Kremlini zyrtar reagoi këtë të hënë për here të parë pas vendimit të Presidentit Amerikan Donlad Trump për të zhvendosur dy nëndetëse bërthamore pranë Rusisë. Moska zyrtare minimizoi rëndësinë e deklaratave dhe veprimeve të Presidentit Amerikan duke thënë se nuk dëshironin të përfshiheshin në polemika.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se nëndetëset amerikane janë gjithsesi në gadishmëri luftarake dhe hodhi poshtë idenë e një përshkallëzimi të situatës. “Çështje shumë komplekse dhe të ndjeshme po diskutohen, të cilat shumë njerëz i përjetojnë me emocione. Megjithatë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm me retorikën bërthamore,” tha Peskov.
Trump, javën e kaluar, urdhëroi vendosjen e dy nëndetëseve në “rajonet e duhura”, si përgjigje ndaj komenteve që i cilësoi si “shumë provokuese” nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev.
Medvedev, i njohur për retorikën e tij gjithnjë e më ekstreme në rrjetet sociale, e akuzoi Trump për “lojë ultimatumesh” ndaj Rusisë, pasi ky i fundit caktoi një afat të ri për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Pa e përmendur drejtpërdrejt ish presidentin Medvedev, zëdhënësi I Kremlinidt Dimitry Peskov deklaroi se “në çdo vend, anëtarët e lidershipit mund të kenë qëndrime të ndryshme, por politika e jashtme ruse përcaktohet vetëm nga presidenti Putin.”
Ndërkohë, i dërguari i SHBA-së për çështjet në rajon, Steve Witkoff, pritet të vizitojë Moskën përgjatë të mërkurës dhe të enjtes, vetëm një ditë përpara përfundimit të ultimatumit që Donald Trump i ka vënë Moskës për ti dhënë fund luftës ose në të kundert do të ketë sanksione ekonomike ndaj Ruisë. Zëdhënësi I Kremlinit tha se vlerësojnë këtë vizitë duke e quajtur atë të rëndësishme dhe të dobishme.
Trump ka kërcënuar se nëse deri më 8 gusht nuk arrihet një armëpushim, ai do të vendosë tarifa ndëshkuese ndaj eksporteve ruse të naftës dhe mallrave të tjera, si dhe sanksione dytësore për shtetet që kane bashkëpunim tregtar me Moskën.
Megjithatë, ai pranoi se Rusia “është mjaft e aftë në shmangien e sanksioneve”.
Në një deklaratë të fundit për Gazetarët ku konfirmoi vizitëne Wittkof Trump tha se Rusia është shumë e aftë ti shmanget sanksioneve.
Tre raunde bisedimesh mes Rusisë dhe Ukrainës që nga pranvera nuk kanë sjellë përparim të dukshëm drejt paqes. Presidenti Putin ka përsëritur javën e kaluar se qëllimi i Rusisë është “eliminimi i shkaqeve të krizës në Ukrainë dhe garantimi i sigurisë së saj.”
Kushtet politike dhe ushtarake të vendosura nga Moska për paqen – përfshirë neutralitetin e Ukrainës, uljen drastike të kapaciteteve të saj ushtarake dhe braktisjen e aspiratave për anëtarësim në NATO – mbeten të papranueshme për Kievin dhe aleatët perëndimorë./abcnews.al