Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kapet në Morinë shtetasi turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Një 35-vjeçar turk i dënuar për mashtrim financiar është vënë në pranga nga Policia Kufitare në Morinë, ndërsa tentonte të hynte në territorin shqiptar.

Shtetasi Kadir Kuçukologu, banues në Turqi, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet turke, pasi ishte dënuar me 4 vjet burgim nga Gjykata e Lartë për Krimet në Karsikaya, për veprën penale “Vjedhje me anë të mashtrimit duke përdorur sisteme elektronike të përpunimit të të dhënave, bankë ose institucion huadhënës”.

Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi i tij u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Policisë Kufitare në Morinë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, të cilat kishin siguruar informacion për përpjekjen e Kuçukologut për të hyrë në Shqipëri.

Pas kapjes, ndaj tij u mor masa e arrestit me qëllim ekstradimin drejt Turqisë.

Interpol Tirana është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet turke për finalizimin e procedurave ligjore.

/e.i/j.p/

The post Kapet në Morinë shtetasi turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpejtësi e parakalime të gabuara, Policia apelon për respektim të rregullave të qarkullimit

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore në Drejtorinë e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë dhe me Sektorët e Policisë Rrugore në 11 qarqe të vendit, kanë intensifikuar kontrollet përgjatë fundjavës, duke përdorur mjetet inteligjente për matjen e shpejtësisë, radarët automatikë, dronët, alkooltestuesit, kamerat dhe çdo pajisje tjetër që kanë në dispozicion.

Policia e Shtetit bën me dije, se gjatë kontrolleve janë kapur raste flagrante të shpejtësisë deri në trefish mbi normën e lejuar, parakalime të gabuara, përdorim i celularit dhe drejtim i automjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur.

Policia Rrugore apelon përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, për të mbrojtur jetën.

“Si rezultat i monitorimit intensiv, përgjatë fundjavës, nëpërmjet radarëve Poliscan janë evidentuar shpejtësi nga dy deri në trefish më shumë se norma e lejuar, parakalime të gabuara me rrezik përfshirjen në ngjarje rrugore, përdorim i celularit dhe drejtim mjeti në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe mosvendosje e rripit të sigurimit”, thuhet në njoftim.

Nisur nga shkeljet e shumta të konstatuara, shefi i Sektorit për Sigurinë Rrugore, Drejtues Artur Selimaj, ka apeluar për përdoruesit e rrugës, kryesisht për drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të sinjalistikës rrugore.

Selimaj ka theksuar se Policia Rrugore ka hartuar një protokoll të posaçëm masash, bazuar në Kodin Rrugor, për monopatinat dhe biçikletat.

Policia Rrugore do të intensifikojë monitorimet dhe kontrollet 24/7, në të gjitha akset rrugore dhe në qendrat urbane e rurale. Ftojmë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

/e.i/j.p/

The post Shpejtësi e parakalime të gabuara, Policia apelon për respektim të rregullave të qarkullimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria rrugore, 45 mjete të bllokuara, 25 shtetas të arrestuar në Tiranë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës ka bërë bilancin e javës që lamë pas, ndërsa bën me dije se 25 shtetas janë vënë në pranga për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sipas Policisë Rrugore, gjithashtu gjatë javës që u mbyll, 45 mjete janë bllokuar.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se në këtë kuadër janë proceduar penalisht 2 shtetas F. B., 20 vjeç dhe D. D., 35 vjeç, pasi me automjetet e parkuara në mënyrë të gabuar kishin penguar lëvizjen. Dy automjetet e tyre janë tërhequr me mjet ngritës.

Gjithashtu, Policia bën me dije se po kryhet monitorim intensiv i akseve rrugore, për të konstatuar shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës.

Gjatë kësaj jave janë bllokuar 45 automjete, ndërsa 25 shtetas të arrestuar/të proceduar për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe/ose pa lejedrejtimi.

Policia Rrugore apelon për ndërgjegjësim të drejtuesve të automjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin parkimet e gabuara dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të mjetit, për të mos u kthyer në burim rreziku për veten dhe të tjerët.

Kontrollet intensive do të vijojnë çdo ditë dhe në çdo segment rrugor të Tiranës, me fokus të veçantë te parandalimi i sjelljeve që dëmtojnë sigurinë dhe rrjedhshmërinë e qarkullimit, si dhe te parkimet e gabuara që bllokojnë rrugët apo korsitë.

/e.i/j.p/

The post Siguria rrugore, 45 mjete të bllokuara, 25 shtetas të arrestuar në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Rishikim ligjit për Arsimin e Lartë, u japim të rinjve ofertë konkurruese

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në prezantimin e raportit të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Me fokus të veçantë në transformimin e Arsimit të Lartë për t’iu përgjigjur sfidave të epokës digjitale, Rama tha se ky është një takim që u kërkua për të parë një bilanc të domosdoshëm të punës intensive në një katërvjeçar kohor të bordit të Akreditimit, i cili meriton respekt dhe falënderime për angazhimin.

Rama tha se ky bord ka mbledhur një tërësi të konsiderueshme të dhënash dhe një volum eksperience për t’ia vënë në shërbim komunitetit akademik, institucioneve të Arsimit të lartë, institucioneve që administrojnë Arsimin e Lartë dhe institucioneve përkatëse të Qeverisë Shqiptare.

“Dua t’i falënderoj me shumë mirënjohje anëtarët e bordit që janë personalitete shqiptare dhe të huaja të angazhuar në botën akademike evropiane dhe i kanë vënë në dispozicion vendit tonë dijen e tyre, përkushtimin e tyre dhe sigurisht dhe integritetin e tyre profesional. Nga ana tjetër, dua të them që nga një paraqitje e përmbledhur del shumë qartë qoftë progresi i bërë në këto vite, qoftë edhe volumi jo i vogël i gjërave që mbeten për t’u bërë”, tha Rama.

Kryeministri tha se ndërkohë që ecet përpara, bota fluturon dhe për të kapur ritmin duhet që vajzave dhe djemve të këtij vendi t’i jepet një ofertë akademike serioze dhe konkurruese, në kushtet kur së shpejti Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së.

“Kemi nevojë të shtyjmë me shumë forcë përpara dhe të adresojmë pa ngurrim ato që janë të domosdoshme për t’u adresuar. Duke filluar edhe nga një rishikim i ligjit të Arsimit të Lartë, të cilit i janë bërë vitet për t’u riparë, por dhe shumë të rejave që kanë ndodhur në botën akademike”, u shpreh Kryeministri. /e.i/j.p/

The post Rama: Rishikim ligjit për Arsimin e Lartë, u japim të rinjve ofertë konkurruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Programe studimi universitare të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ U prezantua sot Raporti i Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë: “Arritjet dhe sfidat drejt Universitetit 4.0”, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, drejtuesve të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, si dhe Rektorët e universiteteve publike dhe jopublike.

Ministrja Manastirliu në fjalën e saj foli për rëndësinë e procesit të akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë, duke theksuar se synimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe universiteteve është të rrisë cilësinë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të programeve të studimit të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës.

Duke folur për arritjet e deritanishme, Manastirliu tha: “Kemi bërë të mundur që në këto vite të kemi një rritje të financimit në institucionet e arsimit të lartë me 40%, kemi 5-fishuar fondet për kërkimin shkencor në universitetet tona përmes programeve, të cilat çdo vit zgjerohen në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë dhe programeve të kërkimit shkencor, dhe gjithashtu lidhjeve me industrinë dhe biznesin, që është edhe në fokus të punës tonë në raport me programet e reja të studimit e gjithashtu edhe me fushat prioritare, stratgjike të zhvillimit të vendit”.

Duke folur për zhvillimet e fundit dhe standardet e reja europiane të universiteteve, për të shkuar drejt Universitetit 4.0, Ministrja Manastirliu tha: “Ekonomia 4.0 kërkon aftësi 4.0, që do të thotë që dalin përtej mureve të universiteteve tona, për të ndërtuar jo vetëm kampuse fizike, por kampuse online me universitetet në botë dhe për të krijuar mundësinë që të jemi të orjentuar drejt teknologjisë, inovacionit, kërkimit shkencor dhe shkencës së hapur, gjë e cila po ndodh me hapa të qëndrueshëm. Sot më shumë se kurrë ne jemi afër zhvillimit të inovacionit brenda institucioneve të arsimit të lartë dhe zhvillimit të programeve të studimit, në mënyrë që diplomat tona të mos jenë vetëm ato 4-vjeçaret. Pra Universiteti 4.0 kërkon që universiteti ti shërbejë të mësuarit përgjatë gjithë jetës, ndaj transfromimi i universiteteve tona duhet të fillojë pikërisht nga këto mësime të mësuara në këto vite, në zbatim të ligjit për arsimin e lartë, por edhe të instrumentave dhe institucioneve që janë krijuar, sikurse është edhe Bordi i Akreditimit”.

Raporti i prezantuar nga Bordi i Akreditimit dha një analizë të sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri, që evidenton zhvillimet dhe sfidat kryesore në sektorin e arsimit të lartë, përfshirë ndryshimet në numrin e studentëve, cilësinë e kurrikulave, kualifikimin e stafit akademik, kërkimin shkencor dhe lidhjen me tregun e punës.

/e.i/j.p/

The post Manastirliu: Programe studimi universitare të lidhura drejtpërdrejt me tregun e punës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha: Integrimi në BE rrit sfidat për Arsimin e Lartë


TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha u shpreh sot se sfidat që po përballon shoqëria shqiptare, që lidhen me integrimin janë sfida që prekin edhe Arsimin e Lartë, por në shoqëritë që zhvillohen në një shpejtësi të ndryshme nga ato që janë bërë më herët, këto sfida janë edhe më të mëdha.

Në tryezën e organizuar, mbi arritjet dhe sfidat e Universitetit 4.0, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe përfaqësues të institucioneve të Arsimit të Lartë në vend, rektori Hoxha tha se integrimi i Shqipërisë dhe hapja e kapitujve janë një portë që hapet për rininë shqiptare në BE, ndaj sfidat dhe përgjegjësitë bëhen edhe më të mëdha.

“Ne e kemi diskutuar edhe në komitetin e politikave me kabinetin, e kryesuar nga Kryeministri Rama për nevojat e vazhdimit të reformimit të Arsimit të Lartë, për ristrukturimin e vetë institucioneve të Arsimit të Lartë dhe një nga ato pikat që bie dakord me RASH-in (Rrjetin Akademik Shqiptar) dhe që janë sfidat dhe puna jonë e përditshme. Përpara se ne të presim që këto të ndodhin, ne punojmë përditë dhe reformohemi përditë. E thënë kjo, ajo që shoh në këtë raport është pothuajse raporti i tetorit 2024 me disa përmirësime dhe me rekomandime të njëjta”, tha Hoxha.

Rektori Hoxha shtoi se ky raport nxjerr disa konkluzione si kualifikimi i ulët i personelit akademik, mbingarkesat e këtij personeli në zhvillimin e programeve, numri i madh i personelit të jashtëm, kërkimi shkencor i ulët dhe plagjiaturë, biblioteka dhe laboratorë, financa të ulëta, etj.

“Ne kemi bërë shumë diskutime dhe kemi pritur që raporti sot të ketë reflektim të shqetësimeve që ne kishim në raportin e parë. Kemi parë disa reflektime, por e kemi thënë që në fillim ai bazohet në metodologji të gabuara dhe me një lloj subjektivizmi. Kjo bazohet në dy plane, në gjetjet e vetë bordit të administrimit, ku pranohet që është akredituar vetëm 40% e programit të studimit dhe e dyta ky na jep krahasimin e hershëm të vitit 2016 -2017, e deri në vitin 2023, sikur nga 2023 deri tani Arsimi i Lartë nuk ka avancuar, por ka qëndruar në vend. Mund të them me bindje që në këtë një vit e ca, Universiteti i Tiranës ka shumë diferenca nga viti i 2020, 2022, 2023 apo 2024 edhe tani që flasim”, u shpreh Hoxha.

“Ne kemi hyrë në akreditim në vitin 2022 si universitet dhe akreditimi shkon në linjën e ndihmës dhe konsolidimit të programeve dhe institucionit. Ne mund t’i drejtohemi organizmave të tjerë të akreditimit dhe kjo është në varësi të standardeve që përdoren për të arritur në konkluzione të sakta dhe për të ndihmuar institucionet e Arsimit të Lartë”, vijoi ai.

Rektori i UT-së tha se e sheh të paarsyeshme që dokumenti që prezantohet sot në tryezën e diskutimeve nuk ka të plotësuar konkluzionet e Bordit të Akreditimit, që përfshijnë një periudhë kohe shumë të rëndësishme të Arsimit të Lartë.

/e.i/j.p/

The post Hoxha: Integrimi në BE rrit sfidat për Arsimin e Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Durrësit, kontrolle në terren për matjen e ndotjes akustike

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Policia ka ngritur disa grupe kontrolli në terren për matjet e nivelit të zhurmave në zonat turistike të Durrësit.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se në vijim të masave sensibilizuese, janë organizuar disa takime informuese me persona fizikë, të cilët në veprimtaritë e tyre gjenerojnë zhurma nga muzika, kryesisht në zonat turistike.

Sipas Policisë, në zbatim të detyrave të parashikuara në Planin e Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror. Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, gjatë ditëve të fundit, sipas hartëzimit të zonave me ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonat turistike të Durrësit, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës.

“Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar. Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00”, thuhet në njoftim.

Policia e Durrësit mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët.

Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje, duke iu garantuar ndërhyrje të menjëhershme ligjore.

/e.i/j.p/

The post Policia e Durrësit, kontrolle në terren për matjen e ndotjes akustike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia Durrës fton profesionistët të aplikojnë për vakancat në administratën publike

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako përcolli sot thirrjen për profesionistë nga të gjitha fushat, që duan të japin kontributin e tyre në zhvillimin e mëtejshëm të qytetit duke u bërë pjesë e administratës publike.

Në thirrjen e bërë publike në rrjetet sociale, Sako tha se “të gjithë ata arkitektë, urbanistë, inxhinierë, ekonomistë, IT, juristë, profesionistë të shkencave sociale, pedagogë, profesionistë të sektorit të bujqësisë dhe mjedisit, etj të cilët dëshirojnë të japin kontributin e tyre në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të Durrësit janë të ftuar të shprehin interesin e tyre”.

Të interesuarit mund të dërgojnë në email jetëshkrimin e tyre dhe një letër për shprehje interesi.

Adresa elektronike është profesioniste@durres.gov.al.

“Kjo dritare komunikimi do të shërbejë për të dërguar kërkesa, në çdo periudhë të vitit”, tha Sako, ndërkohë që u shpreh se janë hapur thirrjet për disa vende vakante në bashkinë e Durrësit.

/e.i/j.p/

The post Bashkia Durrës fton profesionistët të aplikojnë për vakancat në administratën publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Prona në Theth e pacenueshme, historitë me resorte këndvështrim i ngushtë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në Theth nuk do ndërtohen resorte apo hotele të mëdha.

Gjatë komunikimit në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri iu përgjigj komentit të një qytetari që shprehet se “ndërtimet në Theth u shembën për t’i hapur rrugë planit të radhës së ndërtimeve për oligarkët”.

Rama tha se “këto janë përrallat me të cilat u kanë mbushur kokën, ose inati dhe mllefi ndaj qeverisë, ose zhytja e kokës në kanalet e infektuara të ujërave të zeza mediatike”.

“Nuk ndodh kjo kështu! Prona është e pacenueshme. Nëse prona është e dikujt, cilido që do të investojë në atë pronë duhet të merret vesh me dikë. Nuk ka shans të ndodhë ndryshe, ndërkohë që në Theth e kundërta është e vërtetë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi faktin se në Theth nuk do të ketë zhvillime pas pastrimit të madh, përveçse në raste specifike të lidhura me ata që jetojnë aty.

“Nuk është Thethi vendi për resorte turistike, vendi për hotele të mëdha, për histori të tilla që janë pjesë e fantazisë së njerëzve me kënd të ngushtë shikimi”, tha Rama.

/e.i/j.p/

The post Rama: Prona në Theth e pacenueshme, historitë me resorte këndvështrim i ngushtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapësirat publike, Rama: E patolerueshme që shërbimet të kthehen në zaptime

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se zaptimi i hapësirave publike është një fenomen i papranueshëm që kthehet në një pamundësi për komunitetin për të pasur një jetë normale.

Në komunikimin e drejtpërdrejtë sot në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri foli sërish për aksionin e lirimit të hapësirave publike në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke adresuar edhe komentet dhe pyetjet e qytetarëve në rrjetet sociale lidhur me kohën e zgjedhur për këtë ndërhyrje.

Një qytetar shkruan se pse nuk u prit që ky aksion të bëhet pas verës, sepse turistët mendojnë se ka rënë “bomba”.

Rama tha se teoria e turistëve është një teori që nuk ka asnjë lloj vlere.

“Nuk do të shkojmë në ekstreme të kësaj natyre dhe do të arrijmë hap pas hap të krijojmë një vijë të padukshme, por të pranuar nga të gjithë ku 70 % parimisht se mund të jetë 65%, 75% do jetë për qytetarët dhe tjetra për bizneset. Është komplet e natyrshme që të shërbehet edhe jashtë, sepse ne jemi vend mesdhetar dhe është bukur për jetën e qytetit që të ketë shërbime jashtë. Por, nga ana tjetër ajo që është e shëmtuar dhe e patolerueshme është që këto shërbime të kthehen në zaptime, në presion dhe pamundësi për komunitetin për të pasur pjesën normale të jetës”, tha Rama.

Kryeministri tha se nuk është qeveria që merret me karriget dhe tavolinat, por sipas Ramës, sot jemi në kushtet e një mobilizimi për t’i dhënë një përgjigje shteruese shqetësimit të qytetarëve të panumërt në kryeqytet dhe qytete e mëdha të vënë re gjatë gjithë fushatës për asfiksimin e hapësirave publike si pasojë e karrigeve, vazove, luleve, ngrehinave metalike, pergolatave siç i quajnë në Vlorë.

“Unë shpresoj që të jenë marrë taksat për çdo metër katror të zaptuar që të paktën të ketë përfituar pushteti vendor të gjitha ato tarifa që burojnë nga çdo tavolinë, por nuk besoj të jenë mbledhur të gjitha për fat të keq”, vijoi ai.

Një tjetër komentues shkruan në platformat sociale se “duhet ngritur një shtet që funksionon dhe jo një ushtri socialiste.

“Nëse ka një gjë që ne e kemi bërë dhe ne jemi krenarë që kemi shmangur bërjen e një ushtrie socialiste, se po të mos e kishim bërë ndryshe me të gjitha të metat e veta, me të gjitha boshllëqet e veta nuk do ishim sot në kushtet kur negociojmë për anëtarësimin me BE-në dhe një nga pikat tona më të forta është transformimi i administratës publike”, pohoi Rama.

“Unë nuk kam asnjë arsye të mendoj që sot në vitin 2025 të ndërtohet pa leje. Nuk ngelen ata pa asnjë të ardhur, ku unë dhe ne jemi këtu të mendojmë për 99% të shqiptarëve, që nuk ndërtojnë pa leje, por kërkojnë fundin e këtij fenomeni”, u shpreh Kryeministri.

/e.i/j.p/

The post Hapësirat publike, Rama: E patolerueshme që shërbimet të kthehen në zaptime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Mozaikët e Bazilikës B në Bylis, ku historia është qendisur me gurë

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Qyteti antik i Bylisit është një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike në territorin e Shqipërisë. Ai shtrihet sapo del nga qyteti i vogël i Ballshit, 10 km larg tij, në krahun e djathtë të rrugës, ku të bie në sy një varg kodrash të larta.

Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot pamje nga mozaikët e Bazilikës B në Bylis, duke e cilësuar këtë si një vend ku historia është qëndisur me gurë.

Ky destinacion është një magnet për turistët që janë të interesuar për të zbuluar thesarin e pasur të trashëgimisë arkeologjike të Shqipërisë.

Në hyrje të parkut, vizitorët përballen me një peizazh të shkëlqyer natyror, me kodra të gjelbëruara që rrethojnë vendin. Në horizont, pamjet e rrënojave të lashta bëjnë që zemra të dridhet me emocion.

Kjo zonë është një muze i hapur nën qiell, që ofron një udhëtim emocionues nëpër kohë për të zbuluar pasurinë e lashtë të Bylisit.

Në brendësi të parkut, vizitorët ndeshen me strukturat e mrekullueshme të qytetit ilir të Bylisit. Ndër të tjera, një pamje e mahnitshme është amfiteatri i lashtë që ngrihet përpara tyre. Ky amfiteatër i lashtë ka një pamje impresionuese, duke u ngritur midis kështjellës së shkëlqyer dhe fushës së hapur. Kur shikon përgjatë mureve të tij të lashta, ndihesh i kapur nga ndjenja e përjetshme e historisë.

Pamjet e mrekullueshme të Parkut Arkeologjik të Bylisit nuk janë vetëm një shfaqje e këndshme për sytë, por ato shpalosin thellësinë e një trashëgimie të pasur historike dhe kulturore. Në këtë mjedis të pazakontë, vizitorët ndihen të lidhur ngushtë me kohën dhe historinë, duke bërë që kjo përvojë të jetë një udhëtim i paharrueshëm nëpër epokat e lashta të Shqipërisë.

/e.i//a.f/

The post Gonxhja: Mozaikët e Bazilikës B në Bylis, ku historia është qendisur me gurë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Porto Palermo zbukurohet nga tingujt e orkestrës simfonike të FA

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Vajzat dhe djemtë e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, dhuruan emocione dhe spektakël me performancën e tyre në kalanë e Porto Palermos, duke e bërë eksperiencën e pushuesve vendas, por edhe turistëve të huaj më të paharrueshme.

Kryeministri Edi Rama tha në një postim në rrjetet sociale, që “Porto Palermo, pikëtakimi më i veçantë i pasurisë natyrore me trashëgiminë kulturore që zbukurohet edhe më shumë nga tingujt e spektaklit të dhuruar nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura”.

Në kuadër të sezonit turistik, Porto Palermo ishte ndalesa e radhës e formacionit të OSFA-së.

Ky aktivitet përfaqëson një angazhim konkret të Forcave të Armatosura në mbështetje të jetës komunitare dhe nxitjes së turizmit kulturor në qytetet shqiptare.

Përmes këtij formacioni, Forcat e Armatosura kontribuojnë në gjallërimin e jetës sociale dhe kulturore, duke sjellë një produkt artistik të aksesueshëm për publikun vendas dhe vizitorët.

/e.i//a.f/

The post Rama: Porto Palermo zbukurohet nga tingujt e orkestrës simfonike të FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria rrugore, njësi të posaçme policore në zonat me numër të lartë turistësh

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Numri i lartë i turistëve të huaj dhe atyre vendas, në pikun e sezonit turistik për këtë vit, ka bërë që Policia Rrugore të dalë me një plan masash shtesë për mirëmenaxhimin e trafikut gjatë sezonit turistik si dhe minimizimi i numrit të ngjarjeve rrugore.

Policia Rrugore ka krijuar disa Njësi të Posaçme Policore, sidomos në zonat me trafik të dendur automjetesh për një mirëmenaxhim të situatës së trafikut rrugor.

“Janë marrë masa për krijimin e disa nukleve të reja që do të jenë me shërbim vetëm për sezonin turistik. Janë nukli në Ksamil, Himarë, Manzë dhe Velipojë”, tha drejtuesi Artur Selimaj.

Sipas Selimajt, “fokus shumë i lartë në planin e masave të Policisë Rrugore në këtë sezon turistik janë përdorimi i pajisjeve dhe teknologjisë, kamerat, radarët dhe pajisjet e tjera që do të zëvendësojnë pjesën e shërbimeve fizikisht në rrugë. Mbikëqyrja e trafikut do të jetë e monitoruar 24 orë në të gjithë territorin, kryesisht në akset kryesore që kanë fluksin më të lartë të lëvizshmërisë”.

Sa i përket trafikut të rënduar nëpër qytetet kryesore bregdetare, Policia ka një apel për të gjithë ata drejtues automjetesh që njohin rrugët alternative.

“Në qytete siç është Vlora, Durrësi apo Shkodra, qytetarët që njohin rrugët alternative është mirë që të mos përdorin rrugët kryesore, me qëllim që të çlirojmë sadopak fluksin e lëvizjes”, tha ai.

Plani i masave i hartuar nga Policia Rrugore synon menaxhimi e trafikut, uljen e numrit të aksidenteve, evidentimin e shkeljeve me dhe pajisje teknologjie 24 orë në 24.

/e.i//a.f/

The post Siguria rrugore, njësi të posaçme policore në zonat me numër të lartë turistësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria, 30 vjet në KiE – Spiropali: Konsolidimi i demokracisë dhe drejtësisë, prioritet i Kuvendit

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ndau sot një mesazh në 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.

Spiropali tha se “konsolidimi i institucioneve demokratike dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë, prioritet i Kuvendit”.

Kryeparlamentarja Spiropali theksoi se “ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit”.

Mesazhi i plotë i kryeparlamentares Spiropali:

“30 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës, një hap kyç në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.

Ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit.

Si rezultat i reformave transformuese në sistemin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, forcimit të institucioneve demokratike dhe përparimit në zbatimin e standarteve të të drejtave të njeriut, gjatë kësaj legjislature, në 21 prill 2024, Shqipëria doli nga faza e monitorimit të Këshillit të Europës.

Si vendi kandidat pararojë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ky është moment për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar dhe për të shumëfishuar kontributet për Shqipërinë Europiane.

Është rasti të përsërisim qëndrimin e vendosur të Shqipërisë se Këshilli i Europës, kjo organizatë prestigjoze e me impakt global, është jo e plotë pa Republikën e Kosovës dhe se anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të ndodhë sa më shpejt.

Si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin konsistent, të vlerësuar e të spikatur të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, për të gjitha çështjet kyçe përgjatë këtyre katër viteve.”

/e.i//a.f/

The post Shqipëria, 30 vjet në KiE – Spiropali: Konsolidimi i demokracisë dhe drejtësisë, prioritet i Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Emigranti kthehet në vendlindje, investim në agroturizëm pranë burimit të Gurrës së Zezë


TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Olsi Blloku, vendosi që pas shumë vitesh punë në emigrim të rikthehet në vendlindjen e tij në Dardhë të Librazhdit, aty ku vendosi të investojë në ndërtimin e një agroturizmi.

Olsi, së bashku me dy prindërit e tij kanë ndërtuar një oaz të vërtetë mikpritjeje dhe shijeje me gatime tradicionale dhe produkte të freskëta të zonës, duke u kthyer në një atraksion për turistët e huaj dhe vendasit.

Taulant Balla, ministër i Shtetit për marrëdhëniet me Kuvendin ndau këtë histori suksesi në rrjetet sociale, duke u shprehur se ky agroturizëm pret çdo ditë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët janë të apasionuar pas natyrës dhe ecjeve nëpër shtigjet e shumta që ofron kjo zonë piktoreske.

Në mjediset e “House Grill Mattia”, do të gjeni ushqim të shijshëm bio dhe një mikpritje të ngrohtë. Gjithashtu turistët që frekuentojnë bujtinën kanë mundësi të vizitojnë dhe mullirin 100-vjeçar dhe gjurmët e rrugës “Egnatia”.  Mulliri është një dëshmi e rrallë e jetës bujqësore të shumë viteve të shkuara. Vizitorët ndalojnë shpesh për të parë nga afër mekanizmin e vjetër prej druri dhe për të kuptuar si dikur bluhej gruri në këtë zonë.

Në këtë perlë të vogël pranë burimit të quajtur Gurra e Zezë ka lindur një histori e bukur rikthimi, përkushtimi dhe dashurie për vendin.

Zona frekuentohet edhe më shumë nga turistë të huaj dhe vendas, veçanërisht ata që ndjekin gjurmët e rrugës antike pranë këtyre anëve. Sot, Egnatia po rilind si një itinerar i rëndësishëm për turizmin historik dhe kulturor.

/e.i//a.f/

The post Emigranti kthehet në vendlindje, investim në agroturizëm pranë burimit të Gurrës së Zezë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Partneritet mes BE dhe AICS, Bylisi në një epokë të re ruajtjeje dhe zbulimi

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Parku Arkeologjik i Bylisit është një pasuri të rrallë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një nga qytetet më të ruajtura të Ilirisë.

Në njoftim të delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, thuhet se fushata “Unë jam Bylis” është një zë nga gurët që formësuan identitetin shqiptar po ngrihet përsëri përmes shkencës dhe bashkëpunimit.

“Falë partneritetit të mbështetur nga BE midis AICS dhe arkeologëve shqiptarë, Bylisi po hyn në një epokë të re ruajtjeje dhe zbulimi”, thuhet në njoftim, ndërsa bëhet thirrje për tga vizituar nga afër këtë vend.

Gjithashtu, BE u bën thirrje të gjithë atyre që kanë një ide që lidhet me trashëgiminë kulturore apo zhvillimin ekonomik në këtë zonë, mund të aplikojë për një grant prej 30,000 deri në 50,000 euro deri në 23 gusht 2025.

Bylis është i ndërtuar mbi një kodër që mbikëqyr luginën e Vjosës, me mure monumentale të shekullit IV para Krishtit, me një teatër mbresëlënës, mozaikë të rrallë dhe pesë bazilika paleokristiane.

Falë Planit të Menaxhimit 2024–2029, në kuadër të programit IPA “BE për zhvillimin ekonomik – drejtuar nga turizmi”, të zbatuar nga ‘AICS’, Bylisi dhe qyteti antik i Klosit po shndërrohen në qendra të reja zhvillimi, edukimi dhe bashkëpunimi.

Plani i Menaxhimit përfshin restaurim profesional dhe mbrojtje të qëndrueshme; përmirësim të infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët; mbështetje për komunitetin në fushën e turizmit dhe artizanatit; programe edukative për brezat e rinj.

/e.i//a.f/

The post Partneritet mes BE dhe AICS, Bylisi në një epokë të re ruajtjeje dhe zbulimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ura e Bonarakëve, Denaj: Investim që sjell siguri dhe zhvillim për komunitetin

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Në njësinë administrative Bërzhitë, të bashkisë Tiranë, po vijon me intensitet ndërtimi i “Urës së Bonarakëve” mbi lumin Erzen.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj inspektoi sot nga afër punimet e kësaj ure, ndërsa u shpreh se ky “është një premtim i mbajtur që i jep zgjidhje një kërkese të kahershme të banorëve, duke lidhur lagjen e ‘Bonarakëve’ me pjesën tjetër të fshatit Ibë e Poshtme”.

Ministrja Denaj tha se ky është një investim që sjell siguri, akses dhe zhvillim për komunitetin!

“Është një punë e bërë në një kohë rekord, sepse brenda tre muajve të gjithë banorët, gati 27 familje që i kemi vizituar përpara pak muajve duke kaluar në një urë të vjetër, do kenë një urë të re që po bëhet realitet”, tha Denaj.

Ministrja Denaj tha se pavarësisht nga ndërtimi i urës së pjesshme, ndërtimi në kohë rekord i “Urës së Bonarakëve” duhet të jetë brenda të gjitha standardeve të projektuara dhe të zbatuara.

/e.i//a.f/

The post Ura e Bonarakëve, Denaj: Investim që sjell siguri dhe zhvillim për komunitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Java Kulturore Egjiptiane, shfaqet drama “Diamond Dust” te Reja

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Filmi “Diamond Dust” që u shfaq mbrëmjen e djeshme në instalacionin “Reja” në Tiranë, shënoi edhe fundin e aktiviteteve në kuadër të Javës Kulturore Egjiptiane.

Në qendër të kësaj drame është një farmacist, i cili vendos të hakmerret pasi zbulon vrasjen brutale të babait të tij.

Sipas njoftimit të Javës Kulturore Ndërkombëtare, “filmi me regji të Marwan Hamed, hapi dyert e fshehtësive kriminale dhe dilemat morale që shoqëronin kërkimin për drejtësi, duke treguar se shpesh çmimi i së vërtetës është i lartë dhe kthimi pas i pamundur”.

Tirana mirëpriti nga data 8 deri më 12 korrik Javën Kulturore Egjiptiane, një ngjarje që solli gjallërinë, mistikën dhe trashëgiminë mijëravjeçare të qytetërimit egjiptian.

Kjo javë solli një sërë aktivitetesh që përfshinë vallëzim tradicional, art performativ, kuzhinë autentike dhe kinematografi bashkëkohore.

Aktivitetet nisën më 8 korrik në sallën “Tonin Harapi” pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”, ku u prezantua shfaqja magjepsëse tanoura – një vallëzim tradicional sufi, ku valltari rrotullohet në mënyrë të pandërprerë me veshje shumëngjyrëshe, duke krijuar një efekt vizual dhe shpirtëror unik.

Më 11 korrik, vëmendja u zhvendos në hollin hyrës të Piramidës, ku u organizua festivali i ushqimit egjiptian. Vizitorët patën mundësi të provonin një larmi shijesh autentike të kuzhinës egjiptiane, nga pjata popullore si koshari, deri te ëmbëlsira të famshme si basbousa.

Po atë mbrëmje, në orën 21:00, te “Reja” u shfaq filmi “The blue elephant”, një thriller psikologjik i cili ka bërë jehonë në kinemanë arabe. Me regji të Marwan Hamed, ky film ndjek një psikoterapist që punon në një spital psikiatrik dhe përballet me një të kaluar që e trondit, duke e vendosur në kufijtë mes realitetit dhe iluzionit.

Kjo javë e cila erdhi në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, nismë e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, synon të sjellë më afër publikun shqiptar me kulturat e vendeve të ndryshme nga e gjithë bota.

Nga drama “Diamond Dust” që u shfaq mbrëmjen e djeshme në instalacionin “Reja” në Tiranë
1 nga 17

/e.i//a.f/

The post Java Kulturore Egjiptiane, shfaqet drama “Diamond Dust” te Reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Memolla: Vatër aktive zjarri në fshatin Zambishë, 70-80 hektarë bimësi e djegur

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Vatra e zjarrit që ka rënë para tre ditësh në fshatin Zambish e cila u përhap në disa fshatra të tjerë, vazhdon të jetë aktive.

Lajmin e bën të ditur kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla.

Ai falënderon Emergjencat Civile, Forcat Zjarrfikëse të Bashkisë Rrogozhinë, punonjësit e shërbimeve, banorët e zonës, Prefekturën e Tiranës dhe ndihmat nga ajri pasi terreni për ndërhyrje është shumë i vështirë.

Sipas Memollës, “aktualisht zjarri vazhdon të jetë aktiv i përhapur në disa vatra dhe po monitorohet nga forcat që janë në terren, nuk ka banesa të dëmtuara por rreth 70-80 ha sipërfaqe me bimësi të djegur”.

“Pavarësisht temperaturave të larta, zjarri nuk nis nga hiçi. Në këto kushte ju bëj thirrje të tregoni kujdes të shtuar sepse pakujdesia po rrezikon mundin e bashkëqytetarëve në tokat e mbjella dhe në rastin më të keq mund të përhapet duke rrezikuar banesa dhe jetë njerëzish”, tha Memolla.

“Merrni përgjegjësi qytetare dhe përtej dënimit penal tregohuni njerëzor nëse dikush ka vepruar qëllimisht”, përfundon ai.

Nga aksioni për shuarjen e vatra të zjarrit në fshatin Zambishë
1 nga 8

/e.i//a.f/

The post Memolla: Vatër aktive zjarri në fshatin Zambishë, 70-80 hektarë bimësi e djegur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” argëtohen në kamp veror, Koçiu: Mbështetje për një të ardhme të sigurt

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”, po kalojnë ditët e nxehta të verës në kampin veror për fëmijë, duke u larë në pishinë dhe duke u angazhuar në lojëra të ndryshme fizike apo edhe tavoline.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga momentet e bukura që po shijojnë fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” në kryeqytet. Koçiu u shpreh se këta fëmijë po shijojnë mes të qeshurave dhe lojërave, kampin veror të këtij sezoni.

“Kujdes, mbështetje dhe mundësi për një fëmijëri më të bukur dhe një të ardhme më të sigurt, për çdo fëmijë në sistemin tonë të mbrojtjes sociale”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Ky kamp veror për fëmijë është një mundësi e shkëlqyer për t’u argëtuar në ajër të pastër, mes lojërave në pishinë, lojërave sportive, akrobaci, atletike, apo në kërcim, recitim dhe lojërave të tavolinës..etj.

Mbështetja e fëmijëve në nevojë ka qenë ndër prioritetet e politikave të ndërmarra nga ministria e Mbrojtjes Sociale dhe Shëndetësisë. Në fokus të politikave ka qenë riintegrimi në shkollë, asistencë në çdo kohë për të siguruar që çdo fëmijë të rritet në një mjedis familjar, duke mundësuar mirëqenien, zhvillimin dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqëri.

Qeveria ka mundësuar rreth 3,500 bursa për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta sociale dhe ekonomike, nxënës në nevojë nga komunitetet rome dhe egjiptiane.

/e.i//a.f/

The post Fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” argëtohen në kamp veror, Koçiu: Mbështetje për një të ardhme të sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌