Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Vengu: Rivlerësim strategjik i Mbrojtjes sipas objektivave të samitit të NATO-s

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot një takim me Komandën e Forcës Tokësore.

Ministri Vengu tha se ka nisur puna për Rivlerësimin Strategjik të Mbrojtjes (RSM), me fokus modernizimin e forcave dhe arritjen e objektivave të kapaciteteve të vendosura në Samitin e NATO-s në Hagë.

Sipas Vengut, “dy janë përparësitë kryesore të vendosura dhe ato janë planifikimi transparent bazuar në prioritetet reale, duke marrë parasysh modernizimin e mjeteve, pajisjeve dhe sistemeve përmes industrisë “Made in Albania” nga municionet dhe armatimi i lehtë deri tek mjetet e blinduara, mjetet e emergjencave civile, artileria e rendë, dronët luftarakë, dhe sistemet kundër-ajrore”.

“Zhvillimin dhe specializimin e burimeve njerëzore mbështetur në infrastrukturë të re akademike, rritje të trajtimit financiar dhe promovimit të karrierës ushtarake për të rinjtë shqiptarë. Vëmendje të posaçme do të marrë fuqizimi i Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe i Komandës Kibernetike si dy shtylla të ekselencës tonë ushtarake”, tha Vengu, krahas modernizimit të Mbrojtjes civile dhe kontrollit të territorit duke investuar në flotën ajrore, atë tokësore, dhe sistemet e monitorimit dhe komandimit kontrollit në kohë reale.

Përparësia e dytë, sipas ministrit të Mbrojtjes, është përmbushja e angazhimeve në NATO, duke përditësuar Planin Zhvillimor të FARSH, me një kalendar të qartë investimesh që shoqërojnë rritjen e buxhetit të Mbrojtjes në mënyrë graduale deri në 3.5% të PBB-së.

Gjithashtu, Vengu u shpreh se “vijon puna me të gjitha komandat dhe kompanitë e prodhimit ushtarak për të ndërtuar një Forcë të Armatosur të aftë dhe të përgatitur për sfidat e së nesërmes”.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu takim me Komandën e Forcës Tokësore
1 nga 14

/e.i/j.p/

The post Vengu: Rivlerësim strategjik i Mbrojtjes sipas objektivave të samitit të NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avokatët e Veliajt: Të shqetësuar që mediat marrin informacion nga SPAK para se të njoftohet i hetuari

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ekipi ligjor i Erion Veliajt ka reaguar ndaj rrjedhjeve të vazhdueshme të informacionit nga hetimi penal që po zhvillohet ndaj kryebashkiakut të pezulluar të Tiranës, duke e cilësuar këtë një fushatë të orkestruar për ta paragjykuar në publik.

Në një deklaratë publike, avokatët e tij denoncojnë se edhe për takimin e parashikuar për nesër me SPAK-un, mediat janë vënë në dijeni përpara vetë Veliajt, çka sipas tyre përbën një tjetër provë të manipulimit të opinionit publik dhe shkeljes së sekretit hetimor. Ata kërkojnë hetim për rrjedhjet e informacionit dhe theksojnë se Veliaj do të sfidojë çdo akuzë me prova dhe argumente ligjore.

Reagimi i plotë:

“Jemi thellësisht të shqetësuar që, praktika e nxjerrjes së informacioneve mbi procedurat e çështjes penale të Veliajt, vijon edhe në rrethanat e një takimi të prezumuar që do të mbahet nesër mes avokatëve të tij dhe SPAK-ut. Njoftimi i medias apo marrja e informacionit nga ana e medias përpara se vetë personit nën hetim, Veliaj, është një provë tjetër e faktit që kjo është një taktikë jo ligjore e prokurorisë për të sugjeruar në publik fajësinë e Veliajt.

Zbulimi i përsëritur dhe i paligjshëm i informacioneve që përbëjnë sekret hetimor mbi çështjen e Veliaj ka vijuar pa ndërprerje që nga dita e arrestimit të tij, në një përpjekje të qëllimshme për ta paragjykuar. Mosfillimi i asnjë procedimi penal nga ana e Prokurorisë së Posaçme për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a (“Zbulimi i akteve ose dhe të dhënave sekrete”) i Kodit Penal, tregon qartë bashkëpunimin e këtij organi në realizimin e kësaj vepre penale.

Siç jemi njohur nga mediat e “SPAK”, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit nga SPAK, 163 ditë pas arrestimit të Veliajt, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij.

Veliaj kundërshton me forcë çdo akuzë për shkelje dhe vijon të theksojë bindjen e tij se ndalimi i zgjatur, i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional është në dëm të rëndë jo vetëm të të drejtave të tij kushtetuese si qytetar i këtij vendi, por edhe në dëm të rëndë të qytetarëve të Tiranës që kanë zgjedhur qeverisjen e qytetit dhe të vetë qytetit të Tiranës, që ka nevojën imediate të qeveriset nga kryetari i zgjedhur.”

/e.i/j.p/

The post Avokatët e Veliajt: Të shqetësuar që mediat marrin informacion nga SPAK para se të njoftohet i hetuari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKSK bllokon sulmin keqdashës me SMS në emër të një banke të nivelit të dytë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Një përpjekje për mashtrim ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet një SMS-je të rreme, që tentonte të përvetësonte të dhëna bankare në emër të një banke të nivelit të dytë, u parandalua dhe neutralizua në kohë rekord.

Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional me bankën e nivelit të dytë dhe AKEP, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ndërmori menjëherë masat për të bllokuar aktivitetin keqdashës dhe aksesin në faqen mashtruese, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij sulmi të tipit smishing.

SMS-të mashtruese si këto përpiqen të nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të ndajnë informacione të ndjeshme financiare. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe monitorimit të vazhdueshëm, u parandalua që mos të ketë ndikim drejt qytetarëve shqiptarë.

AKSK u kujton qytetarëve:

Mos klikoni në lidhje të dyshimta nga burime të panjohura.

Mos ndani të dhëna personale apo bankare përmes SMS apo rrjeteve sociale.

Verifikoni gjithmonë adresat zyrtare të bankave apo institucioneve.

Kërkoni ndihmën e një eksperti të sigurisë kibernetike

Raportoni raste të ngjashme të sulmeve kibernetike.

/e.i/j.p/

The post AKSK bllokon sulmin keqdashës me SMS në emër të një banke të nivelit të dytë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pret ambasadorin e Spanjës: Intensifikim i diplomacisë parlamentare

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali priti sot në një takim ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në vendin tonë, Gabriel Cremades Ventura.

Kryeparlamentarja Spiropali i përcolli ambasadorit Ventura, urimet më të mira për misionin e tij në Shqipëri, ndërsa theksoi se “intensifikimi i diplomacisë parlamentare është thelbësor për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh”.

Kryetarja e Parlamentit tha se Spanja mbetet një mbështetëse e çmuar në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, ndërsa konfirmoi mbështetjen për objektivin strategjik kombëtar të Shqipërisë për anëtarësim në BE brenda 2030.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në një takim Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në...
1 nga 4

/e.i/j.p/

The post Spiropali pret ambasadorin e Spanjës: Intensifikim i diplomacisë parlamentare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr me pasojë djegien e 40 hektarëve ullinj dhe pyll, arrestohet 64-vjeçari në Belsh

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Një sipërfaqe prej rreth 40 hektarësh tokë me ullinj dhe pyje është djegur si pasojë e një zjarri të ndezur në mënyrë të qëllimshme në fshatin Shegas, Belsh.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimet e kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik zbuluan se zjarri kishte nisur në tokën në pronësi të 64-vjeçarit dhe më pas ishte përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme ullishte dhe pyll.

Policia nënvizon se nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas ka ndezur zjarr në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me pemë ulliri dhe një sipërfaqe pylli, në total rreth 40 ha.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

/e.i/j.p/

The post Ndezi zjarr me pasojë djegien e 40 hektarëve ullinj dhe pyll, arrestohet 64-vjeçari në Belsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasenauer: 20 profesorë nga universiteti BOKU të angazhuar në Universitetin Bujqësor

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Nëntë programe studimi sipas modelit BOKU në nivelin bachelor ofrohen nga ky vit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ndërsa ka nisur puna për akreditimin e UBT-së për nivelin bachelor.

Koordinatori i projektit, Prof. Dr. Dr.h.c Hubert Hasenauer tha sot gjatë akitivitetit ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama se është arritur të ndërtohet një frymë bashkëpunimi, me shumë të rinj të angazhuar që duan të përmirësojnë cilësinë e arsimit në Shqipëri.

“Këtë nuk e bëjmë për të rritur si unë, por e bëjmë për brezat e ardhshëm, brezat e rinj dhe të ardhmen e vendit, ndërsa shoh realisht ambicien që keni drejt BE-së. Proceset e ndryshimit që po ndërmarrim këtu janë shumë të rëndësishme që do të thotë se vijnë nga universitetet e mësimdhënies dhe kërkimit. Niveli i lartë i mësimdhënies është po aq i rëndësishëm për të gjithë”, tha ai.

Profesor Hasenauer tha se këto procese ndryshimi ndjekin tre parime: vlerësimin e situatës, zhvillimin e misionit të përbashkët për universitetin, si edhe angazhimin e stafit akademik dhe studentëve.

“Ne bëmë një anketë të përzier me palët kryesore të interesit dhe i pyetëm se si e shihni universitetin tuaj, çfarë doni të arrini dhe si doni të ndryshoni. Gjithçka bëjmë në procesin e arsimit duhet të mbështesë kompetencat kyçe, kjo është baza intelektuale për universitetin. Një universitet ka nevojë për një lidership intelektual. Ndaj duhet të shfrytëzohet potenciali intelektual i stafit akademik”, vijoi ai, ndërsa shtoi se proceset akademike duhet të jenë të organizuara ndryshe nga ato të menaxhimit sepse pjesa akademike duhet të jetë hierarki dinamike, ndërsa menaxhimi ka nevojë për hierarki më të ngurtë.

“Ne krijuam komisionin e kurrikulave të studimit që studioi dhe vlerësoi të gjitha kurrikulat dhe ky është ndryshimi i parë kryesor se si programet e studimit zhvillohen. Kemi nëntë programe bachelor, nuk prisja të arrinim kaq shumë programe. Po punojmë për programet e masterit, teksa kemi nisur akreditimin e UBT-së për nivelin bachelor”, shtoi Hasenauer.

Koordinatori i projektit mes UBT-së dhe universitetit BOKU të Vjenës, nënvizoi se në këtë projekt janë angazhuar 20 profesorë nga BOKU që kanë punuar me UBT për programe studimore.

“Po bëjmë një ndryshim të paradigmës, nga një qasje mësimdhënieje, në kërkim dhe kemi ende shumë punë për të bërë. Duhet të ndërtojmë një strukturë që nxit këtë ndryshim, për mënyrën si organizohen universitetet që të lejohet shfrytëzimi i kapaciteteve akademike plotësisht”, pohoi ai.

/e.i/j.p/

The post Hasenauer: 20 profesorë nga universiteti BOKU të angazhuar në Universitetin Bujqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kapet në Morinë shtetasi turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Një 35-vjeçar turk i dënuar për mashtrim financiar është vënë në pranga nga Policia Kufitare në Morinë, ndërsa tentonte të hynte në territorin shqiptar.

Shtetasi Kadir Kuçukologu, banues në Turqi, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet turke, pasi ishte dënuar me 4 vjet burgim nga Gjykata e Lartë për Krimet në Karsikaya, për veprën penale “Vjedhje me anë të mashtrimit duke përdorur sisteme elektronike të përpunimit të të dhënave, bankë ose institucion huadhënës”.

Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Policisë Kufitare në Morinë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, të cilat kishin siguruar informacion për përpjekjen e Kuçukologut për të hyrë në Shqipëri.

Pas kapjes, ndaj tij u mor masa e arrestit me qëllim ekstradimin drejt Turqisë.

Interpol Tirana është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke për finalizimin e procedurave ligjore.

/e.i/j.p/

The post Kapet në Morinë shtetasi turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpejtësi e parakalime të gabuara, Policia apelon për respektim të rregullave të qarkullimit

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore në Drejtorinë e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë dhe me Sektorët e Policisë Rrugore në 11 qarqe të vendit, kanë intensifikuar kontrollet përgjatë fundjavës, duke përdorur mjetet inteligjente për matjen e shpejtësisë, radarët automatikë, dronët, alkooltestuesit, kamerat dhe çdo pajisje tjetër që kanë në dispozicion.

Policia e Shtetit bën me dije, se gjatë kontrolleve janë kapur raste flagrante të shpejtësisë deri në trefish mbi normën e lejuar, parakalime të gabuara, përdorim i celularit dhe drejtim i automjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur.

Policia Rrugore apelon përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, për të mbrojtur jetën.

“Si rezultat i monitorimit intensiv, përgjatë fundjavës, nëpërmjet radarëve Poliscan janë evidentuar shpejtësi nga dy deri në trefish më shumë se norma e lejuar, parakalime të gabuara me rrezik përfshirjen në ngjarje rrugore, përdorim i celularit dhe drejtim mjeti në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe mosvendosje e rripit të sigurimit”, thuhet në njoftim.

Nisur nga shkeljet e shumta të konstatuara, shefi i Sektorit për Sigurinë Rrugore, Drejtues Artur Selimaj, ka apeluar për përdoruesit e rrugës, kryesisht për drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të sinjalistikës rrugore.

Selimaj ka theksuar se Policia Rrugore ka hartuar një protokoll të posaçëm masash, bazuar në Kodin Rrugor, për monopatinat dhe biçikletat.

Policia Rrugore do të intensifikojë monitorimet dhe kontrollet 24/7, në të gjitha akset rrugore dhe në qendrat urbane e rurale. Ftojmë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

/e.i/j.p/

The post Shpejtësi e parakalime të gabuara, Policia apelon për respektim të rregullave të qarkullimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria rrugore, 45 mjete të bllokuara, 25 shtetas të arrestuar në Tiranë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës ka bërë bilancin e javës që lamë pas, ndërsa bën me dije se 25 shtetas janë vënë në pranga për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sipas Policisë Rrugore, gjithashtu gjatë javës që u mbyll, 45 mjete janë bllokuar.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se në këtë kuadër janë proceduar penalisht 2 shtetas F. B., 20 vjeç dhe D. D., 35 vjeç, pasi me automjetet e parkuara në mënyrë të gabuar kishin penguar lëvizjen. Dy automjetet e tyre janë tërhequr me mjet ngritës.

Gjithashtu, Policia bën me dije se po kryhet monitorim intensiv i akseve rrugore, për të konstatuar shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës.

Gjatë kësaj jave janë bllokuar 45 automjete, ndërsa 25 shtetas të arrestuar/të proceduar për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe/ose pa lejedrejtimi.

Policia Rrugore apelon për ndërgjegjësim të drejtuesve të automjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin parkimet e gabuara dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të mjetit, për të mos u kthyer në burim rreziku për veten dhe të tjerët.

Kontrollet intensive do të vijojnë çdo ditë dhe në çdo segment rrugor të Tiranës, me fokus të veçantë te parandalimi i sjelljeve që dëmtojnë sigurinë dhe rrjedhshmërinë e qarkullimit, si dhe te parkimet e gabuara që bllokojnë rrugët apo korsitë.

/e.i/j.p/

The post Siguria rrugore, 45 mjete të bllokuara, 25 shtetas të arrestuar në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Rishikim ligjit për Arsimin e Lartë, u japim të rinjve ofertë konkurruese

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në prezantimin e raportit të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Me fokus të veçantë në transformimin e Arsimit të Lartë për t’iu përgjigjur sfidave të epokës digjitale, Rama tha se ky është një takim që u kërkua për të parë një bilanc të domosdoshëm të punës intensive në një katërvjeçar kohor të bordit të Akreditimit, i cili meriton respekt dhe falënderime për angazhimin.

Rama tha se ky bord ka mbledhur një tërësi të konsiderueshme të dhënash dhe një volum eksperience për t’ia vënë në shërbim komunitetit akademik, institucioneve të Arsimit të lartë, institucioneve që administrojnë Arsimin e Lartë dhe institucioneve përkatëse të Qeverisë Shqiptare.

“Dua t’i falënderoj me shumë mirënjohje anëtarët e bordit që janë personalitete shqiptare dhe të huaja të angazhuar në botën akademike evropiane dhe i kanë vënë në dispozicion vendit tonë dijen e tyre, përkushtimin e tyre dhe sigurisht dhe integritetin e tyre profesional. Nga ana tjetër, dua të them që nga një paraqitje e përmbledhur del shumë qartë qoftë progresi i bërë në këto vite, qoftë edhe volumi jo i vogël i gjërave që mbeten për t’u bërë”, tha Rama.

Kryeministri tha se ndërkohë që ecet përpara, bota fluturon dhe për të kapur ritmin duhet që vajzave dhe djemve të këtij vendi t’i jepet një ofertë akademike serioze dhe konkurruese, në kushtet kur së shpejti Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së.

“Kemi nevojë të shtyjmë me shumë forcë përpara dhe të adresojmë pa ngurrim ato që janë të domosdoshme për t’u adresuar. Duke filluar edhe nga një rishikim i ligjit të Arsimit të Lartë, të cilit i janë bërë vitet për t’u riparë, por dhe shumë të rejave që kanë ndodhur në botën akademike”, u shpreh Kryeministri. /e.i/j.p/

The post Rama: Rishikim ligjit për Arsimin e Lartë, u japim të rinjve ofertë konkurruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Programe studimi universitare të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ U prezantua sot Raporti i Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë: “Arritjet dhe sfidat drejt Universitetit 4.0”, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, drejtuesve të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, si dhe Rektorët e universiteteve publike dhe jopublike.

Ministrja Manastirliu në fjalën e saj foli për rëndësinë e procesit të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, duke theksuar se synimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe universiteteve është të rrisë cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të studimit të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës.

Duke folur për arritjet e deritanishme, Manastirliu tha: “Kemi bërë të mundur që në këto vite të kemi një rritje të financimit në institucionet e arsimit të lartë me 40%, kemi 5-fishuar fondet për kërkimin shkencor në universitetet tona përmes programeve, të cilat çdo vit zgjerohen në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë dhe programeve të kërkimit shkencor, dhe gjithashtu lidhjeve me industrinë dhe biznesin, që është edhe në fokus të punës tonë në raport me programet e reja të studimit e gjithashtu edhe me fushat prioritare, stratgjike të zhvillimit të vendit”.

Duke folur për zhvillimet e fundit dhe standardet e reja europiane të universiteteve, për të shkuar drejt Universitetit 4.0, Ministrja Manastirliu tha: “Ekonomia 4.0 kërkon aftësi 4.0, që do të thotë që dalin përtej mureve të universiteteve tona, për të ndërtuar jo vetëm kampuse fizike, por kampuse online me universitetet në botë dhe për të krijuar mundësinë që të jemi të orjentuar drejt teknologjisë, inovacionit, kërkimit shkencor dhe shkencës së hapur, gjë e cila po ndodh me hapa të qëndrueshëm. Sot më shumë se kurrë ne jemi afër zhvillimit të inovacionit brenda institucioneve të arsimit të lartë dhe zhvillimit të programeve të studimit, në mënyrë që diplomat tona të mos jenë vetëm ato 4-vjeçaret. Pra Universiteti 4.0 kërkon që universiteti ti shërbejë të mësuarit përgjatë gjithë jetës, ndaj transfromimi i universiteteve tona duhet të fillojë pikërisht nga këto mësime të mësuara në këto vite, në zbatim të ligjit për arsimin e lartë, por edhe të instrumentave dhe institucioneve që janë krijuar, sikurse është edhe Bordi i Akreditimit”.

Raporti i prezantuar nga Bordi i Akreditimit dha një analizë të sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri, që evidenton zhvillimet dhe sfidat kryesore në sektorin e arsimit të lartë, përfshirë ndryshimet në numrin e studentëve, cilësinë e kurrikulave, kualifikimin e stafit akademik, kërkimin shkencor dhe lidhjen me tregun e punës.

/e.i/j.p/

The post Manastirliu: Programe studimi universitare të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Integrimi në BE rrit sfidat për Arsimin e Lartë


TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha u shpreh sot se sfidat që po përballon shoqëria shqiptare, që lidhen me integrimin janë sfida që prekin edhe Arsimin e Lartë, por në shoqëritë që zhvillohen në një shpejtësi të ndryshme nga ato që janë bërë më herët, këto sfida janë edhe më të mëdha.

Në tryezën e organizuar, mbi arritjet dhe sfidat e Universitetit 4.0, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe përfaqësues të institucioneve të Arsimit të Lartë në vend, rektori Hoxha tha se integrimi i Shqipërisë dhe hapja e kapitujve janë një portë që hapet për rininë shqiptare në BE, ndaj sfidat dhe përgjegjësitë bëhen edhe më të mëdha.

“Ne e kemi diskutuar edhe në komitetin e politikave me kabinetin, e kryesuar nga Kryeministri Rama për nevojat e vazhdimit të reformimit të Arsimit të Lartë, për ristrukturimin e vetë institucioneve të Arsimit të Lartë dhe një nga ato pikat që bie dakord me RASH-in (Rrjetin Akademik Shqiptar) dhe që janë sfidat dhe puna jonë e përditshme. Përpara se ne të presim që këto të ndodhin, ne punojmë përditë dhe reformohemi përditë. E thënë kjo, ajo që shoh në këtë raport është pothuajse raporti i tetorit 2024 me disa përmirësime dhe me rekomandime të njëjta”, tha Hoxha.

Rektori Hoxha shtoi se ky raport nxjerr disa konkluzione si kualifikimi i ulët i personelit akademik, mbingarkesat e këtij personeli në zhvillimin e programeve, numri i madh i personelit të jashtëm, kërkimi shkencor i ulët dhe plagjiaturë, biblioteka dhe laboratorë, financa të ulëta, etj.

“Ne kemi bërë shumë diskutime dhe kemi pritur që raporti sot të ketë reflektim të shqetësimeve që ne kishim në raportin e parë. Kemi parë disa reflektime, por e kemi thënë që në fillim ai bazohet në metodologji të gabuara dhe me një lloj subjektivizmi. Kjo bazohet në dy plane, në gjetjet e vetë bordit të administrimit, ku pranohet që është akredituar vetëm 40% e programit të studimit dhe e dyta ky na jep krahasimin e hershëm të vitit 2016 -2017, e deri në vitin 2023, sikur nga 2023 deri tani Arsimi i Lartë nuk ka avancuar, por ka qëndruar në vend. Mund të them me bindje që në këtë një vit e ca, Universiteti i Tiranës ka shumë diferenca nga viti i 2020, 2022, 2023 apo 2024 edhe tani që flasim”, u shpreh Hoxha.

“Ne kemi hyrë në akreditim në vitin 2022 si universitet dhe akreditimi shkon në linjën e ndihmës dhe konsolidimit të programeve dhe institucionit. Ne mund t’i drejtohemi organizmave të tjerë të akreditimit dhe kjo është në varësi të standardeve që përdoren për të arritur në konkluzione të sakta dhe për të ndihmuar institucionet e Arsimit të Lartë”, vijoi ai.

Rektori i UT-së tha se e sheh të paarsyeshme që dokumenti që prezantohet sot në tryezën e diskutimeve nuk ka të plotësuar konkluzionet e Bordit të Akreditimit, që përfshijnë një periudhë kohe shumë të rëndësishme të Arsimit të Lartë.

/e.i/j.p/

The post Hoxha: Integrimi në BE rrit sfidat për Arsimin e Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Durrësit, kontrolle në terren për matjen e ndotjes akustike

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Policia ka ngritur disa grupe kontrolli në terren për matjet e nivelit të zhurmave në zonat turistike të Durrësit.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se në vijim të masave sensibilizuese, janë organizuar disa takime informuese me persona fizikë, të cilët në veprimtaritë e tyre gjenerojnë zhurma nga muzika, kryesisht në zonat turistike.

Sipas Policisë, në zbatim të detyrave të parashikuara në Planin e Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror. Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, gjatë ditëve të fundit, sipas hartëzimit të zonave me ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonat turistike të Durrësit, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës.

“Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar. Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00”, thuhet në njoftim.

Policia e Durrësit mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët.

Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje, duke iu garantuar ndërhyrje të menjëhershme ligjore.

/e.i/j.p/

The post Policia e Durrësit, kontrolle në terren për matjen e ndotjes akustike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia Durrës fton profesionistët të aplikojnë për vakancat në administratën publike

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako përcolli sot thirrjen për profesionistë nga të gjitha fushat, që duan të japin kontributin e tyre në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit duke u bërë pjesë e administratës publike.

Në thirrjen e bërë publike në rrjetet sociale, Sako tha se “të gjithë ata arkitektë, urbanistë, inxhinierë, ekonomistë, IT, juristë, profesionistë të shkencave sociale, pedagogë, profesionistë të sektorit të bujqësisë dhe mjedisit, etj të cilët dëshirojnë të japin kontributin e tyre në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit janë të ftuar të shprehin interesin e tyre”.

Të interesuarit mund të dërgojnë në email jetëshkrimin e tyre dhe një letër për shprehje interesi.

Adresa elektronike është profesioniste@durres.gov.al.

“Kjo dritare komunikimi do të shërbejë për të dërguar kërkesa, në çdo periudhë të vitit”, tha Sako, ndërkohë që u shpreh se janë hapur thirrjet për disa vende vakante në bashkinë e Durrësit.

/e.i/j.p/

The post Bashkia Durrës fton profesionistët të aplikojnë për vakancat në administratën publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Prona në Theth e pacenueshme, historitë me resorte këndvështrim i ngushtë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në Theth nuk do ndërtohen resorte apo hotele të mëdha.

Gjatë komunikimit në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri iu përgjigj komentit të një qytetari që shprehet se “ndërtimet në Theth u shembën për t’i hapur rrugë planit të radhës së ndërtimeve për oligarkët”.

Rama tha se “këto janë përrallat me të cilat u kanë mbushur kokën, ose inati dhe mllefi ndaj qeverisë, ose zhytja e kokës në kanalet e infektuara të ujërave të zeza mediatike”.

“Nuk ndodh kjo kështu! Prona është e pacenueshme. Nëse prona është e dikujt, cilido që do të investojë në atë pronë duhet të merret vesh me dikë. Nuk ka shans të ndodhë ndryshe, ndërkohë që në Theth e kundërta është e vërtetë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi faktin se në Theth nuk do të ketë zhvillime pas pastrimit të madh, përveçse në raste specifike të lidhura me ata që jetojnë aty.

“Nuk është Thethi vendi për resorte turistike, vendi për hotele të mëdha, për histori të tilla që janë pjesë e fantazisë së njerëzve me kënd të ngushtë shikimi”, tha Rama.

/e.i/j.p/

The post Rama: Prona në Theth e pacenueshme, historitë me resorte këndvështrim i ngushtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapësirat publike, Rama: E patolerueshme që shërbimet të kthehen në zaptime

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se zaptimi i hapësirave publike është një fenomen i papranueshëm që kthehet në një pamundësi për komunitetin për të pasur një jetë normale.

Në komunikimin e drejtpërdrejtë sot në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri foli sërish për aksionin e lirimit të hapësirave publike në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke adresuar edhe komentet dhe pyetjet e qytetarëve në rrjetet sociale lidhur me kohën e zgjedhur për këtë ndërhyrje.

Një qytetar shkruan se pse nuk u prit që ky aksion të bëhet pas verës, sepse turistët mendojnë se ka rënë “bomba”.

Rama tha se teoria e turistëve është një teori që nuk ka asnjë lloj vlere.

“Nuk do të shkojmë në ekstreme të kësaj natyre dhe do të arrijmë hap pas hap të krijojmë një vijë të padukshme, por të pranuar nga të gjithë ku 70 % parimisht se mund të jetë 65%, 75% do jetë për qytetarët dhe tjetra për bizneset. Është komplet e natyrshme që të shërbehet edhe jashtë, sepse ne jemi vend mesdhetar dhe është bukur për jetën e qytetit që të ketë shërbime jashtë. Por, nga ana tjetër ajo që është e shëmtuar dhe e patolerueshme është që këto shërbime të kthehen në zaptime, në presion dhe pamundësi për komunitetin për të pasur pjesën normale të jetës”, tha Rama.

Kryeministri tha se nuk është qeveria që merret me karriget dhe tavolinat, por sipas Ramës, sot jemi në kushtet e një mobilizimi për t’i dhënë një përgjigje shteruese shqetësimit të qytetarëve të panumërt në kryeqytet dhe qytete e mëdha të vënë re gjatë gjithë fushatës për asfiksimin e hapësirave publike si pasojë e karrigeve, vazove, luleve, ngrehinave metalike, pergolatave siç i quajnë në Vlorë.

“Unë shpresoj që të jenë marrë taksat për çdo metër katror të zaptuar që të paktën të ketë përfituar pushteti vendor të gjitha ato tarifa që burojnë nga çdo tavolinë, por nuk besoj të jenë mbledhur të gjitha për fat të keq”, vijoi ai.

Një tjetër komentues shkruan në platformat sociale se “duhet ngritur një shtet që funksionon dhe jo një ushtri socialiste.

“Nëse ka një gjë që ne e kemi bërë dhe ne jemi krenarë që kemi shmangur bërjen e një ushtrie socialiste, se po të mos e kishim bërë ndryshe me të gjitha të metat e veta, me të gjitha boshllëqet e veta nuk do ishim sot në kushtet kur negociojmë për anëtarësimin me BE-në dhe një nga pikat tona më të forta është transformimi i administratës publike”, pohoi Rama.

“Unë nuk kam asnjë arsye të mendoj që sot në vitin 2025 të ndërtohet pa leje. Nuk ngelen ata pa asnjë të ardhur, ku unë dhe ne jemi këtu të mendojmë për 99% të shqiptarëve, që nuk ndërtojnë pa leje, por kërkojnë fundin e këtij fenomeni”, u shpreh Kryeministri.

/e.i/j.p/

The post Hapësirat publike, Rama: E patolerueshme që shërbimet të kthehen në zaptime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Mozaikët e Bazilikës B në Bylis, ku historia është qendisur me gurë

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Qyteti antik i Bylisit është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në territorin e Shqipërisë. Ai shtrihet sapo del nga qyteti i vogël i Ballshit, 10 km larg tij, në krahun e djathtë të rrugës, ku të bie në sy një varg kodrash të larta.

Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje nga mozaikët e Bazilikës B në Bylis, duke e cilësuar këtë si një vend ku historia është qëndisur me gurë.

Ky destinacion është një magnet për turistët që janë të interesuar për të zbuluar thesarin e pasur të trashëgimisë arkeologjike të Shqipërisë.

Në hyrje të parkut, vizitorët përballen me një peizazh të shkëlqyer natyror, me kodra të gjelbëruara që rrethojnë vendin. Në horizont, pamjet e rrënojave të lashta bëjnë që zemra të dridhet me emocion.

Kjo zonë është një muze i hapur nën qiell, që ofron një udhëtim emocionues nëpër kohë për të zbuluar pasurinë e lashtë të Bylisit.

Në brendësi të parkut, vizitorët ndeshen me strukturat e mrekullueshme të qytetit ilir të Bylisit. Ndër të tjera, një pamje e mahnitshme është amfiteatri i lashtë që ngrihet përpara tyre. Ky amfiteatër i lashtë ka një pamje impresionuese, duke u ngritur midis kështjellës së shkëlqyer dhe fushës së hapur. Kur shikon përgjatë mureve të tij të lashta, ndihesh i kapur nga ndjenja e përjetshme e historisë.

Pamjet e mrekullueshme të Parkut Arkeologjik të Bylisit nuk janë vetëm një shfaqje e këndshme për sytë, por ato shpalosin thellësinë e një trashëgimie të pasur historike dhe kulturore. Në këtë mjedis të pazakontë, vizitorët ndihen të lidhur ngushtë me kohën dhe historinë, duke bërë që kjo përvojë të jetë një udhëtim i paharrueshëm nëpër epokat e lashta të Shqipërisë.

/e.i//a.f/

The post Gonxhja: Mozaikët e Bazilikës B në Bylis, ku historia është qendisur me gurë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Porto Palermo zbukurohet nga tingujt e orkestrës simfonike të FA

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Vajzat dhe djemtë e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, dhuruan emocione dhe spektakël me performancën e tyre në kalanë e Porto Palermos, duke e bërë eksperiencën e pushuesve vendas, por edhe turistëve të huaj më të paharrueshme.

Kryeministri Edi Rama tha në një postim në rrjetet sociale, që “Porto Palermo, pikëtakimi më i veçantë i pasurisë natyrore me trashëgiminë kulturore që zbukurohet edhe më shumë nga tingujt e spektaklit të dhuruar nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura”.

Në kuadër të sezonit turistik, Porto Palermo ishte ndalesa e radhës e formacionit të OSFA-së.

Ky aktivitet përfaqëson një angazhim konkret të Forcave të Armatosura në mbështetje të jetës komunitare dhe nxitjes së turizmit kulturor në qytetet shqiptare.

Përmes këtij formacioni, Forcat e Armatosura kontribuojnë në gjallërimin e jetës sociale dhe kulturore, duke sjellë një produkt artistik të aksesueshëm për publikun vendas dhe vizitorët.

/e.i//a.f/

The post Rama: Porto Palermo zbukurohet nga tingujt e orkestrës simfonike të FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria rrugore, njësi të posaçme policore në zonat me numër të lartë turistësh

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Numri i lartë i turistëve të huaj dhe atyre vendas, në pikun e sezonit turistik për këtë vit, ka bërë që Policia Rrugore të dalë me një plan masash shtesë për mirëmenaxhimin e trafikut gjatë sezonit turistik si dhe minimizimi i numrit të ngjarjeve rrugore.

Policia Rrugore ka krijuar disa Njësi të Posaçme Policore, sidomos në zonat me trafik të dendur automjetesh për një mirëmenaxhim të situatës së trafikut rrugor.

“Janë marrë masa për krijimin e disa nukleve të reja që do të jenë me shërbim vetëm për sezonin turistik. Janë nukli në Ksamil, Himarë, Manzë dhe Velipojë”, tha drejtuesi Artur Selimaj.

Sipas Selimajt, “fokus shumë i lartë në planin e masave të Policisë Rrugore në këtë sezon turistik janë përdorimi i pajisjeve dhe teknologjisë, kamerat, radarët dhe pajisjet e tjera që do të zëvendësojnë pjesën e shërbimeve fizikisht në rrugë. Mbikëqyrja e trafikut do të jetë e monitoruar 24 orë në të gjithë territorin, kryesisht në akset kryesore që kanë fluksin më të lartë të lëvizshmërisë”.

Sa i përket trafikut të rënduar nëpër qytetet kryesore bregdetare, Policia ka një apel për të gjithë ata drejtues automjetesh që njohin rrugët alternative.

“Në qytete siç është Vlora, Durrësi apo Shkodra, qytetarët që njohin rrugët alternative është mirë që të mos përdorin rrugët kryesore, me qëllim që të çlirojmë sadopak fluksin e lëvizjes”, tha ai.

Plani i masave i hartuar nga Policia Rrugore synon menaxhimi e trafikut, uljen e numrit të aksidenteve, evidentimin e shkeljeve me dhe pajisje teknologjie 24 orë në 24.

/e.i//a.f/

The post Siguria rrugore, njësi të posaçme policore në zonat me numër të lartë turistësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria, 30 vjet në KiE – Spiropali: Konsolidimi i demokracisë dhe drejtësisë, prioritet i Kuvendit

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ndau sot një mesazh në 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.

Spiropali tha se “konsolidimi i institucioneve demokratike dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë, prioritet i Kuvendit”.

Kryeparlamentarja Spiropali theksoi se “ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit”.

Mesazhi i plotë i kryeparlamentares Spiropali:

“30 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës, një hap kyç në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.

Ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit.

Si rezultat i reformave transformuese në sistemin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, forcimit të institucioneve demokratike dhe përparimit në zbatimin e standarteve të të drejtave të njeriut, gjatë kësaj legjislature, në 21 prill 2024, Shqipëria doli nga faza e monitorimit të Këshillit të Europës.

Si vendi kandidat pararojë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ky është moment për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar dhe për të shumëfishuar kontributet për Shqipërinë Europiane.

Është rasti të përsërisim qëndrimin e vendosur të Shqipërisë se Këshilli i Europës, kjo organizatë prestigjoze e me impakt global, është jo e plotë pa Republikën e Kosovës dhe se anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të ndodhë sa më shpejt.

Si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin konsistent, të vlerësuar e të spikatur të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, për të gjitha çështjet kyçe përgjatë këtyre katër viteve.”

/e.i//a.f/

The post Shqipëria, 30 vjet në KiE – Spiropali: Konsolidimi i demokracisë dhe drejtësisë, prioritet i Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌