POLONI – Siemoniak: Në fuqi kontrollet kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë
VARSHAVË, 24 korrik /ATSH-DPA/ – Polonia planifikon të zgjatë kontrollet në kufijtë e saj me Gjermaninë dhe Lituaninë, deklaroi sot anëtari i kabinetit Tomasz Siemoniak.
Sipas rregullave të zonës Shengen, këto kontrolle kufitare, të cilat filluan më 7 korrik, duhet të përfundojnë pas 30 ditësh, u shpreh Siemoniak për televizionin “TVN24”.
“Ato me siguri do të zgjaten”, shtoi ai.
Siemoniak ka qenë ministër i Brendshëm që nga maji 2024, por do të zëvendësohet nga Marcin Kierwiński si pjesë e një riformatimi të madh të kabinetit qeveritar. Ai do të vazhdojë të jetë koordinator i shërbimeve speciale dhe përgjegjës për çështjet e migracionit të parregullt.
Në dy javët e para të zbatimit të masave, roja kufitare polake tha se kishte kthyer mbrapsht 100 persona që përpiqeshin të hynin në vend në mënyrë të parregullt nga Gjermania ose Lituania.
Që nga 7 korriku, janë kryer kontrolle të rastësishme ndaj rreth 280,000 personave dhe 134,200 automjeteve, shkroi roja kufitare në platformën X të mërkurën.
Në intervistën televizive, Siemoniak akuzoi Rusinë dhe Bjellorusinë se po përdorin migracionin si armë në kuadër të një sulmi hibrid ndaj Polonisë dhe Bashkimit Evropian.
“Emigrantët fluturojnë drejt Moskës me viza ruse. Më pas, transportohen me autobus drejt kufirit polak, ku autoritetet bjelloruse u tregojnë se çfarë duhet të bëjnë”, tha ai. “Dhe pastaj ata përpiqen të hyjnë në Poloni”.
Polonia vendosi kontrollet si përgjigje ndaj kontrolleve të Gjermanisë, të cilat janë në fuqi që nga tetori 2023.
Qeveria në Varshavë ishte nën presion nga grupe të djathta vigilente, të cilat pretendonin se Gjermania po dërgonte refugjatë në Poloni. Këto grupe nisën patrullimet e tyre në kufi, me qëllim të identifikimit të emigrantëve të parregullt. /Ad.Ab./
The post POLONI – Siemoniak: Në fuqi kontrollet kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.