Një krizë e re po shfaqet në heshtje: gjithnjë e më pak fëmijë po marrin vaksinat bazë që dikur konsideroheshin një standard i padiskutueshëm i kujdesit shëndetësor.
Një raport i fundit nga revista shkencore The Lancet tregon se miliona fëmijë, sidomos në Afrikë dhe Azi, kanë mbetur pa asnjë vaksinë deri në vitin 2023. Pandemia e Covid-19, keqinformimi dhe mungesa e fondeve janë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë prapambetje.
Vetëm në dekadat e fundit, vaksinat kanë shpëtuar miliona jetë. Por tani, vendet që dikur ishin shembull suksesi, përfshirë SHBA-në, Britaninë dhe disa vende të BE-së, po përballen me rënie të ndjeshme të normave të vaksinimit.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse kjo prirje nuk ndalet, rrezikojmë të përballemi sërish me shpërthime të sëmundjeve të harruara si fruthi, difteria apo poliomeliti.
“Vaksinat kanë qenë një nga historitë më të mëdha të suksesit në shëndetësi. Por po i lëmë pas dore pikërisht tani kur na duhen më shumë,” – thotë një nga autorët e studimit.
Kompania farmaceutike BioNTech, e cila mori famë botërore disa vite më parë me prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit shkaktar të pandemisë që gjunjëzoi globin, bëri të qartë se dëshiron të blejë konkurrentin e saj me seli në Tübingen, CureVac. BioNTech, thonë mediat gjermane, njoftoi se ka në plan të blejë aksionet e CureVac-ut. Me këtë […]
Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini tha në një intervistë televizive se “rasti është ndjekur dhe konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunimin me QSUT-në, klinikën e sëmundjeve infektive. Është 31 vjeç i gjinisë mashkull nga rajoni i Shqipërisë së Mesme. Rasti nuk është autokton shqiptar, por ka pasur histori udhëtimi në shtetin fqinj, Itali. Sigurisht në bazë të një plan veprimi për MPox, linë e majmunit, janë zbatuar të gjitha masat për ndjekjen, vlerësimin dhe hetimin epidemiologjik për sa i përket izolimit të rastit dhe ndjekjes klinike”.
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) konfirmon rastin e parë me linë e majmunit në Shqipëri, që i përket datës 18 maj, tashmë i rikuperuar. Tomini u shpreh se rasti u izolua për 28 ditë në banesë dhe u ndoq në distancë, ndërsa u hetua edhe kontakti tij familjari bashkëjetues, i cili rezultoi i pastër.
“Pas marrjes së anamnezës, pra, evidentimit dhe hetimit epidemiologjik, rasti simptomatik është izoluar për 28 ditë dhe është ndjekur në banesë nga shërbimi infektiv. Izolimi në spital ndodh kur rasti është i rëndë për shkak të komplikacioneve apo sëmundjeve bashkëshoqëruese në spital. Nuk ka pasur nevojë për ndjekje spitalore, por është ndjekur në kushte ambulatore, i izoluar dhe ndjekur në mënyrë rreptësore edhe nga ana e individit, por edhe nga ana e strukturave. Tashmë rasti është rikuperuar”, theksoi Tomini.
Tomini sqaroi se kjo sëmundje është infektive dhe mund të merret vetëm nga kontaktet e ngushta.
“Rrugët e infektimit janë disa, si p.sh. kontaktet e ngushta dhe të përsëritura lëkurë me lëkurë, rrugët seksuale, si dhe prekja dhe përdorimi i të njëjtave objekte. Duhet të theksojmë që duhet të kemi kontakt të ngushtë, të përsëritur, pra, nuk duhet të shtojmë panikun, sepse shpesh në publik shtohet paniku përkundrejt një kontakti me një puçërr që është çarë apo është plasaritur, apo me një lëkurë të dëmtuar,” tha drejtuesja e ISHP-së.
Instituti i Shëndetit Publik disponon vaksina për çdo situatë që mund të krijohet.
“Vaksinat janë disponibël. Ka një sasi të konsiderueshme për sa i përket vlerësimit të kontakteve dhe parashikimeve të gjasave që mund të ketë Shqipëria në drejtim të vlerësimit të kontakteve të tjera”, tha Tomini. Lia e majmunit është një infeksion viral, që shkakton puçrra me qelb dhe ka simptoma të ngjashme me gripin. Krahas temperaturës, skuqjes dhe flluskave në trup, lia e majmunit shkakton edhe fryrje të nyjave limfatike. Në 95% të rasteve mjekët thonë se kalon pa probleme.
Një vaksinë revolucionare kundër kancerit të mushkërive, ka hyrë në fazën e parë të testimeve klinike te njerëzit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.
Vaksina mRNA, e quajtur BNT116 dhe e zhvilluar nga kompania gjermane BioNTech, synon kancerin jo-qelizor të vogël të mushkërive (NSCLC), forma më e zakonshme dhe më vdekjeprurëse e kancerit të mushkërive.
E ndërtuar mbi të njëjtën teknologji që u përdor në vaksinat kundër COVID-19, kjo vaksinë synon të trajnojë sistemin imunitar për të njohur dhe shkatërruar qelizat kancerogjene, duke minimizuar njëkohësisht dëmtimin e indeve të shëndetshme.
Një nga pjesëmarrësit e parë në provë është 67-vjeçari Janusz Racz nga Londra, i cili ka nisur trajtimin në Spitalin Universitar College London.
Në total, rreth 130 pacientë në shtatë shtete të ndryshme do të përfshihen në këtë fazë fillestare të provës, mes tyre 20 vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Vaksina do të administrohet me doza javore, të ndjekura nga injeksione mirëmbajtëse dhe në kombinim me imunoterapi, për të forcuar përgjigjen e organizmit ndaj kancerit.
Shkencëtarët shpresojnë që kjo qasje të mos trajtojë vetëm tumoret ekzistuese, por edhe të parandalojë rikthimin e tyre, një sfidë madhore në mbijetesën e pacientëve me kancer të mushkërive.
Nëse provat rezultojnë të suksesshme, vaksina mund të hapë rrugën për trajtime të personalizuara të kancerit dhe të përmirësojë ndjeshëm shanset e mbijetesës për miliona pacientë në mbarë botën.
Pretendimi: Fëmijët e pavaksinuar janë më të shëndetshëm se fëmijët e vaksinuar
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, tregon një pediatër që pretendon se fëmijët e pavaksinuar janë më të shëndetshëm se ata të vaksinuar.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje zbuloi se personi në video është Paul Thomas. Si provë për pretendimet e tij, Thomas tregon në video një grafik nga një studim i vitit 2020 në Revistën Ndërkombëtare të Kërkimeve Mjedisore dhe Shëndetit Publik, një revistë me akses të hapur.
Studimi ishte bashkëautorizuar nga Paul Thomas dhe James Lyons-Weiler, dhe financohej nga Instituti për Njohuri të Pastër dhe të Aplikuar, një organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga Lyons-Weiler, një shkencëtar që ka përhapur dezinformim mbi COVID-19 dhe vaksinat për vite.
Studimi, i cili pretendonte se fëmijët me më pak vaksinime kishin më pak vizita në njërën prej praktikave private të autorëve, u tërhoq nga revista më 22 korrik 2021, pas shqetësimeve “lidhur me vlefshmërinë e përfundimeve”.
“Duke iu përmbajtur procedurës sonë të ankesave, u krye një hetim që ngriti disa çështje metodologjike dhe konfirmoi se përfundimet nuk mbështeteshin nga të dhëna të forta shkencore”, thuhet në deklaratën e revistës.
Thomas, një pediatër në Portland, Oregon, iu hoq licenca në dhjetor 2020 sepse nuk vaksinoi në mënyrë të përshtatshme pacientët. Sipas Bordit Mjekësor të Oregonit, sjellja e tij “ka shkelur standardin e kujdesit dhe ka vënë shëndetin dhe sigurinë e shumë pacientëve të tij në rrezik serioz”. Një nga pacientët e tij të pavaksinuar zhvilloi një rast të rëndë tetanozi që kërkoi një qëndrim dy mujor në një njësi të kujdesit intensiv.
Pretendimi: Rastet e autizmit kanë ardhur duke u rritur nga viti 1986 kur ShBA u dha garanci gjithë prodhuesve të vaksinave
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————-
Një video e postuar në rrjetet sociale shqipfolëse pretendon se rastet e autizmit kanë ardhur duke u rritur nga viti 1986 kur ShBA u dha garanci gjithë prodhuesve të vaksinave, duke nënkuptuar kështu një lidhje mes rritjes së rasteve me autizëm dhe vaksinimit.
Është e vërtetë se rastet e autizmit janë rritur ndër vite. Megjithatë, kjo rritje nuk i atribuohet vaksinimit por përmirësimit të diagnostikimit të çrregullimeve të spektrit të autizmit dhe kritereve të zgjeruara.
Arsyeja tjetër për rritjen e rasteve të regjistruara të çrregullimeve të spektrit të autizmit është keqdiagnostikimi. Më parë, fëmijët me autizëm përfshiheshin në kategori të tjera, si kategoria e paaftësisë intelektuale.
Përveç kësaj, faktorët nën të cilët numri i çrregullimeve autike të identifikuara po rritet përfshijnë një rritje të ndërgjegjësimit për autizmin përmes mediave, përmirësimin e trajnimit të mjekëve dhe disponueshmërinë më të madhe të mjeteve të shqyrtimit dhe diagnostikimit për të identifikuar çrregullimet e spektrit të autizmit.
Sipas sociologes amerikane Catherine Tan, është bërë më e lehtë për prindërit të dallojnë kur fëmijët e tyre mund të jenë autik pasi ka pasur një ndërgjegjësim të publikut mbi natyrën e autizmit, si dhe një zgjerim të kritereve, që përdoren për të diagnostifikuar personat me autizëm.
Një sërë studimesh dëshmojnë se vaksinimi i fëmijëve nuk shkakton autizëm dhe rreziku për t’u prekur nga sëmundje, që mund të jenë edhe fatale, është shumë herë më i madh se çdo pasojë që mund të mendohet si pasojë e vaksinimit.
Sipas Autism Speaks hulumtimet tregojnë se gjenetika është e përfshirë në shumicën dërrmuese të rasteve. Fëmijët e lindur nga prindër të mëdhenj në moshë janë në rrezik më të lartë për të pasur autizëm. Prindërit që kanë një fëmijë me ASD kanë një shans 2% deri në 18% për të pasur një fëmijë të dytë, i cili gjithashtu është i prekur.
Studimet kanë treguar se midis binjakëve identikë, nëse një fëmijë ka autizëm, tjetri do të preket rreth 36% deri në 95% të rasteve. Tek binjakët jo identikë, nëse njëri fëmijë ka autizëm, atëherë tjetri preket rreth 31% të rasteve.
MINESOTA, 22 maj /ATSH/ – Këshilltarët qeveritarë amerikanë do të takohen sot për të vendosur nëse vaksinat kundër COVID-19 kanë nevojë për përditësim për të përmirësuar mbrojtjen këtë vjeshtë dhe dimër – edhe pse një politikë e re e administratës Trump ka vënë në pikëpyetje se kush mund të jetë vulnerabël për këtë vaksinë, shkruan AP.
Ekspertët e jashtëm të Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) janë takuar rregullisht që nga prezantimi i vaksinave të para kundër COVID-19 për të diskutuar përshtatjen e recetave të tyre për të qenë përpara përhapjes së virusit.
Takimi i sotëm është i pari i grupit që kur presidenti Donald Trump mori detyrën.
Por, kjo vjen vetëm dy ditë pasi udhëheqësit e FDA-së përmbysën politikën e mëparshme të SHBA-së për të rekomanduar përforcues vjetorë të COVID-19 për të gjithë amerikanët e moshës mbi gjashtë muaj.
Në vend të kësaj, FDA tha se ”miratimi rutinë i përforcuesve të COVID-19 do të kufizohet vetëm tek të moshuarit dhe tek të rinjtë që janë në rrezik të lartë për infeksion të rëndë”.
Prodhuesit do të duhet të bëjnë studime të reja për të treguar nëse vaksinat sezonale ende u sjellin dobi njerëzve të shëndetshëm nën moshën 65 vjeç.
Kjo ngre implikime të mëdha për fushatën e vaksinimit të vjeshtës së ardhshme, me pasiguri nëse njerëzit e shëndetshëm ende mund të marrin një vaksinë edhe nëse nuk rekomandohet për ta – ose nëse siguruesit do të vazhdojnë të paguajnë për vaksinat për të gjithë.
”As nuk është e qartë se çfarë do të thotë politika për foshnjat që nuk janë vaksinuar kurrë. Kjo është një rrëmujë”, tha Michael Osterholm, një ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Minesotës.
“E vetmja gjë që nuk duam të bëjmë është të vendosim një pengesë që i pengon prindërit të vaksinojnë fëmijët e tyre nëse duan”, shton ai.
”Po kërkojmë udhëzime për të ndihmuar FDA-në të vendosë se cilin lloj të zgjedhë për vaksinat kundër COVID-19 në të ardhmen”, tha shefi i vaksinave të FDA-së, Vinay Prasad në komentet e hapjes së takimit.
Prasad shtoi se ”agjencia dëshiron t’u japë njerëzve pak më shumë kohë për ta përthithur politikën e re mbi vaksinat dhe është e hapur për reagime”./ /os/
Pretendimi: Kjo video tregon se në vaksinat Pfizer ndodhen mikroçipa që vetëmontohen në trup
Verdikti: E pavërtetë
Në rrjete sociale po qarkullon së fundmi një video që pretendohet se vërteton ekzistencën e mikroçipave në një vaksinë Pfizer-BioNTech kundër COVID-19.
Video është publikuar fillimisht nga Children’s Health Defense, një organizatë amerikane që promovon dezinformim rreth vaksinave në rrjetin social X). Në këtë video, Dr. Ana Mihalcea, një mjeke e specializuar në sëmundjet e brendshme dhe e njohur në rrjet si promovuese e teorive anti-vaksinë, pretendon se ka vëzhguar mikroçipa që vetë-montohen në një vaksinë Pfizer-BioNTech kundër COVID-19 nën një mikroskop.
Sipas Mihalceas, videoja tregon “drita që pulsojnë” dhe “mikroçipë që vetë-montohen” të pranishëm në vaksinë. Ajo gjithashtu pretendon se mikroçipat e supozuar janë gjetur edhe në gjakun e pacientëve që kishin marrë vaksinën kundër COVID-19.
Përdorues të ndryshëm e kanë shpërndarë videon në rrjete sociale, duke mbledhur miliona shikime. Edhe në Shqipëri, një profil në rrjetin social Facebook ka ndarë të njëjtën video si provë të abuzimit me vaksinimin anti-Covid.
Nëse ky pretendim do të ishte i vërtetë, Mihalcea do të bëhej njeriu i parë në botë që zbulon mikroçipe nëpërmjet pamjeve më mikroskop pas katër vitesh të ekzistencës së vaksinave anti-Covid.
Por, verifikimet e kolegëve tanë të Logically Factsi rrëzojnë këto pretendime. Ata kanë kontaktuar nanoteknologen Dr. Michelle Dickinson për të shpjeguar bazën shkencore të pretendimeve që ngre në video mjekja Ana Mihalceas.
Në video, Mihalcea thekson “dritat që pulsojnë” të dukshme në mostrën e supozuar të vaksinës nën mikroskop. Dickinson shpjegoi për Logically Facts se lëngu në preparatin mikroskopik duket i errët dhe vajor, ndërkohë që vaksina Pfizer kundër COVID-19 është një lëng i tejdukshëm. “‘Dritat që pulsojnë’ janë thjesht drita që vijnë nga poshtë mikroskopit dhe kalojnë përmes hapësirave midis flluskave të ajrit apo flluskave të vajit që lëvizin në këtë lëng të trashë dhe viskoz”, shpjegoi ajo.
Ekspertja konfirmon se kushdo që e njeh nanoteknologjinë mund të konfirmojë se nuk ka asnjë bazë shkencore për “mikroçipë që vetë-mblidhen në vaksinë”. Ajo gjithashtu thekson se struktura e supozuar si “mikroçip” në të vërtetë është vendosur sipër lëngut të errët, siç tregohet nga ndryshimi në fokusin e thellësisë. “Kjo strukturë e madhe duket si një copë papastërtie me flluska ajri rreth saj”, sqaron ajo.
Lista e përbërësve të vaksinës Pfizer kundër COVID-19 është e disponueshme publikisht dhe tregon se nuk përmban mikroçipë apo metale. Në fakt, mikroçipët që vetë-mblidhen nuk ekzistojnë fare. “Mikroçipë apo nanoçipë që vetë-mblidhen në trup nuk janë një gjë që ekziston në shkencë”, tha Dickinson. “Nëse një teknologji e tillë do të ekzistonte, nuk do të kishim të gjitha pengesat fizike që kemi sot në fuqinë kompjuterike.”
Mihalcea, autore e librit të mjekësisë alternative Light Medicine, mbështetet në mësimet e J.Z. Knight, udhëheqës i sektit fetar Ramtha’s School of Enlightenment në Yelm, Uashington. Ajo ndan shpesh përmbajtje të ngjashme kundër vaksinave në blogun e saj.
Kjo nuk është hera e parë që pretendime të ngjashme rreth vaksinave COVID-19 qarkullojnë në internet, pasi teoritë e konspiracionit për mikroçipë në vaksina kanë qenë të përhapura që në fillim të pandemisë. Në vitin 2022, Dickinson hodhi poshtë një pretendim të ngjashëm në X, ku imazhe që pretendonin të tregonin “nanoteknologji të padeklaruar” në vaksinat Pfizer u shpërndanë gjerësisht.
Pretendimi: Kemi patur vaksina kundër gripit prej vitesh, por sëmundja ende ekziston
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————————
Në hapësirat konspiracioniste po qarkullon një imazh që kritikon faktin se vaksina kundër gripit është dhënë prej vitesh, por sëmundja ende ekziston.
Virusi i gripit është i ndryshëm në çdo stinë. Kjo është arsyeja pse vaksina riformulohet vit pas viti dhe nuk ka një vaksinë ‘universale’ për të eliminuar sëmundjen. Mbrojtja nga antitrupat që ajo gjeneron zgjat për një kohë të kufizuar, rreth 10-12 muaj. Për më tepër, jo të gjithë e marrin këtë vaksinë, gjë që është thelbësore për zhdukjen e një sëmundjeje.
Në fakt, zhdukja me sukses e sëmundjeve varet nga faktorë të ndryshëm, nga të cilët disponueshmëria e një vaksine është vetëm një. Një faktor tjetër janë karakteristikat e vetë agjentit infektiv. Virusi i gripit sillet ndryshe nga viruset e lisë dhe poliomelitit, duke shpjeguar pse kemi pasur sukses në zhdukjen e lisë dhe poliomelitit, por jo të gripit.
Një arsye është sepse virusi i gripit pëson mutacione lehtësisht. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të mekanizmit të tij të papërsosur të replikimit të gjenomit, që rrit shanset e mutacioneve në gjenet e rëndësishme virale që lehtësojnë infeksionin. Kjo lejon që lloje të reja të viruseve të gripit të shfaqen gjatë gjithë kohës.
Një faktor tjetër që kontribuon në këtë variacion gjenetik është riorganizimi, një proces në të cilin dy viruse të ndryshme të gripit që infektojnë të njëjtën qelizë mund të shkëmbejnë segmente gjenesh me njëri-tjetrin.
Rikombinimi është një nga arsyet pse ekspertët janë në gatishmëri të lartë për infeksionet e gripit të shpendëve tek njerëzit. Ndryshe nga gripi sezonal, virusi i gripit të shpendëve H5N1 nuk është aq i përshtatur për infektimin e njerëzve, megjithëse ende ndodhin raste të rralla të infeksioneve njerëzore. Por nëse dy viruset bashkë-infektojnë të njëjtin individ, ekziston mundësia që një shkëmbim gjenetik të prodhojë një virus të ri gripi që infekton njerëzit me lehtësi. Në fakt, tre pandemitë e fundit të gripit në historinë e njerëzimit kanë lindur nga lloje që iu nënshtruan kësaj forme të shkëmbimit gjenetik.
Shkalla e lartë e mutabilitetit të virusit të gripit e bën atë në thelb një shënjestër lëvizëse që është e vështirë për t’u trajtuar me një vaksinë. Shkencëtarët në të gjithë botën duhet të monitorojnë viruset e gripit që qarkullojnë globalisht për të parashikuar se cilat lloje kanë më shumë gjasa të qarkullojnë gjatë sezonit të gripit, në mënyrë që të mund të rekomandojnë se cilat viruse të gripit duhet të synojnë vaksina.
Këto parashikime ndonjëherë mund të jenë të gabuara, pasi virusi ndryshon vazhdimisht. Mund të ndodhë një mospërputhje midis viruseve të synuara nga vaksina dhe viruseve që qarkullojnë në të vërtetë gjatë sezonit të gripit, gjë që rezulton në efektivitet më të ulët të vaksinës së gripit.
Mutabiliteti i virusit të gripit është gjithashtu arsyeja pse vaksina e gripit duhet të përditësohet çdo vit, ndryshe nga vaksinat e tjera, si ato kundër lisë dhe poliomelitit.
Një pengesë tjetër për zhdukjen e gripit është aftësia e virusit të gripit për të infektuar kafshë si zogjtë dhe derrat. Kjo e dallon atë nga viruset që shkaktojnë linë dhe poliomielitin, të cilat nuk infektojnë natyrshëm kafshë të tjera përveç njerëzve. Kjo do të thotë se nuk ka rezervuar natyror ku të fshihen lija dhe poliomieliti. Kjo gjithashtu do të thotë që përpjekjet për zhdukjen e këtyre sëmundjeve duhet të përqendrohen vetëm te popullata njerëzore.
Ndërkaq, për të zhdukur virusin e gripit, do të na duhej të vaksinonim shumicën e kafshëve bartëse në të njëjtën kohë, përveç njerëzve – dhe kjo duke supozuar se kemi një vaksinë kundër gripit që është edhe më efektive se ajo ekzistuesja dhe që shënjestron të gjitha llojet ekzistuese të virusit të gripit. Fakti që ka specie zogjsh shtegtarë që mund ta bartin virusin në një vend tjetër e ndërlikon më tej çështjen.
Meqenëse vaksinimi në një shkallë të tillë nuk është i realizueshëm, virusi i gripit do të vazhdojë të ketë mundësinë të mbijetojë dhe të shumëzohet në një rezervuar shtazor, edhe nëse do të kishim një vaksinë shumë efektive që merret nga shumica e njerëzve. Në rezervuarin shtazor, virusi i gripit mund të vazhdojë të mutojë, potencialisht në një formë që është në gjendje të kapërcejë mbrojtjen nga vaksina. Përmes kontaktit midis njerëzve dhe kafshëve, këto viruse të sapogjeneruara kanë mundësinë të infektojnë përsëri njerëzit (infeksion zoonotik).
Prandaj, vetë natyra e virusit të gripit do të thotë se nuk ka gjasa ta zhdukim virusin përmes fushatave të sinkronizuara të vaksinimit, si ato kundër lisë dhe poliomelitit. Megjithatë, ndërsa zhdukja e sëmundjes përfaqëson rezultatin ideal, ai nuk është qëllimi i vetëm ose qëllimi kryesor i vaksinimit në përgjithësi. Është e rëndësishme të mbahet mend se gripi shkakton midis 290-650 mijë vdekje çdo vit në të gjithë botën, dhe vaksina kundër gripit ende ofron përfitime të rëndësishme për shëndetin publik duke zbutur rreziqet e sëmundjeve që lidhen me gripin. Studimet tregojnë se vaksinimi zvogëlon rrezikun e sëmundjes me 40% deri në 60% kur viruset e gripit që qarkullojnë përputhen mirë me vaksinën.
Në Greqi është regjistruar rasti i parë i dëmshpërblimit të një personi që ka mbetur viktimë i efekteve anësore të një vaksine për Covid-19. Mediat në vend raportojnë se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Athinë dëmshpërbleu të hënën me një shumë parash prej 50.000 euro një 40-vjeçar, i cili pasi u vaksinua me […]
Një letër e shkruar nga një pasagjer i Titanikut disa ditë përpara se anija të fundosej është shitur për një rekord prej 400,000 dollarë në ankand në Mbretërinë e Bashkuar.
Letra e kolonelit Archibald Gracie u ble nga një blerës anonim në shtëpinë e ankandit Henry Aldridge and Son në Wiltshire, me një çmim pesë herë më të lartë se 60,000 £ që pritej të merrte.
Në shënimin, shkruar për xhaxhain e shitësit më 10 prill 1912, pasagjeri i klasit të parë Archibald Gracie shkroi: “Është një anije e mirë, por unë do të pres fundin e udhëtimeve të mia përpara se të gjykoj për të.”
Letra ishte e datës 10 prill 1912, ditën kur ai hipi në Titanikun në Southampton, dhe pesë ditë para se anija të fundosej pasi goditi një ajsberg në Atlantikun e Veriut.
Kol Gracie ishte një nga rreth 2200 pasagjerët dhe ekuipazhi në bordin e Titanikut që lundronte për në Nju Jork. Gracie, u hodh nga anija dhe arriti të hipte në një varkë të përmbysur, u shpëtua nga pasagjerë të tjerë në një varkë shpëtimi.
Ai vazhdoi të shkruante “E vërteta për Titanikun”, një rrëfim i përvojave të tij, kur u kthye në qytetin e Nju Jorkut.
Më shumë se 1500 vdiqën në tragjedinë e Titanikut.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje për përpjekje më të mëdha në luftën kundër fruthit, i cili është përhapur në 58 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara ku kanë vdekur dy fëmijë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara, me seli në Gjenevë, theksoi se vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe efektive. “Dua t’iu rikujtoj njerëzve […]
Shtimi i rasteve me sëmundjen e fruthit në vendin tonë, por edhe në Evropë po ndodh për shkak të rënies së mbulesës vaksinale, sipas ekspertes së Shëndetit Publik, Rovena Daja.
Nga ana e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u ka bërë thirrje sot prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre me vaksinat kundër fruthit, si e vetmja mburojë e sigurt dhe efektive për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje.
“Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik apelojnë për rëndësinë e kryerjes së vaksinës kundër fruthit, një sëmundje ngjitëse që mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e fëmijëve. Vaksina është e vetmja mburojë e sigurt dhe efektive për të parandaluar përhapjen e fruthit dhe për të mbrojtur jo vetëm fëmijët tanë, por edhe komunitetin”, thotë ministrja Koçiu në postimin në rrjetet sociale.
Ministrja u bëri thirrje prindërve që të vaksinojnë në kohë fëmijët e tyre dhe të mos e shtyjnë bërjen në kohë të dy dozave të kësaj vaksine.
“Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse, ndaj nevojitet një mbulesë vaksinale mbi 95% për të evituar shpërthimet. Rastet e rritura nga fruthi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë Europën rriten pikërisht për shkak të rënies së mbulesës vaksinale. Prindërit hezitojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre, për shkak të teorive të autizmit. Këto janë teori të gabuara, nga studimet e shumta në të gjithë botën, kanë rënë poshtë”, thotë Daja.
“Vaksina ndaj fruth-rubeolë-parotit është një vaksinë e sigurt, që nuk shkakton autizëm dhe shumë efektive. Vaksinoni fëmijët tuaj, sepse fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të japë encelofati, pneumoni, mund të shkojë edhe deri në humbje jete. Vaksina mund të aplikohet në dy doza, vaksina e parë në moshën 1 vjeç dhe e dyta në moshën 5 vjeç. Konsultohuni me mjekun tuaj dhe vaksinoni fëmijët duke besuar te vaksina”, u shpreh Daja, përgjegjëse e Programit Kombëtar të Imunizimit.
TIRANË, 9 prill/ATSH/ Shtimi i rasteve me sëmundjen e fruthit në vendin tonë, por edhe në Evropë po ndodh për shkak të rënies së mbulesës vaksinale, sipas ekspertes së Shëndetit Publik, Rovena Daja.
Nga ana e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u ka bërë thirrje sot prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre me vaksinat kundër fruthit, si e vetmja mburojë e sigurt dhe efektive për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje.
“Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik apelojnë për rëndësinë e kryerjes së vaksinës kundër fruthit, një sëmundje ngjitëse që mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e fëmijëve. Vaksina është e vetmja mburojë e sigurt dhe efektive për të parandaluar përhapjen e fruthit dhe për të mbrojtur jo vetëm fëmijët tanë, por edhe komunitetin”, thotë ministrja Koçiu në postimin në rrjetet sociale.
Ministrja u bëri thirrje prindërve që të vaksinojnë në kohë fëmijët e tyre dhe të mos e shtyjnë bërjen në kohë të dy dozave të kësaj vaksine.
“Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse, ndaj nevojitet një mbulesë vaksinale mbi 95% për të evituar shpërthimet. Rastet e rritura nga fruthi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë Europën rriten pikërisht për shkak të rënies së mbulesës vaksinale. Prindërit hezitojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre, për shkak të teorive të autizmit. Këto janë teori të gabuara, nga studimet e shumta në të gjithë botën, kanë rënë poshtë”, thotë Daja.
“Vaksina ndaj fruth-rubeolë-parotit është një vaksinë e sigurt, që nuk shkakton autizëm dhe shumë efektive. Vaksinoni fëmijët tuaj, sepse fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të japë encelofati, pneumoni, mund të shkojë edhe deri në humbje jete. Vaksina mund të aplikohet në dy doza, vaksina e parë në moshën 1 vjeç dhe e dyta në moshën 5 vjeç. Konsultohuni me mjekun tuaj dhe vaksinoni fëmijët duke besuar te vaksina”, u shpreh Daja, përgjegjëse e Programit Kombëtar të Imunizimit. /j.p/
Nga Erion Dasho Teksasi dhe disa shtete të tjera të jugut të SHBA-ve janë duke luftuar prej muajsh me një shpërthim të sëmundjes së fruthit. Tre fëmijë kanë vdekur, midis disa qindra të sëmurëve. Për të kuptuar shkallën e rëndesës së problemit, vdekja e fundit nga fruthi në SHBA datonte në vitin 2019 dhe e […]
Një fëmijë i dytë ka vdekur nga një virus shumë ngjitës i fruthit pasi një shpërthim në Teksasin perëndimor të SHBA vazhdon të përhapet. Fëmija në moshë shkollore nuk ishte i vaksinuar, nuk kishte kushte themelore shëndetësore dhe ishte shtuar në spital për shkak të komplikimeve nga sëmundja. Sekretari Amerikan i Shëndetësisë Robert F Kennedy Jr, i cili është përballur me reagime të ashpra për trajtimin situatës, thuhet se do të shkojë në Teksas këtë javë.
Teksasi ka raportuar mbi 480 raste të fruthit këtë vit, 60 prej të cilave u identifikuan vetëm javën e fundit. Fëmija ka të ngjarë të jetë personi i tretë që vdes nga fruthi pasi shpërthimi është shtrirë në shtetet fqinje. “Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të çojë në komplikime serioze, veçanërisht për ata që janë të pavaksinuar” – tha një nga zyrtarët. Fëmija – një vajzë 8-vjeçare – vdiq të enjten herët në mëngjes sipas Neë York Times, që ishte e para që raportoi pas marrjes së të dhënave spitalore.
Në shkurt, një vajzë 6-vjeçare në komunitetin lokal të Menonitit, e cila nuk ishte vaksinuar kundër virusit, ishte fëmija i parë që vdiq nga fruthi në SHBA në një dekadë. Në mars, një burrë i pavaksinuar vdiq në Neë Mexico pasi u infektua me virusin, megjithëse shkaku i vdekjes së tij është ende nën hetim.
SHBA ka aportuar më shumë se 600 raste të fruthit këtë vit, shumë të lidhura me shpërthimin që filloi në Teksasin perëndimor. Rastet në Neë Mexico, Oklahoma dhe Kansas ka të ngjarë të lidhen me vatrën origjinale, thonë ekspertët e shëndetit publik. Pothuajse të gjitha rastet janë te personat e pavaksinuar.
Virusi – i cili mund të shkaktojë ethe, skuqje të kuqe, kollë dhe simptoma të tjera shoqërohet me një mori komplikimesh, duke përfshirë pneumoninë, ënjtjen e trurit dhe vdekjen. SHBA shpalli fruthin të eliminuar nga vendi në vitin 2000, por infektimet janë rritur çdo vit për shkak edhe të kundërshtive ndaj vaksinës.
Dy vaksina të imunizimit – të provuara të sigurta – janë 97% efektive në parandalimin e virusit dhe reduktojnë infeksionet e rënda. Përhapja filloi në një komunitet fetar që refuzon me forcë vaksinat. Zyrtarët lokalë të shëndetit në Teksasin perëndimor i thanë BBC-së se kanë parë përparim të pakët në përpjekjet për të përmirësuar normat e vaksinimit.
TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu i bëri apel sot prindërve të vaksinojnë fëmijët ndaj fruthit.
Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu tha se “fruthi është një sëmundje infektive që transmetohet tek të tjerët dhe mund të shkaktojë komplikacione serioze, veçanërisht tek fëmijët e vegjël. Vaksina kundër fruthit, e përfshirë në kalendarin kombëtar të vaksinimit, aplikohet tek fëmijët në moshën 12 muaj dhe 5 vjeç, duke ofruar mbrojtje të sigurt dhe afatgjatë”.
“Nëse ende nuk e keni vaksinuar fëmijën tuaj, kontaktoni menjëherë mjekun e familjes”, tha Koçiu.
Dr. Sonila Brati, mjeke pediatre në një video të publikuar nga ministrja Koçiu, tha se “vaksinimi është një nga elementët më të rëndësishëm në rritjen dhe jetëgjatësinë e fëmijëve”.
“Fëmijët duhet të vaksinohen nga 0 vjeç deri në 18 vjeç. Vaksina e fruthit bëhet në dy doza në moshën 1 dhe 5 vjec. Nëse nuk aplikohet komplikimet janë shumë të rënda tek një fëmijë duke prekur veshin me infeksione të rënda, trurin dhe mushkërinë”, tha ajo.
“Ne si mjekë bëjmë apel që vaksinimi duhet bërë, nuk duhet refuzuar dhe të dëgjohen këshillat e mjekut. Nëse nuk vaksinohen fëmijët, problematikat në të ardhmen mund të jenë shumë të rënda”, tha Brati. /k.s/j.p/
TIRANË, 7 shkurt/ATSH/ Në të gjithë vendin vijon vaksinimi falas kundër gripit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se “deri tani janë aplikuar 77,4% e vaksinave të siguruara për grupet e riskuara”.
“Paralelisht, vijon vaksinimi në familje për ata që nuk mund të paraqiten në qendrat shëndetësore. Mjekët dhe infermierët vijojnë punën për të garantuar mbrojtje për më të rrezikuarit”, theksoi Koçiu.
Ministrja Koçiu i bëri apel qytetarëve të drejtohen te mjeku i familjes dhe të kryejnë vaksinën për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
Në qendrat shëndetësore ka nisur që prej 7 tetorit 2024 vaksinimi falas kundër gripit, si mjeti më efikas dhe mbrojtja më e mirë kundër virozave respiratore që shkaktohen nga ky virus.
Në kuadër të Programit Kombëtar të Vaksinimit 280 mijë doza vaksinash janë shpërndarë tashmë në të gjithë vendin.
Situata e gripit në vend drejt normalizimit, teksa tashmë është lënë mbrapa piku, i cili shënonte shifra epidemiologjike. Sipas Institutit të Shendetit Publik kurba e të prekurve me grip dhe viruset e ndryshme që janë në qarkullim ka pësuar rënie me 2 mijë më pak të prekur në muajin Shkurt.
“Jemi në mesin e sezonit të gripit. Me hyrjen në muajit shkurtë ka një trend të ulët në rënie të infeksioneve respiratore. Jemi me 21 mijë raste në javë, kemi një rënie nga java e shkuar, ku ishin rreth 23 mijë. Ky trend në rënie graduale parashikohet edhe në javët në vijim.”
Pavarësishtë kësaj, ekspertët e ISHP-së, vijojnë të këshillojnë qytetarët për të aplikuar vaksinën antigrip, si mbrojtjen më të mirë dhe më efikase kundër virozave respiratore që shkaktohen nga virusi i gripit. Krahas vaksinës, mjeku Artan Simaku thekson konsultën me mjekun e familjes, si dhe shmangien e marrjes së antibiotikëve pa një recetë.
“Është shumë e rëndësishme që asnjëherë nuk ëshrë vonë për vaksinimin, nëse s’janë vaksinuar në tetor të paraqiten në QSH, gjithashtu edhe shenjat nuk duhen të neglizhohen, por të paraqiten tek mjeku i familjes. Por të shmangin Farmacitë, nënat me fëmijë të vegjël mos të shkojn direkt tek urgkencat, por të marrin kontakt tek mjeku i familjes. Gripi është sëmundje e zakonshme, por, duhet pasur kujdes sidomos nga grupet me risk të popullatës.”
Sipas ekspertëve janë duke qarkulluar disa viruse paralelishtë por, dominojnë ato të gripit, A dhe B, dhe më shumë nëntipi AH1N1, dhe ai AH3N2. Po ashtu në qarkullim është edhe virusi sinsincial, i cili orek më shumë të vegjëlit, si dhe Covid-19, edhe pse me raste shumë të pakëta.
“Mbizotëron gripi, në bashkëqarkullim të Covid 19 dhe virusit sinsincial, kryesishtë tek fëmijët e vegjë dhe virozat e tjera respiratore. Nga gripi qarkullojn tipet A dhe B. Nga A, AH1, AH3…”
Mjekët vijojnë të bëjnë thirrje për mos neglizhim të shenjave klasike të gripit si temperaturë e lartë mbi 38, e cila mund të zgjasë për 4-5 ditë, skuqje e syve, apo dhimbje koke e përkohëshme. Ndërsa theksin e vendosin edhe tek masat parandaluese, ku krahas vaksinimit, kërkojnë mbajtja e higjienës personale, shmangie të grumbullimeve , apo mbajtjen e maskës mbrojtëse. /abcnews.al
Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, RSV është “një virus i zakonshëm i frymëmarrjes që zakonisht shkakton simptoma të lehta, të ngjashme me ftohjen.” Megjithatë, foshnjat dhe të moshuarit kanë më shumë gjasa të sëmuren rëndë dhe të kenë nevojë për shtrim në spital. Globalisht, RSV infekton deri në 90% të fëmijëve brenda 2 viteve të para të jetës dhe shpesh riinfekton fëmijët më të rritur dhe të rriturit. Rëndësia klinike e RSV tek foshnjat është se mund të shkaktojë bronkiolit që çon në inflamacion të rrugëve të vogla të frymëmarrjes dhe vështirësi të konsiderueshme në frymëmarrje.
Nirsevimab është miratuar për përdorim nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në korrik 2023 për të parandaluar RSV dhe komplikimet e lidhura me të tek fëmijët e vegjël. Ai është miratuar për përdorim edhe nga rregullatorët e Bashkimit Europian, Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.
Sipas FDA, studime klinike në ShBA zbuluan se një injeksion i Nirsevimab ishte mbi 70% efektiv në uljen e rrezikut të pacientit për të marrë trajtim mjekësor për virusin. Nirsevimab funksionon me anë të proteinave të prodhuara në laborator që “imitojnë aftësinë e sistemit imunitar për të luftuar patogjenët e dëmshëm si viruset.”
Sipas Agjencisë Euorpiane të Barnave (EMA), një antitrup monoklonal është një lloj proteine që është krijuar për të njohur dhe t’iu bashkuar një strukture specifike (të quajtur antigen). Nirsevimab ngjitet në një proteinë të quajtur ‘proteina F’ në sipërfaqen e virusit RSV. Kur Nirsevimab lidhet me këtë proteinë, virusi bëhet i paaftë për të hyrë në qelizat e trupit, veçanërisht ato në mushkëri. Kjo ndihmon në parandalimin e infeksionit RSV.
Vaksinat funksionojnë duke futur në organizëm një version të paaktivizuar ose të dobët të një virusi. Pasi sistemi imunitar kupton se një virus ka hyrë në organizëm, ai prodhon antitrupa për t’u mbrojtur kundër tij.Tashmë, kur virusi i vërtetë të hyjë në trup, sistemi imunitar e njeh menjëherë dhe nis ta luftojë.
Ndërkaq, antitrupat monoklonalë funksionojnë duke marrë antitrupa natyrale kundër një virusi specifik nga një dhurues. Antitrupat nxirren nga kampioni i marrë dhe kopjohen. Këto antitrupa monoklonalë më pas injektohen, dhe pas injektimit marrësi i tyre është i aftë ta luftojë virusin.
Sistemi imunitar nuk ‘mëson’ të prodhojë antitrupa nga kjo mënyrë imunizmi. Për këtë arsye, antitrupat monoklonialë përdoren për të ofruar mbrojtje gjatë një periudhe të jetës kur organizmi është më vulnerabël.
CDC rekomandon “ose vaksinimin e nënës kundër RSV ose imunizimin e foshnjave me antitrupa monoklonal RSV”, duke shtuar se “shumica e foshnjave nuk do të kenë nevojë për të dyja.” Akademia Amerikane e Pediatrisë gjithashtu rekomandon Nirsevimab për parandalimin e RSV tek fëmijët.
Sipas faqes Vaccinarsi a Lazio, “efikasiteti dhe siguria e Nirsevimab janë konfirmuar nga studimet klinike, të cilat demonstrojnë një ulje të konsiderueshme të shtrimeve në spital të lidhura me RSV tek të porsalindurit e shëndetshëm dhe të parakohshëm, duke kapërcyer problemin që lidhet me antitrupin e mëparshëm monoklonal, Palivizumab, i cili kërkonte administrime mujore.”
Pra, jo vetëm që Nirsevimab është provuar të ulë sëmundjen serioze me RSV tek të porsalindurit, ai nuk është as antitrupi i parë që administrohesh tek foshnjet kundër RSV. Përpara nisjes së përdorimit të Nirsevimab, foshnjet imunizoheshin nga RSV me antitrupin Palivizumab, i miratuar për përdorim mjekësor që në 1998.
Shitur nën emrin Synagis, Palivizumab, i cili kërkonte pesë injeksione mujore gjatë sezonit të virusit – dhe çdo injeksion mund të kushtonte më shumë se 1000 dollarë. Për shkak të çmimit dhe logjistikës së shpërndarjes, ilaçi ishte i disponueshëm vetëm për fëmijët në rrezik të lartë për t’u sëmurë rëndë nga RSV.
Parandalimi është thelbësor sepse trajtimet specifike për RSV nuk ekzistojnë. Kur fëmijët sëmuren nga gripi, ilaçi antiviral Tamiflu mund të ndihmojë në trajtimin e tij. Por nuk ekzistojnë barna të tilla për RSV.