Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

“Qeveria fut në shkollë bashkitë: Një tjetër hap drejt centralizimit”

17 July 2025 at 16:48



Këshilli i Ministrave miratoi dje krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor. Struktura do të ketë formën e një organizate jo fitim-prurëse që parashikon të trajnojë administratën e bashkive në të gjitha nivelet, duke nisur nga kryetarët e deri tek punonjësit.

Financimi për këtë akademi do të sigurohet nga kontributi i të gjitha bashkive përmes kuotave, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e kostove për tre vitet e para. Marrëveshja me bashkitë do të ndërmjetësohet nga Arbjan Mazniku, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, i cili së fundmi po etikohet edhe si “kryebashkiak” i Shqipërisë.

Agron Haxhimali, kreu i Shoqatës Shqiptare të Bashkive u shpreh sot publikisht se ky mekanizëm duket si një përpjekje për të spostuar rolin e shoqatave të pavarura e për t’i zëvendësuar ato me një organ të centralizuar të qeverisë.   

Kujtojmë se bashkitë e vendit së fundmi janë vënë në një shënjestër të një vale “shkarkimesh” nga Kryeministri Rama, veprim që ka ngritur shqetësime për ndarjen e pushtetit qendror nga ai vendor.

Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike i tha Citizens se ky  është një rast që na tregon se sa e rrezikshme është kur pushteti i një partie politike dhe i një politikani kapërcen limitet ligjore që i ka dhënë Kushtetuta e Shqipërisë.

“Kryetarët e bashkive janë të ndërvarur nga vullneti politik dhe deri diku i janë nënshtruar këtij vullneti politik të Kryeministrit. Në rastin konkret do të duhet që ndonjë nga bashkitë t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese dhe duhet të kishte raste konkrete nga Shoqatat e Bashkive dhe do të duhet të kishte veprim të Departamentit të Administratës Publike dhe të komisionerëve që mbrojnë nëpunësit publik, civil, të drejtat e njeriut dhe konceptet e shtetit ligjor në Shqipëri” – nënvizoi ai.

Parimisht kjo qendër do të ndihmojë të rris kapacitetet dhe performancën e stafit, në kuadër të integrimit në BE, por ekspertët shprehin dyshime mbi këtë. Krasniqi shpjegon për Citizens se kjo nisëm e qeverisë vjen në kuadrin e një fushate përgatitje të pushtetit vendor në funksion të zgjedhjeve të ardhshme lokale në Shqipëri.

Krasniqi thekson se kemi një mbivendosje të strukturave, pasi aktualisht kemi shkollën shqiptare të administratës publike, shkollën e drejtorëve e kurse të ndryshme të detyruara për administratën.

“Bashkimi Evropian ka vite që ka investuar për koordinimin e çështjeve të integrimit për pushtetin vendor në Shqipëri, duke hapur zyra lokale dhe trajnime të vazhdueshme, ka projekte të mëdha ndërkombëtare, shumë më të mëdha në buxhet sesa projekti i ri” – shton Krasniqi.

Krasniqi sugjeron se do të ishte e udhës që qeveria të prezantonte një draft strategjie në Parlament, ku do të duhet të kishte debat mbi sfidat e qeverisjes vendore në 10 vitet e ardhshme.

“Qoftë historia e akademisë së barinjve dhe qoftë historia e akademia e administratës publike dhe pushtetit vendor, janë nisma që duhen marrë më rezervë, janë të përkohshme, nuk janë afatgjata, nuk mendoj që do jenë efektive, por mbushje e boshllëkut ditor të akteve politike” – përmbyll Krasniqi.

Shteti trajnon shtetin

Kjo nuk është akademia e vetme që ka lindur rishtazi në vend. Qeveria e Partisë Socialiste duket se vazhdimisht ka kontribuar në riaftësimin e kastës së saj politike, nuk dihet nëse kjo lidhet me faktin se një pjesë e konsiderueshme e figurave të saj identifikuese janë nën hetim, apo për teka të pajustifikueshme të liderit.

Nga 20 Qershori deri më Korrik u mbajt akademia politike ku u trajnuan deputetët e rinj të PS-së, të cilët fituan mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Kjo akademi ofroi pesë module, të cilat kishin të bënin me rolin e deputetit dhe etika e përfaqësimit, funksionimin e parlamentit, marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare, komunikimi politik, si dhe “PS dhe vizioni 2030”. Ndërsa lektorë kanë qenë emra me kontribut politik në parti si Fatmir Xhafaj, Erjon Braçe dhe Niko Peleshi, Olta Xhaçka etj.

Sipas PS – së kjo formë edukimi intelektual do të ndikojë për krijimin e një brezi të ri deputetësh që do të kontribuojnë me përkushtim për vizionin për vitet në vijim, deri më 2030.

Një vit më parë, në Prill të 2024, u krijua Akademia Politike e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Aplikimet u hapën për të gjithë të rinjtë, për të mësuar më shumë mbi historinë, idetë dhe lëvizjet e partive progresiste. Shpesh të rinj të kësaj akademie kanë kontribuar në prodhimin e materialeve filmike për propagandën qeveritare, shpesh duke “zëvendësuar” edhe rolin e medias në funksion.Kjo akademia politike e cila fillimisht u përdor për të rinjtë, tashmë po përdoret për trajnimin e deputetëve të rinj, duke përdorur të njëjtat kanale online.

Në vitin 2021, ideja e Ministres së Bujqësisë Frida Krifca, për krijimin e një Akadmie për barinjtë e vendit. Pavarësisht reagimeve që ngjalli, qeveria i doli në mbrojtje kësaj ideje, por ajo nuk u materializua kurrë.

The post “Qeveria fut në shkollë bashkitë: Një tjetër hap drejt centralizimit” appeared first on Citizens.al.

“Partitë thyen zotimin për etikë digjitale gjatë fushatës 2025”

15 July 2025 at 15:26

Gjuha e urrejtjes, komentet seksiste dhe dezinformimi dominuan platformat online, përkundër premtimeve për një fushatë të ndershme.

Më 25 mars 2025, në një sallë të mbushur me përfaqësues të partive politike dhe thirrje për një fushatë të ndershme, u nënshkrua zyrtarisht Kodi i Etikës për Fushatat Digjitale në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Dokumenti synoi të vendoste një standard për përdorimin etik të platformave online gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit.

Kodi, i hartuar me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare si Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistence Zgjedhore (IDEA) dhe Qendra Finlandeze për Sundimin e Ligjit dhe Instituti Demokrat Amerikan, ishte një përpjekje për t’i bindur partitë drejt një angazhim vullnetar për etikën.

“Kodi i Sjelljes mbi Fushatat Digjitale në Shqipëri është një mekanizëm vetërregullues dhe vullnetar. Si i tillë, ai nuk i nënshtrohet sanksioneve formale”, thotë Marsida Gjonçaj nga organizata IDEA.

Por vetëm pak javë më vonë, me nisjen e fushatës, platformat digjitale u rikthyen të jenë hapësira abuzimi. Gjuha e urrejtjes, komentet seksiste, dezinformimi dhe intimidimi, veçanërisht ndaj grave dhe vajzave në politikë, jo vetëm që nuk u ndalën, por u thelluan.

IDEA angazhoi rrjetin BIRN për të monitoruar zbatimin e zotimeve që partitë politike morën duke nënshkruar Kodin. Monitorimi identifikoi 349 raste shkeljesh gjatë periudhës 11 prill–18 maj, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale për gjenerim përmbajtjesh të manipuluara dhe raste të bullizmit kibernetik.

Komentet seksiste, mesazhe kërcënuese dhe profilizimi gjinor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ngriti një strukturë të posaçme monitorimi që përfshiu 50 institucione publike dhe profilet e tyre në rrjetet sociale. KQZ u shpreh për Citizens se vetëm tre postime u konsideruan në shkelje të rregullave dhe u referuan për hetim. Por verifikimet e hetimit administrativ konstatuan se këto publikime ishin fshirë dhe nuk pati masa të tjera.

Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC), në bashkëpunim me Pikasa Analytics, dokumentoi se sulmet më të shpeshta ndaj grave kandidate përfshinin gjuhë seksiste, fyerje mizogjene, kërcënime, shantazhe dhe kontroll moral.

“Më shumë se një raport, është një thirrje për rikthimin e dinjitetit të grave në hapësirën publike dhe vendosjen e barazisë gjinore si shtyllë e pandashme e demokracisë”, deklaron Mirela Arqimandriti, drejtore e GADC.

Për shumë gra të angazhuara në politikë, fushata e vitit 2025 ishte përballje jo vetëm me kundërshtarin politik, por me një kulturë publike përjashtuese, të ndërtuar mbi komente për trupin, veshjen apo prejardhjen.

“Mendoj se çdo grua gjatë fushatës haset me këtë peshore të moralit, komente nga më të ndryshmet kam dëgjuar”, rrëfen Ina Majko, kandidate e PS-së dhe tashmë zëvendësministre, duke nënvizuar se edhe përfaqësuese të mazhorancës nuk kanë qenë të paprekura nga gjuha diskriminuese.

Për Edona Haklajn, kandidate e “Nisma Shqipëria Bëhet” sulmet nisën që nga momenti që njoftoi kandidimin. Ajo ishte shprehur në një video të shkurtër se ka dy lajmë të mira, kandidatura e saj për “Shqipëria Bëhet” dhe arrestimi i kryebashkiakut Veliaj.

“Në komente vihej re një gjuhë fyese, nga profile falso që dukeshin të ishin nga e njëjta dorë apo zyrë. Shumica më akuzonin se edhe unë do vidhja, edhe unë do përfundoja në burg”, tregon Haklaj e cila shton se gjatë gjithë fushatës është shoqëruar nga komente për pamjen e saj të jashtme.

Për Bora Memën, kandidate e Lëvizjes Bashkë, komentet seksiste i ndjekin gratë edhe përtej fushatës dhe jo rrallë, janë të ushqyera nga politikanë të profilit të lartë apo nga media që reduktojnë rolin e tyre në aspektin estetik apo përfaqësues, jo përmbajtësor.

“Mjafton të shikojnë që je një grua që hedh video në TikTok dhe njerëzit i japin vetes të drejtën të të thonë ‘kurvë’. Më shqetëson vetja që më është normalizuar kjo gjë”, thotë Mema.

Kuotat gjinore: të mjaftueshme për numra, të pamjaftueshme për siguri

Zgjedhjet e majit 2025 u zhvilluan në një kontekst ku kuotat gjinore kanë rritur përfshirjen numerike të grave, por jo domosdoshmërisht përfshirjen cilësore.

Gratë kandidate përjetuan mungesë mbrojtjeje ndaj dhunës digjitale, përqeshje publike në media dhe mungesë të vullnetit institucional për t’i mbështetur.

“Në fillim pati një ndikim emocional, por në pikun e fushatës vendosa t’i injoroja. Fluksi i punës më ndihmoi”, thotë Ina Majko.

“Jam mësuar të jetoj me këto komente, ose thjesht i bllokoj. Kur janë kritika reale, nuk i fshij”, shpjegon Haklaj.

Edhe këtë herë, partitë politike nuk e mbajtën zotimin për etikë gjatë fushatës. Pavarësisht nënshkrimit të Kodit të Etikës dhe angazhimeve publike, gjuha e urrejtjes, sulmet personale dhe dezinformimi vijuan të jenë të pranishme në platformat online. Në mungesë të mekanizmave ndëshkues dhe mbështetjes institucionale, mbrojtja ndaj dhunës digjitale mbetet ende e pamjaftueshme.

Raporti i GADC liston një sërë rekomandimesh për të trajtuar dhunën me bazë gjinore nëpolitikë, përfshirë përmirësimin e Kodit Penal për të ndëshkuar fushatat e dezinformimit dhe urrejtjes si edhe hartimin e një ligji specifik për Dhunën ndaj Grave në Politikë.

Raporti thekson se do të ishte e nevojshme gjithashtu, që institucionet politike të Shqipërisë të shkojnë përtej simbolikës gjinore dhe të njohin dhunën me bazë gjinore në politikë si njëkrizë sistematike të demokracisë, e vetëm atëherë parimet e barazisë, përfaqësimit dhe zërit mund të realizohen vërtetë.

© 2025 AWA. Artikulli është realizuar në kuadër të Reporting Diversity Network.

The post “Partitë thyen zotimin për etikë digjitale gjatë fushatës 2025” appeared first on Citizens.al.

Një qytetare padit Bashkinë Elbasan për ndotjen nga zjarret në landfill

15 July 2025 at 13:02

Një qytetare e Elbasanit ka paditur bashkinë dhe kompaninë që menaxhon mbetjet, pas ndotjes së shkaktuar nga zjarret në landfill. Rasti synon drejtësinë mjedisore dhe vendos një precedent ligjor në Shqipëri.

Fatmira Sejrani, së bashku me organizatën “Drejtësi Sociale” depozitoi sot një padi kundër Bashkisë Elbasan dhe kompanisë “Eco-Elb” sh.a, për dëme shëndetësore të shkaktuara nga zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve.

Fatmira vuan nga probleme kronike të frymëmarrjes dhe gjatë ditëve me tym iu desh ta përdorte pompën e ajrit shumë herë më shpesh, sesa e përdorte në ditë normale.

Prej 1 korrikut, tymi i dendur përfshiu Elbasanin për gjashtë ditë me radhë, duke rënduar shëndetin e banorëve. Aktivistë dhe qytetarë zhvilluan protesta në Tiranë dhe Elbasan duke fajësuar për situatën ministrinë e Mjedisit dhe Prokurorinë.

Kjo ishte e disata herë që landfilli përfshihej nga zjarret, pas vitit 2022 dhe 2023, ndaj kërkesa ishte e qartë: hetim dhe përgjegjësi për degradimin e qëllimshëm të ajrit dhe shëndetit publik.

Avokati Genti Sejrani përfaqëson padinë e ngritur për dëmin shëndetësor, moral dhe mjedisor që pësoi Fatmira. Sipas tij, kjo është padi e parë në Shqipëri me objekt të tillë, një hap domethënës drejt drejtësisë mjedisore.

Ai tha për Citizens.al se qytetarët kanë të drejtën të kërkojnë llogari ligjërisht për pasojat e ndotjes sistematike.

“Nuk ka ndodhur më parë që të jetë ngritur padi me objekt të tillë: konstatim i cenimit me faj të ndotjes së mjedisit nga bashkia dhe kompania Eco-Elb, si dhe detyrimi i palëve të paditura për dëmshpërblim paditëses dhe qytetit,” tha Sejrani.

Sipas tij, padia inkurajon qytetarët e tjerë për t’iu drejtuar kësaj organizate nëse kanë përjetuar ndërlikime shëndetësore nga zjarret në landfill.

“Padia është një hap i rëndësishëm drejt kërkimit të drejtësisë mjedisore dhe llogaridhënies institucionale, në një qytet që prej vitesh përballet me ndotje sistematike dhe mungesë transparence mbi menaxhimin e mbetjeve urbane,” përmbylli avokati.

Matjet e Institutit për Zhvillimin e Habitatit (Co-PLAN) më 2 korrik treguan nivele alarmante të ndotësve, mbi normat e lejuara nga BE.

U konstatua përqendrim i lartë komponentësh organikë dhe kimik (VOCs), grimcash pluhuri, bloze apo metalesh që ngeleshin pezull në ajër (PM2.5/PM10), nivele të larta metani (CH4) si dhe dioksidesh karboni (CO2) dhe azoti (NO2).

Personat me sëmundje të mushkërive ishin më të rrezikuarit në këtë situatë, e cila nuk u shoqërua me paralajmërim për masa mbrojtjeje nga institucionet.

Në një deklaratë të mëparshme për Citizens administratori i kompanisë publike “Eco Elb”, Leli Kaja, tha se zjarri u shkaktua nga temperaturat e larta. Sipas tij, prej të nxehtit të pazakontë, teksa u shpreh i hapur për hetime.

Vendgrumbullimi i mbetjeve në Elbasan është një investim në partneritet publik-privat i ardhur si rrjedhojë i së ashtuquajturës “skemë e incenratorëve” që përfshiu edhe Fierin dhe Tiranën.

Projekti prej 26 milionë eurosh në Elbasan, i nisur në vitin 2017, u mbyll me më shumë se 10 persona në burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre, përfshirë këtu ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

Impianti u konfiskua në vitin 2021 dhe i kaloi në përdorim bashkive të qarkut Elbasan përmes shoqërisë aksionere “Eco-Elb”, por inceneratori i tij nuk u vu kurrë plotësisht në punë.

Administratori Kaja ka treguar për Citizens.al se impianti punoi vetëm 7 muaj gjatë vitit 2023 dhe është jashtë funksioni që prej dhjetorit të atij viti.

Rasti i zjarreve në vendgrumbullimin e Elbasanit pasqyron dështimin e menaxhimit të inceneratorëve në Shqipëri, me pasoja konkrete dhe të matshme.

Projektet në Elbasan, Fier dhe Tiranë u paguan shtrenjtë, por mbetën jofunksionale.

Lexoni gjithashtu:

The post Një qytetare padit Bashkinë Elbasan për ndotjen nga zjarret në landfill appeared first on Citizens.al.

Citizens shpjegon pse nuk po lirohen hapësirat publike

11 July 2025 at 18:40

Kryeministri Edi Rama e quajti “rikthim te qytetarët” aksionin e nisur këtë javë për lirimin e hapësirave publike. Por në Tiranë, terreni tregon një realitet tjetër, ku kantieret e ndërtimit janë përjashtime.

Citizens verifikoi se realisht zaptimi i hapësirave publike nuk kryhet vetëm nga baret apo restorantet, por edhe nga kantieret e ndërtimit.

Aksione me shtrirje selektive

Qeveria dhe bashkitë e vendit, sikurse dhe Bashkia Tiranë, kanë ndërmarrë aksione kundër zaptimit të hapësirave publike. Përgjithësisht, synimi është pastrimi i qytetit nga strukturat informale të bizneseve të vogla.

Ndërkohë, ndërtime shumëkatëshe të shtrira në gjithë kryeqytetin kanë zgjeruar kantieret e tyre në trotuare e madje dhe në rrugë.

Shembuj konkretë të zaptimit të hapësirave publike nga kantieret e ndërtimeve janë:

Qendra e Tiranës ku dallojnë:

  • kulla e Hotel InterContinental: ka marrë trotuarin dhe një korsi makine.
  • kompleksi “Book Building” pranë Sahatit ka pushtuar segmente të rrugës “28 Nëntori” dhe “Abdi Toptani”.

Zona e ish-“Ekspozitës Shqipëria Sot” ku dallojnë:

  • Kulla “Green Tower” në bulevardin “Gjergj Fishta” ka zënë të gjithë trotuarin.
  • Te rruga “Islam Alla” ndërtimet kanë zënë një segment të rrugës.

Pazari i Ri:

  • Në rrugicën “Riza Jasa” ndërtimet kanë kufizuar lëvizjen e banorëve dhe turistëve.
  • Në rrugën “Konstandin Kristoforidhi” kantieri i Bazaar Gate u ka ngushtuar rrugën e banorëve.

Rruga “Xhanfize Keko”:

  • Kulla “Filigree Tower” ka uzurpuar një korsi të plotë rruge, duke ndikuar ndjeshëm në trafik.

Qasja selektive ndaj zaptimeve ekspozon një standard të dyfishtë institucional. Ndërkohë që bizneset e vogla ndëshkohen dhe linçohen publikisht, ndërtimet e mëdha tolerohen në heshtje.

Kjo përzgjedhje e qëllimshme hedh dyshime për favore politike apo interesa të mëdha ekonomike. Zaptimi i trotuareve nga kullat nuk shihet si problem, ndryshe nga zaptimi nga një kioskë apo tavolinë.

Kjo politikë e njëanshme përkeqëson jetën urbane dhe rrit pasigurinë për qytetarët. Rikthimi i hapësirës publike te qytetarët duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Nëse misioni është sinqerisht urban dhe qytetar, ai duhet të përfshijë edhe kantieret e ndërtimeve dhe jo vetëm karriget, apo çadrat e bareve dhe restoranteve.

Përndryshe, aksioni kthehet në propagandë që prek më të dobëtit dhe kursen më të fortët.

The post Citizens shpjegon pse nuk po lirohen hapësirat publike appeared first on Citizens.al.

Një muaj nga festivali Keinemusik, ende zhavorr në Parkun e Liqenit

30 June 2025 at 16:47

Një muaj pas festivalit “Keinemusik” që u organizua në Tiranë, Parku i Liqenit mbetet po njësoj, me 42,934 m² të shtruar me zhavorr.

Hapësira u vu në dispozicion nga Bashkia Tiranë për Rigels Rajkun – njohur si Noizy – i cili ishte organizatori i eventit. Por ajo nuk është rehabilituar.

Citizens pyeti Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit (APR) për situatën. APR u shpreh se nuk ka projekt rehabilitimi dhe se përgjegjësia i takon organizatorëve të festivalit.

Agjencia pohoi se inertet janë hedhur në terren si ndërhyrje e bërë nga organizatorët për nevojat logjistike të aktivitetit, por që situata e mbetur pas nuk është pjesë e projekteve nga APR.

“[…] nuk është përcaktuar një afat zyrtar për rikthimin e gjendjes së mëparshme dhe institucionet përgjegjëse janë në pritje të veprimeve nga organizatorët, të cilët mbeten përgjegjës për rehabilitimin e plotë të sipërfaqes,” tha APR për Citizens.al.

APR pohon se janë bërë disa njoftime, por organizatorët nuk kanë reaguar. Sipas lejes së dhënë nga bashkia, hapësira duhej liruar nga data 1 deri më 8 qershor.

Pamje nga pjesa e parehabilituar e Parkut te Liqenit/Foto:Elira Kadriu.

Rreziku për të vetmen hapësirë të gjelbër të qytetit

Parku i Liqenit nuk ka status mbrojtjeje, por mbetet hapësira e vetme e gjelbër në Tiranë. Mjedisori Lavdosh Ferruni thotë se zona ku u mbajt festivali është “një pjesë tjetër e kafshuar e parkut” dhe se rehabilitimi do të kishte qenë një lloj shfajësimi minimal për dëmin e shkaktuar.

Nisur nga kjo, Ferruni kërkon reagim nga qytetarët për mbrojtjen e parkut, si një detyrim moral.

“Nuk mund të pranojmë më zhbërjen e këtij oazi të gjelbër”, thekson Ferruni.

Citizens kërkoi informacion nga Bashkia e Tiranës për mënyrën e dhënies së hapësirës. Bashkia deklaroi se nuk ka lidhur kontratë me organizatorin, artistin Rajku.

Sipas saj, çdo qytetar mund të aplikojë për një aktivitet kulturor duke kërkuar leje për shfrytëzim hapësirash publike.

Lexoni gjithashtu:

The post Një muaj nga festivali Keinemusik, ende zhavorr në Parkun e Liqenit appeared first on Citizens.al.

Kampi i Gjadrit: Emigrantët vazhdojnë të vijnë, ndërkohë që BE-ja hesht

27 June 2025 at 16:31

Një anije me 15 emigrantë të refuzuar për azil në Itali, u ankorua më 26 qershor në Portin e Shëngjinit.  Sipas procedurës, pas kontrolleve, ata priten të zhvendosen në kampin e Gjadrit. Ky është grupi i katërt i transferuar në Shqipëri pas ndryshimit të funksionit të kampit.

Nga Mesdheu drejt riatdhesimit në pritje të Gjykatës Evropiane

Kampi i Gjadrit fillimisht ishte projektuar për emigrantët e paligjshëm që shpëtoheshin nga autoritetet italiane në Mesdhe. Atje pritej të trajtoheshin me procedura të shpejtuara kërkesat e tyre për azil. Por pas dështimit të modelit fillestar, kampi po përdoret për ata të cilëve u është refuzuar azili apo qëndrimi në Itali.

Ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, konfirmoi se në total në Shqipëri janë sjellë 125 persona. Thuajse gjysma janë dëbuar, disa janë liruar, dhe rreth 30 ndodhen ende në kamp. Sipas procedurave të dëbimit, qëndrimi mund të zgjasë deri në 18 muaj.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë me seli në Luksemburg, pritet të vendosë për ligjshmërinë e marrëveshjes Rama-Meloni. Vendimi, i planifikuar për në shkurt 2025, u shty për në fund të verës.

Ndërkohë, edhe Gjykata e Lartë italiane e ka dërguar çështjen në Luksemburg. Dy emigrantë të mbyllur në Shqipëri në pritje të dëbimit nga autoritetet italiane, kanë paraqitur ankesa për refuzimin e azilit.

Gjyqtarët italianë argumentuan se protokolli “Itali-Shqipëri” bie ndesh me direktivën për kthimet. Sipas tyre, Shqipëria nuk ofron sistem më efikas se Italia për riatdhesimin.

Rama e Meloni, kritikë për të tjerët, justifikim për veten

Legjitimiteti i kampit të Gjadrit është ende i paqartë, por Kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur marrëveshjen. Ai e ka cilësuar unike dhe të veçantë.

Me homologen, Giorgia Meloni, ai kritikoi planet britanike për të aplikuar një marrëveshje të ngjashme me transferim emigrantësh.

Sipas Ramës marrëveshja me Italinë justifikohet nga “marrëdhëniet speciale”. Ai e etiketoi interesimin e Mbretërisë së Bashkuar si “kërkesë për të hedhur emigrantët në një vend tjetër”.

“Italia ka qenë për ne, që kur dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Evropës,” shtoi ai.

Por aktivistë shqiptarë dhe italianë e kanë konsideruar funksionimin e kampit si të paligjshëm. Ata kanë denoncuar për kushtet e vështira ku mbahen emigrantët.

Kristina Millona thotë se mbi 40 incidente janë raportuar vetëm gjatë muajit të parë të funksionimit. Rastet përfshijnë vetëlëndime, mungesë informacioni, pa garanci ligjore dhe kushte degraduese.

Më 31 maj, u organizua një protestë në Gjadër për të nderuar emigrantin Hamid Badoui. Ai u vetëvra në një qendër riatdhesimi italian dhe thuhet se qe shprehur: “Më mirë burgu se CPR-ja në Shqipëri”.

Lexoni gjithashtu:

The post Kampi i Gjadrit: Emigrantët vazhdojnë të vijnë, ndërkohë që BE-ja hesht appeared first on Citizens.al.

Shqipëria e fundit në Evropë për cilësinë e ujërave

24 June 2025 at 16:47

Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) e ka renditur Shqipërinë në vendin e fundit në Evropë sa i takon cilësisë së ujërave në plazhe, duke përfshirë këtu det, liqene apo dhe lumenj. Raporti, i cili mbulon të dhënat e katër viteve të fundit (2021-2024), ngre shqetësime serioze mbi menaxhimin mjedisor në vend dhe pasigurinë që u kanoset pushuesve dhe ekosistemeve detare.

Në raport, EEA ka analizuar më shumë se 21,000 vende të caktuara për plazhe apo larje në të gjithë Evropën, duke u mbështetur në të dhënat publike të siguruara nga vendet anëtare dhe kandidate për t’u integruar në Bashkimin Evropian, si Shqipëria. Qëllimi është mbrojtja e shëndetit publik dhe e biodiversitetit përmes monitorimit të rregullt të cilësisë së ujërave, në kuadër të Planit të Veprimit për Zero Ndotje të BE-së.

Sipas të dhënave të mbledhura, nga 119 vende të njohura zyrtarisht për larje në Shqipëri, vetëm 16% e tyre janë vlerësuar si “me cilësi të shkëlqyer” të ujërave, një rënie dramatike prej 25 pikësh përqindjeje krahasuar me vitin 2023.

Më tej, gjysma e pikave të caktuara për plazhe dhe larje rezultojnë “me cilësi të mirë”, 11.8% “me cilësi të pranueshme” dhe 22.7% “me cilësi të dobët” – një përqindje kjo mbi 10 herë më e lartë se mesatarja evropiane prej vetëm 1.5% të ujërave me cilësi të dobët.

Problemi i thelluar i ndotjes: Një krizë e paralajmëruar

Të dhënat e raportuara nga Citizens.al edhe në vitin e kaluar, paralajmëronin për një situatë të përkeqësuar. Atëherë, ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) nënvizuan mungesën e investimeve në trajtimin e ujërave të ndotura, shkarkimet e pakontrolluara urbane dhe mungesën e një kalendari të qëndrueshëm monitorimi si shkaqet kryesore.

Raporti i EEA për vitin 2024 vetëm sa e konfirmon këtë përkeqësim. Në mënyrë shqetësuese, asnjë nga vendet e caktuara për plazhe dhe larje në Shqipëri nuk përmbushi marrjen e mostrës para sezonit, një kriter bazë për sigurinë e pushuesve.

Sipas standardeve evropiane, për çdo vend për larje kërkohet të merren të paktën katër mostra gjatë sezonit, përfshirë një mostër para fillimit të tij, me një interval që nuk duhet të kalojë një muaj.

Por pse po dështon Shqipëria në këtë pikë?Shkaqet e cilësisë së ulët të ujërave larës janë të shumta dhe të njohura:

  • Ndotja urbane dhe industriale pa filtra mbrojtës.
  • Mungesa e impianteve funksionale për trajtimin e ujërave të zeza.
  • Përdorimi i pakontrolluar i pesticideve në bujqësi.
  • Menaxhimi i dobët i mbetjeve dhe mungesa e një sistemi funksional të mbikëqyrjes mjedisore.

Këto faktorë po përkthehen në një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik përmes rrezikut nga infeksionet dhe sëmundjet që lidhen me ndotjen e ujit – dhe një dëm të pakthyeshëm për ekosistemet ujore dhe turizmin bregdetar.

Kontraste të forta me Evropën

Ndërkohë që vendet si Qipro (99.2%), Bullgaria, Greqia dhe Austria udhëheqin listën me “ujëra të shkëlqyera” në raportin e EEA-së, Shqipëria mbetet në fund, së bashku me Estoninë dhe Poloninë, duke reflektuar një hendek të thellë në përkushtimin institucional dhe implementimin e politikave mjedisore.

Raporti i thekson nevojën e ristrukturimit të sistemit të monitorimit të ujërave në Shqipëri, vendosjen e një kalendari të rregullt të marrjes së mostrave dhe investime afatgjata në infrastrukturën e trajtimit të ujërave të zeza.

Gjithashtu, kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë me BE-në për rritjen e standardeve, transparencës dhe kapaciteteve teknike të institucioneve përgjegjëse. Vetëm kështu mund të ndalet rrëshqitja drejt një krize të përhershme mjedisore që dëmton jo vetëm natyrën, por edhe perspektivën turistike dhe ekonomike të vendit.

Si një tregues i mungesës së transparencës, të dhënat e listuara në raport nga AKM-ja nuk ishin të aksessueshme në momentin e botimit të këtij artikulli. Lidhja e bërë në raport rezultonte e paarritshme me webfaqen e AKM-së.

The post Shqipëria e fundit në Evropë për cilësinë e ujërave appeared first on Citizens.al.

Si po degradojnë vilat e Durrësit dhe Shirokës që lidhen me Mbretin Zog

20 June 2025 at 17:23

Dy ndërtesa me rëndësi historike, që lidhen me familjen e Mbretit Zogu I-rë, mbeten sot në mëshirë të fatit pa mbrojtjen e duhur ligjore. Njëra në Durrës dhe tjetra në Shkodër, të dyja përballen me gjendje degraduese dhe mungesë plani të qartë restaurimi nga autoritetet.

Rezidenca verore e Zogut, nga shkatërrimi drejt rilindjes

Vila Mbretërore në kodrën e Durrësit ka një histori që nis në vitin 1925, kur, asokohe, Presidenti i sapozgjedhur Ahmet Zogu siguroi një hua nga qeveria italiane.

Ndërtimi i saj u mbështet nga fondet e kredisë SVEA (Società per lo Sviluppo Economico dell’Albania/Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë) dhe nisi punimet në vitin 1927, me një sërë kontratash e shtesash financiare që vijuan deri në vitin 1938.

Fillimisht u njoh si “Vila Presidenciale”, por më pas u shndërrua në simbol të pushtetit të Zogut dhe një nga ndërtesat më të rëndësishme të periudhës së tij si monark, me një investim total që kalonte 1.5 milionë franga ari – ekuivalente me 40 milionë euro të ditëve të sotme – të krahasueshme me ndërtimet madhore shtetërore të kohës.

Pas Luftës së Dytë Botërore, vila u përdor si godinë pritjeje dhe gjatë regjimit komunist priti figura të njohura ndërkombëtare, përfshirë udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov, dhe më vonë ish-presidentin amerikan Jimmy Carter në fillim-vitet ’90.

Gjatë trazirave të vitit 1997, godina u dëmtua rëndë dhe u vandalizua, duke humbur një pjesë të mirë të elementeve të saj të brendshëm.

Ditët e sotme vila qëndron e kyçur pa status mbrojtjeje. Trashëgimtari, Princ Leka, pati paraqitur dikur plan restaurimi, por pa përkrahje nga autoritetet nuk mundi ta materializonte.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) pohoi për Citizens.al se nuk ka projekte për restaurimin e saj pasi objekti nuk është klasifikuar si pasuri kulturore.

Sidoqoftë, atë që nuk e realizoi shteti ndër vite, duket se ka marrë përsipër ta realizojë sipërmarrësi Kadri Morina, i cili e fitoi të drejtën e pronësisë mbi vilën pas një marrëveshjeje me familjen mbretërore.1

Ai tha për Citizens.al se arkitektë italianë dhe francezë po punojnë për ripërpunimin sipas gjendjes origjinale të vitit 1939. Sipas Morinës, projekti parashikon restaurim brenda pesë vitesh.

“Do përdoret si qendër atraktive për turistët, shqiptarët dhe shtetin,” tregoi Morina.

Megjithatë, fakti që vila nuk ka status mbrojtjeje e lë të lirë sipërmarrësin e njohur në sektorin e sigurimeve që të vendosë vetë për projektin përfundimtar apo anën estetike.

Vila e Shirokës, mes pretendimeve për pasurinë dhe kërcënimin nga degradimi

Me stil neoklasik dhe të ndërtuar nga mjeshtri Kolë Idromeno rreth viteve 1920-1930, vila në Shirokë pretendohet nga Bashkia e Shkodrës, Kisha, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) dhe familja Zogu e cila e pati përdorur si shpi pushimi.

Pas Luftës së Dytë Botërore, vila u shtetëzua dhe përdor si kamp veror për pionerët dhe organizatat e punëtorëve. Pas rrëzimit të diktaturës, në vitin 1992 ajo iu dha BSPSH-së.

Njësoj si vila në Durrës, edhe vila e Shirokës u grabit dhe vandalizua gjatë trazirave të vitit 1997.

Pas rikthimit në Shqipëri, familja Zogu nisi një proces të gjatë gjyqësor që i kontestoi pronësinë sindikatave. Në dy vendime të viteve 2007 dhe 2013, Leka II-të gëzoi të drejtën, por kjo iu rrëzua nga një vendim tjetër i vitit 2023.

“Jam shumë i bindur, me dokumentacionin dhe provat, që dihet botërisht që [vila] ka qenë prona jonë, kemi plotësuar të gjitha kushtet ligjore,” tha për Citizens.al, Leka II-të, sipas të cilit, gjykata ka qenë e njëanshme.

Burime thanë për Citizens.al se interes për vilën e Shirokës kanë shfaqur edhe Kisha dhe Bashkia Shkodër. Ndërkohë Leka II-të thotë se synon ta transformojë godinën në një muze historik, duke theksuar mbështetjen publike dhe zhvillimin turistik të Shkodrës.

Arkitekti Zef Çuni, ish-zv.ministër i Ekonomisë, Kulturës, thekson se kjo vilë “ia vlen të hapet për publikun” pasi “është një nga ndërtesat më të bukura që ka realizuar Kolë Idromeno” përshkruan gjendjen e vilës në Shirokë si tejet të nderë.

“Ka vetëm një derë, që shtyhet dhe ti mund të hysh, por është e braktisur dhe e shkatërruar,” tregon Çuni, sipas të cilit fasada e vilës ruan ende aspekte domethënëse nga ana e arkitekturës.

Në nëntor 2023, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi në parim vendosjen e mbrojtjes paraprake me qëllim shpalljen “Monument i Kategorisë së II-të”, por vendimi nuk është zbatuar.

Mungesa e një plani të qartë restaurimi e lë të braktisur edhe vilën e Shirokës, teksa në horizont edhe këtu shfaqet një sipërmarrës.

Leka II-të tha për Citizens.al se sipërmarrësi Alban Xhillari ka një kontratë zhvillimi me sindikatat. Citizens.al u mundua ta konfirmojë këtë pretendim duke synuar një komunikim direkt me z. Xhillari, por ai ishte i paarritshëm.

Të dyja vilat përfaqësojnë trashëgiminë arkitektonike shqiptare: Durrësi si tregues i periudhës mbretërore dhe Shiroka e gjenialitetit të Kolë Idromenos. Për fat të keq, pa plane mbrojtjeje, integrim institucional ose financim të qëndrueshëm, të dyja ndërtesat po degradojnë.

Ndërsa ka nisur një zgjidhje e mundshme në Durrës nga iniciativa private, Shiroka mbetet e paralizuar për shkak të çështjeve ligjore.

  1. Saktësim! Një version i mëparshëm i këtij artikulli përmendte gabimisht se Kadri Morina kishte fituar të drejtën e pronësisë mbi vilën Mbretërore në Durrës përmes një procedure ankandi. Në fakt, prona është siguruar nga z. Morina përmes një marrëveshjeje me përfaqësues të familjes mbretërore. Artikulli është përditësuar për të pasqyruar këtë informacion të saktë. ↩

The post Si po degradojnë vilat e Durrësit dhe Shirokës që lidhen me Mbretin Zog appeared first on Citizens.al.

Pezullohen ndërhyrjet në Spaç, aktivistët ndalojnë përkohësisht projektin

20 June 2025 at 12:27

Pas tre javësh trysni dhe protesta të thirrura nga shoqëria civile, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka vendosur zyrtarisht të pezullojë ndërhyrjet në ish-burgun e Spaçit. Vendimi u konfirmua në një shkresë dërguar organizatës “Qëndresa Qytetare” ku theksohej se ndërprerja e punimeve bëhet “me qëllim vlerësimin në tërësi të situatës”.

Në shkresë IKTK-ja tregon se pezullimin e punimeve e ka bërë që prej datës 2 qershor. Vendimi erdhi pas një vale reagimesh publike, peticionesh dhe mobilizimesh që u përqendruan në faktin se punimet restauruese në Spaç rrezikonin të deformonin memorien kolektive të vendit për një nga simbolet më të errëta të diktaturës komuniste.

Më 10 qershor, një peticion i nënshkruar nga 35 organizata dhe 734 qytetarë iu dorëzua Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI). Peticioni kërkonte ndalimin e menjëhershëm të punimeve restauruese, të cilat ishin konsideruar si ndërhyrje jo transparente dhe të papërshtatshme në një vend që përfaqëson dhimbjen dhe rezistencën ndaj shtypjes politike.

Rreth 10 ditë më vonë, IKTK-ja konfirmoi se punimet tashmë janë pezulluar. Në reagimin e saj publik, “Qëndresa Qytetare” e përshëndeti pezullimin si një hap të rëndësishëm drejt reflektimit institucional, por paralajmëroi se bëhet fjalë për një ndalesë të përkohshme.

“Themelet e kujtesës nuk mund të preken pa një vizion të qartë dhe pa një proces gjithëpërfshirës, të bazuar në transparencë, respekt dhe konsultim publik”, theksoi Qëndresa Qytetare në deklaratën e saj të shpërndarë edhe në rrjetet sociale.

Punimet në Spaç nisën në fund të majit dhe parashikohej të përfundonin brenda 56 ditëve.

Sipas dokumentacionit të siguruar, projekti përfshinte restaurimin e të paktën tetë ambienteve të brendshme, përfshirë vendrojen, komanden, dhomën e takimeve, infermierinë, kuzhinën/mensën, fjetoren, vendin e apelit dhe tualetet. Për më tepër, projekti përfshinte ndërtimin e një kulle vrojtimi të re, vendosjen e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimin me tela me gjemba të disa hapësirave të brendshme.

Këto elemente – sipas aktivistëve dhe studiuesve – rrezikonin autenticitetin e vendit dhe mund ta transformonin Spaçin në një “instalacion muzeal të sterilizuar” që i shmanget përballjes reale me të kaluarën.

Më 7 qershor, aktivistë dhe ish-të burgosur politikë u mblodhën pranë strukturave të ish-burgut të Spaçit. Në deklaratat e tyre publike, ata denoncuan përpjekjet për të “zbukuruar” apo “romantizuar” vendin ku për dekada u burgosën mijëra kundërshtarë të regjimit komunist.

Aktivistët ngritën gjithashtu pyetje mbi transparencën e procedurave: si u përzgjodh projekti, pse mungoi konsultimi me komunitetin e të përndjekurve dhe me studiues të fushës, dhe cilat janë objektivat afatgjata të Ministrisë për këtë vend? Këto pyetje vazhdojnë të mbeten pa përgjigje të qarta.

Më 6 qershor, përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se ndërhyrjet në Spaç janë pjesë e një “strategjie më të gjerë për rehabilitimin e vlerave dhe peizazhit në gjendjen sa më origjinale”.

Në të njëjtin reagim, Gonxhja zbuloi se ndërhyrja ishte ndërmarrë për të mbështetur realizimin e një filmi nga regjisori Namik Ajazi dhe shkrimtari Visar Zhiti, i cili do të trajtojë revoltën e Spaçit që ndodhi në vitin 1973. Filmi është parashikuar të xhirohet në mjediset origjinale të burgut, dhe punimet për restaurimin janë cilësuar si “të nevojshme” për sigurinë dhe mbarëvajtjen e këtij projekti artistik.

Ky fakt shtoi më shumë shqetësimet, pasi përfaqësues të shoqërisë civile e konsideruan si të papranueshme që vendimmarrja për ndërhyrjet në një vend kujtese të ndikohet nga nevojat e një produksioni filmik.

Ndërhyrjet në Spaç kanë rikthyer në vëmendje edhe një herë boshllëqet në politikat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Megjithëse vendi ka bërë hapa përpara në njohjen institucionale të vendeve të kujtesës, përfshirë edhe vetë Spaçin si monument kulture i kategorisë së parë, praktika konkrete vazhdojnë të ndjekin logjikën e projektimit nga lart dhe mungesës së dialogut publik.

Pezullimi aktual është një fitore e përkohshme për ata që kërkojnë transparencë dhe përfshirje, por beteja për Spaçin si vend i kujtesës vazhdon. Nëse autoritetet synojnë të restaurojnë dhe ruajnë vlerat e Spaçit, kjo nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen aktive të ish-të dënuarve politikë, organizatave të kujtesës dhe komunitetit të gjerë qytetar.

Lexoni gjithashtu:

The post Pezullohen ndërhyrjet në Spaç, aktivistët ndalojnë përkohësisht projektin appeared first on Citizens.al.

“Rezistenca e të moshuarve ndaj largimit nga rrënjët!”

16 June 2025 at 17:26

Nën hijen e pemëve të parkut “Mbretëresha Geraldinë” në Burrel, takojmë 78-vjeçaren Fatmira Sulaj. Me ikjen në masë të banorëve nga fshati i saj, Batër e Vogël, pas vdekjes së bashkëshortit, ajo është zhvendosur në qendër të qytetit për t’u afruar me fëmijët dhe shërbimet kryesore.

Batër e Vogël, i formuar nga familje që për arsye bujqësore u shkëputën nga Batra e Madhe, tani është gati i braktisur. Tre fëmijët e Fatmirës jetojnë në emigracion, vajza në Itali, një djalë në Angli dhe tjetri në Turqi ku po trajtohet pas një operacioni të ndërlikuar.

“Jam me qira këtu! I kam në kurbet fëmijët”, thotë ajo për Citizens.

Shtysë për t’u larguar nga vendlindja ishte gjithashtu distanca nga spitali – në fshatin Batër taksia nuk vinte deri pranë shtëpisë dhe nevojitej barela.

Fatmira tregon se fëmijët i kanë kërkuar që ajo t’u bashkohet jashtë shtetit, por thotë se nuk e përballon dot jetën në një vend të huaj.

“Për Zotin në Angli nuk rrihet, se nuk njeh njeri; fëmijët janë në punë, vijnë në mbrëmje të lodhur.. ndenja një herë një muaj e gjysmë, herën tjetër dy muaj e gjysmë, por nuk rri dot më gjatë,” thotë ajo.

Burreli, pjesë e Bashkisë Mat, është një nga zonat më të prekura nga migrimi drejt Tiranës dhe emigrimi jashtë shtetit, një prirje që ka prekur gjithë qarkun e Dibrës. Sipas censit të popullsisë, në rreth një dekadë, Burreli humbi rreth 27% të banorëve të saj – nga 10,862 (2011) në 7,928 (2023).

Megjithatë mosha e tretë “duket rezistente” ndaj ikjes. Kjo më shumë për faktin se hasin vështirësi në integrimin në një zonë të re, që nuk është ajo ku kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës.

Nuk largohemi nga Mati. Nga Burreli shkojmë në Gurrë të Vogël, 19 km më larg qytetit, për t’u takuar me 82-vjeçarin Imer Kurti. Ai dhe bashkëshortja refuzojnë të largohen nga kulla mbi 400-vjeçare, në pronësi të familjes. Me humor Imeri thotë se Gurra e Vogël është Evropë për të, që kur kushtet minimale si rruga, apo furnizimi me drita, janë siguruar.

“Ajri! Kur shkoj në Tiranë, se ju jeni mësuar, por unë nuk mbushem me frymë”, rrëfen Imeri, i cili ka tre fëmijë, – një djalë i jeton në Burrel, ndërsa djali tjetër dhe vajza në Tiranë. Tek ata mban shpresa për të ruajtur trashëgiminë.

“Fëmijët, ose vijnë-ose s’vijnë, punë tjetër, por më kanë thënë se ‘nuk e lëmë shtëpinë’. Bën vaki edhe e gënjejnë babanë, por më kanë thënë nuk e lëmë!” thekson Imeri.

Kurti me ironi shprehet se në Tiranë nuk ja di shtëpinë fëmijëve, duke nënkuptuar për një lidhje të fortë me fshatin dhe pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për tu zhvendosur atje, ai shpreson se një ditë ata do të kthehen.

“Çfarë të bëj në Tiranë? Nuk mund ta lë vendin tim këtu!” thotë Imeri. “Kalamajtë nëse duan le të vijnë!”

Sistemi shëndetësor, plagë e hapur

Infrastruktura në fshatra nuk është kudo e lehtë, rruga na solli deri tek kulla e Imer Kurtit, por për të takuar kryeinfermierin e qendrës shëndetësore të Gurrës, Ibrahim Ahmatin, u detyruam të përshkruanim një pjesë në këmbë, pasi rruga nuk ishte shtruar ende deri në banesën e tij.

Ahmati e ushtron profesionin e infermierit që prej vitit ’98, ndërsa në këtë fshat e ka nisur aktivitetin në shërbim të komunës Rripë që prej vitit ’97.

“Është një lagje këtej, përtej malit, lagja Lezaj, janë 120 frymë, e ka vështirë edhe helikopteri për dimër. Madje një infermier një rast, i kishte thënë në telefon të sëmurit që merr Ibrahimin, se unë isha në Rripë, se deri kur të vi unë atje, o ke vdek, o je shëndosh, s’ke nevojë më,” tregon Ibrahimi.

Në tetë vitet e fundit, nga të dhënat e Urdhrit të Infermierit janë mbi 5,400 infermierë që kanë plotësuar dokumentacionin për Gjermani dhe Itali. Mungesa e personelit mjekësor ka sjellë që edhe shumë qendra shëndetësore të shkrihen me njëra – tjetrën.

“Suç-Gurra tashmë janë shkrirë në një qendër dhe mbulojnë 11 fshatra. Kanë bashkuar edhe Xibrin me Klosin (qendrat shëndetësore), edhe Bazin me Ulzën, që kanë qenë dy” shpjegon ai.

Mungesa e ilaçeve përveç auditimeve nga Kontrrolli i Lartë i Shtetit, artikulohet edhe vetë nga specialistët e fushës.

“Ka pas raste që kam pasur nevojë për oksigjen, që nuk e kam pasur. Kam pasur nevojë për kateter, për t’u kataterizuar, që nuk e kam pasur, ka munguar dhe jam detyruar ta çoj në spital (rajonal, pacientin),”vijon Ibrahimi.

Edhe infermier Ibrahimi ka fëmijë emigrantë, njëri në Angli, tjetri iu kthye së fundmi. “Ka tetë muaj që ka ardhur, pa asnjë punë […] e vret sedra vetë”, rrëfen ai për vështirësitë e të rinjve që rikthehen nga emigracioni.

“Gjithë ky eksod nuk është pa shkak! Nuk falet!” vijon Ibrahimi.“Më dhimbset t’ja kthej shpinën fshatit! Sa të kem këmbën dhe dorën, jam duke ndenjur këtu, kur të ngel pastaj, me shku ke fëmijët…” përfundon ai.

Fatmira, Imeri dhe Ibrahimi bluajnë të njëjtën bindje për të mos i braktisur vendbanimet. Për ata, gjithçka fillon me ajrin, historinë, rrënjët dhe shpresën se dikur fëmijët do të rikthehen dhe do t’i japin jetë shtëpive të vjetra.

Qëndrimi i tyre është simbol i rezistencës në sfondin e infrastrukturës së dobët, mungesës së investimeve dhe “ikjes” së resurseve njerëzore, që përshpejton degradimin e fshatrave.

Dëshira e brezit të tretë është për mos ti lënë sofrat, por sesa do ti rezistoj kjo dëshirë vetmisë dhe pamundësive fizike që sjell mosha, kjo mbetet për tu parë. Të vetmit që humbim nga kjo boshatisje e fshatrave drejt qytetit, qytetit drejt perëndimit, jemi ne.

The post “Rezistenca e të moshuarve ndaj largimit nga rrënjët!” appeared first on Citizens.al.

35 organizata dhe mbi 730 qytetarë kërkojnë ndalimin e punimeve në Spaç

10 June 2025 at 13:16

Qytetarë dhe aktivistë dorëzuan sot një peticion në Ministrinë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për ndalimin e punimeve në ish-burgun e Spaçit, e për rrjedhojë, sipas tyre, parandalimin e tjetërsimit të historisë.

Peticioni, i cili sipas aktivistëve u hartua në gjendje të jashtëzakonshme bëri bashkë 35 organizata dhe 734 qytetarë për vetëm 6 ditë.

“Kjo nuk mbetet me kaq! Ne do të vazhdojmë të gjitha hapat ligjore, ku do të kërkojmë të procedohen penalisht të gjitha autoritetet që nuk kanë ndërhyrë dhe nuk e kanë bërë detyrën siç duhet bërë,” tha aktivisti Edison Lika, gjatë fjalës së tij.

Lika theksoi se kjo ndërhyrje bie ndesh me çdo parim restaurues, por edhe me planin e menaxhimit që vetë qeveria ka miratuar.

“Kjo ndërhyrje bie ndesh me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, si dhe me VKM-në shoqëruese nr. 1099: “Për kriteret dhe mënyrat e ndërhyrjes në pasuritë kulturore”, e cila përcakton qartë direktivat për ndërhyrjet restauruese, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me ndërhyrjen që po kryhet aktualisht në këtë zonë,” citohet në deklaratën e shpërndarë nga organizata “Qëndresa Qytetare”.

Arkitektja Entela Spahivogli shtoi se Spaçi është një ndër shembujt sesi shteti shqiptar bën projekte në terr informativ, pa konsultime me publikun dhe grupet e interesit.

“Shteti është i detyruar të ndalojë punimet, sepse ky projekt ka dhënë prova në terren dhe në letër, që nuk është projekti i duhur për Spaçin,” u shpreh Spahivogli.

Ajo përmbylli se të gjithë ata që po akuzojnë aktivistët se po punojnë kundër projektit, duhet të dinë se “jemi ende në fazën e konservimit dhe se projekti i aprovuar është i gabuar”.

Çfarë dimë për ndërhyrjet në Spaç

Në një artikull të mëparshëm, Citizens.al, ka treguar detajet e ndërhyrjeve të parashikuara nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) në strukturat e Spaçit.

Projekti me vlerë rreth 100 mijë euro, po zbatohet nga “Martini Konstruksion & Real Estate”. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit kjo kompani rezulton të mos ketë deklaruar pronarët përfitues (Link).

Nga ekstrakti historik kuptohet se ajo është themeluar në vitin 2008 nga sipërmarrësi shkodran Bernard Martini, fillimisht me emrin “Skela Martini” me objekt kryesor montim, çmontim skelash, punime muresh dhe rikonstruksione.

Më pas, ajo ndryshoi emrin në “Martini Konstruksion & Real Estate” në qershor 2019 kur sipërmarrësi Martini dubloi me rithemelim nga e para “Skela Martini” me ortakë sipërmarrësit Alfred dhe Kujtim Kola.

Kompania “Martini Konstruksion & Real Estate” ka rikonstruktuar galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës apo dhe shkollën 9-vjeçare në Gruemirë të Malësisë së Madhe.

Ndërhyrjet në ish-burgun e Spaçit/Foto Sidorela Vatnikaj, Facebook.

Punimet në Spaç nisën në fund të muajit maj me një afat prej 56 ditësh (8 javë).

Ato u miratuan më 12 dhjetor 2024 dhe u publikuan për tender publik në janar. Prej atëherë, e deri në fund të muajit mars, IKTK anuloi të paktën tre herë tenderin për mungesë ofertash.

Vlen të theksohet se – sikurse citohet, sipas preventivit të miratuar, por që nuk ka çmimet e afishuara – fillimisht buxheti qe parashikuar me vlerë rreth 40 mijë euro (4,166,282 lekë), më pas në shkurt, te dokumentet e publikuara u vendos fondi prej rreth 100 mijë eurosh (10,705,261 lekë).

Projekti parashikon meremetime në të paktën 8 hapësira: vendroja, komanda, dhoma e takimeve, infermieria, kuzhina/mensa, fjetorja, vendi i apelit dhe tualetet.

relacionin teknik grupi i projektit, drejtuar nga arkitektët Genci Tufi e Klejdia Kore dhe inxhinieri Sokol Ismaili, e konsideron ndërhyrjen e nevojshme për ta bërë zonën “të vizitueshme dhe të sigurt”.

Ndërhyrjet cilësohen të pjesshme dhe përshkruhen kryesisht si plotësime muresh, riparime shkallësh, vendosje parmakësh, dyersh dhe dritaresh.

Paralelisht është planifikuar ngritja e një kulle vrojtimi, vendosja e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimi me tela me gjemba i disa hapësirave, si për shembull oborri i brendshëm, apo vendi ku bëhej apeli.

Qeveria mbron projektin: “Pjesë e një strategjie më të gjerë”

Pas rreth një jave heshtje publike, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, reagoi më 6 qershor. Ai deklaroi se projekti që po zbatohet aktualisht është “pjesë e një strategjie më të gjerë” që synon “rehabilitimin e vlerave dhe peizazhit në gjendjen sa më origjinale”.

Në këtë pikë, ministri përmendi Planin e Përgjithshëm të Menaxhimit të Spaçit, të miratuar në vitin 2024 me kërkesë të organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania), e cila është angazhuar edhe për ngritjen e një fondacioni që do të administrojë sitin.

Gonxhja shpjegoi se ndërhyrja aktuale ka marrë përparësi për të mbështetur projektin filmik të regjisorit Namik Ajazi dhe shkrimtarit Visar Zhiti, të cilët kanë shprehur interes për të realizuar një film mbi revoltën e Spaçit të vitit 1973. Sipas tij, qeveria ka vendosur të ndërhyjë pjesërisht për të garantuar “sigurinë dhe krijimin e atmosferës së asaj periudhe kur u krye revolta” por “pa modifikuar kujtesën historike”.

Faksemile nga projekti i miratuar i IKTK-së ku përmendet rindërtimi i tualeteve/Citizens.al

Ministri theksoi se qëllimi i projektit është të sigurojë vazhdimësinë e saj. Në këtë kontekst, ai iu përgjigj kritikëve duke i quajtur disa nga aktivistët që kanë shprehur shqetësime për projektin si “Sanço Panço të politikës së vjetër” – një etiketim që nxiti reagime të shumta.

Një ditë më pas, më 7 qershor, Gonxhja vijoi mbrojtjen publike të projektit, duke theksuar se ndërhyrjet janë “korrekte” dhe “konservuese”. Ai i cilësoi debatet publike si “tymnajë” e krijuar “nga dy foto të punimeve [të papërfunduara] fillestare”.

Në një postim në Facebook, ministri u shpreh se rindërtimi i banjave dhe tarracës së ajrimit “nuk është pjesë e ndërhyrjes, nuk është aprovuar nga IKTK dhe nuk është në kontratë”. Ai shtoi se “çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim”, duke garantuar transparencë për publikun.

Sipas tij, struktura si rrethimi, porta metalike apo kulla e vrojtimit do të ndërtohen “pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto dhe dëshmi historike” dhe do të jenë të çmontueshme për projektet e tjera në vazhdim.

Megjithatë, shqyrtimet e realizuara nga Citizens.al tregojnë se jo çdo informacion është i aksesueshëm publikisht. Ndryshe nga sa deklaron ministri, dokumentacioni i projektit përfshin edhe rindërtimin e tualeteve.

Gjithashtu, në faqen zyrtare të IKTK mungon njoftimi për fituesin e tenderit të punimeve. Lidhja përkatëse në faqen e IKTK-së është e padisponueshme dhe rezulton me mesazhin “404 – Page not found” (Link). Ngjashëm edhe njoftimet për anulimin e tenderëve të muajve shkurt (Link),

Ndërkohë, përballë interesimeve për koment apo sqarim publik, as CHwB Albania dhe as IKTK nuk kanë kthyer përgjigje ndaj kërkesave të Citizens.al.

The post 35 organizata dhe mbi 730 qytetarë kërkojnë ndalimin e punimeve në Spaç appeared first on Citizens.al.

“Restaurim apo fshirje e kujtesës?” – Ndërhyrjet në Spaç ndezin debat

3 June 2025 at 17:58

Ndërhyrjet restauruese në disa prej godinave të ish-burgut famëkeq të Spaçit kanë ndezur debat në rrjetet sociale dhe më gjerë, duke ngritur pyetje thelbësore mbi ruajtjen e kujtesës dhe autenticitetit të vendit simbol të vuajtjes gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.

Restaurimi, i cili nga autoritetet konsiderohet i pjesshëm, po bëhet për të ndihmuar në realizimin e një filmi kushtuar së shkuarës së ish-kampit. Kjo ka ngjallur edhe më tepër reagime.

Shqetësimi u nda fillimisht nga arkitekti Arnen Sula, i cili botoi në rrjetet sociale fotografitë ku binte në sy një fasadë e suvatuar në të bardhë e godinës që dikur shërbente për pritjen e vizitorëve. Ai i konsideroi ndërhyrjet “të pakontrolluara” dhe që “zhdukin memorien historike”.

“Spaçi nuk është skenë filmi për të sajuar imazhe estetike, ai është vend dëshmie, vend dhimbjeje dhe vend kujtese, është i të gjithëve,” theksoi Sula, autor i ekspozitës “E kaluara, e tashme” (2024) me 49 portretet e ish-të burgosurve politikë.

Pas tij, reagimet ishin të forta me në thelb shqetësimin se godina, dikur e degraduar, po merrte një pamje të transformuar. Sipas kritikëve kjo rrezikon të deformojë kuptimin e saj historik.

Filmi të cilit i vijnë në ndihmë punimet, është i regjisorit Namik Ajazi dhe shkrimtarit Visar Zhiti – të dy ish-të përndjekur dhe të dënuar politikë gjatë diktaturës. Ajazi në Qafë Bari, Zhiti në Spaç.

Ish-dhoma e takimit me familjarët pas restaurimit me suva të bardhë/Foto nga Arnen Sula, Facebook.

Ajazi tha për Citizens.al se nuk është e vërtetë se ndërhyrjet po “manipulojnë historinë, përkundrazi”. Sipas regjisorit, ndërhyrjet po realizohen me supervizim teknik të Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK), si dhe me pjesëmarrjen e skenografëve, arkitektëve dhe ekspertëve të huaj.

“Po luhet me faktin se ‘A u bë llaçi i bardhë, apo u bë i zi’,” theksoi Ajazi i revoltuar teksa ndau fotografi të mëvonshme të së njëjtës godinë. Sipas tij pas përfundimit të suvatimit dhe lyerjes është vijuar me “vjetërzimin e suvasë” pasi projekti i tij filmik synon të nxjerrë sa më mirë kontekstin historik.

Spaçi u hap në vitin 1968 si kamp i punës së detyruar për mbi 1 mijë të burgosur të cilët u angazhuan në minierën e bakrit dhe piritit. Në fillim të viteve 90-të kampi iu kalua plotësisht minierës dhe më pas u braktis dhe vandalizua. Kërkesat për ta kthyer në muze vijuan ndër vite.

Zona, e përbërë nga rreth 7 godina, mori statusin e “Monumentit të Kulturës, Kategoria II” vetëm në vitin 2007. Në vitin 2010 dhe – më vonë – në vitin 2023 u paraqitën projekte konkrete. Projekti i fundit duket të ketë marrë mbështetje për t’u konkretizuar, pas vendimit të qeverisë për t’ia besuar menaxhimin Organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB Albania).

Ajazi tregoi për Citizens.al se pas vendimit të vitit 2023, grupi i tij i punës zhvilloi një takim me Kryeministrin Rama, të cilit i kërkoi ndihmë për të materializuar idenë e filmit.

“I thamë kryeministrit, ju bëni muzeun, një projekt madhor i cili kërkon kohë, ne bëjmë filmin,” tha Ajazi duke nënvizuar se qëllimi i tij është i njëjtë, ruajtja e trashëgimisë historike të ish-burgut të Spaçit.

Sipas regjisorit ndërhyrjet që po bëhen aktualisht janë të pjesshme dhe të orientuara drejt rikrijimit të realitetit të asaj periudhe, e cila do ta ndihmojë ekipin e tij gjatë xhirimeve. Ai këmbënguli se nuk ka aspak rrezik për të dëmtuar sitin.

Më poshtë pamje të gjendjes së mëparshme të godinës në ish-burgun e Spaçit:

Çfarë parashikon projekti?

Projekti i (IKTKT-së) me vlerë rreth 100 mijë euro, parashikon meremetime në të paktën 8 hapësira: vendroja, komanda, dhoma e takimeve, infermieria, kuzhina/mensa, fjetorja, vendi i apelit dhe tualetet.

relacionin teknik grupi i projektit, drejtuar nga arkitektët Genci Tufi e Klejdia Kore dhe inxhinieri Sokol Ismaili, e konsideron ndërhyrjen e nevojshme për ta bërë zonën “të vizitueshme dhe të sigurt për vizitorët”.

Ndërhyrjet cilësohen të pjesshme dhe përshkruhen kryesisht si plotësime muresh, riparime shkallësh, vendosje parmakësh, dyersh dhe dritaresh.

Paralelisht është planifikuar ngritja e një kulle vrojtimi, vendosja e një porte hekuri në hyrje dhe rrethimi me tela me gjemba i disa hapësirave, si për shembull oborri i brendshëm, apo vendi ku bëhej apeli.

Ndërhyrja më kryesore konsiderohet rindërtimi i tualeteve dhe krijimi sipër tyre i vendit të ajrosjes së të burgosurve zonë kjo e rrënuar për shkak të vandalizimit dhe degradimit ndër vite.

Ndërtesës “Nr.3” njohur si “Komanda” parashikohet t’i plotësohen muret me tulla, t’i riparohen dhe plotësohen parmakët dhe t’i suvatohet ballkoni i katit të dytë.

Ndërtesës “Nr.3A” njohur si vendroja parashikohet t’i rregullohet skarpata e sipërme dhe e poshtme, t’i vendosen parmakë, t’i rregullohen shkallët dhe muret.

Ndërtesës “Nr.3A” njohur si “Dhoma e takimeve” parashikohet t’i plotësohen muret me tulla, t’i vendosen dritaret dhe dera e drurit, të suvatohet dhe lyhet me bojë hidromat.

Ndërtesave Nr.4 dhe Nr.5 njohur si “Infermieria, Kuzhina dhe Mensa” parashikohet t’u meremetohen muret, parmakët, t’u vendoset një derë dhe një dritare druri si dhe t’u rregullohen shkallët.

Ndërtesës Nr.6 njohur si “Fjetorja” parashikohet t’i vendoset parmak shkallëve të katit të parë dhe ballkonit të katit të dytë.

Brenda ish-dhomës së takimit me familjarët gjatë “procesit të vjetërizimit”/Foto Namik Ajazi.

Kritika dhe shqetësime për punimet

Arkitektë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë shprehur publikisht qëndrimin kundër mënyrës se si po veprohet në Spaç.

Kreshnik Merxhani, arkitekt, tha për Citizens se ndërhyrjet janë të papranueshme për një monument kulture.

“Aty ke një strukturë ekzistuese dhe ty të lejohet vetëm ta konservosh. Nuk ke të drejtë ta suvatosh, arnat lëri siç janë,” tha Merxhani duke theksuar se vetëm ekspertët mund t’i argumentojnë dhe mbrojnë ndërhyrjet e tilla.

Organizata të shoqërisë civile, përfshirë Bashkinë e Mirditës, fondacionin “Kujto.al”, “Qëndresën Qytetare”, shoqatën e të Përndjekurve Politikë Shkodër dhe figura të njohura publike si publicisti Fatos Lubonja (njëherësh ish-i përndjekur), kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore.

Në letër kërkohet ndalimi i menjëhershëm i punimeve, derisa të zhvillohet një verifikim transparent dhe profesional.

“Ndërtimi i mureve të reja dhe mbulimi i fasadave me suva moderne dëmton seriozisht integritetin historik dhe përvojën e kujtesës,” thuhet në letër, duke paralajmëruar rrezikun që Spaçi të shndërrohet në një “skenografi artificiale”.

Migen Qiraxhi, përfaqësues i një prej organizatave nënshkruese dhe autor i ekspozitës “Anatomia e Burgut të Spaçit”, tha për Citizens.al se “kjo duket si ndërhyrje make-up-i”.

“Ai është vend vuajtjeje dhe nuk ka kuptim të bëhen ndërhyrje estetike, ku duket se lumturisht mund të jetoje. Duhet kthyer në nivelin që ka qenë, jo t’i ndërtohet realitet i ri.”

Tabela e Institutit të Monumenteve, jashtë objektit shënon se punimet do të zgjasin 8 javë dhe financohen nga Instituti. Nuk është e qartë nëse këto punime janë konform “Planit të Menaxhimit të ish-burgut të Spaçit” të miratuar me propozim nga CHwB Albania në gusht 2024.

The post “Restaurim apo fshirje e kujtesës?” – Ndërhyrjet në Spaç ndezin debat appeared first on Citizens.al.

Gjadër, aktivistët përkujtojnë emigrantin Hamid Badoui

2 June 2025 at 17:49

Hamid Badoui, një maroken 42-vjeçar, i dha fund jetës në burgun Lorusso e Cutugno të Torinos në Itali. Ngjarja ndodhi në sektorin e “të sapoardhurve” vetëm pak orë përpara se ai të dilte para gjykatës.

“Më mirë burgu sesa CPR-ja (Qendra të Përhershme e Riatdhesimit) në Shqipëri, nuk kthehem”, thuhet se i kishte thënë ai avokatit.

Historia e Badouit shpalos një kalvar përpjekjesh të pasuksesshme të një emigranti, të cilit nuk iu dha mundësia për t’u integruar në Itali si një qytetar me të drejta për punë dhe jetë të denjë.

Fillimisht 42-vjeçari qe ndaluar në CPR-në e Barit. Më pas u transferua në kampin e Gjadrit në Shqipëri ku qëndroi rreth pesë javë.

Nuk është e qartë se me çfarë procedure u bë kthimi i tij sërish në Itali, por Badoui qe përballur me akuza për rezistencë ndaj autoriteteve pas një përplasjeje me bashkatdhetarë në një dyqan duhani. Ai u vetëvra me lidhëset e këpucëve.

Më 31 maj, aktivistë dhe qytetarë shqiptarë nderuan kujtimin e tij jashtë kampit të refugjatëve në Lezhë, me pankarta ku shkruhej: “Rrëzojeni Ramën dhe Melonin”, “Liri për emigrantët”, “Digjini të gjitha kufijtë”.

Pamje gjatë aksionit në Gjadër nga Tobias Sitko.

Gjatë fjalës së saj para kampit, aktivistja Kristina Millona e paralelizoi Gjadrin me Guantanamon, “një qendër torturash që prodhon vuajtje dhe vdekje, ku i vetmi shpëtim duket vetëlëndimi.” Fotot e Badouit u ngjitën edhe jashtë portit të Shëngjinit, si simbol për të mos lejuar që kjo histori të përsëritet nga harresa.

Sipas Millonës, raportet e monitoruesve flasin për mbi 40 incidente vetëm në muajin e parë të funksionimit të Gjadrit: vetëlëndime, kushte degraduese, mungesë informacioni dhe pa garanci ligjore.

Aktivistët kërkuan hetim për të gjetur përgjegjësitë që çuan në vetëvrasjen e Badouit, ndalimin e transferimeve drejt Shqipërisë, lirimin e emigrantëve të bllokuar dhe nisjen e një hetimi të pavarur mbi shkeljet e pretenduara.

“Të mbështetësh ende ‘modelin Shqipëri’ do të thotë të jesh bashkëfajtor në një regjim ndalimi dhe përjashtimi që prodhon vuajtje, përjashtim dhe vdekje”, reagoi Amnesty International.

Deputetja e Parlamentit Evropian, Anna Strolenberg, pas një vizite në Gjadër, tha se “emigrantët nuk dinin as çfarë muaji ishte, shumë janë nën efektin e ilaçeve. Nuk është e qartë sa prej tyre po mbahen.”

Më 9 qershor, Gjykata Kushtetuese e Italisë pritet të shprehet mbi ligjshmërinë e deportimeve drejt Shqipërisë – një vendim që mund të ndryshojë fatin e shumë emigrantëve.

The post Gjadër, aktivistët përkujtojnë emigrantin Hamid Badoui appeared first on Citizens.al.

“Vjosa gati për UNESCO”, por sfidat mbeten

28 May 2025 at 17:10

Më 25 maj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur aplikimin për të përfshirë luginën e Vjosës në listën e Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO) si pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës.

Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret në shtator 2025, gjatë sesionit të 37-të të programit MAB (Njeriu dhe Biosfera) teksa asgjë duket se nuk do t’i ndryshojë aspektit të mbrojtjes luginës dhe zonave përreth.

“Vjosa sot nuk është vetëm një lumë, është një model i zhvillimit të qëndrueshëm,” u shpreh Kumbaro, duke e konsideruar me rëndësi aplikimin.

Punën për aplikimin e kanë koordinuar ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Komisioni Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n.

Citizens kontaktoi Besiana Gurin nga EcoAlbania, organizatë e cila ka punuar prej vitesh për të mbrojtur rrjedhën e Vjosës. Ajo tha se ky status është më shumë një “brandim dhe vëmendje ndërkombëtare”, krahas mbrojtjes ligjore ekzistuese.

E pyetur nëse ky status mund ta mbrojë më tepër Vjosën nga projektet infrastrukturore, si për shembull projekti i Ujësjellësit të Himarës, që parashikohet t’i marrë prurjet nga burimi i lumit të Shushicës – degë e Vjosës – Guri sqaron se nëse aplikimi pranohet, zbatimi i rekomandimeve nga UNESCO nuk janë të detyrueshme për shtetin shqiptar dhe nuk parashikohen penalitete për to.

“Vijnë gjëra pozitive me këtë, do ketë më shumë vëmendje në jetesën rurale dhe që të ruhet si e tillë, pra të ruhet jetesa e njeriut në harmoni me natyrën” përmbyll Guri.

Megjithatë, ndërsa Vjosa fiton statuse degët e saj mbeten larg sigurisë së propaganduar.

Në një editorial për Citizens.al, gazetari i njohur i çështjeve të mjedisit, Artan Rama, e ka quajtur procesin e dhënies status mbrojtjeje për Vjosën një lloj fasade të gjelbër të qeverisë, ku simbolika përdoret për të mbuluar problemet e mëdha që prekin lumin.

Parku, edhe pse i shpallur, nuk ka drejtori, staf menaxhimi, konfliktet për shfrytëzimin e ujit janë të thella, ndërsa ndryshimet e fundit ligjore tashmë lejojnë ndërtimin e hoteleve luksoze edhe brenda nën-zonave qendrore të parqeve.

Rama paralajmëron se përtej marrëveshjeve me marka globale si Patagonia dhe deklaratave në samite ndërkombëtare, çështja e Vjosës është kapur nga burokracia dhe politika, duke humbur karakterin e saj publik dhe komunitar.

“Vetëm banorët që nuk largohen kanë motive të thella dhe të qëndrueshme për të mbrojtur lumin,” shkruan ai, duke ftuar për një narrativë të re, që përfshin komunitetin lokal dhe jo vetëm marrëveshje ndërkombëtare.

Aktualisht banorët e zonës së Shushicës dhe organizata mjedisore si Eco Albania janë në beteja ligjore për të ndaluar projektin e Ujësjellësit të Himarës.

Gjykata Administrative e Lushnjës rrëzoi kërkesën për sigurim padie, e cila do t’i bllokonte punimet. Ndërkohë, paralelisht, në të njëjtën gjykatë po zhvillohet procesi për anulimin e kontratës.

Kështu, përtej statusit (të mundshëm) prestigjioz të UNESCO-s apo statusit Park Kombëtar: Ruajtja reale e natyrës dhe jetës njerëzore që është e lidhur ngushtë me të mbeten sfida për Vjosën.

The post “Vjosa gati për UNESCO”, por sfidat mbeten appeared first on Citizens.al.

Human Rights Watch: “Ballkani nuk është magazinë për emigrantët”

26 May 2025 at 20:02

Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch (HRW) ka kritikuar planet e Mbretërisë së Bashkuar (MB) dhe Bashkimit Evropian (BE) për të përdorur vendet e Ballkanit si pika tranziti për kthimin e emigrantëve.

Sipas HRW, qeveria britanike ka marrë në konsideratë shtete si Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Shqipëria për ngritjen e qendrave të kthimit, ku do të dërgohen para riatdhesimit azilkërkues nga vende të treta kërkesat e të cilëve janë refuzuar.

Ky plan, sipas organizatës, sjell në mendje rastin e kampit të Gjadrit në Shqipëri, që fillimisht ishte menduar si strehë për emigrantët e paligjshëm të ndalur në Mesdhe, por më pas u shndërrua në qendër për riatdhesimin e të dëbuarve pa dokumente.

“Në vend që Ballkani të trajtohet si magazinë për emigrantët, BE dhe MB mund të luajnë rol të rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit të sistemeve funksionale të azilit dhe kornizave më të mira për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve,” tha HRW në një deklaratë të hënën.

Megjithëse Shqipëria është përmendur si “kandidate e mundshme për ofertën britanike”, më 15 maj, në një konferencë me homologun britanik Keir Starmer në Tiranë, kryeministri Edi Rama, e përjashtoi këtë mundësi duke theksuar:

“Marrëveshja me Italinë është e vetme, e ndërtuar mbi një raport të veçantë realiteti gjeografik dhe nuk mund të shërbejë si model për të tjerët.”

Ndërkohë, është raportuar se Kosova mund të jetë një opsion që po shqyrtohet nga MB. Presidentja, Vjosa Osmani, është shprehur e hapur për bisedime. Kujtojmë se në vitin 2021, Kosova nënshkroi një marrëveshje me Danimarkën për të pranuar 300 të burgosur të huaj, por ajo ende nuk është vënë në zbatim.

HRW paralajmëron se ndalimi i zgjatur i emigrantëve pa mbrojtje të përshtatshme i ekspozon ata ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut.

“Ky është një rrezik i madh për të drejtat e emigrantëve,” tha Hugh Williamson, drejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore në HRW.

Komisioni Evropian gjithashtu ka propozuar ngritjen e qendrave të kthimit në vende jashtë BE-së, të cilat do të pranonin emigrantët të cilëve u është refuzuar qëndrimi, duke i dërguar në vende “të sigurta” për shqyrtimin e kërkesave të tyre për azil.

Në prill 2025, përfaqësues të HRW kaluan dy javë në Bosnje duke shqyrtuar kushtet në qendrat e pritjes. Ndërsa autoritetet lokale deklaruan se kushtet ishin të mira, organizata e ndihmës juridike “Vaša Prava” raportoi ankesa për kufizime të rënda mbi aktivitetet dhe kohën jashtë.

Shkeljet e të drejtave të njeriut në kampet e Ballkanit janë një problem i përsëritur. Amnesty International ka reaguar shpesh kundër shkeljeve në kampin e Gjadrit në Shqipëri, duke e quajtur atë një “eksperiment mizor” dhe “një njollë për qeverinë italiane”.

The post Human Rights Watch: “Ballkani nuk është magazinë për emigrantët” appeared first on Citizens.al.

Gazetarëve lokalë u ndryshohet kontrata e punës “nga sot për nesër”

23 May 2025 at 17:41

Pesë operatorë të televizionit informativ “ABC News” u pushuan pa paralajmërim nga puna, ndërsa tre reporterëve nga rrethet iu komunikua se nga 1 qershori do të paguhen me honorarë. Këto vendime të papritura, të komunikuara përmes mesazheve nga redaksia, kanë ngjallur shqetësim në radhët e komunitetit të medias.

“Para dy ditëve nga redaktorja e rretheve na erdhi mesazh, që nga 1 qershori, me urdhër të drejtorit, do kaloja me honorarë,” tha në kushte anonimati për Citizens një prej bashkëpunëtorëve të “ABC News” që prekej nga vendimi.

Në mesazhin e dërguar, të cilin Citizens pati mundësi ta shqyrtojë, tregoheshin edhe pagesat specifike si: për një raportim “Live!” 1,000 lekë, raportim i thelluar 2,000 lekë, ekskluziv 5,000 lekë, dhe raste të veçanta deri në 10,000 lekë.

Në tregun e medias në Shqipëri, pagesat me honorarë përgjithësisht janë informale me para kesh, në dorë. Ndërkohë, gazetarët lokalë përballen shpesh me ngarkesa të shumta pune, duke përfshirë edhe rolin e operatorit dhe shoferit, ndërsa shpesh nuk u rimbursohen shpenzimet.

Kjo praktikë përbën një tjetër dëshmi të pasigurisë në të cilën funksionon sot gazetaria lokale në Shqipëri.

Rasti u bë publik fillimisht nga gazetarja Anila Prifti, e cila në një postim në rrjetet sociale u shpreh se “një profesion që dikur ngjallte respekt, sot përfundon i papërfillshëm, si mbetje pas zgjedhjeve, pa mbrojtje, pa vlerë.”

Citizens.al iu drejtua Drejtorit të Informacionit në “ABC News”, Sokol Balla, për të pasur një koment rreth kësaj çështjeje, por nuk pati përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Sipas Blerjana Binos, e cila përfaqëson Rrjetin e Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalist) dhe njëherësh drejton Qendrën Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), fakti që punonjësit e medias zgjedhin të mos flasin publikisht për një situatë të tillë reflekton për një klimë frike, presioni dhe autocensure që i dekurajon ata për të denoncuar shkeljet ndaj të drejtave të tyre.

Bino thekson se ndryshimi i njëanshëm dhe pa paralajmërim i kontratave të punës në kontrata me honorare i vendos gazetarët në pozitë të vështirë duke i detyruar ‘de facto’ të japin dorëheqjen për shkak të kushteve të papranueshme.

“Kjo praktikë i lë ata pa mbrojtje ekonomike dhe sociale. Nuk u është dhënë koha dhe hapësira e nevojshme, siç parashikohet nga Kodi i Punës, për të negociuar apo për t’u përshtatur me ndryshimet e reja” thotë ajo për Citizens.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) reagoi ashpër, duke e konsideruar këtë si një hap pas në drejtim të të drejtave të punës dhe bëri thirrje për hetim nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

“Gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të trajtohen si punëtorë të përkohshëm, të ekspozuar ndaj pasigurive financiare dhe mungesës së të drejtave elementare” citohet në deklaratë.

Ndër të tjera, AGSH tha se do të kërkojë sqarim nga drejtuesit e “ABC News” për këtë vendimmarrje të njëanshme.

Lexoni gjithashtu:

The post Gazetarëve lokalë u ndryshohet kontrata e punës “nga sot për nesër” appeared first on Citizens.al.

Shkërmoqje e stereotipeve të “Paradës së Krenarisë”

22 May 2025 at 17:25

Më 24 maj në Tiranë do të zhvillohet “Parada e Krenarisë LGBT”. Si çdo vit në këtë kohë nuk mungon gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, që shpesh bazohet tek mite të pavërteta.

Le të shohim disa prej tyre dhe t’i japim përgjigje të vërteta!

(Komentet e mëposhtme janë marrë nga komente të njerëzve në rrjetet sociale, gjatë “Marshimit të Krenarisë”, ndër vite).

  • “Do të hysh në BE?! Nuk të pranon BE ndryshe!”

Të drejtat e LGBTQ+ janë të drejta themelore, jo një kusht politik. Nëse një shtet synon të jetë pjesë e BE-së, nuk mund të përjashtojë qytetarët për shkak të identitetit apo orientimit të tyre.

Ajo që kërkohet qëndron në vlerat themelore të Bashkimit Evropian, që mund të përmblidhen shkurt në: Mos diskrimino. Lejo të gjithë të jetojnë të lirë dhe të barabartë.

Respektimi i këtyre të drejtave është njësoj i rëndësishëm sa liria e medias apo drejtësia e pavarur.

  • “Po krenar për cfarë?”

Fjala “Pride” (Krenari) nuk ka të bëjë me mendjemadhësi apo ndjesi superioriteti.

Parada e Krenarisë lindi më 28 qershor 1970 në SHBA, si përkujtim i Revoltës së Stonewall-it, ndërsa në Shqipëri u zhvillua për herë të parë në maj të vitit

Është kundërpërgjigje ndaj turpit, dhunës dhe përjashtimit që komuniteti LGBTQ+ ka përjetuar për dekada.

Të jesh krenar për identitetin tënd kur je rritur me mesazhe që të thonë se je “gabim”, “i sëmurë” ose “i papranueshëm”, është një akt i guximshëm dhe emancipues.

  • “Ju doni të shkatërroni bërthamën e shoqërisë që është familja!”

Kërkesa për të drejta nuk do të thotë t’i marrësh të drejtën dikujt tjetër.

Kur komuniteti LGBTQ+ kërkon të drejtën për të pasur familje, nuk po cënon familjen tradicionale, por po kërkon hapësirë për të jetuar me dinjitet. Liria për një grup nuk është kërcënim për një tjetër.

Familja ka shumë forma: me një prind, me gjyshër, me kujdes të ndarë. Ajo që e bën një familje është dashuria, respekti dhe mbështetja.

  • “Çfarë hallesh ka Ballkani dhe ne festojmë Gay dhe Lezbike!”

Po, Ballkani ka shumë “halle” – por të drejtat e njeriut nuk janë luks. Parada nuk është festë, është një thirrje për dinjitet në një shoqëri ku shumë ende përballen me urrejtje dhe përjashtim.

Dhe ky është një “hall”, a nuk është drejtësia “hall i gjithë shoqërisë”?

The post Shkërmoqje e stereotipeve të “Paradës së Krenarisë” appeared first on Citizens.al.

Vota e diasporës “dështon” të sjellë ndryshimin

16 May 2025 at 16:41

Edhe pse erdhi e para, vota e diasporës po numërohet e fundit. Pjesa më e madhe e votave të tyre deri më tani ka shkuar për Partinë Socialiste, e cila ka marrë më shumë se 78 mijë vota, ose rreth 54% të totalit të votave që erdhën nga jashtë.

Deri pasditen e së premtes ishin numëruar dhe vlerësuar mbi 145 mijë fletë votimi (74%) nga totali i tyre prej 194.889 fletësh. Mbeten pa numëruar rreth 50 mijë zarfe të ardhura nga Greqia, të cilat janë lënë më vete, për shkak të pretendimeve që lindën nga demokratët për votat e ardhura nga ky shtet.

I gjithë ky ngërç u shkaktua nga dyshimi se votat që vijnë manipuluar votat e emigrantëve në Greqi dhe zarfet e ardhura nuk janë plotësuar realisht prej tyre, por nga militantë të Partisë Socialiste.

Më 13 maj Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) pranoi ankesën e Partisë Socialiste (PS) për shpalljen e pavlefshme të vendimit të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që diferencoi votat e Greqisë, gjatë numërimit të votës së diasporës.

Ky vendim i KAS-it nuk u zbatua deri pasditen e së premtes kur Celibashi lajmëroi zhbllokimin e procesit dhe vijimin e numërimit edhe të votave të Greqisë të shtunën, vendim i cili do të sjellë edhe rezultatin final të këtyre zgjedhjeve.

Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) renditet e dyta për nga sasia e votave nga jashtë kufijve, me rreth 40 mijë e 600 vota (28%) të totalit; Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet e treta për nga votat e marra me 11 mijë e 700 mijë; e katërta listohet Partia Mundësia me mbi 5 mijë vota, rreth 3.73%.

Partitë, të cilat kanë marrë më shumë vota nga diaspora, janë ato të cilat kanë kryer më shumë takimet jashtë vendit me emigrantët.

Kujtojmë këtu PS-në, e cila realizoi mitingje të fryra në Londër, Athinë, Milano etj. Njëjtë edhe Shqipëria Bëhet ka konfirmuar më herët për Citizens 17 takime jashtë vendit gjatë fushatës elektorale, “Mundësia” një konventë në Bresica të Italisë dhe një të tillë në Londër.

Ndërsa Lëvizja Bashkë ka organizuar disa takime tepër modeste në Itali. Kjo ka sjellë që kjo e fundit të marrë vetëm 3857 vota, ose 2.68% të totalit.

Edhe pse Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet priste që vota e diasporës ta ndihmonte për marrjen e mandatit të Fierit, duke e çuar në dy numrin e mandateteve në këto zgjedhje, kjo duket se nuk do të ndodhë, vetëm nëse votat që vijnë nga Greqia të përmbysin rezultatin.

“Patronazhimi” i votës së diasporës, por edhe propaganda e rrjeteve sociale të një “Shqipërie turistike”, janë elementë që janë artikuluar nga zëra të ndryshëm që janë intervistuar edhe më herët në podkastet e Citizens.

“Më erdhi me mesazh ai formulari që i është dërguar administratës, për të dhënë me detyrim sesa njerëz kanë në diasporë, djalë xhaje, djalë halle, që nesër ti bëjnë mënyra presioni” është shprehur më herët Florian Haçkaj, një nga iniciuesit e nismës për finalizimin e votës së diasporës.

Më tej Haçkaj ka komentuar se takimet me autobuzë të nisur nga Shqipëria për në takimet e diasporës të kryeministrit janë financuar nga taksat e qytetarëve.

Duket se përveç PS, e cila ka marrë një mandat nga vota e diasporës, përpjekjet e partive të reja për besimin nga përtej kufijve kanë dështuar, edhe pse vota e diasporës është kërkuar pikërisht prej tyre më shumë.

Vota e diasporës është penguar si proces për vite me radhë nga partitë e tranzicionit, duke menduar se do të ndikonin rezultatin, pritshmëri e cila ra poshtë.

Ashtu siç e kishte parashikuar edhe më herët analisti Blendi Ceka, sa i përket votës së diasporës, ku ai theksoi se takimet duhet të jenë të orientuara drejt qarqeve zgjedhore specifike, pasi shpërndarja e votave në nivel kombëtar ka pak ndikim në rezultat.

“Takimet nëpër qytete që mbledhin diasporën ose emigrantët atje, nga pikëpamje eficencës së votës janë minimale, pasi mund të ketë diferenca në votat që marrin, por të kthehen në mandate është e vështirë,” ka artikuluar më herët Çeka.

The post Vota e diasporës “dështon” të sjellë ndryshimin appeared first on Citizens.al.

Zgjedhjet 2025: Kush do t’i marrë mandatet e partive të vogla?

15 May 2025 at 16:50

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po shtyn për përmbylljen e numërimit brenda afatit zyrtar – mesnata e 15 majit – rezultati i partive të reja tashmë është qartësuar për mandatet që do të mbajnë në katër vitet e ardhshme të qeverisjes.

Deri tani, në shkallë kombëtare, “Lëvizja Bashkë” ka siguruar një mandat me rreth 20 mijë vota (1.44%); Partia “Mundësia” ka fituar dy mandate me rreth 43 mijë vota (3%); ndërsa Koalicioni “Nisma-Shqipëria Bëhet” (3.9%) po lufton për një mandat të dytë në Fier me rreth 50 mijë vota të grumbulluara.

Partitë e tjera si “Koalicioni Euroatlantik” (1.33%), “Koalicioni Djathtas për Zhvillim” (0.39%), Aleanca Kombëtare Shqiptare (0.22%), Lëvizja Atdheu (0.15%) dhe Aleanca Demokracia e Re (0.07%) nuk kanë fituar asnjë mandat.

Partia Socialiste fitoi thellë me 83 mandate (52.33%) duke lënë prapa koalicionin e Partisë Demokratike “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” me 50 mandate (33.74%).

Pas tyre, me numrin më të lartë të mandateve vjen Partia Socialdemokrate (3.19%), e cila konfirmoi tre mandate – dy në Shkodër dhe një në Tiranë – ngjashëm si në zgjedhjet e shkuara.

Lista e mbyllur, vetëm në letër

Risia e këtyre zgjedhjeve është zhvlerësimi i listave të mbyllura dhe kalimi i mandateve kandidatëve më të votuar, një praktikë e vendosur si parim mes koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, “Koalicionit Euroatlantik” (edhe pse nuk siguruan mandate), por deri diku dhe PSD-së.

Sipas rezultateve dhe renditjes në listat e mbyllura, Ana Dajko (Tiranë, Nisma-Shqipëria Bëhet), Sabina Jorgo (Shkodër, PSD) dhe Albana Pëllumbi (Tiranë, PSD) kanë fituar mandatin e deputetit – këta të fundit krah Tom Doshit, i listuar i pari në Shkodër.

Mirëpo Dajko, Jorgo dhe Pëllumbi – dhe pjesa vijuese në listën e mbyllur të partive përkatëse – duket se do t’ia lënë mandatet më të votuarve në listat e hapura.

Drejtuesi i “Nismës Thurje”, Endri Shabani, konfirmoi për Citizens se përmes një marrëveshjeje të brendshme, kandidati me më shumë vota në koalicionin me “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, do të marrë mandatin, pavarësisht renditjes në listë.

Aktualisht më i votuari në listën e parapëlqyer është Lapaj (mbi 3,400 vota). Pas tij vjen Shabani (mbi 1,900 vota). Mirëpo nëse “Shqipëria Bëhet” do ta mbyllë procesin me vetëm një mandat të siguruar, deputet do të bëhet Shabani.

“Adriatiku, si angazhim personal, ka thënë publikisht dhe privatisht, në çdo takim me ne, si aleatë, që nëse [koalicioni] do të ketë vetëm një mandat, do të tërhiqet. Nëse ruhet ky trend, unë do të jem përfaqësuesi për Tiranën në Kuvend,” tha Shabani.

Citizens.al iu drejtua Lapajt për një koment lidhur me mandatin e Tiranës, por ai tha se nuk mund të komentonte pa u mbyllur procesi.

Me këtë parim, në Fier, nëse “Nisma-Shqipëria Bëhet” siguron mandatin e dytë, ai do t’i kalojë Azmer Duleviçit, i cili ka marrë mbi 1050 vota dhe jo Lefter Thomës, i pari në listë.

Edhe PSD duket se ka vendosur të ndjekë këtë logjikë. Burime të Citizens.al thanë se nga kjo parti në Tiranë, deputet do të bëhet më i votuari në listën e hapur dhe jo Albana Pëllumbi – e listuara në krye të listës së mbyllur. Aktualisht më i votuari nga PSD në Tiranë është Tedi Mula, i cili ka marrë mbi 2,100 vota.

Nëse ky parim ndiqet edhe në Shkodër – duke marrë të mirëqenë se nuk do të aplikohet për kryetarin Tom Doshi – ai që mund ta marrë mandatin pritet të jetë Besnik Brahimi, i cili ka marrë mbi 3,400 vota.

Ky parim, edhe pse duket se vlerëson demokracinë, shkel kuotën gjinore, pasi u heq të drejtën për t’u përfaqësuar në parlament tre grave.

Presioni ndaj partive të reja

Sipas Redi Muçit, i cili pritet të marrë mandatin e vetëm parlamentar nga Lëvizja Bashkë, zgjedhjet e 11 majit u karakterizuan nga “influenca masive” dhe presioni i të ashtuquajturve “patronazhistë të votës” – një strukturë brenda PS-së e denoncuar që gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.

Ai pohon se kandidatë të Lëvizjes Bashkë janë përballur me presion për t’u tërhequr nga listat zgjedhore.

“Por sidoqoftë […] jemi të kënaqur që kemi hyrë në parlament dhe nga ky moment, nga ky hap i parë, thjesht do ndërtojmë mbi këtë,” theksoi Muçi.

Për kandidaten e Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Elbasanit, Mirela Karabina, gara ishte e pabarabartë. Ajo tha se votuesit ishin frikësuar, ndërsa maxhoranca përdori administratën dhe mësuesit për qëllime elektorale.

“[Qytetarët] janë të frikësuar, përderisa nuk dilnin dot një foto [me mua], edhe pse u thosha që nuk është e thënë se do të votonin për ne,” shpjegon Karabina.

“Elbasani po vdes ngadalë, ndotja kancerogjene dhe sëmundjet janë në rritje. Nuk e di kur do të zgjohet vota popullore,” tha Karabina sipas së cilës partia në pushtet, PS-ja, kishte prapa edhe sipërmarrës të fuqishëm me fonde për fushatën.

Sfida e opozitës në parlamentin e ri

Erald Kapri, i cili pritet të marrë mandatin e deputetit për partinë “Mundësia” shprehet i kënaqur me rezultatin, ndonëse priste më shumë.

Partia e themeluar nga Agron Shehaj, ish-deputet i PD-së njëherësh edhe ish-kandidat për kreun e saj, grumbulloi mbi 20 mijë vota në Tiranë, duke marrë mundësinë e dy mandateve në parlament, një numër i kënaqshëm në raport me rezultatin që morën dhe partitë e tjera të reja, por që sidoqoftë është i pamjaftueshëm për të krijuar një grup parlamentar.

Përballë një “supermaxhorance” me 83 mandate, opozita duket e brishtë për të gjetur instrumentat që do të mund ta pengonin PS-në për të ndërhyrë në ligjet apo reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Nisur nga kjo, Kapri theksoi se sfida e parë për opozitën e re do të jetë “mbrojtja e institucioneve të drejtësisë”.

“Ne dyshojmë që një nga shtysat e Ramës në legjislaturën e ardhshme do të jetë kufizimi i rolit të SPAK. Kjo do jetë një sfidë e madhe për opozitën, që të ruaj pavarësinë e institucioneve të drejtësisë” citoi ai.

“Mesazhi me mbi 200 mijë vota për partitë e reja është i qartë: qytetarët kërkojnë ndryshim,” përfundoi Kapri.

The post Zgjedhjet 2025: Kush do t’i marrë mandatet e partive të vogla? appeared first on Citizens.al.

Votat e Greqisë: “PS fiton në KAS, PD refuzon numërimin”

13 May 2025 at 17:20

KAS (Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve) pranoi ankesën e Partisë Socialiste (PS) për shpalljen e pavlefshme të vendimit të kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që diferencoi votat e Greqisë, gjatë numërimit të votës së diasporës.

Fillimisht KAS e shtyu vendimin në një moment të dytë për shkak të “kompleksitetit të çështjes” për të dolë më pas me këtë njoftim zyrtar.

Ky vendim pritet të sjellë zhbllokim të procesit të numërimit në Parkun Olimpik, nëse numëruesit e Partisë Demokrtike e zbatojnë.

I gjithë ky ngërç u shkaktua se demokratët akuzojnë socialistët se kanë manipuluar votat e emigrantëve në Greqi dhe zarfet e ardhura nuk janë plotësuar realisht prej tyre, por nga militantë të Partisë Socialiste.

Për këtë arsye rreth 52 mijë vota të Greqisë ishin lënë mënjanë dhe nuk po numëroheshin.

Ky konflikt nisi fillimisht nga urdhri i deputetit Flamur Noka, që nuk lejonte numëruesit e Partisë Demokratike të hapnin zarfet e Greqisë. Më pas KQZ me një njoftim sqaroi se nuk ka vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për të përjashtuar nga numërimi dhe vlerësimi votat e votuesve nga Greqia.

“Vendimi i marrë një ditë më parë ka për qëllim vetëm mirë administrimin e dokumentacionit zgjedhor të votuesve nga jashtë” – thekson KQZ.

Përfaqësuesja e socialistëve, Elena Xhixha, në reagimin e saj shpjegoi se sipas dispozitave ligjore, kreu tre, pika dy, KQZ administron dhe numëron çdo fletë votimi që ka hyrë në Shqipëri.

“Komisionerët në momentin që kanë marrë zarfin B, vetëm pse kanë parë se ky zarf vjen nga greqia, kanë thënë se e kontestojmë pa asnjë provë”- citoi Xhixha.

Ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Marash Logu tha se “nuk do të lejohen që të numërohen thasë të mbushur nga patronazhistët e PS”.

“Në Greqi ka ndodhur një shkelje flagrante e kontratës nga operatori i shërbimit postar. Pa marrë autorizim, ndonëse në kontratë ishte ndaluar kryerja e nen kontraktimeve, ka nënkontraktuar operatorë për të bërë shpërndarjen dhe marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore”- u shpreh Logu.

Sipas tij, persona të caktuar janë paraqitur dhe kanë tërhequr në mënyrë të paautorizuar me dhjetëra dhe qindra materiale zgjedhore dhe kanë bërë dorëzimin e tyre.

Citizens ka kontaktuar KQZ për një reagim se pse në Greqi është ndjekur një procedurë nen kontraktimi shërbimi postar ndryshe nga vendet e tjera, por deri në publikimin e shkrimit, nuk është dhënë një koment.

Greqia është shteti i dytë që kryeson me numrin më të lartë të zgjedhësve që votuar, me 53,209 zarfe të kthyera. Deri më tani janë numëruar 56.824 zarfe nga 194.889 në total që kanë mbërritur nga diaspora. 53.73% të votave të diasporës kanë shkuar për Partinë Socialiste, 29.04% për Partinë Demokratike dhe aleatët, 8.36% për Nisma Shqipëria Bëhet, 3.40 % për Partinë Mundësia, ndërsa për Lëvizjen Bashkë 2.62%.

Në këtë video shpjeguese, Citizens.al tregon peshën e mundshme të votës së diasporës në zgjedhjet 2025.

The post Votat e Greqisë: “PS fiton në KAS, PD refuzon numërimin” appeared first on Citizens.al.

❌
❌