Pagesa me këste deri në 20 vite dhe falje kamatëvonesash, skema e re e OSHEE për mbledhjen e detyrimeve
TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) do të nisë nga data 21 korrik zbatimin e një skeme të re për pagesën me këste të detyrimeve të prapambetura ndër vite.
Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi, në një intervistë për mediat, bëri të ditur se çdo klient, familjar apo biznes, që dëshiron të përfitojë nga kjo skemë, mund të kontaktojë shërbimin e kujdesit ndaj klientit për të nënshkruar aktmarrëveshjen për pagesën e detyrimeve.
Ai theksoi se në kuadër të kësaj skeme nuk tolerohet krijimi i detyrimeve të reja.
“Kushti është që klienti të jetë i rregullt në pagesat e dy viteve të fundit. Nuk hyn në skemë asnjë familjar apo biznes që ka krijuar debi për vitet 2024-2025”, tha ai.
Skema ofron lehtësi për abonentët familjarë dhe bizneset, ku abonentëve familjarë iu falet 70% e kamatës nëse paguajnë detyrimin me një këst të vetëm.
Bizneseve të vogla u falet 100% e kamatës në rast se paguajnë detyrimin në një këst të vetëm, ndërsa bizneseve të mëdha u falet 50% e kamatës.
Kategoria e abonentëve për aktmarrëveshjen ndahet në familje në nevojë dhe pensionistë, familje normale dhe biznese.
“Për familjet në nevojë, pagesa fillon nga 1,200 lekë në muaj, me mundësi pagesash deri në 240 këste (deri në 20 vite). Për familjet normale, pagesa fillon nga 2,800 lekë në muaj, gjithashtu deri në 240 këste. Për bizneset, në bazë të vlerës së detyrimit afti shkon deri në 120 këste”, bëri të ditur Karakaçi.
Karakaçi u shpreh se aktmarrëveshjet janë një skemë që ne e përdorim prej vitesh.
“Vitin e kaluar kemi lidhur rreth 7 mijë aktmarrëveshje me familjarë dhe jo familjarë, të cilat kanë ndihmuar në rregullimin e situatës së klientëve dhe reduktimin e borxheve”, u shpreh Karakaçi.
Në të njëjtën kohë, OSHEE po kryen verifikimin e kontratave të energjisë në të gjithë vendin, me fokus kryesisht në kryeqytet.
Qëllimi është të përcaktohet nëse adresa e abonentit është për banim apo për aktivitet biznesi.
“Shumë kate të dyta dhe të treta të pallateve janë kthyer në biznese, por kontrata është regjistruar si familjare, duke përfituar çmime më të ulëta. Kjo nuk është e drejtë, pasi familjet dhe bizneset paguajnë tarifa të ndryshme për energjinë”, shpjegoi Karakaçi. /j.p/
The post Pagesa me këste deri në 20 vite dhe falje kamatëvonesash, skema e re e OSHEE për mbledhjen e detyrimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.