Manastirliu: Gjimnazi “Dhaskal Todhri” do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë
TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur sot se gjimnazi “Dhaskal Todhri” në Elbasan do t’i nënshtrohet së shpejti një rikonstruksioni të plotë, duke sjellë standarde më të mira infrastrukturore për nxënësit dhe mësuesit.
Gjatë një takimi me mësuesit e kësaj shkolle, Manastirliu theksoi se investimi në arsimin cilësor mbetet prioritet, ndërsa nënvizoi se janë duke u ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur më tej mësuesit.
“Me mësuesit e shkollës ‘Dhaskal Todhri’ në Elbasan ndamë lajmin e mirë se ky gjimnaz shumë shpejt do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, ndërsa diskutuam për hapat që po hedhim për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur më shumë mësuesit tanë, që janë shtylla e sistemit arsimor”, shkruan ministrja Manastirliu në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje dhe të projektit për rikonstruksionin e gjimnazit “Dhaskal Todhri”.
Ky investim vjen si pjesë e programit të qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e procesit mësimor.
/a.f//r.e/
The post Manastirliu: Gjimnazi “Dhaskal Todhri” do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.