Zhupa: Të evidentohen dëmet nga zjarret në objektet e kultit
TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, kryetare e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa deklaroi sot se, objektet e kultit, pjesë e trashëgimisë kulturore që u dogjën nga zjarret nuk mund të lihen në harresë dhe të dëmtuara”.
Zhupa u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, “gjatë zjarreve të cilat sollën dëme të jashtëzakonshme u dogjën dhe 4 objekte kulti dhe pjesë e trashëgimisë kulturore historike shqiptare. Konkretisht: Kisha e Senicës në Delvinë. Kisha e Leftehorit në Delvinë. Teqeja e Shemberdhenjes në Gramsh dhe kisha në Lekel në Tepelenë”.
“Evidentimi i këtyre dëmeve nuk mund të jetë punë rutinore e bashkive, por është detyrë e MEKI, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ministri Blendi Gonxhe, përgjegjës dhe për kulturën, duhet pa vonesa të marr përgjegjësitë që i takojnë ministrisë së tij në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, dhe në bashkërendim me komunitetet fetare të ngrejë një grup ekspertësh, inxhinieresh, përfaqësues të komunitetit fetar që bëjnë një inspektim të plotë për të dokumentuar dëmet dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për restaurim”, theksoi Zhupa.
Po ashtu, shtoi deputetja, “duhet të merren masa të menjëhershme për të parandaluar dëmtime të mëtejshme, si mbrojtja nga lagështira apo rënia e pjesëve të mbetura”.
Zhupa nënvizoi se, “shteti shqiptar duhet të sigurojë fonde të plota vetëm ose në bashkëpunim me donator për restaurimin e këtyre objekteve të kultit dhe trashëgimisë. Restaurimi duhet të bëhet nga specialistë të licencuar në fushën e monumenteve historike”.
“Kjo është kujdesje e domosdoshme për besimtarët, për identitetin kulturor shqiptar, për trashëgiminë, për turizmin kulturor dhe për vetë zonat e prekura të cilat duhet rikthehen siç kanë qenë”, shtoi Zhupa.
Deputetja theksoi se, “kjo do të jetë nga çështjet prioritare të kulturës për të cilat do të kërkoj dëgjesa si kryetare e komisionit parlamentar përgjegjës për kulturën”.
/gj.m/r.e//a.f/
The post Zhupa: Të evidentohen dëmet nga zjarret në objektet e kultit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.