Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

28-29 Nëntori/ Gazetarët tregojnë si festuan komunitetet shqiptare në Greqi dhe Turqi

By: lia rda
29 November 2024 at 18:25

Gazetari Edmond Guri ka treguar në një lidhje me Skype për “Tirana Live” se si kanë festuar festat e Nëntorit, shqiptarët në Greqi. Ai ka theksuar se këtë vit u vu re që të rinjtë kanë një ndjesi ndryshe, duke u shkëputur nga ai i mentaliteti i rëndomtë i krijuar prej kohësh.

“Shqiptarët në Greqi edhe pse nuk është se ka marrë vëmendjen e duhur, ka një organizim të mirëfilltë në shoqata apo në komunitetet e ndryshme ku ata jetojnë. Vitet e fundit ka një ndryshim të mënyrës së organizimit. Ajo që mund të themi është që rinia, brezi i dytë, ka një ndjesi ndryshe. Ndoshta fakti që ata posedojnë pasaportën greke dhe kjo i jep një mundësi më të madhe lirie. Shoqëria vendase është më e hapur, duke u shkëputur nga ai mentalitet i rëndomtë apo i dobët politik që ka rënduar mbi atë termin ‘shqiptar’”, tha Guri.

Ndërsa, gazetari Sokol Brahaj tha ‘live’ nga Turqia, se shqiptarët atje kanë organizuar evente të shumta në disa qytete të vendit.

“Ne shqiptarët e Greqisë e kemi pasur lirinë vazhdimisht, nuk kemi pasur pengesa ligjore. Shqiptarët e Turqisë festojnë këtu në shumë qytete nga metropolet e mëdha te shumë të voglat. Ne kemi filluar që 10 ditë më parë të festojmë në disa qytete të Turqisë, sepse Turqia është shumë e madhe dhe nuk mund ti mbledhim dot të gjithë në një vend”, u shpreh ai./abcnews.al

Festat e nëntorit, mbizotërojnë udhëtimet jashtë, shqiptarët zgjedhin Europën

29 November 2024 at 15:46

Pushimet zyrtare për festat e 28-29 Nëntorit, shqiptarët kanë vendosur ti festojë jashtë trojeve shqipfolëse. Shumë familje kanë zgjedhur që katër ditët që kanë pushim, ti kalojë në shtetet fqinje. Kërkesë kjo që nga viti në vit po shënon rritje.

“Shqiptarët kanë zgjedhur të ikin në Europë dhe Stambolli nuk ngelet pas. Pjesa e Italisë ka pasur shumë kërkesa, Roma, Firence…. Ka pasur kërkesa gjithandej, shkojnë në destiancionet që nuk kanë shkuar më parë. Pjesa dërrmuese janë familjarë, duke qënë se dhe shkollat janë pushim…. pas verës është festa që dalin më shumë shqiptarët”, thotë agjentja turistike Fjorinda Zani.

Çmimet kanë ardhur në rritje nga një vit më parë, por kjo gjë nuk ka ndikuar, pasi rezervimet janë shtuar.

“Ka pasur paketa, 250 euro, përfshirë akomodim, fluturim dhe mengjes. Ditët e fundit ka shkuar 400 euro bileta. Një pjesë e mirë kanë zgjedhur të udhëtojnë me grupe, si në Barcelonë. Kemi pasur 20% më shumë se vjet.  Ka pasur një rritje 10-15%, për paketat fikse në grup, nuk kaa ndikuar në rezervime”, thotë agjentja turistike Fjorinda Zani..

Paketat me çmime të përballueshme, duke hequr shpenzimet hotelit dhe një vakt, është një faktor kyç, që shqiptarët të planifikojnë të kryejnë udhëtime përtej trojeve, gjatë festave të Nëntorit. Ndërkohë janë shqiptarët e Kosovës ata që vijojnë të jenë besnikë të festave, duke pasur qoftë dhe vizita dyditore.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Festat e nëntorit, mbizotërojnë udhëtimet jashtë, shqiptarët zgjedhin Europën appeared first on Euronews Albania.

Vengu: Efektivët e Forcës Tokësore mesazhe urimi për Festat e Nëntorit

29 November 2024 at 13:03

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka ndarë sot disa mesazhe urimi nga efektivët e Forcës Tokësore me rastin e Festave të Nëntorit dhe 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

“Sot është një ditë krenarie për gjithë shqiptarët, kujtojmë sakrificën dhe luftën për liri. Një trashëgimi që brezat e rinj duhet ta mbrojnë dhe respektojnë”, thotë një nga efektivët në urimin e tij.

“29 Nëntori përfaqëson jo vetëm çlirimin, por edhe frymën e bashkëpunimit dhe vendosmërisë. Ne jemi këtu për të shërbyer me përkushtim dhe krenari ndaj kombit”, shprehet një tjetër efektiv i Forcave Tokësore me rastin e Festave të Nëntorit.

Ndërsa një ushtarake e Forcës Tokësore shprehet se “për mua është nder i madh të jem pjesë e Forcave Tokësore. Ne jemi këtu për të mbrojtur atë që të parët e ruajtën me krenari dhe gjak”.

/r.e/

The post Vengu: Efektivët e Forcës Tokësore mesazhe urimi për Festat e Nëntorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Efektivët e Forcës Tokësore të dislokuar në Bullgari dhe Kosovë uruan festat e nëntorit

28 November 2024 at 18:55

TIRANË 28 nëntor /ATSH/ Efektivët e Forcës Tokësore, të dislokuar në misionet paqeruajtëse në Bullgari dhe në Kosovë kanë dërguar urimet më të përzemërta për festat e nëntorit.

“Nga zemra e misioneve paqeruajtëse, efektivët e Forcës Tokësore, të dislokuar në Bullgari dhe në Kosovë, dërgojnë urimet më të përzemërta për festat e nëntorit. Me krenarinë e simbolit kuqezi dhe përkushtimin për paqen, ata mbajnë lart vlerat dhe sakrificat që na dhanë lirinë plot 112 vite më parë”, thekson Ministria e Mbrojtjes.

Major Fatos Xhafka me detyrë në shtabin e KFOR-it në Prishtinë ka uruar Festën e Pavarësisë dhe Festën e CClirimit.

Efektivët në Pejë uruan gjithashtu festat e nëntorit.

“Të dashur bahskëkombës, në ëktë datë që simbolizon sakrificat, gjakun dhe përkushtimin e brezave të tërë, që dhanë gjithçka për Atdheun dhe lirinë sot ne jo vetëm festojmë, por dhe reflektojmë mbi përgjegjësitë tona për të  mbajtur këtë flamur krenarë dhe për të çuar përpara trashëgiminë që na lanë paraardhësit tanë”, u shpreh një tjetër efektiv në Pejë.

/a.f/

The post Efektivët e Forcës Tokësore të dislokuar në Bullgari dhe Kosovë uruan festat e nëntorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e Nëntorit, shqiptarët zgjedhin më shumë Turqinë

By: redi
28 November 2024 at 16:23

28 dhe 29 Nëntori janë Festa Kombëtare, por edhe këtë vit, një numër i konsiderueshëm shqiptarësh kanë zgjedhur t’i kalojnë jashtë vendit, një kërkesë që rritet çdo vit. Një ndër arsyet kryesore që nxit këtë tendencë janë paketat e leverdishme por dhe mundësia e disa ditëve pushim, që i lejon shqiptarët të planifikojnë përtej trojeve. Me paketa që arrijnë deri në 500 euro shqiptarët i kanë kryer…

Source

“Një komb, një flamur”, Dua Lipa uron shqiptarët me vargjet e himnit kombëtar

By: lia rda
28 November 2024 at 11:01

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa nuk ka nguruar as këtë vit të urojë shqiptarët.

Ajo ka në Ditën e Flamurit, ka postuar në InstaStory një imazh të shqiponjës dy krenare dhe vargjet e Himnit Kombëtar. Në këtë mënyrë, Dua ka uruar të gjithë shqiptarët për pavarësinë.

Kujtojmë që Dua Lipa gjithmonë ka qene një artiste që e ka pranuar hapur origjinën e saj, madje në shumë intervista ka ndarë detaje nga traditat tona dhe gjuha shqipe./abcnews.al

112-vjetori i Pavarësisë/ Presidenti Begaj uron shqiptarët nga sheshi historik i Vlorës

By: lia rda
28 November 2024 at 10:52

Presidenti Bajram Begaj ka uruar 112-vjetorin e Pavarësisë nga sheshi historik i Vlorës. Ai ka ftuar shqiptarët kudo ku janë të kenë vetëdijen e vendosmërisë, bukurisë, sacrifices dhe të çojnë përpara arritjet e Shqipërisë.

Postimi i plotë:

Gëzuar festën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit!

Nga sheshi historik i Vlorës, simboli i arritjes madhështore të 28 Nëntorit 1912, i vlerave që çmojmë, bashkimit të vullneteve në emër të Shqipërisë e për të ardhmen e saj, ju uroj gëzuar!

Kudo ku janë bashkëatdhetarët tanë, i ftoj nga Vlora e Pavarësisë që, në çdo angazhim që kanë e iniciativë që ndërmarrin, të kenë vetëdijen e vendosmërisë, bukurisë, sakrificës, e të çojnë përpara arritjet e Shqipërisë e kombit shqiptar!

/abcnews.al

Elbasani dhe Durrësi në festë: Aktivitetet e nëntorit dhe magjia e fundvitit ndezin qytetet

28 November 2024 at 07:45

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Elbasani ka nisur festimet që për 80-vjetorin e Çlirimit të qytetit, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Gledian Llatja.

Gjatë këtij muaji, qyteti do të mbushet me aktivitete, koncerte dhe ngjyra festive që do të zgjasin deri në fund të vitit. Zëdhënësja e këtij institucioni, Miranda Sadiku thotë për ATSH se atmosfera festive e ka përshkruar qytetin me simbolet kuqezi, duke krijuar një atmosferë ngazëlluese për të gjithë qytetarët.

28 Nëntori, Dita e Pavarësisë, do të jetë kulmi i festimeve, ku do të zhvillohen aktivitete speciale për fëmijët e kopshteve dhe shkollave të Elbasanit. Shumë nga ta do të performojnë në koncertet që do të organizohen në teatrin “Skampa” dhe Qendrën e Artit. Qendra e Artit, me koncerte dhe aktivitete për fëmijët, do të shërbejë si një pikë e veçantë e këtyre festimeve. Fëmijët, në këto aktivitete, do të ndajnë me qytetarët emocionet e tyre, duke kontribuar në atmosferën festive që do të mbizotërojë në qytet.

Përveç aktiviteteve edukative dhe kulturore, qyteti do të shndërrohet në një oaz dritash shumëngjyrëshe, simbol i pritjes së Vitit të Ri. Dritat e pemës së madhe që simbolizon festat e fundvitit  në qytet do të ndizen më 6 dhjetor, duke i dhënë Elbasanit një pamje të mrekullueshme dhe një atmosferë magjike. Pjesë e këtyre festimeve do të jenë gjithashtu  lodrat dhe shtëpiza të improvizuara pranë portës së kalasë, ku qytetarët do të mund të shijojnë aktivitete dhe produkte festive.

Në vazhdim të festimeve, koncertet festive do të vijojnë me aktivitete të ndryshme, për të kaluar një fundvit të paharrueshëm. Mbrëmjet Gala, si një traditë e qytetit, do të përmbyllin festimet, duke sjellë një atmosferë festive për të gjithë qytetarët dhe mysafirët e Elbasanit.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, theksoi se “festimet për këtë vit janë më të shumta dhe më të larmishme. Po krijojmë një atmosferë të ngrohtë, të gëzueshme dhe plot shpresë për të gjithë qytetarët, ku secili do të mund të shijojë aktivitete të veçanta dhe të kontribuojë në ruajtjen e traditave tona”.

Njëherësh, qyteti i Durrësit ka rezervuar një seri aktivitetesh në kuadrin e festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit. Zëdhënësi i kësaj bashkie, Dorian Agolli thotë për ATSH se për kalendarin e këtyre ngjarjeve artistike është punuar prej kohësh, nga ideimi te projektimi dhe materializimi i secilit syresh prej tyre, ndërkohë që qëllimi është që të aktivitetet të jenë sa më gjithëpërfshirëse për të gjitha grupmoshat. Nga mbrëmë, në Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” në Durrës në orën 19:00 të pasdites nis koncerti festiv në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, që quhet “Këngët e vendit tim”. Me pjesëmarrje të gjerë të këngëtarëve dhe artistëve të njohur të këtij qyteti. Në javën e parë të dhjetorit, pra në datat 6-7-8 dhjetor në po të njëjtën qendër kulturore është parashikuar të jepet për publikun shfaqja “Anonimi i Venedikut”. Vepra trajton historinë e një çifti të divorcuar që ritakohen pas tetë vjetësh dhe bëjnë një udhëtim  në Venecia, duke rikujtuar kohët e kaluara ku zihen si gjithmonë, dashurohen si gjithmonë, por është personazhi kryesor i veprës, burri ai që e ka kërkuar këtë takim, sepse është duke vdekur.

Në datat 17-18-19 dhjetor, bashkia Durrës organizon Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë “Tingujt e Adriatikut”, me një repertor të pasur këngësh për festat, ndërkohë që do të jenë të ftuar edhe personazhe të njohura të sferës publike. Këto ditë pritet të ndizen edhe dritat e pemës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri në qendër të qytetit të Durrësit.

/r.e/a.f/

The post Elbasani dhe Durrësi në festë: Aktivitetet e nëntorit dhe magjia e fundvitit ndezin qytetet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festat e Nëntorit, flamuri shqiptar ngrihet në Nju Jork

27 November 2024 at 22:45

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Flamuri shqiptar është ngritur në Nju York me rastin e festave të Nëntorit.

I pranishëm në ceremoni ishte ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ervin Bushati dhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams.

“Ngritja e flamurit me Eric Adams, kryetarin e Bashkisë së NYC, Wall Street, në mes të ‘kryeqytetit’ të botës”, shkruan Bushati në një postim në rrjetet sociale.

Ai theksoi se, “festat e Nëntorit janë një moment krenarie për çdo shqiptar, duke na kujtuar historinë dhe sakrificat tona për liri”.

“Në këtë frymë, festuam bashkë me komunitetin shqiptar në SHBA dhe me personalitete si Imam Tahir Kukaj, Mark Gjonaj, Emina Çunmulaj, Fadil Berisha dhe Suela Janina, të cilët janë ambasadorë të shkëlqyer të kombit tonë”, u shpreh Bushati.

Ambasadori nënvizoi se, “shqiptarët vazhdojnë të lartësojnë emrin dhe trashëgiminë tonë kombëtare, duke na bërë krenar kudo ku ndodhen”. /j.p/

The post Festat e Nëntorit, flamuri shqiptar ngrihet në Nju Jork appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga Shqipëria në Europë: Si po shfrytëzojnë shqiptarët fundjavën e gjatë të Nëntorit?

27 November 2024 at 23:01

Pushimet e 28-29 Nëntorit, të cilat ofrojnë një fundjavë të zgjatur prej katër ditësh, janë shndërruar në një mundësi ideale për shqiptarët që të udhëtojnë brenda dhe jashtë vendit.

Kërkesat për udhëtime kanë qenë të fokusuara kryesisht në disa destinacione europiane dhe rajonale, me destinacionet që variojnë nga qytete historike deri te ato me atraksione moderne.

Po ku janë përqëndruar kërkesat e shqiptarëve këtë vit?

Sipas komunikimit me disa nga agjencitë kryesore turistike në vend, ATHS Travel, Union Travel, Kalemi Travel dhe Arlo Travel, destinacionet më të kërkuara këtë vit kanë qenë:

Budapesti: Një nga destinacionet më të përballueshme dhe të popullarizuara për shkak të lidhjeve të favorshme me linja ajrore si Wizz Air. Fluturimet vajtje-ardhje mund të kapen për çmime relativisht të ulëta, sidomos nëse rezervohen paraprakisht

Praga dhe Vjena: Këto qytete historike europiane janë ndër të preferuarat. Gjatë këtij sezoni, kanë edhe tregjet më të bukura të Krishtlindjeve, që u shtohet si atraksion. Megjithatë, çmimet për këto destinacione janë rritur ndjeshëm për datat festive për shkak të kërkesës së lartë.

Stambolli: Për shqiptarët që kërkojnë një përvojë ndryshe dhe të përballueshme, Stambolli ka mbetur një opsion popullor, duke ofruar atraksione kulturore dhe komerciale​.

Barcelona dhe Amsterdami: Këto qytete kanë tërhequr udhëtarët që preferojnë të eksplorojnë destinacione me aktivitete dhe atraksione të shumta.

Udhëtimet zakonisht nisin më 27 nëntor pasdite ose 28 në mëngjes dhe përfundojnë më 1 dhjetor, duke lejuar udhëtarët të rikthehen në punë me energji të reja. Megjithatë, sipas agjencive, vitet e fundit aksesi i qytetarëve në teknologji e ka bërë më pak të matshme udhëtimet e tyre sepse u drejtohen agjencive më pak, organizohen vetë.

Hyrja e operatorëve low-cost ka qenë një katalizator kryesor për këtë rritje të interesit për udhëtime. Fluturimet e lira kanë bërë që qytete të mëparshme të shtrenjta, si Barcelona apo Amsterdami, të bëhen më të aksesueshme.

Grupet turistike dhe paketat me udhëtime të organizuara kanë parë gjithashtu një interes të shtuar, veçanërisht për qytete si Stambolli apo udhëtimi me trenin Bernina Express, nga Milano në Zvicër, ku agjencitë ofrojnë guida të strukturuara për të eksploruar qytetet.

Rajoni dhe brenda vendit nuk kanë qenë shumë të preferuar këtë vit, pasi mundësitë e udhëtimit me çmime konkurruese drejt Europës kanë tërhequr më shumë vëmendje. Kjo prirje tregon jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës së udhëtimeve për shqiptarët, por edhe dëshirën e tyre për të eksploruar destinacione të reja jashtë kufijve.

Megjithatë, në kërkesat për akomodim këtë vit, Korça mban vendin e parë. Sipas komunikimeve me agjencinë, nuk ka më vende të lira për hotelet brenda në qytet për këto data./D.Hyka

Destionacione dhe çmime:

Stamboll, 27,30 Nëntor, 3 ditë 269€

Rome, 2 ditë – 199€, 3 ditë – 329€

Amsterdam, 26 Nëntor, 4 ditë 449€

Milano dhe liqenet Como, Garda, Maggiore, 4 dite, 379€

Verona, Venecia, 29 Nëntor, 2 ditë 215€

Vjenë, 28 Nëntor, 4 ditë €559

Prage, 4 ditë, €419

Catania dhe Palermo, 4 dite, 305€

Budapest, 29 Nëntor, 4 ditë 330€

Berlin, 27 Nëntor, 4 ditë €608

Barcelonë, 25, 27, 29 Nëntor, 4 ditë 369€

Paris, 4 dite, €349

Paris dhe Disneyland, 26 Nëntor, 4 ditë 469€

Zyrih, Gjeneve, Bazel, 26 Nëntor, 4 ditë 399€

Dubrovnik, 3 dite, me autobus, €139

Budva – Kotorr – Ulqin, 28, 29, 30 Nëntor, 2 ditë 65€ , me autobus, (me mbrëmje festive).

Burimi: Agjencitë turistike

 

The post Nga Shqipëria në Europë: Si po shfrytëzojnë shqiptarët fundjavën e gjatë të Nëntorit? appeared first on Revista Monitor.

Spiropali: Kurrë më parë Shqipëria, më e madhe, më e vlerë, më e lirë, më e bashkuar se sot

27 November 2024 at 21:54

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë dhe përshëndeti në pritjen zyrtare të Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon, me rastin e festave të 28-29 Nëntorit, mbrëmjen e sotme në Pallatin e Brigadave.

“Ra ky nëntor i 112-të dhe u pamë sërish! Ndoshta kështu do na përshëndeste shqiptari i madh Kadare kur të shihte bashkë në këtë sallë kaq shqiptarë të mirë, të dashur, miq. Asgjë nuk mund t’i bashkojë dhe ti afrojë më tepër shqiptarët sesa nëntori i lavdishëm i Plakut të Vlorës, Ismailit tjetër të madh që na trashëguan etërit. Asgjë më tepër se flamuri i Arbrit nuk mund t’i bëjë më pranë shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, të Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut, të Luginës së Preshevës dhe të Kalabrisë, të Amerikës dhe Greqisë, Britanisë dhe Australisë, Gjermanisë dhe Italisë, kudo ku shtysa për jetën, instinkti i mbijetesës, frymëzimi historik, apo rrethanat, kanë çuar disa prej nesh anembanë botës. Aty ku kemi vajtur, me gjuhën dhe kujtimin e varreve të gjyshërve, me traditën dhe shpresën për të ardhmen, me sytë në perëndim dhe shpirtin që flet shqip e nuk ndahet nga viset e përjetshme të shqipes së bekuar”, tha Spiropali në fjalën e saj në këtë aktivitet.

Spiropali theksoi se, kurrë më parë Shqipëria nuk ka qenë më e madhe, më e vlerë, më e lirë, më e bashkuar, se sot.

“Jam thellësisht e prekur. Ndjesë që ndjehem e pafuqishme për të gjetur fjalët e lartësisë që meriton ky rast fatlum. Por për një gjë jam e sigurt: Kurrë më parë Shqipëria nuk ka qenë më e madhe, më e vlerë, më e lirë, më e bashkuar, se sot”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.

Ajo nënvizoi se, pavarësisht vështirësive, vuajtjeve, dhembjeve, pavarësisht shpresës që rend më shpejt se mundësia, pavarësisht mundësive që janë më të pakëta se shpresat, kurrë ndonjëherë si sot, shqiptarët nuk kanë shkruar kaq shkoqur dhe qartë historinë e të ardhmes së tyre.

“Atë të ardhme, që siç e na e ka mësuar vetë e shkuara, do jetë sigurisht e ndritur, sa kohë shqiptarët do të dinë të jenë bashkë dhe të mirëkuptuar”, tha Spiropali.

“Atyre që na shohin nga jashtë, ne shqiptarët mund t’i dukemi të çuditshëm. Si kreshnikë të çartun, si bij të rreptë të shqipes, që hasmi nuk na e ka parrë kurrë kurrizin. Dhe kanë të drejtë. Ashtu jemi. Si rrallëkush, ne dimë të durojmë vuajtjet e jetës dhe mundimin e luftës. Dallojmë sepse ne dimë të jemi, sa miq besnikë, aq dhe armiq për vdekje”, u shpreh Kryeparlamentarja.

“Drejt e ka pasur dy shekuj më parë anglezi i madh Lordi Bajron. Sot, sërish ne bijtë e shqipes duhet të jemi më punëtorë, më të duruar me njëri-tjetrin, më të aftë në luftën e madhe për të bërë paqe me bindjen e thellë se ky vend ka nevojë për ne të gjithë bashkë, dhe ne të gjithë bashkë nuk kemi asgjë tjetër me çfarë ta zëvendësojmë magjinë e këtij atdheu të madh. Këtij atdheu që duhet t’i blatojmë besnikëri dhe mbrojtje nga çdo kërcënim, përfshi edhe telashet që ne shqiptarët hera-herës i shpikim për njëri-tjetrin”, tha ajo.

“Me flamurin e Kastriotit, nën betimin për Fe’ e Atdhe, ne shqiptarët që i themi nënës Nënë, atit At, dhe bukës bukë, kemi frymëzim të përbashkët: të jemi një yll i shtuar në flamurin e Evropës së Bashkuar, i familjes sonë të madhe me të cilën na bashkon frymëzimi dhe historia, nevoja dhe domosdoshmëria, zgjidhja si zgjedhje e vetme dhe zgjedhja e vetme si zgjidhje pa dilema”, theksoi Spiropali.

“Është e vërtetë, që kemi ende shumë e shumë halle”,  u shpreh kryetarja e Kuvendit, “që shkaktojmë shumë derte dhe tallaze shpesh të pamerituara mes njëri-tjetrit. Ndeshemi për një karrige, apo vritemi për një vështrim. Të shtyrë nga kushedi çfarë delli i pavdekshëm ballkanik, ndjehemi ngushtë kur nuk kemi përballë një hasëm të armatosur, dhe i sulemi të ngjashmit tonë me zellin e hasmit”.

“Sot shqiptaria ka një problem. Koha që kemi humbur dhe na e kanë humbur. Koha që duhet të fitojmë duke ecur shpejt për të shkruar historinë e re evropiane të Shqipërisë. E ndjej! Do ndodhë! Po ndodh! Sot është më mirë se dje! Nesër do të jetë më mirë se sot! Gëzuar shqipe! Gëzuar ditën e Flamurit!”, përfundoi fjalën e saj kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali. j.p/

The post Spiropali: Kurrë më parë Shqipëria, më e madhe, më e vlerë, më e lirë, më e bashkuar se sot appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

112-vjetori i Pavarësisë, Veliaj: Shqipëria në ditët e veta më të mira

27 November 2024 at 20:53

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Në prag të 112-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Tirana është bërë qendër e festimeve kombëtare, duke mirëpritur shqiptarë nga e gjithë bota.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, organizoi një pritje në Pallatin e Brigadave, ku morën pjesë përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga brenda dhe jashtë kufijve.

Në fjalën e tij, Veliaj theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar dhe pasurisë së traditave që bashkojnë shqiptarët.

“Ky është një moment që përmbledh unitetin tonë kombëtar dhe pasqyron pasurinë e traditave tona. Jam vërtet shumë mirënjohës dhe krenar që unioni i bashkive shqiptare në rajon, është një union që lidh qytetet shqipfolëse të Ballkanit Perëndimor dhe luan një rol kyç të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në realizimin e këtij vizioni Europian të qyteteve bashkësive të komuniteteve shqiptare dhe njëkohësisht Evropiane. Qytetet tona janë pasqyra e historisë tonë e një historie të pasur dhe, përmes këtyre aktiviteteve, ne synojmë që të nxisim një rritje të interesit për ta eksploruar dhe vlerësuar këtë pajë këtë pasuri të veçantë që ne kemi”, tha Veliaj.

Ai vlerësoi rolin e Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon, duke e cilësuar si një platformë kyçe për forcimin e bashkëpunimit mes qyteteve shqipfolëse. Kreu i Bashkisë nënvizoi se ky bashkëpunim shkon përtej kufijve shtetërorë dhe forcon lidhjet kombëtare dhe evropiane.

“Është ky bashkëpunim dhe unitet ai që na bën më të fortë dhe na ndihmon të përballemi me sfidat e përbashkëta. Ndaj dhe në emër të Bashkisë Tiranë dhe të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, ju falënderoj për praninë dhe ju uroj të gjithëve nga zemra gëzuar festën e Pavarësisë. Këtë 28 nëntor ne shqiptarët festojmë 112-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, është një nga ato ditë kur zemra na bëhet mal dhe kur shpirti na skuqet kuqezi dhe kur mendja e çdo shqiptari mendon njësoj dhe me zë të lartë thërret “O sa mirë me qenë shqiptar”. E ku ka më bukur se ditën e flamurit ta festojmë të gjithë së bashku këtu në Tiranë”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë kujtoi momente historike nga rruga drejt pavarësisë, duke përmendur intervistat e Ismail Qemalit në prag të shpalljes së saj.

Ai riktheu në kujtesë fjalët e Plakut të Vlorës mbi rëndësinë e ndjenjës kombëtare dhe unitetit mbi dallimet fetare dhe politike.

“…për Shqipërinë nuk ka kohë për të humbur, për Tiranën nuk ka kohë për të humbur, për Prishtinën nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët Arbëreshë nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët në Preshevë nuk ka kohë për të humbur, për shqiptarët në Mal të Zi nuk kaq kohë për të humbur është thirrja që na vjen pas 112 viteve sepse është nevoja urgjente për të bërë punë të mira, vepra të mira dhe për të krijuar komunitete të shëndosha në shqiptari kudo ku ne shërbejmë. Dhe prej kësaj kohe që të humbi për 600 vite lind një kohë e re. Sot Shqipëria dhe shqiptaria është në ditët e veta më të mira. A na tremb një vështirësi? A tutemi, a tërhiqemi pas pas çdo sfide, pas çdo minorance të zhurmshme që nuk pëlqen një ndryshim një zhvillim një progres? Tutemi pas apo ndjekim shtegun më të vështirë, ndoshta rraskapitës por që në finale na çon në destinacion?! Falë njerëzve të mëdhenj që marrin në konsideratë vetëm gjëra të mëdha dhe pengesat që shfaqen dhe qëllimeve madhështore dinë tu japin prioritet, i shohin veç si vogëlima këto sfida që nuk meritojnë as të zihen me gojë. Ata që zgjedhin shtegun e vështirë dhe jo zgjedhjet e thjeshta dhe komode janë ata që e çojnë vendin, qytetin, komunitetin përpara”, nënvizoi Veliaj.

Në përfundim, Veliaj bëri thirrje për reflektim mbi të kaluarën dhe punë të përbashkët për të ardhmen.

“Ne na bashkon kulti i Atdheut tonë të përbashkët”, deklaroi Veliaj.

Për 28-29 nëntorin, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një sërë aktivitetesh social kulturore. Për të dytin vit radhazi, këtë të enjte, Bashkia e Tiranës do të organizojnë paradën e shqiptarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku shqiptarë nga e gjithë bota do të bëhen bashkë në Tiranë në paradën e krenarisë.

1 nga 3

/m.m/j.p/

The post 112-vjetori i Pavarësisë, Veliaj: Shqipëria në ditët e veta më të mira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arkivat, ekspozitë dokumentare dhe fotografike për festat e Nëntorit

27 November 2024 at 20:49

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) vijon me aktivitetet në shërbim të promovimit të historisë kombëtare, në prag të festave të Nëntorit.

Në “Auditor”, në hapësirën kulturore dedikuar të rinjve, u zhvillua një leksion i hapur me nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” mbi Kongresin e Alfabetit, të mbajtur 116 vjet më parë në Manastir.

Në këtë aktivitet, ku ishte e pranishme drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka, mësuesja e historisë Yllka Muka dhe anëtarë të tjerë të stafit pedagogjik përkatës, nxënësit prezantuan referatet e përgatitura, në lidhje me vendimet e marra në Kongresin e Manastirit, si edhe me rolin e kësaj faqeje të lavdishme të historisë në shpalljen e Pavarësisë dhe në procesin e shtetndërtimit.

Po ashtu, pjesëmarrësit shpalosën disa krijime artistike nën tematikën e Pavarësisë dhe Çlirimit.

Në përmbyllje, DPA-ja paraqiti ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Një komb, një abc”, e cila përshkruan trajektoren e përshkuar për unifikimin dhe standardizimin e shqipes.

/m.m/j.p/

The post Arkivat, ekspozitë dokumentare dhe fotografike për festat e Nëntorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flamuri bashkon shqiptarët, qytetarët e Kosovës rezervojnë në Shqipëri për festat e nëntorit

27 November 2024 at 15:47

Mungesën e vërejtur gjatë sezonit veror, shqiptarët e Kosovës duket se e kanë vendosur ta kompensojnë në këtë fund nëntori, që përkon edhe me festat e 28 dhe 29 nëntorit.

Durrësi është nga qytetet e preferuara prej tyre, dhe këtë fakt e vërtetojnë edhe rezervimet e shumta jo vetëm nga Kosova, por edhe nga diaspora në Evropën Perëndimore, shkruan A2.

Tirana dhe natyrisht qyteti i flamurit, Vlora, do të jenë epiqendrat e vizitorëve nga Kosova dhe diaspora, veçanërisht gjatë datës 28 Nëntor, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar. /Telegrafi/

The post Flamuri bashkon shqiptarët, qytetarët e Kosovës rezervojnë në Shqipëri për festat e nëntorit appeared first on Telegrafi.

Deçani vishet kuq e zi për 28 Nëntorin

26 November 2024 at 16:12

Punëtorët e Ndërmarrjes “Higjiena”, sot kanë përfunduar dekorimin e qytetit të Deçanit me flamuj kombëtarë në nder të Festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.

Qyteti është zbukuruar me simbole kombëtare, duke marrë një pamje madhështore që përkujton sakrificën e brezave për liri dhe pavarësi.

Foto: N.P.L Higjiena Deçan

Ata, nëpërmjet një postimi në Facebook, kanë ndarë pamje nga dekorimi i qytetit, duke uruar shqiptarët për këtë festë të shenjtë.

Foto: N.P.L Higjiena Deçan

“Shqiptarë, anë e mbanë botës, të lirë e të bashkuar qofshim sa më shpejtë në një Shqipëri Etnike.

Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!”, thuhet në postim. /Telegrafi/

The post Deçani vishet kuq e zi për 28 Nëntorin appeared first on Telegrafi.

Surprizat e motit/ Lajda Porja: Ja si do të jenë temperaturat për festat e Nëntorit

By: V K
25 November 2024 at 09:17

Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikania Lajda Porja nga “MeteoAlb”,  thotë se pritet që nga nesër të kemi rritje të temperaturave në vlerat minimale, ku pas disa ditëve tipike dimri, duket se do të “rikthehet” sërish vjeshta në territorin e vendit.

Lajda Porja: Parashikohet që ditën e sotme deri ditën e enjte, moti të jetë kryesisht i kthjellët, vranësirat do të jenë të lehta dhe kalimtare. Pritet që nga nesër të kemi rritje të temperaturave në vlerat minimale. Duke qenë se rritja do të jetë e lehtë dhe graduale, mëngjeset do të vijojnë të mbeten të ftohta dhe sidomos gjatë natës.

Ndërkohë, përsa i përket të enjtes dhe të premtes që përkojnë me festat e Nëntorit, pritet që të sjellin një rritje të ndjeshme të temperaturave, ku maksimalet pritet të ngjiten në 21 gradë Celsius.

Ndërkohë, pritet që gjatë të premtes të kemi reshje shiu në disa zona të vendit.

Lajda Porja: Parashikohet që dita e enjte dhe dita e premte të sjellin një rritje të ndjeshme të temperaturave duke bërë që të enjten dhe të premten të kalojnë në vlera pozitive edhe zonat malore në mëngjes. Maksimalet sërish do të ngjiten në 20 apo 21 gradë. Të premten kemi një ndryshim të situatës së motit, kemi një sistem vranësirash, i cili parashikohet që të futet të enjten gjatë natës, duke bërë që dita e premte të ketë reshje, edhe pse më të fokusuara reshjet do të jenë në veri dhe shumë pak zona në qendër dhe sërish jugu të ketë më pak reshje. Parashikohet që të kemi edhe rrebeshe.

The post Surprizat e motit/ Lajda Porja: Ja si do të jenë temperaturat për festat e Nëntorit appeared first on Albeu.com.

Festat e nëntorit, Tirana vishet kuqezi, nis përgatitjet për “Paradën Shqiptare”

By: Kult Plus
23 November 2024 at 21:59

Tirana ka nisur që të vishet kuq e zi, në kuadër të festave të 28-29 nëntorit, dy ngjarjet të rëndësishme historike për kombin shqiptar, 112-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, si dhe 80-vjetori i Çlirimit.

Flamujt kombëtar janë vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa këtë vit, më datë 28 nëntor, pritet që të rikthehet sërish Parada Shqiptare me grupe artistike nga anë e mbanë botës, kudo ku flitet shqip.

Parada Shqiptare synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj.

Vetë kyeministri Edi Rama, ka bërë më dije se nga data 21-30 nëntor do të zhvillohen një seri aktivitetesh kushtuar Javës Kulturore Kombëtare, Shqipëri – Kosovë.

Javët Kulturore Ndërkombëtare, pjesë e së cilës ishin 20 shtete të ndryshme do të përmbyllen me Kosovën, që së bashku me vendin tonë, nga data 21 deri më 30 nëntor do të organizojnë një mori eventesh artistike në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.

Aktivitetet nisin me një workshop edukues për fëmijë te Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë.

Fëmijët do të kenë mundësi  të njihen nga afër me regjistrin e katalogut fizik te bibliotekarit. Gjithashtu të shikojnë nje video dokumentar mbi GKA ku do njihen me godinën ekzistuese dhe sallat ekspozuese dhe do të diskutojnë rreth artistëve më të njohur dhe veprave të tyre në fushën e Artit Figurativ.

Aktivitetet do të vijojnë me një ekspozitë me në fokus inteligjencën artificiale që do të hapet më 22 nëntor në teatrin Aleksandër Moisiu dhe Qendrën Kulturore për fëmijë në Durrës. Biseda-Ekspozitë me Artistin Eshref Qahili: “Arti bashkëkohor kosovar në kohën e inteligjencës artificiale”, që është pjesë e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, promovon artin bashkëkohor kosovar dhe thekson rëndësinë e ndërveprimit kulturor ndërmjet dy vendeve tona.

Paralelisht në këtë ditë, por në kryeqytet në hollin koncertor të Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë do të mbahet koncerti “Side by Side”. Do të jetë sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Misbah Kaqamak që do të sjellin një performancë unike, duke ngjitur në skenë pjesë nga dy gjenitë botëror të muzikës klasike, Schumman dhe Strauss.

Kurse më 23 nëntor, tek Piramida do të mbahet Projekti “Të kam në mendje” i Malda Susuri që synon të adresojë sfidat e shëndetit mendor me anë të ndërgjegjësimit dhe reduktimit të stigmës me qëllim krijimin e një komuniteti mbështetës që ndihmon dhe fuqizon individët të përballen më mirë me këto probleme.

Më 25 nëntor, në ora 11:00, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit, do të keni mundësinë të shikoni koleksionet dhe materialet që pasqyrojnë momentet kryesore të çlirimit. Po ashtu në këtë ditë, më 25 nëntor, tek COD në Kryeministri do të mbahet sfilata “Krenari mbi supe” që do të sjellë punime të kostumeve tradicionale nga Fëmijët e Kursit të Kostumografisë. Ndërsa në orën 18:00, në ArTurbina në Tiranë do të mbahet koncerti “Jehonë Shqiptare” që do të ngjisë në skenë artistë profesioniste që kanë bërë historinë e artit shqiptar por edhe më gjerë, si nga Shqipëria dhe nga Kosova. Ndërsa në orën 19:00 te Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë, do të mbahet opera e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”. Një histori dashurie, trimërie dhe lirie, e bazuar në novelën e Milto Sotir Guros e sjellë në jetë me regjinë e regjisorit Nikolin Gurakuqi, ky produksion vjen si një homazh për Festën e Flamurit.

Kurse nga data 26 deri më 30 nëntor, në Bibliotekën Kombëtare do të çelet një ekspozitë për 150-vjetorin e lindjes së At Shtjefën Gjeçovit, veprat kërkimore të së cilit apo mbledhja e traditave shqiptare, veçanërisht kodifikimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbeten një thesar i pazëvendësueshëm për kulturën dhe traditën tonë.

Shkodra Elektronike, projekt muzikor i dy emigrantëve shqiptarë të rritur në Itali, shumë larg qytetit të tyre mëmë, Shkodrës, do të gjallërojnë Teatrin Metropol mbrëmjen e 26 nëntorit.

Po ashtu, kjo ditë do t’i përkushtohet dhe gastronomisë. “Shije Shqiptare”, panairi i madh i produkteve nga të gjitha trevat shqiptare do të jetë një mundësi për shijuar një pasuri shijesh dhe aromash tradicionale nga Shqipëria dhe Kosova.

Ndërsa në Teatrin “Migjeni” në Shkodër më datë 27-të do të mbahet koncert nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” që do të performojnë këngë dhe valle të bukura nga trevat shqiptare, të cilat pasqyrojnë traditën dhe kulturën e pasur të popullit shqiptar. “Tingujt që sollën lirinë” do të jetë koncerti që paralelisht në këtë ditë do të mbahet në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Ky koncert gala, pjesë e së cilit do të jetë edhe Orkestra e Forcave të Armatosura, do të vendosë në skenë muzikën më të mirë shqiptare me temën e Luftës Nacionalçlirimtare, organizohet po ashtu në kuadrin e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë.

Ndërkohë, nga data 26 deri më 30 nëntor te sheshi para Teatrit Kombëtar do të jetë e hapur një tjetër ekspozitë, ajo e fotografisë “Keep calm and smile” e fotografit me famë botërore nga Kosova, Korab Basha. Ekspozita që sjell 25 fotografi bardhezi i kushtohet të rinjve dhe të rejave, që janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Me datë 28 nëntor të gjithë shqiptarët mblidhen bashkë në Tiranë, për të kremtuar 112-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Në një paradë me ngjyra kuqezi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me kostumet e këngët nga çdo trevë shqiptare, në një bashkim vëllazëror festimesh të paharrueshme, ky aktivitet premton shumë emocione.

Gjatë Javës Kulturore të Kosovës nuk do të mungojnë as shfaqja e filmave. “Bota Jonë”, “117”, “Pa vend”, “Si e verdhë e sëmurë”, “Krahët e punëtorëve”, “Rrugës”, “Hana e re”, “Prishtinë 2002” dhe “Sign”, janë filmat që do të transmetohen në kinemanë “Maks Velo” në Tiranë, në datat 28, 29 dhe 30 nëntor.

Java Kulturore e Kosovë – Shqipëri do të përmbyllet me festivalin “Tirana Art Ëeekend”, që do të mbahet nga datat 29 nëntor deri më 2 dhjetor tek shtëpia e të përndjekurve në Tiranë. Ky aktivitet bashkon aktorët kryesorë të skenës së pavarur të artit në Shqipëri, duke përfshirë hapësira ekspozuese, organizata kulturore dhe kolektivët artistikë vendas nën një program të përbashkët.

Javët Kulturore Ndërkombëtarë për 7 muaj me radhë, përveç se sollën kultura të ndryshe në vendin tonë, u dhanë edhe mesazhe të forta për gjithëpërfshirje, diversitet dhe të drejtat e njeriut. JKN patën për qëllim gjithashtu edhe krijimin e urave lidhëse, nxitjen e kreativitetit dhe shkëmbimit kulturor me sytë drejt inovacionit, si një mjet i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje dhe alternativa sfidave të përbashkëta që bota po kalon.

Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare, çeli siparin e aktiviteteve më darë 1 Maj me “Javën e Evropës” dhe vijoi me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin, Brazilin, Hungarisë, Holandën, Turqinë, Mbretërinë e BRamaashkuar, Kinën, Gjermaninë, Japoninë, SHBA-në, Kombet e Bashkuara, Austrinë, Spanjën, Malin e Zi, Meksikën dhe Kosova që edhe përmbyll këtë edicion të tretë./atsh/ KultPlus.com

The post Festat e nëntorit, Tirana vishet kuqezi, nis përgatitjet për “Paradën Shqiptare” appeared first on KultPlus.

“Parada Shqiptare” më 28 Nëntor në Tiranë, Kambo: Mbi 10 mijë persona do jenë pjesë e festimeve

23 November 2024 at 16:25

TIRANË, 23 nëntor /ATSH/ Më 28 Nëntor, Tirana do të vishet e gjitha kuq e zi pasi rikthehet Parada Shqiptare me mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip.

Andriola Kambo, Drejtore Ekzekutive e Unionit të Bashkive jep më shumë detaje për këtë aktivitet që bashkon të gjithë në bashkëpunim me “Albanian Roots”.

“Për të mirëpritur gati 10 mijë vetë për të qenë pjesë e këtij kremtimi, jo vetëm për Pavarësinë tonë Kombëtare, por për historinë, për identitetin, për dashurinë që duhet të kemi për vendin. Na vijnë nga të gjitha qytetet shqipfolëse. Kemi gati 150 qytete që janë pjesë e paradës”.- tha Kambo.

Sipas Kambos, pjesëmarrësit dhe grupet artistike do të nisin përgatitjet prej orës 9 me 28 Nëntor për të nisur aktivitetin e Paradës Shqiptare në orën 12 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Vijnë dhe bëhen gati kostumet, fillojnë vallet, e gjithë faza paraprake para se të fillojmë, por në orën 12 nis parada në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pastaj kemi disa momente kulminante të kësaj parade, e mbyll Tirana duke prezantuar të gjitha potencialet e saj.”

Parada Shqiptare për festat e Nëntorit synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj.

/a.f/

The post “Parada Shqiptare” më 28 Nëntor në Tiranë, Kambo: Mbi 10 mijë persona do jenë pjesë e festimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Keni plane për festat e Nëntorit? Meterologu Hakil Osmani tregon si do të jetë moti gjatë javës festive

By: lia rda
22 November 2024 at 15:32

Meteorologu Hakil Osmani ka treguar se si do të jetë moti këtë fundjavë, duke theksuar se kjo e premte do të karakterizohet nga reshjet e shiut, ndërsa e shtuna dhe e diela do të kenë mot të qendrueshëm.

Ai ka thënë për “News Hours” se do të kemi ulje të madhe të temperaturave. Sa i përket, javës që vjen që do të jetë dhe festive për shkak të festave të Nëntorit, Osmani ka vënë në dukje se do të jetë mot i qendrueshëm, do të ketë dhe vranësira, por jo problematike.

Sipas Osmanit, do të kemi rënie të menjëhershme të temperaturave tipike të stinës së dimrit.

“Këtë të premte, zonat që pritet të jenë me reshje shiu, janë zonat veriore, ndërsa zonat jugore do të kenë reshje më të pakta.

Në zonat juglindore do të shfaqen reshjet e dëborës, ndërsa ditën e diel pritet moti i qendrueshëm. Në orët e mbrëmjes era shkon 100 km për orë të shtunën. Kryesisht pasditja është ajo që do të ketë problematika të erës.

Do të kemi një ulje të temperaturave me 4 ose 5 gradë celcius ditën e shtunë dhe do të vijojë dhe për gjatë ditës së diel, ku priten të jenë akoma më të ulëta. Ndërsa në orët e mesditës do të kemi rritje të temperaturave të ajrit.

Javës që vjen, pjesa më e madhe do të jetë me mot të qendrueshëm, ndërsa pjesa e dytë e javës pritet të ketë vranësira por jo problematike. Reshjet e shiut do të jenë prezente, ndërsa do të kemi rënie të menjëhershme të temperaturave që i ngjajnë dimrit, maksimumi do të shënojnë 19 gradë celcius”, tha ndër të tjera ai./abcnews.al

Festat e Nëntorit, fëmijët mbushin me ngjyrat kuqezi sitet e trashëgimisë historike

20 November 2024 at 10:30

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Flamuri kuqezi është kryefjala e kësaj periudhe të vitit dhe fëmijët janë protagonistët e zhurmshëm që i japin gjallërinë festave të nëntorit.

Ditët e fundit të nëntorit çdo vit përshkohen nga një atmosferë festive, në sheshe qytetesh, site kulturore e veçanërisht aty ku ka fëmijë. Ata janë të parët që i nisin festimet, me veshjet kombëtare, me flamuj në duar, xhamadanët e qëndisur e shamitë e kuqe.

Institucionet e arsimit parashkollor dhe shkollat kanë nisur prej kohësh përgatitjet për festat e nëntorit: veshjet me ngjyrat e flamurit kombëtar, mësimi i poezive patriotike dhe vizitat në muzeume apo site të tjera kulturore.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shpërndau sot, në rrjetet sociale, një kolazh fotografish me fëmijë të cilët festojnë të veshur kuqezi.

“Këtë muaj festash kombëtare, kemi pasur kënaqësinë të mirëpresim vizitorët më të veçantë dhe kureshtarë, të cilët kanë mbushur ambientet tona me një atmosferë të mrekullueshme festive, duke i bërë jehonë ngjyrave tona simbolike”, shkroi ministri Gonxhja. /j.p/

The post Festat e Nëntorit, fëmijët mbushin me ngjyrat kuqezi sitet e trashëgimisë historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌