TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Shqipëria po përballet me një situatë tejet të vështirë si pasojë e zjarreve të përhapura në disa qarqe të vendit, të cilat po menaxhohen falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, përfshi këtu forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura.
Në reagimet e tij, në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama falënderoi me respekt e mirënjohje të gjithë strukturat që u angazhuan me kurajë të jashtëzakonshme në përballimin e situatës.
“Dy ditë e netë ekstremisht të vështira, ku forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura po përballen me zjarre të mëdha në Skënderbegas, Sojnik të Gramshit, Koshtan të Memaliajt, në Hormovë, Kodër e Lekël të Tepelenës, në kufi me Gjirokastrën, Dhivër, Kakodhiq në Finiq, si dhe në Dropull në kufi me Delvinën, ku rreziku dhe flakët kanë qenë të pamëshirshme. Falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, është arritur fatmirësisht që zjarret të vihen nën kontroll, ndërkohë që vazhdon puna papushim drejt shuarjes së tyre dhe gatishmëria maksimale për çdo riaktivizim të mundshëm apo vatra të reja. Falenderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë” , shprehet kryeministri Rama në reagimin e tij.
Kryeministri u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri dhe të ndjekin me rigorozitet udhëzimet e autoriteteve.
Rama paralajmëron ndëshkimet më të ashpra ligjore për zjarrëvëniet e qëllimshme.
“Thirrje të gjithë banorëve të tregohen të kujdesshëm, të sinjalizojnë çdo vatër zjarri para se të jetë vonë dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve, ndërsa për kriminelët që luajnë me flakët, ndëshkimi do të jetë maksimal. Ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”, theksoi Kryeministri.
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive. Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.
/k.s/j.p/
The post Rama: Sfidë e madhe me zjarret dhe angazhim i të gjitha forcave në terren, zero tolerancë për shkaktarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.