Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 17 July 2025Main stream

Partizani eliminohet në turin e parë të Conference League

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Partizani është eliminuar në turin e parë të UEFA Conference League, pas humbjes 0-1 ndaj skuadrës estoneze Nomme Kalju në “Air Albania”.

Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, takimi në Tiranë zgjati 120 minuta. Koha e rregullt u mbyll pa gola, ndërsa në shtesë Ivanov realizoi për miqtë, duke i dhënë kualifikimin Nomme Kalju-s.

Partizani humbi edhe një mundësi të artë për të kaluar në avantazh, pasi në minutën e 78-të Skuka gaboi nga pika e penalltisë.

/a.f//r.e/

The post Partizani eliminohet në turin e parë të Conference League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korçë, Pogradec, Përrenjas – Grante deri në 50 mijë euro për bizneset inovatore në mbrojtje të mjedisit

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Bizneset lokale në bashkitë Korçë, Pogradec dhe Përrenjas kanë tashmë një mundësi të re për zhvillim dhe inovacion.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, bëri të ditur sot se është hapur një thirrje për aplikime që ofron grante deri në 50 000 euro për nisma që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe promovojnë ekonominë qarkulluese.

Programi i mbështetur nga GIZ synon të ndihmojë bizneset që veprojnë në sektorë si turizmi, agropërpunimi, fasoneria, apo edhe në fusha të reja si menaxhimi i mbetjeve dhe zgjidhjet inovative për qytete më të pastra. Iniciativa u drejtohet sipërmarrësve që kanë ide me potencial për të gjeneruar ndikim pozitiv mjedisor dhe ekonomik në nivel vendor.

Thirrja për aplikime është e hapur deri më 15 gusht 2025, ndërsa për të informuar më mirë të interesuarit, më 17 korrik u organizuan dy seanca informuese në qytetet e Korçës dhe Pogradecit. Këto takime u zhvilluan në kuadër të programit “Zero City Lab”, një nismë që synon të ndërtojë qytete më të gjelbra dhe më të qëndrueshme përmes bashkëpunimit me komunitetin dhe sektorin privat.

/a.f//r.e/

The post Korçë, Pogradec, Përrenjas – Grante deri në 50 mijë euro për bizneset inovatore në mbrojtje të mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeu Historik Kombëtar, bisedë historike mbi misionet fetare në trojet shqiptare

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Në ambientet e bibliotekës “Sotir Kolea” në Tiranë, Muzeu Historik Kombëtar zhvilloi sot një aktivitet me vlerë historike dhe kulturore, në kuadër të ciklit të bisedave me ekspertë të albanologjisë.

I ftuar në këtë veprimtari ishte studiuesi Mark Palnikaj, i cili ndau me publikun të dhëna të rëndësishme nga relacionet e Fra Giacinto da Sospello, një dorëshkrim i vitit 1652, që ruhet në Bibliotekën e Bashkisë së Fermos në Itali. Dokumenti përshkruan 16 misione fetare të zhvilluara ndër vite në trojet shqiptare dhe përmban fakte të vyera historike e sociale për Shqipërinë e shekullit XVII.

Me këtë aktivitet, Muzeu Historik Kombëtar vijon misionin për promovimin e historisë kombëtare, duke sjellë në vëmendje dokumente, figura dhe ngjarje që dëshmojnë për identitetin dhe trashëgiminë shqiptare.

/a.f//r.e/

The post Muzeu Historik Kombëtar, bisedë historike mbi misionet fetare në trojet shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tetë vatra zjarri aktive, në terren helikopterë dhe mbi 290 efektivë

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Deri në orët e pasdites të ditës së sotme janë raportuar gjithsej 18 vatra zjarri në territorin e vendit, prej të cilave 10 janë shuar plotësisht, ndërsa 8 vazhdojnë të jenë aktive.

Situata mbetet dinamike dhe nën monitorim të vazhdueshëm nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC.

Falë punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren është bërë e mundur izolimi dhe shuarja e disa prej vatrave të rrezikshme.

Në fshatin Poshnjë, njësia administrative Poshnjë, bashkia Dimal, zjarri që rrezikonte banesat dhe repartin ushtarak është vendosur plotësisht nën kontroll. Aktualisht, zona po kontrollohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.

Janë shuar gjithashtu vatrat në fshatin Kotë, njësia administrative Kotë, bashkia Selenicë; në fshatin Vrion, njësia administrative Finiq, bashkia Finiq; në zonën e quajtur “Qafa e Laçit”, bashkia Vau-Dejës; në fshatin Mengël, njësia administrative Labinot-Fushë, bashkia Elbasan; në zonën e Liqenit të Thatë, njësia administrative Farkë, bashkia Tiranë; në rrugën “Haki Stërmilli”, njësia administrative Nr. 6, bashkia Tiranë; në lagjen Nr. 5, njësia administrative Kavajë, bashkia Kavajë; në fshatin Zagorë, njësia administrative Shkrel, bashkia Shkodër; dhe në fshatin Radanj, njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë.

Aktualisht, mbeten aktive tetë vatra në disa qarqe të vendit. Në qarkun Dibër, zjarri në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, brenda Parkut Kombëtar Lurë, vazhdon të përhapet në një sipërfaqe me pisha dhe livadhe, ku deri më tani janë djegur rreth 200 hektarë. Në operacion janë angazhuar 30 forca operacionale dhe 30 ushtarë të Forcave të Armatosura.

Po në këtë qark, në malin e Peladhisë, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë, dy vatra zjarri mbeten aktive, duke u zhvilluar në drejtim të fshatrave Vlashaj dhe Krajkë, me pjesëmarrjen e rreth 35 forcave në terren.

Në qarkun Fier, një vatër e përhapur në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, është përhapur drejt fshatit Gorishovë në njësinë administrative Cakran, bashkia Fier. Terreni i thepisur dhe era e fortë kanë vështirësuar ndërhyrjet. Në operacion janë angazhuar 36 forca të MZSH Mallakastër, 40 trupa të FA, dy helikopterë dhe katër automjete zjarrfikëse.

Në qarkun Vlorë, një vatër zjarri është raportuar në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë, në një zonë me pyje. Në vendngjarje janë forcat zjarrfikëse të bashkisë me dy mjete dhe gjashtë efektivë.

Në qarkun Gjirokastër, një tjetër vatër aktive është në fshatin Kosinë, njësia administrative Qendër Piskovë, bashkia Përmet, në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Në vendngjarje ndodhen dy mjete zjarrfikëse dhe gjashtë efektivë të shërbimit zjarrfikës vendor.

Në qarkun Elbasan janë aktive tri vatra: në fshatin Gjevur, njësia administrative Përparim, bashkia Peqin; në fshatin Dufshan, njësia administrative Sult, bashkia Gramsh; dhe në njësinë administrative Hotolisht, bashkia Librazhd. Të gjitha këto përfshijnë sipërfaqe pyjore dhe po përballohen nga forcat zjarrfikëse vendore me mjete dhe efektivë të angazhuar në shuarjen e flakëve.

Në të gjitha operacionet janë përfshirë gjithsej 291 forca operacionale dhe 29 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kontribuojnë me dy helikopterë, 120 trupa dhe katër automjete zjarrfikëse, duke përforcuar kapacitetin e reagimit ndaj situatës së zjarreve që ka prekur disa qarqe të vendit.

Operacionet do të vijojnë sipas nevojës dhe situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm.

/r.e//a.f/

The post Tetë vatra zjarri aktive, në terren helikopterë dhe mbi 290 efektivë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu pret komandantin e NATO-s: Të vendosur për modernizimin e FA

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu priti sot në një takim zyrtar komandantin e Komandës Supreme të NATO-s për Transformimin, admiralin Pierre Vandier.

Gjatë bashkëbisedimit, u vu në dukje angazhimi i palëkundur i Shqipërisë për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, nëpërmjet investimeve të qëndrueshme në industri dhe inovacion.

“Përballë sfidave aktuale të sigurisë, jemi të vendosur të përshtatim mënyrën se si planifikojmë, stërvitemi dhe operojmë, në bashkëveprim të ngushtë me Aleancën”, deklaroi ministri Vengu.

Ai theksoi se kjo është një përgjegjësi historike për të garantuar siguri efektive në një mjedis gjithnjë e më kompleks.

“Mësimet e nxjerra nga sfidat aktuale të sigurisë na vendosin përpara një përgjegjësie historike për të përshtatur mënyrën se si Forcat e Armatosura planifikojnë, stërviten dhe operojnë në bashkëveprim me Aleancën”, theksoi ministri.

Ministri Vengu nënvizoi gjithashtu rritjen e bashkëpunimit rajonal me vendet aleate në hapësirën adriatiko-joniane dhe rolin strategjik të Shqipërisë në rajon.

Investimet në teknologji të avancuar, inteligjencë artificiale dhe mbrojtje kibernetike, sipas ministrit, përbëjnë baza të forta për të garantuar një reagim të shpejtë dhe të suksesshëm, si në operacionet ushtarake, ashtu edhe në misionet civile me rëndësi kritike.

1 nga 5

/r.e//a.f/

The post Vengu pret komandantin e NATO-s: Të vendosur për modernizimin e FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në Turqi, kurorë me lule në mauzoleun e Mustafa Qemal Ataturkut


TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila nisi sot një vizitë zyrtare në Turqi, vendosi një kurorë me lule në Anıtkabir, mauzoleun e Mustafa Qemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë dhe presidentit të saj të parë.

E shoqëruar nga delegacioni parlamentar shqiptar, Spiropali bëri homazhe në nderim të figurës së Ataturkut.

Vizita e kryeparlamentares Spiropali në Ankara zhvillohet me ftesë të presidentit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Numan Kurtulmuş, dhe synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve në nivel parlamentar dhe strategjik.

/r.e//a.f/

The post Spiropali në Turqi, kurorë me lule në mauzoleun e Mustafa Qemal Ataturkut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vizita e Presidentit të EBA në Tiranë, Rama: Një ditë e bukur miqësie


TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Lartësia e Tij, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit me nderime të larta shtetërore nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Gjatë vizitës së tij, Presidenti Al Nahyan u dekorua nga kryeministri Rama me Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike, një nga vlerësimet më të larta të shtetit shqiptar. Ky nderim u akordua për përkushtimin e tij të palëkundur ndaj forcimit të marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara, si dhe për kontributin e pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes.

Në rrjetet sociale, Kryeministri Rama ndau pamje nga vizita, duke e cilësuar si “videokartolina e një dite të bukur miqësie”.

Kjo shënon vizitën e dytë zyrtare të Presidentit Al Nahyan në Shqipëri.

Presidenti Al Nahyan, në një postim të mëparshëm në rrjetet sociale, theksoi se takimi me kryeministrin Rama kishte në fokus forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes dy vendeve.

Vizita vjen në vazhdën e bashkëpunimit të intensifikuar mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara, veçanërisht pas shkëmbimit të marrëveshjeve në shkurt 2025 ndërmjet kompanive Masdar, TAQA, KESH dhe OST, si dhe nënshkrimit të letrës së angazhimit për projektin e “Qytetit Inteligjent të Shqipërisë” me “Presight AI Ltd”. Këto zhvillime u konkretizuan në prani të Presidentit Al Nahyan dhe Kryeministrit Rama gjatë vizitës së tij të mëparshme.

Vizita konfirmon një partneritet strategjik të qëndrueshëm, i cili synon të shtrihet në fusha të rëndësishme si energjia, teknologjia, zhvillimi urban dhe bashkëpunimi ekonomik.

Fotoalbumi i takimit mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit të EBA
1 nga 15

/r.e//a.f/

The post Vizita e Presidentit të EBA në Tiranë, Rama: Një ditë e bukur miqësie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Marrëveshja me Italinë për pensionet, mbi 150 shqiptarë nisin procedurën

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Mbi 150 shtetas shqiptarë kanë nisur tashmë procedurat për përfitimin e pensionit në kuadër të marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2025.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot një takim me drejtoreshën e përgjithshme të Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore në Itali,  Valeria Vittimberga, ku u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të marrëveshjes.

Marrëveshja i hap rrugë njohjes së ndërsjellë të periudhave të sigurimit dhe mundëson përfitimin e pensioneve sipas legjislacionit kombëtar të secilit shtet.

“Deri tani, kërkesat e para janë kryesisht për bashkimin e periudhave të sigurimit për qëllime pensioni në Itali, si dhe nga individë që nuk plotësojnë minimumin prej 15 vite sigurim në Shqipëri”, informoi ministri.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka ngritur të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të pritur dhe përpunuar këto kërkesa, si dhe për të realizuar komunikimin e drejtpërdrejtë dhe efikas me palën italiane.

“Shkëmbimi i formularëve midis dy institucioneve do të kryhet në mënyrë elektronike, duke reduktuar ndjeshëm kohën e procedurës dhe duke lehtësuar ndjeshëm shërbimin për qytetarët”, shtoi Gonxhja.

Në funksion të transparencës dhe udhëzimit të saktë për qytetarët, janë publikuar tashmë të gjitha udhëzimet dhe manualet që shpjegojnë hapat që duhen ndjekur për çdo kategori aplikuesi.

Kjo marrëveshje përfaqëson një hap domethënës në drejtim të mbrojtjes sociale dhe është një model bashkëpunimi që synohet të zgjerohet edhe me vende të tjera ku jetojnë dhe kontribuojnë shtetasit shqiptarë.

1 nga 5

/r.e//a.f/

The post Marrëveshja me Italinë për pensionet, mbi 150 shqiptarë nisin procedurën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Instituti i ri për rehabilitimin e të miturve, Manja: Shqipëria në pararojë të drejtësisë restauruese

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja inspektoi sot punimet në kantierin e Institutit të ri për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, që po ndërtohet në Mëzez të Tiranës. Ky institucion është i pari i këtij lloji në rajon dhe i dyti në Europë, pas Francës, duke e pozicionuar Shqipërinë në pararojë të qasjes moderne dhe gjithëpërfshirëse për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin.

Instituti do të funksionojë si një qendër shumëfunksionale, ku bashkohen arsimi, trajnimi profesional, mbështetja psikologjike dhe riintegrimi social. Ai synon jo vetëm rehabilitimin, por krijimin e mundësive të reja për të rinjtë që të rifillojnë jetën me dinjitet dhe perspektivë të re.

Gjatë inspektimit, ministri Manja theksoi se ndërtimi i këtij institucioni përbën një hap thelbësor drejt konsolidimit të drejtësisë restauruese në Shqipëri.

“Kjo vepër mishëron filozofinë e re të drejtësisë për të miturit. Një drejtësi që sheh përpara, që edukon dhe krijon kushte për një fillim të ri. Shqipëria po sjell një model që frymëzon gjithë rajonin”, u shpreh ministri.

Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve është pjesë e angazhimit të Ministrisë së Drejtësisë për një sistem penal më të drejtë, më funksional dhe më njerëzor, në përputhje me prioritetet e shtetit të së drejtës dhe objektivat e integrimit europian.

/a.gj//r.e//a.f/

The post Instituti i ri për rehabilitimin e të miturve, Manja: Shqipëria në pararojë të drejtësisë restauruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Asistencë falas për shërbimet në “e-Albania”, Balluku në Fier: Ofrimi me pagesë do të konsiderohet vepër penale

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Zëvendëskryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bashkë me kryetarin e Bashkisë Fier Armando Subashi, monitoruan nga afër sportelet në bashkinë Fier, ku ofrohet asistencë dhe shërbim falas për të gjithë qytetarët, të cilët që kanë vështirësi në përdorimin e platformës e-Albania.

Balluku tha se shërbimi do të ofrohet jo vetëm tek bashkitë, por edhe tek qendrat administrative.

“Kemi identifikuar kohët e fundit, që ka një abuzim në treg, ku në zyrat e avokatëve dhe noterëve kemi parë afishime, ku shkruhen që ofrohen shërbime për e-albania. E-albania është një nga krenaritë e qeverisë shqiptare, është pikërisht pika ku çdo qytetar mund të aplikojë për të marrë shërbime duke mos pasur nevojë për të pasur asnjë ndërmjetës, as avokatë, dhe as noterë. Janë shërbime që ofrohen online dhe janë shërbime të cilat janë digjitalizuar për të shkurtuar kohën e aplikimit dhe të marrjes së shërbimit. Ndaj ne i kemi kërkuar të gjithë bashkive kudo, edhe njësive administrative madje, që të kenë pozicione të dedikuara ku vijnë qytetarët, qofshin këta të moshuar, apo nuk kanë mundësi të aksesojnë e-albania dhe ta marrin këtë shërbim në kohë reale dhe pa asnjë pagesë”, tha Balluku.

Ajo theksoi se në rastet kur ky shërbim ofrohet me lekë do të konsiderohet vepër penale.

“Në ditë në vijim do të ketë një komunikim nga ministri i Drejtësisë, pikërisht sa i takon këtij abuzimi nga noterët dhe avokatët, pasi është e nevojshme të kuptojnë të gjithë qytetarët që e-Albania është falas, pa asnjë pagesë. E-Albanai është ndërtuar nga qeveria për qytetarët për shërbime të shpejta dhe të sigurta pa pagesë”, theksoi Balluku.

Ajo i bëri apel qytetarëve të drejtohen në qendrat që kanë hapur bashkitë, ose edhe në njësitë administrative, sepse janë të hapura edhe aty, teksa tha se, “ne kemi dalë të gjithë në terren, për ta prezantuar këtë shërbim që ofrohet nga bashkitë dhe është abuzim nëse shikoni qendra avokatie që e ofrojnë këtë shërbim me pagesë, sepse është një abuzim i rëndë”, tha  Balluku.

Ndërsa kryetari Subashi tha se, në Bashkinë e Fierit, qytetarët kanë dy sportele në dispozicion për të marrë shërbimet online në e-albania, pa pagesë shtesë.

“Kjo është zyra me një ndalesë e Bashkisë, këtu vijnë të gjithë njerëzit. Çdo drejtori që ka marrëdhëniet me publikun, ka sportelin dhe përfaqësuesin e vet, pret njerëzit, i sqaron, merr ankesat. Më pas drejtoria përkatëse i shqyrton dhe u kthen përgjigje. Pas ndryshimit, ne kemi hapur dy sportele të reja. Kemi lënë dy operatorë në dispozicion për të asistuar moshat e thyera, të cilat nuk janë në gjendje të futen vetë dhe të aksesojnë e-albania dhe asistohen nga punonjësit e bashkisë falas”, tha ai. /j.p/

The post Asistencë falas për shërbimet në “e-Albania”, Balluku në Fier: Ofrimi me pagesë do të konsiderohet vepër penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Gjimnazi “Dhaskal Todhri” do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur sot se gjimnazi “Dhaskal Todhri” në Elbasan do t’i nënshtrohet së shpejti një rikonstruksioni të plotë, duke sjellë standarde më të mira infrastrukturore për nxënësit dhe mësuesit.

Gjatë një takimi me mësuesit e kësaj shkolle, Manastirliu theksoi se investimi në arsimin cilësor mbetet prioritet, ndërsa nënvizoi se janë duke u ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur më tej mësuesit.

“Me mësuesit e shkollës ‘Dhaskal Todhri’ në Elbasan ndamë lajmin e mirë se ky gjimnaz shumë shpejt do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, ndërsa diskutuam për hapat që po hedhim për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur më shumë mësuesit tanë, që janë shtylla e sistemit arsimor”, shkruan ministrja Manastirliu në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje dhe të projektit për rikonstruksionin e gjimnazit “Dhaskal Todhri”.

Ky investim vjen si pjesë e programit të qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e procesit mësimor.

1 nga 5

/a.f//r.e/

The post Manastirliu: Gjimnazi “Dhaskal Todhri” do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plotësohen vakancat në këshillat bashkiakë në Tiranë, Durrës, Patos e Dibër

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve plotësoi vakancat e krijuara në këshillat bashkiakë të katër bashkive.

Në mbledhjen e sotme u plotësua vakanca në Këshillin e Bashkisë Dibër, me kandidatin nga lista shumemërore e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, Majlinda Poçi.

Po ashtu u plotësua vakanca në Këshillin e Bashkisë Patos me kandidatin nga lista shumemërore e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Adile Alushaj.

Në Këshillin e Bashkisë Durrës u plotësua vakanca me kandidatin nga lista shumemërore e Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Mirela Shala.

Ndërsa në Këshillin e Bashkisë Tiranë, me kandidatin nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Sara Shameti.

Për sa i përket vakancës së krijuar në Këshillin e Bashkisë Sarandë, KSHZ vendosi shtyrjen e shqyrtimit dhe dhënien kohë subjektit “Partia Demokratike” për të paraqitur dokumentacionin që mbështet kërkesën e tyre për të mos e plotësuar këtë vakancë.

Gjithashtu, u shqyrtua rezultati i verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm për subjektin vetëdeklarues Ali Hekuran Gjeta, kandidat për anëtar në Këshillin e Bashkisë Bulqizë, qarku Dibër, i propozuar nga subjekti zgjedhor Aleanca Progresiste (LZHK), për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.

Komisioneri konstatoi se kandidati nuk është në kushtet e ndalimit të  kandidimit/moszgjedhshmërisë.

/m.m/j.p/

The post Plotësohen vakancat në këshillat bashkiakë në Tiranë, Durrës, Patos e Dibër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Eksportet, me rritje 2,1% në 6-mujorin e parë

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Tendenca e eksporteve shqiptare në gjashtëmujorin e parë të këtij viti mbetet pozitive duke shënuar rritje me 2,1 %  me bazë vjetore.

Sipas raportit të publikuar sot nga INSTAT-i, eksportet arritën vlerën 203 miliardë lekë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 431 miliard lekë, duke u ulur me 2,0 %, krahasuar me një vit më parë.

Deficiti tregtar arriti vlerën 228 miliard lekë, duke u ulur me 5,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Referuar të dhënave grupet që kanë ndikuar në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 8,6 %, “Ushqime, pije, duhan” me 1,2 %, etj., ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 6,1% “Produkte kimike dhe plastike” me 0,6 pikë përqindje, etj.

INSTAT bën të ditur se eksportet janë rritur në qershor për të dytin muaj radhazi.

Në qershor 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke u rritur me 1,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0,6 %, në krahasim me maj 2025.

Ndërsa importet e mallrave në qershor arritën vlerën 77 miliard lekë, duke u ulur me 0,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,5 %, në krahasim me majin 2025. Deficiti tregtar i këtij muaji është 41 miliardë lekë, duke u ulur me 2,0 %, krahasuar me qershorin 2024 dhe 3,2 % në krahasim me majin 2025.

Gjatë muajit qershor 2025, në rritjen e eksporteve prej 1,9 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 9,7 %, “Ushqime, pije, duhan” me 3,1 %. Negativisht ka ndikuar grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 6,2 %.

INSTAT bën të ditur se, në muajin qershor 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me qershor 2024 janë: Kosova 64,8 %, Gjermania 39,6 %, Greqia 18,1 %, etj.

Ndërsa gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova 72,5 %, Greqia 8,6 % dhe Gjermania 10,3 %.

Sa i takon importeve rritjen më të madhe e shënojnë vendet: Kina 29,9 %, Greqia 1,3 % dhe Gjermania (4,3 %). /j.p/

 

The post INSTAT: Eksportet, me rritje 2,1% në 6-mujorin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korçë, bashkia në krah të sektorit privat për turizëm cilësor dhe gjithëvjetor

17 July 2025 at 14:49

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ U zhvillua sot në bashkinë e Korçës një takim me Komitetin për Zhvillimin Turistik, përfaqësues të bizneseve dhe aktorë të tjerë lokalë, ku në qendër ishte analiza e potencialeve të turizmit dhe forcimi i rolit të tij në ekonominë e këtij qyteti.

Ky takim u ndërtua si një proces bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës, me qëllim prezantimin e ecurisë së deritanishme të zhvillimit turistik në Korçë.

Gjatë takimit u diskutua hapur mbi sfidat dhe mundësitë e sektorit, u analizuan në thellësi drejtimet strategjike përmes metodologjisë SWOT. Një tjetër qëllim i takimit ishte hartimi i një plani konkret veprimi për një turizëm të qëndrueshëm.

Pjesëmarrësit vunë theksin tek një angazhim i përbashkët për të çuar përpara zhvillimin ekonomik të Korçës, nëpërmjet një turizmi cilësor, gjithëvjetor dhe të bazuar në identitetin unik kulturor, natyror dhe historik të Korçës.

Bashkia Korçë bëri të ditur se do të vazhdojë të jetë krah komunitetit dhe sektorit privat, në çdo hap të këtij procesi. /j.p/

 

The post Korçë, bashkia në krah të sektorit privat për turizëm cilësor dhe gjithëvjetor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shmanget situata kritike nga zjarri në Drenovë, Çako: Të ashpërsohen masat ndaj zjarrvënësve

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako i bëri thirrje sot institucioneve të ashpërsojnë qëndrimin ndaj zjarrvënësve pasi pasojat janë të jashtëzakonshme dhe shpeshherë rrezikojnë qytetarët dhe zonat e banuara.

Çako ishte sot në Drenovë në bashkinë e Ballshit, ku një vatër zjarri vijon të mbetet aktive. Ai nënvizoi se vatrat e zjarrit janë nën kontroll ndërsa punohet për mbajtjen e tyre nën kontroll si nga toka ashtu edhe nga ajri duke theksuar se është shmangur një situatë kritike pranë puseve të naftës dhe nënstacionit elektrik.

“Jemi në zonën e Drenovës, strukturat kanë operuar gjatë gjithë natës dhe vijojnë të operojnë edhe tani. Jemi në pikun e temperaturave ekstreme. Tanimë dihet se zjarret janë një problem shumë serioz, kanë përfshirë hektarë të tëra në zonën kodrinore. Kemi arritur të shmangim një pasojë të jashtëzakonshme në puset e naftës”, theksoi Çako në një prononcim për mediet.

Ndërsa theksoi se nuk mund të ndërhyhet nga ajri në të gjithë Republikën e Shqipërisë, Çako u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes kur djegin mbetje edhe pranë fermave të tyre, pasi mund të shkaktojnë shumë dëme.

“Ka shumë faktorë që nxisin zjarrin, por i bëj thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm në vënien e zjarreve qofshin në fermat e tyre apo në zonën e vet. 95% e zjarreve janë si rezultat i qëndrimeve të pakujdesshme, duke përfshirë edhe ato të qëllimshme”, shtoi ai.

/m.m/j.p/

The post Shmanget situata kritike nga zjarri në Drenovë, Çako: Të ashpërsohen masat ndaj zjarrvënësve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hodhën mbeturina në trotuar, procedohen penalisht 4 shtetas në Durrës

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ 4 shtetas janë proceduar penalisht në Durrës pasi ndotën mjedisin duke hedhur mbeturina në trotuar

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, nga kontrollet e vazhdueshme në terren, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në ankesat e qytetarëve, kanë konstatuar se në lagjen nr. 1, Durrës, ishin hedhur mbeturina të ndryshme në rrugë, që kishin shkaktuar ndotje të mjedisit.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit K. K., 42 vjeç, M. Ç., 50 vjeç, P. M., 45 vjeç dhe R. U., 35 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës, pasi dyshohet se kanë hedhur vazhdimisht në rrugë, jashtë koshave, mbeturina të ndryshme të lokaleve të tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

 

The post Hodhën mbeturina në trotuar, procedohen penalisht 4 shtetas në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prezenca e OSBE, takime informuese në disa bashki për ndihmën juridike falas

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Çdo qytetar ka të drejtën për akses të barabartë në drejtësi, pavarësisht gjendjes ekonomike, sepse drejtësia është një e drejtë, jo një privilegj.

Prezenca e OSBE në Shqipëri, në vijim të nismës për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas dhe pushtetit vendor, këtë javë, zhvilloi takime informuese dhe bashkëpunuese në bashkitë Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës.

Këto takime shërbyen për të ndërtuar ura bashkëpunimi, jo vetëm me përfaqësues vendorë, por edhe me organizata të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbështesin qytetarët për të pasur akses më të mirë në sistemin e drejtësisë.

“Përmes bashkëbisedimeve me qytetarët në terren dhe me përfshirjen në media lokale, përhapëm më gjerësisht informacionin mbi të drejtën për ndihmë juridike falas për ata që kanë më shumë nevojë”, theksoi Prezenca e OSBE në një postim në rrjetet sociale.

Sipas prezencës së OSBE, kjo qasje gjithëpërfshirëse synon të forcojë ndërgjegjësimin dhe të sigurojë që askush të mos mbetet pa zë për shkak të pamundësisë ekonomike.

/gj.m/j.p/

The post Prezenca e OSBE, takime informuese në disa bashki për ndihmën juridike falas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Presidenti i EBA-s përfundon vizitën në Tiranë, Rama: Mirëardhsh mik i shtrenjtë

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Lartësia e Tij, Presidenti i Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan zhvilloi një vizitë në Tiranë, ku u dekorua nga  Kryeministri Rama me Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike, një vlerësim i lartë shtetëror për përkushtimin e tij të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike mes dy vendeve si dhe kontributin e pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes.

Kryeministri Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga përcjellja e Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed në Rinas.

“Mirëardhsh mik i shtrenjtë”, shkruan Rama, ndërsa ndan momente nga përcjellja në aeroport.

Kjo është vizita e dytë e Presidentit të EBA-s në vendin tonë.

Ai mbërriti mbrëmjen e djeshme në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ku u prit nga Kryeministri Rama dhe zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Vetë Lartësia e Tij, Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan konfirmoi më herët në një postim në rrjetet sociale se në fokus të takimit me Kryeministrin Rama ishte forcimi i mëtejshëm i partneritetit mes dy vendeve.

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara shkëmbyen në shkurt të këtij viti marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të bashkëpunimit midis Masdar, TAQA, KESH dhe OST, si dhe nënshkrimin e letrës së angazhimit për Projektin e Qytetit Inteligjent të Shqipërisë me “Presight AI Ltd” në prani të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili vizitoi Tiranën, dhe kryeministrit Edi Rama.

/m.m/j.p/

The post Presidenti i EBA-s përfundon vizitën në Tiranë, Rama: Mirëardhsh mik i shtrenjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke rrëzuar kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Igerta Hysi, e cila la në fuqi vendimin e GJKKO-së për të mos ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ilir Meta nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati Kujtim Cakrani. Pas vendimit, Cakrani u shpreh se “gjykata nuk po jep drejtësi”.

“Këta nuk janë gjyqtarë, por rrogëtarë. Më vjen keq për këtë. Gjykata nuk arriti të ngrihej sot në lartësinë e duhur për të marrë një vendim ndryshe nga ai i shkallës së parë”, tha Cakrani.

Meta ndodhet në paraburgim në Tiranë që prej 21 tetorit 2024, pasi akuzohet nga SPAK për veprat penale të korrupsionit pasiv, falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Kreu i PL-së po hetohet për aferën CEZ/DIA, gjatë kohës kur bashkëqeveriste forca e tij LSI me Partinë Demokratike, si dhe për lobingjet në Uashington.

/m.m/j.p/

The post Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kufiri i pataksueshëm për bagazhet e udhëtarëve, Doganat sqarojnë limitet e lejuara

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Dogana shqiptare sqaroi sot se udhëtarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë përjashtohen nga detyrimet doganore për mallrat në bagazhin personal, nëse këto mallra nuk janë për përdorim tregtar.

Sipas njoftimit të doganave, përjashtimi vlen për mallrat për përdorim vetjak ose si dhurata, me kufijtë e vlerës: 300 euro për udhëtarët në rrugë tokësore; 430 euro për udhëtarët në rrugë ajrore/detare dhe 150 euro për udhëtarët nën 15 vjeç.

Administrata Doganore bën të ditur se nëse kalohen këto kufij ose mallrat janë për qëllime tregtare, është i detyrueshëm deklarimi pranë doganës.

Në raste tejkalimi për mallra jotregtare, zbatohet procedura e Deklarimit të Thjeshtuar. /j.p/

 

1 nga 4

The post Kufiri i pataksueshëm për bagazhet e udhëtarëve, Doganat sqarojnë limitet e lejuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌