Ishte vetëm 16-vjeç kur dera e çeliktë e burgut, e ndau nga ëndrra e tij për futbollin. Si një nxënës i shkëlqyer dhe me ëndrra të mëdha, Albin Nuhiu nga Gjilani, kurrë nuk e kishte menduar se do e shihte veten prapa grilave. Por, një moment gjaknxehtësie, i dha kthesë jetës së tij.
E diela e 19 gushtit të 2018-ës nisi normalisht për familjen Nuhiu nga Gjilani, por ajo që ndodhi më pas la shenjë në jetën e secilit prej tyre.
Ishte dita kur Albini shkrepi pushkën e gjuetisë së babit, sipas tij, për të mbrojtur veten dhe të atin nga një person i rrezikshëm, i cili mbeti i vrarë në oborrin e shtëpisë së tyre.
Në një rrëfim për Kiks Kosovën, 7 vjet pas ngjarjes tragjike, Albini thotë se ky rast mund të ishte shmangur, në qoftë se, Policia do e merrte parasysh denoncimin që ai e bëri për kërcënim dy ditë para ditës kritike.
Mirëpo, meqë institucionet nuk ndërmorën asgjë, personi që e kërcënoi dhe sulmoi fizikisht 16-vjeçarin, mori zemër dhe ia mësyu derës së familjes Nuhiu me një revole dhe një shufër metalike me vete.
Në tentim për të mbrojtur të atin dhe veten nga ky person, Albini, në atë kohë vetëm 16 vjeç mori pushkën e gjuetisë së babit dhe nga frika, e shkrepi në drejtim të mysafirit të paftuar, duke e lënë të vrarë në oborrin e shtëpisë së tyre.
Nxënësi i shkëlqyeshëm që sapo kishte përfunduar vitin e parë të shkollës së mesme për Banka dhe Financa dhe me një pasion të madh për futbollin, përfundoi prapa grilave.
Për shkak të moshës së mitur dhe rrethanave të rastit, Gjykata e dënoi atë me 6 vjet e 6 muaj burgim, por aty qëndroi vetëm për 4 vjet e 4 muaj.
Ky rast dhe dënimi që mori për të, e ndanë Albinin nga ëndrra e tij jetësore.
Megjithatë, fat në fatkeqësi për të ishte se nuk e ndali shkollimin. Drejtimin të cilin e nisi sa ishte në liri, me dëshirën e tij, Albini e vazhdoi edhe gjatë qëndrimit në burg dhe për të arritur qëllimin e tij, pati përkrahje të madhe nga stafi i Shërbimit Korrektues.
Përkushtimi i tij iu shpërblye kur emri i tij figuroi i pari në listën e studentëve të pranuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. E këtë sukses të tij, ai ia atribuon të ëmës, e cila thotë se ka qenë motivi kryesor i tij.
Sidoqoftë, për vitet sa qëndroi në burg, Albini nuk ishte i kënaqur me programet e risocializimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ai pohon se ato ishin të mangëta.
E mangësitë e sistemit të risocializimit, Albini thotë se vërehen edhe më shumë kur del në liri. 23-vjeçari i cili gjatë qëndrimit në burg, diplomoi për Banka dhe Financa, ndonëse ka 3 vjet që gjendet në liri, ende nuk ka mundur të gjejë punë në drejtimin për të cilin ka kryer studimet.
Edhe më shumë riintegrimin në shoqëri një ish-të burgosuri ia vështirëson praktika që Policia për një kohë të caktuar, edhe pas daljes në liri, nuk i lëshon atij certifikatën që nuk është nën hetime, e as Gjykata atë të dënimeve penale, që janë kusht për punësim në shumë kompani.
E kjo politikë, sipas Albinit, mund të ndikojë në kriminalizimin e personave të cilët pasi e kanë kryer dënimin duan të ndryshojnë veten dhe jetën e tyre.
Meqë nuk gjeti dot një vend pune për profesionin e tij, sot Albini punon si elektroinstalues në biznesin e të afërmve të tij. /KlanKosova/
The post “E vrava me pushkën e gjuetisë së babës”, rrëfimi i gjilanasit që përfundoi në burg si 16-vjeçar appeared first on Telegrafi.