Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 August 2025Main stream

Zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Republikën Srpska, më 23 nëntor

By: xhir jeta
28 August 2025 at 15:40

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë dhe Hercegovinës ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për president të Republikës Sërpska (RS) më 23 nëntor.

Kjo pozitë në entitetin serb mbeti e lirë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia hoqi mandatin Millorad Dodikut më 18 gusht, në bazë të një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, me të cilin ai u dënua me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për ushtrimin e funksioneve publike për shkak të moszbatimit të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Dodik refuzon të tërhiqet nga kjo pozitë. Ndërkohë, Kuvendi i Republikës Sërpska ka miratuar një sërë ligjesh dhe konkluzionesh jokushtetuese që lidhen me mbajtjen e një referendumi në këtë entitet të Bosnjë e Hercegovinës, në të cilin qytetarët do të duhej të shpreheshin për aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kundër Dodikut dhe për vendimin e KQZ-së së Bosnjës me të cilin atij iu hoq mandati i presidentit të RS-së.

KQZ-ja e Bosnjës ka marrë vendim që të shpallen zgjedhje të parakohshme për presidentin e RS-së, pasi dy nënkryetarëve (një boshnjak dhe një kroat) nuk u janë hequr mandatet.

Në mbledhjen e KQZ-së është miratuar gjithashtu përfundimi që lista qendrore e votuesve të mbyllet më 27 gusht të këtij viti në orën 00:00. Të drejtë vote, sipas listës zgjedhore, kanë rreth 1 milion e 266 mijë votues.

Për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska është e nevojshme të ndahen 6 milionë e 490 mijë marka (rreth 3.2 milionë euro).

Bosnja dhe Hercegovina ende nuk ka buxhet të miratuar dhe shteti funksionon me buxhet të përkohshëm. Presidenca në Bosnje më 19 gusht ka dorëzuar projekt-buxhetin, ku është paraparë edhe financimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në RS.

Që të hyjë në fuqi, buxheti duhet të miratohet edhe në të dyja dhomat e Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës.

Kush do të mund të votojë në zgjedhje?
Të gjithë qytetarët në moshë madhore me vendbanim të regjistruar në entitetin e Republikës Sërpska, të cilët figurojnë në listën zgjedhore, mund të votojnë për presidentin e këtij entiteti.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjës menaxhon me listën e votuesve.

Qytetarët mund në çdo kohë të kontrollojnë nëse janë të regjistruar, ku ndodhet vendvotimi i tyre, si dhe të kërkojnë regjistrim ose fshirjen, për shembull, të personave të vdekur nga lista zgjedhore.

Kush do t’i organizojë zgjedhjet?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjës dhe Hercegovinës është organi përgjegjës për organizimin dhe zhvillimin e të gjitha zgjedhjeve në Bosnje – të përgjithshme, lokale dhe të parakohshme.

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, Christian Schmidt, në mars 2024 ka zgjeruar kompetencat e KQZ-së përmes ndryshimeve në Ligjin Zgjedhor të Bosnjës. Me këto ndryshime, KQZ-ja fitoi të drejtën të emërojë anëtarët e këshillave të vendvotimeve, të cilët vetëm në zgjedhjet lokale të atij viti ishin mbi 12.000.

KQZ-ja përveç pranimit të kandidaturave, do të duhet të organizojë edhe pjesën teknike: shtypjen e fletëvotimeve dhe vendosjen e pajisjeve për identifikim elektronik të votuesve dhe numërim elektronik të votave. Ky sistem pritet të zbatohet plotësisht në gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën deri në zgjedhjet e rregullta të përgjithshme në tetor 2026./rel

Messi me një tjetër mrekulli/ Magjistari shënon dy gola, Inter arrin finalen e Kupës

By: xhir jeta
28 August 2025 at 15:33

Tridhjetetetëvjeç i ka mbushur dhe i ka lënë pas, por shkëlqimi nuk zbehet. Lionel Mesi mbetet ende një nga yjet e futbollit botëror, ndonëse jo më në Europë e në Champions, ndërsa në Shtetet e Bashkuara realizoi mrekullinë e radhës.

Kampioni i botës me Argjentinën shënoi dy gola duke i dhënë skuadrës së tij, Inter të Majemit, kualifikimin për në finalen e Kupës së Ligës.

Suksesi ndaj Orlandos ishte 3-1, dhe magjistari I topit realizoi një herë me penallti, dhe herën tjetër nga loja. I kthyer në ekip pasi la prapa dëmtimin duke munguar dy ndeshje, Mesi nuk tregoi shumë në pjesën e parë kur rivalët kaluan në epërsi 1-0.

Gjithsesi, në minutën e 74-ët mori përsipër një 11-metërsh duke mos gabuar, ndërsa dy minuta para fundit të ndeshjes, i mbiquajturi “Pleshti” tregoi klasin në golin e tretë, pas kombinimit me Zhordi Albën.

Ai ka tani 766 rrjeta të shënuar pa penallti në karrierë, duke qenë rekordmeni për të gjitha kohët, ndërsa Kristiano Ronaldo ka 763. Falë Mesi, Inter jo vetëm që mund të fitojë trofeun e Kupës së Ligës, por edhe u kualifikua për në Kupën e Kampionëve të Amerikës Veriore e Qendrore për sezonin e ardhshëm./abcnews.al

Berisha dhe non grata e (pa)hequr/ Doktori gëzohet për non gratën e Sorosit në SHBA

By: xhir jeta
28 August 2025 at 15:12

Doktori doli në konferencë, e pretendon se pas aktit të Trump ndaj George Soros, non-grata e tij tashmë ka rënë.

“Tani, ditë e madhe në histori. Personi që loboi për ‘non gratën’ time subjekt i RICO-s. Si të duket ty. Ja shife. Një.  Dy, personi që firmosi nuk hyn dot në asnjë ndërtesë federative të vendit të tij. ‘Non grata’ në çdo ndërtesë. Si të duken ty këto zhvillime, me thuaj pak. Këto për mua janë zhvillime të jashtëzakonshme, jo vetëm personale, por për mbarë SHBA-të, partnerët e tyre dhe mbarë botën.”

Madje doktori bëri dhe orakullin. Ai tha se e ka parashikuar non-gratën e Sorosit prej vitit 2017, kur e kërkoi nga çadra e Lulit.

“Unë vij sot edhe për të rikujtuar se 8 vite më parë e kam shpallur Sorosin një monstër të njerëzimit. I kam kërkuar publikisht Senatit dhe Kongresit të SHBA që të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij kriminale, antidemokratike jashtë SHBA. E vërteta është se po në këtë fjalë publike, unë kërkova shpalljen e tij non-grata.”

Megjithatë, në këtë rast vlen një fact-check i thjeshtë. E para, Sali Berisha vijon të jetë non-grata nga SHBA. Kjo faktohet ende në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit. E dyta, Soros nuk u shpall non-grata. Presidenti Trump nxori një akt për ti kërkuar drejtësisë amerikane ta ndjekë penalisht për RICO, ose ndryshe organizatë kriminale të cilat përdorin korrupsionin, mashtrimin apo shantazhin, në rastin e tij për nxitjen e protestave në SHBA. Berisha nuk i dëgjon faktet, por i pëlqejnë justifikimet dhe disa arsye pse vijon të mbetet në opozitë.

“Ata u bënë mbështetje kryesore e dhunimit të zgjedhjeve dhe pranimit të zgjedhjeve të dhunuara pa u numëruar ende votat siç ishte rasti i vitit 2021. Për të konsoliduar pushtetin e krimit të Edi Ramës, Xhorxh Soros, fondacioni i tij dhe i biri i tij, u angazhuan në të ashtuquajturat reforma që kishin vetëm një qëllim: monizmin dhe narkoshtetin në Shqipëri.”

Një tjetër fakt është se administrate Trump i njohu zgjedhjet e 11 majit. Këtë të enjte në Shqipëri ato morën edhe vulën përfundimtare nga Komisioni Rregullator. Po Berisha?

“Nuk i njeh zgjedhjet, kemi deklaruar. Përfaqësuesit tanë mbajtjen një qëndrim dinjitoz në komision. Shprehën mendimet, këto ishin një farsë e vërtetë elektorale.”

Por farsa e vërtetë mbaron tani në shtator. Farsaa e Sali Berishës që si çdo katër vjet, bërtet faull po pastaj futet në parlament./abcnews.al

Kripto “piramida”, bllokohen 3 platforma/ Mashtronin qytetarët për të bërë investime në kriptovaluta

By: xhir jeta
28 August 2025 at 15:05

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka bllokuar 3 platforma mashtruese investimi  që operonin online  në vend ndërsa  u ka kërkuar qytetaravë që të bëjnë kujdes dhe të mos bien pre e mashtrimeve.

Pas disa denoncimeve është  verifikuar se këto  aplikacione, nuk janë të  regjistruara dhe të  licencuara për të operuar  në  vendin tonë.

AKSK ka marrë masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të këtyre faqeve mashtruese duke bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet përgjegjëse të AKEP dhe ofruesit e shërbimeve të internetit.

Përtej humbjeve financiare qytetarët që bëhen pjesë e tyre rrezikojnë cënimin e  privatësisë dhe identitetit.

AKSK paralajmëron qytetarët shqiptarë se përfshirja në këtë platformë sjell:

• Humbje financiare të parikuperueshme.
• Rrezik të lartë për cënimin e privatësisë dhe identitetit digjital.
• Mundësi për keqpërdorim të mëtejshëm të të dhënave personale nga rrjete kriminale.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike  sqaron se këto  platforma ofrojnë reklama joshëse në rrjete sociale,prezantojn fitime tw sajuara si dhe kërkojnë  pagesa shtesë me arsyetimin për “verifikim” apo “tërheqje fondesh”.

“Asnjë çudi të ketë lëvizje nga deputetët e PD”, Leka: Maxhoranca e konsoliduar! Qeveria e re? Askush s’di asgjë, përveç Ramës

By: xhir jeta
28 August 2025 at 13:26

Në studion e News Line në ABC News, analisti Martin Leka komentoi zhvillimet e fundit politike në vend, ndërsa këtë të enjte mori fund saga e 11 majit, ndërsa komisioni rregullator certifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

“Ajo që është e re është fakti që zgjedhjet certifikohen pas 5 muajsh, një kohë e gjatë por jemi brenda afatit, jemi gati për konstituimin e parlamentit dhe formimin e qeverisë. Merr fund saga e zgjedhjeve. Ajo që duhet thënë është se ndërsa cerfitikohet saga e zgjedhjeve, risia është te Lapaj, që nuk e merr mandatin. Maxhoranca e konsoliduar në numrat prej 83 mandatesh. Koha ka treguar se shpesh deputetë të ndryshëm kanë shkuar dhe në fakt nga blerjet e deputetëve janë mbajtur qeveri, kujtojme qeverinë e Berishës kur mori deputetin e PS Dogjani, apo Islami. Ishte cudi atëherë nuk ka asnjë cudi të ketë lëvizje edhe brenda nga PD, nuk e përjashtoj si mundësi.” -u shpreh Leka, ndërsa komentoi edhe aksionin opozitar në Kuvend, për të cilin theksoi se nuk mund të presësh të reja nga të njëjtët njerëz.

“PD i përmbahet në mënyrë absurde fatit të liderit të tyre Berisha, që vijon flet për farsë elektorale ndërsa flet për pjesëmarrje në parlament. Këtë kemi parë gjithmonë, edhe në të kaluarën, PD nuk i njeh zgjedhjet si zakonisht, ndërsa në parlament shkojnë është thjesht retorikë e mbajtjes gjallë të elektoratit. Për të thënë zgjedhjet janë vjedhur, por nuk e bëjmë më gabimin e braktisjes së paralemtit e gjitha është një hedhje hi syve të demokratëve. Nuk shoh asgjë të re në qëndrimin e demokratëve të Berishës. Ky është aksioni opozitar dhe qeveria bie vetëm nëse ka njerëz në rrugë. Duhen demostrata permanente dhe jo të ikësh për darkë në shtëpi, opozita nuk e ka këtë lloj fryme akoma. Nuk shoh asgjë të re, të presësh gjëra të ndryshme me njerëz të njëjtë është absurde nuk mund të ketë.’- tha ai.

Sa i takon kabinetit të ri qeveritar, emrat e të cilit pritet të mësohen në fillim të muajit të ardhshëm, Leka u shpreh se hamendësime mund të bëhen plot, por askush nuk di asgjë përvec Edi Ramës.

“Kjo është e reja, duhej mbledhur asambleja e PS, sic ka ndodhur zakonisht dhe aty janë lancuar emrat e rinj. Nuk ndodh kështu këtë radhë, është zgjedhur data pas konstituimit të parlamentit për të mbajtur të tendosur të gjithë aparatin e administratës. Askush nuk di asgjë, përvec Ramës kush do të jetë ekipi qeveritar I tij. Mund të jetë I tëri me gra e vajza, mund të jenë të rinj, janë të gjitha hamendësime po askush nuk di kush mund të jenë,” u shpreh analisti Leka./abcnews.al

“Për 1 000 euro, nuk ta prishim tendën”, detaje nga aksioni ndaj punonjësve të IMT. U denoncuan nga pronari i lokalit

By: xhir jeta
28 August 2025 at 13:07

Zbardhen detaje nga operacioni i një dite më parë ndaj punonjësve të IMT. Gazetari Ermal Vija, tha për ABC News se pronari i një objekti në zonën e Kombinatit kallëzoi në polici, se 4 punonjës të IMT shkuan në biznesin e tij ku konstatuan një tendë që përdorej për lokalin e vendosur brenda oborrit të banesës.

Pas konstatimit, e kanë njoftuar se do të prishet pasi është pa leje. Pasi largohen, njëri prej tyre kthehet pas disa minutash dhe takon pronarin (kallëzuesin) duke i thënë se i ofron marrëveshje që në këmbim të 1000 eurove, nuk do ia prishnin tendën.

Ky i fundit menjëherë kallëzoi në polici, ku kjo e fundit mori autorizim nga SPAK për përgjime e vëzhgime ambientale si dhe simulim të dhënies së parave. Shuma e parave është vendosur në dispizicion nga policia e cila ia ka dhënë kallëzuesit t’ua jepte. Gjatë kësaj kohe, kur shuma e parave iu dorëzua njërit prej punonjësve të IMT, përkatësisht Klajdi Zhillës, 3 kolegët e tjerë e prisnin brenda një lokali në afërsi të objektit.

Brenda këtij lokali kanë mbërritur punonjësit e policisë ku brenda mes të tjerëve ndodhej Geraldo Fuçia. Punonjësit e IMT kanë kuptuar prezencën e policisë dhe kanë lënë paratë në banakun e lokalit, Klajdi Zhilla arriti të largohej ndërsa 3 të tjerët u ndaluan.

Nga 3 të ndaluarit, vetëm Geraldo Fuçia mbahet në arrest ndërsa u shpall në kërkim Klajdi Zhilla pasi për dy të tjerët nuk u gjetën prova. Zhilla dhe Fuçia akuzohen për korrupsion pasiv.

Eurobasket, fitojnë favoritët/ Serbia, Gjermania, Turqia e Lituania ia dalin pa probleme

By: xhir jeta
28 August 2025 at 12:55

Ishte fillimi dhe u dha një mesazh. Pretendentët kryesorë për fitoren në Kampionatin Europian të basketbollit fituan që të gjithë, e madje me diferencë. Skuadra favorite, Serbia e trajnerit Svetislav Peshiç, nuk pati probleme të mundte lehtë Estoninë, edhe pse u luajt pikërisht në Estoni.

Rezultati ishte 98-64, dhe më I miri në parket ishte Nikola Joviç, i cili rrezikoi të thyente rekordin e Nikola Jokiçit si shënuesi më I mirë në debutimin në Europian.

Gjithsesi, Peshiç e uli në stol kur arriti 18 pikë, dhe rekordi prej 19 pikësh mbeti. Vetë Jokiç iu afrua tripëll dabëllit edhe pse nuk dha maksimumin, me 11 pikë, 10 topa në tabela e 7 asistë.

Në këtë grup, Turqia kaloi gjithashtu lehtë Letoninë me shifrat 93-73. Ylli kryesor, Xhedi Osman realizoi 20 pikë, 19 pati Kenan Sipahi, 16 Alperei Shengyn dhe 15 amerikani I natyralizuar Shejn Larkin.

Padyshim që turqit do të jenë pretendentë dhe rrezik për të tjerët. Gjermania, ndërkaq, kaloi një provë ballkanase si Malin e Zi duke e mundur thellë 106-73.

Lojtari më I mirë I ndeshjes u shpall ylli i NBA-së, Denis Shrëder, që shënoi 21 pikë, ndonëse realizuesi më I mirë ishte Franc Vagner me 22.

Katër basketbollistë gjermanë shënuan mbi 10 pikë. Lituania, një tjetër “Zonjë e Rëndë” e basketbollit europian, kaloi rezistencën e Britanisë së Madhe në “Arenën Nokia” në Tampere të Finlandës.

Baltikasit fituan 94-70 dhe më I miri në fushë ishte padyshim veterani Jonas Valanciunas me 18 pikë e 9 topa në tabela. Gjithsesi, mungesë e madhe që do të ndikojë është ajo e Domantas Sabonisit të dëmtuar.

Shumë I fortë ishte derbi skandinav mes Finlandës dhe Suedisë fituar nga finlandezët vetëm me shifrat 93-90, ndërsa Lauri Markanen u shpall basketbollisti më I mirë I ditës së parë të Europianit, duke shënuar 28 pikë në prani të mbi 11 000 tifozëve në Tampere./abcnews.al

Plotësohet Champions League/ Kualifikohen Benfica, FC Copenhagen, Club Brugge dhe Qarabag

By: xhir jeta
28 August 2025 at 12:54

Champions League ka dhënë katër biletat e fundit, duke plotësuar fazën finale të turneut më të rëndësishëm të futbollit europian për klube.

Nuk kishte surpriza në sfidat e fundit të play off, ku të gjitha skuadrat pritëse siguruan kualifikimin për në raundin e grupeve.

Jashtë mbeten Mourinho dhe Fenerbahçe.

Pas barazimit pa gola në sfidën e vajtjes, turqit u mundën 1-0 në fushën e Benfikës.

Gjigandët e futbollit portugez nuk zhgënjyen parashikimet, falë golit të vetëm të Artugollu në minutën e 35-të.

Nuk kishte festë as për Bazelin e Xherdan Shaqirit.

Futbollisti me origjinë shqiptare ishte protagonist në sfidën e vajtjes ku shënoi në barazimin 1-1 kundër Kopenhagen, por në transfertën daneze kampionët e Zvicrës u mundën 2-0.

Kornelius dhe Maukoko në pjesën e dytë vulosën fatin e sfidës dhe kualifikimin e Kopenhagen në fazën finale të Champions League.

Të njëjtin sukses jetuan edhe Klub Brugge dhe Qarabag.

Pas fitores 3-1 në transfertë, kampionët belgë shkatërruan 6-0 Gllasgou Rangers në sfidën e kthimit në shtëpi.

Gjithçka e lehtë për vendasit, që e vranë garën  me pesë goila që në pjesën e parë, ndërsa në të dytën plotësuan goleadën për të vazhduar rrugën në turneun më të rëndësishëm të futbollit në kontinentin e vjetër.

Edhe Qarabag siguroi kualifikimin pavarësisht humbjes 3-2 në fushën e tij kundër Ferencvaros.

Kampionët e Azerbajxhanit kishin fituar 3-1 ndeshjen e vajtjes në transfertë, duke marrë vendin në fazën finale të Champions League./abcnews.al

Manchester United për turp/ “Djajtë e Kuq” eliminohen nga skuadra e kategorisë së katërt

By: xhir jeta
28 August 2025 at 12:52

Zhgënjimet e kanë shoqëruar në sezonet e fundit, por asnjëherë më parë nuk kishte jetuar një dështim të këtij niveli. Një katastrofë e vërtetë sportive ajo e Manchester United që u eliminua në fazën e parë të Kupës së Ligës në Angli, pas humbjes me 11 metërsha nga një skuadër që militon në kategorinë e katërt si Grimsby Town.

“Djajtë e Kuq” panë shpejt ferrin, pasi mbyllën pjesën e parë në dizavantazhin e dy golave. Vendasit modestë kaluan në epërsi në minutën e 22-të.

Më pas, përtej çdo pritshmërie dyfishuan rezultatin me Uorren përpara pushimit. Të dy këta futbollistë do të kenë se me cfarë t’iu mburren nipërve në të ardhmen, ndërsa te lojtarët e Manchester United kjo humbje do të jetë një njollë e zezë në të gjithë karrierën.

Skuadra e drejtuar nga Ruben Amorim provoi ta evitonte këtë në pjesën e dytë. Mbemo rihapi garën në minutën e 75-të, ndërsa në limitet e kohës së rregullt, Maguire barazoi shifrat, duke e çuar sfidën në goditjen e penalltive.

Por nga pika e 11 metrave, ky goditën të gjithë futbollistët në fushë, vendasit triumfuan 12-11, duke shkruajtur faqen më të ndritur në historinë e skuadrës të mësuar me ligat inferiore të futbollit anglez.

Krejt i ndryshëm është diskutimi për Manchester United. Për gjigandët e Premier League ky ishte dështimi më i madh në historinë e tyre, ndërsa Ruben Amorim dhe të besuarit e tij duhet të jetojnë jo vetëm me turpin, por edhe kritikat mbytëse të tifozëve dhe mediave angleze./abcnews.al

Bayern “luan me zjarrin” / Harry Kane shpëton bavarezët në raundin e parë të Kupës

By: xhir jeta
28 August 2025 at 12:50

Mungesë impenjimi apo nënvlerësim i rivalëve. Të dytja këto arsye mund të qëndrojnë, por fakt është që Bayern Munich luajti me zjarrin në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë.

Bavarezët rrezikuan një përmbysje të madhe, që mund t’i eliminonte nga turneu, por për fat të mirë të tyre në skuadër kanë një sulmues si Harry Kane, që vendosi në shtesë fitoren 3-2 kundër Vehen.

Sipas të gjitha parashikimeve, Bayern kaloi shpejt në epërsi, pasi Kane goditi saktë nga pika e penalltisë në minutën e 16-të. Kaq për pjesën e parë, ndërsa pas pushimit kampionët e Bundesligës shënuan edhe golin e dytë me Olise në minutën e 51-të.

Realizimi i francezit dha përshtypjen e një sfide të mbyllur përpara kohe, por këto pritshmëri u rrëzuan me reagimin e papritur të vendasve.

Skuadra e kategorisë së tretë barazoi shifrat me dy gola të shpejtë në vetëm pesë minuta me autor të njëjtë, Fatih Kaja. Në minutën e 76-të, Harry Kane kishte në këmbët e tij golin e dytë personal dhe të tretin për Bayern, por si rrallë herë gaboi nga pika e penalltisë.

Gjithsesi, sulmuesi anglez do të kthehej sërish në shpëtimtar në minutën e katërt shtesë, duke evituar surprizat e hidhura për bavarezët, që sigurojnë kështu kualifikimin për në raundin e dytë të Kupës së Gjermanisë./abcnews.al

 

Dita e parë e Asllanit/ Torino publikon videon e mbërritjes së shqiptarit në klub

By: xhir jeta
28 August 2025 at 12:48

Rëndësi ka që u stabilizua. Kristian Asllani padyshim që është një njeri I lumtur pasi periudha e mëdyshjeve dhe e rrezikut kaloi, dhe ai e gjeti një ekip për të qenë për të luajtur.

Klubi I Torinos publikoi videon e ditës së parë të mesfushorit shqiptar, për momentin të huazuar nga Interi, ndërsa ai duket I lumtur që do të vazhdojë në Serinë A.

E vetmja gjë që nuk arriti ta merrte siç donte ishte numri në fanelë, dhe u detyrua të kënaqej me një tjetër. Asllani e thotë qartë ndërsa flet për kamerën e klubit.

“Unë mora fanelën me numrin 32 sepse të gjitha të tjerat ishin të zëna. Më pëlqen numri 23, por është I zënë. Doja 44-ën, por e ka Ismajli, prandaj mora 32-in që është e kundërta e 23-it”.

Mesfushori 23-vjeçar me siguri e donte fanelën me numrin 23 sepse përkonte me moshën e tij, ose ndoshta ka ndonjë arsye tjetër.

Gjithsesi, tani ai është pjesë e ekipit “granata”, bashkë me yllin tjetër të kombëtare shqiptare, mbrojtësin Ardian Ismajli.

Ata nuk ishin pjesë e Torinos në ndeshjen e parë të Serisë A, atë të humbur 5-0 në fushën e Interit, por ndoshta do të jenë gati për duelin e dytë, të dielën në shtëpi kundër Fiorentinës.

Votimi i nënkryetarit serb/ Kuvendi mblidhet për përmbylljen e konstituimit

By: xhir jeta
28 August 2025 at 10:05

Kuvendi i Kosovës sot vazhdon punimet në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Seanca konstituive e Kuvendit nuk ka arritur të përmbyllet as të martën, në përpjekjen e 58-të. Edhe pse janë zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, procesi i konstituimit ka mbetur i papërfunduar për shkak të pamundësisë për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.

Deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur për kryeparlamentar të ri Dimal Bashën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka marrë 73 vota pro. Pas tij janë zgjedhur edhe nënkryetarët e partive shqiptare dhe ai i komunitetit joshumicë joserbe. Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u votuan në pako me shumicë votash, derisa votat e mjaftueshme i mori edhe Emilia Rexhepi nga komunitetet joshumicë.

Por, për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe procesi ka ngecur te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe ka insistuar vetëm në kandidatin Sllavko Simiq, por që nuk ka marrë votat e nevojshme. Pas refuzimit të Listës Serbe për të dhënë propozim tjetër është bërë hedhja në votim e kandidatëve përmes shortit, e ku dy kandidatë tjerë nga Lista Serbe, Verica Çeraniq dhe Stefan Kovaçeviq nuk morën votat e nevojshme të deputetëve. Kandidatja e tretë i tërhequr në short, Liljana Stefanoviq refuzoi të hidhej në votim. Më pas në short u tërhoq emri i deputetit Nenad Rashiq, që nuk është pjesë e Listës Serbe, por as ai nuk mori votat e mjaftueshme. Vetëm 55 deputetë votuan pro kandidaturës së tij.

Pas krejt këtyre zhvillimeve në Kuvend, kryeparlamentari Dimal Basha theksoi se në frymën e bashkëpunimit e ndërpret seancën për ta vazhduar të enjten, në ora 11:00.

Në ditën e 10-të, pasi ka filluar rrjedhja e afatit kushtetues për bërjen e Kuvendit, deputeti nga radhët e pakicës serbe, Nenad Rashiq, tha se pret të marrë më shumë se 61 vota për ta përfaqësuar komunitetin serb nga posti i nënkryetarit të Kuvendit.

Yesterday — 27 August 2025Main stream

Nis Europiani i Basketbollit/ Turneu i koshit do të startojë këtë të mërkurë në katër vende

By: xhir jeta
27 August 2025 at 14:19

Tre vjet më parë përfundoi kështu. Spanja, deri atëherë një superfuqi e basketbollit botëror, fitoi titullin në Kampionatin Europian në 2022, duke mundur Francën 88-76.

Nuk ka kaluar shumë kohë, por situata ka ndryshuar tërësisht, dhe “Furitë e Kuqe” nuk pritet që të jenë në gjendje ta mbrojnë kurorën. Do të jetë Serbia, favoritja për titull në Eurobasketin që nis sot në Estoni, Greqi, Slloveni e pikërisht Spanjë.

Skuadra ballkanase, që fitoi medaljen e bronzit në Lojrat Olimpike në Paris vitin e kaluar pasi u mund në gjysmëfinale nga “Drim Tim” amerikan, ka përbërjen dhe përvojën për t’ia dalë.

Trajneri I vjetër, Svetislav Peshiç, do të drejtojë yje si Nikola Jokiç, kapitenin Bogdanoviç, Miçiç, Joviç, Petrushev apo Vukçeviç. Nëse do t’ia dalë, do të ishte hera e parë si Serbi, sepse në 1995, 1997 e 2001 ka fituar si Jugosllavi.

Nuk mund të nënvleftësohet Franca, nënkampione olimpike në fuqi, edhe pse “gjelave” u mungon ylli kryesor, Viktor Uembaniama i dëmtuar. Gjermania gjithashtu është një pretendente e fortë, madje “teutonët” cilësohen si pretendentët numër 2 për titullin, e pas tyre janë Franca e Greqia.

Një duel në distancë, apo ndoshta edhe ballë për ballë, do të jetë ai mes dy më të mirëve të Europës në këtë moment, yjeve të NBA-së si Jokiç i Serbisë dhe Luka Donçiç i Sllovenisë, edhe pse skuadra tjetër ballkanase ka mungesa dhe nuk pritet të pretendojë këtë herë./abcnews.al

Inter fiton falë shqiptarit/ Portieri i Kombëtares U19, Alan Taho, hero për zikalterit

By: xhir jeta
27 August 2025 at 14:11

Në fushë hyri si kampion, edhe pse nuk pati meritë në atë trofe. Portieri i Shqipërisë U19, Alen Taho, ishte titullar për ekipin e Shpresave të Interit në finalen e Superkupës ndaj Kaljarit, fituar pas penalltive.

Gardiani kuqezi u bë protagonist, edhe pse fillimi I finales ishte katastrofal për të. Gaboi duke bërë që ekipi të pësonte gol që në nisje, por gjithsesi kjo goditje nuk e shkatërroi.

Edhe pse pati fat, ruajti qetësinë ndërsa Interi reagoi. Moskoni barazoi në 29’, por në 37’ erdhi goli i dytë i sardëve, për të cilin Taho këtë herë nuk është se pati faj.

Në 82’, Labeli barazoi për zikaltërit në 2-2, dhe tek gjuajtjet e penalltive, shqiptari ishte vendimtar. Ai priti penalltinë e parë të ishullorëve, duke bërë që Interi I trajnerit Benito Karbone të fitonte 5-3, pasi nuk gaboi asnjë gjuajtje.

Ky ishte trofeu I parë për portierin e Shqipërisë U19, ndërsa sapo ka nisur karrierën tek Shpresat zikaltër. Festa ishte e madhe në Arenën Çivika “Xhani Brera” në Milano, dhe besohet se Taho do të arrijë në elitën italiane dhe do të jetë portieri I ardhshëm I kombëtares shqiptare./abcnews.al

Asani e bën “sefte” në Iran/ Aktivizohet menjëherë tek Esteghlal në Ligën vendase

By: xhir jeta
27 August 2025 at 14:03

U mendua se mund të ishte edhe titullar, por nuk ndodhi kështu. Gjithsesi, lajmet e mediave iraniane ishin të vërteta, se trajneri i Esteglalit, Sa Pinto, do ta aktivizonte pa vonesë Jasir Asanin.

Vetëm tri-katër ditë pas mbërritjes në Teheran, lojtari i kombëtares shqiptare debutoi në futbollin e vendit të madh aziatik, madje prania e tij u ndje. Esteglal po humbiste me shifrat 3-1 në pjesën e parë në ndeshjen e kampionatit, ndonëse po luante në shtëpi ndaj Zob Ahanit.

Asani hyri pas pushimit dhe ndihmoi skuadrën që të reagonte. Ai mori pjesë në aksionin e golit të dytë shënuar në minutën e 49-të nga Alireza Kushki, që ishte gjithashtu autor i rrjetës së parë në barazimin e përkohshëm 1-1.

Më pas, ylli kuqezi pati edhe mundësi të shënonte vetë, por gaboi përpara portierit. Gjithsesi, debutimi mund të cilësohet pozitiv, dhe mediat në Iran shkruajnë se ardhja e një lojtari si Asani, dhe nga një ligë e fortë si ajo e Koresë së Jugut, do të ndihmojë Esteglalin, por edhe rritjen e nivelit të kampionatit iranian.

Në fund, në minutën e katërt shtesë, ekipi I shqiptarit barazoi falë rrjetës së zgjuar nga Ramin Rezaiean, duke marrë të paktën një pikë nga një ndeshje që po e humbiste. Esteglal ka 4 pikë pas dy javëve të para, dhe shpreson të fitojë titullin e parë që nga viti 2022./abcnews.al

Broja, gati për Kombëtaren/ Sulmuesi kuqezi luan si titullar me Burnley, asist në Kupë

By: xhir jeta
27 August 2025 at 13:59

Nuk e shihte fushën që nga prilli. Emocionet padyshim që ishin të mëdha për Armando Brojën, ndërsa bënte debutimin tek Bërnli, dhe luante futboll pas 129 ditësh.

Edhe pse i mësuar me mungesat e gjata, sërish vuajtja e pritjes mbetej e madhe, por për fat sulmuesi kuqezi pati nje debutim shume te mire, duke qene protagonist ne ndeshjen e Kupes se Liges.

Ylli i kombetares shqiptare ishte titullar dhe sherbeu pasimin per golin e avantazhit shenuar ndaj Derbi Kauntit nga Ramsej që ne minuten e katert. Broja ishte ne fushe për 68 minuta ne duelin e luajtur në shtëpi, dhe shpresohet qe te mos kete më tej probleme fizike e te kthehet ne formen e dikurshme.

Bërnlei e bleu këtë verë kartonin e tij nga Çelsi per 23 milione euro. Trajneri Skot Parker deklaroi se lojtarët e rinj që hynë në fushë, si Broja apo Ramsej, patën një mundësi të mirë për të treguar veten pasi u kthyen nga dëmtimet dhe debutuan, dhe se ai ishte i kënaqur prej tyre.

Asistin e fundit, Armando e pati dhënë në 9 mars të 2024-ës, pra një vit e gjysmë më parë në Premier Ligë, kur mbante veshur fanelën e Fulhamit, ndërsa golin e fundit zyrtar e ka shënuar në 2 tetor 2023, pra gati dy vjet të shkuara me Çelsin gjithashtu në kampionatin anglez. Shpresohet që ta gjejë rrugën e rrjetës sa më shpejt edhe në Bërnli./abcnews.al

Kriset qeveria e Albin Kurtit/ Liburn Aliu jep dorëheqjen pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryeparlamentar

By: xhir jeta
27 August 2025 at 12:04

Ministri i Infrastrukutës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Kosovë, Liburn Aliu ka dhënë dorëheqje sot nga detyra. Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se dorëheqja e tij vjen pasi Dimal Basha, është zgjedhur dje si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Aliu ka thënë se sot ia ka dorëzuar letrën e dorëheqjes Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë, i njëjti pohoi se dje vetëm se e kishte njoftuar të parin e ekzekutivit për vendimin e tij.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim”.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu.

“Ndihma nga jashtë s’është fenomen shqiptar”, Rama: Zjarret, kemi një kapital njerëzor që nuk e lë Shqipërinë në baltë

By: xhir jeta
27 August 2025 at 11:41

Rama: Na nevojitet, parandalim më të mencur, pastrim pyjesh, krijim koridoresh natyrore, më shumë dronë në përdorim me kamera termike. Dhe futjen e dronëve për mbjelljet e reja, një funksionim më i mirë falë investimeve që do bëjmë më tej të qendrave të kontrollit për reagim më të shpejtë.

Kërkohet edukim e ndërgjegjësim, gjë që kërkon që cdo shkollë të ndërgjegjësoje nxënësit dhe një solidaritet më i madh ndërkombëtar. Falë rrjetit të solidaritetit ia kemi dalë më së mirë të evitojmë më të keqen. Kroacia, Italia, Suedia, Greqia meritojnë një falenderim të posacëm.

Ardhja e mjeteve nga jashtë nuk është një fenomen shqiptar, apo e bën vetëm Shqipëria se nuk ka, i marrin edhe vende të tjera dhe reciprokisht këmbejnë mjetet.
Falenderim të vecantë për Emiratet e Bashkuara, që me shpejtësi dërguan helikopterë edhe avionë. Sot nderojmë Shqipërinë që tregoi se po, kemi të meta, kemi shumë për të investuar ne mjete inteligjente. Nuk mund të dilnim nga kjo verë pa plagë, por kemi një kapital njerëzor që nuk e lë Shqipërinë në baltë, Shqipëria tregon forcë të madhe propocionale, sa më e madhe sfida aq më e fortë ndjenja e përkushtimit.

Le ta përmirësojmë më tej punën së bashku duke futur më shumë teknologji, duke u përgatitur si me një ndeshje të radhës me një përbindëshm që sa vjen e do bëhet edhe më i egër. Rrisim mbështetjen financiare. Me përulësi i japim përgjigur pozitivisht propozimeve nga ministritë për medaljet, si një shenjë simbolike mirënjohje dhe mesazh për një trupë që meriton gjithë nderimin e posacëm. Respekt për të gjithë ju dhe sa herë më duhet të flas me njerëz me uniformë, shpreh mirënjohjen për familjet tuaja që e dinë më mirë se kushdo sa e vështirë është puna juaj dhe jetojnë me ndjesinë e rrezikut./abcnews.al

‘Mendova se ishte fundi i jetës sime’/ Të mbijetuarit e sulmit izraelit tregojnë orët e tmerrit në burgun Evin në Iran

By: xhir jeta
27 August 2025 at 10:37

“Për mua, ferri nuk ishte momenti kur Izraeli sulmoi; ferri ishte momenti kur ata nuk do të hapnin derën e qelisë për ne”, kujton Motahareh Goonei në një intervistë ekskluzive me BBC-në.
Një aktiviste politike, Goonei ishte në izolim në burgun famëkeq Evin të Iranit kur u godit në një sulm nga Izraeli më 23 qershor.

Imazhet satelitore, rrëfimet e dëshmitarëve dhe pamjet e verifikuara të marra nga BBC News Persian zbulojnë detaje të reja të sulmit në orët e fundit të luftës Izrael-Iran dhe të atyre që vdiqën.
Kompleksi i sigurisë së lartë, i vendosur në skajin verior të Teheranit, ka mbajtur mijëra të burgosur politikë gjatë gjysmës së shekullit të kaluar. Atë ditë, burgu u bë vendi i sulmit më vdekjeprurës izraelit në tokën iraniane për sa i përket viktimave civile.

Autoritetet iraniane thonë se 80 persona u vranë – midis tyre stafi i burgut, të burgosur, punonjës mjekësorë, vizitorë dhe banorë të lagjeve të afërta. Në një raport të publikuar më 14 gusht, Human Rights Watch tha se sulmet ajrore izraelite ndaj burgut ishin të paligjshme dhe përbënin dukshëm një krim lufte. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se arsyeja e sulmit ishte se objekti po “përdorej për operacione inteligjence kundër Izraelit”.

‘Pa rrugëdalje’
Duke përshkruar momentin kur shpërthimet përshkuan kompleksin, Goonei tha: “Kur dëgjova shpërthimin e tretë, isha i sigurt se nuk kishte rrugëdalje. Thjesht godita derën me gjithë forcën time, por nuk hapej. Mendova ‘ky është fundi i jetës sime – thuaj lamtumirë’.” E liruar nga qelia e saj nga një i burgosur tjetër, Goonei hasi në tym të dendur dhe gati po mbytej. Ajo thotë se rojet fillimisht u përpoqën t’i pengonin të burgosurat të arratiseshin, dhe disa hetues të burgut madje i kërcënuan.

Megjithatë, në skenat që ajo i përshkroi si “të tmerrshme, por humanizuese”, të burgosurat nxituan të ndihmonin rojet e plagosura, duke qetësuar një oficere nw panik dhe duke i fashuar plagët një hetuesi që qante.

Të burgosura të tjera nga një repart tjetër nxituan të ndihmonin mjekët dhe infermierët e bllokuar në klinikën e burgut. Saeedeh Makarem, një mjeke që u plagos rëndë në sulm, më vonë shkroi në Instagram: “Pikërisht të burgosurat që trajtova dikur më shpëtuan jetën”.

Një grua tjetër e mbajtur në Evin, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të frikës për sigurinë e saj, e ka përshkruar momentin e sulmit për BBC-në. “Në fillim pati disa shpërthime me radhë dhe zhurma vazhdoi për rreth dy minuta. Ne qëndruam në shtretërit tanë në fillim sepse dritaret ishin thyer, pastaj u veshëm dhe të gjithë ndihmuam për të zbritur gratë e moshuara poshtë. Askush nga burgu nuk na ndihmoi – na e mbyllën derën dhe na thanë se nuk mund të dilnim.’

Shkalla e sulmit
Analiza e BBC tregon se Izraeli e sulmoi Evinin me të paktën gjashtë predha, duke dëmtuar të paktën 28 ndërtesa brenda kompleksit. IDF thotë se kishte kryer një “sulm të synuar” ndaj “një simboli të shtypjes kundër popullit iranian” dhe pretendoi se u morën masa për të minimizuar dëmin ndaj civilëve.

Por një i afërm i një të burgosuri politik që mbërriti për vizitë vetëm pak minuta pas shpërthimeve tha se “ata që dilnin nga burgu thoshin se kishte trupa kudo. Disa të burgosur kishin dalë, asnjëri prej tyre nuk po përpiqej të arratisej – thjesht të shtangur”. Autoritetet iraniane thonë se 75 të burgosur ikën gjatë kaosit. Disa u kapën më vonë ose u kthyen vullnetarisht.

Pse të synohej Evin?
Izraeli pretendoi se burgu po përdorej për “operacione inteligjence kundër tij, përfshirë kundërspiunazhin”. Nuk u është përgjigjur pyetjeve nga BBC në lidhje me objektivat e saktë ose armët e përdorura, ose nëse parashikonte vdekjen e civilëve. Një muaj pas sulmit, Amnesty International publikoi një raport mbi incidentin.

“Drejtimi i sulmeve ndaj objekteve civile është rreptësisht i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Kryerja e sulmeve të tilla me vetëdije dhe qëllimisht përbën një krim lufte”, tha Erika Guevara Rosas, Drejtore e Lartë për Kërkime, Avokim, Politika dhe Fushata në Amnesty. Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut deklaroi se Evin “nuk ishte një objektiv ushtarak” dhe sulmi shkeli ligjin ndërkombëtar humanitar./abcnews.al

❌
❌