TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryeinspektor Gazmen Nazmi Metës.
“Sot, Policia e Burgjeve ka një Kryeinspektor më pak… Si pasojë e një arresti kardiak, u nda nga jeta një punonjës i devotshëm, korrekt dhe një mik i çmuar për kolegët: Kryeinspektor Gazmen Nazmi Meta, i cili këtë gradë e mori me meritë vetëm dje”, theksoi Manja.
“Që nga viti 2014, Gazmeni shërbeu për 11 vite me përkushtim pranë IEVP “Ali Demi” si punonjës i rolit bazë, duke u bërë shembull i ndershmërisë, korrektësisë dhe dashurisë për detyrën”, u shpreh ministri i Drejtësisë.
Ministri Manja nënvizoi se, bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël të Gazmenit do të jenë gjithmonë nën kujdesin dhe mbështetjen e institucionit.
“Në këto çaste të rënda për familjen dhe kolegët e tij, si Ministër i Drejtësisë siguroj se bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël të Gazmenit do të jenë gjithmonë nën kujdesin dhe mbështetjen e institucionit tonë. U prehsh në paqe, Gazmen! Mirënjohje e përjetshme për shërbimin dhe kontributin tënd për sistemin e burgjeve në Shqipëri”, shkroi Manja në një postim në rrjetet sociale.
Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë sapo ka zbuluar një draft të Kodit të ri Penal të vendit, por qeveria tashmë po përpiqet të distancohet nga teksti mes kritikave nga sistemi i drejtësisë dhe organizatat mbikëqyrëse të medias. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, e prezantoi draftin në korrik, rreth gjashtë vjet pasi qeveria nisi një nismë […]
Drafti i ri i Kodit Penal, i bërë publik vetëm disa ditë më parë, pasi u mbajt në “sirtar” për plot 1 vit, ka sjellë reagime nga të gjitha anët. Krahas zërave të pafundme kundër edhe nga vetë sistemi i drejtësisë si SPAK-u, Prokuroria e Përgjithshme apo edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ditët e fundit […]
I përballur me një lumë kritikash nga drejtues të sistemit të drejtësisë, përfaqësues të Dhomës së Avokatisë, juristë dhe organizata të shoqërisë civile, kryeministri Edi Rama tentoi të distancohej nga përgjegjësia e qeverisë për hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, i cili u publikua për konsultim publik një javë më parë. Në një […]
Nëse tallesh me udhëheqësit politikë të vendit, apo nëse guxon t’i përçmosh apo t’i përbuzësh ata apo simbolet jofrymore të shtetit, nëse guxon të thuash një fjalë të keqe kundër personave që kanë statusin ligjor “Dëshmor i atdheut”, rrezikon të dënohesh me deri katër vjet burg ndërsa nëse një sakrilegj i tillë kryhet nga “subjekti […]
Një draft-propozim që supozohej të modernizonte Kodin Penal shqiptar, po kritikohet si kërcënim për të drejtat themelore.
Qeveria e quan reformë të domosdoshme, por shumë aktorë publikë, përfshirë opozitën, organet e drejtësisë, avokatët dhe organizatat të shoqërisë civile, ngrenë alarmin për mungesë transparence dhe rreziqe, sidomos në lirinë e shprehjes.
Proces i nxituar, përmbajtje e kontestuar
Drafti final i Kodit të ri Penal u prezantua të premten, datë 25 korrik nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Sipas tij, Kodi aktual që është në fuqi nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij krijon vështirësi për gjyqësorin, prokurorinë dhe vetë avokatët.
Kodi aktual, me 335 nene u miratua në janar 1995 dhe në 30 vite u ndryshua 24 herë me ligj dhe 10 herë pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kodi i ri parashikon 952 nene bashkë me nenet e shfuqizimeve dhe hyrjes në fuqi.
Sipas ministrit Manja, Kodi Penal i ri synon t’i përshtatet normës ligjore të Bashkimit Evropian në kuadër të integrimit. Për këtë ai ftoi opozitën, mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertë ligjorë që të kontribuojnë me opinionet e tyre gjatë fazës së konsultimit publik.
Por drafti nuk është pritur mirë. Kryeprokurori Olsian Çela e cilësoi atë “ngrehinë pa bazë” duke nënkuptuar këtu mungesën e konsultimeve të gjera me nevojat sociale dhe institucionale.
Sipas Çelës ky hap i qeverisë “nuk përfaqëson më shumë se një veprim të nxituar që rrezikon të minojë në mënyrë të pariparueshme mirëfunksionimin e drejtësisë penale”.
Kryeprokurori ka shprehur shqetësim për formulimet e neneve, të cilat, sipas tij rrezikojnë të sjellin konfuzion te magjistratët duke sjellë një situatë ku për raste të ngjashme të aplikohen interpretime të ndryshme.
Në një takim me gazetarët, të enjten, 31 korrik, Kreu i Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, (SPAK), Altin Dumani, tha se ata nuk ishin përfshirë në grupin e punës dhe as nuk ishin konsultuar për draftin.
“Në momentin që do të na e sjellin, do të kemi një qëndrim zyrtar,” tha Dumani i cili theksoi se personalisht pajtohej me qëndrimin e shprehur nga kryeprokurori Çela.
Dhoma e Avokatisë e përshkroi propozimin e qeverisë si draft “inkuizitor”, me mungesë transparence në përgatitje.
“Nuk kemi prezencën e nevojës, se përse duhet Kodi i ri, nuk është si rrjedhojë e nevojës së organeve të drejtësisë,” theksoi në një konferencë për shtyp Maksim Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatisë.
Ndërkohhë Partia Demokratike e quajti procesin të fshehtë dhe draftin si rezultat të një vullneti të njëanshëm politik.
Kodi mund të dënojë satirën
Qeveria ka propozuar ashpërsimin e ndëshkimeve për “përdhosjen e Republikës dhe simboleve të saj” duke përdorur një riformulim që mund të keqpërdoret për të kufizuar dhe ndëshkuar talljen apo dhe satirën publike.
Ndryshe nga kodi aktual – “Neni 268” – që sanksionon vetëm dëmtimin e flamurit ose stemës në institucionet shtetërore me gjobë ose burgim deri në tre muaj, projektligji i ri – “Neni 236” – zgjeron konceptin e përdhosjes duke përfshirë Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, gjykatat, forcat e armatosura dhe dëshmorët e atdheut.
Për fyerje, përçmim apo tallje ndaj këtyre institucioneve parashikohet dënim me burgim deri në tre vjet, ndërsa për personat juridikë mund të vendoset edhe ndalim i veprimtarisë deri në pesë vjet.
Dispozita e re, e përfshirë në kapitullin mbi veprat kundër rendit kushtetues, e konsideron “përdhosje” çdo akt që shihet si dhunim ose poshtërim i vlerave të nderuara të institucioneve të përmendura.
Termat e përdorur janë të gjerë dhe përfshijnë përçmimin, talljen apo përbuzjen, duke ngritur shqetësime për mundësinë e përdorimit të ligjit për të goditur kritikët, mediat dhe gazetarët, pasi me këtë nen mund të dënohet edhe satira.
Ky ndryshim e vendos në të njëjtin nivel mbrojtjeje ligjore flamurin dhe figurat institucionale, me dënime më të larta se ato aktuale.
Ndikimi mbi lirinë e medias dhe shprehjes
Kodi i ri Penal bën hapa prapa në raport me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, sidomos në kontekstin e direktivave të BE-së dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), të cilat kanë rekomanduar disa herë dekriminalizimin e shpifjes si kusht për ruajtjen e lirisë së medias dhe demokracisë funksionale.
Në kodin aktual shpifja trajtohet në “Nenin 120” dhe nenet “240”; “241” si shpifje për shkak të detyrës apo “Presidentit të Republikës”. Në to, përhapja e qëllimshme e thënieve apo informacioneve që cenojnë nderin apo dinjitetin e personit, dënohet me gjobë 50,000-500,000 lekë dhe nëse përsëritet dhe u drejtohet disa personave në grup, shkon deri në 3,000,000 lekë.
Në kodin e ri, “Nenin 865” e trajton sërish shpifjen si vepër penale me dënime disproporcionale më të larta: gjobë 500,000-1,500,000 lekë, deri në detyrim për falje publike.
Ky nen penalizon më rëndë ata që shprehen përmes medias apo rrjeteve sociale, duke goditur gazetarët dhe qytetarët kritikë. Për më tepër, kur “shpifja” u drejtohet funksionarëve publikë, dënimet dyfishohen, duke u dhënë atyre mbrojtje të veçantë përballë kritikës publike — në kundërshtim me parimet e një demokracie funksionale.
Por përveç këtij neni, “Neni 536”, i cili dënon me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet komentet për gjyqtarë dhe çështje në hetim, konsiderohet një kërcënim i hapur për transparencën publike.
Qendra “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SciDev), SafeJournalists dhe Asociacioni i Gazetarëve (AGSH) kanë kërkuar rishikimin e këtyre neneve, të cilat i konsiderojnë kërcënuese për lirinë e shprehjes pasi penalizojnë gazetarët dhe qytetarët aktivë.
Për drejtuesen e SciDev, Blerjana Bino, riformulimet për shpifjen jo vetëm nuk përmbushin rekomandimet e përsëritura nga ndërkombëtarët, organizatat e medias dhe shoqërisë civile, por shtojnë sanksionet penale me efekt frikësues ndaj gazetarëve dhe aktivistëve.
“Riformulimi i shpifjes dhe ndikimi në pavarësinë e gjykatës janë shqetësuese për lirinë e shprehjes,” tha Isa Myzyraj, kreu i AGSH për Citizens.al, sipas të cilit neni që ndalon komentet e gjyqësorit duhet fshirë i tëri.
“Gjithashtu, Neni 536, i cili penalizon ndërhyrjet në pavarësinë e gjykatës, paraqet rrezik të konsiderueshëm për gazetarët që raportojnë mbi procedurat gjyqësore, duke mos parashikuar përjashtime apo dispozita të qarta mbrojtëse për aktivitetin gazetaresk”, tha Bino për Citizens.
Drafti për Kodin e ri Penal duket se nuk ka kaluar një proces të gjerë konsultimi shoqëror dhe profesional. Mungesa e analizës së kontekstit dhe e transparencës rrezikon të prodhojë pasoja afatgjata për të drejtat themelore.
Në vend të një reforme gjithëpërfshirëse, aktualisht duket se kemi një dokument që nxit mosbesim dhe alarm nga shumë aktorë.
Rishikimi i thelluar, me pjesëmarrje të gjerë, duket i domosdoshëm për të shmangur dështime ligjore dhe politike.
Shembja e Teatrit Kombëtar simbolizon humbjen e hapësirave publike në Tiranë dhe zëvendësimin e tyre me kulla. Por kujtesa kolektive, zëri qytetar dhe sheshet nuk mund të zëvendësohen me beton.
Nga Teatri te trotuari – Kronika e një qyteti të shembur me ligj
Në fillimin e verës së 2018-ës Tirana pa, edhe pse ende e pandërgjegjshme për atë që po dëshmonte, të vendosej një mikrofon në një nga hapësirat publike të saj, në sheshin e Teatrit Kombëtar.
E dizajnuar në vitin 1938 nga arkitekti Giulio Berté, godina kishte shërbyer gjatë jetës së vetë kryesisht në tre funksione kryesore: si hapësirë socializimi të spektatorëve në pushimin para dhe mes akteve; si shesh vallëzimi për hapësirën e jashtme të restorantit kur nuk kishte shfaqje; si fushë ping-pongu duke shoqëruar fushën e tenisit dhe pishinën e kompleksit kulturor dhe sportiv “Skanderbeg”.
Tetëdhjetë vite më pas, ai shesh do të përdorej edhe si një hapësirë ku do të zhvillohej një protestë për ta mbrojtur atë.
Teatri i kishte mbyllur dyert dhe përveç punëtorëve, që herë pas here dilnin nga salla e kuqërremtë me kuti materialesh në duar, që nga 2 korriku i 2018, kur u vu shfaqja e fundit në skenë, nuk shiheshin më spektatorë në mjediset tij.
Tre ditë më pas, më 5 korrik, Kuvendi do të miratonte me 75 vota, “Ligjin për Teatrin”*, apo siç njihet ndryshe, “Ligji Special”, i cili e transferonte hapësirën publike, si sheshin ashtu edhe teatrin, tek shoqëria private, “Fusha shpk”, që kjo e fundit të mund të ndërtonte.
Pas atij votimi, protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar mori përmasa të tjera dhe hyri në një rrugëtim ku dorëzimi nuk ishte opsion.
Në sheshin e teatrit u krijua një kuvend i qytetit. Një hapësirë e paindoktrinuar, e pakapur nga interesa të ngushta private apo motive antiligjore. Ndërsa ndërtesa që u mor nën kontroll nga qytetarët më 24 korrik 2019, të cilët filluan ta rijetëzonin edhe pse pa përvojë, mësuan ta menaxhonin dhe kujdeseshin për të.
Ndërsa salla zhvillonte aktivitete artistike dhe kulturore – rreth 65 shfaqje u vunë në skenë në më pak se 8 muaj – në sheshin e tij protesta zhvillohej 24 orë, 7 ditë në javë, në dukje si gardiane e teatrit, dhe njerëzit rojtarët e tij.
Teatri Kombëtar duke u shembur 17 maj 2020/Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Flicr.
Nga një shesh proteste, tek një rrugë kalimi për kullën.
Ato 75 vota që miratuan ligjin Fusha, ishin edhe goditja e parë që iu dha Teatrit Kombëtar, 682 ditë përpara se Erion Veliaj të çonte fadromat për të shembur ndërtesat e tij, në orën 04:30 të mëngjesit të datës 17 maj 2020.
Miratimi i ligjit për teatrin ishte një goditje që iu bë jo vetëm protestës – si akt demokratik, – apo ndërtesës – si dëshmi e historisë së brezave para nesh – por edhe vetë hapësirës, sheshit si vendkrijim i fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes, nga vetë përfaqësuesit e pushtetit të popullit në kuvend.
Ato 75 kartonë jeshil, rrëzuan jo thjesht një ndërtesë, por hapësirën e përbashkët ku njerëzit shkonin për të qenë bashkë – jo thjesht për të kaluar, por për të mbetur. Ishte goditje ndaj asaj nyje urbane që mblidhte këdo, nga të katër anët, dhe nga të gjithë dhe më pas krijonte diçka.
Sot ajo hapësirë nuk ekziston më në qytet.
Shembja e “17 Majit”, i hapi rrugë lejeve të njëpasnjëshme nga “Rama & Veliaj”, të cilët vunë në zbatim planin e Bjarke Ingels, të kullës me teatër.
Sot pas më shumë se dy vjetësh nga fillimi i punimeve në atë shesh, hapësira publike nuk ekziston më. Në vend të saj, është një kalim i zgavruar në tunelin e betonuar, i cili qëndron i hijezuar nën ndërtesën si flutur e Bjarke Ingels, e cila sot të ngjan si porta hyrëse për në kullën e Fushës.
Të dyja kantieret sot janë bashkuar në një të vetëm dhe kanë lidhur mes tyresh hekurin i cili më pas mbulohet në beton, duke zhdukur krejtësisht atë çfarë ka mbetur nga dikur hapësira publike e teatrit.
Tashmë ato dy projekte po shpalosin në shkallë reale se si grabitet dhe më pas zaptohet me ligj hapësira publike.
Grabitje nga e cila do të përfitonte kushdo biznesmen apo politikan që ka investuar para në dy gropat tashmë të hapura dhe betonizuara në truallin e Teatrit Kombëtar.
Ndërsa ky i fundit, ashtu siç i ka ngritur kryet si karabina, të ngjan më shumë me një roje të kullës, e cila shkeli interesin publik, mori dhe përvetësoi tokën publike dhe grabiti përveç tokës edhe 33 kate ajër.
Teatri ishte vetëm fillimi
Ai shesh, ai mikrofon i hapur, ai mur ku shkruhej “Monument Kulture, mbrohet nga populli”, dhe nuk lejonte që qyteti të shembej me turp, duhej zhdukur.
Duhej vrarë ideja që hapësira publike është e jona. Sepse aty ku publiku mbledh zërin dhe kujtesën, aty nuk ndërtohen kulla, aty nuk qarkullon paraja e zezë.
Që ajo të rrjedhë pa pengesë, duhej zhdukur sheshi, duhej shembur gjithçka që kujtonte se qyteti është i njerëzve.
Kantieri i Pixel Tower/Doriana Musai, Citizens.al
Dhe ashtu ndodhi edhe me “Pazarin e Ri” – një tjetër hapësirë publike e zaptuar, e shndërruar në “pronë private” me çati xhami dhe çmime që përjashtojnë të përditshmit dhe larguan tregtarët.
Me Sheshin “Skënderbej”, që nga vendtakim për të gjithë, u bë një shesh që eskpozon vetëm kullat.
Me Liqenin Artificial apo atë të Farkës që është rrethuar me ndërtim dhe kulla biznesi.
Me vilat historike të qytetit, zonën historike të tij, e cila u flijua për një imazh që ka për fasadë hipokrizinë.
Në çdo goditje ndaj qytetit fshihet një gënjeshtër që ka emër: integrimi evropian. Sepse çdo kullë ndërtohet me emrin e zhvillimit, çdo shembje justifikohet me progresin, çdo përvetësim me modernizimin.
Por qyteti nuk matet me lartësinë e ndërtesave, por me lartësinë e qytetarëve që guxojnë të flasin. Dhe nëse zërat e tyre janë shtypur me beton, kjo nuk është rruga drejt Evropës. Është rruga drejt një talljeje publike me ëndrrën evropiane.
Ndërkohë që BE predikon pjesëmarrjen, decentralizimin, transparencën dhe mbrojtjen e trashëgimisë, qeveria jonë betonon, centralizon përjashton dhe zhduk kujtesën.
“Në BE vetëm me Edin!” slogani që Edi Rama shpalli si lokomotivë fushate elektorale, ishte më shumë se sa propagandë; ishte privatizimi simbolik i ëndrrës evropiane të të gjithë shqiptarëve. Një fjalë e thjeshtë që i vuri drynin qytetit ku çelësat e tij i ka një njeri i vetëm.
Por historia nuk mbyllet me shembjen e teatrit.
Në vend të ndërtesës së teatrit, ngrihet rrëfimi. Në vend të sheshit, mbetet kujtesa. Në vend të mikrofonit, jemi ne – sepse ne jemi Teatri. Qyteti është ende aty ku janë njerëzit që nuk harrojnë.
Dhe po, ajo hapësirë nuk është më fizike. Por ajo ekziston në çdo rrëfim, në çdo kujtim, në çdo artist që nuk u shit, në çdo qytetar që s’u tërhoq.
Në çdo deputet që nuk votoi “pro”, në çdo anëtar këshilli, punonjës administrate, që rezistoi dhe nuk pranoi të bëhej pjesë e krimit mbi qytetin.
Në çdo të ri që sot pyet: “Po kush e dha këtë vendim? Kush e firmosi këtë turp? Kush e heshti këtë vjedhje?”
Ata që firmosën, janë ende aty. Por edhe ne jemi ende këtu. Dhe sa kohë jemi, historia nuk mbyllet.
Ajo fillon aty ku kujtesa bëhet revoltë. Dhe hapësira publike rifillon aty ku qytetari e ndjen veten pronar jo të truallit, por të së drejtës për të thënë: Ky është qyteti im. Nuk jepet me koncesion.
Hipokrizia e “pastrimit” të hapësirave publike
Për të kompletuar farsën, po i kthehen qytetit me një tjetër maskë: atë të pastërtisë morale. Po shembin mbulesat e hijezuesve, po heqin çadrat, po dëbojnë kafenetë nga trotuaret si të kishin zbritur nga ndonjë Olimp i etikës urbane.
Por kush ua lejoi? Kush ua dha lejet të zgjeroheshin me platforma druri në trotuare? Kush i mbylli sytë për vite me radhë?
Ishte e njëjta administratë, e njëjta bashki, e njëjta qeveri që sot bën sikur është e tronditur nga “shpërdorimi i hapësirës publike”.
E njëjta dorë që i hapi rrugën, sot vjen dhe thotë: “Çfarë keni bërë kështu?” E njëjta dorë që firmosi lejet, sot vendos shiritin e verdhë për moral publik.
I toleruan, i ushqyen, i kthyen në normalitet – sepse për vite me radhë edhe trotuari ishte pronë për t’u shitur. Dhe kur erdhi momenti i “Rilindjes 2.0”, në vend që të godasin veten, godasin të vegjlit. Jo ata që ndërtojnë kulla, e zaptojnë hapësira publike duke i shkatërruar dhe vjedhur, por ata që vendosin një karrige plastike mbi pllakat e betonit të trotuareve.
Ky nuk është pastrim. Është amnezi e planifikuar, është rigrabitur dhe mbuluar me moral. Është një narrativë e prodhuar nga vetë shkaktarët e kaosit, që tani luajnë rolin e shpëtimtarit. Por qyteti nuk harroi. Sepse trotuaret nuk i zaptuan qytetarët – i zaptuan ata që shesin edhe ajrin midis hapave në rrugë.
Sot, hapësira publike në Shqipëri nuk grabitet më natën – ajo miratohet me ligj, zbatohet me fadromë dhe justifikohet me moral të rremë.
Në emër të rendit, pastrohet kaosi që vetë kanë krijuar. Në emër të qytetarisë, përjashtohet qytetari. Në emër të zhvillimit, fshihet çdo gjurmë kujtese.
Por qyteti ka memorie. Dhe për sa kohë kujtojmë si u shemb Teatri, si u grabit sheshi, si u mbyt fjala dhe si u zëvendësua me beton – për aq kohë kjo histori nuk është e mbyllur.
Ata e duan qytetin pa njerëz, pa pyetje, pa rezistencë. Por qyteti nuk është kartolinë. Nuk është planimetria e një kompanie ndërtimi. Është ai vend ku dikush mund të ulet, të flasë, të protestojë, të kujtojë dhe të mos harrojë.
Për aq kohë sa nuk harrojmë, hapësira publike nuk është plotësisht e humbur. Ajo jeton në kujtesën tonë, derisa të kemi forcë ta rikthejmë.
Me mikrofonin e hapur. Me sheshin e mbushur. Dhe me qytetin si pronë të përbashkët, jo si çmim ndërtimi, jo si mall shumice për tu shitur tek kushdo kalimtar i rastit.
Shënim: Lista e deputetëve që votuan “pro” duke miratuar ligjin special, është marrë nga dokumentat e Kuvendit. Një numër i konsiderueshëm i atyre që votuan, 25% e tyre, sot janë në burg, nën hetim penal ose në kërkim nga SPAK.
*Projektligji për Teatrin 37/2018, formuluar “Për përcaktimin e procedurës së veçantë të për negocimin dhe lidhje ne kontratës me objekt: ‘Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’,” u botua online për konsultim më 8 qershor 2018. U shqyrtua dhe votua me procedurë të përshpejtuar 20 ditë më vonë dhe u rimiratua dy muaj më tutje pasi Presidenti e pati kthyer për rishqyrtim.
TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh sot se hartimi i një Kodi të ri Penal nuk është një ngjarje e zakonshme, por një moment i rrallë institucional që shënon jo vetëm rregullimin juridik të një epoke të re, por edhe pjekurinë demokratike të një shoqërie që ka nevojë përditësojë normat penale me zhvillimet shoqërore, kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Në aktivitetin për prezantimin e draftit përfundimtar të Kodit të Ri Penal, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, aktorë kryesorë të sistemit të drejtësisë, partnerë ndërkombëtarë, universitete, shoqëri civile dhe media, ministri Manja tha se “ky moment shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës në vend“.
“Ky draft, që sot hyn në fazën e konsultimit publik, është një dokument themelor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të çdo qytetari “, tha Manja.
“Në një shtet të së drejtës, Kodi Penal është shtylla themelore e kontratës sonë sociale. Ai përkufizon qartë kufirin ndarës mes sjelljes së lejuar dhe asaj të dënueshme dhe është një instrument i drejtpërdrejtë në mbrojtjen e rendit kushtetues, të drejtave dhe sigurisë juridike të çdo individ”, tha ministri Manja.
Sipas ministrit të Drejtësië, ”Kodi Penal në fuqi u miratua në janar të vitit 1995 dhe hyri në fuqi në 1 qershor të po atij viti, në një kohë kur Shqipëria sapo kishte dalë nga një regjim totalitar dhe kishte nisur ndërtimin e një sistemi të ri drejtësie”.
”Ai përbënte një akt themelor modernizues, për të hequr dorë nga logjika penale e asaj kohe dhe për të përafruar legjislacionin me modelet penale të kohës. Kërkesa për të pasur një Kod Penal të ri nuk është çështje politike, por nevojë e një shteti dhe shoqërie që transformohet çdo ditë. Gjithashtu, është edhe nevojë e një dinamike të re kushtetuese institucionale dhe integruese që duhet reflektuar në Kodin e ri Penal”, vijoi ai.
Ministri Manja u shpreh se Kodi Penal që është në fuqi në momentin e miratimit në vitin 1995 kishte 285 nene dhe 550 paragrafe në strukturë. Sipas Manjës, pas 30 ndërhyrjesh të njëpasnjëshme në kohë të ndryshme, ai numëron rreth 327 nene dhe mbi 750 paragrafe, pra 40 nene dhe 200 paragrafë më shumë të ndryshuar në mënyrë të fragmentarizuar dhe pa koherencë sistemike.
”Kodi i ri Penal do duhet të ketë si bazë kushtetuese, Kushtetutën e vitit 1998, ndërsa kur u miratua në vitin 1995 baza ishte ligji për dispozitat kushtetuese të vitit 1991. Format e reja të kriminalitetit kërkojnë përgjigje të qarta dhe përshtatshme penale.
Reforma në drejtësi ka rikonfiguruar sistemin institucional duke bërë të domosdoshëm rishikimin e normës penale”, shtoi Manja.
Ministri i Drejtësisë u ndal edhe te procesi i integrimit të Shqipërisë në BE që kërkon një përafrim të plotë të Kodit penal me hakinë e BE-së, direktivat evropiane dhe jurisprudencën e pasur të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut.
”Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi paraqet vështirësi për prokutorët, avokatët dhe gjyqtarët. Rikonceptimi i Kodit ishte i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Puna për të pasur një draft pune penal të kryesuar nga prof. Arben Rakipi kishte filluar që në vitin 2019, por në shkurt të vitit 2023, ministri i Drejtësisë e ngarkoi këtë grup pune zyrtarisht për të hartuar Kodin e ri Penal, që nga sot do të jetë për konsultim publik”, pohoi Manja.
Ministri i Drejtësoi tha se ”ky draft nuk është produkt i Qeverisë apo Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa MD ka pasur dhe do ketë deri në fund rol organizues dhe mbështetës. Autorësia intelektuale dhe përmbajtja teknike është në pronësi të grupit të punës në çdo fazë të konsultimit publik”.
Gjithashtu, drafti pritet të marrë vulën e certifikimit në Bruksel sipas Manjës, dhe pastaj qeveria do të vijojnë me procedurat e miratimit parlamentar me shumicë të cilësuar, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Ministri Manja i bëri ftesë opozitës që të kontribuojë me ekspertizë të mirëfilltë dhe diskutime për Kodin e ri Penal, si një akt shtetëror të rëndësishëm për funksionimin e shtetit dhe drejtësisë në një vend që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane deri në vitin 2030.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantoi këtë të premte draftin e ri të Kodit Penal, për të cilin u shpreh se puna ka nisur që në vitin 2019 nga një grup ekspertësh. Në draftin e ri të Kodit penal vihet re se janë shtuar disa vepra të reja penale që kanë të bëjnë me sigurinë […]
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka shmangur në dy mbledhjet plenare të fundit, më datat 11 dhe 16 korrik, të shqyrtojë kërkesën e prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli për ta mbrojtur ndaj sulmeve të Kryeministrit Edi Rama ndaj saj, lidhur me mosfillimin e hetimit për një kallëzim të kryer për ndërtimet në Theth, megjithëse […]
Nga Edison Vatnikaj Një nga planet e Erion Veliajt duket se ka qenë futja në listën e kandidatëve për deputet në 11 maj. Mendimi për të marrë në këtë formë imunitetin duket se nuk i ka ecur, ndërsa plani është regjistruar edhe në dosjen e SPAK e që lidhet me bisedat që bëri me telefonin […]
Një përplasje dramatike me tone të ashpra, fyerje personale dhe kërcënime fizike ka tronditur zyrat e Kryeministrisë. Në hollin (para dhomën) që të çon drejt zyrës së kryeministrit Edi Rama ka shpërthyer një sherr i paprecedentë mes ministrit të Financave, Petrit Malaj dhe ministrit të Jashtëm, Igli Hasani. Situata është përshkallëzuar në mënyrë të rrufeshme, […]
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha publikoi një denoncim në lidhje me pagesat e munguara për policët e burgjeve. Mesazhin e publikuar nga Berisha, një efektiv policie denoncon ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për mungesën e pagave për orët e natës por edhe probleme të tjera që kanë në “burgun 313”. Reagimi i plotë nga […]
TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Gjykata Kushtetuese organizoi sot aktivitetin për prezantimin e Udhërrëfyesit (Guidës) së Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë – Vëllimi II”.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në fjalën e tij deklaroi se, “publikimi i këtij vëllimi të ri është një hap domethënës për përmirësimin e kulturës juridike në vend”.
“Ai ofron një pasqyrë të qartë dhe të sistemuar të praktikës kushtetuese, duke shërbyer si një mjet i vyer jo vetëm për juristët, akademikët dhe studentët, por edhe për çdo qytetar që dëshiron të njohë më mirë të drejtat dhe liritë e tij”, tha Manja.
Kjo, theksoi Manja, “është dëshmi e përkushtimit institucional për transparencë, edukim juridik dhe forcim të besimit të publikut te drejtësia. Duke e bërë jurisprudencën më të aksesueshme dhe të kuptueshme, ne kontribuojmë drejtpërdrejt në krijimin e një kulture të respektit ndaj Kushtetutës dhe të drejtave themelore të njeriut”.
Në një shtet demokratik, shtoi ministri, “Gjykata Kushtetuese është garant i rendit juridik dhe i parimeve mbi të cilat ngrihet Republika. Përmes vendimmarrjes së saj, ajo mbron ekuilibrin mes pushteteve, siguron kufizimin e ndërhyrjeve arbitrare dhe mbron liritë dhe të drejtat themelore të individit”.
“Ky institucion nuk është thjesht një gjykatë që shqyrton çështje juridike – është mbrojtësi i kontratës sonë shoqërore, i themeleve të demokracisë sonë dhe i stabilitetit të shtetit”, nënvizoi Manja.
Manja theksoi se, Udhërrëfyesi për Shtetin e së Drejtës, i miratuar në fund të vitit të kaluar, përmban masa të qarta dhe ambicioze për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e transparencës.
Ai synon përmirësimin e sistemit të publikimit të vendimeve, zhvillimin e mjeteve të reja të informimit për publikun dhe profesionistët, rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin efektiv të vendimeve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale përmes trajnimeve dhe shkëmbimeve me gjykatat partnere në Evropë”, u shpreh Manja.
Këto masa, shtoi ai, “nuk janë qëllim në vetvete, por pjesë e një vizioni më të gjerë për të garantuar një drejtësi më të hapur, të përgjegjshme dhe të besueshme për qytetarët”.
Manja nënvizoi se, “për Shqipërinë, procesi i integrimit evropian nuk është thjesht një objektiv politik, por një reformë e thellë shoqërore dhe institucionale. Përafrimi me standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës kërkon një sistem drejtësie që është i pavarur, i drejtë dhe efektiv”.
Në këtë proces, shtoi Manja, “Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç: të sigurojë që çdo ndryshim ligjor apo institucional të respektojë Kushtetutën dhe vlerat themelore mbi të cilat mbështetet rendi ynë demokratik”.
Manja theksoi se, “Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të mbështesë me të gjitha mjetet institucionale këtë proces. Ne jemi të vendosur të punojmë ngushtësisht me Gjykatën Kushtetuese, me gjykatat e tjera, me shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për të garantuar zbatimin e reformave dhe ndërtimin e një drejtësie që i shërben vërtet qytetarit”.
Kjo, shtoi ai, “nuk është një punë që mund të bëhet vetëm. Kërkon bashkëpunim të ngushtë, mirëbesim dhe dialog të hapur ndërmjet të gjitha institucioneve”.
Prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli, reagoi të premten me një kërkesë drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë kundër deklaratave të kryeministrit që i cilësoi si “fyerje dhe diskreditim të figurës së magjistratit”. Në kërkesë, Gjeli tha se kryeministri e kishte ekspozuar “ndaj një linçimi të pashembullt mediatik dhe duke minuar çdo kuptim të drejtësisë si […]
Një ditë më parë, Ministri i Drjetësisë, Ulsi Manja kërkoi nisjen e procedimit disiplinor për Prokuroren Elsa Gjeli, sipas ligjit, për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.
Në një deklaratë për mediat sot, Manja theksoi se prokurorja ka marrë një vendim për mbylljen e çështjes pa kryer asnjë hetim. Sipas tij, ajo ka arritur në përfundimin se mungon elementi i fajit në rastin e ndërtimit, një konkluzion që Manja t thekson si paaftësi profesionale dhe tendenca për të mos ushtruar funksionin e ndjekjes penale.
“Nuk jemi kundër që prokuroria e Shkodrës dhe çdo prokurori ta ngrejë zërin kur cenohet pavarësia e ushtrimit të funksionit të prokurorit. Por ka dhe detyrime që të thellohet kur ka një çështje me ndjeshmëri publike për të parë nëse është zbatuar ligji dhe kushtetuta. Prokuroria si institucion përveçse ushtron funksionet duhet të japë llogari para qytetarëve të Shkodrës për mbrojtjen e territorit.
Prokurorja ka marrë përsipër vendimin pa kryer asnjë veprim hetimor, ka arritur në konkluzionin se mungon faji si element i anës subjektive, gjë e cila tregon nxitim, paaftësi profesionale, dhe tendenca të qarta për të mos ushtruar funksionimin e ndjekjes penale dhe të hetimit, në rastin konkret të ndërtimit pa leje në zemër të Thethit. Ka edhe pasaktësi të tjera ligjore.
Thethi është park kombëtar që mbrohet nga disa ligje. edhe nëse punimet do të lejoheshin siç arsyeton prokurorja në vendim, do duhej të merrej mendimi i organeve kompetente që kanë të bëjnë me zonat e mbrojtura”, tha ministri.
Manja theksoi se ligji për legalizimet, që ishte një bazë për vendimin e prokurores, është i shfuqizuar dhe nuk mund të përdoret më për të justifikuar vendime të tilla.
“Absurdi qëndron në faktin që prokuroja Elsa Gjeli kur analizon kuadrin ligjor sektorial për të përligjur vendimin e mos fillimit të çështjes, i referohet një ligji të shfuqizuar, që nuk është më në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Dihet publikisht që ligji për legalizimet është shfuqizuar.
Ky rast që ne kemi referuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe tek Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, ka marrë vëmendje të opinionit publik për shkak të ndjeshmërisë mjedisore dhe simbolikës që mbart Thethi”, tha Ministri i Drejtësisë.
Ministri Manja e përmbylli deklaratën duke theksuar rëndësinë e këtij rasti dhe nevojën për një shqyrtim të detajuar të veprimeve të prokurores Gjeli.
TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja kërkoi nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të veprojnë me vendosmëri për të garantuar integritetin ligjor të veprimeve apo mosveprimeve të prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, e cila nuk nisi hetimet për ndërtimet pa leje në Theth. Në një deklaratë për mediet, Manja tha se vendimi i prokurores minon Reformën në Drejtësi.
“Shqipëria 2030 në BE ndërtohet çdo ditë në çdo institucion dhe institucione si Prokuroria e Shkodrës, që marrin në mbrojtje publike mosveprimin e një prokuroreje ndaj një vepre të rëndë penale si ndërtimi i një fshati të tërë turistik në zemër të një zone të mbrojtur si Thethi, nuk janë në lartësinë e misionit të madh kombëtar të anëtarësimit evropian të Shqipërisë”, tha Manja.
Manja tha se Thethi është Park Kombëtar dhe që mbrohet nga disa ligje, ndërsa shtoi se prokurorja duhej të merrte edhe mendimin e organeve kompetente që kanë të bëjnë me zonat e mbrojtura.
“Vendimi tregon nxitim, paaftësi profesionale dhe tendenca të qarta për të mos ushtruar funksionin e ndjekjes penale. Ka edhe pasaktësi të tjera ligjore që e bëjnë të cenueshëm këtë vendim. Thethi është Park Kombëtar që mbrohet nga disa ligje. Nëse punimet do të lejoheshin me një deklaratë paraprake, do duhej të merrej mendimi i organeve kompetente që kanë të bëjnë me zonat e mbrojtura”, tha Manja.
Manja shtoi se prokurorja Gjeli i është referuar një ligji që është i shfuqizuar.
“Absurdi qëndron se prokurorja Elsa Gjeli kur përligj vendimin, i referohet një ligji të shfuqizuar që nuk është më në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Tani në Shqipëri vepron ligji 20/20. I është referuar një ligji të vdekur juridikisht”, tha Manja.
“Shqipëria 2030 në BE nuk ndërtohet duke lejuar paligjshmërinë apo me justifikime teknike”, tha Manja.
Duke iu referuar deklaratës së Prokurorisë së Shkodrës në lidhje me rastin, Manja tha se “refuzimi për të hetuar një vepër të tillë penale, por edhe përpjekjet e Prokurorisë Shkodër për të mbrojtur këtë vendim, bien ndesh me frymën e Reformës në Drejtësi dhe pritshmëritë e qytetarëve për drejtësinë”.
“Prokuroria si institucion duhet të japë dhe llogari para qytetarëve, të Shkodrës në rastin konkret, për mbrojtjen e territorit. Drejtësia nuk mund të qëndrojë e heshtur përballë dëmeve mjedisore”, tha Manja.
Manja kërkoi që “ILD dhe KLP të veprojnë pa vonesë e të hetojnë rastin në përputhje me përgjegjësitë që u ngarkon ligji. Më shumë sesa një rast i vendimit të mosfillimit të hetimit, organet e drejtësisë kanë përgjegjësi për të garantuar integritetin, ligjshmërinë dhe besimin e publikut te drejtësia, që me vendime të tilla minojnë Reformën në Drejtësi, tek kjo drejtësi që po përpiqemi prej 10 vitesh në Shqipëri. Është cenim i shtetit të së drejtës dhe misionit tonë evropian”.
Rasti, sipas Manjës, “krijon precedentë të rrezikshëm në ushtrimin e funksionit të ndjekjes penale dhe i hap rrugës paligjshmërisë në territor”.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dërgoi në ILD dhe KLP prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli!
Manja kërkon nisjen e procedimit disiplinor për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.
Në shkresën drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, thuhet se ‘prokurorja Gjeli vendosi mosfillimin e procedimit penal brenda 48 orëve nga regjistrimi i kallëzimit penal, pa kryer veprime hetimore ose verifikime në terren’.
Ulsi Manja kërkon nisjen e procedimit disiplinor për Prokuroren Elsa Gjeli, sipas ligjit, për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.
Ka qenë vetë kryeministri ai që ka shenjëstruar Prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, për ndërtimet pa leje në Theth.
Prej ditësh, kryeministri Edi Rama ka nisur një aksion për pastrimin e hapësirave publike.
Në Theth policia dhe IKMT kanë nisur shembjen e objekteve pa leje. Ky aksion ka sjellë gjithashtu edhe pakënaqësi dhe shqetësime të shumta nga banorët e Thethit që kundërshtojnë prishjen e ndërtesave të tyre.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka dërguar në ILD prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli. Ulsi Manja ka kërkuar nisjen e procedimit disiplinor ndaj saj për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimeve pa leje në Theth. Në krye të shkresës së Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, të cilën ia drejton ILD dhe kreut Artur Metani, kërkohet “nisja e procedimit disiplinor ndaj prokurores së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, znj. Elsa Gjeli.
Ministri Manja ka shpjeguar në një material prej tetë faqesh rrethanat e materialit, duke nisur nga kontrolli i IMT i Bashkisë Shkodër më 29 Prill, kallëzimi në Prokurori, referimi i materialeve në organin e akuzës, pezullimi i punimeve më 30 prill për vendosjen e kabinave, vendimi për prishjen dhe gjobën e subjektit më 8 Maj.
“Me vendimin e datës 30.05.2025 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër është vendosur mosfillimi i procedimit penal për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” të parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal, për materialin hetimor të dërguar në këtë prokurori nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër”.
Kallëzimi përfundimtar është bërë më 28 maj, për veprën penale “ndërtim i paligjshëm”, ndaj subjektit të të kërkuarit Prek Kodra, ky objekt hetimi i SPAK për dosjen “Metamorfoza”.
“Prokurorja Elsa Gjeli, me vendim të datës 30.05.2025, vendosi mosfillimin e procedimit penal, brenda 48 orëve nga regjistrimi i kallëzimit penal, pa kryer veprime hetimore ose verifikime në terren”, nënvizon Manja, duke e kundërshtuar këtë vendim si në shkelje të ligjit.