Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2025Main stream

Xhafaj dorëzon në Kuvend dy dokumentet e Komisionit Antikorrupsion: Plan kombëtar veprimi që i shërben dhe negociatave

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, Fatmir Xhafaj, bëri sot në një konferencë për mediet një bilanc të punës në përmbyllje të mandatit të veprimtarisë së këtij komisioni.

Xhafaj theksoi se ky Komision i Posaçëm Antikorrupsion e ka përmbushur qëllimin e ngritjes së tij ndonëse pati një mandat të kufizuar me vetëm 14 muaj dhe me periudhën elektorale në mes.

Xhafaj u shpreh se janë hartuar dy dokumente të rëndësishme kombëtare gjatë kohës së punës së komisionit.

I pari është dokumenti analitik me 700 faqe dhe i dyti plani kombëtar i veprimit që do i shërbejnë dhe qëllimit për negociatat e Shqipërisë me BE dhe integrimin e vendit, ku përfshihet përmirësimi i mëtejshëm i punës në luftën antikorrupsion.

“Komisioni me dokumentat e hartuara dhe të miratuara adresoi një sërë problematikash dhe vendosi piketa të qarta aq të domosdoshme për përballjen me 3 sfida kyç të zhvillimit, Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit, thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Ashtu si dhe nga ana tjetër përmes këtyre dokumenteve qartësoi përgjegjësitë për një rol më aktiv të Kuvendit në procesin e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE dhe reformimin e vetë Kuvendit, nisur kjo edhe nga konteksti i zhvillimeve të integrimit europian të Shqipërisë dhe reflektimet ligjore dhe institucionale me sfidat në kuadër të këtij procesi”, tha Xhafaj, duke theksuar gjithashtu se metodologjia e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, është një ndër më të plotat dhe më të qartat për të garantuar transparencën, gjithëpërfshirjen dhe profesionalizmin.

Kuvendi tha ai, këtë përvojë të krijuar, këtë model tashmë të realizuar, mund ta aplikojë në të gjitha proceset e tjera të ngjashme, në përmbushje edhe të rekomandimeve të vazhdueshme për këtë aspekt në raportet e Progresit të KE-së.

“Gjithë ky proces i ndërtuar është mbështetur dhe ka garantuar 4 parime themelore që janë gjithëpërfshirja, transparenca, profesionalizmi dhe standardet më të mira ndërkombëtare. Synimi kryesor i komisionit ka qenë dhe besoj se ia kemi arritur përmes metodologjisë së zbatuar që i gjithë ky proces në vetvete dhe veçanërisht dokumentet që janë hartuar së bashku me propozimet përkatëse të garantojnë standarde evropiane si dhe reflektimin në praktikat më të mira të vendeve të BE-së si dhe të jenë në përputhje të plotë me rekomandimet e BE dhe kriteret për pozicionet negociuese”, tha Xhafaj.

Duke folur për ndikimin e punës së bërë në këtë komision nga rreth 119 ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ai përmendi disa nga arritjet, të cilat i çmon si vlera dhe risi të këtij procesi kompleks.

“Për herë të dytë në këto 10 vite, Kuvendi i Shqipërisë u shndërrua në hapësirën kushtetuese e institucionale për realizimin e një tjetër reforme shtetndërtuese që synon konsolidimin e shtetit të së drejtës por që i shërben edhe procesit të anëtarësimit për Shqipërinë 2030 në BE. Vështirë të gjeni një shembull të dytë, në rajon dhe më gjerë, të ndërmarrjes me iniciativë nga vende kandidate për BE, të projekteve të tilla kaq komplekse, përfshirëse dhe me ambicien e fortë për ndryshim”, tha Xhafaj.

“Përfshirje e gjerë e të gjithë faktorëve kyç të shoqërisë. Kjo e bën këtë një projekt kompleks për nga koordinimi dhe realizimi, por që përbën njëherësh edhe një model se si duhet të ndërtohen reforma të tilla duke shkuar nga analiza e situatës, te identifikimi i gjetjeve dhe adresimin e masave për zgjidhje, te procesi ligjvënës, dhe pastaj te zbatimi e monitorimi”, shtoi ai.

Xhafaj nënvizoi se, “ky proces ishte një kontribut tjetër me vlerë edhe në një aspekt tjetër me rëndësi lidhur me integrimin dhe imazhin e vendit. Një dëshmi e rritjes së vendit e institucioneve të tij edhe në një këndvështrim tjetër duke provuar se tashmë ne kemi kapacitetet për të ndërmarrë hapa të tilla, që vende të ngjashme me ne nuk kanë pasur kurajën t’i ndërmarrin”.

“Ne hartuam dhe miratuam një analizë, një Dokument Analitik prej rreth 700 faqesh, i pari dokument i këtij lloji që mban autorësinë e ekspertizës shqiptare. Analiza bën një skanim të situatës aktuale në 3 fushat, mbështetur në raportet përkatëse zyrtare të viteve të fundit, vendase dhe ndërkombëtare dhe kryesisht në gjetjet, vlerësimet, problematikat dhe rekomandimet e Raporteve të BE dhe dokumenteve ku shteti shqiptar ka shprehur angazhimet e tij në kuadër të procesit të integrimit”, shtoi Xhafaj.

“Plani Kombëtar i Veprimit përbën një tjetër vlerë dhe risi të këtij procesi. Ai është një dokument unik i këtij lloji në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë gjatë këtyre dekadave të demokracisë parlamentare në vendin tonë”, theksoi ai.

“Ky proces nuk mund të konsiderohej i plotë, pa realizimin e një procesi intensiv të konsultimit publik për të gjitha fazat e hartimit të dy dokumenteve”, tha Xhafaj, teksa përmendi 11 tryeza debati dhe diskutimi, 8 forume dialogu qytetar; 2 konferenca të nivelit të lartë për prezantimin e Analizës dhe Planit Kombëtar të Veprimit etj.

Përgjatë këtyre 14 muajve, tha më tej Xhafaj, komisioni ka përmbyllur dy fazat e para të tij dhe i ka dorëzuar Kuvendit dy dokumente parlamentare bazë: Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit. Ai shpjegoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve.

“Dokumenti Analitik për të tre fushat; Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i Ligjit, është një dokument me 709 faqe dhe trajton të gjitha aspektet në 18 kapituj. Struktura e analizës është e organizuar në mënyrë të tillë që për çdo çështje të ofrohet një pasqyrë e situatës aktuale, duke shqyrtuar masat ligjore dhe institucionale të zbatuara. Për përgatitjen e kësaj analize, Ekspertët e Nivelit të Lartë kanë skanuar dhe analizuar mbi 15.000 faqe dokumente, analiza e raporte të ndryshme. Plani Kombëtar i Veprimit është një dokument që përcakton masa konkrete, horizontale dhe sektoriale, të cilat synojnë përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të Kuvendit, në kuadër të procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë BE. Plani kombëtar i veprimit përmban 56 fusha tematike të cilat adresojnë çështjet kryesore me 238 masa konkrete, nga të cilat 78 janë nisma ligjore dhe 160 masa institucionale. Këto janë dy dokumente të rëndësishëm parlamentar, produkt i punës së komisionit. Ndërkohë që kemi hapur rrugën edhe për zbatimin e masave ligjore dhe institucionale të parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit. Ashtu siç bëmë jo më larg se dje në diskutimin dhe konsultimin publik të dy projektligjeve si masa institucionale të propozuara në Planin Kombëtar të veprimit të shtyllës antikorrupsion dhe siç do bëjmë me procesin që pason. Dokumenti Analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit të miratuar e të publikuar në faqen e komisionit, përbëjnë dokumente parlamentare me rëndësi dhe janë pjesë e përgjegjësive dhe angazhimit të strukturave të Kuvendit në fushat respektive”, tha Xhafaj.

Sa i përket të ardhmes së veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafaj tha se, bazuar edhe në diskutimet e deritanishme, mbështetur në Rezolutën e Kuvendit, por edhe në masat e propozuara në Planin Kombëtar të Veprimit, është e nevojshme që një Komision ose një nënkomision parlamentar i përhershëm ose një strukturë në nivel institucional që do gjykohet nga Parlamenti, të vijojë veprimtarinë e tij.

“Kjo për të vijuar me fazën e tretë të hartimit dhe miratimit të projektligjeve të identifikuara si masa nga Plani Kombëtar i Veprimit si pjesë e listës prioritare të ligjeve ashtu si dhe me vijimin e punës për realizimin e detyrës për kapitullin “III.3 – Konsolidimi i reformës në drejtësi”.  Dokumenti analitik e veçanërisht Plani Kombëtar i Veprimit bashkëngjitur janë dokumente parlamentare me vlera të shumanshme, efekti shumë pozitiv i të cilave do të përcaktohet nga shkalla e angazhimit për zbatimin e tij nga Kuvendi dhe strukturat e tij në legjislaturën e ardhshme 2025 – 2029 në funksion të ambicies sonë legjitime, Shqipëria 2030 në BE”, tha Xhafaj teksa në përfundim falënderoi kolegët deputetë pjesëmarrës në këtë komision, Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë, Sekretariatin Teknik, stafin e Kuvendit dhe të gjithë aktorët që kanë marrë pjesë aktivisht në proceset e konsultimit dhe diskutimit, vendas dhe ndërkombëtar, përfaqësues të institucioneve publike, institucioneve të pavarura, shoqërisë civile, botën akademike, komuniteti i biznesit, qytetarë, që janë angazhuar në këtë proces dhe natyrisht gazetarët e lirë të medias që kanë përcjellë mbledhjet dhe janë përpjekur të pasqyrojnë me realizëm punën që është bërë”.

/gj.m/j.p/

The post Xhafaj dorëzon në Kuvend dy dokumentet e Komisionit Antikorrupsion: Plan kombëtar veprimi që i shërben dhe negociatave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Autoriteti i Aviacionit Civil njihet nga NATO, përmbush plotësisht standardet

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Autoriteti i Aviacionit Civil i Shqipërisë është njohur nga NATO për vlefshmërinë ajrore.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se Autoriteti i Aviacionit Civil përmbush plotësisht standardet e përcaktuara nga Aleanca e Atlantikut.

Rama e cilësoi një lajm të mirë për vendin dhe një dëshmi të përparimit të Shqipërisë në përmbushjen e kritereve ndërkombëtare në sektorin e aviacionit.

“Autoriteti i Aviacionit Civil i Shqipërisë është njohur nga NATO për Vlefshmërinë Ajrore, duke përmbushur plotësisht standardet e përcaktuara nga Aleanca e Atlantikut”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

“NATO arrin në përfundimin se Autoriteti i Aviacionit Civil i Shqipërisë është plotësisht në përputhje me kërkesat për t’u bërë një autoritet i vlefshmërisë ajrore i njohur nga NATO, siç përcaktohet nga NAWP dhe sipas procesit të njohjes së NATO-s (NRP)”, thuhet në videon e ndarë nga kryeministri Rama.

/gj.m/j.p/

 

The post Rama: Autoriteti i Aviacionit Civil njihet nga NATO, përmbush plotësisht standardet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nuk arkëtuan 40 milionë lekë nga taksat e parkingut, arrest shtëpie për ish-nënkryetaren e bashkisë Fier dhe 3 zyrtarë

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas një pune hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ka finalizuar operacionin policor “Parking”.

Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasen A. H., 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-zëvendëskryetare e bashkisë Fier, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

“Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin V. C., 41 vjeç, banues në Fier, drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për rajonin jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

“Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen A. C., 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

“Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin M. D, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Këta shtetas, duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milionë lekë në arkat e bashkisë Fier.

Gjithashtu, këta shtetas nëpërmjet shpërdorimit të detyrës kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregtare në Fier kundrejt përfitimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.

/gj.m/j.p/

 

The post Nuk arkëtuan 40 milionë lekë nga taksat e parkingut, arrest shtëpie për ish-nënkryetaren e bashkisë Fier dhe 3 zyrtarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Hodhën mbeturina në trotuar, procedohen penalisht 4 shtetas në Durrës

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ 4 shtetas janë proceduar penalisht në Durrës pasi ndotën mjedisin duke hedhur mbeturina në trotuar

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, nga kontrollet e vazhdueshme në terren, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në ankesat e qytetarëve, kanë konstatuar se në lagjen nr. 1, Durrës, ishin hedhur mbeturina të ndryshme në rrugë, që kishin shkaktuar ndotje të mjedisit.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit K. K., 42 vjeç, M. Ç., 50 vjeç, P. M., 45 vjeç dhe R. U., 35 vjeç, banues në Tiranë dhe në Durrës, pasi dyshohet se kanë hedhur vazhdimisht në rrugë, jashtë koshave, mbeturina të ndryshme të lokaleve të tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

1 nga 2

/gj.m/j.p/

 

The post Hodhën mbeturina në trotuar, procedohen penalisht 4 shtetas në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prezenca e OSBE, takime informuese në disa bashki për ndihmën juridike falas

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Çdo qytetar ka të drejtën për akses të barabartë në drejtësi, pavarësisht gjendjes ekonomike, sepse drejtësia është një e drejtë, jo një privilegj.

Prezenca e OSBE në Shqipëri, në vijim të nismës për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas dhe pushtetit vendor, këtë javë, zhvilloi takime informuese dhe bashkëpunuese në bashkitë Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës.

Këto takime shërbyen për të ndërtuar ura bashkëpunimi, jo vetëm me përfaqësues vendorë, por edhe me organizata të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbështesin qytetarët për të pasur akses më të mirë në sistemin e drejtësisë.

“Përmes bashkëbisedimeve me qytetarët në terren dhe me përfshirjen në media lokale, përhapëm më gjerësisht informacionin mbi të drejtën për ndihmë juridike falas për ata që kanë më shumë nevojë”, theksoi Prezenca e OSBE në një postim në rrjetet sociale.

Sipas prezencës së OSBE, kjo qasje gjithëpërfshirëse synon të forcojë ndërgjegjësimin dhe të sigurojë që askush të mos mbetet pa zë për shkak të pamundësisë ekonomike.

/gj.m/j.p/

The post Prezenca e OSBE, takime informuese në disa bashki për ndihmën juridike falas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në Turqi: Marrëdhënie e institucionalizuar në forma konkrete bashkëpunimi

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Turqi.

Spiropali u prit në një takim nga kryetari i Parlamentit të Turqisë, Numan Kurtulmuş.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas takimit Spiropali u shpreh se, “përgjatë vitit 2023 u shënua 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona”.

“Ne kemi dëshmuar sesi në më shumë se një shekull kjo marrëdhënie, jo thjesht është forcuar, por veçanërisht gjatë viteve të fundit është institucionalizuar në forma konkrete bashkëpunimi, në fusha si ekonomia, shëndetësia, siguria dhe mbrojtja, turizmi, arsimi, ku shtrihet dhe potenciali i përbashkët i këtij partneriteti strategjik”, deklaroi ajo.

Spiropali theksoi se, nuk ndodh shpesh që marrëdhëniet mes shteteve të kenë si garanci këto kolona të fuqishme.

“Marrëdhëniet tona i përkasin atij rasti fatlum dhe me presidentin Kurtulmuş dhe asamblenë e madhe kombëtare po i fuqizojmë ato. Prej atyre askush nuk humbet, por të gjithë fitojnë. Fiton në radhë të parë zhvillimi, bashkëpunimi dhe paqja e siguria në rajon dhe më gjerë”, tha Spiropali.

“Shqipëria dhe Turqia prodhojnë dhe i japin botës siguri e paqe, të cilat janë të nevojshme në çdo kohë, por janë të një rëndësie kritike në kohën që jetojmë ku retë e luftës nuk janë më në horizont, por rrotull vendeve tona”, tha Spiropali.

“Ne ramë dakord ta intensifikojmë bashkëpunimin e shkëlqyer mes Kuvendit dhe Asamblesë së madhe Kombëtare si në nivelet më të larta ashtu edhe mes komisioneve parlamentare e grupeve të miqësisë dhe deputetëve si dhe mbështetjen e kandidaturave respektive në organizatat parlamentare shumëpalëshe “, theksoi Kryetarja e Kuvendit.

“Shqipëria po përgatitet e do të bashkëpunojë ngushtë me Turqinë dhe aleatët e tjerë për suksesin e Samitit të NATO-s 2027 në Tiranë, duke pasur parasysh dhe faktin që Turqia do të mirëpresë samitin në vitin 2026”, tha Spiropali

Duke folur për marrëdhëniet ekonomike, Spiropali u shpreh se, “Turqia është partneri i katërt tregtar i Shqipërisë. Investimet turke në një vlerë prej rreth 3.7 miliardë dollarë, kanë krijuar përveç zhvillimit, edhe punësim dhe vende të reja pune. Rreth 15 mijë shqiptarë punojnë në kompanitë turke që operojnë në Shqipëri”.

“Ne do të vijojmë bashkëpunimin në marrëdhëniet ekonomiko-tregtare, të shfrytëzojmë të gjithë potencialin tonë të përbashkët, duke shfrytëzuar potencialet posaçërisht në sektorët e sigurisë, mbrojtjes, energjisë së rinovueshme, infrastrukturës, zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit e mjedisit, bashkëpunimit universitar, bujqësisë, agro-përpunimit, etj”, deklaroi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit falënderoi Turqinë, Presidentin Erdogan dhe Presidentin e Asamblesë së Madhe Kombëtare Kurtulmuş, për mbështetjen e Kosovës për lobimin për njohjen ndërkombëtare dhe ndalimin e fushatës agresive të disa shteteve për anulimin e njohjeve, institucionalizimin e marrëdhënieve me NATO-n, anëtarësimin në Këshillin e Europës dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë rajonale e shumëpalëshe.

“Ne i jemi mirënjohës 18 anëtarëve të delegacionit të Turqisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës që mbështetën Rezolutën për pranimin e Kosovës, në prill 2024”, tha Spiropali.

“Shqipëria do të vijojë qëndrimin e palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e BE-së, SHBA-së dhe partnerëve të tjerë”, tha Spiropali.

“Në këtë pikë, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim edhe për përpjekjet e vazhdueshme dhe rolin aktiv të udhëheqësis turke, Presidentit Erdogan, në ndërmjetësimin e bisedimeve dhe negociatave për paqe. Edhe një herë tjetër, Turqia po tregon se diplomacia është dhe duhet të mbetet mekanizmi më i mirë për paqe e stabilitet në rajon, kontinent dhe më gjerë”, tha Spiropali.

“Shqipëria mban një qëndrim të qartë si në raport me bashkëpunimin rajonal që ne kemi, por dhe në organizata ndërkombëtare edhe në partneritete të tjera, ku Shqipëria vërtetë mund konsiderohet një vend i vogël, por është një vend luajal, një vend që gjithmonë ka bërë më shumë përpjekje, ka dhënë më shumë kontribute sesa kapacitetet e tij dhe për këtë besoj se prestigji i saj ndërkombëtar, ashtu edhe ndikimi i saj është rritur. Ju përmendët marrëdhëniet e shkëlqyera mes Presidentit Erdogan dhe Kryeministrit Rama, të cilat po ashtu rrezatojnë nivelin e marrëdhënieve shumëplanëshe dhe uroj që ky bashkëpunimin, edhe pse aktualisht është i shkëlqyer mes dy kuvendeve tona të vijojë të zhvillohet, të intensifikohet dhe të shkëmbejmë përvoja edhe për rrugën tonë të integrimit në BE, të cilën ju e mbështesni pa rezerva si për Shqipërinë, ashtu dhe për vendet e tjera të rajonit tonë dhe Ballkanit Perëndimor”, përfundoi Spiropali.

/gj.m/j.p/

 

The post Spiropali në Turqi: Marrëdhënie e institucionalizuar në forma konkrete bashkëpunimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryeparlamentari turk Kurtulmuş: Interesa të përbashkëta me Shqipërinë, me rëndësi stabiliteti në Ballkan

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Turqi.

Spiropali u prit në një takim nga kryetari i Parlamentit të Turqisë, Numan Kurtulmuş.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas takimit Kurtulmuş u shpreh se, takimi ishte mjaft i frytshëm teksa janë ngritur grupet e miqësisë në të dy parlamentet përkatëse.

“Kontaktet bilaterale vazhdojnë dhe ramë dakord për t’i vazhduar këto kontaktet edhe nëpërmjet komisioneve të specializuara”, u shpreh ai.

Po ashtu, theksoi ai, “në Shqipëri ne vazhdojmë bashkëpunimin tonë në platformat e përbashkëta. Jemi dy vende mike, jemi dy vende aleate që ndajmë mendimet e përbashkëta në struktura të tilla rajonale midis vendeve të Ballkanit”.

Ai theksoi se, marrëdhëniet dypalëshe do të zhvillohen akoma edhe më shumë në të ardhmen.

“Patëm mundësi që të rikonfirmojmë edhe një herë këto qasje të përbashkëta. Ne jemi për paqen dhe stabilitetin në Ballkan sidomos në kohët e sotme kur bota po kalon një turbulencë të madhe. Pothuajse në çdo rajon kemi tensione dhe konflikte të armatosura. Është shumë e rëndësishme. I kushtojmë shumë rëndësi paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Divergjencat që ekzistojnë duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut. Këtu kemi qasje të përbashkët si Shqipëria dhe Turqia”, tha Kurtulmuş.

Kryeparlamentari turk u shpreh se, “Turqia dhe Shqipëria janë dy vende dhe dy popuj që kanë marrëdhënie të lashta, të vjetra që prej 6 shekujsh kanë bashkëjetuar. Jemi dy popuj që kemi histori të përbashkët, të kaluar të përbashkët”.

Ai theksoi se edhe interesat janë të përbashkëta dhe duhet të çohen përpara marrëdhëniet.

Kurtulmuş përmendi fushat si trashëgimia kulturore apo tregtia, për të rritur shkëmbimet tregtare.

“800 kompani turke operojnë në Shqipëri dhe këto në aspektin e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve janë të rëndësishme”, tha ai.

Po ashtu, shtoi Kurtulmuş, “me Shqipërinë, në shumë platforma ndërkombëtare, kryesisht në NATO, kemi çështje ku mbështesim njëri-tjetrin.”

“Po hyjmë në një proces që duhet të kemi shumë kujdes. Bota po riformësohet edhe në aspektin politik, edhe ekonomik. Jemi në pikënisjen e kësaj. Sistemi i vjetër po shkatërrohet. Do kemi krijimin e një ekuacioni global ku kemi një botë shumë polare, shumë qendrore dhe padyshim dhe Ballkani do të bëhet një rajon akoma dhe më i rëndësishëm, jo vetëm në aspektin e avantazheve që i sjell pozicioni gjeografik, por edhe multikulturalizmi që bart në vetëve dhe do të zërë një vend më të rëndësishëm, një vend më me ndikim në arkitekturën botërore globale”, tha ai.

“Do të ndihmojmë në arritjen e kësaj situate, do të intensifikojmë bashkëpunimet, për ta shndërruar Ballkanin në një rajon që ofron paqe dhe stabilitet”, tha Kurtulmuş.

/gj.m/j.p/

The post Kryeparlamentari turk Kurtulmuş: Interesa të përbashkëta me Shqipërinë, me rëndësi stabiliteti në Ballkan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Asnjë ndërtesë e prishur në Theth nuk ishte në zonën e mbrojtur

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, asnjë ndërtesë e prishur në Theth nuk është në zonën e mbrojtur, të gjitha janë në zonën urbane.

Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se, “Thethi përbën në historinë e Shqipërisë një nga krimet shtetërore më të rënda, më të shëmtuara”.

Sipas tij, “Edi Rama e ka shndërruar Thethin në një shesh shkatërrimi, në të cilin ky fshat, kjo zonë nuk është shndërruar kurrë nga asnjë pushtues, qoftë edhe më barbarët”.

Berisha theksoi se, “asnjë ndërtesë nuk ishte në zonën e mbrojtur, të gjitha ndërtimet janë në zonat urbane”.

“Po, Thethi është park kombëtar, por Thethi ka një zonë urbane ku ndërtohet”, theksoi Berisha.

“Asnjë ndërtim në tokë publike, as edhe në tokën e tjetrit, të gjitha në tokën e vet. Ndërtime druri, siç përcakton rregullorja për Thethin, druri ose guri”, tha Berisha më tej.

Berisha shtoi se, në Theth nuk kanë votuar PS-në, por kanë votuar PD-në.

Kreu i PD-së publikoi rezultatin e qendrës së votimit për zonën ku u prishën ndërtimet në Theth.

“PD në këtë qendër ka marrë 95 vota dhe PS 82 vota. Pra, nuk kanë votuar PS-në, kanë votuar PD-në dhe kjo është hakmarrja primitive, kriminale e Edi Ramës ndaj tyre”, tha Berisha.

Ai u bëri thirrje banorëve të Thethit, Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë “të ngrihemi për t’u ndarë në mënyrë përfundimtare nga kjo e keqe e madhe që po rrënon çdo ditë shqiptarët dhe qenien e tyre”. /gj.m/j.p/

 

The post Berisha: Asnjë ndërtesë e prishur në Theth nuk ishte në zonën e mbrojtur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 17 vatra zjarri të raportuara, 4 ende aktive

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend.

MM bëri të ditur se, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 17 vatra zjarri, nga të cilat 4 janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mat, Vau i Dejës, Mallakastër, Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Përmet, Himarë, Finiq, Krujë, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë dhe Berat.

Aktualisht mbeten aktive vatrat në qarkun Dibër, në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ku ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Si pasojë, deri tani është përshkuar një sipërfaqe rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu. Sot, 30 forca operacionale vendore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, po vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit.

Në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë vijon puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar. Si pasojë, deri tani është përshkuar një sipërfaqe rreth 30 ha me shkurre dhe barishte.

Në qarkun Shkodër, në vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, ka vijuar puna për shuarjen e vatrës së zjarrit të rënë në datë 15.07.2025 në një sipërfaqe prej rreth 25 ha me lis, dushk, shkurre dhe barishte.

Në qarkun Fier, forcat po punojnë për shuarjen e zjarrit në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër. Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Pranë vatrës ndodhet gjithashtu një pus gazi, që përbën rrezik të shtuar. Sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 120 ha shkurre dhe pyll me pisha, si dhe janë dëmtuar dhe djegur mbi 1000 rrënjë ullinj. Sot, 36 forca operacionale vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, po vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë të tyre ka shkuar edhe helikopteri Cougar.

Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur më shumë se 381 hektarë sipërfaqe dhe mbi 1000 rrënjë ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 27 automjete zjarrfikëse dhe 288 forca operacionale. Gjithashtu, në operacionet e ditës së djeshme mori pjesë edhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura. Sot, që prej orës 06:00, në operacionet e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 70 forca ushtarake dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje lokalisht të dobëta.

Sa u përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rreziku “I lartë” në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër nivel rreziku “I moderuar” në të gjitha qarqet e tjera.

Nё disa qarqe pritet rrezik “I lartë”, vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug-Perëndim).

MM thekson se, strukturat e Mbrojtjes Civile janë të gjitha të angazhuara, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit, në rast nevoje.

MM fton qytetarët të bëjnë kujdes, duke shmangur ndezjen e zjarreve në mjedise të hapura dhe të raportojnë menjëherë pranë shërbimeve zjarrfikëse çdo vatër që konstatojnë.

/gj.m/j.p/

The post MM: 17 vatra zjarri të raportuara, 4 ende aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ylli: Peshëngritja do të përfshihet si disiplinë në programin e “Ekipeve sportive në shkolla”

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Peshëngritja do të përfshihet si disiplinë në programin e “Ekipeve sportive në shkolla”.

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli mori pjesë në ceremoninë e rilicencimit të trajnerëve të peshëngritjes.

Gjatë ceremonisë së organizuar nga Federata e Peshëngritjes dhe presidenti i kësaj federate Elez Gjoza, të pranishëm ishin trajnerë nga të gjitha klubet.

Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli vlerësoi kontributin e trajnerëve ndër vite dhe kërkoi një bashkëpunim më të madh për çuar përpara projektin e “Ekipeve sportive në shkolla”, ku peshëngritja do të përfshihet si disiplinë.

/gj.m/j.p/

The post Ylli: Peshëngritja do të përfshihet si disiplinë në programin e “Ekipeve sportive në shkolla” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria zgjeron dhe forcon rregullat për blerjen e pajisjeve ushtarake  

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime thelbësore në rregullat e prokurimeve ushtarake. Vendimi ka për qëllim të modernizojë dhe forcojë sigurinë e kontratave për blerjen e pajisjeve, armëve, municioneve dhe teknologjisë ushtarake.

Ndryshimet shtojnë rregulla më të rrepta për kompanitë ofertuese dhe zgjerojnë mundësitë e prokurimit me partnerë ndërkombëtarë dhe kompani shtetërore shqiptare.

Fusha e kontratave të prokurimit tani zgjerohet për të përfshirë jo vetëm pajisjet fizike, por edhe shërbimet e lidhura me to, si teknologjia dhe softueri.

Sipas vendimit, rregullat e reja bëjnë të mundur blerjet “shtet me shtet” edhe me vende partnere të Republikës së Shqipërisë ose të NATO-s, jo vetëm me vende anëtare të Aleancës. Kjo i jep Ministrisë së Mbrojtjes fleksibilitet më të madh për të blerë pajisje apo shërbime të nevojshme.

Një nga shtesat më të rëndësishme është përcaktimi i një liste të qartë të arsyeve për skualifikimin e operatorëve ekonomikë. Sipas rregullave të reja, çdo kompani do të skualifikohet nëse ajo, apo një anëtar kyç i saj (pronar, aksionar, drejtues), është dënuar për vepra të rënda penale si: Pjesëmarrje në krim të organizuar ose terrorizëm. Korrupsion, mashtrim, pastrim parash. Trafik droge ose qeniesh njerëzore.

Përveç kësaj, një kompani do të skualifikohet nëse ajo ka falimentuar ose nuk ka përmbushur detyrimet e saj ndaj shtetit, siç janë pagimi i taksave dhe i kontributeve shoqërore.

Vendimi prezanton procedura të reja të veçanta për bashkëpunimin me shoqëritë aksionare shtetërore që operojnë në fushën e industrisë ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes tani ka mundësinë të blejë direkt nga këto shoqëri, nëse ato zotërojnë të paktën 50% të kapaciteteve të nevojshme për një kontratë, si dhe të zhvillojë një “dialog negociues” me to për të siguruar produkte dhe shërbime, madje duke i favorizuar në procedurat konkurruese, pasi plotësojnë automatikisht disa kritere ligjore.

Këto ndryshime synojnë të mbështesin industrinë ushtarake shqiptare dhe të modernizojnë Forcat e Armatosura përmes një procesi më të sigurt dhe më efikas.

/gj.m//r.e//a.f/

The post Qeveria zgjeron dhe forcon rregullat për blerjen e pajisjeve ushtarake   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IKMT liron hapësirat publike tek stadiumi “Air Albania”

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar sot operacionin për lirimin e hapësirave publike.

Mjete të IKMT, të shoqëruara nga forca të shumta të policisë bashkiake dhe Policisë së Shtetit kanë liruar sot hapësirat publike të zëna nga subjektet pranë stadiumit kombëtar “Air Albania”.

Autoritetet kanë rrethuar me shirit pjesën pranë stadiumit të futbollit, ku janë të vendosura karrige dhe tavolina të lokaleve e restoranteve që ndodhen në katin e parë të godinës.

/gj.m//a.f//r.e/

The post IKMT liron hapësirat publike tek stadiumi “Air Albania” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mazniku: 26 097 punonjës do të trajnohen në 3 vjet në Akademinë e Pushtetit Vendor

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot autorizimin e ministrit përgjegjës për Çështjet Vendore për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me njësitë e vetëqeverisjes vendore për krijimin e personit juridik si subjekt i kompetencave të përbashkëta me vetëqeverisjen vendore për rritjen e kapaciteteve të qeverisjes vendore të Republikës së Shqipërisë.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh në një postim në rrjetet sociale sot se, me këtë vendim të Këshillit të Ministrave çelet rruga për krijimin e Akademisë së Pushtetit Vendor, ku për herë të parë Bashkitë e Shqipërisë do të mund të themelojnë një institucion të përbashkët që do të ofrojë trajnime të vazhdueshme për administratën vendore.

Mazniku theksoi se, 50% e kostos në 3 vitet e para për punën e Akademisë do të mbulohen nga qeverisja qendrore dhe Bashkitë do të përfitojnë trajnime, zhvillim profesional të qëndrueshëm dhe forcim të kapaciteteve të tyre profesionale për dhënien e shërbimeve cilësore e të standardeve europiane për qytetarët.

Në Akademinë e Pushtetit vendore pritet të trajnohen 26 097 punonjës në 3 vjet.

/gj.m//a.f/

The post Mazniku: 26 097 punonjës do të trajnohen në 3 vjet në Akademinë e Pushtetit Vendor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përcaktohen rregullat dhe procedurat për mbrojtjen e personaliteteve pas përfundimit të detyrës

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot një vendim që përcakton rregullat, procedurat dhe kohëzgjatjen e mbrojtjes personale dhe banesës së personaliteteve të tjera pas përfundimit të detyrës.

Sipas këtij vendimi, Garda e Republikës së Shqipërisë ruan e mbron, pas përfundimit të detyrës, personalitetet apo banesën e tyre, kur u rrezikohet jeta, shëndeti apo familja, për shkak të detyrës që kanë kryer.

Kushtet për të përfituar ruajtjen fizike dhe mbrojtjen e banesës janë: prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, shëndetin apo familjen e personalitetit apo banesën e tij, brenda gjashtë muajve nga përfundimi i detyrës; prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe ushtrimit të funksionit të mëparshëm nga personaliteti.

Në vendim thuhet se, kërkesa për mbrojtje i paraqitet me shkrim ministrit të Brendshëm nga vetë personaliteti i rrezikuar.

Kërkesa për mbrojtje përmban: gjenealitetet e plota të kërkuesit; një përmbledhje të fakteve dhe të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për personalitetin apo banesën e tij, të cilat e detyrojnë të kërkojë mbrojtje edhe pas përfundimit të detyrës.

Ministri i Brendshëm urdhëron menjëherë, por jo më vonë se 24 orë, mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për të bërë vlerësimin e kërkesës.

Komisioni i Posaçëm vlerëson kërkesën e paraqitur, si autoriteti vendimmarrës për mbrojtjen e veçantë.

Pas shqyrtimit të kërkesës për nevojën e mbrojtjes së personalitetit apo të banesës së tij, komisioni merr vendim brenda 48 orëve. Vendimi u njoftohet ministrit të Brendshëm dhe personalitetit të rrezikuar.

Komisioni, në procesin e shqyrtimit të kërkesës për mbrojtje, sipas këtij vendimi, mund të kërkojë informacione nga institucione të tjera.

Vendimi përmban nivelin e sigurisë dhe masat e mbrojtjes, numrin e truprojave apo të rojeve për banesën, afatin e mbrojtjes, si dhe masa të tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.

Mbrojtja e personalitetit apo e banesës zgjat për aq kohë sa janë të pranishme rrethanat e rrezikut, por jo më shumë se një vit.

Me përfundimin e afatit maksimal të mbrojtjes, Komisioni i Posaçëm vendos për vijimin e mbrojtjes me të njëjtat masa; përfundimin e mbrojtjes; ndryshimin e masave të sigurisë.

Pas vendimit të komisionit, Garda e Republikës merr menjëherë në mbrojtje personalitetin apo banesën e rrezikuar, duke zbatuar masat e përcaktuara në vendim.

Komisioni i Posaçëm përbëhet nga: zëvendësministri i Brendshëm; zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit; zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës; një përfaqësues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar; një përfaqësues i Byrosë Kombëtare të Hetimit; një përfaqësues nga Shërbimi Informativ i Shtetit, në nivel drejtor drejtorie; një përfaqësues nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në nivel drejtor drejtorie.

Kryetar i Komisionit të Posaçëm, është zëvendësministri i Brendshëm.

Pjesëmarrja në mbledhjet e komisionit është e detyrueshme. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se 5 anëtarë me të drejtë vote.

Vendimet e komisionit janë të vlefshme kur miratohen nga më shumë se gjysma e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

Kryetari i komisionit cakton një sekretariat teknik, i cili mbështet organizimin, funksionimin dhe mban procesverbalin e zhvillimit të mbledhjes.

/gj.m//r.e/

The post Përcaktohen rregullat dhe procedurat për mbrojtjen e personaliteteve pas përfundimit të detyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Zero tolerancë për legalizimet në hapësirën publike, ndëshkim penal për nëpunësit që i kanë firmosur

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot urdhrin për anulimin e vendimit për legalizimin e një ndërtimi pa leje, shtesë anësore 1 kat në një objekt ekzistues 8 kate në favor të Ilir Baki Isufit.

Rama theksoi se, për të gjitha këto lloj çmendurish, me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, do të reagohet me zero tolerancë duke i anuluar ligjërisht.

Gjithashtu shtoi Rama, do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona.

“Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anuluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona”, shkroi Rama.

1 nga 2

/gj.m/r.e//a.f/

The post Rama: Zero tolerancë për legalizimet në hapësirën publike, ndëshkim penal për nëpunësit që i kanë firmosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Raporti PEFA, BE: Përparime në buxhetim, investime publike dhe auditimin e brendshëm

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përshëndeti sot prezantimin e raportit të ri për Vlerësimin e Shpenzimeve Publike dhe Përgjegjshmërisë Financiare (PEFA) këtë javë në Tiranë.

“Menaxhimi i financave publike në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare është thelbësor për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe për aksesin në fondet e BE-së”, thekson Delegacioni i BE, në një postim në rrjetet sociale.

Për këtë arsye, shton Delegacioni, “mirëpresim prezantimin e raportit të ri për Vlerësimin e Shpenzimeve Publike dhe Përgjegjshmërisë Financiare (PEFA) këtë javë në Tiranë”.

“Raporti tregon përparime në procesin e buxhetimit, procedurat e investimeve publike dhe auditimin e brendshëm. Përmirësimet në raportimin financiar të konsoliduar, përfshirë ndërmarrjet shtetërore dhe menaxhimin e aseteve publike, mbeten ndër sfidat kryesore”, thekson zyra e BE.

Delegacioni i BE nënvizon se, gjetjet dhe rekomandimet e raportit PEFA duhet të merren parasysh teksa qeveria vijon me zbatimin e reformave në këtë fushë.

1 nga 4

/gj.m//r.e//a.f/

The post Raporti PEFA, BE: Përparime në buxhetim, investime publike dhe auditimin e brendshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSBE nxit bashkëpunimin mes bashkive kundër dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Rreth 50 përfaqësues nga bashkitë, forcat e rendit, sistemi i drejtësisë, shërbimet sociale dhe shoqëria civile nga Kukësi dhe Dragashi u mblodhën sot në Kukës, për të forcuar bashkëpunimin në adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Veprimtaria, e organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, pason një takim të mëparshëm të mbajtur në dhjetor 2024 në Prizren, i cili shërbeu si një platformë për shkëmbimin e informacionit, përvojave dhe praktikave më të mira në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Qëllimi i takimit të dytë ishte krijimi i një mekanizmi ndërkomunal për përmirësimin e parandalimit dhe të reagimit.

Përfundimi kryesor i veprimtarisë ishte nevoja për të formalizuar bashkëpunimin dhe për të hartuar një manual apo protokoll për adresimin e dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore ndërmjet juridiksioneve.

Fjalët përshëndetëse në hapje u mbajtën nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, kryetari i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilan Wahl, prefekti i Kukësit, Dritan Baji, kryetari i komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Edvina Murati.

Temat kryesore të agjendës përfshinin rolin e drejtësisë dhe të mbrojtjes sociale në luftën kundër dhunës në familje, sfidat në trajtimin e rasteve dhe strategjitë për forcimin e përgjigjes ndërjuridiksionale.

Koordinatorë nga Kukësi dhe Dragashi ndanë përvojat vendore, ndërsa misionet e OSBE-së theksuan rëndësinë e kornizave bashkëpunuese ndërmjet bashkive dhe përtej kufijve.

Me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup, kjo nismë synon të shndërrohet në një platformë rajonale më të gjerë për veprim të përbashkët kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Ambasador Wahl ftoi që takimi i radhës të mbahet në Maqedoninë e Veriut.

/gj.m//r.e//a.f/

The post OSBE nxit bashkëpunimin mes bashkive kundër dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Krimet zgjedhore, Celibashi: 139 procedime penale

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, për javë me radhë shqyrtuan të gjitha denoncimet që lidhen me krimet zgjedhore.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë një interviste për Klan News, bëri një vlerësim të bashkëpunimit të institucionit që ai drejton me dy institucionet e tjera të drejtësisë.

“Një eksperiencë e suksesshme, edhe pse kam konstatuar që për një pjesë të politikës, ky bashkëpunim nuk ka marrë vlerësimin që në gjykimin tim do duhej ta merrte”, tha ai.

Kryekomisioneri Celibashi tregoi numrin e procedimeve penale për të cilat ka një hetim dhe tipologjitë e krimeve që janë konstatuar më shumë.

“Janë rreth 139 procedime penale, të cilat janë trajtuar ose janë në proces trajtimi nga SPAK. Denoncimet lidhen kryesisht me presionin ndaj administratës publike, përdorimin e aseteve publike, shitblerjen e votës”, theksoi ai.

Celibashi sugjeroi se bashkëpunimi me të tre institucionet duhet të formalizohet në ligj.

“Kjo eksperiencë duhet të shtrihet dhe në zgjedhjet e ardhshme, dhe ndoshta mund të ketë nevojë që kjo formë e bashkëpunimit të jetë e formalizuar dhe në ligj, të jetë më e institucionalizuar”, shtoi ai.

Rregullat e garës duhet të ndryshojnë, sipas drejtuesit të KQZ, edhe për administratën publike.

“Duhet të vendosen disa limite të sjelljes së përfaqësuesve të administratës publike, duke filluar nga niveli më i lartë, kryeministri, ministri etj.”, nënvizoi Celibashi.

Për rezultate konkrete, kryekomisioneri Celibashi tha se do të duhet kohë deri në përfundimin e hetimeve nga institucionet ligjzbatuese.

/gj.m//r.e//a.f/

The post Krimet zgjedhore, Celibashi: 139 procedime penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Drejtësisë kërkon rikthimin e mbikëqyrjes elektronike

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Ministria e Drejtësisë kërkon rikthimin, pas 6 vitesh mungesë, të mbikëqyrjes elektronike si formë e një mase sigurimi, dënimi apo kontrolli për urdhrat e mbrojtjes në rastet e dhunës në familje.

Burime zyrtare për ATSH konfirmuan se, ministria këtë të mërkurë i është drejtuar AKSHI-t me kërkesë për nisjen e procedurave.

Më pas do të vijohet me gjetjen e pajisjeve dhe sigurimin e infrastrukturës së nevojshme, në mënyrë që brenda këtij viti, sistemi i drejtësisë ta ketë të mundshme aplikimin e saj. Gjatë viteve të funksionimit të saj, gjykatat e dhanë si masë mbikëqyrjen me byzylyk elektronik në 347 raste, sipas të dhënave zyrtare të Shërbimit të Provës.

Prej vitit 2011, Shqipëria ka një kuadër ligjor të plotësuar për mbikëqyrjen elektronike. Ajo u vu në funksion në vitin 2013 dhe u aplikua deri në vitin 2019.

/gj.m//r.e//a.f/

The post Ministria e Drejtësisë kërkon rikthimin e mbikëqyrjes elektronike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flamurtari zyrtarizon blerjen e ish-lojtarit të Real Madrid

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Skuadra e Flamurtarit të Vlorës, e sapongjitur këtë sezon në Superligë, po zhvillon një merkato me emra të rëndësishëm.

Kështu skuadra vlonjate ka zyrtarizuar blerjen e ish-futbollistit të Real Madrid, José Rodríguez.

Rodríguez i datëlindjes 1994 luan si mesfushor qendre, teksa vjen pas eksperiencave si futbollist në ekipet e Real Madrid, Deportivo La Coruna, Malaga F.C, CF Fuenlabrada (Spanjë), Galatasaray, Adana Demirspor (Turqi), FSV Mainz 05 (Gjermani), Maccabi Tel Aviv, Hapoel Tel Aviv, Maccabi Haifa (Izrael), Fortuna Sittard (Holandë), Union Saint-Gilloise (Belgjikë).

Gjithashtu ‘Flamurtari’ ka zyrtarizuar edhe mesfushorin e qendrës Cristian Núñez.

Edhe Núñez është një lojtar me shumë eksperiencë në arenën ndërkomëbtare.

Ai vjen pas ekseriencave si futbollist në ekipet e Yverdon Sport FC (Zvicër), CA Banfield, CD Godoy Cruz, CA Lanús Club Atlético Platense, CA Vélez (Argjentinë), Club Sol de América, Tacuary Football Club (Paraguay).

Gjithashtu Flamurtari rinovoi kontratën me lojtarin Christ Evo Ememe.

1 nga 3

/gj.m//r.e//a.f/

The post Flamurtari zyrtarizon blerjen e ish-lojtarit të Real Madrid appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌