LONDER, 4 mars /ATSH-AA/ – Nga teknologjia e golit deri te sistemet e video-asistimit për arbirtat (VAR), inteligjenca artificiale (IA) është gjithnjë e më në qendër të arbitrimit të ndeshjeve sportive, duke transformuar mënyrën se si arbitrat marrin vendime.
Ndeshjet me ritme të shpejta shpesh kanë çuar në momente të diskutueshme arbitrimi nga elementi njerëzor, potencialisht duke u dhënë kahje garave të tëra.
Në vitin 2009, prekja me dorë e topit nga ana e Thierry Henry-t, e cila nuk u vu re nga arbitrat, e ndihmoi Francën të eliminonte Irlandën nga kualifikimi për Kupën e Botës 2010, duke nxitur kërkesat për arbitrim të asistuar me video.
Mirëpo, ishte “goli fantazmë” famëkeq i futbollistit Frank Lampard kundër Gjermanisë në të njëjtin Kupë Bote që shënoi pikën kryesore, duke çuar në inkadrimin e teknologjisë së vijës së portës. Pavarësisht se topi kaloi vijën, zyrtarët nuk pranuan golin, duke i shtyrë autoritetet e futbollit, që më parë ishin skeptikë, të përqafojnë teknologjinë e re.
Ndryshimi hyri në Ligjet e Lojës në vitin 2012, kur Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit (IFAB) krijoi një proces certifikimi për të siguruar cilësinë e sistemeve të teknologjisë së vijës së golit të përdorura në lojërat zyrtare.
Përpos shtyllës së portës, teknologjia gjysmë e automatizuar jashtë loje (SAOT) debutoi në Kupën e Botës FIFA 2022, duke synuar të reduktojë gabimet dhe të përshpejtojë vendimet. Sistemi përdori gjurmimin e drejtuar nga inteligjenca artificiale për të ofruar përcaktime shpejta dhe më të sakta për “offside”, duke rritur drejtësinë dhe saktësinë në lojë.
Por roli në rritje i teknologjisë nuk ishte i kufizuar vetëm në futboll.
Hawk-Eye, një ofrues i teknologjisë së linjës së golit që është përdorur edhe në ndeshjet e FIFA-s, u prezantua për herë të parë në tenis në vitet 2000. Sot, ai ka zëvendësuar gjerësisht gjyqtarët e linjës në këtë sport, duke ofruar gjurmim të saktë të topit përmes kamerave të shumta dhe analiza 3D në kohë reale për arbitrim të saktë.
Ndërkohë në basketboll, kamerat me AI-së janë përdorur për të ndihmuar gjyqtarët të kapin momentet e lojës jashtë vijës dhe të gjurmojnë lëvizjet e lojtarëve.
Sisteme të tilla kanë ndihmuar në përshpejtimin e vendimmarrjes, duke reduktuar vonesat dhe duke përmirësuar rrjedhën e përgjithshme të lojës.
Por derisa arbitrat njerëzorë janë ende autoriteti kryesor në fushën e sportit, shtrohet pyetja nëse AI mund t’i zëvendësojë ata krejtësisht, ose nëse të dy bashkërisht do të kenë një rol në të ardhmen e arbitrimit.
– Kur edhe IA gabon
Pavarësisht terrenit që ka fituar, vendimmarrja e ndihmuar nga AI në sport ka pasur gjithashtu pengesat e veta.
Një ndeshje e Premier Ligës të vitit 2020 midis Sheffield United dhe Aston Villa, u shënua një gol i qartë i cili u anulua gabimisht, jo nga gabimi njerëzor, por nga një dështim i teknologjisë së vijës së portës.
Hawk-Eye, ofruesi i sistemit, më vonë e pranoi gabimin, duke e quajtur atë një anomali pas më shumë se 9.000 ndeshjeve pa incidente.
Debate të ngjashme u ngritën në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës FIFA 2022, kur Enner Valencia i Ekuadorit pati një gol të përjashtuar nga SAOT.
Vendimi ndezi debatin nëse saktësia e nivelit të centimetrit të sistemit ishte shumë e rreptë për natyrën me ritëm të shpejtë të lojës.
Teksa AI shkëlqen në vendimet objektive si pozicionet jashtë loje dhe vendimet e vijës së golit, ekspertët argumentojnë se sfidë për teknologjinë paraqesin vendimet subjektive, një fushë ku gjykimi njerëzor mbetet vendimtar.
Aty ku AI do të ketë sfidë, të paktën tani për tani, janë vendimet subjektive, tha John Eric Goff, një profesor në Universitetin e Lynchburg-ut në Virxhinia.
– Një e ardhme hibride?
Në vend që të zëvendësojnë arbitrat tërësisht, ekspertët parashikojnë një të ardhme ku AI bashkëpunon me ta.
“Unë nuk mendoj se ne jemi në fazën diku afër ende ku do të keni një robot që lëviz nëpër një fushë”, tha Goff.
Një model hibrid do të lejonte AI të trajtonte aspekte objektive – si thirrjet jashtë loje dhe gjurmimin e topit – ndërsa gjyqtarët ruajnë kontrollin mbi vendimet e bazuara në gjykim, të tilla si faullet dhe penalltitë.
Por skepticizmi i tifozëve mbetet një pengesë për pranimin e gjerë. Sipas Goff, shumë fansa “po luftojnë me disa nga teknologjitë e reja të asistuara nga VAR, ku përdoret AI, sepse ata nuk mendojnë se është gjithmonë i saktë”.
Megjithatë, ai beson se roli i AI-së në ushtrimin e sporteve vetëm do të zgjerohet.
“Tifozët do të duhet të ndihen rehat me idenë se njerëzit nuk do të marrin vendime të caktuara në të ardhmen”, tha ai, duke shtuar se pranimi i plotë varet nga mënyra se si reagojnë fansat.
Goff gjithashtu vuri në dukje sfidën e përcaktimit të qëllimit, diçka që AI ende nuk e ka zotëruar.
“A ka një penallti? A ka një lloj qëllimi të lojtarit që duhet të gjykohet shpesh? Ky do të jetë një vendim njerëzor. Algoritmet nuk janë ende në atë nivel për të provuar të lexojnë shprehjet e fytyrës ose të shohin se çfarë po bën dora apo diçka të tillë”, tha Goff për Anadolu në një video-intervistë.
– IA si një mjet, jo një zëvendësim
Përtej sporteve, automatizimi i drejtuar nga AI po ngre shqetësime për zhvendosjen e vendeve të punës. Arbitrat, si shumë profesionistë, përballen me pasiguri në lidhje me rolet e tyre ndërsa teknologjia përparon.
Goff e sheh këtë çështje si pjesë të një tendence më të gjerë që prek industri të shumta, nga drejtimi i kamionëve deri tek shitja me pakicë. “Atëherë pyetja është, çfarë të bëjmë me njerëzit? Cilat do të jenë punët e tyre në të ardhmen?”, u shpreh ai.
Kur bëhet fjalë për sportin, Goff mbetet me shpresë se arbitrat njerëzorë nuk do të “dalin nga përdorimi”. /os/
The post KOMENT – A do të zëvendësojë IA arbitrat njerëzorë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.