TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha u shpreh sot se sfidat që po përballon shoqëria shqiptare, që lidhen me integrimin janë sfida që prekin edhe Arsimin e Lartë, por në shoqëritë që zhvillohen në një shpejtësi të ndryshme nga ato që janë bërë më herët, këto sfida janë edhe më të mëdha.
Në tryezën e organizuar, mbi arritjet dhe sfidat e Universitetit 4.0, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe përfaqësues të institucioneve të Arsimit të Lartë në vend, rektori Hoxha tha se integrimi i Shqipërisë dhe hapja e kapitujve janë një portë që hapet për rininë shqiptare në BE, ndaj sfidat dhe përgjegjësitë bëhen edhe më të mëdha.
“Ne e kemi diskutuar edhe në komitetin e politikave me kabinetin, e kryesuar nga Kryeministri Rama për nevojat e vazhdimit të reformimit të Arsimit të Lartë, për ristrukturimin e vetë institucioneve të Arsimit të Lartë dhe një nga ato pikat që bie dakord me RASH-in (Rrjetin Akademik Shqiptar) dhe që janë sfidat dhe puna jonë e përditshme. Përpara se ne të presim që këto të ndodhin, ne punojmë përditë dhe reformohemi përditë. E thënë kjo, ajo që shoh në këtë raport është pothuajse raporti i tetorit 2024 me disa përmirësime dhe me rekomandime të njëjta”, tha Hoxha.
Rektori Hoxha shtoi se ky raport nxjerr disa konkluzione si kualifikimi i ulët i personelit akademik, mbingarkesat e këtij personeli në zhvillimin e programeve, numri i madh i personelit të jashtëm, kërkimi shkencor i ulët dhe plagjiaturë, biblioteka dhe laboratorë, financa të ulëta, etj.
“Ne kemi bërë shumë diskutime dhe kemi pritur që raporti sot të ketë reflektim të shqetësimeve që ne kishim në raportin e parë. Kemi parë disa reflektime, por e kemi thënë që në fillim ai bazohet në metodologji të gabuara dhe me një lloj subjektivizmi. Kjo bazohet në dy plane, në gjetjet e vetë bordit të administrimit, ku pranohet që është akredituar vetëm 40% e programit të studimit dhe e dyta ky na jep krahasimin e hershëm të vitit 2016 -2017, e deri në vitin 2023, sikur nga 2023 deri tani Arsimi i Lartë nuk ka avancuar, por ka qëndruar në vend. Mund të them me bindje që në këtë një vit e ca, Universiteti i Tiranës ka shumë diferenca nga viti i 2020, 2022, 2023 apo 2024 edhe tani që flasim”, u shpreh Hoxha.
“Ne kemi hyrë në akreditim në vitin 2022 si universitet dhe akreditimi shkon në linjën e ndihmës dhe konsolidimit të programeve dhe institucionit. Ne mund t’i drejtohemi organizmave të tjerë të akreditimit dhe kjo është në varësi të standardeve që përdoren për të arritur në konkluzione të sakta dhe për të ndihmuar institucionet e Arsimit të Lartë”, vijoi ai.
Rektori i UT-së tha se e sheh të paarsyeshme që dokumenti që prezantohet sot në tryezën e diskutimeve nuk ka të plotësuar konkluzionet e Bordit të Akreditimit, që përfshijnë një periudhë kohe shumë të rëndësishme të Arsimit të Lartë.
/e.i/j.p/
The post Hoxha: Integrimi në BE rrit sfidat për Arsimin e Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.