BERLIN – Gjermanët dyshojnë se Merz ndikon ndaj presidentit Trump për Ukrainën
BERLIN, 21 gusht /ATSH DPA/ – Vetëm 13% e gjermanëve besojnë se kancelari i tyre, Friedrich Merz, mund të ushtrojë ndikim të rëndësishëm mbi presidentin amerikan Donald Trump në çështjet që lidhen me luftën në Ukrainë, tregon një sondazh i ri.
Sipas sondazhit të fundit të “Trendbarometer”, të kryer për kanalin televiziv “RTL/ntv”, 84% e qytetarëve gjermanë nuk mendojnë se opinioni i Merzit ka peshë reale për Trumpin kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë. Ky qëndrim skeptik ndahet edhe nga 73% e mbështetësve të vetë konservatorëve të Merzit.
Sondazhi, i realizuar nga instituti i kërkimeve të opinionit “Forsa”, zbuloi gjithashtu se 81% e gjermanëve nuk presin një marrëveshje paqeje mes Moskës dhe Kievit në një të ardhme të afërt.
Vetëm 18% e të anketuarve mendojnë se thirrja ndaj Ukrainës për të hequr dorë nga territoret e pushtuara nga Rusia është veprimi i duhur.
Mbështetje mbi mesataren për një kurs të tillë gjendet në Gjermaninë lindore (38%) dhe mes mbështetësve të partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (48%).
Për sondazhin u pyetën 1 000 persona më 19 dhe 20 gusht. /Ad.Ab./
The post BERLIN – Gjermanët dyshojnë se Merz ndikon ndaj presidentit Trump për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.