Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayCitizens.al

“Trusti i Zvërnecit”, ndërtime deri në 8 kate në zonën e mbrojtur

12 May 2026 at 17:45

Edhe pse kanë kaluar dy javë nga denoncimi i parë i ambientalistëve për ndërhyrjen me makineri të rënda në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, institucionet vijojnë të ofrojnë transparencë të cunguar.

Në një përgjigje të mbërritur sot për Citizens.al, një pjesë e të cilës u nda edhe në fomën e një deklarate nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) bëhet zyrtarisht i ditur për herë të parë emri i kompanisë që po zhvillon punimet.

IKMT njofton se shoqëria “Zvërnec South Adriatic Developmenet” po kryen punime përgatitore rrethimi dhe ndërtimi të rrugëve me leje të Këshillit Kombëtar të Territorit, të miratuar me vendimin Nr. 5 të datës 29 prill 2026.

Institucionet janë kujdesur ta ndajnë këtë dokument me njëri-tjetrin, por jo me publikun. Megjithë ndjeshmërinë e lartë dhe shqetësimet e ambientalistëve për një “katastrofë mjedisore”, vendimi nr. 5 nuk gjendet në faqen e KKTU, por përmendet vetëm në rendin e ditës për mbledhjen e 29 prillit.  IKMT sqaron se leja e zhvillimit për projektin nuk është lëshuar ende, dhe se kjo është një leje “përgatitore” në funksion të ndërtimit.

Projekti quhet “Zvërnec Peninsula” dhe sipas përshkrimit do të përfshijë godina nga 1 deri në 8 kate për banim, hotel, shërbime edhe sipas emërtimit edhe një port.

A po i besohet Zvërneci një kompanie “guaskë”?

Sipas dokumentave zyrtare, pas kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development” qendrojnë dy emra të panjohur për publikun shqiptar: Nikita Maximovich Vinogradov, shtetas holandez, i lindur në vitin 1991, dhe Zoya Georgieva Gyurova, shtetase bullgare, e lindur në vitin 1988. Ata janë pronarë përfitues me nga 50% të kompanisë që po kryen punime në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë.

Pronësia e kompanisë kalon përmes një zinxhiri shoqërish të regjistruara në Holandë, “Universal Properties Projects B.V”, “Blue Industries Investment Holding B.V” dhe “Dutch Trust Management B.V”, e cila shënohet në ekstrakt si subjekti që “ushtron kontrollin e fundit mbi trust”. Pra, kompania shqiptare që ka marrë lejen nga qeveria, kontrollohet përmes një strukture ndërlikuar me disa shtresa që e bëjnë të vështirë për t’u lexuar nga publiku.

Një nga zonat e fundit të mbrojtura e të pa prekura të bregdetit shqiptar po i besohet një kompanie me pronësi të fshehur pas disa hallkave me shtetas të huaj dhe një trust-i. Ndërsa punimet kanë filluar, asnjë nga dokumentet e projektit nuk është bërë i njohur për publikun.

Organizatat ndërkombëtare në alarm

EuroNatur dhe organizata të tjera mjedisore kanë reaguar ashpër ndaj situatës në Pishë–Poro–Nartë, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve, transparencë të plotë mbi lejet dhe procedurat e ndjekura, si edhe një hetim për të verifikuar nëse Shqipëria po respekton angazhimet e saj ndaj standardeve europiane të mbrojtjes së mjedisit.

Sipas organizatës EuroNatur dhe partnerëve të saj, punimet po kryhen pa një proces transparent, pa përfshirjen e publikut dhe pa respektuar standardet e vlerësimit të ndikimit në mjedis, çka konsiderohet shkelje e ligjeve shqiptare dhe e detyrimeve të marra në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Drejtori ekzekutiv i EuroNatur, Gabriel Schwaderer, deklaroi se këto ndërtime jo vetëm që rrezikojnë një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Europës, por edhe dëmtojnë besueshmërinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Reagim të fortë ka pasur edhe nga organizata BirdLife Europe, e cila deklaroi se fadromat po shkatërrojnë në mënyrë të paligjshme një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë. Organizata thekson se pylli bregdetar i Pishë Poro–Nartës është habitat i flamingove, pelikanit kaçurrel dhe një pikë kyçe ndalese për miliona zogj shtegtarë që lëvizin mes Europës dhe Afrikës.

BirdLife Europe përmend gjithashtu se në këtë zonë është planifikuar një projekt i madh zhvillimi i lidhur me Jared Kushner, megjithëse mbetet ende e paqartë nëse punimet aktuale kanë lidhje direkte me të.

Fundjavën e kaluar, më 7 maj, aktivistë dhe organizata mjedisore, përfshirë edhe Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), protestuan me thirrjen “Hiqni duart nga Vjosë–Narta”. Një tjetër protestë pritet të mbahet në fundjavën e 16 majit.

Aktivistët kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve në Pishë Poro–Nartë dhe transparencë të plotë mbi atë që po ndodh në terren. Ata kundërshtuan gjithashtu deklaratat e ministrit të Mjedisit, cili është shprehur se “në zonë nuk po ndodh asnjë degradim”, por vetëm rrethim i një prone private për arsye të survejimeve gjeologjike.

“Në vend që të merren masa të menjëhershme për verifikimin e situatës dhe ndalimin e punimeve, po vërehet një tendencë për t’i justifikuar këto ndërhyrje, ndërkohë që aktiviteti në zonë po intensifikohet”, deklaroi PPNEA.

Organizata kërkon gjithashtu që Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, IKMT dhe Policia e Shtetit të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre ligjore dhe të marrin menjëherë territorin në mbrojtje, duke ndaluar çdo aktivitet të paligjshëm brenda zonës së mbrojtur.

Lexo gjithashtu:

The post “Trusti i Zvërnecit”, ndërtime deri në 8 kate në zonën e mbrojtur appeared first on Citizens.al.

Drejtësia në Shqipëri: mes reformës, stokut të dosjeve dhe besimit të brishtë

8 May 2026 at 17:31

Para 10 vitesh, më 20 korrik 2016, 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë miratuan me votë unanime ndryshimet kushtetuese që hodhën themelet e reformës në drejtësi. Me këtë reformë nisi edhe procesi i vetingut, një mekanizëm që synonte të vlerësonte aftësitë profesionale, transparencën mbi pasurinë dhe integritetin e çdo gjyqtari dhe prokurori në vend.

Për herë të parë, vendi përjetoi një reformim të thellë të sistemit të drejtësisë dhe u krijua përshtypja se besimi te drejtësia po rikthehej, në përputhje me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave të bëra publike në vitin 2022, rreth 60% e trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri i janë nënshtruar vetingut. Në totalin e vendimeve të dhëna nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, 185 gjyqtarë e prokurorë janë shkarkuar nga detyra, duke shkaktuar jo pak ngarkesa dhe presion të shtuar tek sistemi i drejtësisë.

Një ngjarje e pa precendentë u shënua më 6 tetor 2025, kur gjyqtarit Astrit Kalaja u ekzekutua me armë në sallën e gjyqit. Reagimet pas kësaj ngjarje ishin të forta, ku nuk mungonte revolta e brendshme e njerëzve ndaj pritjeve të gjata në dyert e gjykatës dhe akuzat për padrejtësi.

Siguria e gjyqtarëve, ende në pritje të zgjidhjeve konkrete

Engert Pëllumbi, gjyqtar i Shkallës së Parë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve, tregon për Citizens.al se u desh humbja e jetës së një kolegu, që çështja e sigurisë të merrte përmasa alarmante dhe aktorët e përfshirë të ndërgjegjësoheshin për nevojën e përmirësimit të kushteve në gjykatat shqiptare.

Sipas tij, Gjykata e Lartë dhe dy gjykatat e posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar në Tiranë e kanë më shumë nën kontroll çështjen e sigurisë, pasi disponojnë mjete të përshtatshme si detektorë, skanerë dhe punonjës sigurie.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, po punon për rritjen e sigurisë në gjykata, por deri tani nuk ka ende masa konkrete dhe procesi mbetet në fazën e hartimit të akteve përkatëse”, – u shpreh Pëllumbi.

Ndryshe paraqitet situata në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan. Një nga gjyqtarët e kësaj strukture, Drenica Demiraj, relativisht e re në profesion, me vetëm gjashtë muaj angazhim, thekson se në këtë gjykatë mungon stafi i mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve dhe administratës.

“Më ka rastisur të jem në një sallë gjyqi ku i padituri pranonte se kishte konsumuar lëndë narkotike, por kur kërkuam siguri në sallë, na u tha se i vetmi punonjës sigurie ishte roja te hyrja e gjykatës dhe nuk mund ta linte postin”, – shprehet Demiraj.

Sipas saj, problem mbeten edhe sallat e gjyqeve, të cilat nuk janë të mjaftueshme për trupën gjykuese.

“Jemi gjashtë gjyqtarë me vetëm tre salla në dispozicion, ndaj detyrohemi t’i alternojmë ato dhe të zhvillojmë deri në 18–20 seanca në ditë”, – përfundon ajo.

Gjyqtarë të tjerë theksojnë nevojën për rritjen e burimeve financiare dhe një angazhim të posaçëm të Policisë së Shtetit për sigurimin e perimetrit të jashtëm të gjykatave dhe prokurorive. Ata pohojnë se sfidat me të cilat përballen çdo ditë shpesh mbeten të padukshme për shoqërinë.

“Deri më sot kjo situatë është përballuar me sakrificë personale nga magjistratët, gjë që ndoshta nuk është e dukshme për opinionin publik, edhe për shkak të mentalitetit disi të mbyllur dhe hermetik që ekziston brenda sistemit të magjistraturës shqiptare”, – thekson Elton Frashëri, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Stoku i dosjeve shumëvjeçare, presion mbi cilësinë e punës

Dosjet e shpërndara në zyrat e Gjykatës së Elbasanit, shpesh edhe në dysheme, e bëjnë të vështirë lëvizjen. Drenica Demiraj tregon se kur ka nisur punën është përballur me rreth 280 dosje të vjetra, vetëm për seksionin civil.

“Dosjet e vjetra, të rishqyrtuara disa herë dhe të kaluara në trupa të ndryshëm gjykues, mbeten një nga vështirësitë më të mëdha për sistemin, pasi zvarritjet shumëvjeçare kanë sjellë edhe raste kur palët në proces kanë ndërruar jetë”, – pohon Drenica.

Sipas saj, ka nevojë për rishikimin e Vendimit nr. 483, datë 22.07.2025, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili përcakton standardet minimale kohore dhe sasiore për shqyrtimin e çështjeve nga gjyqtarët e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm.

“Vendimi parashikon që një gjyqtar i shkallës së parë të shqyrtojë të paktën 200 çështje me palë kundërshtare dhe 200 pa palë kundërshtare në vit, një ngarkesë shumë e lartë, e cila krijon presion dhe ndikon edhe në vlerësimin tonë në vazhdim”, – vijon gjyqtarja.

Gjyqtari Elton Frashëri thotë se është e nevojshme të lehtësohet menaxhimi i dosjeve të mbartura dhe i çështjeve të reja që vijnë në gjykatë. Sipas tij, kjo nuk zgjidhet vetë, por kërkon masa konkrete si nga politika, ashtu edhe nga institucionet përgjegjëse.

“Në fillimet e mia, në vitin 2022, menaxhimi i stokut të dosjeve ishte shumë i vështirë, por sot, edhe pse me një eksperiencë ende modeste, arrij të përballoj më lehtë dhe më me efikasitet volumet e punës së përditshme”, – thotë Frashëri.

Presioni i pushtetit politik mbi sistemin gjyqësor

E ndërsa reforma në drejtësi ndodhet në një moment delikat, institucionet ndërkombëtare kanë bërë thirrje për një sistem të drejtë dhe të pavarur në gjykimin e figurave të rëndësishme politike. Në këtë proces, gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm po përpiqen të ruajnë integritetin e një sistemi që mbetet një nga hallkat kryesore për vlerësimin dhe integrimin evropian të vendit. Pavarësisht stokut të dosjeve, presioneve politike dhe tundimeve të korrupsionit, disa prej tyre po përpiqen të krijojnë një fytyrë të re të sistemit të drejtësisë.

Gjyqtari Engert Pëllumbi tha për Citizen se fërkimet ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor tregojnë se pushteti gjyqësor nuk është më ai që ka qenë para reformës në drejtësi.

“Pushteti gjyqësor po ndërgjegjësohet për rolin e tij në shoqëri dhe kjo është një lajm i mirë, pasi tregon se po kryen detyrën për të cilën e ngarkon Kushtetuta”, – thekson ai.

Sipas tij, pas krijimit të SPAK-ut dhe gjykatave të posaçme, miti i pandëshkueshmërisë është rrëzuar dhe janë forcuar garancitë për një proces të rregullt ligjor.

“Qytetarët kanë pritshmëri të larta nga reforma në drejtësi dhe reagimet për gjykatat e posaçme janë kryesisht pozitive. Detyra e gjyqtarit nuk është vetëm profesion, por edhe mision dhe vokacion”, – thotë ai.

Gjyqtari Elton Frashëri nënvizon se një publik më i ndërgjegjësuar kufizon mundësitë e presionit mbi sistemin e drejtësisë.

“Kjo do të dekurajonte përpjekjet për ndikim apo trysni, qoftë të rastësishme apo të qëllimshme”, – përmbyll ai.

The post Drejtësia në Shqipëri: mes reformës, stokut të dosjeve dhe besimit të brishtë appeared first on Citizens.al.

Vlora mes gazit dhe energjisë së gjelbër: Debati për të ardhmen e TEC-it

5 May 2026 at 17:32

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar së fundmi planin e qendrës energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm të Shqipërisë, në kuadër të një marrëveshje të nënshkruar me Greqinë në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shqipëria do të furnizohet me gaz të lëngshëm amerikan për një periudhë 20-vjeçare dhe, përmes TEC-it të Vlorës, do të prodhojë energji elektrike”, u shpreh ai në podcastin personal të përjavshëm.

Sipas qeverisë, kalimi i funksionimit të termocentralit (TEC) të Vlorës nga nafta në përdorim me gaz shihet si zhvillim pozitiv.

“Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, si për shfrytëzimin ashtu edhe për eksportin e gazit përmes Trans Adriatic Pipeline (TAP), pasi pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fierin, ku ndodhet gazsjellësi trans-adriatik”, përmbylli kryeministri.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i konsorciumit të organizatave Lëvizja për Energjinë dhe Klimën (LEK), të cilat dolën me një deklaratë publike duke u shprehur se “populli i Vlorës duhet ta refuzojë masivisht injektimin e këtij burimi fosil në Shqipëri”.

TEC-i i Vlorës, me kapacitet rreth 97 MW, u ndërtua me mjaft kontestime për ndotjen e mundshme të mjedisit. Ideja ishte që një vepër e tillë do të rriste sigurinë energjetike të vendit, por thuajse nuk ka funksionuar që nga përfundimi i tij në vitin 2011 për shkak të problemeve teknike.

Projekti, që kushtoi rreth 130 milionë euro dhe u financua nga institucione ndërkombëtare, është konsideruar shpesh një investim i dështuar. Vendosja në punë përmes kalimit nga nafta në gaz është një ide që ka nxitur debat mbi kostot dhe ndikimin mjedisor.

Kundërshtimet mbi qendrën energjetike të Vlorës

I pyetur nga Citizens.al, aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni kujtoi se kryeministri ka deklaruar shpesh, si në Shqipëri ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, se vendi synon të jetë eksportues neto i energjisë nga burime të rinovueshme deri në vitin 2030.

“Atëherë pse duhet kjo energji fosile, për aq kohë sa synojmë të jemi eksportues neto nga burime të rinovueshme, të cilat janë më miqësore ndaj mjedisit dhe më ekonomike?” shtroi ai.

Ndërkohë, Mihallaq Qirjo, drejtues i “Qendra Burimore e Mjedisit” (REC Albania), theksoi se vetëm zhvillimet energjetike që bazohen në burime të rinovueshme dhe të pastra mund të konsiderohen pozitive.

“Komisioni Evropian thekson vazhdimisht se diversifikimi duhet të mbështetet në burimet vendase, pasi vetëm në këtë mënyrë rritet pavarësia nga burimet e huaja”, u shpreh ai.

Ai shtoi se, qoftë si vend tranzit apo përdorues i gazit, Shqipërisë i mungon infrastruktura e shpërndarjes deri te përdoruesi fundor, çka do të thotë se individët dhe bizneset nuk do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ky burim energjie fosile.

Në të njëjtën linjë, Valbona Mazreku nga organizata “Mileukontakt Albania” vlerësoi se nënshkrimi i memorandumit për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe marrëveshja për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm përbën rrezik për mjedisin dhe një devijim nga rruga drejt energjive të pastra.

Ajo shton se investimet në gaz mund të krijojnë varësi afatgjatë nga karburantet fosile, ndërsa “zhvillimi i industrisë së gazit mund të cenojë potencialin turistik dhe ekologjik të Vlorës”.

Debati mbi të ardhmen energjetike të Vlorës mbetet i hapur, duke reflektuar përplasjen mes nevojës për siguri energjetike dhe angazhimeve për një zhvillim më të qëndrueshëm mjedisor.

The post Vlora mes gazit dhe energjisë së gjelbër: Debati për të ardhmen e TEC-it appeared first on Citizens.al.

Ende asnjë konfirmim zyrtar se kush po ndërton në zonën e mbrotjur Pishë-Poro-Nartë

4 May 2026 at 17:52

Në një kohë kur qeveria shqiptare zotohet se po avancon pozitivisht në negociatat me Bashkimin Evropian për integrimin, terreni po jep sinjale të kundërta me angazhimet në letër.

Denoncimet për një kantier ndërtimi të hapur së fundmi brenda zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë kanë vënë në pikëpyetje zbatimin real të legjislacionit mjedisor.

Rasti po shihet nga organizatat mjedisore si një test konkret për Kapitullin 27, një nga më sfiduesit në procesin e integrimit. Mes mungesës së transparencës dhe reagimeve të paqarta, përplasja mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së natyrës mbetet e dukshme.

Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) mblodhi sot aktorë të shoqërisë civile në një konferencë për shtyp në Tiranë, duke e vendosur theksin pikërisht te Kapitulli 27 i Bashkimit Evropian për mjedisin.

Konferenca u zhvillua në një klimë të tensionuar, pas raportimeve të një jave më parë për ndërhyrje në zonën e Pishë Poros-Nartë, e cila vlerësohet si një nga zonat më të rëndësishme nga ana ekologjike në vend.

Pamje nga takimi i PPNEA/Citizens.al

Sinjalizimet e ditës së enjte, datë 30 prill, nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare (AOS), të raportuara edhe nga Citizens.al, kanë ngritur dyshime serioze mbi zbatimin e ligjit. Në terren janë konstatuar mjete të rënda dhe punime brenda zonës së mbrojtur, ndërsa mungon transparenca mbi lejet përkatëse dhe bazën ligjore të ndërhyrjes.

Grupet e mjedisorëve dyshojnë se pas këtyre punimeve është Kastrati Group, kjo e fundit, pas interesimit të Citizens.al të premten, deklaroi se do të jepte një qëndrim zyrtar brenda datës 4 maj.

Megjithatë, në një komunikim të dytë, përfaqësuesit e kompanisë thanë se nuk kanë ende një koment mbi çështjen.

Gjatë konferencës, përfaqësuesit e PPNEA theksuan se Kapitulli 27 nuk mund të trajtohet si një hap formal në negociatat me Bashkimin Evropian, por kërkon zbatim të prekshëm në terren dhe mbrojtje reale të ekosistemeve.

Paqartësi dhe mungesë transparence në Pishë–Poro

Aleksandër Trajçe, drejtor i PPNEA, tha gjatë konferencës së sotme se, në lidhje me ndërhyrjet në Pishë–Poro, ishte zhvilluar një takim me Ministrinë e Mjedisit për ta vënë në dijeni për rastin. Trajçe analizoi se të gjitha këto ndërhyrje, si edhe të tjera, po ndodhin për shkak të ligjit për zonat e mbrojtura, i cili është në rishikim.

“Shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura shihet si një pikë e rëndësishme për përmbylljen e Kapitullit 27 dhe, në këtë aspekt, është pranuar rishikimi i këtij ligji që të jetë në përputhje me BE-në,” theksoi Trajçe.

Ai shtoi se zhvillimet me natyrë turistike po vazhdojnë pa ndërprerje dhe me një shpejtësi të madhe, duke anashkaluar proceset normale që duhet të kenë zhvillime të tilla, si proceset e konsultimit publik, vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe angazhimit të palëve të interesit.

“Kjo po ndodh për shkak se ky ligj së shpejti do të ndryshojë dhe mesazhi që po u jepet zhvilluesve është: ndërtoni në këtë periudhë, sepse nëse ligji ndryshon, nuk do të keni mundësi për të kryer zhvillime të tilla,” përmbylli Trajçe.

Rasti i Pishë Poro-Nartës nxjerr në pah hendekun mes angazhimeve ndërkombëtare që merr përsipër qeveria dhe realitetit në terren.

Ariel Brunner, nga BirdLife Europe and Central Asia, u shpreh se turistët vijnë për vende unike dhe se ka shumë raste kur turizmi ka dëmtuar pikërisht atë për të cilën vetë turistët tërhiqen.

“Ne jemi të sigurt se mund të kemi një bashkëjetesë midis turizmit dhe natyrës. Ata që thonë se duhet të zgjedhim midis të dyjave, janë duke gënjyer,” tha Brunner.

Zydjon Vorpsi nga PPNEA, në lidhje me ndërhyrjet në Pishë–Poro, tha se në terren po shtrohet çakull dhe materiale, po sheshohet zona dhe po hiqen pemë, por mbetet e paqartë se çfarë po ndodh konkretisht.

“Edhe nëse nesër përballemi me një leje ndërtimi, ajo ka ardhur në mungesë të plotë transparence: nuk ka pasur dëgjesë për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe as konsultim publik. Nuk mjafton të nxjerrësh një leje; duhet të hapet një proces për të informuar se çfarë po ndodh atje. Jemi përballë një agresioni të makinerive, pa e ditur se kush dhe çfarë po bëhet,” përfundoi Vorpsi.

Nëse standardet e Kapitullit 27 mbeten vetëm në nivel deklarativ, procesi i integrimit rrezikon të humbasë besueshmërinë publike dhe ndërkombëtare. Për organizatat mjedisore, kjo nuk është vetëm një çështje ligjore, por një provë e drejtpërdrejtë për kapacitetin e shtetit për të mbrojtur pasuritë natyrore.

Zhvillimet në ditët në vijim pritet të tregojnë nëse institucionet do të reagojnë, apo nëse ky rast do të mbetet një tjetër precedent i pandëshkuar.

Lexoni gjithashtu:

The post Ende asnjë konfirmim zyrtar se kush po ndërton në zonën e mbrotjur Pishë-Poro-Nartë appeared first on Citizens.al.

Kantier ndërtimi në Pishë-Poro-Nartë, organizatat denoncojnë punimet pa leje

1 May 2026 at 16:39

Punime të dyshuara brenda zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë kanë ngritur alarmin për një tjetër përplasje mes zhvillimit, ligjit dhe përpjekjeve për të ruajtur ato pak zona me rëndësi mjedisore në Shqipëri.

Pamje të publikuara të enjten nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare (AOS) tregojnë për mjete të rënda dhe ndërhyrje në terren në një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në vendin tonë.

Deri më tani nuk ka pasur reagime nga institucionet dhe nuk ka një konfirmim publik për leje ndërtimi apo dokumentacion mjedisor për këto punime. Në terren, aktiviteti duket i organizuar dhe i vazhdueshëm, ndërsa dyshimet lidhen me projekte të mëdha turistike të përfolura prej kohësh në zonë.

“Po hapin një kantier në zonë të mbrojtur!”

Në një lidhje telefonike për Citizens.al, drejtuesi i AOS, Taulant Bino, tha se kishte qenë vetë në zonë në momentin kur u evidentua aktiviteti.

Sipas tij, dhjetëra kamionë hynin dhe dilnin përmes një rruge të sapo rehabilituar, ndërsa në terren ishin të pranishëm ekskavatorë dhe shumë punonjës.

“Komunikova me një nga punonjësit aty duke i thënë se isha për vëzhgim shpendësh dhe ata më thanë se kishin nisur hapjen e një kantieri,” u shpreh Bino.

Ai shtoi se punonjësit nuk mbanin shenja identifikuese, ndërsa mjetet kishin shënime në italisht, pa elementë që i lidhnin drejtpërdrejt me një kompani të caktuar.

Sipas AOS, ndërhyrjet mund të lidhen me projektet e përfolura zhvillimore në zonën e Zvërnecit, të cilat prej vitit 2024 kanë përmendur si investitor të interesuar dhëndrin e Presidentit Amerikan, Jared Kushner.

Në këtë kontekst është përmendur edhe Kastrati Group si një nga kompanitë që mund të ketë rol ose si nënkontraktor ose si partner zhvillues, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar.

Citizens.al kontaktoi përfaqësuesit për komunikimin me median të kësaj kompanie, të cilët deklaruan se nuk mund të jepnin një përgjigje konkrete pasi “momentalisht shumica e stafit janë ditë pushimi,” duke lënë si mundësi për një reagim për të hënën.

Mbi ngjarjen reagoi edhe Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), e cila i bëri thirrje autoriteteve ligjzbatuese të ndalojnë “këtë dhunim të pakthyeshëm të zonës së mbrojtur”.

“I kërkojmë qeverisë të ndalojë planet e papublikuara dhe të bëjë transparencë mbi atë që po ndodh në deltën e lumit Vjosa!” citohet në qëndrimin e organizatës.

Në përmbyllje, PPNEA theksoi se, edhe pse qeveria ndryshoi ligjin për Zonat e Mbrojtura për të lejuar ndërtimin e resorteve me 5 yje, edhe ky ligj po shkelet pasi rastet tregojnë se nuk po ndiqet asnjë procedurë.

Çfarë përfaqëson zona Pishë-Poro-Nartë

Zona e denoncuar ndodhet në veri të Vlorës dhe është pjesë e kompleksit ligatinor të Nartës që kufizohet më tej nga delta e Vjosës.

Ajo gëzon statusin “Peizazh i Mbrojtur”, që lejon vetëm aktivitete të kufizuara dhe kërkon procedura të rrepta për çdo ndërhyrje, përfshirë vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe konsultimin publik.

Pishë-Poro-Nartë konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në Shqipëri, ku janë regjistruar rreth 200-300 specie, përfshirë shpendë migratorë me rëndësi ndërkombëtare.

Por kjo zonë ka qenë prej vitesh nën presion të vazhdueshëm zhvillimi.

Një nga projektet më të debatueshme ka qenë dhe mbetet Aeroporti i Vlorës, ndërtimi i të cilit ka nisur pikërisht pa leje të zbardhur ndërtimi në vitin 2021, duke u kundërshtuar nga organizata mjedisore për shkak të ndikimit në habitatet e shpendëve.

Së fundmi, SPAK ka marrë të pandehur tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për këtë projekt, nën dyshimin për paracaktim të fituesit të koncesionit.

Paralelisht, investime të tjera të përfolura, si resorti turistik në ishullin e Sazanit i lidhur me Kushner, apo dhe ideja për zhvillimin e zonës ligatinore të Zvërnecit me të njëjtin propozim, kanë ngritur shqetësime të reja mbi ndryshimet ligjore që prekin zonat e mbrojtura.

Citizens.al ka raportuar vazhdimisht për këtë çështje duke vënë në pah edhe ndryshimin që pati ligji për portet turistike, i cili tashmë u jep të drejtë “investitorëve strategjikë” të privatizojnë edhe të detin.

Reagimi deri më sot ka qenë i vakët, përgjithësisht nga organizatat mjedisore dhe aktivistë individual. “SOS: Po grabitemi!” ishte një instalacion në rërë që u realizua me këtë qëllim nga artistë si formë ndërgjegjësimi ndaj këtyre “planeve strategjike,”.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka informacion zyrtar nëse aktivitetet e evidentuara në terren janë të pajisura me leje ndërtimi apo dokumentacion mjedisor.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse ndërhyrjet lidhen me ndonjë nga projektet e njohura apo përfaqësojnë një zhvillim të ri në fazë paraprake.

Në mungesë transparence dhe reagimi institucional, rasti ngre pikëpyetje mbi respektimin e statusit të zonës së mbrojtur dhe procedurave ligjore për zhvillimet në territore me rëndësi të lartë ekologjike.

Lexoni gjithashtu:

The post Kantier ndërtimi në Pishë-Poro-Nartë, organizatat denoncojnë punimet pa leje appeared first on Citizens.al.

6 të pandehur për skemën e zhvatjes ndaj pacientëve me kancer te Onkologjiku

30 April 2026 at 16:21

Skema e dyshuar në Spitalin Onkologjik ku pacientët me kancer devijoheshin nga sistemi publik drejt klinikave private për përfitime financiare ka marrë një zhvillim të rëndësishëm.

Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq gjashtë nga personat e dyshuar, mes tyre zyrtarë të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) dhe mjekë, ndërsa hetimet zbulojnë edhe dështime serioze institucionale, si lënia jashtë funksioni e pajisjeve jetike për trajtim.

Rasti rikthen në vëmendje krizën e besimit dhe mungesën e llogaridhënies në sistemin shëndetësor publik.

Përmes një njoftimi për shtyp, Prokuroria e Tiranës tha të enjten se kishte përfunduar hetimet dhe për këtë ka vendosur të dërgojë në gjyq zv.drejtoreshën e QSUT-së, koordinatoren e Spitalit Onkologjik, administratorin e një kompanie farmaceutike dhe një grup mjekësh dhe specialistësh.

Ata akuzohen për vepra si shpërdorim detyre, fshehje të ardhurash dhe tregtim mallrash kontrabandë.

Sipas hetimeve, disa zyrtarë dhe mjekë të Spitalit Onkologjik orientonin pacientët me kancer drejt klinikave private, ku ata detyroheshin të paguanin për shërbime që duhet t’i merrnin falas në spitalin shtetëror.

Në disa raste, pacientët përzgjidheshin nga listat e pritjes dhe devijoheshin qëllimisht, ndërsa personat përgjegjës përfitonin financiarisht.

Fillimisht, çështja u shqyrtua nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të vlerësuar nëse kishte elementë të korrupsionit të organizuar, por më pas iu kthye Prokurorisë së Tiranës.

Hetimet treguan se një aparaturë e rëndësishme për trajtimin e pacientëve me kancer (kobalto-terapia) në QSUT nuk u vu kurrë në funksion, për shkak të mungesës së infrastrukturës së sigurisë (bunker anti-radioaktiv). Pajisja u instalua në kushte të papërshtatshme dhe mbeti e papërdorur që nga viti 2021, duke krijuar edhe rrezik për personelin.

Po kështu, u zbulua gjithashtu se një koordinator i spitalit orientonte në mënyrë të paligjshme pacientët drejt klinikave private për trajtime që duhet të ofroheshin falas në spitalin shtetëror, duke përfituar financiarisht nga kjo skemë.

Për këtë përgjegjësia bie mbi administratoren e Spitalit Onkologjik në QSUT, Alketa Pere dhe zv.drejtoresha e QSUT-së Brikena Qirjazi, të cilat sipas Prokurorisë nuk kanë marrë masa për parandalimin e kësaj situate duke privuar pacientët nga trajtimi i duhur dhe duke kufizuar alternativat mjekësore.

Një specialiste në QSUT akuzohet se hartoi një ekspertizë të pasaktë për burimet radioaktive, duke çuar në blerjen e një pajisjeje që nuk u përdor kurrë dhe që shkaktoi gjithashtu dëm ekonomik për shtetin.

Ndërkohë, administratori i “Flori Farma”, Florian Marku, njëherazi farmacist, dyshohet se ka kontrabanduar ilaçin “Valamor,” teksa Halil Gashi, administrator i klinikës Megis, dyshohet për punësim të paligjshëm dhe fshehje aktiviteti tregtar.

Spitali Onkologjik është vënë shpesh në qendër të akuzave për abuzime të rënda dhe rrezikim të jetës së pacientëve. Në tetor 2025, një raport i KLSH-së evidentoi probleme serioze, si barna të skaduara, aparatura jashtë funksioni dhe shërbime të pamjaftueshme, duke rrezikuar trajtimin e pacientëve.

Në verën e vitit 2024, një sërë protestash kulmuan para Ministrisë së Shëndetësisë, ku institucioni u etiketua nga protestuesit si “Ministria e Vdekjes”. Në atë kohë, kryeministri Edi Rama shmangu përgjegjësitë për ngjarjen që çoi në shkarkimin dhe hetimin e shtatë mjekëve dhe specialistëve, duke i cilësuar ata “zullumqarët e shëndetit”.

Në të njëjtën periudhë u diskutua edhe për mundësinë e dhënies së autorizimeve për mjekët e sektorit publik që të punojnë në klinika private, një masë për të cilën mbetet e paqartë niveli i zbatimit.

Lexoni gjithashtu:

The post 6 të pandehur për skemën e zhvatjes ndaj pacientëve me kancer te Onkologjiku appeared first on Citizens.al.

Mes restaurimit dhe dizinformimit, çfarë po ndodh me Vilën e Zogut?

23 April 2026 at 15:57

Disa ditë më parë, media të ndryshme në vend, raportuan se “Vila Mbretërore” e Mbretit Zog në Durrës do të rrafshohej për t’i hapur rrugë një kompleksi rezidencial dhe hotelerie. Por verifikimet tregojnë se ky pretendim nuk qëndron.

Projekti i zhvillimit, i parashikuar nga kompania “Rajfi Group”, nuk përfshin territorin ku ndodhet vila historike, e cila qëndron në majë të kodrës. Ndërtimi pritet të zhvillohet në pjesën jugore të saj, në një parcelë, e cila aktualisht është zonë e gjelbëruar dhe me pemë.

Ky fakt konfirmohet si nga dokumentet e planvendosjes, ashtu edhe nga vetë pronari i vilës, sipërmarrësi Kadri Morina. Ai tha për Citizens.al se raportimet ishin të rreme dhe tha se puna për restaurimin e objektit po vijonte normalisht.

Një vit më parë, në qershor 2025, Morina qe shprehur për ne se kishte angazhuar arkitektë italianë dhe francezë për ta rikthyer vilën në gjendjen e saj origjinale të vitit 1939. Sipas tij, projekti parashikon përfundimin e restaurimit brenda katër viteve.

“Vila do të përdoret si një qendër atraktive për turistët, shqiptarët dhe shtetin”, u shpreh ai.

Citizens.al ishte në mjediset e vilës dhe konstatoi se objekti është i aksesueshëm për vizitorët, të cilët raportuan se paguajnë rreth tre euro për hyrje. Megjithatë, në ambientet e jashtme mungojnë tabelat informuese për restaurimin, ndërsa punimet ende nuk kanë reflektuar ndonjë ndryshim thelbësor të gjendjes.

Një simbol historik pa status mbrojtjeje

Vila e ish-Mbretit Ahmet Zogu u ndërtua në vitet 1920-30 si rezidencë verore e monarkisë shqiptare. E pozicionuar në një nga pikat më dominuese të qytetit, ajo përfaqëson një nga gjurmët më të dukshme të periudhës së Mbretërisë në Durrës.

Arkitektura e saj reflekton ndikime perëndimore dhe një estetikë të kohës, ndërsa historia e ndërtesës përshkon disa regjime politike, nga periudha e tranzicionit të pushtetit të Zogut nga President në Mbret, te përdorimi institucional gjatë komunizmit, e deri te degradimi gjatë tranzicionit.

Pavarësisht kësaj qëndrese dhe rëndësie historike, vila nuk ka status si Monument Kulture.

Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës i thanë Citizens.al se nuk ka pasur përpjekje konkrete ndër vite për ta futur objektin në listën e trashëgimisë së mbrojtur. Kjo ndodh edhe pse legjislacioni në fuqi nuk e pengon shpalljen monument të objekteve private.

Më herët, edhe trashëgimtari i familjes mbretërore, Leka Zogu, kishte propozuar një plan restaurimi, i cili nuk u realizua për mungesë mbështetjeje institucionale.

Në praktikë, kjo do të thotë se sot, forma dhe funksioni i ardhshëm i vilës mbeten në dorë të sektorit privat.

Zhvillimi përreth dhe pikëpyetjet mbi territorin

Kompleksi rezidencial dhe i hotelerisë, i planifikuar deri në 7 kate mbi tokë dhe 3 kate nën tokë, pritet të ndërtohet në një zonë të gjelbër në jug të vilës. Leja e zhvillimit është dhënë më 20 nëntor 2024.

Ishte pikërisht ky projekt që nxiti interpretimet se vila do të shembej. Në realitet, zhvillimi nuk prek drejtpërdrejt strukturën historike, por e vendos atë në një kontekst të ri urban.

Banorë të zonës pretendojnë se parcela ku do të ndërtohet përmban pisha disa-vjeçare dhe përfaqëson një nga hapësirat e pakta të gjelbëruara që i kanë mbetur qytetit.

Në dokumentet zyrtare të lejes së zhvillimit, theksohet se afërsia me Vilën e Zogut “i shton prestigj zonës”, duke e përdorur pikërisht trashëgiminë si element vlerësimi imobiliar për projektin.

Por, ekspertë të urbanistikës kanë ngritur shqetësime të tjera. Sipas tyre, zona konsiderohet me potencial arkeologjik dhe përfshin elementë të peizazhit natyror, çka do të kërkonte autorizim arkeologjik dhe vlerësim të ndikimit në mjedis.

Deri në momentin e publikimit, kompania ndërtuese nuk ka kthyer përgjigje për pyetjet e Citizens mbi këto procedura.

Kështu, rasti i Vilës së Zogut nxjerr në pah një problem më të thellë se sa një raportim i pasaktë, apo të rremë. Objekti nuk është në rrezik shembjeje, por mbetet i pambrojtur nga pikëpamja ligjore dhe i ekspozuar ndaj zhvillimeve përreth.

Në mungesë të një statusi të qartë dhe një strategjie publike për trashëgiminë, e ardhmja e tij lidhet më shumë me interesat private sesa me një vizion afatgjatë për historinë urbane të Durrësit.

Lexoni gjithashtu:

The post Mes restaurimit dhe dizinformimit, çfarë po ndodh me Vilën e Zogut? appeared first on Citizens.al.

Fitore për banorët e Postribës: Gjykata rrëzon lejen për guroret

22 April 2026 at 15:20

Gjykata Administrative e Tiranës i ka dhënë të drejtë banorëve të Postribës në Shkodër, për kallëzimin e bërë në vitin 2024, që denonconte dëmet në komunitet dhe në natyrë nga kompania “Babasi Coo” dhe nënkontraktori “Nga Group” gjatë punimeve në gurore.

“Gjykata vendosi dje që leja minerare është e pavlefshme, pra është nul”, tha për Citizens avokati mbrojtës i banorëve, Erald Aga.

Ai theksoi se nga vendimi nënkuptohet që e gjithë procedura e ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë, nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), si dhe nga dy kompanitë, ka qenë në shkelje flagrante të ligjit në mënyrën e marrjes së lejes minerare.

Avokati shtoi se aktualisht ata janë në pritje të zbardhjes së vendimit, në mënyrë që të shihet nëse palët do ta ankimojnë.

“Gjasat janë që do ta ankimojnë dhe më pas pritet që Gjykata e Apelit të japë një vendim në formë të prerë”, përfundoi Aga.

Beteja tetëvjeçare e banorëve të Postribës

Citizens.al ka raportuar vazhdimisht për çështjen e banorëve të Postribës që në vitin 2024 ku redaksia e ndoqi edhe duke vizituar në terren guroret në fjalë.

Zamir Milani, një prej protestuesve kryesorë që ka kundërshtuar punimet e dy subjekteve, tregon se kundërshtimet e banorëve në mënyrë individuale kanë nisur që prej vitit 2018.

Padia e fituar të martën është ndërmarrë nga pjesa më e madhe e komunitetit, rreth 90 banorë. Gjithashtu ka qarkulluar një peticion për çështjen, i cili ka mbledhur rreth 1,600 firma.

“Në seancën finale të gjykatës ishin prezent përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe vetëm avokati i palës nënkontraktore, ndërsa nga kompania kryesore nuk ishte askush”, tregoi Milani.

Ai shtoi se fillimisht banorët kanë dërguar një kallëzim në SPAK në vitin 2022, i cili është transferuar për shqyrtim në Prokurorinë e Shkodrës. Gjykata e kësaj të fundit, sipas tyre, ka dhënë vendim për dënim me tetë muaj burg për ish-administratorin e zonës së Postribës, për shpërdorim detyre.

“Ditën e dëgjesës publike për dhënien e lejes për guroret, [ish-administratori] kishte marrë dajën dhe shokët dhe kishte firmosur sikur ne ishim dakord për dhënien e lejes”, tregon Milani.

Personi i akuzuar, Altin Shaba, e ka apeluar vendimin.

“Janë dy gjykata që kanë dhënë vendimet e tyre: ajo e Shkodrës që ka dënuar ish-administratorin dhe kjo e Tiranës. Ndaj ne jemi shumë optimistë për çështjen”, vijoi Milani.

Aktualisht, Prokuroria e Shkodrës ka hetuar katër vepra penale të denoncuara nga banorët, përfshirë: dëmtimin e kanalit vaditës kullues 350-vjeçar nga kompanitë e paditura, ndotjen e ujit, dëmtime arkeologjike dhe keqmenaxhimin e mbetjeve.

Prokuroria e Shkodrës e ka transferuar sërish çështjen në Tiranë, por Milani shprehet se, pavarësisht se ka kaluar një vit e gjysmë, ende nuk janë thirrur nga institucioni.

Në një vendim të vitit 2024, Prokuroria e Shkodrës, në lidhje me ndotjen e ujit që furnizon shtatë fshatra (Domen, Milan, Boks, Dragoc, Kullaj, Fshati i Ri, Qendër Urë e Mesit), u shpreh se “turbullira rritet në depozitën e përpunimit të ujit dhe shtohet më tej në tubacione gjatë shpërndarjes në fshatra,” dhe “nuk arrihet në përfundimin se ajo shkaktohet nga inertet e NGA Group”.

Zamir Milani shtoi për Citizens.al se në fund të vitit 2025 banorët kanë kallëzuar për herë të dytë në SPAK ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe AKBN-në për mosveprime në lidhje me këtë çështje.

Por pavarësisht disa çështjeve dhe kallëzimeve të ngritura ndër vite nga banorët, aktualisht aktiviteti i shfrytëzimit të guroreve vijon në Postribë. Banorët shprehen të vendosur për të mos e ndalur betejën, sidomos pas dritës jeshile që morën më 21 prill nga vendimi i Gjykatës Administrative.

Lexo gjithashtu:

The post Fitore për banorët e Postribës: Gjykata rrëzon lejen për guroret appeared first on Citizens.al.

Nga BE te Ballkani: Dhuna ndaj grave nuk raportohet sa duhet

21 April 2026 at 17:03

Thuajse një në çdo tre gra në Bashkimin Evropian përjeton dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës, ndërsa dhuna psikologjike dhe ajo digjitale po shfaqin rritje të ndjeshme. Këto janë gjetjet kryesore të “Anketës së BE-së për dhunën me bazë gjinore” (EU-GBV), një nga studimet më të mëdha në këtë fushë, që u prezantua sot në Tiranë.

Studimi, i realizuar nga Eurostat, Instituti Evropian për Barazi Gjinore (EIGE) dhe Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore, përfshin mbi 114 mijë gra të intervistuara në 27 vende të BE-së. Ai konfirmon se dhuna ndaj grave mbetet një fenomen i përhapur, por që nën-raportimi në organet ligj-zbatuese vazhdon të jetë një nga problemet kryesore, duke e bërë atë më pak të dukshëm në statistika.

Sipas të dhënave, rreth 30% e grave kanë përjetuar dhunë psikologjike nga partneri, përfshirë fyerje, kontroll, kërcënime dhe izolim social. Dhuna nga partneri rezulton shpesh e përsëritur, me mbi 50% të rasteve të dhunës fizike që ndodhin më shumë se një herë. Ndërkohë, 6.9% e grave raportojnë përdhunim nga partneri dhe më shumë se gjysma pësojnë lëndime fizike.

Studimi evidenton gjithashtu rritjen e dhunës në hapësirat digjitale ku rreth 7% e grave kanë përjetuar ngacmim seksual online në vendin e punës dhe 11.7% jashtë tij, ndërsa 8.5% kanë qenë viktima të përndjekjes online.

Cristina Fabre, udhëheqëse e ekipit për dhunën me bazë gjinore në EIGE, theksoi për Citizens.al se nivelet më të ulëta të raportimit në disa vende nuk përfaqësojnë domosdoshmërish më pak dhunë, por shpesh tregojnë mungesë besimi tek institucionet dhe fakti nse vendet me barazi më të lartë gjinore, si Finlanda apo Suedia, shënojnë edhe më shumë raste të regjistruara të dhunës, për shkak të raportimeve më të larta.

“Sa më shumë barazi gjinore ka një vend, aq më shumë raste të dhunës me bazë gjinore regjistrohen”, u shpreh ajo.

Shqipëria jashtë raportit

Shqipëria nuk është përfshirë në këtë raport për shkak të mungesës së të dhënave të harmonizuara me metodologjinë e Eurostat-it. Sipas Fabre, institucionet shqiptare kanë shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar, ndërsa pritet një koordinim me INSTAT-in për të mundësuar përfshirjen në të ardhmen.

Ajo e cilësoi situatën në Shqipëri si të përzier, por shqetësuese, me nivele relativisht të larta të dhunës nga partneri intim dhe përhapje të konsiderueshme të dhunës psikologjike.

“Dhuna online po rritet, sidomos ndaj grave aktive në jetën publike. Megjithatë, krahasimet duhen parë me kujdes për shkak të mungesës së të dhënave të plota dhe nën-raportimit”, shtoi ajo.

Lidhur me Ligjin për Barazinë Gjinore, Fabre theksoi se ky zhvillim është i rëndësishëm në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Është ende herët për të parë rezultatet e këtij ligji, pasi sapo është miratuar dhe duhet parë si do të zbatohet, kush do ta monitorojë dhe si. Por është shumë e rëndësishme që ky ligj ekziston”, u shpreh ajo.

Në përmbyllje, Fabre theksoi se retorikat anti-gjinore po rriten në shumë vende, veçanërisht nga grupe të së djathtës ekstreme, dhe se është e rëndësishme që institucionet dhe mediat të forcojnë mekanizmat e informimit të saktë dhe të sfidojnë dezinformimin.

Fabre paralajmëroi gjithashtu rritjen e dhunës online, veçanërisht ndaj grave aktive në jetën publike, duke theksuar se mungesa e të dhënave të plota dhe nënraportimi e bëjnë të vështirë një vlerësim të saktë.

Të dhënat krahasuese për rajonin tregojnë dallime të theksuara në raportimin e dhunës. Në Kosovë raportohen nivele më të ulëta, të lidhura kryesisht me nën-raportimin. Në Mal të Zi, rreth 29% e grave kërkojnë ndihmë nga persona të afërt, ndërsa në Serbi ky tregues kalon 70%, me rreth 25% të grave që i drejtohen policisë.

Këto dallime tregojnë se përveç përhapjes së dhunës, ndryshon edhe niveli i besimit tek institucionet dhe mënyra e reagimit ndaj saj.

Shqyrto dokumentarët e Citizens.al për këtë çështje:

The post Nga BE te Ballkani: Dhuna ndaj grave nuk raportohet sa duhet appeared first on Citizens.al.

Siguria në letër, rreziku realitet: Rasti i kompleksit “Farmacia 10”

20 April 2026 at 16:40

Pas flakëve që shkrumbuan një pallat në kompleksin “Farmacia 10” në rrugën e Dibrës, debati publik u zhvendos këtë fundjavë nga shkaqet te përgjegjësia dhe boshllëqet ligjore që i lanë vendin përshkallëzimit të situatës.

Por, duke marrë përsipër udhëheqjen e këtij debati dhe aspak përgjegjësitë, Kryeministri Edi Rama e minimizoi lidhjen me ndërtimin duke sulmuar edhe zërat që nxorën në pah shkeljet e mundshme. Në qendër të çështjes mbetet sistemi i paqartë i sigurisë, ku ndërtuesi, shteti dhe kuadri ligjor lënë shteg për interpretime.

Në podcastin personal, të cilin e përcjell në rrjetet sociale çdo fundjavë, Rama i cilësoi me përçmim si “gjithollogë” komentuesit që ishin shprehur me kritika ndaj sistemit rregullator, mungesës së kontrolleve dhe protokolleve të sigurisë.

“Fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, nga një nisje zjarri që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin,” u shpreh Rama.

“Me sa është parë, ndërtimi i kishte të gjitha materialet e certifikuara dhe vinin nga importi, kështu që nuk dua të zgjatem më shumë në këtë pikë,” vijoi ai duke vendosur dukshëm në trysni versionin zyrtar të çështjes.

Edhe pse nën rreshta Rama pranoi se “kjo është një arsye për të parë dhe kuptuar se çfarë lidhet me cilësinë dhe materialet”, ai e kaloi këtë rast duke shkarkuar përgjegjësinë si ligjvënës dhe kryetar qeverie te “vullneti i mirë” i ndërtuesit që, sipas Ramës, ka dalë garant për ta meremetuar pallatin.

Për këtë qasje reagimet ishin të shumta ku nuk munguan kritika as nga opozita.

“Më tregoni një shtet demokratik ku kryeministri flet në emër të ndërtuesit të pallatit,” u shpreh përmes një postimi në rrjetet sociale Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.

“Kryeministri si gjykatës i çështjes”

Më 15 prill, kompania “Arlis”, me një reagim zyrtar në rrjetet sociale, tha se nuk mbante përgjegjësi ligjore, por që, pavarësisht kësaj, “në kuadër të përgjegjësisë sociale” do të merrte përsipër rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar.

Pas tërmetit të vitit 2019, ku shumë ndërtesa u dëmtuan dhe barra e riparimeve apo rindërtimit të tyre i ra shtetit, qeveria e Kryeministrit Rama doli me një vendim, sipas së cilit çdo ndërtues detyrohej që ta sigurojë objektin që ndërton me një prim sigurimi prej 10 vitesh.

Sigurimi kapte vlerën e rreth 1% të vlerës së pronës, por nga një shqyrtim i Citizens.al rezultoi se ai përfshinte kryesisht pasojat që vijnë nga tërmetet për dëmet që vijnë nga defektet e ndërtimit, por nuk përbënte sigurim të drejtpërdrejtë të pronës për banorët dhe nuk mbulon zjarret apo fatkeqësi natyrore në mungesë të fajit të ndërtuesit.

Pikërisht, sikundër në rastin pas tërmetit, ekspertët sugjerojnë se qeveria e Kryeministrit Edi Rama mund të nxirrte një VKM të re për ta reflektuar këtë realitet tjetër rreziqesh, duke detyruar që brenda primit prej 1% të vlerës së pronës të sigurohej edhe rreziku nga zjarret. Kjo mund të ishte një qasje më serioze dhe në krah të qytetarëve, sesa pozicioni që aktualisht zgjodhi të mbajë kryeministri.

Citizen iu drejtua me një koment kompanisë “Arlis” për të kuptuar nëse pallati ka qenë i siguruar apo jo, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi kompania nuk u përgjigj.

Edhe pse realiteti tregoi se për pak minuta fasada shpërndau flakën shumë shpejt, vetë kompania ndërtuese mohon të ketë pasur në përbërje materiale djegëse apo që ndihmuan në përshkallëzimin e situatës.

Në lidhje me përgjegjësinë, “Arlis” në një reagim të dytë theksoi se ka qenë kusht kontraktual që nënkontraktori i punimeve të fasadës, të garantojë përdorimin e materialeve rezistente ndaj zjarrit, si dhe një garanci 25-vjeçare të saj. Por ekspertët e ndërtimit flasin ndryshe për faktet.

Ervin Mici, inxhinier i mbrojtjes nga zjarri, tha për Citizens se thuajse të gjitha godinat në Shqipëri kanë materiale të djegshme (kombustibël), “në një formë ose në një tjetër”.

“Soletat në Shqipëri janë të gjitha me polistiren, që janë mina me sahat dhe të gjithë flasin me epitete, por nuk funksionon ashtu…” vijoi ai.

Sipas Micit, Shqipërisë i duhet një legjislacion i përshtatshëm dhe “jo-ambig”, sepse sot nuk ka një përgjegjës të qartë për këtë situatë përveç Kuvendit, i cili “nuk i ka bërë ligjet siç duhet”.

“Kryeministri nuk është gjykatës, patjetër që ai mund ta bëjë [rindërtimin e pallatit] duke detyruar në formë jo-ligjore ndërtuesin, por nga ana ligjore nuk mund ta detyrosh ndërtuesin ta bëjë vetë pa pasur rezultat hetimor apo vendim për përgjegjësitë,” përmbylli Mici.

Banorëve u sigurohet bonus qiraje

Në podkastin e tij, Kryeministri Rama konfirmoi se banorëve do t’u sigurohet bonus qiraje nga Bashkia Tiranë, për aq kohë sa do të zgjasë rindërtimi i godinës.

“Besoj se nuk do të marrë shumë kohë, sepse karabinaja është aty,” tha Rama, i cili nënkuptoi edhe instrumente të tjera përkrahje nga bashkia.

“Do të kenë një bonus qiraje dhe mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e banesave të tyre”.

Por vetë banorët kanë bërë publike një letër me kërkesa të tjera, përveç bonusit të qirasë.

Ata kërkojnë verifikim të pavarur teknik për sigurinë e materialeve të përdorura, sidomos të fasadës, dhe zëvendësimin e çdo materiali të rrezikshëm me materiale të certifikuara, sipas standardeve europiane.

Gjithashtu kërkojnë kontroll të plotë të sistemit kundër zjarrit, përfshirë alarmet, pajisjet e fikjes dhe rrugët e evakuimit, si dhe vendosjen në funksion të hidrantëve dhe fikëseve të zjarrit.

Ata kanë kërkuar gjithashtu dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara, rikthimin e apartamenteve në gjendjen e mëparshme.

Pallati 12-katësh i kompleksit “Farmacia 10” u dogj pasditen e 14 prillit duke shkrumbuar dhjetëra apartamente. Njëmbëdhjetë persona u dërguan me urgjencë në spital, fatmirësisht pa pasoja për jetën. Flakët u vunë nën kontroll vetëm pas ndërhyrjes me helikopterë, ndërsa një ditë më pas policia arrestoi katër persona dhe katër të tjerë i vuri nën hetim për shkelje të rregullave të sigurisë në punë dhe shkatërrim prone nga pakujdesia.

Mes të arrestuarve ishin administratori i kompleksit, menaxherja e një marketi në katin e parë të godinës nga ku dyshohet se nisi zjarri, inxhinieri drejtues i punimeve dhe administratori i kompanisë që ka realizuar fasadën. Ndërkohë, janë nisur hetime edhe ndaj pronarit të kompleksit, ndërtuesit dhe punonjësve të marketit.

Lexoni gjithashtu:

The post Siguria në letër, rreziku realitet: Rasti i kompleksit “Farmacia 10” appeared first on Citizens.al.

Dy ditë pritje dhe kaos, transporti urban kthehet në normalitet

16 April 2026 at 14:32

Situata kaotike e ditëve të fundit në stacionet e urbanëve duket se do të marrë fund këtë të enjte, pasi flota e autobusëve do të rikthehet plotësisht në funksion.

Lajmin e pohoi për Citizens.al, Dashnor Memaj, kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban. Vendimi erdhi pas arritjes së një dakordësie me ministrinë e Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Bashkinë Tiranë.

“Do të subvencionohet transporti me 50 lekë për litër. Jemi dakordësuar për tre muajt e ardhshëm dhe më pas do të rishikojmë kushtet,” konfirmoi Memaj.

Memaj theksoi se javën e ardhshme do të zhvillohet një tjetër takim, ku do të diskutohen edhe kërkesa të tjera ekonomike, si TVSH-ja, akciza dhe kategoritë që përfitojnë udhëtim falas.

Kostandin Foni, drejtues i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, tha për Citizens se kjo është një vendimmarrje e shpejtë, në mënyrë që operatorët të mos arrijnë në degradimin e shërbimit.

“Shpresoj që javën që vjen kërkesat e tjera të diskutohen, pasi kjo vlerë është e pamjaftueshme për të operuar,” theksoi ai.

Për dy ditë radhazi, më 15 dhe 16 prill, transporti urban funksionoi me 40% të flotës, për shkak se për këtë sektor nuk ishte miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, pavarësisht kërkesave të përsëritura të operatorëve.

Shoqata theksoi se kjo situatë nuk erdhi për shkak të vullnetit të operatorëve, por si pasojë e mungesës së përkrahjes institucionale në kohë.

Qytetarë të ndryshëm konfirmuan për Citizens se në dy ditët e fundit kanë pritur më shumë se 40 minuta në stacione dhe, së bashku me trafikun, ka qenë e pamundur të kapnin orare të caktuara pune apo angazhime të tjera.

“Erdha në këmbë nga rruga Bardhyl deri te Kinema Agimi, pasi autobusët vinin plot dhe nuk kishte ku të hipje. Eca rreth 30 minuta në këmbë,” tha për Citizens O.D.

Erlindi, një student që po priste në stacion, shpjegoi se ai duhet të marrë dy linja urbane, “Tiranën e Re” dhe “Porcelanin”, për të shkuar në Universitetin Kanadez, që ndodhet në zonën e Porcelanit, por edhe ai e pati të pamundur të arrinte në kohë.

“Urbanët janë të tejmbushur dhe kur vijnë, janë me shumë vonesë,” tha ai.

Në përmbyllje, Kostandin Foni ngriti një tjetër problematikë, që shpreson të adresohet në të ardhmen e afërt. Ai tha për Citizens se për kategoritë që përfitojnë udhëtim falas, asnjë operator, edhe pse e ofron këtë shërbim, nuk është kompensuar ndonjëherë.

“Ligji ekziston që në vitin 2014 për këtë kategori, por kanë munguar aktet nënligjore. Është një ngërç ligjor që duhet ta zgjidhë ministria e Transporteve,” sqaroi ai.

Situata pritet të normalizohet në ditët në vijim, ndërsa qytetarët shpresojnë në një shërbim më të qëndrueshëm dhe pa vonesa. Megjithatë, zgjidhja afatgjatë mbetet e lidhur ngushtë me adresimin e plotë të kërkesave të operatorëve dhe ndërhyrjen e vazhdueshme institucionale.

Lexo gjithashtu:

The post Dy ditë pritje dhe kaos, transporti urban kthehet në normalitet appeared first on Citizens.al.

Zjarri që nxori në pah problemet e ndërtimit në Tiranë

15 April 2026 at 15:46

Një ditë pas zjarrit që përfshiu një pallat 12-katësh në kompleksin “Arlis”, te “Farmacia 10” në rrugën e Dibrës, hetimet kanë prodhuar rezultatet e para: katër persona janë arrestuar dhe katër të tjerë janë vënë nën hetim për shkelje të rregullave të sigurisë në punë dhe shkatërrim prone nga pakujdesia.

Policia njoftoi sot se administratori i kompleksit, menaxherja e një marketi në katin e parë të godinës, inxhinieri drejtues i punimeve dhe administratori i kompanisë që ka realizuar fasadën janë arrestuar. Ndërkohë, janë nisur hetime edhe ndaj pronarit të kompleksit, ndërtuesit dhe punonjësve të marketit.

Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet të ketë nisur në ambientet e pasme të marketit, ku ishin grumbulluar mbeturina dhe nuk ishin marrë masa për largimin e tyre. Po ashtu, administratori i kompleksit dyshohet se nuk kishte kryer kontrollin e funksionalitetit të sistemeve të mbrojtjes nga zjarri.

Bilanci mbetet i rëndë, 11 persona të lënduar dhe dhjetëra familje që tashmë përballen me dëme të konsiderueshme materiale. Por përtej përgjegjësive individuale që po hetohen, dinamika e zjarrit ka ngritur një problem më të thellë, mënyrën se si ndërtohen dhe kontrollohen ndërtesat në Tiranë.

Mungesa e rregullave dhe kontrollit

Edhe pse shkaku fillestar lidhet me një burim të mundshëm aksidental, shpejtësia me të cilën flakët përfshinë fasadën dhe u përhapën vertikalisht ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e strukturës në kompleksin “Arlis” dhe vetë mënyrën se si ndërtohen fasadat e pallateve të reja.

Fasada ishte e veshur me materiale termoizoluese si poliuretani, i përdorur gjerësisht për eficiencë energjie. Ky material nuk është i ndaluar, por në kushte zjarri vepron si përshpejtues i flakëve, duke i shpërndarë ato nga kati në kat.

Ndërkohë, duhet thënë se ngjarja nuk është e izoluar. Pesë vite më parë, fasada e një pallati tjetër në të njëjtin kompleks u përfshi nga flakët gjatë ndërtimit, pa sjellë masa parandaluese të dukshme.

Ekspertët theksojnë se problemi nuk qëndron vetëm te materiali, por te mungesa e një kuadri të qartë ligjor për përdorimin e tij.

Urbanistja Doriana Musai shpjegoi për Citizens.al se materiale të tilla si poliuretani përshpejtojnë përhapjen e flakëve dhe e bëjnë ndërhyrjen e zjarrfikësve shumë të vështirë.

“Ne nuk kemi marrë asnjë masë për ndalimin e materialeve të tilla në fasada. Evropa e ka të kontrolluar se ku mund të përdoren ose i projekton ato në mënyrë që, në rast zjarri, të kenë mundësi të vetë-izolohen,” shpjegoi ajo.

Ervin Mici, inxhinier i mbrojtjes nga zjarri, vlerëson se më shumë se 90% e godinave në Tiranë përmbajnë materiale potencialisht të rrezikshme.

“Mungesa e rregullave dhe kontrollit krijon një situatë ku çdo material mund të përdoret pa kufizim real,” tha ai për Citizens.al duke vënë në diskutim mënyrën se si është ndërtuar në Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit.

Mici shtoi se së fundmi ai dhe ekspertë të tjerë të fushës së ndërtimit kanë qenë pjesë e takimeve të vazhdueshme me Ministrinë e Brendshme për hartimin e një protokolli që synon të rregullojë shumë boshllëqe ekzistuese, një prej të cilave edhe çështjen e klasifikimit të materialeve.

“Akoma nuk e dimë nëse do të jetë ligj, VKM apo udhëzim. Është diçka që ende nuk është vendosur dhe do kohë që të finalizohet,” shtoi ai.

Përgjegjësi individuale apo problem sistemi?

Arrestimet e bëra nga Policia sugjerojnë për një zinxhir të gjerë përgjegjësish, nga menaxhimi i përditshëm i godinës, te ndërtimi dhe projektimi i saj.

Megjithatë, ekspertët argumentojnë se përgjegjësia nuk mund të reduktohet vetëm te individët.

Sipas legjislacionit, çdo ndërtim duhet të ketë projektues dhe supervizor që miratojnë materialet. Në praktikë, sipas Ervin Micit, këto role mbeten formale, ndërsa vendimet reale merren nga investitorët apo ndërtuesit.

“Ne e dimë se në Shqipëri vendimet i merr zakonisht pronari, por ai është administrator, jo drejtues teknik. Është drejtuesi teknik ai që duhet të vendosë, ndërsa supervizori realisht është thjesht teknik në Shqipëri,” vuri në dukje Mici duke nënkuptuar se në këtë mënyrë përgjegjësia nuk adresohet.

Në një reagim publik për ngjarjen, kryeministri Edi Rama deklaroi se pallati i djegur do të rindërtohet nga ndërtuesi, duke theksuar se kjo do të bëhej pavarësisht se shkaku i zjarrit nuk lidhej me të.

Por për ekspertët, kjo qasje nuk adreson problemin thelbësor, standardet e ndërtimit dhe kontrollin mbi materialet, aspekte që duket se nuk janë adresuar prej kohësh nga institucionet që mbeten në diskutim për protokollet e ndërtimit dhe sigurisë nga zjarri.

Ngjarja në kompleksin e “Arlisit” i shtohet një serie incidentesh të ngjashme në Tiranë, përfshirë rastin te i njëjti kompleks në vitin 2021, apo dhe atë në zonën e Parkut të Autobusëve në vitin 2023, që nuk solli ndryshime të dukshme në standarde.

Përsëritja e këtyre rasteve sugjeron një problem strukturor, ku rreziku nuk është përjashtim, por pjesë e modelit të ndërtimit.

Në këtë kontekst, pyetja nuk është më vetëm se kush e shkakton zjarrin, por nëse ky rast do të çojë në ndryshime reale, apo do të mbetet një tjetër episod që mbyllet me përgjegjësi formale dhe pa reformë të mirëfilltë.

Lexoni gjithashtu:

The post Zjarri që nxori në pah problemet e ndërtimit në Tiranë appeared first on Citizens.al.

Deputetë dhe banorë në gjyq: Rasti “Gener 2” ngre shqetësimin për presione

10 April 2026 at 15:41

Më 3 prill, kompania “Gener 2” ka depozituar katër kallëzime penale ndaj deputetëve Agron Shehaj e Erald Kapri, avokatit Ndue Pjetra dhe banorit të Rrjollit, Prekë Molla, të cilët i akuzon për shpifje dhe denigrim.

Lajmi u bë me dije përmes një deklarate për shtyp, e cila u raportua më pas nga televizioni A2 CNN, i cili është nën pronësinë e sipërmarrësit Bashkim Ulaj, njëkohësisht aksioneri kryesor i “Gener 2”.

“Theksojmë qartë se çdo përpjekje për gjobëvënie politike apo ‘mediatike’ do të marrë një përgjigje të vetme dhe të prerë: përballjen me drejtësinë”, thuhej në deklaratën e kompanisë.

Ndërsa “Gener 2” pretendon se fushata ndaj saj “me informacione të pavërteta” i ka dëmtuar imazhin, përfaqësuesit e Partisë Mundësia e konsiderojnë këtë një precedent të rrezikshëm që synon të heshtë jo vetëm aktivistët, por edhe deputetët.

Palët e tjera të kallëzuara, përfshirë avokatin mbrojtës Pjetra dhe protestuesin Molla, vlerësojnë se kjo metodë e përdorur nga “Gener 2” nuk do të funksionojë për t’i ndaluar në kërkimin e së vërtetës.

Konflikti mes banorëve të Rrjollit dhe kompanisë “Gener 2” ka nisur prej më shumë se një viti, pasi kompania ka filluar ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo”. Protestuesit pretendojnë se ndërtimi po kryhet mbi tokat e tyre, të cilat, ata thonë se janë përvetësuar përmes dokumenteve të falsifikuara.

“Shpifja, si instrument ndaj akuzave për korrupsion”

Në një koment për Citizens.al, kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, tha se Bashkim Ulaj gëzon mbështetjen e mazhorancës, jo vetëm për çështjen e Rrjollit, por edhe për projekte të tjera.

Ai kujtoi rastin e tenderit Thumanë-Kashar, ku ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku ka përdorur shprehjen “po i bëjmë nderin e jetës”, në lidhje me dhënien e kontratës për kompaninë “Gener 2”.

Sipas tij, një pjesë e klasës politike është në mbrojtje të Ulajt, çka përforcon dyshimet për një rast tipik, “ku prona e qytetarëve të zakonshëm po përvetësohet nga aktorë me lidhje të forta politike”.

Ai shton se kallëzimet për shpifje përdoren si strategji për të zbehur denoncimet për korrupsion.

“Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste [Taulant Balla], sa herë që flas, më etiketon si shpifës dhe përmend kallëzimet për shpifje. Nuk kanë argument tjetër”, u shpreh Shehaj.

Deputeti Erald Kapri, gjithashtu përfaqësues i Mundësisë, argumentoi se vendosja nën presion e një deputeti për deklaratat publike në ushtrim të detyrës jep një sinjal të qartë për shoqërinë.

“Një veprim i tillë krijon efekt frenues ‘chilling effect’, mbi hapësirën publike: gazetarët, aktivistët dhe qytetarët e zakonshëm mund të vetë-censurohen nga frika e proceseve të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore”, tha ai.

Në përmbyllje, ai theksoi se kallëzimi përputhet me një klimë presioni ndaj zërave kritikë dhe synon të kufizojë opozitën.

“Intimidimin nuk e njohim”

Palët e kallëzuara, avokati i banorëve të Rrjollit, Ndue Pjetra dhe protestuesi Prekë Molla, thanë se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre.

Avokati Pjetra e cilësoi kallëzimin “një autogol” nga ana e kompanisë, pasi sa i përket dyshimeve për falsifikim, pritet që Prokuroria e Shkodrës të kryejë aktin e ekspertimit.

“Janë caktuar dy prokurorë, dy oficerë të policisë gjyqësore dhe tre ekspertë”, shpjegoi ai duke nënkuptuar se nga ky proces pala paditëse do të dalë e humbur.

Prekë Molla, një nga protestuesit më të zëshëm të Rrjollit, u shpreh gjithashtu optimist për rezultatet e ekspertizës.

“S’e kuptoj ku qëndron shpifja, kur kam thënë se dokumentet janë të falsifikuara. Kjo është një e vërtetë që e di e gjithë Shqipëria”, theksoi ai.

Ai shtoi se punimet në terren po vijojnë me ritme të shpejta dhe se qëllimi, sipas tij, ka qenë përfundimi i ndërtimit dhe kalimi në një situatë faktike të atillë që të mos ketë kthime pas në anën juridike pas daljes së rezultateve të hetimeve.

“Punojnë çdo ditë, edhe në festa, për Pashkë, e Bajram, edhe të dielave, punojnë me qëllim që kur të dalin dokumentet, të thonë se ndërtimi ka përfunduar”, përmbylli Molla.

Lexoni gjithashtu:

The post Deputetë dhe banorë në gjyq: Rasti “Gener 2” ngre shqetësimin për presione appeared first on Citizens.al.

Konflikt për distancat e ndërtimit në Durrës

9 April 2026 at 17:21

Banorët e rrugës “Pavarësia”, në zonën e Plazhit në Durrës janë ende në pritje të një topografi, i cili duhet të përcaktojë nëse ndërtuesit e kompanisë “AKM Group” Shpk, po respektojnë distancëm e kantierit me pallatin ku ata jetojnë.

Konflikti midis ndërtuesit dhe banorëve ka nisur në 27 Mars, kur u vendos gardhi rrethues në kantierin e ndërtimit, ku pritet të ngrihet një pallat nëntëkatësh.

Shembja e murit ndarës

Banorët shprehen se pallati i tyre ka pasur goxha dëmtime nga tërmeti i 2019 siguria e shtëpive mund të rrezikohet nëse cenohen themelet nga gërmimi.

Më 31 Mars, kur Citizens ishte për herë të parë në terren, një mur e ndante kantierin e ndërtimit nga rruga që sipas banorëve, është pronë vetëm në shërbim të pallatit ekzistues dhe nuk është rrugë qarkullimi, pasi mbyllet me hekurudhën. Ata u shprehën se ndërtuesi fillimisht premtoi se nuk do të shembte murin ndarës.

“Ata zotërinjtë, erdhën këtu, na thanë që muri nuk do prishet, avllia nuk do preket me dorë. Ata na ruajtën dje, kur nuk kishte asnjë këtu, e shkatërruan” – tregon Floresha Vehapi. Sapo banorët konstatuan se po prishej muri, njoftuan Policinë dhe një pjesë e këtij muri ka mbetur e pashembur.

Avokatja Edlira Peku, njëkohësisht dhe banore e pallatit ekzistues shpjegon për Citizens se në mënyrë të kundërligjshme është shkelur prona e tyre. Ndërsa Agjencia e Zhvillimit të Territorit konfirmon për Citizens se rruga i takon në pronësi shtetit.

“Nga verifikimi i fragmentit të hartës kadastrale, kufitare nga ana lindore me pronën 45/10, ZK 8518 është pasuria me Nr. 47/66, ZK 8518, e llojit “Rrugë”, me pronar Republika e Shqipërisë” – citon AZHT.

Peku pretendon se AZHT-ja i referohet një prone tjetër dhe pasuria 47/66 sipas portalit “ASIG” (i cili paraqet të dhëna gjeohapësinore) nuk është rruga për të cilën diskutohet, por një pjesë tokësore te blloku gjelbër në Iliria (fizikisht përballë pallatit ekzistues të banorëve, por nga ana tjetër e rrugës).

Peku i tha Citizens se do të ndërmarrë një kallëzim penal ndaj AZHT-së për këtë adresim të gabuar të pasurive.

“Mosrespektimi i distancave vë në rrezik jetën e banorëve të pallatit, i cili ka 135 apartamente. Gjithashtu, në mënyrë të kundërligjshme po tentohet të merret hapësira e përbashkët e të gjithë banorëve. Kjo përbën një shkelje të rëndë të ligjit dhe nuk duhet të lejohet nga institucionet” – përmbylli Peku.

Në pritje të topografit

Më 8 Prill, banorët ishin që në orën tetë të mëngjesit në pritje të forcave policore dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT-së) Durrës, për të mësuar nëse prishja e murit dhe distancat ishin konform me lejen e ndërtimit, nga ku godina e re duhet të jetë 4.6 metra larg.

Leja e ndërtimit për objektin e ri është dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) më 25 qershor 2025. Ai po zhvillohet nga kompanitë “AKM Group” dhe “Bega-07” sh.p.k.

Citizens komunikoi me një nga ndërtuesit, pjesë e familjes Muçobega, të cilët thanë se godina e re do ta zbatojë këtë distancë dhe se nuk do ta cenojnë rrugën ekzistuese, madje do shtojnë dhe pjesë të gjelbëruar lulishteje. Ndërsa banorët nga ana tjetër u shprehën se ai jo vetëm nuk po respekton distancat por do të ketë hyrje të garazheve aty ku sot ata kalojnë lirshëm për të hyrë në pallatin ekzistues.

“Tek muri i prishur do vendos pilota nga 8 metra të thella për sigurinë e banorëve, sepse jam i pari që interesohem për këtë çështje” – tha përfaqësuesi i ndërtuesve.

Punonjësit e IMT-së të cilët mbërritën në terren rreth orës 11:30 thanë se nuk mund ta vlerësojnë me sy të lirë distancën dhe thirrën një topograf të bashkisë Durrës për matjet. Edhe pse ka kaluar më shumë se 24 orë, topografi ende nuk është paraqitur.

“Ne këtë shtëpi e kemi blerë me gjak trupi. Me pension jetojmë këtu, nuk jetojmë me drogë dhe pisllëqe” – u shpreh e revoltuar banorja Floresha Vehapi.

Banorët tregojnë se kanë tentuar disa herë të bisedojnë me ndërtuesin për të gjetur një rrugë të përbashkët, por jo vetëm që nuk kanë gjetur zgjidhje por dhe kanë përfunduar në komisariat policie.

Situata mbetet e paqartë deri në përfundimin e verifikimeve zyrtare dhe matjeve në terren nga autoritetet përkatëse. Ndërkohë, banorët shprehen të vendosur për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Lexoni gjithashtu:

“Rrezikon pallatin tonë”, banorët në Durrës kundër projektit të ri 9-katësh

The post Konflikt për distancat e ndërtimit në Durrës appeared first on Citizens.al.

Kriza në bujqësi, fermerët protestojnë: “Nuk duam të emigrojmë!”

7 April 2026 at 16:02

Të revoltuar nga mungesa e një skeme reale të mbështetjes për sektorin e tyre, fermerë dhe blegtorë nga i gjithë vendi protestuan sot përpara Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Njoftoj të gjithë bashkëvuajtësit që të protestojmë për situatën që kemi aktualisht në blegtori, që të marrin pjesë për punën që kanë ngritur me aq mund dhe për familjet e tyre,” shkruante në rrjetet sociale fermeri Dashamir Çela, duke paraprirë protestën.

“Bojkotoni ushqimin serb!”, “Formalizoni tregun e bulmetit!”, “Nuk duam të emigrojmë!” ishin disa nga pankartat që mbanin protestuesit në duar. Sapo u mblodhën përpara ministrisë, ata kërkuan që ministri Andis Salla të zbriste për një takim me ta.

Salla iu përgjigj pozitivisht, ngjashëm si dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, të cilët kërkuan një takim me një grup përfaqësues prej dhjetë personash.

Syria Metushi tha për Citizens se fermerët nuk mund të trajtohen më si një kategori e paarsimuar, të cilëve u thuhet se nuk dinë as si të aplikojnë për skema mbështetjeje.

“Javën që shkoi isha në Itali dhe nafta për bujqësinë ishte 70 cent, ndërsa këtu është 230 lekë. Me çfarë do paguajmë më ne?” u shpreh i revoltuar ai.

Blegtori Elton Ndoni theksoi se pritja për skemën e bujqësisë tashmë është bërë e përvitshme dhe është humbur besimi se ajo mund të realizohet edhe për këtë sezon.

Ndërsa fermerët pensionistë u shprehën se e kanë të pamundur të vazhdojnë aktivitetin, pasi fitimet e tyre janë thuajse zero për shkak të çmimeve aktuale në vend.

“Ka qenë 80 lekë, tani ka rënë në 50 lekë litri i qumështit. Nafta është rritur shumë. Pensionet janë shumë të ulëta. Çfarë pensioni kam? 170 mijë lekë marr,” tha Shefqet Gjura për Citizens.

Në fund të takimit me përfaqësues të institucioneve, fermerët u shprehën se Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave kanë premtuar se do të rishikojnë një pjesë të kërkesave për subvencione.

“Të shohim nëse do të vlerësohen për krerë apo për litër, që të jemi në përputhje me direktivat e BE-së,” tha pas takimit Klajdi Myzaferaj.

Gjithashtu, ai shtoi se është diskutuar që produkteve të qumështit dhe nënprodukteve të tij t’u vendoset etiketë dhe të specifikohet nëse janë vendase apo të importuara.

“Folëm edhe për rivendosjen e taksave për vajin e palmës, hirrën e djathit dhe qumështin pluhur,” përmbylli fermeri Myzaferaj.

Fermerët theksuan se, nëse këto premtime do të mbeten vetëm në letër, do të përshkallëzojnë protestën dhe herën tjetër do të nxjerrin bagëtitë përpara ministrive.

Lexoni gjithashtu:

The post Kriza në bujqësi, fermerët protestojnë: “Nuk duam të emigrojmë!” appeared first on Citizens.al.

“Rrezikon pallatin tonë”, banorët në Durrës kundër projektit të ri 9-katësh

31 March 2026 at 16:15

Në zonën e Ilirisë, në rrugën “Pavarësia” pranë plazhit në Durrës, ndërtimi i një pallati 9-katësh ka sjellë shqetësim për dhjetëra familje të cilat jetojnë në pallatin pranë. Banorët kontaktuan redaksinë tonë të Citizens.al për të referuar ankesat e tyre.

Banorët pretendojnë se projekti i ri nuk po respekton distancat sipas parametrave ligjorë, dhe rrezikon sigurinë e themeleve të pallatit të tyre.

Leja e ndërtimit për objektin e ri është dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) më 25 qershor 2025. Ai po zhvillohet nga kompanitë “AKM Group” dhe “Bega-07” sh.p.k.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me përdorimin e një hapësire që, sipas banorëve, është pronë private në shërbim të pallatit ekzistues, por që në dokumentacion është paraqitur si “rrugicë ekzistuese”.

Ata e konsiderojnë këtë si një manipulim për të shmangur kufizimet ligjore dhe për të justifikuar ndërtimin, duke theksuar se kjo hapësirë përdoret realisht nga banorët dhe nuk mund të trajtohet si rrugë publike.

Në ankesë përmendet gjithashtu se ka pasur ndërhyrje fizike në terren, përfshirë tentativën për prishjen e një muri ndarës mes pronave, çka ka sjellë përfshirjen e policisë dhe kërkesën për ndërhyrje nga Inspektorati i Ndërtimit.

“Me qëllim që të ruajmë jetën, shëndetin, pasurinë, nga veprimet e kundërligjshme që na cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duhet të shfuqizohet vendimi nr. 26, i qershorit të 2025 nga KKTU, pasi vjen në kundërshtim me ligjin,” citohet në një letër që banorët i kanë dërguar KKTU-së dhe Këshillit të Ministrave.

Një nga banorët, Agim Lisha, tha se kishte punuar për pallatin ku banon aktualisht dhe i frikësohej sigurisë së themeleve të tij.

“Është pllakë, nuk është me blinda. D.m.th. këtu as nuk ka hekura mbrojtës pallati anash. Veç është nxjerrë betoni dhe kanë filluar kolonat. Në qoftë se ky lloj pallati gërmohet në mënyrë të paligjshme anash, pallati në krah shembet,” tha Lisha për Citizens.

Pronarët e tokës i thanë gazetarëve të Citizens se ata nuk kishin lidhje me mënyrën sesi po zhvillohej projekti dhe se për ta sqaruar më mirë situatën sugjeruan që të kontaktoheshin ndërtuesit.

Nga kompania na u tha se shembja e murit ndarës dhe rrethimi i kantierit ishte sipas vendimit për lejen.

“Jemi 12 metra larg nga objekti dhe në përputhje me lejen e ndërtimit që kemi marrë,” u shprehën ndërtuesit duke hedhur poshtë pretendimet e banorëve.

Megjithatë, banorët, të cilët më 30 mars ishin në zyrat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Durrës, për të paraqitur ankesat e tyre, thanë se ata kishin marrë një sugjerim verbal nga punonjësit e këtij inspektorati që në rast se kompania do të vepronte mbi murin ndarës të viheshin në dijeni dhe të njoftohej edhe policia.

Citizens i është drejtuar për koment IKMT-së dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit në lidhje me këtë situatë të paqartë dhe shqetësuese për banorët e rrugës “Pavarësia” dhe nëse do të ketë rishikime për lejen e dhënë.

Lexoni gjithashtu:

The post “Rrezikon pallatin tonë”, banorët në Durrës kundër projektit të ri 9-katësh appeared first on Citizens.al.

Dhuna e padokumentuar ndaj grave Lesbike, Biseksuale dhe “Queer”

26 March 2026 at 16:34

“Institucionet nuk kanë të dhëna për dhunën dhe abuzimet që përjetojnë gratë LBQ (lezbike, biseksuale dhe queer), sepse shpesh nuk i mbledhin ato. Nëse nuk i dokumentojmë rastet, atëherë ato nuk ekzistojnë dhe ligjvënësit nuk kanë pse t’i marrin parasysh,” – u shpreh Elena Petrovska gjatë një takimi në Tiranë.

Ajo ka punuar mbi raportin “Analizë mbi barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës ndaj grave (LBQ)”, një studim që trajton sfidat kryesore me të cilat përballen këto gra në rajon.

Mbi këtë studim u mbajt një takim më 26 mars, në ambientet e Europe House Tirana, ku morën pjesë aktivistë, përfaqësues të organizatave, qytetarë të interesuar dhe institucione shtetërore si Avokati i Popullit.

Elena Petrovska theksoi se dhuna që përjetojnë gratë dhe vajzat LBQ shpesh minimizohet ose trefishohet në institucionet ku ato kërkojnë ndihmë, si spitale, polici e të tjera.

“Sa herë që ju përballeni me një punonjës policie indiferent apo paragjykues, apo me qendra shëndetësore ku mjekët dhe infermierët e trajtojnë problemin si çështje personale dhe jo si problem të gjithë shoqërisë, unë ju inkurajoj që ta denonconi këtë tek institucioni i Avokatit të Popullit,” – tha Endri Shabani gjatë fjalës së tij.

Aktivistja Xheni Karaj rikujtoi sulmet e shumta, si nga faktorë politikë ashtu edhe jopolitikë, gjatë periudhës së lobimit për miratimin e ligjit të barazisë gjinore.

“Regjimet po bëhen gjithnjë e më shumë totalitare dhe ne dimë që në momentin që ato bëhen më autoritare tkurren të drejtat e njeriut; zakonisht, të drejtat e grupeve më vulnerabël janë më në rrezik,” – nënvizoi ajo.

Petrovska përmbledh se situata më e rënduar në këtë aspekt paraqitet në Serbi, për shkak të forcimit të institucionit fetar, ndërsa situata më optimiste paraqitet në Kosovë. Kjo lidhet me kushtetutën, e cila është më e re në raport me vendet e tjera të rajonit.

Rasti i Shqipërisë

Rreth 60% e grave LBQ kanë përjetuar dhunë gjatë jetës së tyre, ndërsa 36.6% e tyre janë aktualisht të prekura nga dhuna. Këto janë përfundimet e 300 anketave të plotësuara në Shqipëri, si pjesë e një vëzhgimi që ka kryer Aleanca LGBT.

Dean Nini, avokate e të drejtave të njeriut, shpjegon se mungon analiza e të dhënave të disagreguara, jo vetëm për gratë LBQ, por edhe për kategori të tjera të margjinalizuara, si gratë rome dhe egjiptiane, etj. Sipas saj, në praktikën e institucioneve publike është e dukshme fakti që institucionet nuk kanë kulturën e mbledhjes së të dhënave të ndara për gratë që vijnë nga kontekste të ndryshme kulturore e sociale.

“Ne duhet të përdorim praktikat më të mira në fushën e të drejtave të njeriut për të mbledhur të dhëna të disagreguara për secilën kategori, në mënyrë që të hartojmë politikat dhe ligjet tona në të ardhmen sipas nevojave dhe eksperiencës së jetuar të grave. Kjo është një risë e ligjit për barazinë gjinore, sepse vendos mbledhjen e të dhënave me bazë gjinore,” – shpjegon Dean Nini.

Sipas të dhënave, 90% e personave LGBTI+ nuk e raportojnë dhunën dhe diskriminimin. 88% e të anketuarve shprehen se nuk kanë besim te institucionet shtetërore dhe preferojnë të raportojnë dhunën më thjesht në organizatat e shoqërisë civile.

Por sfida më e madhe për këtë grup është edhe mosnjohja ligjore dhe barrierat që hasin në shërbime. 35% e kampionit nuk mendon se ka akses të plotë në shërbime shëndetësore. 14% e grave LBQ kanë përjetuar diskriminim nga personeli shëndetësor, dhe vetëm 19% e grave lezbike dhe biseksuale vizitojnë gjinekologun.

Në përfundim të takimit, aktivisti Blin Sali theksoi se sfidat në arsimin për qytetarët LGBTQI në Shqipëri nuk janë fenomene sporadike apo individuale, por pasojë e ndërthurjes së faktorëve strukturorë, të cilët veprojnë në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë trajektores së nxënies. E si rrjedhojë zinxhir, mungesa e arsimit kufizon aksesin në tregun formal të punës, rrit rrezikun e varfërisë dhe përkeqëson mirëqenien psikologjike.

Lexoni gjithashtu:

Barazia gjinore në Ballkan: Progres i ngadalshëm mes dezinformimit dhe dogmës fetare

Pse nuk mund të ketë referendum për ligjin e barazisë gjinore?

The post Dhuna e padokumentuar ndaj grave Lesbike, Biseksuale dhe “Queer” appeared first on Citizens.al.

Transporti urban në Tiranë drejt reduktimit 30%, për shkak të rritjes së çmimit të karburantit

25 March 2026 at 14:23

Që nga 30 marsi, transporti urban pritet të reduktojë me 30% shërbimin e ofruar për qytetarët në Tiranë. Kjo vjen si pasojë e rritjes së vazhdueshme të çmimit të karburantit dhe ndikimit të drejtpërdrejtë në kostot e operimit.

“Rritja e çmimit të naftës nga 145 lekë/litër para krizave të fundit në rreth 214 lekë/litër, pra një rritje prej afërsisht 70 lekë për litër, ka sjellë një shtim të konsiderueshëm të shpenzimeve operative”, citohet në deklaratën e bërë publike nga Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban dhe Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas.

Shoqatat kërkojnë nga institucionet ndërhyrje të menjëhershme përmes disa masave konkrete. Ato theksojnë nevojën për rishikimin e barrës fiskale mbi karburantin, veçanërisht në drejtim të akcizës dhe taksës së qarkullimit, si dhe kërkojnë hartimin e një politike të veçantë për sektorin e transportit publik, që do të përfshinte edhe heqjen e TVSH-së.

Po ashtu, kërkohet vendosja e mekanizmave subvencionues ose kompensues, me qëllim garantimin e vijueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimit për qytetarët.

“Operatorët nuk synojnë reduktimin e shërbimit apo rritjen e çmimit të biletës, por vijueshmërinë dhe cilësinë e tij. Në kushtet aktuale, kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë pa mbështetje institucionale”, thuhet në deklaratë.

I kontaktuar nga Citizens.al, Dashnor Memaj tha se pas deklaratës publike, shoqatat janë në pritje të një takimi me Bashkinë e Tiranës për të gjetur forma të përbashkëta zgjidhjeje.

“Nuk po kërkojmë diçka të pabëshme, por diçka që vendet e rajonit e kanë bërë tashmë. Rritja e çmimit të karburantit është një krizë që prek drejtpërdrejt transportin publik”, vijoi Memaj.

Memaj kujton raste të ngjashme kur situata është menaxhuar mirë nga institucionet shtetërore, si për shembull në vitin 2022, kur për shkak të luftës në Ukrainë, shteti subvencionoi transportin publik për gjashtë muaj.

Kostandin Foni, drejtues i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, shpjegon se nëse institucionet përgjegjëse nuk marrin masa dhe nuk reagojnë gjatë kësaj jave, ulja e numrit të mjeteve do të jetë e pashmangshme.

“Jo se operatorët nuk duan të ofrojnë shërbim për qytetarët… Shteti duhet të ndërhyjë, qoftë përmes qeverisjes vendore apo asaj qendrore, ose duke ndryshuar çmimin e transportit, ose duke kompensuar vlerën e shtuar të karburantit”, përmbylli Foni.

Situata mbetet e paqartë dhe në pritje të vendimeve institucionale që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në vijueshmërinë e shërbimit.

Zgjidhja e shpejtë e këtij ngërçi konsiderohet thelbësore për të shmangur ndërprerjet dhe për të garantuar transportin publik për qytetarët.

Lexo gjithashtu:

The post Transporti urban në Tiranë drejt reduktimit 30%, për shkak të rritjes së çmimit të karburantit appeared first on Citizens.al.

Artistët në Universitetin e Arteve pa status: S’u njihen titujt, paralajmërohet bojkot

23 March 2026 at 18:41

Pedagogët e Universitetit të Arteve janë në prag bojkoti, duke denoncuar mosnjohjen e titujve dhe statusit të tyre akademik, pavarësisht një vendimi qeveritar që e parashikon këtë njohje mbi bazën e kontributit profesional. Artistët e shohin këtë jo vetëm si problem formal, por prek drejtpërdrejt karrierën, pagesat dhe funksionimin e vetë universitetit.

Tenori me famë botërore Josif Gjipali, i njohur për interpretimet në skena ndërkombëtare nga La Scala deri në Pekin, nuk gëzon statusin e pedagogut në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Arsyeja lidhet pikërisht me moszbatimin e një Vendimi të Këshillit të Ministrave që parashikon njohjen e titujve mbi bazën e meritës dhe kontributit artistik.

Vendimi i miratuar në mars 2021 synonte të përfshinte në mësimdhënie figura me karrierë të spikatur, edhe pa ndjekur domosdoshmërisht rrugën e zakonshme akademike. Ai parashikonte që këta profesionistë të vlerësoheshin nga komisione përkatëse dhe të miratoheshin më pas nga Senati Akademik, duke krijuar një urë mes praktikës artistike dhe sistemit universitar.

Megjithatë, sipas pedagogëve, kjo skemë nuk po zbatohet. Për pasojë, dhjetëra artistë me emër dhe kontribute të çmuara mbeten në pozicione të ulëta akademike, pa njohje të plotë të kontributit të tyre dhe pa përfitime të denja financiare.

“Duke e lënë mënjanë modestinë, por me gjithë atë karrierë që kam unë dhe të jem asistent-lektor, nuk arrij ta kuptoj,” shpreh zhgënjimin e tij Gjipali teksa foli për Citizens.

Problematika prek rreth 50 profesionistë nga fusha të ndryshme të artit dhe ata paralajmërojnë bojkot të mësimit nëse kërkesat nuk adresohen.

Sipas tyre, përveç mungesës së njohjes së titujve, situata është përkeqësuar edhe nga kërkesa kontradiktore për doktoraturë, ndonëse vetë Ministria e Arsimit ka sqaruar se për këtë kategori ajo nuk është e detyrueshme.

“Deri më sot jo vetëm që nuk është bërë asgjë, por na është dërguar edhe një email ku thuhet se doktoratura është e domosdoshme. Ndërkohë, ne i kemi kërkuar Ministrisë sqarim dhe vetë ajo na ka konfirmuar se për ne doktoratura dhe titujt nuk janë të detyrueshëm,” shpjegon Gjipali.

Sipas tij, edhe procedura e miratimit të titujve, e përmbyllur në vitin 2024, është shoqëruar me kufizime të reja. Një prej tyre ndalon përfituesit të aplikojnë për pozicione drejtuese si dekan apo drejtor, çka, sipas grupit të pedagogëve, bie ndesh me vetë logjikën e njohjes së meritës.

“Ti më trajton si të veçantë për karrierën e spikatur dhe nuk qenkam unë i zoti të konkurroj për dekan?” vijoi me pyetje retorike tenori Gjipali, sipas të cilit kjo ngjan me një mënyrë për të mbajtur “status-quo”-në.

Përtej statusit formal, çështja ka edhe ndikim ekonomik. Gjipali thotë se pagesat e tyre janë të krahasueshme me ato të arsimit parauniversitar si Liceu Artistik, ndërsa artistë të institucioneve si Teatri i Operës apo Orkestra e Radio-Televizionit përfitojnë paga dukshëm më të larta, megjithëse formohen në këtë universitet.

Kauza është mbështetur edhe nga pedagogë të tjerë të Universitetit të Arteve, përfshirë ata që aktualisht e gëzojnë statusin akademik. Ata paralajmërojnë se moszbatimi i vendimeve po cenon jo vetëm të drejtat individuale, por edhe funksionimin institucional.

“Çdo vendim që merr parlamenti i universitetit, senati, duhet të zbatohet. Nëse ky vendim nuk zbatohet, prishet procesi i titujve, i akreditimit dhe i programeve. Është një emergjencë brenda universitetit,” u shpreh pedagogu dhe kuratori Ardian Isufi.

Çështja është marrë në shqyrtim edhe nga Sindikata e Pedagogëve, e cila kërkon ndërhyrje nga Ministria për të zgjidhur ngërçin. Sipas saj, mungesa e një zgjidhjeje rrezikon të thellojë krizën në promovimin akademik dhe të minojë standardet e sistemit universitar në art.

“Kërkojmë zgjidhjen e ngërçit nga instancat përkatëse për çështjen e promovimit akademik të personelit, qoftë brenda dhe jashtë universitetit, me ndërhyrjen e Ministrisë,” deklaron Sandër Kovaçi, kreu i Sindikatës së Pedagogëve.

The post Artistët në Universitetin e Arteve pa status: S’u njihen titujt, paralajmërohet bojkot appeared first on Citizens.al.

Beteja e Luçiana Kokajt për Rrjollin

19 March 2026 at 14:37

Kur ishte 28 vjeç, Luçiana Kokaj së bashku me bashkëshortin, u zhvendosën në Milano të Italisë. Si pjesa më e madhe e atyre që emigrojnë nga Shqipëria edhe ata “nuk po shihnin më dritë jeshile”.

Por, pas pesë vitesh, ajo është kthyer nga Italia për të mbrojtur tokën e familjes, siç e përshkruan, “për të mos e lënë që ta plaçisin”. Prej 45 ditësh Luçiana është shndërruar në një nga protestueset më mediatike dhe më të zëshme të “Rezistencës së Rrjollit”.

Kjo është një betejë që ajo e shikon si amanet të vjehrrit të saj dhe njëkohësisht si borxh ndaj familjes dhe djalit. Në një intervistë për Citizens.al ajo tregon sesi familja e saj ka luftuar për të nxjerrë dokumentet e pronave në Rrjoll, dhe pikërisht për atë kalvar mundimi ajo thekson se familja e saj nuk ka ndërmend ta braktisë atë, por të vazhdojë deri në fund për të nxjerrë në dritë të drejtën.

Rikthim si aktiviste

Kur e pyes Luçianën se çfarë mban mend nga dita e parë e protestës, ajo shpjegon se ditën e parë që ka protestuar ka qenë jashtë Prokurorisë së Shkodrës dhe më pas i është bashkuar protestave në kantierin e ndërtimit të kompanisë “Gener 2” në Rrjoll.

Luçiana udhëton çdo ditë me makinë rreth 15 minuta nga Velipoja drejt kantierit më të raportuar javëve të fundit.

“Në ’79 ka rënë një tërmet i fuqishëm dhe të gjitha familjet që humbën shtëpinë në Rrjoll, shteti i zhvendosi në Velipojë,” shpjegon Kokaj.

Ndër protestat në të shkuarën ajo ka qenë aktiviste dhe mbështetëse edhe në protestën e armëve kimike, por gjatë emigrimit thotë se u shkëput nga rruga e aktivizmit, duke i dedikuar më shumë kohë dhe energji djalit të saj.

“Në këtë periudhë kohe unë humbas të gjithë ditën nga fëmija im, pasi edhe kur shkoj në shtëpi më duhet të punoj,” tregon programuesja e webeve, që tashmë është aktiviste me kohë të plotë dhe për këtë ndjen faj që nuk ka shumë kohë për familjen.

Momentalisht bashkëshorti, Tur Shullani, për shkak të një urdhri nga Gjykata e Shkodrës nuk mund t’i bashkohet më protestës. Ai rrëfen për Citizens.al se ka Luçianën si “përfaqësi dinjitoze.”

Përveç tij, edhe 14 persona të tjerë kanë urdhër ndalimi për t’iu bashkuar rezistencës në vijim. Por Luçiana thekson se nuk e tremb pjesëmarrja e ulët në protestë, por mosreagimi i institucioneve të drejtësisë.

Ndër momentet e frikës, ajo veçon afrimin disa personave të dyshimtë pranë shtëpisë, që edhe i ka denoncuar, si dhe natën pas përfundimit të emisionit “Opinion” në Tv Klan ku familjet e Rrjollit u përballën me Fatmir Shpellzën, të cilin e akuzojnë se ka tjetërsuar pronat dhe më pas ia ka kaluar kompanisë “Gener 2”.

“Familja e Fatmir Shpellzës na bëri pritë në dalje të Klanit dhe të nesërmen doli dhe tha më sulmuan djalin, ndërkohë ka pamje filmike që djali i tij ka qenë në gjendje shumë të mirë,” tregon ajo versionin e saj për ngjarjen.

Drejtësia, si kauza e duhur

Luçiana më tregon rastin kur një fqinji të saj në një vend evropian iu desh një vit e gjysmë që t’i rishikohej kërkesa për ndërhyrje në çati për shkak se ndalohej ndryshimi i siluetës arkitekturore të fshatit.

“Këtu po bëhet një resort në 1,500 dynym tokë, po kundërshtohet çdo ditë nga banorët dhe institucionet nuk reagojnë,” vijon Luçiana.

Në 45 ditë protesta, ajo është shoqëruar tre herë në komisariat, ku ka qëndruar disa orë. Ndërkohë nga dhuna në protestë është lënduar disa herë, por nuk e ka raportuar.

Kur e pyes Luçianën nëse do rikthehet në Itali pas përfundimit të kësaj çështjeje, apo e gjitha kjo eksperiencë i ka ndryshuar pikëpamjen, ajo thekson se fatkeqësisht ndihet edhe më e zhgënjyer nga vendi i saj dhe të ardhmen e sheh jashtë.

Por ajo përmbledh se kjo eksperiencë ka përforcuar lidhjet e saj me banorët, pasi prej kohësh ata ishin shkëputur nga njëri-tjetri, duke u fokusuar secili te jeta individuale.

“Për të luftuar për drejtësi ia vlen në çdo vend të botës, sidomos në vendin tonë që ka humbur komplet besimi te drejtësia. Duhet të luftojmë shumë fort, sepse në qoftë se sistemohet drejtësia në Shqipëri, do të sistemohen shumë hallka të këtij shteti,” përmbyll Luçiana.

Teksa ikim e pyes nëse pas një viti e sheh resortin “Blu Borgo” drejt përfundimit apo jo, ajo thekson se “duam që prona të zhvillohet, por jo të përjashtohemi ne”.

Lexoni gjithashtu:

The post Beteja e Luçiana Kokajt për Rrjollin appeared first on Citizens.al.

❌
❌