“Paketa e Maleve çelësi për zhvillimin rural”, Denaj: Synimi i qeverisë përafrimi i ligjeve sipas standardeve të BE
Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, shprehu besim të plotë në suksesin e “Paketës së Maleve”, gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC Neës. Sipas saj, kjo paketë nuk ka të bëjë vetëm me lehtësimin e dokumentacionit të pronësisë, por përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të zonave malore përmes nxitjes së 500 bizneseve të para me përjashtim nga taksat për një periudhë 10-vjeçare.
Denaj theksoi se kjo nismë synon të krijojë punësim, të rrisë reputacionin dhe vlerën e zonave të thella. Ajo foli gjithashtu për sfidat që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke vënë në dukje nevojën për përafrimin e legjislacionit dhe përforcimin e kapaciteteve njerëzore në administratë.
Ministrja nënvizoi se mungesa e stafit të specializuar është një nga problemet më të mëdha që kërkon zgjidhje të shpejtë, duke përmendur si zgjidhje përfshirjen e studentëve të vitit të fundit në praktika profesionale me qëllim punësimin e tyre në sektor.
“Jam shumë shpresë plotë tek ‘Paketa e Maleve’. Unë nuk mendoj që paketa e maleve nuk është thjesht që lehtësi për një dokument pronësie, por ai është hapi i parë dhe nëse ai shoqërohet me 500 bizneset e para me 0 taksa në 10 vite dhe këto 500 biznese janë brenda standardeve dhe madhësisë së fermës kaq është Shqipëria dhe kaq janë zonat malore të Shqipërisë për të ngritur edhe vlerë edhe reputacion dhe punësim.
Bujqësia të gjithë sektorët dhe i gjithë mandati i Partisë Socialiste është një mandat drejt integrimit në Bashkimin Europian, dhe një merak është se ai do i arrijmë në kohë ne të gjithë ligjet që kërkohen. Ky është meraku i vetëm. Dhe puna e përditshme që këtu bëhet është se si të përafrojmë ligjet sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe burimet njerëzore janë një element shumë i rëndësishëm unë në këtë ministri kam vlerësuar çdo ditë të punës si një vlerë të shtuar duke mësuar nga agronomë që kanë 40 vite në këtë ministri.
Por, është dhe koha biologjike dhe u ka ardhur koha për të dalë në pension dhe sado që ne duam t’i mbajtën ata duhen zëvendësuar me profesorët më të mirë sot, shpresoj nga fakulteti, por pse jo dhe studentët më të mirë. Nga ana tjetër ne kemi vendosur kuota në ministri të paktën 100-150 duhen ardhur studentet e viteve të fundit për të bërë praktikat dhe më pas për t’u punësuar. Ne vetëm kështu mund ta mbyllin handikapin e burimeve njerëzore që është dhe një andikap natyror”, tha Anila Denaj./abcnews.al