I renditur aktualisht i 151-ti në botë, Taro Daniel ka folur hapur për realitetin e ashpër të jetës si atlet profesionist jashtë majave të tenisit botëror.
32-vjeçari me origjinë japoneze, i cili jeton dhe stërvitet në Florida (SHBA), është kualifikuar për 11 turne Grand Slam, përfshirë gjashtë paraqitje në Wimbledon.
Momenti më i madh i karrierës së tij është fitorja ndaj kampionit tre herë të Grand Slam-it, Andy Murray, në raundin e dytë të Australian Open në vitin 2022, kur ai arriti deri në raundin e tretë dhe fitoi 175,000 euro.
Megjithatë, pas atij suksesi fshihet një përditshmëri e vështirë financiare, e cila është pjesë e përditshme për shumicën e tenistëve që nuk janë pjesë e top 100-shes së listës ATP.

“Kur isha më i ri, as nuk doja të porosisja një avokado sepse ishte e shtrenjtë”, tha Daniel për Financial Times, duke nënvizuar se presioni financiar shpesh ndikon edhe në përgatitjen dhe paraqitjen në fushë.
Edhe pse këtë vit ka fituar rreth 160,000 euro nga turnetë, përfshirë ato të nivelit Challenger dhe raundet kualifikuese, kjo shumë zhduket shpejt kur përfshihen të gjitha shpenzimet si trajneri, fizioterapisti, biletat e avionit, ushqimi, hotelet dhe taksat ndërkombëtare.
“Turnetë mbulojnë dhomën tënde, por jo atë të trajnerit. Raporti im i shpenzimeve thotë të paktën 20,000 dollarë në muaj vetëm për nevojat bazë”, zbuloi Daniel.
Ai shtoi se shpenzon deri në 100 mijë dollarë në vit vetëm për kostot operative, pa përfshirë pagat e anëtarëve të stafit.

“Si tenist, je si një kompani e vogël. ‘Punonjësit’ e tu udhëtojnë me ty. Sot, pothuajse askush nuk shkon në Grand Slam pa trajner. Shpenzimet janë rritur dhe fitimet nuk janë gjithmonë të garantuara”, shton ai.
Këtë vit, Daniel dështoi të kualifikohej si për Australian Open, ashtu edhe për Roland Garros, por tani ka një mundësi të re – kualifikueset e Wimbledon, të cilat zhvillohen këtë javë.
Hyrja në shortin kryesor jo vetëm që do të ishte e rëndësishme për karrierën e tij, por edhe një ndihmë e madhe financiare.
Edhe tenistët që eliminohen në raundin e parë të Wimbledon fitojnë 78,000 euro, ata që kalojnë në raundin e dytë marrin 115,000 euro, ndërsa raundi i tretë sjell 180,000 euro.

Fituesi i turneut këtë vit do të përfitojë një çmim rekord prej 3.5 milionë euro – më i madhi në historinë e ndonjë turneu Grand Slam. /Telegrafi/
The post Jeta e vështirë e tenistit jashtë top 100 – Taro Daniel rrëfen betejën me financat appeared first on Telegrafi.