TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka arrestuar kreun e një organizate kriminale ndërkombëtare, i dënuar me 18 vjet burgim.
Policia njoftoi sot se si rezultat i një pune të mirorganziuar informative dhe operacionale, shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin “Hierarkia”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi: Ilir Kociaj (Koçiaj), 59 vjeç.
Sipas policisë 59-vjeçari, u kap në flagrancë teksa tentonte të largohej me automjetin e tij, në autostradën Tiranë–Elbasan.
“Shtetasi Ilir Kociaj (Koçiaj) ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për njohjen e vendimit të Gjykatës së Firences, Itali, që e dënon atë me 18 vite burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale”, njoftoi Policia.
59-vjeçari iu dorëzua Policisë së Elbasanit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Moti mori kthesë në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe reshjet e shiut pushtuan vendin. Kanë mjaftuar vetëm disa orë shi që rrugët e kryeqytetit të përmbyten dhe të kthehen në “përronj”. Uji ka vërshuar në rrugët me kanalizimet e bllokuara duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe qytetarëve. Siç shikohet në […]
Sezoni i ri artistik i Teatrit Kombëtar premton emocione të forta dhe reflektime të thella përmes një përzgjedhjeje të kujdesshme të shfaqjeve që do të ngjiten në skenë gjatë muajve në vijim. Në qendër të programit që do të nisë këtë vjeshtë janë katër drama që ndërthurin klasikën me bashkëkohoren, dhe që prekin temat e dashurisë, drejtësisë, fuqisë dhe njeriut përballë fatit, përcjellë KultPlus.
Krah dy tragjedive të mëdha të Shekspirit “Otello” dhe “Si ta doni”, si dhe “Drejtësi në Nuremberg” nga Abby Mann, një nga premierat më të shumëpritura ne Teatrin Kombetar do të jetë edhe “Det i thellë blu” e dramaturgut britanik Terence Rattigan, një vepër rrënqethëse mbi dashurinë e pakthyeshme dhe humbjen personale. Me një ndjeshmëri të hollë psikologjike, drama sjell portretin e një gruaje të ndarë mes pasionit të njëanshëm dhe realitetit të hidhur të vetmisë.
Ky sezon i ri vjen si një thirrje për dialog me të kaluarën dhe të tashmen, një ftesë për të reflektuar mbi ndjenjat më të thella njerëzore dhe për të festuar fuqinë e teatrit për të prekur mendjen dhe zemrën./KultPlus.com
Shembja e Teatrit Kombëtar simbolizon humbjen e hapësirave publike në Tiranë dhe zëvendësimin e tyre me kulla. Por kujtesa kolektive, zëri qytetar dhe sheshet nuk mund të zëvendësohen me beton.
Nga Teatri te trotuari – Kronika e një qyteti të shembur me ligj
Në fillimin e verës së 2018-ës Tirana pa, edhe pse ende e pandërgjegjshme për atë që po dëshmonte, të vendosej një mikrofon në një nga hapësirat publike të saj, në sheshin e Teatrit Kombëtar.
E dizajnuar në vitin 1938 nga arkitekti Giulio Berté, godina kishte shërbyer gjatë jetës së vetë kryesisht në tre funksione kryesore: si hapësirë socializimi të spektatorëve në pushimin para dhe mes akteve; si shesh vallëzimi për hapësirën e jashtme të restorantit kur nuk kishte shfaqje; si fushë ping-pongu duke shoqëruar fushën e tenisit dhe pishinën e kompleksit kulturor dhe sportiv “Skanderbeg”.
Tetëdhjetë vite më pas, ai shesh do të përdorej edhe si një hapësirë ku do të zhvillohej një protestë për ta mbrojtur atë.
Teatri i kishte mbyllur dyert dhe përveç punëtorëve, që herë pas here dilnin nga salla e kuqërremtë me kuti materialesh në duar, që nga 2 korriku i 2018, kur u vu shfaqja e fundit në skenë, nuk shiheshin më spektatorë në mjediset tij.
Tre ditë më pas, më 5 korrik, Kuvendi do të miratonte me 75 vota, “Ligjin për Teatrin”*, apo siç njihet ndryshe, “Ligji Special”, i cili e transferonte hapësirën publike, si sheshin ashtu edhe teatrin, tek shoqëria private, “Fusha shpk”, që kjo e fundit të mund të ndërtonte.
Pas atij votimi, protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar mori përmasa të tjera dhe hyri në një rrugëtim ku dorëzimi nuk ishte opsion.
Në sheshin e teatrit u krijua një kuvend i qytetit. Një hapësirë e paindoktrinuar, e pakapur nga interesa të ngushta private apo motive antiligjore. Ndërsa ndërtesa që u mor nën kontroll nga qytetarët më 24 korrik 2019, të cilët filluan ta rijetëzonin edhe pse pa përvojë, mësuan ta menaxhonin dhe kujdeseshin për të.
Ndërsa salla zhvillonte aktivitete artistike dhe kulturore – rreth 65 shfaqje u vunë në skenë në më pak se 8 muaj – në sheshin e tij protesta zhvillohej 24 orë, 7 ditë në javë, në dukje si gardiane e teatrit, dhe njerëzit rojtarët e tij.
Teatri Kombëtar duke u shembur 17 maj 2020/Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, Flicr.
Nga një shesh proteste, tek një rrugë kalimi për kullën.
Ato 75 vota që miratuan ligjin Fusha, ishin edhe goditja e parë që iu dha Teatrit Kombëtar, 682 ditë përpara se Erion Veliaj të çonte fadromat për të shembur ndërtesat e tij, në orën 04:30 të mëngjesit të datës 17 maj 2020.
Miratimi i ligjit për teatrin ishte një goditje që iu bë jo vetëm protestës – si akt demokratik, – apo ndërtesës – si dëshmi e historisë së brezave para nesh – por edhe vetë hapësirës, sheshit si vendkrijim i fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes, nga vetë përfaqësuesit e pushtetit të popullit në kuvend.
Ato 75 kartonë jeshil, rrëzuan jo thjesht një ndërtesë, por hapësirën e përbashkët ku njerëzit shkonin për të qenë bashkë – jo thjesht për të kaluar, por për të mbetur. Ishte goditje ndaj asaj nyje urbane që mblidhte këdo, nga të katër anët, dhe nga të gjithë dhe më pas krijonte diçka.
Sot ajo hapësirë nuk ekziston më në qytet.
Shembja e “17 Majit”, i hapi rrugë lejeve të njëpasnjëshme nga “Rama & Veliaj”, të cilët vunë në zbatim planin e Bjarke Ingels, të kullës me teatër.
Sot pas më shumë se dy vjetësh nga fillimi i punimeve në atë shesh, hapësira publike nuk ekziston më. Në vend të saj, është një kalim i zgavruar në tunelin e betonuar, i cili qëndron i hijezuar nën ndërtesën si flutur e Bjarke Ingels, e cila sot të ngjan si porta hyrëse për në kullën e Fushës.
Të dyja kantieret sot janë bashkuar në një të vetëm dhe kanë lidhur mes tyresh hekurin i cili më pas mbulohet në beton, duke zhdukur krejtësisht atë çfarë ka mbetur nga dikur hapësira publike e teatrit.
Tashmë ato dy projekte po shpalosin në shkallë reale se si grabitet dhe më pas zaptohet me ligj hapësira publike.
Grabitje nga e cila do të përfitonte kushdo biznesmen apo politikan që ka investuar para në dy gropat tashmë të hapura dhe betonizuara në truallin e Teatrit Kombëtar.
Ndërsa ky i fundit, ashtu siç i ka ngritur kryet si karabina, të ngjan më shumë me një roje të kullës, e cila shkeli interesin publik, mori dhe përvetësoi tokën publike dhe grabiti përveç tokës edhe 33 kate ajër.
Teatri ishte vetëm fillimi
Ai shesh, ai mikrofon i hapur, ai mur ku shkruhej “Monument Kulture, mbrohet nga populli”, dhe nuk lejonte që qyteti të shembej me turp, duhej zhdukur.
Duhej vrarë ideja që hapësira publike është e jona. Sepse aty ku publiku mbledh zërin dhe kujtesën, aty nuk ndërtohen kulla, aty nuk qarkullon paraja e zezë.
Që ajo të rrjedhë pa pengesë, duhej zhdukur sheshi, duhej shembur gjithçka që kujtonte se qyteti është i njerëzve.
Kantieri i Pixel Tower/Doriana Musai, Citizens.al
Dhe ashtu ndodhi edhe me “Pazarin e Ri” – një tjetër hapësirë publike e zaptuar, e shndërruar në “pronë private” me çati xhami dhe çmime që përjashtojnë të përditshmit dhe larguan tregtarët.
Me Sheshin “Skënderbej”, që nga vendtakim për të gjithë, u bë një shesh që eskpozon vetëm kullat.
Me Liqenin Artificial apo atë të Farkës që është rrethuar me ndërtim dhe kulla biznesi.
Me vilat historike të qytetit, zonën historike të tij, e cila u flijua për një imazh që ka për fasadë hipokrizinë.
Në çdo goditje ndaj qytetit fshihet një gënjeshtër që ka emër: integrimi evropian. Sepse çdo kullë ndërtohet me emrin e zhvillimit, çdo shembje justifikohet me progresin, çdo përvetësim me modernizimin.
Por qyteti nuk matet me lartësinë e ndërtesave, por me lartësinë e qytetarëve që guxojnë të flasin. Dhe nëse zërat e tyre janë shtypur me beton, kjo nuk është rruga drejt Evropës. Është rruga drejt një talljeje publike me ëndrrën evropiane.
Ndërkohë që BE predikon pjesëmarrjen, decentralizimin, transparencën dhe mbrojtjen e trashëgimisë, qeveria jonë betonon, centralizon përjashton dhe zhduk kujtesën.
“Në BE vetëm me Edin!” slogani që Edi Rama shpalli si lokomotivë fushate elektorale, ishte më shumë se sa propagandë; ishte privatizimi simbolik i ëndrrës evropiane të të gjithë shqiptarëve. Një fjalë e thjeshtë që i vuri drynin qytetit ku çelësat e tij i ka një njeri i vetëm.
Por historia nuk mbyllet me shembjen e teatrit.
Në vend të ndërtesës së teatrit, ngrihet rrëfimi. Në vend të sheshit, mbetet kujtesa. Në vend të mikrofonit, jemi ne – sepse ne jemi Teatri. Qyteti është ende aty ku janë njerëzit që nuk harrojnë.
Dhe po, ajo hapësirë nuk është më fizike. Por ajo ekziston në çdo rrëfim, në çdo kujtim, në çdo artist që nuk u shit, në çdo qytetar që s’u tërhoq.
Në çdo deputet që nuk votoi “pro”, në çdo anëtar këshilli, punonjës administrate, që rezistoi dhe nuk pranoi të bëhej pjesë e krimit mbi qytetin.
Në çdo të ri që sot pyet: “Po kush e dha këtë vendim? Kush e firmosi këtë turp? Kush e heshti këtë vjedhje?”
Ata që firmosën, janë ende aty. Por edhe ne jemi ende këtu. Dhe sa kohë jemi, historia nuk mbyllet.
Ajo fillon aty ku kujtesa bëhet revoltë. Dhe hapësira publike rifillon aty ku qytetari e ndjen veten pronar jo të truallit, por të së drejtës për të thënë: Ky është qyteti im. Nuk jepet me koncesion.
Hipokrizia e “pastrimit” të hapësirave publike
Për të kompletuar farsën, po i kthehen qytetit me një tjetër maskë: atë të pastërtisë morale. Po shembin mbulesat e hijezuesve, po heqin çadrat, po dëbojnë kafenetë nga trotuaret si të kishin zbritur nga ndonjë Olimp i etikës urbane.
Por kush ua lejoi? Kush ua dha lejet të zgjeroheshin me platforma druri në trotuare? Kush i mbylli sytë për vite me radhë?
Ishte e njëjta administratë, e njëjta bashki, e njëjta qeveri që sot bën sikur është e tronditur nga “shpërdorimi i hapësirës publike”.
E njëjta dorë që i hapi rrugën, sot vjen dhe thotë: “Çfarë keni bërë kështu?” E njëjta dorë që firmosi lejet, sot vendos shiritin e verdhë për moral publik.
I toleruan, i ushqyen, i kthyen në normalitet – sepse për vite me radhë edhe trotuari ishte pronë për t’u shitur. Dhe kur erdhi momenti i “Rilindjes 2.0”, në vend që të godasin veten, godasin të vegjlit. Jo ata që ndërtojnë kulla, e zaptojnë hapësira publike duke i shkatërruar dhe vjedhur, por ata që vendosin një karrige plastike mbi pllakat e betonit të trotuareve.
Ky nuk është pastrim. Është amnezi e planifikuar, është rigrabitur dhe mbuluar me moral. Është një narrativë e prodhuar nga vetë shkaktarët e kaosit, që tani luajnë rolin e shpëtimtarit. Por qyteti nuk harroi. Sepse trotuaret nuk i zaptuan qytetarët – i zaptuan ata që shesin edhe ajrin midis hapave në rrugë.
Sot, hapësira publike në Shqipëri nuk grabitet më natën – ajo miratohet me ligj, zbatohet me fadromë dhe justifikohet me moral të rremë.
Në emër të rendit, pastrohet kaosi që vetë kanë krijuar. Në emër të qytetarisë, përjashtohet qytetari. Në emër të zhvillimit, fshihet çdo gjurmë kujtese.
Por qyteti ka memorie. Dhe për sa kohë kujtojmë si u shemb Teatri, si u grabit sheshi, si u mbyt fjala dhe si u zëvendësua me beton – për aq kohë kjo histori nuk është e mbyllur.
Ata e duan qytetin pa njerëz, pa pyetje, pa rezistencë. Por qyteti nuk është kartolinë. Nuk është planimetria e një kompanie ndërtimi. Është ai vend ku dikush mund të ulet, të flasë, të protestojë, të kujtojë dhe të mos harrojë.
Për aq kohë sa nuk harrojmë, hapësira publike nuk është plotësisht e humbur. Ajo jeton në kujtesën tonë, derisa të kemi forcë ta rikthejmë.
Me mikrofonin e hapur. Me sheshin e mbushur. Dhe me qytetin si pronë të përbashkët, jo si çmim ndërtimi, jo si mall shumice për tu shitur tek kushdo kalimtar i rastit.
Shënim: Lista e deputetëve që votuan “pro” duke miratuar ligjin special, është marrë nga dokumentat e Kuvendit. Një numër i konsiderueshëm i atyre që votuan, 25% e tyre, sot janë në burg, nën hetim penal ose në kërkim nga SPAK.
*Projektligji për Teatrin 37/2018, formuluar “Për përcaktimin e procedurës së veçantë të për negocimin dhe lidhje ne kontratës me objekt: ‘Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar’,” u botua online për konsultim më 8 qershor 2018. U shqyrtua dhe votua me procedurë të përshpejtuar 20 ditë më vonë dhe u rimiratua dy muaj më tutje pasi Presidenti e pati kthyer për rishqyrtim.
Një qytetar ka denoncuar një rast shqetësues zaptimi të hapësirës publike në rrugën “Karl Gega”, në Bulevardin e Ri të Tiranës, në pallatin ku ndodhet portreti i shkrimtarit Ismail Kadare. Sipas denoncimit të dërguar për JOQ, një subjekt ka ndërtuar një lokal me konstruksion metalik, duke hapur dyer dhe dritare në murin kallkan të pallatit, […]
Gazeta e njohur italiane “Il Fatto Quotidiano” ka publikuarnjë reportazh lidhur me “boom”-in e ndërtimeve në Tiranë, ku në fokus është “miqësia” mes Edi Ramës dhe arkitektit italian Stefano Boeri, emri i të cilit ka dalë së fundmi në një skandal me kryebashkiakun e Milanos. Në artikull thuhet se Tirana është e mbushur me kulla […]
TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në qytetin e Tiranës. “Këto janë pamje nga çdo lagje të Tiranës, vazhdojmë”, shkroi Rama krahas fotove.
Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Gjatë gjithë muajit korrik por edhe më tej, lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve.
TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Bashkia e Tiranës i bën apel qytetarëve që të kontribuojnë për një qytet më të pastër dhe të aksesueshëm për të gjithë, duke raportuar çdo rast zaptimi të hapësirave publike në aplikacionin “Tirana Ime”.
Përmes këtij aplikacioni, qytetarët mund të njoftojnë menjëherë për ndërtimet pa leje mbi trotuare, në lulishte apo në hyrje pallatesh – problematika që shpesh pengojnë lëvizjen e lirë dhe cenojnë hapësirën publike.
Në rubrikën “Raporto”, çdo përdorues mund të dërgojë informacion të detajuar, të shoqëruar me foto dhe vendndodhjen e saktë. Pas verifikimit në terren nga strukturat përkatëse të bashkisë, merren masat e nevojshme për lirimin e hapësirës.
“Ke hasur ndonjë hapësirë publike të zaptuar që pengon lëvizjen e qytetarëve? Ka ndonjë ndërtim pa leje në trotuare, lulishte apo në hyrje pallatesh? Aplikacioni “Tirana Ime” është krijuar nga Bashkia e Tiranës për të ndihmuar qytetarët të raportojnë problematikat në qytet”, njoftoi IMT në rrjetet sociale.
Në rubrikën “Raporto” mund të raportohet menjëherë një zaptim i hapësirës publike duke shtuar foto dhe vendndodhje. Strukturat përkatëse do ta verifikojnë në terren dhe do të marrin masat e nevojshme.
TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 63-vjeçar si autor të dyshuar të zjarrvënies së djeshme, në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa.
Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë”.
“Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas dyshohet se gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë, në vendin e quajtur “Fushë Stanë”, në zonën e Malit me Gropa, i cili, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, ka sjellë si pasojë djegien e rreth 600 hektarëve tokë me kullota dhe bimësi të ndryshme, në zona të tilla si lugina e Grykës së Mullinit, Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Dajtit, që bën pjesë në Zonat e Mbrojtura Natyrore”, njoftoi policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, as me qëllim dhe as nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin.
Dy persona janë arrestuar në Tiranë pasi u kapën me një sasi prej 1.3 kilogramësh kokainë. Ata dyshohet se shpërndanin drogën në zonat e Tufinës, Kinostudios dhe Freskut. Në rrugën “Myslym Keta”, u ndaluan shtetasit I. D., 58 vjeç (i dënuar më parë për krime ndaj jetës) dhe K. D., 26 vjeç, të afërm me […]
Një tjetër i lënduar nga flakët e zjarrit që përfshiu disa fshatra të Delvinës, u nis mbrëmjen e së premtes drejt Tiranës, për të marrë ndihmë të specializuar.
42-vjeçari Apostol Zhupa, nga fshati Kopaçez, ishte në grupin e banorëve që përpiqeshin për të shuar zjarrin e rënë në fshat.
Ai ka marrë shumë plagë djegieje, kryesisht në gjoks dhe shpatulla.
Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, është nisur mbrëmjen e së premtes me ambulancë drejt Tiranës.
Temperaturat pritet të arrijnë kulmin sot, me vlera deri në 43°C në qarqet Tiranë, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan, ndërsa në Kukës mund të shkojnë deri në 41°C. Kushtet ekstreme të motit shoqërohen me rrezik të lartë për shpërthim zjarresh në të gjithë territorin. Një ditë më parë, situata më e rëndë u regjistrua në Delvinë, […]
TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Partia e Lirisë e cilësoi vendimin e djeshëm të Këshillit Bashkiak të Tiranës për Pallatin e Kongreseve si akt të rëndë të zhdukjes së pasurisë publike.
Në një deklaratë për mediet, Arla Merja, sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, tha se vendimi është “preludi i një skenari të njohur: shkatërrim, beton dhe koncesion për oligarkinë”.
“Kalimi i pronësisë së Pallatit të Kongreseve nga Bashkia Tiranë në varësi të Ministrisë së Ekonomisë nuk është një vendim i pafajshëm burokratik. Është preludi i një skenari të njohur: shkatërrim, beton dhe koncesion për oligarkinë”, deklaroi Merja.
“Nën petkun e “ristrukturimit” dhe “zhvillimit ekonomik”, qëndron e njëjta logjikë që rrëzoi Teatrin Kombëtar, duke e shkatërruar në mes të natës me makina të blinduara, nën dhunën e policisë dhe heshtjen e pushtetit lokal. Sot, e njëjta gjë po ndodh me Pallatin e Kongreseve. Edhe ai do të zhduket, për t’ia lënë vendin një projekti luksoz, me interes vetëm për një grusht të pasurish që qarkullojnë gjithmonë rreth të njëjtit rreth politik dhe financiar”, u shpreh Merja.
Merja tha se ky pallat nuk është thjesht një ndërtesë, por është simbol i kulturës dhe historisë, një hapësirë publike që i ka shërbyer brezave me aktivitete, ngjarje, koncerte dhe simpoziume që kanë lënë gjurmë në kujtesën kombëtare.
Merja shtoi se kjo nuk është më çështje politike, por një çështje morale dhe qytetare.
“Ne nuk mund të lejojmë që Tirana të humbasë gjithçka që e bënte qytet me identitet. Tiranës nuk i duhet më një tjetër kullë. Tiranës i duhet dinjitet, trashëgimi dhe kujtesë”, the ndër të tjera Merja.
TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Dy shtetas të shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit dhe e Tiranës janë arrestuar në kuadër të operacionit “Totali”.
Policia e Tiranës arrestoi një 27-vjeçar, pasi nëpërmjet mashtrimit në bashkëpunim me 3 të tjerë, i kishin marrë një personi 100 mijë euro.
Policia njoftoi sot se u arrestua “S. R. (H)., 27 vjeç, i cili u kap në zonën e quajtur “Allias”, pasi kërkohej nga Policia e Elbasanit, i akuzuar se më datë 31.04.2024, në bashkëpunim me 3 shtetas, nëpërmjet mashtrimit, i kanë marrë 100 000 euro, shtetasit F. Rr”.
Gjithashtu është arrestuar edhe “A. O., 42 vjeç, i cili u kap në zonën e quajtur “Xhamlliku”, pasi akuzohet se iu merrte shtetasve, 300 000-400 000 lekë parapagesa, duke i mashtruar se do të kryente për llogari të tyre, punime me duralumin”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Shqipëria po përjeton një valë të nxehti ekstrem, me temperaturat që gjatë mesditës kanë arritur deri në 43 gradë Celsius. Kjo situatë ka vënë në sprovë qëndrueshmërinë fizike të banorëve, veçanërisht të të moshuarve dhe fëmijëve, ndërsa banorët e Tiranës po kërkojnë çdo mënyrë për t’i bërë ballë vapës përvëluese.
Një ndër zgjidhjet e shpejta dhe të aksesueshme për banorët kanë qenë burimet e ujit të vendosura në sheshin “Skënderbej”. Qytetarë të çdo moshe janë parë duke u freskuar, larë duart apo lagur fytyrën për të zbutur efektet e temperaturave ekstreme.
Një person dyshohet se i ka dhënë fund jetës në mënyrë tragjike paraditen e sotme në fshatin Pezë të Tiranës. Viktima është shtetasi N. P., 67 vjeç, i cili rreth orë 11:20 është gjetur i varur nga familjarët e tij. Ende nuk dihen arsyet se çfarë e ka shtyrë 67-vjeçarin drejt këtij akti ekstrem. Policia […]
TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Në Tiranë po vijon lirimi i hapësirave publike.
Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, vijoi sot aksionin për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga pergola, pedana dhe instalacione të ndryshme.
Policia njoftoi se “aksioni do të vijojë pa ndërprerje, në të gjitha zonat ku konstatohet shkelja e ligjit dhe pengimi i aksesit të lirë të qytetarëve”.
Ajo fton të gjitha subjektet të lirojnë vullnetarisht hapësirat dhe të respektojnë rregullat e bashkëjetesës urbane.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, i bëri thirrje qytetarëve për vëmendje të shtuar ndaj rrezikut të zjarreve gjatë këtyre ditëve të nxehta vere, duke kërkuar një bashkëpunim të gjerë për raportimin në kohë të çdo vatre të dyshuar. “Jemi në ditët më të nxehta të korrikut dhe rreziku për zjarre është shumë i lartë.
Në Tiranë, investimet madhore zhvillohen përmes lejeve jo-transparente që shfrytëzojnë agresivisht hapësirën urbane.
Rasti i ish-hotel Sheratonit, i kthyer në një projekt gjigand ndërtimi nga grupi Kastrati, është ilustrimi tipik i këtij modeli ku mungon transparenca.
Në vend të një zhvillimi në harmoni me Parkun e Liqenit, Kastrati gëzoi rritje intensiteti dhe kate shtesë në projektin që nuk pa asnjë herë leje ndërtimi të zbardhur dhe ndryshoi të paktën dy herë në dy vite.
Pamja e re e “projektit të vjetër”
Prej javësh, puna në kantierin e ish-hotel “Sheraton” mes “Arenës Kombëtare” dhe Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT) është shtuar ndjeshëm.
Nga lart godina qendrore ka nisur të vishet me konceptin zigzag të fasadës së re modulare, konceptuar nga Marco Casamonti, arkitekti italian që “kullëzoi” ish-stadiumin “Qemal Stafa”.
Hoteli simbol i luksit të Tiranës së fillimviteve 2000 nuk do të ketë më fasadën prej xhami dhe do të rrethohet nga një kompleks prej gjashtë kullash të larta deri në 15 kate.
Në të gjitha anët e kantierit dallohen blloqe të mëdha me materialet e fasadave, të cilat janë ndryshe nga ato që reklamohen në renderat e projektit.
Fasada e re e ish-hotelit Sheraton/Citizens.al
Gjithçka nisi në shkurt të vitit 2018 kur Leonardi, djali i sipërmarrësit Shefqet Kastrati, njoftoi në Instagram marrëveshjen për blerjen e ish-Sheratonit.
“Tashmë ish-hotel Sheraton i përket kompanisë Kastrati, sapo u mbyll transaksioni”, njoftoi ai.
Dy muaj përpara shitjes, kompania amerikane e hotelerisë “Sheraton” hoqi emrin nga hoteli i ”MAK Albania-s” duke zyrtarizuar largimin nga Shqipëria.
MAK Albania u themelua në vitin 1992 nga familja kuvajtiane Mohamed Abdulmohsin Al-Karafi, e cila siguroi nga qeveria e kohës troje dhe incentiva si “investitor strategjik” për zhvillime kompleksesh turistike në Tiranë, Dajt dhe bregdetin e Kavajës.
Pjesë e incentivës ishte dhe trualli buzë Parkut të Liqenit, krah UPT-ës. Familja Al-Karafi nisi ta ndërtojë hotelin në vitin 1993, por mundi ta përmbyllë si një filial të markës së njohur “Sheraton” vetëm në fillimvitet 2000.
Në vitin 2018 mediat raportuan se Kastrati e bleu MAK Albanian për 30 milionë euro. Por kontrata e shitjes tregon se objekti u ble për 18 milionë. Pjesa tjetër ishte garanci për të shlyer borxhet dhe huatë e marra ndër vite.
Bilanci i vitit 2017 tregon se MAK Albania kishte rreth 14.5 milionë euro detyrime, por një kapital prej rreth 95 milionë eurosh (rreth 12 miliardë lekë) asete, ndërtesa dhe troje.
Kjo situatë duket se krijoi mundësinë e një ujde për familjen Kastrati, e cila zuri vendin e oligarkëve kuvajtianë.
Në atë periudhë Kastrati hyri fuqimisht në sektorin e ndërtimeve në kryeqytet me projekte të tjera hotelerie, rezidenciash dhe zyrash, ku spikaste projekti “Downtown One” në rrugën e Elbasanit.
Planet aspak transparente të investimeve
Rreth një vit pas blerjes së ish-Sheratonit, Kastrati siguroi leje zhvillimi nga qeveria për një projekt madhor zgjerimi.
Studiot Archea (Marco Casamonti) dhe X-Plan (Ornela Muçaj) propozuan zgjerimin e hotelit ekzistues dhe ngritjen e gjashtë kullave 7-13 kate përreth.
Koncepti fillestar parashikonte 121 mijë m2 ndërtim (69 665 m2 mbi tokë) në 30,000 m2 truall me intensitet 2.32 dhe koeficient shfrytëzimi 44.3%. Projekti parashikonte parkim 3-4 kate nën tokë.
Leja e zhvillimit u sigurua më 8 nëntor 2019. Qeveria ia delegoi kompetencën e lejes së ndërtimit bashkisë Tiranë, e cila nuk i ka bërë asnjëherë publike këto dokumenta.
Sidoqoftë, ligji detyron ndërtuesin ta shfaqë lejen e marrë në një tabelë të dukshme në kantier. Në rastin e Kastratit, ajo nuk është parë kurrë, as pas datës 10 qershor 2021 kur përfitoi leje të re zhvillimi nga qeveria.
Koncepti i ri në lejen e dytë parashikonte shtimin me rreth 36% të sipërfaqes së ndërtimit mbi tokë (nga 69,665 m2 në 108,827 m2) duke shtuar intensitetin në 3.6, me lartësi deri në 15 kate dhe parkingje 5 kate nën tokë.
Nuk është e qartë se kur bashkia Tiranë ia dha lejen e parë të ndërtimit Kastratit – aq më shumë lejen e dytë – por pamjet satelitore dëshmojnë se në kompleksin e ish-“Sheratonit” vinçi ishte ngritur një muaj para se të jepej leja fillestare e zhvillimit nga qeveria: tetor 2019.
Bashkia e Tiranës, kompania Kastrat dhe studiot e arkitekturës nuk iu përgjigjën kërkesave për informim apo koment të Citizens.al rreth kësaj çështje.
Pamje satelitore ku shfaqet vinçi i ngritur në ish-Sheraton që para marrjes së lejes së zhvillimit/Citizens.al
Rasti është i ngjashëm me projektin “Downtown One” te rruga e Elbasanit, po nga Kastrati.
Leja e zhvillimit u dha nga qeveria më 14 prill 2017 për kullë 36 kate me 62,000 m2 sipërfaqe ndërtimi, intensitet 16.26 dhe koeficent shfrytëzimi trualli 45%. Dhënia e lejes së ndërtimit iu delegua bashkisë Tiranë, e cila nuk e bëri publike.
Ajo që dihet është se Kastrati nisi punën paralelisht me gërmimet, që u bënë te ish-parku “7 Xhuxhat” në kuadër të projektit për ndërtimin e parkingut nëntokësor publik.
Projekti në fjalë nisi në janar 2018, rreth tetë muaj pasi Kastrati kishte marrë lejen e zhvillimit për kullën.
Në të njëjtën datë kur përfitoi leje të dytë zhvillimi për ish-Sheratonin, Kastrati përfitoi rishikim të lejes së zhvillimit për “Downtown One”.
Në lejen e re të datës 10 qershor 2021 struktura fitoi 4 kate lartësi, por shtoi vetëm 92 m2 sipërfaqe totale. Për këtë ndryshim Kastrati lëshoi rreth 5% koeficient shfrytëzimi të truallit për qëllime publike për një total prej 60.5%.
Nuk është e qartë se përse është dashur ky rishikim në leje, ku praktikisht nuk është përfituar ndonjë sipërfaqe ndërtimi. Por ka gjasa ajo mund të jetë bërë për të legjitimuar gërmimet jashtë kufirit të pronës në ndërtimin e parkingut të kullës.
Kastrati ka dalë me gërmime deri në rrugën “Fatmir Haxhiu”, pjesë për të cilën ditët e fundit po ripunohet me betonarme (foto 2023; foto 2025).
Brenda kantierit të Downtown One, ku po punohet me betonarme zona fundore/Citizens.al
Shkelje të mundshme konstatohen edhe te projekti i ish-Sheratonit.
Në fillim të vitit 2022 Kastrati rrethoi pjesën para duke vijuar punimet për parkingun nëntokësor.
Pamjet satelitore tregojnë se kompania rrethoi edhe rreth 1,800 metra katrorë përtej rrugës ekzistuese të hotelit. Kjo ndërhyrje nuk ishte parashikuar në asnjë nga dy lejet e zhvillimit – të vetmet dokumente publike.
Një rrugë e re u hap krah UPT-së në atë që hartat e Kadastrës tregojnë të jetë prona 7/18 e Zonës 8160. Kështu Kastrati u zgjerua nëntokë deri në kufi të pronës së tij dhe përfitoi një rrugë që i shkon direkt në hyrjen e parkingut.
Rruga e re dhe pjesa e shtuar e hotelit të Mak-Albanias/Citizens.al
Lëvizjet në hije të “investitorëve strategjikë”
Zhvillimi i ish-Sheratonit është nisur nga Kastrati në ortakëri me sipërmarrësin Samir Mane, por sot nuk kuptohet nëse vijon e njëjta ortakëri.
Leja e parë e zhvillimit për ish-Sheratonin përmendte si zhvillues kompanitë e grupit Kastrati (Kastrati Residences dhe Kastrati Hotels & Tower) dhe Mak Elite Offices (MEO) një kompani e themeluar në vitin 2017 nga Balkan Finance Investment Group (Balfin) e sipërmarrësit Mane.
Dokumentet tregojnë se në shkurt 2018 – pra, kur Kastrati bleu ish-Sheratonin – grupi bleu për 700 mijë lekë edhe 50% të aksioneve të Manes te projekti “Downtown One”, të cilat zotëroheshin nga BFI Invest – tjetër kompani e Balfin-it.
Nuk kuptohet qartë se si Balfin është tërhequr nga një projekt si “Downtown One” për kaq pak para, kur për më tepër kishin nisur punimet.
Nga ana tjetër, për MEO-n mund të themi se nuk ka pasur ecuri të gjatë. Kjo kompani e Balfinit rriti kapitalin me rreth 180 mijë euro në vitin 2020 dhe një vit më pas pezulloi dhe çregjistroi aktivitetin.
Balfin nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga Citizens.al nëse vijonte të ishte e përfshirë në investimin te ish-Sheratoni, edhe pse në lejen e dytë të zhvillimit ajo nuk përmendet më.
Projekti i Kastratit u reklamua bujshëm nga kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj se do të tërhiqte si filiale markat ndërkombëtare të hoteleve Hyatt dhe Hilton. Në një njoftim në faqen e saj, Hilton thoshte se do të mund të niste punën në mjediset e reja nga fundi i vitit 2023.
Të dy markat ndërkombëtare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment nga Citizens.al rreth arsyes së shtyrjes së këtij afati dhe periudhës se kur mund të mbarojnë punimet.
Por, rasti i ish-“Sheratonit” tregon se investimet në zemër të Tiranës nuk janë më çështje zhvillimi, por demonstrim influencash dhe pushteti.
Në një shtet ku ligji vepron selektivisht dhe informacioni mbahet i fshehur, fiton më shumë ai që ka akses te pushteti. Humb qyteti, humbin qytetarët.
Këshilli Bashkiak i Tiranës i hapi sot rrugë projektit të “rijetëzimit të Pallatit të Kongreseve” duke i kaluar një parcelë toke Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH). Zona përfshin një lulishte publike që rrezikon të humbasë funksionin si hapësirë e gjelbër nga natyra e zhvillimit të propozuar.
Ngjashëm në diskutim është vënë edhe integriteti i godinës monument i trashëgimisë kulturore për vlerat arkitektonike që mbart.
Vendimi i marrë në mbledhjen e sotme parashikon kalimin e administrimit të 2261 m² truall nga bashkia te Korporata, e cila më parë ka marrë në administrim edhe truallin e Pallatit të Kongreseve.
Kryetarja e komanduar, Anuela Ristani, theksoi gjatë mbledhjes së Këshillit se ndërtesa është pronë e Ministrisë së Kulturës, dhe se bëhej fjalë vetëm për një rrip lulishteje para, i cili “duhet për projektin rijetëzimit”.
“I duhet e gjithë prona në administrim,” theksoi ajo duke justifikuar kërkesën nga KISH, teksa këshilltarët opozitarë kundërshtuan kërkesën duke u shprehur se prona po kërkohet për t’iu kaluar privatëve për kulla.
“Ai rripi i vogël që po flisni ju, është 2261 m2 dhe a mund ta na qartësoni nëse aty do të ketë një kullë?”, tha në fjalën e tij Ilir Alimehmeti.
Znj. Ristani tha se nuk ishte në dijeni të projekteve ende, apo nëse do të ketë shembje apo ndërtim të një kulle.
“Kjo është në dorë të atyre që do bëjnë ekspertizën”, theksoi ajo.
Trualli me sipërfaqe 2261 m2 pas Pallatit te Kongreseve
Interesi për të rizhvilluar zonën e Pallatit të Kongreseve qe shprehur që në janar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Më 1 prill KISH publikoi në rubrikën “Thirrje të Ardhshme” njoftimin për “Rikonstruksionin e Pallatit të Kongreseve”. Por ky njoftim ishte i zbrazur, pa asnjë informacion.
Në muajin maj, teksa u prezantua projekti “Tirana Moons”, Kryeministri Edi Rama tha se për “Pallatin e Kongreseve” do të aplikohej e njëjta formulë si me stadiumin kombëtar, deklaratë e cila nënkupton zhvillimin me privatë të strukturave të larta.
Korporata ka propozuar t’i japë në këmbim bashkisë një tjetër sipërfaqe 1,209 m², por jo në të njëjtin vend. Ky model “këmbimi” është përdorur më parë për të justifikuar projekte me kulla në prona publike.
Ligjërisht, ky kalim mbështetet nga VKM-të dhe ligji për Korporatën e Investimeve. Por praktika ka lënë vend për dyshime nga mungesa e transparencës, prioriteteve urbane dhe përfitimeve publike.
Në projektet e kaluara, KISH ka përdorur formulën e Partneritetit Publik-Privat për të nxitur ndërtime intensive në prona publike.
Rasti i Pallatit të Kongreseve ngre pikëpyetje mbi vizionin urban dhe mbrojtjen e hapësirave publike në Tiranë. Në mungesë transparence, qytetarët rrezikojnë të humbasin një tjetër hapësirë publike dhe ndërtesë historike nën logon e “modernizimit”.
Diskutimi për këtë truall duhet të zgjerohej, me kërkesë për garë të hapur, dokumentacion publik dhe mbikëqyrje qytetare.