Nis protesta “drejtësi kundër padrejtësive” Protesta e thirrur për “drejtësi kundër padrejtësive” të Speciales në Hagë, tashmë ka nisur.
Në sheshin “Skënderbeu” janë mbledhur me mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës, por edhe përtej kufijve.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020. Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023. Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon. Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë.
17:05 – Nis protesta “drejtësi kundër padrejtësive”
Protesta e thirrur për “drejtësi kundër padrejtësive” të Speciales në Hagë, tashmë ka nisur.
Në sheshin “Skënderbeu” janë mbledhur me mijëra qytetarë nga të gjitha qytetet e Kosovës, por edhe përtej kufijve.
Ora 16:52 E mbijetuara e dhunës në protestë/ Vasfije Krasniqi: Kam dalë për t’i mbrojtur vlerat tona, jam krenare me UÇK-në
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, i është bashkuar protestës kundër padrejtësive ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. Krasniqi tha se në protestë ka dalë për t’i mbrojtur vlerat kolektive, teksa protestën e cilësoi si pak të vonshme.
“Sot kam dalë këtu për t’i mbrojtur vlerat tona kolektive. Është pak me vonesë, por shpresoj që të jetë protestë e fortë për t’i mbështetur vlerat tona të UÇK-së”.
“Vlerësimi im për UÇK-në s’ka ndryshuar kurrë. Në vitin 1998 kur është betuar vëllai im për të luftuar për UÇK-në, është edhe ditën e sotme”, tha Krasniqi për Klan Kosova. Tutje, ajo u shpreh krenare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që e ka pasur Kosova dhe për ushtrinë që Kosova e ka në ditën e sotme.
Ora 16:51 Qytetarët të ashpër me Specialen: Raciste, çlirimtarët po mbahen në Hagë me dirigjime nga Serbia
Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën gjithëpopullore të thirrur nga organizatat e dala nga lufta, në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qytetarët e konsiderojnë Gjykatën Speciale si raciste, derisa mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta të ndryshme në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Isat Gashi, i cili kishte ardhur nga Klina për të protestuar, tha se ish presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët po mbahen padrejtësisht në paraburgim dhe me dirigjime nga Serbia.
Ora 16:41 Protesta për lirimin e ish krerëve të UÇK/ Bashkëshortja e Jakup Krasniqit: Gjykata të ketë parasysh popullin, presim që ata të lirohen
“Jam shumë e emocionuar, gjykata duhet të ketë parasysh, jo gjykim dënues. Në emër të popullit duhet gjykim lirues. Mirë është me shëndet. Presim ne të rikthehen ata, si të lirë. Po, edhe më herët edhe të vazhdojmë deri në gjykimin përfundimtar”, theksoi bashkëshortja e Jakup Krasniqit.
Ora 15:58 “Liria nuk gjykohet, liria mbrohet”, protesta kundër Speciales, Ali Ahmeti drejt Prishtinës
Kryetari i BDi-së Ali Ahmeti, është nisur rrugës për në Prishtinë ku edhe do të marrë pjesë në protestën e veteranëve të UÇK-së kundër Speciales.
Ahmeti njëherëh do t’iu drejtohet të pranishmëve edhe me një fjalë rasti.
Ora 15:55 Ish-ambasadori Robert Bosch për protestën: UÇK-ja ishin këmbët tona në terren, Specialja nuk duhej themeluar
Gjykata Speciale nuk është dashur të themelohej, andaj është mirë që po protestohet, thotë ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, pak orë para se në Prishtinë të mblidhen veteranë e qytetarë të tjerë për të shprehur kundërshtimet e tyre për mënyrën se si po punojnë Dhomat e Specializuara në Hagë. Në një intervistë për KosovaPress, nga Haga, Bosch thekson se protesta duhet të jetë e qetë dhe dinjitoze.
Specialja, e cila i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, ka seli në Holandë dhe funksionon me staf ndërkombëtar, edhe pse e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015. Atje po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Ora 13:47 Gucati: Mesazhi i protestës sonë është i qartë, do të dëgjohet edhe në Hagë
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur për protestën e thirrur sot kundër, siç thotë ai, padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ora 13:46 Protesta kundër Speciales, disa emigrantë shpalosin flamurin e UÇK-së në Hagë
Këtë të enjte në Prishtinë zhvillohet protesta kundër Gjykatës Speciale. Disa emigrantë kanë zhvilluar një aksion simbolik në Hagë, në ditën që do të mbahet protesta kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë. Ata kanë shpalosur një flamur të UÇK-së pranë objektit ku ndodhet qendra e paraburgimit.
Ora 12:31 Vajza e Jakup Krasniqit: Heshtja e atyre që dikur ëndërruan lirinë me pranga në duar, është e pafalshme
Vajza e Jakup Krasniqit, Gresa, ka bërë një postim emocionues para protestës që do të mbahet sot kundër padrejtësive në procesin e Hagës, ku po gjykohet babai i saj dhe ish krerët e tjerë të UÇK-së.
Ajo tha se ata që premtuan dhe nuk shkruan asnjë fjalë ndaj bashkëluftëtarëve, më e pakta që mund të bëjnë, është të kërkojnë sot drejtësi në protestë.
Ora 11:32 Djali i Jakup Krasniqit bën thirrje për protestë: Nuk është për individë, por për luftën e UÇK-së
Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës së sotme që do të mbahet në orën 17:00.
Ai theksoi se kjo protestë nuk ka të bëjë me mbrojtjen e disa individëve, por me mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se protesta është kundër përpjekjeve për të barazuar agresorin me viktimën dhe ndaj padrejtësive që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së.
Ora 11:03 Veteranët protestojnë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale, Hasani: Beteja me drejtësinë do të fitohet
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur një protestë që do të mbahet sot në ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar, siç pretendojnë ata, padrejtësitë që po u bëhen ish-drejtuesve të UÇK-së nga ana e Gjykatës Speciale.
Në lidhje me protestën është shprehur edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i cili gjatë një prononcimi të mërkurën mbrëma për emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova u shpreh se beson që beteja me drejtësinë do të fitohet, pavarësisht sfidave.
Ora 11:02 OVL-UÇK me videomesazh para protestës: UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë!
Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka vazhduar thirrjet për protestën që do të mbahet sot nga ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përmes një postimi në profilin e saj në “Facebook”, kjo organizatë ka shpërndarë një video ku theksohen arsyet e mbajtjes së protestës.
Në video shfaqet parulla “UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë”, ndërsa pas saj paraqiten edhe pamje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë.
Ora 10:35 Lati për protestën e sotme: Duhet t’i mbështesim burrat që sakrifikuan për Kosovën
Emin Lati nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Skenderaj ka folur për protestën e thirrur nga OVL-UÇK, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Në një intervistë për Klan Kosova, Lati tha se këta burra kanë sakrifikuar për të mirën e Kosovës dhe se qytetarët duhet t’u dalin në krah.