Gjykata Evropiane e Drejtësisë “godet” planin e Melonit për emigrantët
“Do të funksionojnë, do të funksionojnë!” deklaronte kryeministrja italiane Giorgia Meloni në fund të vitit të kaluar, duke iu referuar kampeve për emigrantët e paligjshëm në Gjadër. Por përmes një vendimi të marrë më 1 gusht në Luksemburg, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) i ka vënë në pikëpyetje themelet ligjore të këtij projekti të dakordësuar me qeverinë Shqiptare të Edi Ramës.
Vendimi paraprak, u bë me dije nga Kreu i Gjykatës, Koen Lenaerts. Ai pritet të zbardhet ditët në vijim.
Në çështjet e bashkuara “C‑758/24 Alace dhe C‑759/24 Canpelli” GJED i referohet caktimit të një vendi origjine si “i sigurt”, një koncept kyç në procedurat e përshpejtuara të azilit, të përdorura nga Italia për dëbimin e emigrantëve të dërguar në Shqipëri.
Sipas gjykatësve evropianë, çdo shtet anëtar ka të drejtë të hartojë një listë të vendeve të sigurta të origjinës, por kjo vendimmarrje nuk është absolute. Ajo duhet të mbështetet në të dhëna të qarta, të dokumentuara dhe të aksesueshme, dhe të jetë e kontrollueshme nga proceset gjyqësore.
“Për të justifikuar përjashtimin e një aplikimi për azil si të papranueshëm, shpallja e një vendi si i sigurt duhet të bazohet në informacion të aksesueshëm dhe të kontrollueshëm, si nga kërkuesi i azilit, ashtu edhe nga gjykata,” thuhet në deklaratën për shtyp të GJED.
“Qeveria e harton listën. Gjykatat e verifikojnë”, theksohet në përmbledhjen e vendimit të lexuar nga kreu i gjykatës Koen Lenaerts.
Rasti nga Bangladeshi dhe reagimet për GJED-në
Rasti që çoi në këtë vendim të GJED-së kishte të bënte me dy shtetas nga Bangladeshi, të transferuar në Gjadër pasi kishin kërkuar azil në Itali, por që kërkesa iu ishte refuzuar përmes procedurave të përshpejtuar.
Refuzimi bazohej në një vendim të vitit 2024, ku qeveria italiane e kishte përfshirë Bangladeshin në listën e vendeve të sigurta. Por vendimi nuk i specifikonte burimet e përdorura për të vlerësuar nivelin e sigurisë në atë shtet.
Kjo sipas GJED pengoi kërkuesit e azilit dhe gjykatat të verifikonin besueshmërinë e listës së qeverisë italiane, duke e bërë procedurën jo të drejtë nga ana ligjore.
Vendimi i GJED-së shkaktoi reagime të forta politike në Itali. Kryeministrja Meloni, nga një takim në Turqi, akuzoi gjykatën evropiane për tejkalim të kompetencave:
“Sërish gjyqësori, kësaj here ai evropian, pretendon hapësira që nuk i përkasin, për çështje që janë ekskluzivisht politike”, thuhej në deklaratën e kryeministres italiane.
Ndërkohë, opozita reagoi me akuza për dështim të projektit “Meloni-Rama” dhe keqmenaxhim të fondeve.
Elly Schlein, kryetare e Partisë Demokratike të Italisë, e quajti investimin në kampet e Shqipërisë “shpërdorim të 800 milionë eurove” që, sipas saj, mund të ishin përdorur për shëndetësinë.
Giuseppe Conte, i Lëvizjes 5 Yjet (M5S), e cilësoi vendimin “të parashikueshëm” dhe kritikoi Melonin për “propagandë boshe” dhe “viktimizim të qëllimshëm”.
Vendimi i GJED-së do të ketë efekt deri më 12 qershor 2026, kur pritet të hyjë në fuqi rregullorja e re e BE-së si pjesë e Paktit për Migracionin.
Edhe pse për momentin ndikimi real është i kufizuar – rreth 150 emigrantë janë sjellë në total në Gjadër nga viti i shkuar, – kjo vendimmarrje ngre dyshime serioze për ligjshmërinë afatgjate të modelit italo-shqiptar për “përpunimin e shpejtë të kërkesave për azil”.
Lexoni gjithashtu:
- Emigrantët vazhdojnë të vijnë në Gjadër, ndërkohë që BE-ja hesht
- Gjadër, aktivistët përkujtojnë emigrantin Hamid Badoui
- Human Rights Watch: “Ballkani nuk është magazinë për emigrantët”
The post Gjykata Evropiane e Drejtësisë “godet” planin e Melonit për emigrantët appeared first on Citizens.al.