Nga Enver Cakaj
Mos i ngatërrojmë gjërat. Vërtet në kohën e luftës djemtë e nënave nuk njihnin kufi, por ata kishin një synim, që t’i sillnin lirinë e munguar popullit. Dhe nga kjo etje ata lanë jetën nëpër male e beteja. Por ky shembull duke zbatuar e respektuar ligjin. Në këtë sistem ka një kufi, do ti shtrish këmbët deri tek prona jote, se nuk të lejon ligji. Mirëpo në këtë Shqipërinë tonë ndodhin çudira, se sistemin e ri e pranua në për të qenë të lirë për të vrarë e vjedhur ku të duash e cilin të duash. Në një farë mënyre këto vrasje i nxiti edhe ligji i famshëm, që ja mori pronën bujkut dhe ja dha atij qe se kishte.
Në këtë anarshi ndihmua në edhe komisionet e kthimit të pronave, por jo më pak gjykatat, qe edhe me dokumente fallco ja dhanë pronën atij që si takonte. A e dini sa vrasje janë bërë këto vitet e të ashtuquajturës demokraci? Shikoni statujat e ngritura nëpër arat dhe rrugën e qyteteve e fshatrave të vendit. Po përsëriten ato pamje e raste që kemi parë nëpër filma. Vlera e njeriut ka rënë deri në fund të këmbëve. Flamurin e mban viti i mbrapshtë 1997, kur shteti ra dhe populli u armatos të mbronte veten nga më të fortët që ishin mësuar të vidhnin e vrisnin si të ishe zog pule.
Po sa hasmëri krijoi ai vit? Këto vrasje që nuk kanë për të munguar kurrë, po bëjnë e do të bëjnë kërdinë. Në fshatin Kapinovë të Skraparit u vranë tre djem nga një familje dhe një grua që priste të lindte një fëmijë! Dyqind e ca të plagosur, aq sa u hapën spitalet partizane, se nëpër spitale nuk kishte siguri, se vinin hakmarrësit dhe i rrëmbenin e i pushkatonin jashtë spitaleve! Fatkeqësisht shkaktarët e këtyre krimeve na dalin si fitimtarë dhe vetëm drejtësia nuk i shikon! Dikur tokat kanë patur një kufi, që askush nuk e lëvizte se kishte njerëzillëk, po tani na ka ardhur një maskara kohe, që le për kufij të atillë nuk pyesin, po marrin yrysht dhe të rrëmbejnë edhe shtëpinë. Ne kemi një Kuvend që harton e aprovon ligje, që askush të mos cënojë njëri-tjetrin, po kemi dhe struktura që janë të detyruara të kontrollojnë zbatimin e ligjeve.
Mirë që atyre që marrin yrysht se u janë verbuar sytë që shkulin kufijtë e bëhen zotër të pronës së tjetrit, po këto organet që paguhen për zbatimin e ligjeve përse nuk kujtohen për të bërë detyrën. Qëkur na ka ardhur kjo mender demokraci, çdo ditë dëgjojmë lajme makabre: vëllai vrau vëllanë për pronën, qindra të tjerë kanë ndërtuar shtëpi pa lejë! Dhe kur këto shtëpi janë përfunduar na del lajmi se fadromat shkuan të prishin një ndërtim pa lejë. A nuk ka ardhur koha që me këtë apati të organeve shtetërore, që nuk bëjnë detyrën, t’u marrësh shtëpitë e tyre e t’i lësh në çolt, që ta kuptojnë ç’është shtëpia dhe prona?! Edhe policisë së shtetit u lëshohen me gurë e ç’të kenë nëpër duar pse zbatojnë ligjin. Pra, edhe atë që kujtohet të bëjë detyrën, mblidhen si mizat dhe e pengojnë të zbatojë ligjin.
Na bëri përshtypje i vetmi rast, që shprehte respekt për policinë, kur ndërhyri në Theth për të mbrojtur ata që zbatonin me vonesë detyrën për prishjen e objekteve te paligjshme. Ishte një veprim njerëzor, që banorët, edhe pse të irrituar, vajtën u shpunë nga një bidon ujë policëve! Kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri kurrë. Isha një ditë në një fshat të Beratit. Pranë shtëpisë të një mikut tim tentonte të ndërtonte një shtesë shtëpie një gjitoni i tij. Madje e filloi ndërtimin edhe pse s’kishte lejë. Dikush vajti informoi në komunë, por shkelësi i ligjit iu lëshua mikut tim. Edhe pse miku im betohej se nuk kishte denoncuar, sherri mes tyre nuk pushoi. Tani ai njeri nuk ishte vetëm shkelës i ligjit, por edhe prishësi i unitetit në fshat.
Shikoni burgjet e shtetit si janë mbushur me përdoruesit e drogës. Çdo ditë dëgjojmë lajme për arrestime të tilla dhe njerëzit në vend të kufizohen nga këto shkelje, vazhdojnë të mbjellin e tregtojnë në fshehuri drogë! Atëherë çfarë duhet bërë me këta njerëz? Drejtësia ose deputetët duhet të marrin nisma ligjore, që për të tillët, vrasësit dhe hajdutët, të rëndohet masa e dënimit. Kemi parë raste të tilla, që sa kanë dalë nga burgu, janë kapur sërish me drogë ose duke vjedhur. Por kemi dhe raste më të rënda, që e shndërron shoqërinë e familjen tonë në kafshëri. Babai përdhunon të bijën, djali përdhunon nënën e tij! A nuk kemi të bëjmë me kafshëri totale?! Ore ti njeri që ke marrë përsipër të jetosh mbi këtë tokë! Nëse ke llogaritur të jetosh me djersën e të tjerëve, hiq dorë, se do të kalbesh burgjeve dhe do të marrësh në qafë fëmijët.
Shqiptarët ndër vite i kanë besuar djersës së tyre dhe kanë mbetur njerëz të nderuar. Edhe miellin e kanë ndarë mes tyre me filxhanin e kafesë që kanë jetuar. Po u tregoj një episod nga periudha e luftës nacionalçlirimtare. Në fshatin Melckë të Skraparit zuri nata një batalion të Brigadës së 7-të sulmuese dhe këshilli i shpërndau nëpër ato pak familje që kishte fshati. Dhosi Odriçanit me skuadrën e tij i takoi të gdhinin natën në shtëpinë e dy pleqve që mezi ngrysnin ditët. Por nuk i kursyen kurrë ato dy dhoma që kishin, që atë natë u mbush me partizanë. Ishte dita e vitit të Ri 1944. E shkreta nënë u ngrit dhe u kthye me një tas të vogël me miell, që nuk e morën vesh ku e mori. Nuk kishte asgjë tjetër, por mendoi t’i hidhte ujë e ta bënte si kaçamak.
Por partizanët kishin sheqer me vete dhe nëna bëri një ëmbëlsirë me atë pak miell dhe uruan njëri-tjetrin për vitin e Ri! Tani nuk jemi as në luftë as në varfëri, atëherë përse të mos kthehemi tek ajo zemërgjerësi që kishim, po të shkelim ligjet, me të cilat funksionon shteti! Po kthehem tek shkelësit e ligjit në Theth të Shkodrës. Atje ka pushtet dhe çdo njeri duhet ta respektojë, sepse mund ta kesh patur pronën tënde, por do të veprosh në harmoni me ligjet e rregullat. Thethi është zonë turistike dhe do të shërbejë si dikur oda e miqve. Po kur oda është e shtruar me atë qilim të gjelbër, përse duhet ta ngjeshim me beton e hekur. Ato prita të tilla duheshin në kohën e luftës të mos kalonte pushtuesi. Turistët e huaj, por dhe vendës nuk duanë minare sepse nga ato kanë ikur e duanë të shplodhin sytë me atë mrekulli që u ka falur natyra.
Unë nuk dua ta ndërpresin yryshtin njerëzit, sepse tani ka hapësira për të vepruar, por jo deri te kurrizi i tjetrit. Nuk mund të ngrihesh në protestë për të mbrojtur shkelësit e ligjit. Bota edhe pemët i kanë me numër dhe nuk të lejojnë të mbjellësh sipas dëshirës. Në Zvicër, tregojnë ata që kanë qenë, e kapën një njeri që këputi një kokërr molle dhe e burgosën. Një vit të tërë nuk i treguan përse e kishin burgosur, po kur u bënë mollët e nxorën dhe e shpunë atje ku kishte marrë mollën. Që atëherë ai njeri, le dorën nuk e zgjati të merrte mollë, po nuk shkonte më në atë rrugë. A thua se kjo formë edukimi duhet aplikuar edhe nga drejtësia shqiptare?
Kemi hyrë në disa rrugë të pashkelura, që populli nuk u mor kurrë me to. Populli do vetëm drejtësi e qetësi. Por drejtësia tek ne vjen atëherë kur ti e ke harruar se çfarë ke kërkuar. Një hallexhi nga fshati Potom i Skraparit për të mos e cënuar dinjitetin e tij, që e kishin dënuar me 100-leke padrejtësisht, pagoi 1000-lekë që vuri dinjitetin në vend. Skraparasit duanë të jenë gjithmonë të pastër si malet e tyre. Përse ky yrysht pa kufi, kur e di që dëmton tjetrin dhe veten tënde? Yryshtin mos e ndalo, po jo më tutje se ndëshkohesh vetë! Mos ikni symbyllura e bëni tutje se këmbët u shpien në greminë. Kështu ta konsideroni ligjin. Sa keni jorganë shtrini këmbët.
The post Yrysht tutje, po jo deri mbi trupin e tjetrit appeared first on Sot News | Lajme.