, si popull, si komb, t’i bashkojmë forcat tona në mbrojtjen e luftës së drejtë dhe çlirimtare,” përfundoi ajo.

Ndryshe, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ditë më parë ka thënë se me shqetësim ka marr lajmin se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.

Haxhiu në një postim në Facebook shkruan se ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm, pasi institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës.

“Pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri”, ka thënë ndër të tjera ajo. /Telegrafi/

The post Veteranët e luftës protestojnë sot në Prishtinë, kundër padrejtësive nga Gjykata Speciale dhe në mbrojtje të luftës së UÇK-së   appeared first on Telegrafi.

“Liria ka emër!”, Çitaku për protestën: Bashkë, të gjithë, në mbështetje të luftës së UÇK-së

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka mbështetur protestën e nesërme të veteranëve.

Ajo përmes një postimi në Facebook tha se nesër të gjithë duhet të jemi në mbështetje të luftës së UÇK-së.

“Liria ka emër! Nesër, bashkë, të gjithë, në mbështetje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Rama: Prishtina i bashkohet protestës së OVL e UÇK-së, më 7 gusht autobusët urban falas

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se për herë të parë brenda kabinetit të tij është krijuar një sektor i posaçëm për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Prishtina do t’i bashkohet protestës së OVL-UÇK-së për drejtësi për mbrojtjen e vlerave të luftës

Ai tha se në mbështetje të kësaj protestë kanë marrë vendim që më 7 gusht transporti urban të jetë falas për të gjithë qytetarët.

“Parking falas prapa Pallatit të Rinisë, nga ora 16:00 deri në 18:00, për autobusët e protestuesve”, ka shkruar Rama. /Telegrafi/

The post Rama: Prishtina i bashkohet protestës së OVL e UÇK-së, më 7 gusht autobusët urban falas appeared first on Telegrafi.

❌