Digjet Kalifornia/ Tre persona të lënduar nga zjarret, shkrumbohen 29 mijë hektarë
Mbi 1000 forca zjarrfikëse po luftojnë me flakët që kanë përfshirë Kaliforninë Qendrore në Shtetet e Bashkuara duke kërcënuar qindra banesa dhe duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve.
Sipas të dhënave të fundit flakët kanë shkrumbuar mbi 29 mijë hektarë zone të pyllëzuar si dhe zona të banuara, ndërsa vetëm 5% e zjarrit është vënë nën kontroll sipas asaj që ka deklaruar agjencia Shtetërore e Zjarrfikëseve Call Fire.
Të paktën 3 persona kanë mbetur të plagosur nga zjarri, ku mes tyre një shofer që u dogj nga flakët e automjetit të tij dhe dy punonjës të forcave zjarrfikëse.
Zjarri i quajtur “Gifford Fire” shpërtheu mbrëmjen e të premtes përgjatë autostradës 166 mes Santa Marias dhe Bakersfield.
Më shumë se 450 struktura përfshirë shtëpi dhe biznese vijojnë të jenë nën kërcënimin e flakëve duke përfshirë edhe veriun e Los Angeles.
Ndihma nga ajri ka qenë e kufizuar për shkak të tymit të dendur, por autoritetet kanë përdorur teknologji infra të kuqe për të monitoruar përhapjen e zjarrit. Erërat e forta me shpejtësi deri ne 40 kilometra në orë kanë përkeqësuar përhapjen e zjarrit. Autoritetet Amerikane kanë nisur hetimet pas dyshimeve se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
Kalifornia pritet të goditet nga një vale tjetër e të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë celsius këtë të mërkurë, vale kjo e cila do të shtojë rrezikun për zjarre./abcnews.al