Osmani: Kam marrë informacione se Serbia ka tendenca destabilizuese ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në fund të muajit maj, institucionet e sigurisë kanë pranuar informacione specifike që tregojnë për tendenca destabilizuese nga ana e Serbisë ndaj Kosovës.
Në një konferencë për media, Osmani theksoi se propaganda dhe gënjeshtrat nga Serbia janë të vazhdueshme, por siguroi qytetarët se nuk ka vend për panik.
“Gënjeshtrat e Serbisë janë pjesë e propagandës së tyre të vazhdueshme. I siguroj qytetarët që nuk ka nevojë për panik. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka nën kontroll,” u shpreh presidentja Osmani.
Ajo nënvizoi se qytetarët janë informuar për këto zhvillime dhe përmendi në veçanti deklaratat e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si pjesë e transparencës institucionale.
Në të njëjtën konferencë, Osmani foli edhe për vizitën e saj të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar si një sërë takimesh jashtëzakonisht të rëndësishme.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Kosovën si një aleat strategjik. Kjo u konfirmua qartë në të gjitha takimet që patëm atje,” tha presidentja.
Ajo përfundoi duke theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare dhe angazhimit të institucioneve vendore për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend./Telegrafi/
The post Osmani: Kam marrë informacione se Serbia ka tendenca destabilizuese ndaj Kosovës appeared first on Telegrafi.