Grenell: E turpshme që Thaçi mbahet ende në burg
Është e turpshme që ish presidenti i Kosovës Hashim Thaci është ende në burg.
Kështu shkruan në rrjetin e tij social X i derguari i presidentit Trump për misione special, Richard Grenell.
“Richard Grenell Jack Smith e arrestoi Thaçin në vitin 2020, kur Donald Trump ishte duke punuar për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Është aq turpëruese që ai ende është në burg. E gjitha është një mashtrim. Haga ka marre fund.”
Kjo nuk është hera e parë që i zgjedhur i administratës Trump për misione të posacme reagon për Kosovën dhe vendimet e Hagës.
Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që prej 2020-tës dhe akuzohet për krime lufte dhe pengim të drejtësisë.
Gjatë këtyre viteve prokuroria ka parashtruar kërkesën e saj dhe janë dëgjuar me qindra dëshmitarë, ndërsa në shtator pritet të nis faza e mbrojtjes.
Për këtë të fundit, nuk ka financa të mjaftueshme, ndërsa qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka shfuqizuar hapësirat ligjore që mundësojnë alokimin e fondeve shtesë, c’ka rrezikon që avokati kryesor i mbrojtjes së Thaçit, Luka Misetic të tërhiqet nga detyra.
Ish-kreu i UÇK Hashim Thaci është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndëojnë mbi të.
Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.
Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.
Ndërkohë, ato ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.
Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./abcnews.al