PARIS, 31 maj /ATSH/- Duke filluar nga 1 korriku, nëse skenat ikonike të filmave të Bardot dhe Belmondo do të riprodhoheshin në jetën reale, ato do t’i nënshtroheshin gjobave deri në 135 euro.
Aktorja brilante Brigitte Bardot rrinte zbathur në plazhin e Saint-Tropez, duke pirë cigare në qetësinë e saj. Një aktor tjetër, Jean-Paul Belmondo, ecte me krenari në Champs-Élysées me tymin e cigares që dilte nga buzët e tij sfiduese, duke kapur rebelimin e paduruar të një brezi të papërsëritshëm, shkruan AP.
Pasi e ka lavdëruar duhanin për dekada, Franca po përgatitet për ndalimin më radikal të pirjes së duhanit ndonjëherë.
Kufizimet e reja, të njoftuara nga ministrja e Shëndetësisë Catherine Vautrin, do të ndalojnë pirjen e duhanit në pothuajse të gjitha hapësirat publike të jashtme ku mblidhen fëmijët, duke përfshirë plazhet, parqet, kopshtet, këndet e lojërave, objektet sportive, hyrjet e shkollave dhe stacionet e autobusëve.
“Duhani duhet të zhduket aty ku ka fëmijë. Liria për të pirë duhan përfundon aty ku fillon e drejta e fëmijëve për të thithur ajër të pastër”, u tha Vautrin mediave franceze
Ndërsa ligji Vautrin pasqyron prioritetet e shëndetit publik, ai sinjalizon gjithashtu një ndryshim më të thellë kulturor.
Pirja e duhanit ka përcaktuar identitetin, modën dhe kinemanë për aq kohë sa masa e re duket si një revolucion i qetë francez në një vend, marrëdhënia e të cilit me duhanin është famëkeqe për kompleksitetin e saj.
Sipas Shoqatës Franceze të Kancerit, më shumë se 90% e filmave francezë nga viti 2015 deri në vitin 2019 paraqisnin skena duhani, më shumë se dyfishi i shkallës së prodhimeve të Hollivudit.
Çdo film francez mesatarisht kishte gati tre minuta duhanpirje në ekran, në fakt e njëjta sasi ekspozimi sa gjashtë reklama televizive 30-sekondëshe.
Kinemaja ka pasur një ndikim të veçantë. Duhanpirësi rebel i Belmondos në filmin Breathless të Jean-Luc Godard është bërë sinonim i rebelimit të të rinjve në të gjithë botën, ndërsa tymi i cigares së Bardot përhapej përmes filmit “Dhe Zoti krijoi gruan”, duke simbolizuar sensualitetin e pakufizuar.
Megjithatë, ky glamurizim ka pasoja. Sipas autoriteteve franceze të shëndetit publik, rreth 75 000 njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet që lidhen me duhanin.
Edhe pse normat e pirjes së duhanit kanë rënë kohët e fundit – më pak se 25 përqind e të rriturve francezë pinë duhan çdo ditë, një nivel rekord i ulët – zakoni mbetet kokëfortësisht i rrënjosur, veçanërisht midis të rinjve dhe klasës së mesme.
Marrëdhënia e Francës me duhanin ka qenë prej kohësh e mbushur me kontradikta. Kompania Air France nuk e ndaloi pirjen e duhanit në të gjitha fluturimet e saj deri në vitin 2000, vite pasi linjat ajrore të mëdha amerikane filluan ta hiqnin gradualisht atë në fund të viteve 1980 dhe fillim të viteve 1990.
Vonesa pasqyronte një vend që ishte më i ngadalshëm në ndërprerjen e lidhjeve të tij kulturore me cigaret.
Duke ecur nëpër rrugët elegante të Marais, lagjes më në modë të Parisit, reagimet ndaj ndalimit të pirjes së duhanit varionin nga pranimi pragmatik deri te sfida nostalgjike.
“Ka ardhur koha. Nuk dua që fëmijët e mi të rriten duke menduar se pirja e duhanit është romantike”, tha Clémence Laurent, një blerëse mode 34-vjeçare, duke pirë një kafe ekspres në tarracën e një kafeneje të mbushur me njerëz.
“Sigurisht, Bardot i bënte cigaret të dukeshin joshëse. Por Bardot nuk i interesonin paralajmërimet e sotme për kancerin e mushkërive”, shton ajo.
Në një butik aty pranë, tregtari i antikiteteve Luc Baudry, 53 vjeç, e pa ndalimin si një sulm ndaj diçkaje tipike franceze.
“Pirja e duhanit ka qenë gjithmonë pjesë e kulturës sonë. Hiqni cigaret dhe çfarë na mbetet? Smoothie me lakër jeshile?” shton ai.
Përballë tij, 72-vjeçarja Jeanne Lévy qeshi duke theksuar se ”e piva cigaren time të parë duke parë Jeanne Moreau, ishte zëri i saj: i tymosur, sensual, i përjetshëm. Kush nuk do ta donte atë zë?”
Në të vërtetë, zëri i çjerrët dhe i mbushur me nikotinë i Jeanne Moreau e shndërroi duhanin në poezi, të përjetësuar në klasike si “Jules and Jim” i François Truffaut.
Pirja e duhanit ka fituar një joshje ekzistenciale që e ka bërë të paimagjinueshme lënien e duhanit për breza të tërë duhanpirëssh francezë.
Ligji i ri francez pasqyron trendet më të gjera evropiane. Britania, Spanja dhe Suedia kanë futur të gjitha ndalime të rëndësishme të pirjes së duhanit në hapësirat publike.
Suedia ndaloi pirjen e duhanit në tarracat e restoranteve në natyrë, në stacionet e autobusëve dhe në oborret e shkollave që në vitin 2019.
Spanja i ka zgjeruar ndalimet në tarracat e kafeneve, vende që janë ende të përjashtuara në Francë, të paktën për momentin. /os/
The post PARIS – Franca ndryshon radikalisht qëndrimin ndaj pirjes së duhanit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.