MEKSIKË – Sheinbaum përjashton planin ushtarak të Trump në territorin meksikan kundër karteleve të drogës
MEKSIKO SITI, 9 gusht /ATSH/- Meksika tha se ushtria amerikane nuk do të hyjë në territorin e saj – pas raportimeve se presidenti Donald Trump ka udhëzuar Pentagonin të shënjestrojë kartelet e drogës në Amerikën Latine, sipas BBC.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të vijnë në Meksikë me ushtrinë”, tha presidentja Claudia Sheinbaum.
“Ne bashkëpunojmë, por nuk do të ketë pushtim. Kjo absolutisht përjashtohet”, shtoi ajo.
“New York Times” raportoi dje se Trump kishte nënshkruar në mënyrë të fshehtë një direktivë për të filluar përdorimin e forcës ushtarake në tokë të huaj.
Në një deklaratë për BBC-në, Shtëpia e Bardhë tha se prioriteti kryesor i Trump është mbrojtja e atdheut.
Direktiva e raportuar duket se vjen pas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga Trump, këtë vit – që zyrtarisht i përcaktonte tetë kartele droge si entitete terroriste – gjashtë prej të cilave janë meksikane.
Duke folur me gazetarët, Sheinbaum tha se qeveria meksikane ishte informuar se një urdhër mbi kartelet ishte nënshkruar dhe se nuk kishte të bënte me pjesëmarrjen e ndonjë personeli ushtarak.
“Nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjeje. Kur është ngritur në diskutim, ne gjithmonë kemi thënë ‘Jo'”, tha ajo.
Më herët, Sheinbaum tha se vendimi i Trump për të përcaktuar kartelet si terroristë nuk mund të ishte një mundësi për SHBA-në për të pushtuar sovranitetin e Meksikës.
Të enjten, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se përcaktimi si entitete terroriste – do të ndihmonte SHBA-në të shënjestronte kartelet, duke përfshirë edhe përmes agjencive të inteligjencës dhe Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
“Ne duhet të fillojmë t’i trajtojmë ato si organizata të armatosura terroriste, jo thjesht organizata që merren me trafikun e drogës”, tha Rubio.
Raporti i “New York Times” tha se direktiva e nënshkruar nga Trump ofron një bazë zyrtare për mundësinë e operacioneve të drejtpërdrejta ushtarake kundër karteleve, si në det ashtu edhe në tokë të huaj.
Në muajt e fundit, Meksika ka bashkëpunuar me SHBA-në për të frenuar fluksin e paligjshëm si të emigrantëve ashtu edhe të drogës përmes kufirit SHBA-Meksikë.
Qershori shënoi numrin më të ulët të kalimeve kufitare të regjistruara ndonjëherë, sipas të dhënave nga Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së, dhe javën e kaluar, ambasadori i SHBA-së në Meksikë, Ronald Johnson, tha se sekuestrimet e fentanilit në kufi ishin ulur me më shumë se gjysmën. //a.i/
The post MEKSIKË – Sheinbaum përjashton planin ushtarak të Trump në territorin meksikan kundër karteleve të drogës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.