Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Osmani takon Limajn në prag të seancës së re për konstituim të Kuvendit

PRISHTINË, 18 korrik/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar të premten takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pak para seancës parlamentare të së shtunës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Deri më tani, 48 përpjekje kanë rezultuar të pasuksesshme.

“Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.

Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, por ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Presidentja Osmani është cituar të ketë thënë se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe e ka potencuar rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit.

Palët janë takuar një ditë pasi deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka thënë se pret që kryetari i partisë, Fatmir Limaj, të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme në fundjavë.

“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, pra shpresojmë se këto bisedime që kanë vazhduar me muaj të tërë, të prodhojnë rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, ka thënë Izmaku për gazetarë.

Sipas saj, temë e bisedimeve është që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, duke shtuar se “më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj pra, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”.

Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryetarit të Parlamentit.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend. Përveç Limajt kjo parti përfaqësohet nga Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Kryeziu.

Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votonin pro konstitutimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.

Deri më tani, deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk ofrojnë mbështetje pa u plotësuar kushtet e tyre.

Rreziku i një situate të paprecedentë në Kosovë pas afatit të 26 korrikut

Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet brenda këtyre ditëve.

Situata është bllokuar pasi Partia Demoratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës , Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nga kryesuesi i seancës Avni Dehari është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.

/REL/

The post Osmani takon Limajn në prag të seancës së re për konstituim të Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Shqipëria e Bukur”, Rama ndan pamje nga Bjeshkët e Oroshit


TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga Bjeshkët e Oroshit, Kryezi dhe Fushë-Arrëz, në kuadër të rubrikës së përditshme “Shqipëria e Bukur”, që synon të promovojë vlerat natyrore dhe turistike të vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri ka publikuar video që pasqyrojnë peizazhet mahnitëse të kësaj zone malore, të njohur për natyrën e virgjër, pasuritë pyjore dhe bukurinë e saj të rrallë.

Rubrika “Shqipëria e Bukur” vijon të sjellë çdo ditë për qytetarët dhe vizitorët imazhe nga zona të ndryshme të vendit, me qëllim rritjen e promovimit të potencialit turistik shqiptar.

/a.f//r.e/

The post “Shqipëria e Bukur”, Rama ndan pamje nga Bjeshkët e Oroshit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Në shtator, start up-et e shqiptarëve do të ndryshojnë botën e arkitekturës

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Në përmbyllje të një takimi maratonë me aktorët kryesorë të sektorit të teknologjisë, inovacionit dhe ekosistemit të start up-eve në vend, u ndanë konkluzionet kyçe mbi rrugën e deritanishme, sfidat dhe mundësitë që e presin Shqipërinë në kuadër të vizionit Shqipëria 2030 dhe integrimit europian.

Kryeministri Rama ndër të tjera theksoi se “në shtator do të arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore dhe botës në kuptimin e botës një inovacion që vjen nga një start up shqiptarësh dhe që nëse është ashtu siç më duket mua nga sa pashë dhe siç tregon dhe interesimi i shumë e shumë arkitektëve për të marrë akses do të ndryshojë shumë mënyrën sesi funksionon gjithë sektori dhe mënyrën sesi funksionojnë gjithë studiot e arkitekturës botërisht”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama

Shumë faleminderit për këtë ditë, shumë intensive por njëkohësisht edhe plot me gjëra të reja dhe frymëzuese për pjesën tonë, që i përkasin botës reale, jo kësaj botës së re digjitale dhe nga ana tjetër, shumë faleminderit dhe një publicitet 30 sekonda për mikpritësin tonë, kantinën Pupa, që u përpoq sot të tregonte sa të lehtë e ka dorën e që na ofroi gjithë këto faciliteti, ndërkohë që duke qenë se jemi dhe në sezonin turistik, do të përfitoj nga rasati t’ju them të gjithë dashamirësve apo kuriozëve që shtohen dita ditës, të verës shqiptare, se vetëm nga kjo kantinë kanë kaluar 30 mijë degustatorë dhe ndërkohë kjo zonë, Kuçova dhe Berati janë bërë një destinacion i shumë më tepër vizitorëve vetëm për rrugën e kantinave të verës. Publiciteti mbaroi, kthehemi të japim lajmet.

Në radhë të parë dua të them që realisht sot ka pasur shumë brumë në tryezë dhe që realisht nëse do arrijmë të vendosim piketat që kemi diskutuar dhe pastaj bashkërisht të ndjekim një hartë veprimesh, do të arrijmë të krijojmë më të mirën duke u bazuar tek kapaciteti i progresit eksponencial që na ka sjell bota e re e teknologjisë për ta çuar vendin në një nivel krejt tjetër.

Ka qenë kënaqësi edhe për të njohur nga afër disa inovatorë, siç u bë një diskutim midis fjalës inovator dhe novator edhe më prezantuan edhe një dokument të vjetër që ishte shumë tërheqës për qendrën e mendimit novator dhe ka qenë shumë impresionuese të njihesha me disa prej jush në aspektin e aktivitetit aktual, gjëra shumë interesante dhe si rrjedhojë kanë prodhuar një sërë eventesh të tjera që ne do të realizojmë, qoftë për të prezantuar inovacionet tuaja me sektorin e investitorëve, në sektorin e investimeve në ndërtim, në turizëm, qoftë për të pasur një ballafaqim me bankat e nivelit të dytë dhe me Bankën e Shqipërisë për të përcjellë mesazhin tek bankat që janë në kushtet e një prapambetjeje që po e kërcënon progresin e sektorit dhe për më tepër një prapambetje tërësisht e pajustifikuar po të kemi parasysh se tanimë gjithë legjislacioni i nevojshëm është i miratuar. Të gjitha instrumentet nga ana e sektorit janë në dispozicion dhe këmbëngulja e bankave për të mos lëvizur me të njëjtin ritëm jo vetëm dëmton sektorin, por dëmton në tërësi interesat e shoqërisë duke penguar lehtësimin e mëtejshëm të gjitha ndërveprimeve që lidhen me transaksionet financiare.

Nga ana tjetër është po kaq e rëndësishme që në Tiranë, në shtator do të arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore dhe botës në kuptimin e botës një inovacion që vjen nga një start-up shqiptarësh dhe që nëse është ashtu siç më duket mua nga sa pashë dhe siç tregon dhe interesimi i shumë e shumë arkitekteve për të marrë akses do të ndryshojë shumë mënyrën sesi funksionon gjithë sektori dhe mënyrën sesi funksionojnë gjithë studiot e arkitekturës botërisht.

Nuk janë pak këto ashtu sikundër me shume gëzim dhe me shumë përgjegjësi unë do të angazhohem personalisht, natyrisht edhe me strukturat përkatëse për të parë nëse mund të ndërtojmë në Shqipëri me këtë teknologji të re të propozuar nga start-upi në fjalë, muzeun e parë tërësisht me inteligjencën artificiale.

Thënë të gjitha këto, besoj që është e udhës që nga tryezat të bëhen referimet e përmbledhura të temave që u diskutuan. Unë po e nis me tryezën ku mora pjesë, por jo si referenti, por si një nga dëgjuesit dhe natyrisht duke pasur parasysh pjesën që na takon ne si qeveri. Së pari, kemi parë me shumë kënaqësi që ky sektor po bën një përpjekje që mungon ndjeshëm në sektorin privat në tërësi që është përpjekja për ta kuptuar në brendësi dhe për të përfituar në brendësi nga afrimi me BE dhe nga anëtarësimi në BE.

Organizata e krijuar brenda sektorit me një numër të konsiderueshëm anëtarësh po bën një punë domethënëse për të marrë ekspertizën e duhur në mënyrë që t’i krijojë sektorit mundësi përfitimi nga fondet e BE duke paraqitur projekte dhe aplikime të besueshme. Ky është një shembull fantastik për të gjithë sektorin privat që është po aq i prapambetur sa bankat kur vjen puna tek raporti me BE, bankat tek raporti me digjitalizimin dhe sektori privat në raport me BE.

Tjetra që kemi rënë dakord është që do të kemi një Kuvend të përbashkët, një forum të përbashkët, të paktën një herë në katër muaj, për të gjitha problematikat, jo vetëm për problematikat por edhe për risitë e sektorit edhe për të gjitha piketat që duhen vizituar dhe duhen ndryshuar apo duhen shtuar në rrugën e mëtejshme. Duke thënë këtë dua që të them se nga ana jonë e, ministria e Shtetit për Sipërmarrjen, ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin si dhe ministrja e Arsimit do të angazhohen me ju për të hartuar marrëveshjen kuadër mes qeverisë dhe sektorit tuaj pasi unë besoj shumë që duhet të hapim një kapitull të ri në sensin që juve duhet të keni akses në gjithë strukturat e qeverisë për të pasur të mundur që të keni bazën e nevojshme të të gjitha të dhënave për të ndërtuar proceset që pastaj do të na sjellin modelet e Inteligjencës Artificiale që do të na shërbejnë ne për ti shërbyer publikut dhe do tju shërbejnë patjetër edhe juve në punën tuaj, e pastaj dhe do të na shërbejnë bashkërisht për të bërë atë që u propozua këtu në pjesën e parë, duke promovuar produktet tona.

Jemi në kushtet kur nuk është aspak mungesë modestie që ne të pretendojmë të krijojmë dhe të promovojmë produkte edhe përtej kufijve të vendit, duke pasur parasysh se çfarë brumi është krijuar dhe çfarë talentesh kemi në dispozicion dhe pastaj një sërë gjërash të tjera janë diskutuar. Unë nuk do të zgjatem më tutje, por do them vetëm që i kam kërkuar pjesëmarrësve në atë tryezë ku ishte edhe një kandidat potencial për president i shoqatës duke qenë edhe IT në moshën më të thyer dhe e kam si dëshmitar aty, dëshmitar dhe bashkëmoshatar. Po të paktën unë nuk i përkas asaj bote kështu që nuk jam aq i pashpresë sa je ti, se aty dukesh edhe dy herë më i vjetër se ç’je.

Ramë dakord që edhe unë kam, unë kam atë aty si agjentin tim, ramë dakord që me koordinimin e shoqatës, si thoni ju, të organizatës, të aktit, të gjithë ju që jeni këtu dhe të gjithë ata që janë në sektor dhe që duan të japin kontributin e tyre të na ofrojnë draft sipas tyre, draft programin e “AI Albania 2030”, ku do të jetë Shqipëria, Inteligjenca Artificiale në 2030-ën, për të na e prezantuar, për ta diskutuar, për ta miratuar dhe pastaj ne për ta marrë dhe për ta çuar në Parlament si pjesë të programit të qeverisë dhe për ta kthyer në një program pune të qeverisë në bashkëpunim me ju.

Shtoj këtu se Ministrin e Shtetit për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj, nëse do arrini dot të krijoni një model të Inteligjencës Artificiale që të zgjedhë ministrin, do të jetë hapi i parë drejtë momentit historik, kur Shqipëria do jetë e para që të ketë qeverinë të tërën me ministra dhe me kryeministër AI, aty pastaj do kalojmë në nivel tjetër, se do punojë AI edhe të gjithë ne të tjerët do bëjmë muhabet për politikën, pa pas mundësi që të marrim asnjë vendim.

Këto ishin pak a shumë nga ana ime dhe po ia kaloj Delinës për të moderuar pjesën tjetër, duke iu dhënë fjalën secilit sipas tryezës, secilit ose secilës. Kam njohur edhe një protagoniste shumë interesante që ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara që ka lënë një nga kompanitë më të mëdha të botës për të ardhur për tu bashkuar këtu në një kompani relativisht të vogël, por shumë premtuese, edhe nuk e dëgjova si flet anglisht, po shqipen e fliste si një AI i pa kolauduar, edhe i paautorizuar për të dalë në treg akoma.

Unë nuk hyra në disa nga propozimet që ishin pak më në detaje po themi sepse besoj se ato do t’i trajtoni ju dhe do ti hidhni në atë dokumentin programatik, por një gjë që do ta sjell këtu për ata që na ndjekin dhe posaçërisht për sektorin privat ishte një propozim për të imponuar me ligj që çdo kompani shqiptare me 100 punonjës të ketë një bërthamë R&D, kërkim dhe zhvillim. Dhe besoj që është një propozim shumë largpamës, me një kosto tërësisht të papërfillshme në raport me benefitet dhe patjetër që ne do ta mirëpresim këtë dhe disa propozime të tjera që u bënë në rast se do të vijnë nga ju përmes atij dokumentit pak më të artikuluar.

Kështu që e bëra këtë ndërhyrje më shumë për të dëgjuar sektori privat domosdoshmërinë e hapjes së mendjes dhe hapjes së syve ndaj teknologjisë edhe jo më thjeshte ndaj teknologjisë digjitale, po ndaj Inteligjencës Artificiale që siç është shumë e qartë nga të gjithë që dëgjova unë sot dhe siç është e qartë nga gjithçka që lexojmë dhe dëgjojmë përditë, është një mundësi e artë historike që ne të bëjmë një kapërcim shumë të madh nëse do të jemi të zotë, natyrisht dhe të vendosur për ta bërë.

***

Në fund fare pak, shumë pak gjëra, duke pasur parasysh çfarë u tha nga pjesa tjetër që unë nuk e dëgjova në kohë reale, për sa i përket asaj që u tha për harmonizimin e legjislacionit, keni parasysh që ne kemi një model shumë efikas për AI për harmonizimin e legjislacionit tonë me legjislacionin e BE, e përmendi dhe Linda në hyrje të takimit dhe nëse është nevoja mund të përdoret pa asnjë problem. Përsa i përket çështjes së ndërveprimit, ajo që ne na takon, është të strukturojmë si duhet një proces kanalizimi të të gjithë nevojave të dyanshme në mënyrë që të mos ketë barrierë midis shtetit dhe sektorit në kuptimin e aksesit në institucione dhe të aksesit në proceset e institucioneve sepse përndryshe kjo nuk është e mundur dhe për këtë duhet që të kalojmë në një nivel tjetër Agjencinë e Inovacionit dhe të Ekselencës, ku të gjitha ato nuklet që janë krijuar për çdo sektor, të kthehen nga nukle të mbyllura në nukle të hapura dhe të jenë të gatshme që të integrojnë sipas nevojës në kohë, të gjithë ata nga sektori që duan të hyjnë dhe të punojnë me proceset e asaj fushe të caktuar dhe këtu besoj që kemi dakordësi të plotë.

Ajo që mbeti pa u thënë me sa unë pashë, është që ne kemi edhe një ambicie tjetër, që deri në fund të kësaj dekade, Shqipëria të jetë “cashless”, pra që i gjithë ndërveprimi dhe të gjitha transaksionet financiare të jenë digjitale. Për këtë na duhet sforco e madhe, na duhet goxha sensibilizim, teknologjia nuk mungon, ka nevojë për të tu “upskill”-ur, por nuk mungon dhe besoj që nëse do të dimë ta bëjmë si duhet vizatimin e rrugës që do të ecim, kjo është plotësisht e realizueshme dhe do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme.

Dhe e fundit që kam, është që do t’ju lutesha shumë që në atë dokumentin që do përgatisni të jeni sa më të lirë dhe sa më kreativë, pra nuk do vendosur limit. Në fund të ditës ja ku na keni ne për t’i vënë kufijtë, për të thënë ‘’kjo s’bëhet; këtë s’na lë ky, këtë s’na lë ai; këtu Europa, këtu Kombet e Bashkuara”, etj, por është shumë e rëndësishme që ju të shkrini gjithë telat e fantazisë tuaj duke patur parasysh natyrisht dhe eksperienca të cilat i keni njohur në ndërveprimet  tuaja me botën jashtë, duke pasur parasysh dhe çfarë mund të bëni në pikëpamje të “research”-it në tema të caktuara edhe pastaj ne do ulemi, do diskutojmë bashkërisht dhe do jemi  shumë të drejtpërdrejtë për t’ju thënë; “këtu mund të ecim me këtë shpejtësi, këtu duhet të jemi realistë që nuk ecim dot për momentin e kështu me radhë”, por ama ta kemi një program ambicioz për  Shqipërinë 2030 në aspektin e AI sepse siç ramë të gjithë dakord, aty është edhe si të thuash “goli” në këtë lojë.

Shumë, shumë faleminderit. Më vjen shumë mirë që biseda ishte goxha intensive dhe e larmishme. Besoj që u shkrinë të gjithë akujt, besoj që tani portalet e humbën influencën kështu që ndihuni plotësisht të lirë që edhe në këtë periudhë të na drejtoheni me çfarëdolloj nevoje dhe shqetësimi ndërkohë që siç e thashë, të paktën tre evenimente i kemi në plan.

Evenimentin me  ndërtuesit e infrastrukturave të mikpritjes, hoteleve, rezorte për të prezantuar qasjen komplet të re lidhur me financimin e tyre;

Me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë për të diskutuar si duhet lidhur me zbatimin si duhet të ligjit;

Me start up-et e arkitekturës që shpresoj të jemi në gjendje të organizojmë një event ndërkombëtar në Tiranë.

E patjetër që qershia mbi tortë është që deri në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit, të mund të firmosim marrëveshjen kuadër me qeverinë për bashkëpunimin mes nesh.

Nuk besoj se u harrua ndonjë gjë, por edhe nëse u harrua, dikush me siguri e mban mend dhe do na e kujtojë.

Për çdo gjë tjetër, ju lutem, nëpërmjet “kandidatit për president nderi të shoqatës” mund të më çoni fjalë.

Faleminderit!

The post Rama: Në shtator, start up-et e shqiptarëve do të ndryshojnë botën e arkitekturës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Bankat, prapambetjeje të pajustifikuar ndaj zhvillimeve digjitale

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot përpjekjet e sektorit të inovacionit në Shqipëri si një model frymëzues për të gjithë sektorin privat, sidomos në raport me përgatitjen për integrimin në Bashkimin Europian dhe shfrytëzimin e fondeve të tij.

Gjatë një takimi në Berat me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe startup-eve shqiptare, Rama vuri theksin mbi nevojën për një ndërveprim më të ngushtë mes këtij sektori dhe institucioneve financiare, duke kritikuar qëndrimin e bankave të nivelit të dytë, të cilat sipas tij, po tregojnë një prapambetje të pajustifikuar ndaj zhvillimeve digjitale dhe progresit që kërkohet.

“Ka qenë shumë impresionuese të njihesha me disa prej jush në aspektin e aktivitetit aktual, gjëra shumë interesante dhe si rrjedhojë kanë prodhuar një sërë eventesh të tjera që ne do të realizojmë, qoftë për të prezantuar inovacionet tuaja me sektorin e investitorëve, në sektorin e investimeve në ndërtim, në turizëm, qoftë për të pasur një ballafaqim me bankat e nivelit të dytë dhe me Bankën e Shqipërisë për të përcjellë mesazhin tek bankat që janë në kushtet e një prapambetjeje që po e kërcënon progresin e sektorit dhe për më tepër një prapambetje tërësisht e pajustifikuar po të kemi parasysh se tanimë gjithë legjislacioni i nevojshëm është i miratuar. Të gjitha instrumentet nga ana e sektorit janë në dispozicion dhe këmbëngulja e bankave për të mos lëvizur me të njëjtin ritëm jo vetëm dëmton sektorin, por dëmton në tërësi interesat e shoqërisë duke penguar lehtësimin e mëtejshëm të gjitha ndërveprimeve që lidhen me transaksionet financiare”, deklaroi Rama.

/a.f/

The post Rama: Bankat, prapambetjeje të pajustifikuar ndaj zhvillimeve digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dredha: Angazhim qytetar për pastërtinë dhe rregullin në qytet

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka bërë sot një thirrje publike për të gjithë qytetarët dhe vizitorët, duke theksuar se Vlora është një qytet që u përket të gjithëve dhe kërkon angazhim të përbashkët për ta mbajtur të pastër dhe të rregullt.

Në një reagim publik, Dredha apeloi për ndërgjegjësim qytetar për çështje të tilla si hedhja e mbeturinave jashtë orarit të përcaktuar, parkimet e paligjshme dhe mungesa e kujdesit ndaj hapësirave publike.

“Rregulli, pastërtia dhe qarkullimi nuk janë privilegj, janë detyrim kolektiv dhe kulturë urbane. Për këtë nevojitet edukim dhe disiplinë qytetare, jo thjesht ndëshkim,” u shpreh ai.

Sipas tij, Bashkia do të përcaktojë orare të qarta për hedhjen dhe grumbullimin e mbetjeve, duke i bërë ato publike dhe të detyrueshme për t’u respektuar nga qytetarët, bizneset dhe shërbimet përkatëse.

“Kjo është një thirrje për reflektim dhe bashkëpunim, që të gjithë të japin kontributin e tyre me propozime konkrete në dëgjesa publike dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve,” përfundoi Dredha.

Ai shtoi se qyteti do të jetë ashtu siç sillemi me të, duke e konsideruar Vlorën si shtëpinë e përbashkët të të gjithëve.

/a.f/

The post Dredha: Angazhim qytetar për pastërtinë dhe rregullin në qytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ministrin për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me komunitetin e inovatorëve

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zgjedhja e ministrit të Shtetit për Inteligjencën Artificiale do të bëhet me pjesëmarrjen e komunitetit të inovatorëve dhe start up-eve.

“Ministrin e Shtetit për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj, nëse do arrini dot të krijoni një model të Inteligjencës Artificiale që të zgjedhë ministrin, do të jetë hapi i parë drejtë momentit historik, kur Shqipëria do jetë e para që të ketë qeverinë të tërën me ministra dhe me kryeministër AI”, deklaroi Rama, gjatë takimit në Berat me aktorë të sektorit të teknologjisë dhe inovacionit.

Ai shtoi se në atë moment, qeverisja do t’i kalonte tërësisht inteligjencës artificiale, ndërsa njerëzit do të mund të diskutonin për politikën pa pasur mundësinë të marrin vendime.

/a.f//r.e/

The post Rama: Ministrin për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me komunitetin e inovatorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon restaurimi i Kalasë së Bashtovës me mbështetjen e BE

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi sot përfundimin e punimeve për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Bashtovës, një prej monumenteve historike më të rëndësishme të Shqipërisë.

E ndërtuar fillimisht në shekullin e 15-të nga venedikasit për të kontrolluar bregdetin dhe tregtinë e grurit, Kalaja e Bashtovës është ruajtur dhe restauruar përmes ndërhyrjeve të thella që kanë pasur për qëllim mbrojtjen e strukturës, nxjerrjen në pah të elementeve historike dhe përgatitjen e saj për përdorim të qëndrueshëm në të ardhmen.

Punimet përfshinë restaurimin e mureve dhe kullave të kalasë, përmirësimin e aksesit dhe elementëve të sigurisë, kërkime të detajuara arkeologjike, zhvillimin e një sistemi interpretimi interaktiv multimedial si dhe ndërtimin e një qendre për vizitorët.

Ky projekt u realizua në kuadër të programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga UNOPS, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Zyra e BE-së fton qytetarët dhe vizitorët të ndjekin informacione të mëtejshme mbi këtë sit kulturor të rëndësishëm.

Kalaja e Bashtovës
1 nga 5

/a.f//r.e/

The post Përfundon restaurimi i Kalasë së Bashtovës me mbështetjen e BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Partizani eliminohet në turin e parë të Conference League

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Partizani është eliminuar në turin e parë të UEFA Conference League, pas humbjes 0-1 ndaj skuadrës estoneze Nomme Kalju në “Air Albania”.

Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, takimi në Tiranë zgjati 120 minuta. Koha e rregullt u mbyll pa gola, ndërsa në shtesë Ivanov realizoi për miqtë, duke i dhënë kualifikimin Nomme Kalju-s.

Partizani humbi edhe një mundësi të artë për të kaluar në avantazh, pasi në minutën e 78-të Skuka gaboi nga pika e penalltisë.

/a.f//r.e/

The post Partizani eliminohet në turin e parë të Conference League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeu Historik Kombëtar, bisedë historike mbi misionet fetare në trojet shqiptare

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Në ambientet e bibliotekës “Sotir Kolea” në Tiranë, Muzeu Historik Kombëtar zhvilloi sot një aktivitet me vlerë historike dhe kulturore, në kuadër të ciklit të bisedave me ekspertë të albanologjisë.

I ftuar në këtë veprimtari ishte studiuesi Mark Palnikaj, i cili ndau me publikun të dhëna të rëndësishme nga relacionet e Fra Giacinto da Sospello, një dorëshkrim i vitit 1652, që ruhet në Bibliotekën e Bashkisë së Fermos në Itali. Dokumenti përshkruan 16 misione fetare të zhvilluara ndër vite në trojet shqiptare dhe përmban fakte të vyera historike e sociale për Shqipërinë e shekullit XVII.

Me këtë aktivitet, Muzeu Historik Kombëtar vijon misionin për promovimin e historisë kombëtare, duke sjellë në vëmendje dokumente, figura dhe ngjarje që dëshmojnë për identitetin dhe trashëgiminë shqiptare.

/a.f//r.e/

The post Muzeu Historik Kombëtar, bisedë historike mbi misionet fetare në trojet shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në fundjavë, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët


PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më njëzetegjashtë korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.

Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit.

Osmani, në konferencë për media të enjten, renditi një varg pyetjesh që sipas saj kërkojnë sqarime kushtetuese nga Kushtetuesja për atë që ndodh pas datës njëzetegjashtë korrik.

Kuvendi i Kosovës edhe pas më shumë se pesë muaj nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, nuk po arrin të zgjedhë trupat e legjislativit, çka pastaj do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re.

Gjykata Kushtetuese, në fund të muajit qershor, ka dalë me një aktgjykim ku i obligon deputetët ta konstituojnë Kuvendin deri më njëzetegjashtë korrik. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ndërsa kanë mbetur më pak se dhjetë ditë nga ky afat, nuk po arrihet pajtim për zgjedhjen e kryekuvendarit dhe trupave të tjerë të legjislativit.

Osmani tha se janë duke përgatitur lëndën për Kushtetuese, dhe paralajmëroi se nëse edhe gjatë këtij vikendit nuk ka formim të institucioneve, në fillim të javës ajo do ta dërgojë çështjen për interpretim.

Duke folur për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ku theksohet se një deputet i certifikuar nuk mund të ushtrojë poste ekzekutive, Osmani u shpreh më e rezervuar. Ajo tha se palët e pakënaqura mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

/Kosovapress/

The post Osmani: Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në fundjavë, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërhyrjet në pavarësinë e gjyqësorit, EULEX mbështet Supremen

PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, me të cilin ka diskutuar lidhur me gjendjen e fundit në vend, të krijuar si pasojë e përpjekjeve për ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit nga pushteti ekzekutiv.

Sipas njoftimit, kryetari Rexhepi theksoi vendosmërinë e Gjykatës që drejton dhe të gjithë sistemit të drejtësisë, për të vazhduar punën, pavarësisht sulmeve e tendencave nga Qeveria në detyrë për të dëmtuar imazhin e gjyqësorit dhe për të penguar funksionimin e pavarur të saj, duke shtuar se institucionet shtetërore janë të obliguara të zbatojnë vendimet gjyqësore, si kusht për funksionimin e shtetit ligjor.

Ndërkaq shefin i EULEX-it, Pietro Barbano, duke dënuar sulmet e fundit, potencoi se e mbështesin fuqishëm Gjykatën Supreme derisa sulmet e Qeverisë në detyrë i cilësoi të papranueshme. Sipas tij, etiketimi dhe atakimi i gjyqtarëve me emra, duke i vendosur ata në rrezik nga ndonjë sulm i mundshëm, është i pa-tolerueshëm dhe i papranueshëm.

Takimi i kryetarit Rexhepi me shefin e EULEX Pietro Barbano dhe ekipin e tij, u  zhvillua meqë ndaj Gjykatës Supreme, në dy ditët e fundit pati një varg reagimesh nga Qeveria në detyrë, pasi kjo gjykatë, përmes aktgjykimit P.A.nr.09/2025, shfuqizoi Udhëzimin Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.

/Kosovapress/

The post Ndërhyrjet në pavarësinë e gjyqësorit, EULEX mbështet Supremen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Serbia ka tendenca destabilizuese ndaj Kosovës


PRISHTINË, 17 korrik/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se në muajin maj kanë marrë informacion që Serbia ka tendenca destabilizuese ndaj Kosovës.

“Në fund të muajit maj kemi marrë informata specifike. Gënjeshtrat e Serbisë janë pjesë e propagandës së tyre të vazhdueshme. I siguroj qytetarët që nuk ka nevojë për panik. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka nën kontroll”, tha ajo.

Osmani tha se qytetarët janë informuar për këto tendenca, teksa përmendi edhe deklarimet e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, raporton KosovaPress.

Në konferencë për media, presidentja Osmani deklaroi se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur takime jashtëzakonisht të rëndësishme. Ajo tha para mediave se në këto takime u konfirmua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin Kosovën si aleat strategjik.

/KosovaPress/

The post Osmani: Serbia ka tendenca destabilizuese ndaj Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Gjimnazi “Dhaskal Todhri” do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur sot se gjimnazi “Dhaskal Todhri” në Elbasan do t’i nënshtrohet së shpejti një rikonstruksioni të plotë, duke sjellë standarde më të mira infrastrukturore për nxënësit dhe mësuesit.

Gjatë një takimi me mësuesit e kësaj shkolle, Manastirliu theksoi se investimi në arsimin cilësor mbetet prioritet, ndërsa nënvizoi se janë duke u ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur më tej mësuesit.

“Me mësuesit e shkollës ‘Dhaskal Todhri’ në Elbasan ndamë lajmin e mirë se ky gjimnaz shumë shpejt do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, ndërsa diskutuam për hapat që po hedhim për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe për të mbështetur më shumë mësuesit tanë, që janë shtylla e sistemit arsimor”, shkruan ministrja Manastirliu në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje dhe të projektit për rikonstruksionin e gjimnazit “Dhaskal Todhri”.

Ky investim vjen si pjesë e programit të qeverisë për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e procesit mësimor.

1 nga 5

/a.f//r.e/

The post Manastirliu: Gjimnazi “Dhaskal Todhri” do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova rikthehet me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se rikthimi i Kosovës në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR) është një sukses i madh dhe dëshmi e angazhimit për të rritur cilësinë e arsimit të lartë dhe për ta përafruar atë me standardet evropiane.

“Vendi ynë ka qenë edhe më herët anëtar i këtij organizmi, por në vitin 2018 e patëm humbur anëtarësinë për shkak të ndërhyrjeve politike të qeverisë së atëhershme të PAN-it në strukturën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA)”, tha Kurti.

Ai nënvizoi se qeveria e tij, përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që prej vitit 2021 ka mbështetur Agjencinë e Kosovës për Akreditim, duke i krijuar kushtet për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe autonome, me profesionalizëm dhe përkushtim.

“Tashmë jo vetëm që u rikthyem anëtarë, por edhe me të drejta të plota, duke qenë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor me këtë status”, theksoi Kurti, duke shtuar se kjo sjell mundësi të reja për universitetet dhe studentët kosovarë për të pasur qasje të plotë në programet e BE-së, përfshirë mobilitetin, bursat dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

/a.f/

The post Kosova rikthehet me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OVL-UÇK: Vendimi i Speciales, zhgënjyes dhe shqetësues për drejtësinë

PRISHTINË, 16 korrik/ATSH/ Organizata e Veteranëve të Luftës ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë për të refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

“OVL, SHIL, dhe SHFD kanë ndjekur me vëmendje rrëzimin e mocionit të paraqitur nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara. Ky vendim është zhgënjyes dhe ngjall shqetësime serioze për drejtësinë dhe paanshmërinë që kjo gjykatë pretendon ta përfaqësojë”, thuhet në reagim.

Sipas OVL-UÇK rrëzimi i mocionit është mesazh negativ për drejtësinë.

Përmes një postimi në Facebook, Organizata e Veteranëve të Luftës ka bërë thirrje për opinionin publik dhe komunitetin ndërkombëtar që të mos bien pre e narratives së shtrembëruar.

“I bëjmë thirrje opinionit publik dhe komunitetit ndërkombëtar që të mos bien pre e një narrative të shtrembëruar. Kjo gjykatë po rrezikon të shndërrohet në mjet për rishkrim të historisë, e jo në garanci të drejtësisë. Në emër të të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, do të qëndrojmë gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe të drejtave të bashkëluftëtarëve tanë”, thuhet ndër të tjerash në reagim.

Specialja rrëzon mocionin e mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

/Kosovapress/

The post OVL-UÇK: Vendimi i Speciales, zhgënjyes dhe shqetësues për drejtësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA vendos trajnim 1-vjeçar për prokuroren Elona Alvora


TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) shpalli sot vendimin për çështjen nr. 39/2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, lidhur me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.

Trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo anëtarë, vendosi në mënyrë unanime ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 538, datë 7 qershor 2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.

Në përfundim të gjykimit, KPA vendosi pezullimin nga detyra të Elona Alvorës për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin e saj për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Ky vendim ka efekt të menjëhershëm dhe u shpall sot, më 16 korrik 2025, në Tiranë.

/a.f/

The post KPA vendos trajnim 1-vjeçar për prokuroren Elona Alvora appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirohet një hapësirë publike në Durrës, arrestohet 42-vjeçari

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Vijojnë kontrollet intensive në terren për evidentimin e ndërtimeve të paligjshme dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, në qytetin e Durrësit.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), gjatë kontrolleve të zhvilluara në Lagjen nr. 4, konstatuan një objekt prej druri që po ndërtohej pa lejen përkatëse, në një pronë publike.

Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. B., 42 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, kryer për qëllime fitimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Durrësit liron hapësirat publike
1 nga 3

/a.f//r.e/

The post Lirohet një hapësirë publike në Durrës, arrestohet 42-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot – Temperaturat deri në 36°C

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e mërkurë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme, sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Moti do të jetë i kthjellët, me alternime vranësirash të mesme dhe të larta, të cilat do të jenë më të dukshme kryesisht mbi relievet malore.

Era do të fryjë nga drejtimi veriperëndim–verilindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era pritet të arrijë hera-herës shpejtësi deri në 14 m/s, duke sjellë valëzim në det të forcës 1-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 20/36 Diell pak re
Kukës 19/34 Diell re
Lezhë 20/36 Diell
Dibër 17/32 Diell re
Durrës 20/35 Diell
Tiranë 22/36 Diell pak re
Elbasan 22/36 Diell pak re
Berat 17/35 Diell pak re
Vlorë 21/34 Diell
Korçë 18/32 Diell
Gjirokastër 17/36 Diell re
Sarandë 20/34 Diell re

 

/a.f/

The post Moti sot – Temperaturat deri në 36°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Egnatia” eliminohet nga Liga e Kampionëve

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ “Egnatia” ka përfunduar udhëtimin në Ligën e kampionëve. Skuadra kampione e Shqipërisë është mundur me rezultatin 5-0 në Islandë kundër
“Breidablik”.

Edhe pse ndeshja e parë u fitua nga “Egnatia” me rezultatin 1-0, në sfidën e kthimit, të besuarit e trajnerit Edlir Tetova pësuan pesë gola dhe shfaqën brishtësi të mëdha përballë një kundërshtari që tronditi katër herë portën e rrogozhinasve në 38 minuta lojë.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e katër golave nga vendasit, ndërsa në të dytën ata realizuan dhe të pestin, ndërsa Egnatia nuk ia doli dot të shënonte golin e nderit.
Kështu Kampionët e Shqipërisë e mbyllin që në turin e parë aventurën e tyre në Champions, teksa do të kalojnë në kualifikueset e Conference League, aty ku do të ndeshet me skuadrën humbëse nga dueli Dinamo Minsk – Ludogorets.
/r.e/

The post “Egnatia” eliminohet nga Liga e Kampionëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Koçiu vlerëson bizneset e Njësisë 11 për bashkëpunimin

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, njëherazi deputete e zgjedhur në qarkun Tiranë, vlerësoi sot bizneset e Njësisë Administrative nr. 11 që po bashkëpunojnë vullnetarisht në lirimin e hapësirave publike.

“Sinqerisht mirënjohje për të gjitha bizneset që po bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për komunitetin, duke liruar hapësirat publike dhe kontribuar për një mjedis më të mirë për të gjithë”, u shpreh Koçiu.

Ministrja gjithashtu vlerësoi punën e palodhur të strukturave të Bashkisë së Tiranës dhe të taskforcës së ngritur për zbatimin në terren të këtij aksioni, që ka për qëllim rikthimin e hapësirave të përbashkëta në funksion të qytetarëve.

/a.f//r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Koçiu vlerëson bizneset e Njësisë 11 për bashkëpunimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌