Hasenauer: 20 profesorë nga universiteti BOKU të angazhuar në Universitetin Bujqësor
TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Nëntë programe studimi sipas modelit BOKU në nivelin bachelor ofrohen nga ky vit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ndërsa ka nisur puna për akreditimin e UBT-së për nivelin bachelor.
Koordinatori i projektit, Prof. Dr. Dr.h.c Hubert Hasenauer tha sot gjatë akitivitetit ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama se është arritur të ndërtohet një frymë bashkëpunimi, me shumë të rinj të angazhuar që duan të përmirësojnë cilësinë e arsimit në Shqipëri.
“Këtë nuk e bëjmë për të rritur si unë, por e bëjmë për brezat e ardhshëm, brezat e rinj dhe të ardhmen e vendit, ndërsa shoh realisht ambicien që keni drejt BE-së. Proceset e ndryshimit që po ndërmarrim këtu janë shumë të rëndësishme që do të thotë se vijnë nga universitetet e mësimdhënies dhe kërkimit. Niveli i lartë i mësimdhënies është po aq i rëndësishëm për të gjithë”, tha ai.
Profesor Hasenauer tha se këto procese ndryshimi ndjekin tre parime: vlerësimin e situatës, zhvillimin e misionit të përbashkët për universitetin, si edhe angazhimin e stafit akademik dhe studentëve.
“Ne bëmë një anketë të përzier me palët kryesore të interesit dhe i pyetëm se si e shihni universitetin tuaj, çfarë doni të arrini dhe si doni të ndryshoni. Gjithçka bëjmë në procesin e arsimit duhet të mbështesë kompetencat kyçe, kjo është baza intelektuale për universitetin. Një universitet ka nevojë për një lidership intelektual. Ndaj duhet të shfrytëzohet potenciali intelektual i stafit akademik”, vijoi ai, ndërsa shtoi se proceset akademike duhet të jenë të organizuara ndryshe nga ato të menaxhimit sepse pjesa akademike duhet të jetë hierarki dinamike, ndërsa menaxhimi ka nevojë për hierarki më të ngurtë.
“Ne krijuam komisionin e kurrikulave të studimit që studioi dhe vlerësoi të gjitha kurrikulat dhe ky është ndryshimi i parë kryesor se si programet e studimit zhvillohen. Kemi nëntë programe bachelor, nuk prisja të arrinim kaq shumë programe. Po punojmë për programet e masterit, teksa kemi nisur akreditimin e UBT-së për nivelin bachelor”, shtoi Hasenauer.
Koordinatori i projektit mes UBT-së dhe universitetit BOKU të Vjenës, nënvizoi se në këtë projekt janë angazhuar 20 profesorë nga BOKU që kanë punuar me UBT për programe studimore.
“Po bëjmë një ndryshim të paradigmës, nga një qasje mësimdhënieje, në kërkim dhe kemi ende shumë punë për të bërë. Duhet të ndërtojmë një strukturë që nxit këtë ndryshim, për mënyrën si organizohen universitetet që të lejohet shfrytëzimi i kapaciteteve akademike plotësisht”, pohoi ai.
/e.i/j.p/
The post Hasenauer: 20 profesorë nga universiteti BOKU të angazhuar në Universitetin Bujqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.