Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në Pallatin e Brigadave ekipin që garoi për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, për të festuar fitoren.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te procesi i votës së diasporës, ku theksoi se puna e ekipit të Beratit ka qenë shembull në mobilizimin e shqiptarëve jashtë vendit.
Sipas Ramës, ata punuan duke mbledhur vullnetarë kudo ku kishte shqiptarë, të cilët përgatitën terrenin për suksesin e PS-së në votën e diasporës.
Ai thumboi edhe drejtuesen e PD për diasporën, Jozefina Topalli, duke thënë se, ndërsa PS punonte, ajo “qemtonte në filxhanin e fatit”.
“E rikthyer si një Doruntinë, mbi samarin e listës së mbyllur, të mushkës gërmuqe të partisë, Jozefina vajtonte humbjen e zgjedhjeve me lot rrëke, me disa zarfa nga Berati, ku PS kishte marrë 90 përqind të votave.”Vdiq, vdiq pluralizmi,” thoshte. “Na e vranë pluralizmin, dhe vdiq… ku, ku e mjera unë!”Pra, ne qenkemi vrasësit e pluralizmit se ajo dhe ata nuk e kanë haberin sesi punohet me diasporën. Berati është skuadra që ka shkëlqyer në mobilizimin e shqiptarëve jashtë vendit. Ne e nisëm kohë më parë, krijuam një bord kombëtar të diasporës dhe mblidheshim në orën tetë të mëngjesit çdo të hënë në Zoom me 100 vetë, ku ndiqnim bashki për bashki ngritjen e një rrjeti vullnetarësh të PS-së në të gjithë Greqinë dhe përtej, kudo ku ka shqiptarë. Dhe kur ne bënim këto, Jozefina ishte ende në humbëtirat e syrgjynit politik, duke qëmtuar në filxhan fatin, që në fund doli fati lum si i rikthimit të Doruntinës. Janë 10 përqind për ata, apo 90 përqind për ne, në një grup zarfash që vijnë nga një pikë e caktuar – kjo varet nga sa zgjedhës janë regjistruar dhe kush i ka motivuar të regjistrohen. Të tjerat janë broçkulla. Se ç’faj kemi ne, kur ata zgjohen nga gjumi dhe thonë ‘rrush’, ne i kemi mbushur koshat, sepse kemi nisur punën për zgjedhjet e reja sapo ka rënë dielli i zgjedhjeve të kryera”, tha Rama.
Rama ironizoi edhe kundërshtarin e tij në zgjedhjet e 11 majit, Sali Berishën, duke thënë se PD u ofroi shqiptarëve për kryeministër “një kufomë ambulante me kapelen e Donald Trump”.
“Ata u ofruan shqiptarëve për kryeministër një kufomë ambulante me kapelen e Donald Trump, dhe na treguan përrallën ‘Fluturon, fluturon gomari’ dhe në fund, gomari nuk fluturoi,” tha Rama.
LEXONI GJITHASHTU:
The post Vota e diasporës, Rama ironizon Topallin: Ne punonim, ajo shihte fatin në filxhan appeared first on Euronews Albania.