TIRANË, 1 mars /ATSH/ Mënyra e ushqyerjes dhe një dietë e pasur ushqimore me perime, fruta, produkte mishi, pule dhe peshku është jetike për çdo grupmoshë, sidomos gjatë përditshmërisë së secilit prej nesh, kur shpesh ritmi “frenetik” i punës dhe angazhimeve na mbajnë larg një stili të shëndetshëm jetese.
Ndaj, në jo pak raste njerëzit zgjedhin që pamundësinë e një doze të shëndetshme ushqimore ta zëvendësojnë me vitamina, të cilat nëse përdoren pa kriter mund të çojnë edhe në pasoja të rënda për organizmin dhe shëndetin e tyre.
Nëse kjo konsiderohet si një nga praktikat më të lehta dhe të shpeshta për të marrë dozën e nevojshme të vitaminave për të cilën trupi ynë ka nevojë, mjekja e përgjithshme në Poliklinikën Nr. 10 në kryeqytet, Xhentiliana Nazaj, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike shqiptare, thotë se duhet treguar shumë kujdes në këtë drejtim, pasi përdorimi i tyre pa kriter çon deri në toksicitet të mëlçisë dhe në sëmundje të ndryshme të zemrës.
“Vitaminat, edhe pse në sasi të vogla, luajnë një rol thelbësor në të gjithë funksionet e organizmit. Ato ndihmojnë në metabolizëm, në mbrojtjen imunitare, në proceset e rritjes dhe rigjenerimit të indeve. Në moshat e reja, rekomandohet që vitaminat të merren me anë të ushqimeve të freskëta. Marrja e vitaminave rekomandohet kur organizmi nuk i merr mjaftueshëm nga dieta ose kur ka nevoja të shtuara në situate të caktuara si: dieta e varfër ose e kufizuar (persona që përdorin dietë vegane, vegjetariane, që mund të kenë mungesa të vitaminave B12, D3, të hekurit); shtatzënia dhe ushqyerja me gji (ku rekomandohet marrja e acidit folik dhe e vitaminave të tjera për zhvillimin sa më të mirë të fëmijës); mungesa e konfirmuar me analiza që rekomandohen kur pacientët ankohen për lodhje, këputje, djersitje, dhimbje koke, etj.; pacientët me sëmundje kronike, të cilët kanë problem me përthithjen e vitaminave; periudhat me stres e lodhje kanë nevojë për vitaminat e grupit B, magnez e vitamina C; aktivitet i sforcuar fizik, si sportistët, që kanë nevojë për vitamina si C, E dhe magnez si edhe gjatë dimrit, kur ekspozimi i ulët ndaj diellit bën që nga mjekët të rekomandohet marrja e vitaminës D3”, thotë Nazaj.
Mjekja e përgjithshme pranë Poliklinikës Nr. 10 në Tiranë, thekson se “marrja e vitaminave nuk sugjerohet në mënyrë të vazhdueshme, por me periudha ndërprerjeje, në varësi të llojit të vitaminës dhe nevojës që ka organizmi. Vitamina D sipas saj, rekomandohet gjatë stinës së dimrit, ku ekspozimi në diell është i ulët. “Vitamina B12 rekomandohet nëse keni mungesa; acidi folik në tre muajt e parë të shtatzënisë; ndërsa multivitaminat rekomandohen për një periudhë 2-3 mujore, e më pas duhet një periudhë ndërprerjeje”, thotë ajo.
Sipas mjekes, përcaktimi i nevojës për dozë ditore të vitaminave dhe llojin e tyre varet nga disa faktorë kryesorë, ku përfshihet stili i jetesës, dieta ushqimore, mosha, gjendja shëndetësore dhe analizat mjekësore. Duke u bazuar në rezultatet e analizave për sasitë e vitaminave, moshën e pacientit, stilin e jetesës, sforcimet fizike, sëmundjet që e shoqërojnë, mjeku ose nutricionisti vendosin llojin e vitaminës, dozën përkatëse dhe kohën e përdorimit.
Por, mjekja Nazaj ngre shqetësimin e përdorimit pa kriter të vitaminave dhe thekson alarmin që po ndihet kudo në botë, për përdorimin e tyre me qëllim zëvendësimin e ushqimit dhe dozave të nevojshme të produkteve për të cilat ka nevojë trupi dhe organizmi ynë.
“Po, marrja pa kriter e vitaminave mund të dëmtojë organizmin, në disa mënyra, sidomos kur konsumohen me doza të larta për periudha të gjata. Në varësi të organit ku depozitohen apo eliminohen janë dhe dëmtimet që japin dhe çrregullimet përkatëse. Kur një vitaminë merret në sasi të tepruar mund të pengojë përthithjen e vitaminave apo mineraleve të tjera, pra sjellë kështu prishjen e balancës natyrale të vitaminave dhe mineraleve në organizëm. Disa vitamina, kur merren në sasi të tepruar japin dhimbje gastrike, nauzea, diarre, pra ndikojnë në sistemin tretës dhe disa të tjera ndikojnë dhe në efektin e barnave, sidomos atyre antikoagulante (varfarina)”, shton Nazaj.
Sipas saj, “vitamina D mund të shkaktojë toksicitet në mëlçi, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Vitamina D ndihmon në përthithjen e kalciumit në organizëm, ndaj sasia e tepruar e saj çon në hiperkalcemi deri në dëmtime të veshkave, kalcifikim arterial, probleme kardiovaskulare dhe në sistemin nervor”.
Për të gjitha këto arsye, vitaminat nuk duhet të merren pa kriter, pasi sasia apo lloji i gabuar i tyre mund të shkaktojë efekte anësore serioze në organizëm si toksicitet, ndërveprime me medikamente të tjera dhe probleme shëndetësore.
Mjekja Nazaj e pranon faktin që ka një tendencë nga ana e pacientëve për të vetërregulluar një problem shëndetësor të caktuar përmes marrjes së vitaminave.
“Ka një tendencë të pacientëve për të marrë pa recetë suplemente apo vitamina për të rregulluar apo qetësuar shqetësimet e tyre. Por, mendoj që pacientët duhet t’i marrin me rekomandimin e mjekut apo nutricionistit, për të marrë vitaminën e duhur, me dozën e duhur dhe për kohën e duhur, për të shmangur efektet anësore”, pohon ajo.
Përtej kësaj, mjekja thotë se ka një lloj diferencimi në marrjen e vitaminave, nga doza, te lloji i tyre, që diferencohet si për moshën pediatrike, për ata më të rriturit, si dhe për moshën e tretë.
“Diferencimi i vitaminave për grupmosha të ndryshme bazohet në kërkesat dhe nevojat e çdo grup-moshe për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e tyre fizik dhe mendor. Për fëmijët vitaminat D duhet për zhvillimin e kockave, vitamina A për shikimin dhe sistemin imunitar, kalciumi për zhvillimin e kockave, vitamina B dhe acidi folik për zhvillimi e trurit dhe sistemit nervor, si edhe hekuri është i rëndësishëm për qelizat e gjakut. Të rriturit kanë nevoja për të mbështetur energjinë, imunitetin dhe funksionin e organizmit me vitamina si D, grupi i vitaminave B, C, E, hekuri dhe Omega-3. Me kalimin e moshës ulet përthithja e disa vitaminave e mineraleve, ndaj organizmi ka nevoja të veçanta për vitamina: C, B1, B2, B3, B5, B6, B7, B9, B12, zink, hekur”, shton Nazaj.
Në fund, mjekja Nazaj pohon se “vitaminat janë shumë të rëndësishme në funksionin e organizmit dhe përdorimi i tyre është shumë i rëndësishëm. Por, ato duhen marrë me rekomandimin e mjekut apo nutricionistit, në mënyrë që të konsumohet vitamina e duhur, me dozën e saktë për një organizëm të shëndetshëm”.
/r.e/
The post Mjekja Nazaj për ATSH-në: Përdorimi pa kriter i vitaminave pasoja serioze në shëndet, deri në probleme kardiovaskulare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.