TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama kishte sot të ftuar në podkastin “Flasim” katër të rinj të kthyer nga jashtë vendit, ku kishin krijuar eksperiencat e tyre profesionale në fusha të ndryshme, të cilët tashmë janë përfshirë në poste të larta drejtuese në qeveri.
“Katër UFO në vendin e shqiponjave” emërtohet podkasti i sotëm, ku të ftuar janë Florian Semani, zv.ministër i Financave, i kthyer nga SHBA ku punonte si ekspert taksash; Blerina Abrazhda, zv.ministre e Mbrojtjes, e kthyer pas 25 vitesh studime e pune në Itali, SHBA, Lindjen e Mesme; Andi Memeti, zv.ministër i Financave, i kthyer nga Londra pas 20 e ca vitesh studime e pune në industrinë bankare dhe Erinda Aliaj, e kthyer nga SHBA, dhe që tani punon në administratë, në Kryeministri, si eksperte e teknologjisë.
Dy prej tyre, zv.ministri i Financave Andi Memeti dhe Erinda Aliaj ishin bërë më parë pjesë e platformës “Deputeti që duam”.
Ndërsa treguan eksperiencat e tyre jashtë vendit, pika që i përbashkonte rrëfimet e tyre jetësore ishte dëshira dhe vendosmëria për t’u kthyer dhe për të kontribuar në Shqipëri.
“Deri para pak muajsh nuk jetonin në Shqipëri, të gjithë ishin jashtë Shqipërisë dhe sot janë në Shqipëri dhe mbulojnë detyra goxha të rëndësishme duke marrë përgjegjësi jo të vogla pas një eksperience që është njëra më interesante se tjetra në rrugët e botës. Kanë ardhur sot për të ndarë eksperiencën e tyre dhe nga ana tjetër publiku të shohë se cilët janë disa nga njerëzit që nuk bëjnë bujë, nuk dalin në televizor por që punojnë pa u ndjerë dhe me shumë efikasitet në shërbim të shtetit shqiptar”, i prezantoi Rama të ftuarit.
Blerina Abrazhda, aktualisht zv.ministre e Mbrojtjes e kthyer pas 25 vitesh studime e pune ne Itali, SHBA dhe Lindjen e Mesme tregoi rrugëtimin e saj profesional dhe vendimin për t’u kthyer në Shqipëri.
“Nuk jam kthyer nga ndjenja e nostalgjisë por nga përgjegjësia për të bërë diçka për vendin. Kam jetuar në shumë vende të ndryshme, kudo që shkon ka nevojë për një periudhë përshtatjeje. Por këtu ndihem mirë se gjërat janë përmirësuar jashtëzakonisht për mirë”, tha ajo.
Sipas saj, “ka një fokus të veçantë që të përmirësohet jo vetëm imazhi i Shqipërisë që është përmirësuar në mënyrë të jashtëzakonshme, por ka një tjetër mënyrë se si njerëzit kanë filluar t’i qasen punës”.
Abrazhda tregoi formimin e saj profesional i cili nisi nga Italia si eksperte taksash e tatimesh dhe u konsolidua më tej si kryenegociatore në Lindjen e Mesme në industrinë e mbrojtjes.
Ndërsa Florian Semani, zv.ministër i Financave, i kthyer nga SHBA ku punonte si ekspert taksash tregoi se përse vendosi në një moment të caktuar të kthehej dhe të kontribuonte në Shqipëri.
Sipas tij Shqipëria ndodhet shumë pranë anëtarësimit në BE dhe ai do të donte të jepte kontributin e vetë në këtë drejtim.
“Normalisht ka nevojë për një periudhë përshtatjeje, por kam gjetur një staf shumë akomodues dhe jam ndjerë shumë i akomoduar te Ministria e Financave. E konsideroj privilegj dhe ndihem mirë që të bashkëpunoj me ta. Jam larguar prej 26 vitesh nga vendi, dhe Shqipëria vërtetë më ka surprizuar për mirë. Ka shumë gjëra të tjera për t’u bërë por është krijuar një themel shumë i shëndetshëm për të vijuar më tej”, tha ai.
Ndërsa mbante një pozicion pune në Los Anxhelos si konsulent në Agjencinë e Taksave, pjesë e Departamentit Amerikan të Shtetit, Semani tregon se u kthye në Shqipëri pasi mendon se vendi është në një moment shumë delikat për t’u futur në BE.
“Unë dua të jap kontributin tim. Kam besim të plotë se me vizionin që ka qeveria juaj, vetëm me vizionin tuaj vendi mund të hyjë në BE, ndaj jam këtu”, tha ai.
Andi Memeti, zv.ministër i Financave, i kthyer nga Londra pas mbi 20 viteve studime e pune në industrinë bankare, tregon se fillimisht u bë pjesë e platformës “Deputeti që duam”, ku nuk arriti të fitonte.
Kryeministri Rama tregoi se ajo që i bëri përshtypje ishte vendosmëria e tij për t’u kthyer vijuar dhe për të dhënë kontributin në Shqipëri edhe pse ishte pjesë e një institucioni prestigjioz në Londër si “City Bank”.
“Kisha disa pikëpyetje në kokën dhe në mendje time, por në momentin që u ktheva te Ministria e Financave kam gjetur një staf shumë të përgatitur. Jam larguar në moshën 17-vjeçare si student ekselent në Londër, gjithmonë me përqasjen për t’u përfshirë në politikë. Kam rreth 12 vite eksperiencë në fushën e shërbimeve financiare atje dhe në audit për 7 vite. Kam punuar te “City Bank” në Londër ku në momentin që vendosa të rikthehesha në Shqipëri sapo isha ngritur në detyrë. Më ofruan shpërblim financiar për të qëndruar, por u thashë se nuk ka shpërblim financiar që mund të më ndryshojë mendjen. Dua të kthehem të jap kontributin tim. Është patriotizëm, por edhe nder të përfshihem në grupin fantastik që keni krijuar për të afruar Shqipërinë në BE”, tha ai.
Ndërsa Erinda Aliaj, e kthyer nga SHBA dhe që punon në administratë në Kryeministri si eksperte e teknologjisë tregon se u largua nga Shqipëria drejt SHBA-së në vitin 2001.
“Nuk e di çfarë guximi kanë pasur prindërit e mi që të dërgojnë një fëmijë 16 vjeç në një vend që është shumë larg. Kjo tregon si ka qenë Shqipëria atëherë. Shqipëria atëherë ka qenë shumë keq, firmat piramidale i kam përjetuar në Vlorë me shtetin që nuk ekzistonte dhe me krimin. Këto kanë qenë kushtet ku unë jam larguar, ndërsa tani vendosa të kthehem”, tha ajo.
/r.e/
The post Të ftuarit në podkastin “Flasim”: Shqipëria në një moment shumë delikat për t’u futur në BE, duam të kontribuojmë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.