Faturat e fiskalizuara, procedurat që duhen ndjekur për blerjet nga fermerët
TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Në kuadër të përpjekjeve për formalizimin e sektorit të tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, Administrata Tatimore dha disa udhëzime të rëndësishme për tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitetin e tregtimit të këtyre produkteve, si në shumicë, ashtu edhe në pakicë për lëshimin e faturave të fiskalizuara në mënyrë korrekte dhe të saktë.
Së pari, tatimpaguesit duhet të zgjedhin opsionin “autofaturë”, i cili automatikisht përmban të dhënat e blerësit që po lëshon faturën.
Po ashtu, lloji i faturës duhet të jetë “blerje nga fermerët vendas” (Domestic). Duhet gjithashtu të futen të dhënat e fermerit shitës, përkatësisht emri dhe NIPT-i, dhe mallrat e blera duhet të përshkruhen pa përfshirë TVSH-në.
Për të siguruar saktësinë e transaksionit dhe origjinën e mallrave të shitur, rekomandohet që fatura të jetë gjithashtu e nënshkruar nga shitësi, i cili në këtë rast është fermeri.
Përveç këtyre rregullave, Administrata Tatimore ka theksuar se për të përfituar nga skema e kompensimit të TVSH-së, tatimpaguesit duhet të plotësojnë disa kushte të caktuara.
Ata duhet të kenë një qarkullim vjetor që nuk kalon kufirin minimal për regjistrimin për TVSH-në, të furnizojnë mallra apo shërbime me prejardhje nga puna e tyre, dhe të sigurojnë që këto mallra t’u shiten personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit.
Ndërkaq, prodhuesit bujqësorë dhe blegtoralë që janë regjistruar si “fermerë” në Drejtoritë Rajonale Tatimore, nuk kanë detyrimin për të mbajtur kontabilitet dhe për të dorëzuar Formularin e Deklaratës dhe Pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat Personale. Këta fermerë nuk kanë as detyrimin e deklarimit të të ardhurave të realizuara nga aktiviteti bujqësor, pasi këto të ardhura konsiderohen të ardhura biznesore.
Në rast se qarkullimi vjetor i një fermeri tejkalon kufirin prej 10,000,000 lekë, ky prodhues duhet të ç’regjistrohet nga Drejtoria Tatimore dhe të regjistrohet si tatimpagues pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke marrë një numër të ri identifikimi.
Po ashtu, prodhuesit e tjerë bujqësorë që nuk janë regjistruar si përfitues të skemës së kompensimit, ose që nuk tregtojnë produktet e tyre tek grumbulluesit bujqësorë, duhet të regjistrohen dhe të deklarojnë të ardhurat e tyre në përputhje me detyrimet tatimore të tjera.
Administrata Tatimore apelon për deklarimin e saktë dhe të plotë të aktiviteteve tregtare nga ana e tatimpaguesve, duke theksuar se mungesa e faturave të fiskalizuara mund të sjellë penalitete të rënda sipas legjislacionit në fuqi. /j.p/
The post Faturat e fiskalizuara, procedurat që duhen ndjekur për blerjet nga fermerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.