Dredha: Gjoba për ndotësit e ambientit
TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha sot se të do të ndëshkohen me gjoba të gjithë ata që nuk pyesin as për ambientin, as për qytetin dhe as për punën e njerëzve që pastrojnë mbetjet e hedhura ku t’iu teket bizneseve apo individëve.
Kryebashkiaku Dredha ndau në rrjetet sociale foto nga gjobat e vendosura sot ndaj subjekteve dhe individëve, që lënë thasët me mbetje jashtë kazanëve.
Dredha tha se “detyrohemi të marrim masa për sjellje bazike siç janë hedhjet e mbetjeve në kosh! Thasë të tërë, lihen në mes të ditës, menjëherë pas pastrimit të kontenierëve! Gjobat nuk do të ndalen”.
Edhe më herët, Dredha ka bërë thirrje publike për të gjithë qytetarët dhe vizitorët, duke theksuar se Vlora është një qytet që u përket të gjithëve dhe kërkoi angazhim të përbashkët për ta mbajtur të pastër dhe të rregullt.
Në një reagim publik, Dredha apeloi për ndërgjegjësim qytetar për çështje të tilla si hedhja e mbeturinave jashtë orarit të përcaktuar, parkimet e paligjshme dhe mungesa e kujdesit ndaj hapësirave publike.
“Rregulli, pastërtia dhe qarkullimi nuk janë privilegj, janë detyrim kolektiv dhe kulturë urbane. Për këtë nevojitet edukim dhe disiplinë qytetare, jo thjesht ndëshkim”, u shpreh ai.
Sipas tij, Bashkia do të përcaktojë orare të qarta për hedhjen dhe grumbullimin e mbetjeve, duke i bërë ato publike dhe të detyrueshme për t’u respektuar nga qytetarët, bizneset dhe shërbimet përkatëse.
“Kjo është një thirrje për reflektim dhe bashkëpunim, që të gjithë të japin kontributin e tyre me propozime konkrete në dëgjesa publike dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve,” përfundoi Dredha.
Ai shtoi se qyteti do të jetë ashtu siç sillemi me të, duke e konsideruar Vlorën si shtëpinë e përbashkët të të gjithëve.
/e.i/j.p/
The post Dredha: Gjoba për ndotësit e ambientit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.