Kosova rikthehet me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë
TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se rikthimi i Kosovës në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR) është një sukses i madh dhe dëshmi e angazhimit për të rritur cilësinë e arsimit të lartë dhe për ta përafruar atë me standardet evropiane.
“Vendi ynë ka qenë edhe më herët anëtar i këtij organizmi, por në vitin 2018 e patëm humbur anëtarësinë për shkak të ndërhyrjeve politike të qeverisë së atëhershme të PAN-it në strukturën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA)”, tha Kurti.
Ai nënvizoi se qeveria e tij, përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që prej vitit 2021 ka mbështetur Agjencinë e Kosovës për Akreditim, duke i krijuar kushtet për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe autonome, me profesionalizëm dhe përkushtim.
“Tashmë jo vetëm që u rikthyem anëtarë, por edhe me të drejta të plota, duke qenë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor me këtë status”, theksoi Kurti, duke shtuar se kjo sjell mundësi të reja për universitetet dhe studentët kosovarë për të pasur qasje të plotë në programet e BE-së, përfshirë mobilitetin, bursat dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
/a.f/
The post Kosova rikthehet me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.