Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 August 2025Main stream

Koçiu: Kemi ngritur mekanizmin e emergjencës, mobilizim i strukturave shëndetësore në zonat e prekura nga zjarret

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Si pasojë e situatës së krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur menjëherë mekanizmin e emergjencës për mobilizimin e të gjitha strukturave shëndetësore dhe logjistike në zonat e prekura.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se “Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor,  Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali Universitar i Traumës e të gjithë spitalet rajonale janë në koordinim të vazhdueshëm për mbështetjen operative të strukturave  të përfshira në këtë emergjencë”.

Koçiu theksoi se “bashkëpunimi me pushtetin vendor dhe mbrojtjen civile po vijon për evakuimin dhe trajtimin e banorëve të prekur”.

“Garantimi i vazhdimësisë së shërbimit shëndetësor pa ndërprerje dhe ofrimi i ndihmës së menjëhershme për çdo qytetar në nevojë, mbetet prioritet”, thekson ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

/k.s/j.p/

The post Koçiu: Kemi ngritur mekanizmin e emergjencës, mobilizim i strukturave shëndetësore në zonat e prekura nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përballja me flakët në Delvinë, nënkryetari i bashkisë në spital për shkak të tymit

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Delvina vijon të jetë në situatë kritike si pasojë e zjarrit të rënë ditët e fundit.

Aktualisht zjarret kanë rrethuar kodrat e qytetit, ndërsa nga ajri po ndërhyhet me dy helikopterë.

Mediet raportuan se nënkryetari i Bashkisë së Delvinës, Filip Xuxi ka përfunduar në spital pas përballjes me flakët në terren. Ai ka shfaqur vështirësi në frymëmarrje për shkak të tymit të rënduar në zonë, që çlirohet nga zjarret e fuqishme.

Në një video të publikuar në medie, nënkryetari i bashkisë së Delvinës po transportohet në spitalin e qytetit për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Ministria e Mbrojtjes, njoftoi sot se, ekipet e zjarrfikësve te BMEC (Forcat e Armatosura) kanë arritur të ndalojnë me sukses avancimin e flakëve drejt banesave në Delvinë.

Të shpërndara në pika të ndryshme të qytetit, mjetet zjarrfikëse dhe efektivët vazhdojnë prej disa orësh luftën me zjarrin.

/k.s/j.p/

The post Përballja me flakët në Delvinë, nënkryetari i bashkisë në spital për shkak të tymit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve, Rama: Kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Shqipëria prej dy ditësh po përballet me zjarre intensive në disa zona të vendit, ndërkohë që situata po vihet nën kontroll falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe shuarjes së tyre nga ajri me avionë.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale iu përgjigj debateve në medie lidhur me blerjen e avionëve zjarrfikës nga qeveria.

“Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por…”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?!”

“Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës;  helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve. Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë pa diskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”, tha Rama.

/k.s/j.p/

The post Situata e zjarreve, Rama: Kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në Gramsh, kryebashkiaku Ajazi: Kemi përdorur edhe forcën për të larguar banorët nga shtëpitë

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi i bëri apel sot banorëve të fshatrave Nartë dhe Skënderbegas të largohen nga banesat e rrezikuara nga flakët.

Në një prononcim për mediet, Ajazi tha se “situata paraqitet alarmante dhe emergjente”.

“Zjarri ka djegur e shkatërruar gjithçka. Po përpiqemi të shpëtojmë banesat. Kemi evakuuar njerëzit që në orët e para të mëngjesit. Po punojmë me të gjitha strukturat”, tha Ajazi.

“Thirrja kryesore është për banorët, të ruajnë gjakftohtësinë pa panik. Të shpëtojmë sa më shumë të mundemi, të kenë besim te këta djem që po punojmë. Kemi përdorur edhe forcën për të larguar banorët nga shtëpitë e tyre, apeli është të largohet edhe banori i fundit”, u shpreh kryetari i bashkisë Gramsh.

Situata e zjarreve në Gramsh prej ditës së djeshme është problematike, për shkak të përhapjes së flakëve. Në dy fshatrat, Nartë dhe Skënderbegas gjendja paraqitet më problematike, ndërsa po punohet intensivisht për shuarjen e zjarrit nga forcat zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të Forcave të Armatosura.

/k.s/j.p/

The post Zjarret në Gramsh, kryebashkiaku Ajazi: Kemi përdorur edhe forcën për të larguar banorët nga shtëpitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSSH: Rikthehet energjia elektrike në Mbrakull, pas dëmtimit të linjës nga zjarri

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Në Mbrakull të Poliçanit u rikthye energjia elektrike, pas dëmtimit të linjës së tensionit të mesëm nga zjarri.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bëri të ditur sot se punonjësit e Drejtorisë Rajonale OSSH_Berat pavarësisht kushteve me temperatura të larta 42 gradë, përfunduan në kohë punën duke rikthyer energjinë elektrike në të gjithë zonën”.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes theksoi se “jemi në gatishmëri të plotë në të gjithë vendin, për të minimizuar sadopak problemet që mund të shfaqen në rrjetin elektrik, në kushtet kur zjarret dhe rritja e konsumit mund të pengojnë ecurinë normale të furnizimit me energji elektrike”.

Zona e Poliçanit u përfshi dje nga flakët ndërsa forcat zjarrfikëse punuan për izolimin e vatrës.

/k.s/

The post OSSH: Rikthehet energjia elektrike në Mbrakull, pas dëmtimit të linjës nga zjarri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Sfidë e madhe me zjarret dhe angazhim i të gjitha forcave në terren, zero tolerancë për shkaktarët

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Shqipëria po përballet me një situatë tejet të vështirë si pasojë e zjarreve të përhapura në disa qarqe të vendit, të cilat po menaxhohen falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, përfshi këtu forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura.

Në reagimet e tij, në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama falënderoi me respekt e mirënjohje të gjithë strukturat që u angazhuan me kurajë të jashtëzakonshme në përballimin e situatës.

“Dy ditë e netë ekstremisht të vështira, ku forcat zjarrfikëse të bashkive, Emergjencat Civile, Forcat e Armatosura po përballen me zjarre të mëdha në Skënderbegas, Sojnik të Gramshit, Koshtan të Memaliajt, në Hormovë, Kodër e Lekël të Tepelenës, në kufi me Gjirokastrën, Dhivër, Kakodhiq në Finiq, si dhe në Dropull në kufi me Delvinën, ku rreziku dhe flakët kanë qenë të pamëshirshme. Falë guximit vetëmohues dhe angazhimit total të të gjitha forcave në terren, është arritur fatmirësisht që zjarret të vihen nën kontroll, ndërkohë që vazhdon puna papushim drejt shuarjes së tyre dhe gatishmëria maksimale për çdo riaktivizim të mundshëm apo vatra të reja. Falenderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë” , shprehet kryeministri Rama në reagimin e tij.

Kryeministri u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri dhe të ndjekin me rigorozitet udhëzimet e autoriteteve.

Rama paralajmëron ndëshkimet më të ashpra ligjore për zjarrëvëniet e qëllimshme.

“Thirrje të gjithë banorëve të tregohen të kujdesshëm, të sinjalizojnë çdo vatër zjarri para se të jetë vonë dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve, ndërsa  për kriminelët që luajnë me flakët, ndëshkimi do të jetë maksimal. Ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”, theksoi Kryeministri.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive. Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.

/k.s/j.p/

The post Rama: Sfidë e madhe me zjarret dhe angazhim i të gjitha forcave në terren, zero tolerancë për shkaktarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mirënjohje për zjarrfikësit, dënimin më të rëndë kujt ndez zjarre qëllimisht

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend duke falënderuar të gjitha forcat e angazhuar për shuarjen e tyre, ndërsa theksoi se zjarrvënësit duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga puna e trupave të angazhuara për shuarjen e zjarreve që kanë përfshirë disa zona të vendit ditët e fundit.

“Falënderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”.

Aktualisht situata mbetet kritike në Delvinë, ku zjarri ka vazhduar me intensitet të lartë edhe gjatë orëve të natës. Flakët vijojnë në kodrat përreth qytetit, ndërsa ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.

Edhe në Gramsh dje, por edhe sot situata është më e vështirë në fshatin Menkollar, ku të pranishme janë tre zjarrfikëse të shoqëruara me forca të shumta të ushtrisë, vullnetarë e banorë të shumtë të zonës si dhe dy helikopterë që hedhin ujë vazhdimisht për të parandaluar përhapjen e flakëve.

/k.s/j.p/

 

 

The post Rama: Mirënjohje për zjarrfikësit, dënimin më të rëndë kujt ndez zjarre qëllimisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lezhë, procedohet penalisht shtetasi për pengim të qarkullimit rrugor

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Një shtetas në Lezhë u procedua penalisht, pasi pengoi qarkullimin, duke parkuar automjetin në një zonë me fluks lëvizjeje.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, gjatë kontrolleve me objektiv konstatimin e parkimeve të gabuara që pengojnë qarkullimin në qytet dhe në zona me lëvizje të lartë, konstatuan një rast të tillë në rrugën “Luigj Gurakuqi”.

Në përfundim të veprimeve procedurale, nisi procedimi penal për drejtuesin e automjetit, shtetasin T. P., 29 vjeç, banues në Pukë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin parkimet në zona të ndaluara, për të mos penguar lëvizjen e mjeteve dhe qytetarëve.

DVP Lezhë tha se “shkeljet do të trajtohen me masa të menjëhershme penale dhe administrative”.

/k.s/j.p/

The post Lezhë, procedohet penalisht shtetasi për pengim të qarkullimit rrugor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohen dy shtetas për zjarrvënie në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Dy shtetas u arrestuan pasi ndezën zjarre në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë.

Policia e Shtetit informoi sot se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. B., 61 vjeç, banues në fshatin Cakran, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, konkretisht në vendin e quajtur “Mezarak”.

Si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke (arë), 300 pemë ulliri dhe bimësi e llojeve të ndryshme e parkut kombëtar.

Ndërsa specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Dushk, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke.

Gjithashtu, 58-vjeçari ka penguar zjarrfikësit për të shuar flakët.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me pasoja penale.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

/k.s/j.p/

The post Arrestohen dy shtetas për zjarrvënie në parkun kombëtar të Vjosës dhe në Lushnjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

MIA: 1.825.490 shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri gjatë korrikut

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti kanë hyrë në vendin tonë  rreth 38 mijë shtetas më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Lajmi u bë i ditur nga Agjencia për Media dhe Informim, e cila thekson në një postim në rrjetet sociale se “gjatë korrikut janë regjistruar 1.825.490 shtetas të huaj që kanë hyrë në vendin tonë, ndërkohë që ka pasur 1.793.493 dalje të shtetasve të huaj”.

“Ndërsa shtetas shqiptarë kanë hyrë 837 mijë persona dhe 782 mijë shqiptarë kanë dalë jashtë Shqipërisë. Në total, në Shqipëri vetëm në muajin korrik, kanë hyrë afërsisht 2.663.010 persona. Ndërsa në të njëjtin muaj një vit më parë kanë hyrë 2.624.207 shtetas shqiptarë dhe të huaj”, theksoi MIA.

Gjithashtu muaji gusht ka nisur me fluks të shtuar si në aeroportin e Tiranës, në Portin e Durrësit dhe Vlorës, por edhe në pikat kufitare turistike, ku përveç turistëve të huaj, një numër të lartë zënë edhe emigrantët, të cilët zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri.

/k.s//a.f/

The post MIA: 1.825.490 shtetas të huaj kanë hyrë në Shqipëri gjatë korrikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga 11-13 gusht aplikimi online nëpërmjet e-Albania për provimet e pranimit në universitet

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Të gjithë maturantët që duan të konkurrojnë nëpërmjet provimit për degët Mjekësi e Përgjithshme, Arkitekturë dhe Urbanistikë mund të aplikojnë online nga sot, 11 gusht deri më 13 gusht përmes portalit e-albania.al.

Shërbimi elektronik “Aplikim për provimin e pranimit” në programin ‘Mjekësi e përgjithshme’, Universiteti i Mjekësisë Tiranë dhe programi i studimit Arkitekturë dhe Urbanistikë në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, u vjen në ndihmë maturantëve të aplikojnë për pjesëmarrje në provimin e pranimit në këto programe studimi që kërkojnë konkurs/testim.
Hapat që duhen ndjekur për të aplikuar në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë
• Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania;
• Zgjidhni shërbimin “Aplikim për provimin e pranimit ne programin “Mjekësi e përgjithshme””;
• Në formularin që ngarkohet, plotësoni të dhënat e nevojshme për regjistrimin në provimin e pranimit në programin “Mjekësi e përgjithshme “dhe dërgoni aplikimin;
• Kryeni pagesën;
• Ngarkoni mandat pagesën;
• Gjatë aplikimit, kandidati pajiset me një kod unik për të gjurmuar në çdo kohë statusin e aplikimit dhe njoftohet nëpërmjet email-it për pranimin/ refuzimin e aplikimit.
Universiteti Politeknik i Tiranës
• Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania;
• Zgjidhni shërbimin “Aplikim për provimin e pranimit ne programin “Arkitekturë & Urbanistikë”;
• Në formularin që ngarkohet, plotësoni të dhënat e nevojshme për regjistrimin në provimin e pranimit ne programin “Arkitekturë & Urbanistikë”;
• Kryeni pagesën;
• Ngarkoni mandat pagesën;
• Gjatë aplikimit, kandidati pajiset me një kod unik për të gjurmuar në çdo kohë statusin e aplikimit dhe njoftohet nëpërmjet email-it për pranimin/ refuzimin e aplikimit.
/k.s//a.f/

The post Nga 11-13 gusht aplikimi online nëpërmjet e-Albania për provimet e pranimit në universitet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Temperaturat e larta, mjekja Aga: Shmangni ekspozimin gjatë orëve të pikut

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Ditët e fundit po shënohen temperatura të larta në vend, si pasojë mjekët japin këshilla për kujdesin e të gjitha grupmoshave.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale këshillat e mjekëve në këto ditë të nxehta vere, ndërsa u kërkoi qytetarëve t’i ndjekin ato në mënyrë që të shmangin efektet shëndetësore negative.

“Duke marrë parasysh temperaturat e larta që kanë vijuar ditëve të fundit, duam t’ju japim disa këshilla pacientëve për tu ruajtur nga ekspozimi nga temperaturat e larta gjatë orëve të pikut. Pas orës 10 të paradites deri në orën 15:00-16:00. Për çdo problem shëndetësor të shfaqur pacientët duhet të drejtohen pranë mjekut të familjes dhe të kërkojnë ndihmë pranë tij për të kryer vizitat e nevojshme dhe analizat e gjakut që çdo të diagnostikohet në kohën e duhur dhe të ruhemi ndaj temperaturave të larta të ditëve të fundit”, tha Ajsela Aga, mjeke familje pranë Qendrës Shëndetësore Nr.1 në Tiranë.

Në këto ditë të nxehta mjekët rekomandojnë të pini sa më shumë ujë për të shmangur dehidratimin. Rekomandohet të pini të paktën 8 gota ujë në ditë. Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut. Vishuni me rroba të lehta dhe të lirshme, rekomandohen rroba me ngjyra të çelura dhe materiale të lehta prej pambuku.
Përdorni krem dielli me faktor mbrojtës të lartë dhe aplikojeni në të gjitha pjesët e trupit që janë të ekspozuara ndaj diellit, veçanërisht në fytyrë, krahë dhe këmbë.
Konsumoni ushqime të freskëta dhe të lehta, kryesisht rekomandohet fruta dhe perime të freskëta, sallata dhe ushqime të pasura me ujë.
/k.s//a.f/

The post Temperaturat e larta, mjekja Aga: Shmangni ekspozimin gjatë orëve të pikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jahti turistik “Dragonfly” ndalon në Portin e Durrësit

TIRANË, 9 gusht/ATSH/ Në Portin e Durrësit ka mbërritur sot superjahti “Dragonfly”, me  gjatësi 142 metra, i ndërtuar nga kantieri gjerman Lürssen dhe i pajisur me teknologji të avancuar e dizajn luksoz.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur për ATSH-në se ky jaht u nis nga porti i Palermos dhe mbërriti paraditen e sotme në Portin e Durrësit.

Fillimisht i pagëzuar me emrin “Alibaba”, ky jaht u porosit nga bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin.

Vetëm dy ditë më parë në Portin e Durrësit u ankoruan tre jahte turistike, të cilat morën shërbime turistike të ndryshme.

Jahtet ishin në pronësi të Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, njëherazi edhe pronar i klubit të njohur të futbollit Manchester City.

Në Portin e Durrësit edhe këtë sezon turistik vijon ankorimi i jahteve turistike. Edhe këtë vit numri i mjeteve lundruese luksoze që ankorohen në këtë port është rritur ndjeshëm ashtu sikurse edhe koha e qëndrimit të tyre.

Durrësi dhe bregdeti i Shqipërisë prej vitesh tashmë janë kthyer në mikpritës të jahteve luksozë nga e gjithë bota.

/k.s/ /a.g/

 

The post Jahti turistik “Dragonfly” ndalon në Portin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama publikon platformën e denoncimit: Dritare e re komunikimi në mbrojtje të hapësirës publike

TIRANË, 9 gusht/ATSH/ Të gjithë qytetarët që duan të raportojnë rastet e zënies së hapësirave publike tashmë mund ta kryejnë atë përmes platformës “Hapësira ime publike”.

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se https://hapesiraimepublike.gov.al do të jetë “dritare e re komunikimi për të bashkuar forcat në mbrojtje të hapësirës publike”.

Në këtë platformë qytetarët mund të denoncojnë rastet e zënies së trotuareve apo hapësirave komunitare, parking privat i paligjshëm, ndërtimet pa leje apo shkelje të lejes, shkelje të tjera në dëm të pronës publike, ndotje fizike apo akustike, zaptim dhe ndotje e anës së rrugës kombëtare, kantier ndërtimi pa rrethim të rregullt, apo me ndotje mjedisore.

Në rast mosreagimi brenda 24 orësh nga institucionet, qytetarët janë të lutur të plotësojnë formularin që ndodhet në këtë platformë.

Deri më tani, nga të dhënat janë denoncuar 19 raste në platformë.

Kjo platformë u hap në kuadër të aksionit të ndërmarrë prej fillimit të korrikut për lirimin e hapësirave publike në të gjithë vendin.

/k.s/

The post Rama publikon platformën e denoncimit: Dritare e re komunikimi në mbrojtje të hapësirës publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Masat për sezonin turistik, Koçiu: Rreth 200 pishina të inspektuara nga ISHSH që nga qershori

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Inspektorati Shtetëror Shëndetësor vijon inspektimin e pishinave dhe kushteve higjieno-sanitare në të gjitha subjektet e vendit, në kuadër të masave të marra për sezonin turistik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sot se “nga muaji qershor deri tani janë inspektuar rreth 200 pishina në të gjithë vendin dhe procesi do të vazhdojë deri në fund të sezonit”.

“Gjatë kontrolleve, për pishinat që kanë rezultuar me mangësi janë lënë detyra me afate të përcaktuara për përmirësim dhe janë marrë masa administrative për subjektet përkatëse”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “ISHSH kryen me përpikmëri inspektimin dhe riinspektimin, duke trajtuar me seriozitet çdo sinjalizim apo ankesë nga institucionet shëndetësore ose qytetarët, për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e pushuesve”.

Një vëmendje e veçantë gjatë inspektimeve në pishina i është kushtuar respektimit të kapaciteteve të frekuentuesve sipas sipërfaqes së pishinës; kryerjes së analizave fiziko-kimike dhe atyre bakteriologjike të ujit, rregullores së brendshme për pishinat, pranisë së një personi të kualifikuar për vëzhgim, shpëtim dhe dhënien e ndihmës së parë.
/k.s/

The post Masat për sezonin turistik, Koçiu: Rreth 200 pishina të inspektuara nga ISHSH që nga qershori appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çelet edicioni i 5-të i festivalit “Nona”, atmosferë magjike në Përmet

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Në qytetin e trëndafilave u çel mbrëmjen e sotme festivali “Nona”, festa e gjysheve shqiptare.

Qindra qytetarë, por edhe turistë vendas e të huaj, mbushën sheshin kryesor të Përmetit.

Ky është edicioni i pestë i festivalit “Nona”, një aktivitet unik treditor, që e kthen Përmetin në një sofër të madhe te ngjashme me shtëpinë e gjysheve tona.

Festivali nisi paradite me vizita në shtëpitë e gjysheve përmetare, për të vijuar pasdite me çeljen e panairit “Nga duart e gjysheve”, ku u prezantuan gatime të ndryshme tradicionale.

Në mbrëmje, në festival performuan artistë të njohur si Evgjeni Çulli, Mikel & Ervis Rrapaj,  Luljeta Ilia, Çiljeta Xhilaga, Anxhela Peristeri, G Bani si dhe aktorja e njohur Eva Alikaj.

Festivali “Nona” synon të sjellë dialog midis brezave në vend të hendekut në rritje midis të moshuarve dhe të rinjve në jetën e përditshme urbane.

Festivali do të vazhdojë edhe në datat 9 dhe 10 gusht, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore.

/k.s/a.f/

 

The post Çelet edicioni i 5-të i festivalit “Nona”, atmosferë magjike në Përmet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: S’është pikturë, është Dhërmiu live pa filtra

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Dhërmiu, fshati bregdetar i cilësuar si parajsë tropikale po tërheq  çdo vit  mijëra turistë vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau mbrëmjen sot pamje nga perëndimi i diellit në Dhërmi.

“S’është pikturë, është Dhërmiu live, pa filtra”, shkruan Rama.

Mediet e ndryshme ndërkombëtare pasqyrojnë në reportazhet dhe shkrimet e tyre bukuritë e Dhërmiut, duke tërhequr vëmendjen e turistëve për ta vizituar atë.

Gjatë muajit korrik edhe gazeta prestigjioze amerikane ”New York Times” ka përzgjedhur edhe Dhërmiun ndër destinacionet më të mira turistike globale.

Pak më shumë se një kilometër i gjatë, me shezlongë në dispozicion dhe gjire shkëmbore të izoluara, që shpërndahen në skajin jugor të plazhit, Dhërmiu është një destinacion kryesor edhe për ata që duan të festojnë, pasi në zonë organizohen disa festivale të mëdha muzikore gjatë gjithë verës.

Plazhet e Jonit këtë vit janë frekuentuar nga mijëra pushues, jo vetëm vendas, por edhe shumë të huaj.

/k.s//a.f/

The post Rama: S’është pikturë, është Dhërmiu live pa filtra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dredha: Forcat zjarrfikëse në punë për shuarjen e zjarrit në Tragjas

TIRANË, 8 gusht/ATSH/  Në Tragjas të Vlorës po punohet për shuarjen e zjarrit të rënë pasditen e sotme.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha informoi sot në rrjetet sociale se “forcat zjarrfikëse janë aktualisht në terren dhe po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, në zonën e Tragjasit”.

“Megjithëse në terren të vështirë, po merren të gjitha masat për të izoluar vatrat dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve”, tha Dredha, i cili ndodhet në terren për të inspektuar situatën.

Zjarri ka përfshirë malin e Tragjasit, ku terreni për ndërhyrje është i vështirë.

Ndërkohë që në disa zona te vendit kanë rënë zjarre ditët e fundit. Si pasojë e aktivizimit të Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, që nga orët e para të mëngjesit të sotëm, në Shqipëri kanë mbërritur për të ndihmuar në përballimin e situatës së zjarreve dy avionë “Air Tractor Fire Boss” të Forcës Ajrore suedeze dhe një avion “Canadair” i Forcës Ajrore kroate.

1 nga 5

/a.f/

The post Dredha: Forcat zjarrfikëse në punë për shuarjen e zjarrit në Tragjas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra Rinore në Korçë, Rama: Hapësirë në shërbim të të rinjve

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Qendra Rinore në Korçë është transformuar në një hapësirë ku të rinjtë mund të zhvillojnë talentet e tyre.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo qendër, e cila ofron të gjitha kushtet e nevojshme që të rinjtë të marrin pjesë në aktivitete kulturore, të argëtohen dhe të mësojnë së bashku.

“Qendra Rinore Korçë, një hapësirë në shërbim të të rinjve të qytetit, të cilët do të mund të kalojnë kohë cilësore duke zhvilluar talentet e tyre dhe marrë pjesë në aktivitete kulturore, duke u argëtuar e mësuar së bashku”, theksoi Rama.

Qendra Rinore në Korçë ka një sallë kinemaje, tavolina ping pongu, bilardoje, ambjentin e podcast-it, salla ku të rinjtë mund të punojnë në grupe për realizimin e projekteve shkollore e jashtëshkollore.

Bashkia e Korçës ofron edhe të tjera ambiente për të rinjtë siç është zona sportive e qytetit e biblioteka, ndërsa janë të shumta edhe aktivitetet e organizuara që kanë në qendër të rinjtë.

/k.s//a.f/

The post Qendra Rinore në Korçë, Rama: Hapësirë në shërbim të të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

I shpallur në kërkim nga GJKKO, kapet në Spanjë 34-vjeçari

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar falë shkëmbimit në kohë i informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit u vu në pranga një shtetas i kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Madridin dhe policinë spanjolle, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u krye arrestimi në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar J. D., 34 vjeç.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, në prill 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madrid/Spanjë, vijon bashkëpunimin për finalizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt vendit tonë.

/k.s//a.f/

 

The post I shpallur në kërkim nga GJKKO, kapet në Spanjë 34-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌