TiRANË, 26 prill/ATSH/ Partia Demokratke ka reaguar pas publikimit në media të një kontrate lidhur me lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikë.
Sipas PD, financimi është realizuar nga shqiptarë që jetojnë në SHBA dhe synon forcimin e marrëdhënieve mes PD dhe qeverisë së SHBA.
Deklarata e plotë e PD:
Në lidhje me një informacion të shpërndarë në media për lobimin e PD-së pranë Qeverisë dhe Kongresit të SHBA-së, dëshirojmë të sqarojmë sa vijon:
Komuniteti shqiptaro-amerikan, përmes fondacionit “Make Albania Great Again”, ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike, si forca më e madhe opozitare, me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA-së. Synimi i bashkatdhetarëve tanë në SHBA është bashkëpunimi i PD-së me aleatin kryesor të Shqipërisë për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Kompania “Continental” drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo, i cili njihet gjithashtu si avokat i Presidentit Trump dhe si antikomunist i palëkundur në qëndrimet e tij!
Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marrë përsipër 100% nga patriotë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në SHBA, si dhe demokratë të tjerë të larguar nga Shqipëria këto 10 vite për shkak të regjimit të Edi Ramës.
Partia Demokratike, duke falënderuar demokratët antikomunistë të komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe patriotizmin e tyre, sqaron opinionin publik se, ndonëse ka dhënë dakordësinë për marrjen e këtij shërbimi në përputhje të plotë me ligjet e të dy vendeve, nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual që lind nga kjo marrëveshje.
Non grata e Berishës, PD kontratë e lobimi 6 milionë USD me kompaninë e ish-ambasadorit të Trump
Top Channel në një artikull të publikuar sot shkruan se Partia Demokratike ka nënshkruar një kontratë lobimi 6 milionë dollarëshe për dy vjet me një firmë në Uashington DC.
Sipas artikullit, firma është hedhur pikërisht në 4 prill nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka dhe si garant në SHBA ka dalë një shtetas me emrin Nuredin Seçi. Kjo është kontrata e dytë brenda pak muajsh që PD-ja nënshkruan me njerëz të afërt të Donald Trump, pas mbërritjes në Shqipëri të një prej dy strategëve të Presidentit të SHBA, Chris Lacivita.
Klienti (nëpërmjet Garantuesit/Garantuesve të tij) do t’i paguajë firmës një tarifë fikse mujore prej 250,000 dollarësh për një paketë gjithëpërfshirëse mbështetjeje që përfshin lobim, avokim dhe nisma strategjike ligjore për një periudhë prej 2 vitesh (24 muaj) (“Tarifa Mujore”) dhe në përputhje me Kushtet e Marrëveshjes. Pagesa për tre (3) muajt e parë (pagesë paraprake) do të jetë e detyrueshme në momentin e nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje”, thuhet në kontratë.
Continental Strategy është një firmë konsulence dhe lobimi me bazë në Shtetet e Bashkuara, e specializuar në marrëdhënie me qeverinë dhe strategji politike. E themeluar në fillim të vitit 2022 nga ish-ambasadori dhe përfaqësuesi shtetëror Carlos Trujillo.
Në kontratë thuhet se firma bie dakord t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave; ofrimi i mbështetjes për promovimin e demokracisë, nismave kundër korrupsionit dhe reformave qeveritare në përputhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri; përdorimi i përvojës së gjerë në marrëdhënie me qeverinë, avokim të politikave, shërbime ligjore dhe angazhim të aktorëve të interesit në përputhje me objektivat e Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj, Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
“Aktivitetet mund të përfshijnë lobim, përgatitje dhe shpërndarje të materialeve informuese, si dhe angazhim me vendimmarrësit politikë amerikanë”, thuhet në kontratën e nënshkruar.
/a.f/
The post Kontrata 6 milionë dollarë e lobimit në SHBA, reagon Partia Demokratike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.