Vlora, destinacion kroçerash/ “Silver Whisper” u ankorua në port me 383 pasagjerë
Këtë të hënë në portin e Vlorës mbërriti anija kroçere “Silver Whisper”, e cila solli me vete 383 pasagjerë nga kombësi të ndryshme, përfshirë SHBA, Britani të Madhe, Australi dhe Kanada. Kjo anije ka nisur udhëtimin e saj nga porti i Barit në Itali dhe do të qëndrojë në portin e Vlorës deri në orën 23:00 të mbrëmjes, përpara se të niset drejt portit të Galipolit.
Turistët e kësaj kroçere kanë shprehur interes të veçantë për të vizituar jo vetëm qytetin bregdetar të Vlorës, por edhe destinacione historike dhe kulturore në afërsi, si Apolonia dhe Berati.
Mbërritja e “Silver Ëhisper” shënon një tjetër hap pozitiv në zhvillimin e turizmit detar në Vlorë, duke i dhënë qytetit një vend të rëndësishëm në itineraret e njohura ndërkombëtare të anijeve kroçere. Autoritetet lokale dhe operatorët turistikë shprehen optimistë se ky trend do të vazhdojë të rritet, duke sjellë përfitime ekonomike dhe promovuar më tej bukuritë natyrore dhe historike të Shqipërisë.
Pak ditë më parë, edhe në Durrës anija luksoze Nautica zbarkoi në brigjet shqiptare me 676 turistë nga SHBA, Australia dhe vende të tjera të botës./abcnews.al